Tiranë, 12. 01. 2016: Njeriu si pjesë e botës së gjallë ka zgjedhur me kujdes aleatët e vet në sigurimin dhe zhvillimin e jetës, duke zbutur e përshtatur kafshët për interesat ekonomike e të rëndësishme shoqërore. Por midis shumë kafshëve të zbutura si: qenin, macen, lopën, dhinë, delen, ai kalin e ka pas krah, dhe shok me të cilin qan hallet e jetës, duke e konsideruar atë si pjestar familje. Kali është kafshë e butë dhe e fuqishme, duke shërbyer më së miri edhe në situatat luftarake, të lidhura ngushtë me etapat e kaluara historike. Ishin të famshme kavaleritë e fuqishme të çdo ushtrie në shekuj. Ato përbënin pjesën më vitale, më të fortë dhe më shpresëdhënëse për fitore të sigurt se të gjitha pjesët e tjera të formacioneve luftarake.
Pegaso, kali fluturue simbol i frymëzimitk poeti
Në bashkëjetesën e kalit me njeriun, kali ka qënë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qënë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhësore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximëshme të ndenjave njerzore. Pegasi përfytyrohet si një kalë me fletë që fluturonte, me të cilin thuren shumë legjenda. Lindi nga gjaku i Meduzës kur e vrau Perseu. E ka përdorur Seusi për të transportuar rrufetë. Seusi e vendosi atë në qiell, në formën e yjësisë së Pegasit. Në një tjetër legjendë thuhet se mbi të hipnin Muzat. Si rezultat i lidhjeve me Muzat u bë për poetët e vjetër, por edhe ata të rinj, simbol i frymëzimi poetik. Kjo të bën të besosh për një traditë të lashtë, e faktuar edhe në dokumenta historike, botime të ndryshme, gdhëndje artistike në dru, gur, nw thurjet e qendisjeve, nw toponimet e shumta dhe histori gojore. Kali përmendet edhe në legjendat e mëpasëshme. Mjafton të përmendim Gurakën kalin, që e çoi profetin Muhamet lart në qiell, ku takoi Zotin.
Traditë dhe histori
Edhe në krahinën e Sulovës ka kushte të favorshme për mbashtrimin e kuajve. Që nga kohët e vjetra sulovarët e kanë çmuar kalin, më shumë se nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar. Studiuesi Petrit Basha thotë se “çdo sulovar ka në zemër një qoshe dashurie për kalin, ashtu siç çmon shumë gruan, dhe pendën e qeve, tri gjëra jetësore: Jeta (dashuria), Buka dhe kafshët, që e kanë shoqëruar në jetë.”
Në Enciklopedinë “Elbasani” është shkruar: “ Krahina e Sulovës është e njohur edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali i Sulovës’’. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që ze kjo kafshë fisnike, në Sulovë. Ato janë të shumta në vendbanimet e Sulovës si: Samari i Kalit, Qafa e Kalit në Kamuna; Sheshi i Pelave në Floq prej faktit që aty kullosnin gjithmon tufë pelash; Gropa e Kalit në Selitë; Gjurma e Mushkës në Qafë; Kalaj në Mollas, ku thuhet se dikur kalonte nje rrugë kuajsh; Guri i Kalit në Dasar, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierakike, sepse të mbaje kalë në Sulovë patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhëndjet e lashta në vendbanimet e Sulovës: Qyrkan, Qafë, Topojan, Dragot, në toponimet: Shkëmb, Goricë e Çalës, Goricë e Çobanit, Kllapë e Kuqe, Klos, Shkëmbi i Bletës etj, ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndenjë adhurimi dhe simpatie. Shumë nga ato janë shkatërruar pas viteve ‘90 nga babëzia e njerëzve, me mendimin se aty ku gjendeshin ato mos ndoshta fshihen thesare. Me interes ishte një gur i emërtuar “Gjurma e Mushkës”, diku në fund të Qafës së Madhe, afër një vendbanimi të lashtë për të cilën tregohet edhe një legjendë mistike, që ka ka ardhur e plotë deri në ditët tona, e lidhur me kalanë antike të Qafës në Sulovë. Ajo thotë: “Në kohën e pushtimit turk, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, për t’i shpëtuar turqve kur rrethuan muret, dhe kur e pa se nuk ishte në gjendje të mbrohej me luftëtarët e saj para asaj ushtrie të madhe në numër, kërcen së bashku me mushkën dhe fluturoi nga kalaja në një pllakë shkëmbore. Për të vërtetuar se ky kërcim, nuk ishte përrallë, dëshmon gjurma që ka lënë mushka gjatë kërcimit mbi këtë gur. Nga gjurma e dikurshme fatkeqësisht s’ka mbetur asgjë vetëm shenja të shkatërrimit.
Në krahinën e Sulovës, si gjithandej me kuaj zhvilloheshin gara, në gëzime familjare, në festa popullore, duke krijuar kështu një traditë vazhdimësie, edhe në kohë lufte ndër shekuj ato nuk ndërpriteshin. Këto lojëra të bukura luheshin në sheshe, kodra, pyje, e mjedise të tjera të vendbanimeve. Nga tematika kanë pasur karakter argëtues, edukues, shkathtësie dhe luftarake. Lojrat ia arrinin qëllimit në argëtime e pjesëmarrësve që sa më shumë të ishin, aq më të bukura zhvilloheshin . Ato kishin edhe si qëllim përgatitjen e të rinjve për të qenë të zotë në luftë. Të njohura ishin lojrat: Gjuajtja me pushkë majë kalit në vrapim, duke pasur si nishan vezë apo një gurë të vogël; kush arrin i pari largësinë e caktuar në vrapim; garë kush e merr kapelën në tokë nga kali, duke vrapuar etj. Këto lojëra në të vërtet se ç’kishin diçka të këndshme, ata lodheshin, e ndonjëherë dëmtoheshin, por ndjenin një lloj kënaqësie. Me kalimin e viteve këto lojra thuajse janë harruar.
Por kuajt përveç të tjerave janë përdorur në detyrimet shtëpiake, për punë të ndryshme në lëmenj, mulli, drutë e zjarrit, duke qënë se plotësonin edhe transportimin e materialeve luftarake, të sendeve të domosdoshme të tregëtimit në pazaret e kohës, në udhëtimet e gjata për të arritur kohën, si një mjet me leverdi të lëvizjeve nga njëri vendbanim në tjetrin, të lidhjeve me krahinat e largëta për halle, gëzime dhe miqësi. Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Sulovë zakonisht preferohej kal i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Sulovës nga pozicioni gjeografik që ka, kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje si Dumrenë, Vërçën, Shpatin, Myzeqenë, por ndahet prej tyre nga lumi Devoll, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvisnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Sulovari, Fatmir Miraka tregon një histori për Lame Darzezën, që kaloi nusen në lumin Devoll, të rrëmbyeshëm nga shirat dhe e çoi atë në krahinën e Vërçës pa krushq, se ishte ditë nusje, dhe këtë e bënte vetëm ai me kalin e tij. Po ashtu kujtohet pela e Sulë Kryemadhit në fshatin Zgjupë, që ishte një notare e shkëlqyer, edhe kur Devolli rrithte sasi të madhe uji.
Në përvojën e gjatë popullore për kalin si kafshë shtëpiake, të moshuarit shprehen: Kali, kur rrëzohej i zoti, kishte hije të lehtë, dhe nuk vritesh shumë. Ai ndalon menjëherë sikur të jetë me frena hidrualike. Ndodhte shumë herë që rrëzoheshin nga gomari e mushka, se ecin më shpejt, duke e dëmtuar të zotin, që thyente krahët a këmbët. Kështu që kush bie nga kali nuk vritet, ndërsa kush bie nga gomari dhe vdes. Kali nuk bëhet shejtan, ndërsa gomari dhe mushka, po. Kali e do të zotin e tij. Ai sa arrin te lum, i ul kokën e pi ujë, që të pakësojë ujin e lumit për të ruajtur të zotin. Nërsa gomari e mushka thonë se sa arrijnë te lumi, futen në të e bëjnë ujët e hollë, që të shtojnë ujin, e ai të mbysi të zonë. Kalin përherë e përkëdhelnin me emra të bukur: Doriu; Cilo; Balash, Kuqo etj. Kali merrte shpejt reflekset e të zotit, kur i thërriste në emër, kur i tregonte rrugën, vaun e lumit, por më interesant është ai i të ecurit revan si mënyra më komode e vrapimit pa u tronditur fare kalorësi. Ajo mësohej, duke i lidhur këmbët në një mënyrë që ai të vrapoj jo ‘’zdronkthi’’, e tronditëse, por me hap të vogël e të shpejtë. Ja ç’tregojnë burrat e moçëm të Sulovës për një nga pinjollët e fisit Cerriku, Çeçin. “Ai dilte gjithmonë fitimtar në të gjitha garat me kuaj. I hipte kalit dhe e bënte të fluturonte, duke i lënë pa mend të gjithë me guximin, shkathtësinë e tij. Po si çdo pasion tjetër kërkonte sakrifica. Ndaj sado të egër të ishin kuajt, ai dinte t’i nënshtronte”. Është i njohur kontributi dhe gadishmëria e tij, kur në vitin 1914 së bashku me 150 luftëtarë sulovarë, të gjithë hipur në kuaj u gjenden brenda tre orëve nga Sulova në Berat përballë ushtarëve shovinist grekë. Tregonin se kali i X apo Y ecte aq mirë revan sa i zoti pinte kafen në filxhan kaluar në kal dhe filxhani nuk derdhej. Ky refleks nuk ishte i lehtë, por qefliu për kal këmbëngulte aq shumë, duke e mësuar deri sa e realizonte, dpër të fituar zilin e të tjerëve. Vdekja e burrit dhe ngordhja (vdekja) e kalit, nuk dihen. Kali është ëngjëll, që e do zoti. Prandaj kali ka marrë urimet ose si me thënë bekimin e perëndisë. Kali është korrjer shumë i mirë, ngado që të jetë, kur i ndodh një gjë të zotit dhe ai mbetet vetëm kthehet shpejt në shtëpi dhe është sinjal se diçka ka ndodhur. Kali është bari shumë i mirë dhe për kopenë e bagëtiv, ai drejton dhe i ruan ato nga egërsirat, si dhe bëhet ortak edhe me qentë e tufës. Kali gjithashtu është paralajmërues i fatkeqësive, të ndryshimeve klimaterike. Ai ka shpëtuar njerëz e kafshë të tjera nga nepërka, lumi i rrëmbyer, guri në lëmë, nga furtunat, etj.
Kur të ruan hyqymeti*
Në një botim të kohëve të fundit lexon një episod interesant që ka lidhje me kalin në Sulovë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1914, në ditët e Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme.
‘‘Një sulovari i kishte humbur kali dhe ia kërkonte atë hyqymetit (pushtetit). Sulovarin e thirrën para këshillit të shtetit dhe e pyeti vetë Haxhi Qamili:
– Qysh të humbi kali?
-Unë po flija – nis ta sqarojë sulovari dhe kur u zgjova, se pashë më kalin. Nuk e di në ka humbur, apo ma kanë vjedhur.
-Po nuk pe gjë ti, i zoti i mallit, nga ta dijë hyqymeti?- ia ktheu Haxhi Qamili.
-Unë jam popull,- tha njeriu nga Sulova,- dhe kur populli fle, është hyqymeti ai që na ruan.
-Ti qenke njeri i mirë e me mend, – i tha Haxhi Qamili, – prandaj edhe kali do të vijë në shtëpi.
Dhe vërtet, pas dy ditësh ia gjetën dhe ia çuan kalin në Sulovë’’.
*Shkëputur nga libri ‘‘Princi i gjullurdive’’ të autorit Endri Vajella, faqe 45.
Sulovari dhe kali – Marrëveshje e heshtur
Duke qënë kafshë intelegjente dhe e fuqishme, sulovari është kujdesur në mënyrë të veçantë për të: Në këtë kuptim jo të gjithë e mbanin kalin. Që do të thotë se ai që e mbante, e trajtonte mirë me pajime, e mbathte me patkonj cilësorë, me shalë meshine ose me samar të veshur me qylim, me fre të meshintë e me zingjina prej metali të zbukurur. Ashtu si paja e nuses që ruhej në një arkëz, edhe pajimet e kalit ruheshin në faqen e murit të katoit. Pastaj të mbaje kalë kërkonte që i zoti duhet të shkëlqente në veshje, e cila në përgjithësi dhe në shumicën e rasteve ishte e leshtë, por e dërstilur, dhe e qepur në avëlmend, që i thoshin kostum prej shajaku. Kjo tregonte që sulovari dallohej nga veshja e tij dhe pajimet e kalit, të cilat i kishte të veçanta, dhe binin në sy në çdo pazar ku shkonin, e sidomos të Beratit, Elbasanit, Peqinit, Lushnjës e deri në Korçë. Ishte rregull se, ai që mbante kalin nuk e jepte ta përdorte kushdo, pasi e kishte të shenjtë. Kali nuk ndërronte lehtë padron, vetëm për arsye madhore mund të jepej ai, e kjo ndodhte rrallë, sepse sipas filozofisë popullore kalit të huaj i këputet nënbishtja në ngjitjen përpjetë.
Nga ana tjetër kalin në Sulovë e mbarështronin për racën rezistente. Ndaj, kali i Sulovës preferohej nga karvanxhinjtë, mbasi ishte rracë e fortë, mban ngarkesë të plotë, ecën shpejt dhe ka jetëgjatësi. Ai është trupgjatë, shpatullgjerë, vithegjerë, qimekuq, drejtimin e shpatullave në një nivel me vithet. Shalët e mbrapme të hapura, gjë që i qëndron shumë peshës së rëndë. Kuajt krijonin racën e mushkës, duke kryqëzuar atë me gomarin, për rrjedhojë ato ishin pasardhësit e kalit nga forca dhe puna, por dhe të gomarit si mistrec e hamëspak. Të dyja këto bënin kombinimin me të shkëlqyer të plotësimit të interesave të njeriut e të sulovarit në veçanti.
Disa të dhëna fizike:
– Pesha e gjallë- 300 – 350 kg.
– Gjatësia e trupit- 138 – 158 cm.
– Lartësia- 165 – 170 cm.
– Rrethi i kraharorit – 143 cm.
– Rrethi i kërcimit – 16 cm.
Në vitet moniste, të kolektivizimit bujqësisë, kuajt u shfrytëzuan nga kooperativat në punime toke, transport materialesh, dhe në nevojat e ushtrisë. Është fakt i trishtë se ato nuk mirmbaheshin. Kjo solli që shumë veti të tij të humbasin. Por, me zhvillimin ekonomik e social të vendit, futjen në përdorimin të mjeteve mekanike në bujqësi dhe transportit urban, vlera e kalit ka rënë shumë. Kjo ndodhi edhe në Sulovë, por në kujtesën tonë, ata përsëri kanë mbetur si sinonime besnikërie dhe miqësie të përjetshme me njeriun.