PASHTRIKU: RRUGËTIMI I EVLIJA ҪELEBIUT NËPËR VISET SHQIPTARE

(Pashtriku.org, 22. 11. 2012) – Në vitin 2008, Shtëpia Botuese 55, ka botuar librin “Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër”, të bazuar në dorëshkrimin autograf të Elivija Çelebiut. Këtë libër e ka përgatitur studiuesi Robet Elsie, ndërsa në gjuhën shqipe e përktheu Abdurrahim Myftiu. Në vijim botojmë parathënien e këtij libri të shkruar nga Robert Elsie.
PARATHËNIE
Udhëtari i njohur turk Evlija Çelebi (1611-1684), pseudonimi i Mehmet Zili ibn Dervish-it, ishte biri i një argjendtari në oborrin e sultanit në Stamboll. Nga viti 1640 deri në vitin 1676 ai udhëtoi gjerësisht në Perandorinë Osmane dhe në vendet fqinje, edhe për vetë edhe në shërbim të Portës së Lartë, d.m.th. të qeverisë osmane. Mbresat i udhëtimeve të tia ruhen në veprën e tij turqisht dhjetëvëllimesh Sejahatname (Libri i Udhëtimeve), të cilën ai e mbaroi në Kairo kur ishte i moshuar.
Për Shqipërinë e shekullit shtatëmbëdhjetë, Sejahatnameja e Evlija Çelebiut është një burim parësor dhe i pakrahasueshëm të dhënash. Evlijai vizitoi viset shqiptare tri herë. Kreu një udhëtim nëpër Kosovë në dhjetor të vitit 1660, nëpër Shqipërinë veriore dhe Malin e Zi në shkurt 1662, si dhe nëpër Shqipërinë jugore në nëntor 1670. Në këtë vëllim kemi nxjerrë përshkrimet për këto vise që përbëjnë një pjesë të mirë të vëllimeve V-VIII të veprës turqisht, për herë të parë në bazë të dorëshkrimit autograf.
Për udhëtimin e parë Çelebiu mori shkas nga transferimi i të zotit të tij, Meleq Ahmed Pashës, nga posti i guvernatorit të Bosnjës, me seli në Banja Luka, në atë të guvernatorit të Rumelisë, me seli në Sofie. Bashkë me karvanin e Pashait, Evlijai i ra Kosovës mes për mes, duke bërë ndalesa në Mitrovicë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Kaçanik. Ky udhëtim përbën Pjesën I të këtij vëllimi, që po ua paraqesim.

Një vit e pak më pas, Meleq Pasha sapo qe kthyer në Beograd nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në një operacion ushtarak të trupave osmane në Transilvani, kur u thirr në kryeqytet. Me që nuk i mjaftonin fondet, ai e dërgoi Evlija Çelebiun në Shqipëri për të mbledhur një dorë borxhesh. Gjatë rrugës, Evlijai bëri ndalesa në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Podgoricë dhe Ulqin, e më pas, kaloi nga Shkodra dhe Gjakova në Sofie, ku e takoi përsëri Meleq Pashën para se të kthehej në Stamboll. Kjo përbën Pjesën II të vëllimit që po ju paraqesim.
Evlijai mori pjesë në fushatën e Kandias dhe në pushtimin përfundimtar të Kretës prej osmanëve më 1669. Vitin tjetër, pas marrjes së Manias në Peloponez, komandanti osman Ali Pasha e dërgoi Evlijain me mision në Shqipëri që të kërkonte trupa ushtarake dhe mjeshtër zanatçinj të merreshin me rindërtimin e kalasë së Zarnatës, në mënyrë që Mania ta kishte si mbrojtje kundër ndonjë përpjekjeje të venedikasve për ta ripushtuar. Evlijai kaloi nga Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Berati, Vlora, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Ohri dhe Pogradeci, e më pas vijoi udhën mes për mes Maqedonisë e Bullgarisë deri në oborrin osman në Ederne. Kjo përbën Pjesën III të këtij vëllimi, që po ua paraqesim.
Sejahatnameja përmban material të pasur për gjeografinë, folklorin dhe historinë e kulturës të vendeve të shkelura prej Evlijait. Për Shqipërinë e shek. XVII, e sidomos për brendësinë e këtij vendi, Sejahatnameja është një minierë të dhënash dhe një vepër me vlera të paçmueshme. Burime të tjera për historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe gjenden rrallë. Ajo pako gjë që ka ardhur deri në ditët tona nga analet e mjegullta të historisë së hershme shqiptare, është përpiluar e përfshirë në Zamputi 1989, 1990. Ndër këto dokumente janë ato të korrespondencës juridike e tregtare me Venedikun dhe Raguzën (Dubrovnikun), raportet ekleziastike dërguar Propaganda Fide-s në Romë, si dhe regjistrat turke. Megjithatë, për nga vlera dhe rëndësia ato të gjitha janë të zbehta krahasuar me pjesët përkatëse nga Sejahatnameja të botuara këtu.
Vepra e Evlijait na jep imtësisht itineraret e shtegtimeve të tij, ndër to, mes shumë e shumë gjërash të tjera, përshkrime çuditërisht të sakta të pazareve, kalave, xhamive, vendeve të përnderimit dhe shesheve të dëfrimit. Me përjashtim të disa rrugëve ku gëlonin kusarët, Shqipëria e përshkruar nga Evlijai është jashtëzakonisht e begatë dhe e mirëqeverisur, me një kulturë mjaft të zhvilluar. Sistemi administrativ osman është aq fort i ngulitur sa që kur, në Pjesën III, Evlijai na përcjell fermanet sulltanore për mbrojtjen e Manias, del se kontigjentet ushtarake mobilizohen e mblidhen pa kurrfarë pengese dhe menjëherë marshojnë drejt Peloponezit. Nëse zbatimi i kësaj mase drakoniane ka hasur ndonjë vështirësi apo ka ngjallur ndonjë kundërshtim, këtë Evlijai nuk e zë në gojë. Çka ka shkruar ai është me rëndësi edhe për njohjen nga ana jonë të përhapjes së besimit islam e të tarikateve të dervishëve në Shqipëri.
Përshkrimet e dhëna nga Evlijai për qytetet dhe fshatrat shqiptare na zbulojnë se këto ngërthenin të gjitha elementet e një kulture islame të përpunuar hollë, nga e cila tragjikisht vetëm pak gjurmë kanë shpëtuar gjatë rrjedhave të historisë.
Lidhur me këtë botim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time turkologut të njohur dhe specialistit të Evlija Çelebiut, Robert Dankoff, profesor i Universitetit të Çikagos, për tejshkrimin e dorëshkrimit autograf dhe për bashkëpunimin e ngushtë në botimin tonë anglisht Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid), Leiden 2000, i cili shërben si bazë për këtë botim në shqipe.
Robert Elsie – Hagë, Holandë – janar 2007

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

ZHAN-BATIST MOLIERI

ZHAN-BATIST MOLIERI Nga Xhelal Zejneli                 Zhan-Batist Pokëlen (Jean-Baptiste Poquelin, Paris, 15 janar 1622 – Paris, 17 shkurt…