PASHTRIKU: PSE SHKRIMTARI REXHEP HOXHA REFUZON ÇMIMIN KOMBËTAR LETRAR “AZEM SHKRELI”?!

(Pashtriku.org, 05. 06. 2012) – Shkrimtari Rexhep Hoxha në refuzimin e këtij çmimi ka dhënë dy arsye bazike:  E para: Qeverinë e Kosovës në krye me Hashim Thaçin e ka cilësuar si qeveri “servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj të vetëve, me zyrtarë të lartë të pangopur për t’u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër,” e “me deputetë rrogash shumëfish më të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët,…” etj., dhe e dytë: “duke e njohur mirë AZEM SHKRELIN, SHPIRTI, NDERI DHE KARAKTERI IM NUK E PRANON ASNJË ҪMIM ME EMRIN E TIJ. Me shkrimtarin merr fryme kombi. Ai për asgjë as nuk shitet as nuk blihet”. Kam përshtypjen se, Rexhep Hoxha kur thotë: “duke e njohur mirë Azem Shkrelin, shpirti, nderi dhe karakteri im nuk e pranon asnjë çmim me emrin e tij”, ka lënë të kuptoj se, ai e njeh mirë edhe anën tjetër të medaljes së Azem Shkrelit, si njeri të regjimit komunist dhe pjesëmarrës aktiv në diferencimin ideo-politik të të gjithë “nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë”, që kërkonin avansimin e Kosovës në Status të REPUBLIKËS!…
Shkrimtari Rexhep Hoxha refuzon marrjen e çmimit kombëtar letrar “Azem Shkreli”!
Në dy vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të Republikës së Kosovës (më 17 shkurt 2010) – Valton Beqiri, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bazuar në nenet 3 e 21 të Rregullores për dhënien e Çmimit Kombëtar Letrar “Azem Shkreli”, dhe në pajtim me vendimin e datës 3 shkurt 2010 të jurisë në përbërje: Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Sali Bashota, Vehbi Miftari dhe Vjollca Dibra, kishte marrë vendim që për vitin 2009, të jepen pesë çmime letrare, ato  ishin:  Çmimi vjetor për veprimtari jetësore “Azem Shkreli”, çmimin për veprën më të mirë në prozë, poezi, kritike-ese dhe përkthimin më të mirë letrar.
Me këtë rast Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet shkrimtarëve: Rexhep Hoxha dhe Nazmi Rrahmani.

SHKRIMTARI REXHEP HOXHA

____________________________________

Rexhep Hoxha, autori i mbi 40 veprave të gjinive e zhanreve të ndryshme letrare, (nga poezia lirike deri te romani), sapo është njoftuar, nga mediet – për ndarjen e këtij çmimi (ku do t’i merrte 2. 500 Euro shpërblim), më 8 shkurt 2010 (ditë e hënë) nëpërmjet një komunikate, ka bërë me dije opinionin publik se refuzon ÇMIMIN KOMBËTAR PËR VEPËR JETËSORE “AZEM SHKRELI”!
Në komunikatë shkrimtari REXHEP HOXHA, shkruan: “Nga mjetet e informimit u njoftova se më është ndarë Çmimi Kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Mirëpo, duke qenë se çmimin e jep një qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj të vetëve, me zyrtarë të lartë të pangopur për t’u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër, me deputetë rrogash shumëfish më të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët, pa i përmendur kategoritë më të ulëta të nëpunësve me rroga të mjerueshme, pensionistë lëmoshash, të kërkojnë edhe nga një veturë për kokë, shofer për vete dhe beneficione të tjera në një kohë varfërie të hatashme e papunësie të përvajshme, me vetëvrasje si kurrë më parë nga humbja e besimit në jetë, për t’u lënduar çdo zemër njeriu, këtë ҪMIM E REFUZOJ. Së dyti, duke e njohur mirë AZEM SHKRELIN, SHPIRTI, NDERI DHE KARAKTERI IM NUK E PRANON ASNJË ҪMIM ME EMRIN E TIJ. Me shkrimtarin merr fryme kombi. Ai për asgjë as nuk shitet as nuk blihet”.
Kam përshtypjen se, Rexhep Hoxha kur thotë: “duke e njohur mirë Azem Shkrelin, shpirti, nderi dhe karakteri im nuk e pranon asnjë çmim me emrin e tij”, ka lënë të kuptoj se, ai e njeh mirë edhe anën tjetër të medaljes së Azem Shkrelit, si njeri të regjimit komunist dhe pjesëmarrës aktiv në diferencimin ideo-politik të të gjithë “nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë”, që kërkonin avansimin e Kosovës në REPUBLIKË!

POETI DHE KOMITETLIU AZEM SHKRELI!

______________________________________

Për ta sipërfaqësuar anën tjetër të madaljes së shkrimtarit AZEM SHKRELI, lexoni: 

ÇERKIN ISMAILI: SI ME DIFERENCOI IDHULLI IM „AZEM SHKRLI“?!

Rexhep Hoxha fitues i çmimit letrar ” Esad Mekuli”
Derisa shkrimtari ynë i shquar Rexhep Hoxha, kishte refuzuar këtë çmim, më 17 dhjetor 2010, (me rastin e 94 vjetorit të lindjes së poetit Esad Mekuli), do të shpallet fitues i çmimit letrar “ESAD MEKULI”, të cilin tradicionalisht e ndan Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Njoftimin për fituesin e këtij çmimi LSHK-ja e kishte bërë publike nëpërmjet një komunikate për media.
“Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në kuadër të veprimtarisë së saj për stimulimin dhe afirmimin e krijimtarisë letrare, shpalli fitues të çmimit tradicional letrar ‘Esad Mekuli’ për krijimtari letrare shkrimtarin Rexhep Hoxha (1929), njërin ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe”, – kështu thuhet në njoftimin e LSHK-së, të nënshkruar nga kryetari i saj Adem Demaçi. Sipas këtij njoftimi, vepra letrare e Rexhep Hoxhës ka ndikuar në edukimin dhe ngritjen intelektuale të brezave të tërë me vepra gjinish e zhanresh të ndryshme, duke filluar nga poezia lirike deri te romani si lloj kompleks i letërsisë.  “Ndihmesa e shkrimtarit Hoxha është e shumanshme, prandaj Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës vlerëson se këtë çmim për shumë arsye e meriton ky shkrimtar”, – thuhet në njoftim e LSHK-së. “Nuk e kam ditur. Më vjen shumë mirë që më kanë ndarë këtë çmim. Kjo është një kënaqësi e madhe për mua. Mekuli i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm letërsisë moderne. Është nder i madh për mua që të jem laureat i këtij çmimi.., dhe do ta pranojë me shumë kënaqësi, duke pasur parasysh figurën kulminante të shkrimtarit Esad Mekuli” – ka thënë Shkrimtari Rexhep Hoxha.

REXHEP HOXHA, DUKE PRANUAR ÇMIMIN LETRAR “ESAD MEKULI”

_____________________________

Opusi i tij letrar
Rexhep Hoxha ka lindur në Gjakovë, më 1929. Shkollën fillore dhe shkollën Normale i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filozofik në Beograd. Ka punuar si mësues në Pogragjë të Gjilanit, për të vijuar më vonë si profesor në Normalen e Gjakovës, atë të Prishtinës, në Gjimnazin e Mitrovicës si dhe në shkollat Pedagogjike në Gjakovë e në Prishtinë. Rexhep Hoxha, ka punuar në gazetën ” Rilindja”, në Radio Prishtinë si dhe ka qenë anëtar redaksisë në revistën për fëmijë “Pionieri”. Me shkrime letrare ka fillue të merret si nxënës i Normales së Gjakovës. Ka shkruar poezi, prozë për të rritur e fëmijë dhe kritikë letrare. shkrimtari Rexhep Hoxha është autor i mbi 40 librave letrare. Në vitin 1953 boton librin e parë me vjersha “Gjethet e reja”, ndërsa në vitin 1959 boton romanin e parë për fëmijë në gjuhën shqipe në Kosovë, “Lugjet e Verdha”. Ka botuar edhe vëllimet me poezi: “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Vjersha” (1963), “Lulet e frashënjetit” (1965), “Pika vese”, (1966), “Qielli e poeti” (1971), “Vargu idhnak” (1971), “Lulëzo, vendi im”, (1973), “Zëri i pyellit” (1974), “”Micimiri” (1976), “Tokë trëndafililash” (1976)… Gjithashtu ka botuar vëllimet me proza: “Gecatarët” (1969), “Pipereku” (1975) dhe romanin “Verorja” (1983). Përveç këtyre veprave, ka botuar edhe disa publikime kritikash: “E po ku jemi” (1972), “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut” (1991), “Allahu e shpëtoftë Kosovën” (1996) dhe ” Kosova dhe lajkat” (1996) e shumë të tjera.


Shkruan: Sheradin Berisha, kryeredaktor i pashtriku.org

 

Total
0
Shares
3 comments
  1. Hello! Do you know if they make any plugins to assist with SEO?
    I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good results.
    If you know of any please share. Kudos! You can read similar article here:
    Sklep internetowy

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura