PASHTRIKU: QOFTË I PAHARRUAR KUJTIMI PËR MOTRËN AJSHE DEMAҪI – JASHARI

Pashtriku.org, 23. 01. 2014 – Dje, në moshën 84-vjeçare ka vdekur Ajshe Demaçi-Jashari, motra e Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, ndërsa sot ajo u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës. Motra Ajshe gjatë të gjitha viteve të burgut 28-vjeçar e ka vizituar vëllanë e vet nëpër kazamatet e Jugosllavisë dhe e ka mbështetur fuqimisht në rrugën e tij të rezistencës. Me rastin e varrimit, në varrezat e qytetit, në Prishtinë, Adem Demaçi pasi falënderoi të gjithë ata që kishin shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, solli në kujtesë sakrificën e motrës së tij dhe të motrave, bijave, nënave e nuseve shqiptare, të cilat në çdo kohë dhe në çdo rrethanë u gjenden pranë vëllezërve, bijve e më të dashurve të tyre.
Motra Ajshe e Adem Demaçit, nuk iu nda vëllait të vet në rrugëtimin e tij të gjatë nëpër historinë e rezistencës shqiptare, një histori heroike, të cilën ai e kishte trasuar nga burgu në burg, nga njëri kazamat në tjetrin, në vende të ndryshme nëpër humbëtirat e ish-Jugosllavisë.
Ajo, sakrifikoi, sikur sakrifikon motra për vëllanë, sidomos ashtu sikur sakrifikon motra shqiptare.
E vizitoi në të gjitha burgjet ku e kishin degdisur forcat e territ e të tmerrit. Jo vetëm që e vizitoi, por edhe e trimëroi, duke e mbështetur rrugën e tij të gjatë të sakrificës për kombin, për Atdheun, për Kosovën, Iliridën, Shqipërinë.

Ishte e vetëdijshme se kishte një vëlla trim dhe të vendosur, një vëlla që po e sfidonte një shtet, një fuqi, për të cilën pak shqiptarë kishin menduar se një ditë, ai shtet dhe ajo fuqi e madhe do të shthurej, do të katandisej e kurrë më nuk do të ngrihej, pikërisht ashtu sikur kishte parashikuar vëllai i saj i dashur, i cili me kohë ia kishte dhënë munxët, me kohë kishte bërë të ditur se jeta me ligjet e veta ka shtrirë për toke edhe perandoritë më të mëdha e më të fuqishme të botës, e lërë më shtet që ishte bërë burg, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për kroatët, sllovenët, boshnjakët, hungarezët e shumë popuj të tjerë.
Rrugëtimi i saj për të mbajtur kontakte me vëllanë, për t’ i dërguar ndërresa të pastra e ndonjë ushqim shtëpie, për t’i treguar se si po gjallojnë të gjallët, se kush kishte lindur e kush kishte vdekur, për t’ia plotësuar ndonjë kërkesë të veçantë, ishte po aq i gjatë sa edhe burgu i vëllait, plot 28 vjet.
Nga muaji në muaj, nga vitit në vit, ajo me afërmit e vet rrugëtoi nëpër Serbi, Bosnje e Kroaci, rrugëtoi nëpër humbëtirat e Jugosllavisë. Dy ditë rrugë me tren, për ta parë vëllanë, pas disa muajve dhe për të qëndruar e për t’u çmallur me të, vetëm një gjysmë ore, apo të shumtën një orë. Kohën tjetër prej kthimit nga vizita e deri te vizita e radhës duke menduar për shëndetin e tij, për vitet që po kalonin dhe ai nuk po kthente, as pas nëntë vitesh, sikur ishte kthyer Konstandini te motra Garentinë, as pas 20 vitesh sikur ishte kthyer në shtëpi,Odiseu i kohës së lashtë, as pas 25 vitesh sikur ishte kthyer Dedali i rrëfimeve të moçme shqiptare.
Motra Ajshe, priste vëllanë që një ditë të kthehej bashkë me lirinë dhe nuk vajtonte për të, por e bekonte me gjuhën e motrës, me bekimin e nënës. Ajo kujdesej për nipin, Shqiptarin dhe mbesën, Abetaren, që po rriteshin pa e pasur pranë babanë, po kujdesej për bashkëshortin e vet, bijtë e bijat. Po në zemër e në mendje kishte vëllanë e vetëm, Ademin, i cili me këmbëngulje tipike, heroike, vazhdonte ta sfidonte pushtetin, që i mbante nën robëri shqiptarët, dhe përpiqej t’ i bindte se kishin liri nën robëri, madje shumë me tepër sesa ata, në Shqipëri.

Prishtinë, 23. 01. 2014: Gjatë ceremonisë së varrimit…

Me kohë e kishte kuptuar se në mos më shumë, vëllanë do ta ndihmonte e do t’ i jepte zemër me përkushtimin e saj, me besimin dhe dashurinë e saj, me mbështetjen, të cilën mund t’ ia jepte dhe atë dashuri e përkushtim nuk e kurseu kurr, deri në ditën kur u nda nga jeta.
Shembulli i Nënë Ajshes dhe i Motër Ajshes është shembull unikat i jetës shqiptare, ashtu sikur ishte dhe po mbetet unikat vëllai i saj, Ademi, Simboli i gjallë i të gjithë shqiptarëve liridashës, kudo ku ata jetojnë.
Nderimi që iu bë sot, me rastin e varrimit, motrës, Ajshe Demaçi, nënës, dhe gjyshes së dashur, zbuloi respektin e familjarëve dhe liridashësve të vendit, që kanë pasur dhe kanë për jetën dhe rrugën e saj të mundimshme, rrugën e sakrificave të panumërta të nënave e motrave tona.
“Nëna Ajshe iu kthye Nënës Tokë”, por kujtimi për të nuk do të harrohet kurrë, sepse kurrë nuk do të harrohet burgu dhe sakrifica jetësore e Adem Demaçit dhe kurrë nuk do të harrohet edhe motra e përkushtuar dhe Nëna e Madhe, bashkëveprimtarja e lirisë, Ajshe Demaçi-Jashari. (A.Q)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura