ALBIN KURTI: UKSHIN HOTIN NUK MUND TA LEXOSH; UKSHIN HOTIN MUNDESH VETËM TA RILEXOSH

Krushë e Madhe, 17 qershor 2012 (*) – Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor, E nderuara familje Hoti, Të nderuara familje të dëshmorëve, Të dashur luftëtarë të UÇK-së, I nderuar ambasador i Republikën së Shqipërisë, Islam Lauka, I nderuar kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifaj, Jemi mbledhur sot këtu që ta kujtojmë Ukshin Hotin por njëkohësisht edhe ta përjetësojmë këtë kujtim nëpërmjet kësaj Shtëpie Muze që do të jetë histori e gjallë edhe për brezat e ardhshëm. Ukshin Hoti është personaliteti më i shquar i teorisë dhe i veprimtarisë politike në kohën më të re të kombit shqiptar.
Të gjithë i dimë paradokset e Ukshin Hotit: nga qenia në pushtet doli në rrugë, nga pozitat e larta në sistem shkoi në burg për Republikën, nga legaliteti kaloi në ilegalitet, nga Harvardi u kthye në Krushë të Madhe. Në fakt, Ukshin Hoti s’është paradoksi. Të tjerët janë paradoks.
Ukshin Hoti kishte edhe dije, edhe guxim, edhe veprim. Ishte profesori më i mirë për studentët sepse gjithkë e bënte student ndërkohë që vetë studionte vazhdimisht.

_____________________________

Tri herë u burgos dhe shumë herë u rrah për vdekje. Herën e fundit, Ukshin Hoti ishte rrëmbyer para burgut por ishte rrëmbyer edhe në burg. 13 vite më vonë, fati i tij nuk dihet as sot e kësaj dite.
Shumë njerëz e reduktojnë problemin politik në ekuacion me një të panjohur. Dhe mandej trimërohen. Ukshin Hoti ka qenë guximtar pa këtë reduktim. E ka trajtuar historinë e problemit, kontekstin aktual me shkaqet dhe faktorët e ndryshëm dhe në dritën e një vizoni për të ardhmen. Ukshin Hoti nuk ka qenë trim vetëm kundrejt së njohurës, por edhe kundrejt së panjohurës të cilën nuk ka rreshur kurrë së njohuri.
Librin kryesor të Ukshin Hotit, Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, e kam lexuar sërish tash së voni. Dhe, e kuptova një gjë shumë të tjeshtë dhe shumë të vështirë: Ukshin Hotin nuk mund ta lexosh; Ukshin Hotin mundesh vetëm ta rilexosh. Sepse sa herë që e rilexon librin e tij e kupton që leximi paraprak ishte aq i mangët.
Vështirë të gjendet ndonjë libër tjetër ku politika dhe shkencat politike, filozofia dhe historia, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe demokracia, morali dhe ideali, na jipen në një ndërthurje të këtillë organike, madje edhe me vlerë univerzale dhe njëkohësisht të përkthyera në realitetin tonë kombëtar e shoqëror.
Ukshin Hoti parashtroi tri teza monumentale që janë veçse më aktuale sot sesa në kohën kur ai i shkroi ato:
1. Kundërshtimi i konstituimit të Republikës së Kosvës nuk bëhej si kundërshtim i Republikës, por i hapit tjetër të ardhshëm: ushtrimit të së drejtës së vetëvendosjes dhe bashkimit me Shqipërinë.

2. Bashkimi shqiptarëve është guri provues i Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që nëse në BE shqiptarët mbesin të ndarë, BE-ja vetë do të jetë shumë e brishtë.
3. Efekti politik i qëndrimit që llogarit veçse në forcat e huaja është instrumentalizim total i Kosovës për interesa të huaja dhe jo për interesa të veta.
Prandaj, nuk më duket korrekte që të vazhdoj të flas për Ukshin Hotin përderisa ai edhe sot flet për neve. Ajo që ne do të mund të thoshim për të është shumë më pak e rëndësishme sesa ajo që ai tashmë e ka thënë për neve. Në vijim unë kam zgjedhur disa citate të shkurtëra prej librit të tij kryesor:
– Metodat e pandershme nuk mund të çojnë drejt realizimit të qëllimeve fisnike.
– Është e drejtë e secilit të zgjedhë rrugën e tij, por jo në kurriz të tjetrit dhe as në kurriz të së vërtetës.
– Demokracia që do t’i përsëriste përvojat jonjerëzore të raportve shoqërore nuk është demokraci por neofashizëm.
– Serbët do të dëshironin t’i ruanin tokat e pushtuara në rrethana të tjera historike, si minimum të dhënë për integrimin e tyre në Evropë, me çmimin e provokimit të luftës në Ballkan.
– Proceset demokratike të Evropës e nënkuptojnë emancipimin e intelegjencisë nga shteti dhe instrumentalizmin e shtetit në funksion të demokracisë.
– Politika serbe natyrisht se e ka të qartë se, së paku në raport me shqiptarët nuk është fjala për toka serbe. Argumentimi historik në këtë rast është dubioz dhe në instancën e fundit i paqëndrueshëm. Fjala është më tepër për shpresën se, sikurse në të kaluarën, komponenta religjioze e argumentimit politik do ta luajë rolin e vet në vendimet përfundimtare të rregullimit të çështjes.
– Kosova nuk mund të stoliset me një demokraci të imponuar nga jashtë; se asaj demokracia nuk i duhet për t’u stolisur (se edhe ashtu është e bukur), e as për të vallëzuar me të.
– Kosova nuk mund të arrijë në Evropë pa një demokraci autentike, të vetëlindur prej saj.
– Programi kombëtar ekziston në qëllimin kombëtar.
– Për mua ka qenë plotësisht e mundshme që ngjarjet e vitit 1988-89 ta shtojnë kërkesën për Kosovën Republikë. Por kjo kërkesë nuk është theksuar. Shtrohet pyetja: përse? Përse të kërkohet ruajtja e Kushtetutës së vitit 1974 ku si kërkesë është vënë në mbrojtjen e status quo-së, dhe si e tillë s’mund të ishte tjetër pos regresive? (Pra, ashtu qysh atëherë nuk shtrohej çështja e Republikës ndërkohë që po e humbisnim autonominë, sot, për shkak të kësaj koniukture politike në pushtet, nuk shtrohet çështja e bashkimit kombëtar ndërkohë që po na hiqet në forumet rajonale fjala ‘Republikë’ nga emri i shtetit e po na zbehet pavarësia me fusnota.)
Ukshin Hoti thotë që arsyeja e parë e kundërshtimit të Republikës së Kosovës para tri dekadave ishte se “Republika e tillë do ta shfrytëzonte të drejtën për vetëvendosje dhe do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të cenohej integriteti territorial i Jugosllavisë. (Pra, e drejta e vetëvendosjes është dëshmi për Republikën. Pavarësia e sotme pa vetëvendosje është Republikë minus.)
– Për shkak të shkallës së zhvillimit të gjithmbarshëm, problemi thelbësor i Kosovës nuk është shkalla me të cilën akceptohet demokracia por zhvillimi. Demokracia doemos do të duhej t’i ndihmonte zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës. Si e tillë është padyshim e mirëpritur dhe e mirëseardhur. Mirëpo me demokraci nuk mund të synohet konservimi i raporteve të vjetra, sepse ato në Kosovë janë të karakterit feudo-klanor dhe bile as të karakterit feudo-borgjez.
– Duke u nisur nga qëndrimi se politika ishte shprehje e koncentruar e ekonomisë konsideroja se kërkesa e parashtruar për republikë në esencë ishte vetëm kërkesë për një zhvillim më të shpejtuar dhe më të gjithanshëm ekonomik.
– Thuhet se këto çështje nuk po i bisedojnë thjesht me pretekstin se “gjendemi në kushte të veçanta”. Mirëpo kushtet e veçanta mund të imponojnë vetëm luftë të veçantë, një tempo të shpejtuar të zgjidhjes së problemeve, dhe jo të shërbejë si pretekst për prolongimin e moszgjidhjes së problemeve.
– Vetëm nevoja për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe të shpejtuar të Kosovës i nxiti të rinjtë dhe të rejat në luftë demokratike (atëherë kur nuk ekzistonte kurrfarë demokracie) për Republikë, e jo qejfi, moda a dëshira për ta imituar Evropën.
– Arsyetimi i gabimeve ka kuptim vetëm atëherë kur ato nuk bëhen me qëllim dhe sidomos kur mungon intenca e përsëritjes së tyre. Në të kundërtën, fjala është për ndonjë kurs të caktuar të zhvillimit të gjërave.
– Ky popull kishte përjetuar mjaft trauma që ia shkaktonin të tjerët. Ishte koha që të mos i duronte as të vetat. Në Kosovë nuk mund të kishte kthim prapa në komunizëm, por as që mund të lejohej marshimi i saj drejt fashizmit apo neofashizmit.
Ukshin Hoti jo vetëm që ka kritikuar pushtetet e kohës por ai i ka bërë kritikë edhe dukurive shoqërore e posaçërisht intelektualëve.
– Qysh para vitit 1981 e kisha vënë re fenomenin e bijëve të ‘tatave’ nëpër Prishtinë, por nuk e dija se ata mbështeteshin nga bijtë e ‘haxhi-bababe’ në fshat.
– Një fatkeqësi e rëndomtë e intelektualëve tonë është se nuk avancojnë dot së bashku me gradat.
Kur një intelektual i thotë Bacës Ukë “Nuk kishim pasur popull por vetëm fis”, ja se çfarë shkruan Ukshin Hoti: “Ndoshta vërtetë ishte kështu, por ky nuk kishte të drejtë ta thoshte një gjë të tillë. “Qen bir qeni, – thashë me vete, – e dëshiroje luftën por jo edhe përgjegjësinë!” Me imoralitetin e këtij qëndrimi e katandisën çdo moral në gjendje të amullisë shpirtërore të një populli të tërë dhe pastaj me një paturpësi të hapur deklamonin se nuk kishte pasur popull por vetëm fis dhe për këtë i fajësonin të vdekurit dhe jo veten e tyre.”
– Pjesa më e madhe e forcave të brendshme politike faktorin e jashtëm e konsideronin si unik dhe të pakundërthënie. Andaj ishte e natyrshme që në euforinë e krijuar nacionale brenda tyre filloi lufta për pushtet dhe më pak për shtet (d.m.th. për republikë).
– Për dallim nga popujt e tjerë të Evropës, religjioni te shqiptarët gjithmonë ka qenë mënyrë e mbijetesës dhe jo mënyrë e jetës.
– Një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste të intrigave dhe shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Mancinit dhe lufta vetëmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit.
– Vetë fakti se kam mundur të jem i burgosur për shkak të mundësisë së ndikimit tim në lëvizjet e gjithëmbarshme politike në këto hapësira, i përforcon dyshimet e mia të sipërpërmendura për mundësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në bazë të përkatësisë së tij religjioze në kundërshtim me interesat e tij të vërteta nacionale.
– Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrnjëherë, asnjë popull nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta.
– Që Rezistenca të jetë më aktive, kjo nënkupton se dihet të jeshë më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapsirën informative. Kjo do të thotë që t’i shqyrtosh problemet më haptas dhe të mos kënaqesh me atë që është.
Pas gjithë kësaj, natyrisht që nuk do të duhej dhe as që mund të flas më.
Ju falemnderit.
(*) Fjalimi i Albin Kurtit në inaugurimin e Shtëpisë Muze të Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, në 69 vjetorin e ditëlindjes së tij.

……………………………………………………………. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura