Tiranë, 07. 11. 2015: (Martesat me shkuesi shpesh lulëzojnë dhe kthehen në përkushtim të sinqertë. – Sandra Gulland) – Në tendencën drejt rendjes globaliste, përpjekja për të ruajtur elementët e traditës, për të gjithë ne është një domosdoshmëri jetike. Në krahinën e Sulovës, që shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, banorët shquhen për shpirtin bujar dhe respektues të traditave, të rrënjosura në gëzimet dhe hidhërimet, dhe të rëndësishme në vargun e gjatë të shekujve. Në këtë trevë dhe të tjera si këto jeta është rregulluar nga norma të pashkruara, e të trashëguara brez pas brezi në ndërgjegjen e banorëve. Një numër prej tyre që kanë të bëjnë me familjen, duke u shprehur në një formë të përgjithshme kanë mbijetuar. Njeriu në jetë ka tre moment kryesore; lindjen, dasmën dhe vdekjen, për të cilat ka një angazhim serioz ku gjithmonë sipas kushteve dhe mundësive kryhen ceremoniale me rite interesante. Martesa thith një angazhim moral e material, për t’i dhuruar çiftit përgjegjësitë për jetën. Fejesa është akti i parë nga më të bukurit në fillesën e lidhjes për të kaluar tek dasma, si gëzimi më i madh i jetës bashkëshortore. Është trashëguar kjo traditë e veçantë e krijimit të familjes si një ritual përsëritës i jetës thuajse tërësisht e natyrisht me elementë të shumtë, thellësisht shpirtëror dhe me ndjesi të mëdha gëzimi. Thuajse në të gjithë kohërat, lidhjet martesore ishin krijuar nga një institucioni i veçantë ai i lajmësit (mblesë, ndërmjetës, etj). Kjo përbën një vlerë, që koha e ka njohur, trashëguar dhe respektuar. Riti i fejesës është simbol i krijimit të familjes dhe shpesh këtë rol e luanin njerëz të zotë, që me gjuhën e tyre të komunikimit bindnin krushqit për lidhjen e re. Natyrisht, kjo nuk vinte vetvetiu, por duhej ndërhyrja e tij. Fejesa me normat e saj të detyrueshme, norma, që dikur zbatoheshin me përpikmëri, padyshim rrezatonte virtytet më të mira. Për të është shkruar fare pak.
Me dëshirën për të sjellë një studim të mirëfilltë për traditën e fejesës dhe institucionin e lajmësit, në të cilën do të shprehemi me këtë studim, është respektimi, gjë që e ka bërë ato të shquhen. Të trajtosh fejesën dhe normat e institucionin e lajmësit, kaq me rëndësi në krijimin e familjes për kohën e shkuar kërkon patjetër të hulumtosh thellë. Pa e nëpërkëmbur rolin e lajmësit si dukuri zakonore tradicionale, për vetë anën arkaike, duhet të theksojmë se për të shpjeguar atë nuk kërkohet zbërthim, por pasqyrim të tij në kohëra dhe vlerat. Kjo dukuri e së kaluarës për shkak të ndryshimeve të kohëve moderne ka pësuar zbehje. Sot kanë ndryshuar shumë gjëra, brezat po ashtu janë ndërruar e mbi të gjitha edhe shumë nga ata që i kanë zbatuar nuk jetojnë. Studimet në këtë drejtim janë shumë të pakta, përveç disa studiuesve, që falë vullnetit dhe ambicieve për vlerat tradicionale të familjes dhe traditave të krahinës së tyre, në përputhje me norma e rregulla të pashkruara janë munduar të thonë diçka.
Në përgjithësi kur fëmijët, djali apo vajza i afroheshin moshës për t’u fejuar fillonin përpjekjet për të gjetur njeriun e duhur. Riti i fejesës kalonte nëpër disa faza deri në përfundim, sepse si familja e vajzës edhe ajo e djalit ishin të interesuara t’i fejonin fëmijët e tyre, siç thuhej në xhis të mirë. Në fejesë lajmësi kishte një detyrë të rëndësishme. Për këtë caktohej një njeri i pjekur me përvojë në këto punë dhe i njohur nga të dy familjet. Ata kanë luajtur rol të madh në krijimin e familjes dhe ishin të vendosur e të sigurt në lidhjet që krijonin. Zotësia e disa prej atyre që e kryenin këtë gjë për të bashkuar çiftet e krushqitë ishte proverbiale. Lajmësi mund të ishte i afërm, vëllazëri ose mik i familjes së djalit dhe, që i zinte vend fjala. Ai dërgohej gjithmonë nga familja e djalit. Këtë detyrë mund ta merrte kushdo përsipër, që dinte të shquhej për oratorinë apo fjalën e urtë, të lëvdonte me doza cilësitë e vajzës, e natyrisht edhe të djalit. Përpjekjet, takimet, bisedat janë të lodhshme, sepse kur bëhet marrëveshja e krushqisë dhe shpallet fejesa nevojitet njohje e hollësishme. Kjo patjetër kërkonte kohë të mjaftueshme dhe zotësi komunikimi e vetëkuptohet që kishte vështirësi duke përdorur njohjet, miqësitë. Njohja ishte edhe domosdoshmëri e detyrueshme. Gjithsesi në lidhjet e brendshme e të thella familjare fejesa e lidhja e miqësisë nuk bëhej pa pëlqimin e dy familjeve dhe rrethit miqësor e kjo detyrë i takonte padyshim lajmësit. Me fjalë të tjera përpiqej të krijonte një miqësi të re, duke marrë përsipër të lidhte çiftin dhe familjet në krushqi, me ecejaket e tij të shpejta në të dyja familjet vajtje- ardhje, sa te njëra te tjetra. U fliste për familjen që do lidheshin, autoritetin që gëzonin, pasurinë, zotësinë, miqësinë që kishin. Në rastin më të parë ai u hedh fjalën dhe këmbëngulte tek propozimi. Atëherë ishin edhe kohëra kur mundësitë për t’u njohur të rinjtë ishin të rralla, sepse vajzat pa mbushur 15 vjeç mbylleshin brenda. Për fejesë sulovarët gjithnjë kanë preferuar një djalë, a vajzë nga familje të mira, të ndershme. Nga vajza për nuse kërkohej bukuri dhe zotësi në punë, nga djali dhe familja e tij veç gjendjes së jetesës, kërkohej të ishin punëtorë e të pushkës. Ishin kërkesa këto që përcaktonin cilësitë e djalit, që do të martohej. Familja e djalit pyeste më shumë për vajzën, pyeste për shtëpinë, që ajo të ishte bujare mikpritëse, si dhe për cilësitë e vajzës në sjellje, pamje, vetëm pasi bindeshin për këto cilësi vinte koha për të kërkuar vajzën. Familja e vajzës zakonisht nuk e jepte pëlqimin menjëhershëm, kështu që lajmësi duhej të shkonte 3-4 herë e nëse vendosej jepej fjala. Ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur të gjendej një diçka që të kënaqte ndonjëherë edhe tekat e palës së nuses, kur kërkonin haraç për këtë lidhje. Ndonjëherë fejesat ishin edhe interes ndërmjet familjeve, por edhe rregullim i miqësive të prishura në kohëra. Në shumicën e rasteve deri në mes të shekullit të kaluar, fejesat bëheshin në moshë të re, mosha e zakonshme në të cilën ata e kryenin fejesën ishte 16 vjeç për vajzën dhe 18-20 për djemtë. Kanë ndodhur fejesa edhe në djep, që ishte një fenomen i trashëguar në shekuj. Kishte raste, që dy familje jepnin fjalën njëri-tjetrit, që po të lindnin djalë e tjetra vajzë do të bënin krushqi. Edhe pse ndonjë mund të dilte budalla apo çalaman. Të vjetrit tregojnë raste të lidhjeve të fejesave që në bark të nënës, por ajo që duhet theksuar ishte se femrat nuk pyeteshin për fejesë. Ajo nuk e njihte burrin. Këtë e kishin në dorë prindërit, sepse qoftë djali e sidomos vajza nuk kishte të drejtë as të jepte mendim me dëshirën e tyre për fejesë e martesë. Zakonet i ndrydhnin shpirtin e i mpinin të rinjtë.
Lajmësi e quante të përfunduar detyrën e tij, kur dy të rinjtë martoheshin dhe lidhnin kurorë me njëri-tjetrin. Por, dua të vë në dukje detajin e rëndësishëm. Lodhja e lajmësit merrte rrugëzgjidhje dhe kjo ka arsyet e veta. Që këtej ka rrjedhur edhe shakaja e lezetshme e cila në atë kohë përmendej shpesh në Sulovë: I paguam këpucët. Familja e djalit për mundimin që bënte i jepte si shpërblim të holla. Kjo ishte një dhuratë respekti, por edhe një rregull i trashëguar, sepse ishte personi që është lodhur e në këtë mënyrë ka krijuar krushqinë. Roli i lajmësit ishte i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të mohohej. Ai ishte ndërlidhës mes miqve dhe ata nuk mund të bënin asnjë veprim pa pyetur më parë atë. Ky zakon sado i tillë kishte edhe detyrime të tjera për lajmësin deri në ditën e martesës së çiftit. Bashkimi i çifteve kishte edhe të keqen se ata nuk njiheshin më parë dhe duke mos e njohur as karakterin e njëri-tjetrit kishte edhe prishje të fejesës. Mendohej gjithmonë ana e keqe se si djali apo më tepër vajza mund të ishte e shëmtuar apo moshë e madhe, por edhe me arsyetimin e thjeshtë se femrës i duhej gjetur një burrë ndodhte të lidhej me ndonjë që mund të ishte leshko, çalaman. Pasi i shpleksin muhabetet me ndërhyrje sqaruese në kohën e duhur me vajtjet dhe ardhjet e tij për të saktësuar gjërat e prishnin miqësinë, që ndodhte rrallë, por më shpesh i martonin shpejt e shpejt. Por, kur çdo gjë shkonte mirë gëzimi nga të dyja palët ishte i madh, sidomos nga ana e vajzës që tregonte shumë, e më kryesorja asaj i gjendej burrë për të mos u bërë barrë në shtëpi. Lajmësi ishte më i suksesshëm kur çiftet martoheshin, e më pas krijonin familje dhe jetë në harmoni. Kjo ishte edhe fillimi i një jete të re të çiftit, duke arritur në përfundimin e bukur se krijimi i familjes kishte edhe vlerë të madhe. Është interesante dhe një psikologji karakteristike që fejesat me lajmës në Sulovë kanë qenë të qëndrueshme.
Duke pasur koncepte të rrepta për martesën brenda gjakut, që sipas traditës ka pasur një stërgjysh të përbashkët, në këtë krahinë kanë qenë të ndaluara fejesat apo krushqitë brenda farefisit e lidhjeve të gjakut, megjithëse duhet thënë që në kohërat e sotme kjo ka filluar të lëshojë pe, e me raste të veçuara. Para se të lidhej një krushqi e re pyetej mirë për lidhjen fisnore të djalit apo dhe vajzës dhe vetëm pas kësaj jepej fjala. Pyetej me rrënjë e me degë, për të mos bërë, siç thonë në Sulovë ilaka. Ndikonte në zgjedhjen e krushqisë besimi, gjendja social-ekonomike dhe këtu e gjente shprehjen e vet diferencimi klasor. Djali e vajza duhej t’i përkisnin të njëjtës shtresë sociale. Një i varfër nuk merrte guximin të kërkonte për djalin, vajzën e një të pasuri, apo i pasuri të merrte për djalin vajzën e një të varfëri. Ky rregull rrallë prishej. Janë vënë re, dy lloj martesash: dhënia e dy motrave në një derë dhe ato me këmbim, pra duke dhënë vajzën në një derë e duke marrë prej asaj dere vajzën e tyre. Me shumicë dërmuese është preferuar vajza që shkon te djali, ndërsa e kundërta ka ndodhur rrallë, pasi personat që e bëjnë këtë gjë shihen me përçmim nga rrethi shoqëror, madje përbuzen. Fejesat dikur në përgjithësi bëheshin jashtë vendbanimit, por brenda krahinës, dhe rrotull Sulovës: Shpat, Dumre, Vërçë, Myzeqe, Nahije të Beratit, që thuajse traditat i kanë të njëjta. Sulova me dëshirë i martonte vajzat e saj në Myzeqe, Nahije të Beratit që të kishin miq e mbështetje në ato krahina, apo edhe në Elbasan, Berat, Tiranë, që ato të jetonin mirë. Më pak i martonte në Vërçë, Shpat i Sipërm, Tomorricë ngaqë në këto krahina ishin malore e të varfra, që me dëshirë i kërkonin vajzat e Sulovës, se ishin punëtore e të fisme, kurse sulovarët trima, mikpritës e bujarë.
Prej shekujsh fejesa ishte një rit i zakonshëm, edhe pse stuhia e çuditshme në vitin 1967 tronditi jetën e mentaliteteve dhe traditat e patraiakalizmit. Qeveria e partia në pushtet kërkonte me ngulëm prishjen e fejesave në djep me një propagandë gati histerike për këtë traditë të vjetër, me lëvizjen në emër të luftës kundër fesë e zakoneve të rënda të së shkuarës. Por, megjithë presionin e egër të regjimit ateist, institucioni i lajmësit nuk u zhduk, ai mbijetoi, edhe pse shndërrimet sociale rolin e tij e zbehën. Në mjediset e reja të krijuara, shkollat, ndërmarrjet prodhuese, aksionet, të rinjtë njiheshin dhe dashuroheshin e kjo solli një stepje të traditës së fejesës që në djep e ndërvarur nga rrethanat. Femra mori disa të drejta, ndonëse ajo mbeti thjesht në marrëdhënie shoqërore, edhe pse në krahinën e Sulovës zakonet ishin më të buta në krahasim me krahina të tjera. Zhvillimet e reja, krijuan kushte të tilla që të rinjtë të vendosin për fejesë e shumë herë pa anën e prindërve apo të afërmve. Ishte koha kur pjesa më përparimtare e shoqërisë krijoi një hap të madh në krahasim me të kaluarën, kur çiftet atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin parë kurrë. Lajmësi përsëri vazhdonte të kryente rolin si protagonist në takimet, që atëherë quhej parje. Me këtë parje, nëse të rinjtë ishin në një mëndje, vendosej për fejesë. Një kohë kjo gjë u bë traditë ku vajza dhe djali së bashku me të afërmit, e me një numër të caktuar pjesëmarrësish nga të dy familjet dhe lajmësin në krye pinin kafetë e shkëmbenin nishanet në të cilën futeshin ora, këpucë, unazë etj. Ndodhte që vajza apo edhe djali merrnin vendime për ta prishur fejesën d.m.th pendoheshin për këtë lidhje, duke rënë dakord pas fjalës së dhënë. Mjafton të ndalemi në një aspekt tjetër që martesa pa pëlqimin e prindërve ishte një veprim i rëndë. Për këtë ka tregime.
Në përputhje me të gjitha rregullat e sipas zakonit fejesa bëhej në shtëpi. Zakonisht ajo shpallej thjesht dhe pa bujë. Fejesa bëhej të shtunën. Gjithnjë bëhej në fillin në familjen e vajzës e shndërrohej në një festë të gëzueshme. Në bufenë e fejesës 7-9 vetë nga familja e djalit, në disa raste edhe më shumë shkojnë në familjen e vajzës. Ja si mund ta përshkruajmë në pak fjalë gostinë e fejesës, për të paraqitur sadopak karakterin e gëzueshëm të këtyre çasteve e riteve të gëzueshme. Të lumtur për zgjedhjen që kishin bërë dhe miqësinë, miqtë priteshin me nderime rrethuar nga dashamirësia dhe hareja. Kënga, vallja e muhabeti ka lezet. Në këto raste shkëmbeheshin disa herë duart, gotat tokeshin gjithë gëzim dhe në sofër shtrohen të gjithë të mirat me meze, mish e raki pikë e parë, se Sulova është një krahinë e njohur për dollinë e rakinë! Kënga me bejte për mirëseardhjen e miqve. Miqësi e nder. Miqtë, lajmësi hyjnë sipas sërës brenda në konak me shtrëngime duarsh. Burrat ulen dhe rrethojnë qoshen e oxhakut. Graria, vajzat, djemtë terë kureshtje rrinë në këmbë te dera e konakut, korridori, shkallët e deri në oborr. Më pas ndizet muhabeti në konak, që plekset me shakara, hidh njëri e tjetri prit. Më plaku që ishte në qoshe të oxhakut pyeste.
– Nga udhë e mbarë o miq?
I pari i qoshes tjetër, pra pala e miqve, përgjigjej:
-Ndoqëm gjurmët e një thëllëze, që u fut këtu.
-Rrini rehat e bëni muhabet se këtu është!- ia kthente ai që pyeste. Dhe, me këto shakara e të tjera, për të ndezur edhe më shumë bisedën, niste qerasja e miqve me raki, kafe e llokum sipas zakonit të fejesës duke uruar: “Me trashëgime e këmbë të mbarë!”. Shpallej kështu fejesa me një miqësi të përjetshme, lidhje midis dy familjeve që forconte me tepër edhe të farefisit. Pastaj tregohen nishanet. Në ritin e ndërrimit të nishaneve bënin pjesë: fustane ose copë për fustan, këmishë nate, vathë, gjerdanë, unazë, kuti tualeti, këpucë, etj dhe dorovë për pjesëtarët e familjes së vajzës, prindërit, motrat, vëllezërit, për gjyshërit, dajat e xhaxhallarët, hallat, tezet. Pastaj vazhdohej me të ngrëna e të pira. Sofrat shtrohen plot me meze e raki. Dollia ngrihej me shëndete e urime të bukura: “Me trashëgime, në dasmë, me miqësi të pandarë, me bukë të ëmbël!.’’ Fjala merr zjarr e kënga ndizej. Secila anë përshëndet me këngë në mes të dollisë e detyruar sipas zakonit. Çaste me të vërtetë gëzimi e lumturie që nguliten për të mos u harruar kurrë. Pas një jave a dy pala e vajzës kthen vizitën në familjen e djalit, si rregull me dy më shumë se sa numri i atyre që shkoi nga familja e djalit. Një ceremoni e vogël kjo për të shkëmbyer edhe bukën, siç thuhej në mënyrë simbolike dikur në Sulovë. Me këtë rast bëhej edhe shkëmbimi i nishaneve, që ishte i ligjëruar si zakon. Ato kurrë nuk kanë qenë të caktuara në mënyrë të prerë, por në tërësi sipas gjendjes nga të dyja palët dhe periudhat historike. Pas fejesës familjet e ndjenin nevojën shpirtërore të kësaj lidhje.
Kohë e re, mundësi të reja. Fenomeni institucional i lajmësit dhe fejesat me mblesëri në përgjithësi janë të rralla dhe lajmësit po ashtu. Ai që e praktikon, sidomos në zonat rurale ka përvetësuar një kulturë demokratike, duke iu përshtatur riteve të botës moderne. Më kryesorja, tashmë të rinjtë lidhen ose me njohje direkte ose nëpërmjet elektronikës dhe e kërkojnë vetë fjalën për fejesë në familje. Vitet kalojnë, vlerat në krijimin e familjes kanë rëndësi e më së shumti janë pasuri e pazëvendësueshme e traditave të mrekullueshme dhe trashëgimi për brezat.