AVDI IBRAHIMI: A PO DHUNOHET FJALA E LIRË?

(Prizren, 19. 05. 2012) – Ç’është kjo mungesë e tmerrshme kulture në këtë fillimshekull të ndritur. Ç’është kjo mungesë e tmerrshme njerëzie e këtij shekulli kinse demokracie, që dhunohet fjala e lirë? Kohë të mjaftueshme kam për të fjetur, do të fle derisa të mos zgjohem më kurrë! – deri atëherë kur të mos zgjohem më! Më lini të mendoj, të dëgjoj, të flasë e të shkruaj lirshëm, përderisa t’i kam mendët në kokë, perderisa t’i kam sytë, përderisa të më dëgjojnë veshët!
T’i dëgjoj zërat nga thellësia e tokës të lulkuqeve të Shqipërisë, lule këto që mbijnë nga gjaku i të vrarëve për lirinë e atdheut, që luftuan kundër pushtimit romak, bizantin e otoman, binin nëpër beteja bijtë e bijat pellazgë, ilirë e shqiptarë. Pa liri s’ka lumturi, thoshin gjatë rënieve dhe ngritjeve. Historia jonë nëpër shekuj ka qenë një luftë e pandërprerë, për jetë a vdekje.
Në malet e fushat tona vetëm luftohej. Kështu fati ynë nëpër shekuj qe shumë pak me ditë të bardha, kurse më shumë patëm fatin e zi që shekujt na dhuruan. Këtë fat të zi na e sollën sundimtarët e huaj dhe shqipfolësit tanë, të cilët ishin të dëgjueshëm dhe servilë ndaj sundimtarëve të huaj. Për këtë kemi edhe dy lumenj Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, që gjarpërojnë nëpër trojet shqiptare.

________________________________________

Në asnjë mënyrë, krijuesi nuk duhet të pranojë të vishet me vellon e interesave, të sistemeve politike, e as të klaneve plehra që sundojnë për interesat e të huajve dhe mbajtjen e pushtetit të tyre nëpërmjet dhunës dhe ndalimit të fjalës së lirë, sepse ne vetvetiu do të lejonim krijimin e njëkohësisht cungimin e lirisë së fjalës.
Çdo krijues duhet t’i qëndrojë besnik lartësisë së interesave të atdheut dhe kombit, këto interesa duhet të kihen parasysh gjatë të shprehurit e mendimit të lirë, ndërsa realizimi i shkrimit ditor apo veprës artistike, duhet të bëhet nën vizionin e vlerës së fjalës së lirë, pa iu trembur ligjit të padrejtë që klasat sunduese e bëjnë për t’i ruajtur interesat e tyre personale, sepse vetëm duke shkruar të vërtetën ashtu siç është mund të realizohet një vepër cilësore që do t’i qëndrojë kohës.
Fjalën e lirë, secili krijues duhet ta ndërtojë në vetvete dhe paanshëm, ta thotë të vërtetën me guxim dhe të mos trembet nga askush, sepse duke qëndruar nën frikën se mos po hidhërohen sundimtarët e do të kemi pasoja nga këta sundimtarë të korruptuar deri në palcë, ne mbetemi robër duke mos realizuar ashtu siç duhet fjalën e lirë.
Sipas kanunit të lashtë shqiptar, lajmëtari nuk bie në faj për dhënien e lajmit, pa marrë parasysh çfarë lajmi ai i ka shpërndar në popull. Populli nëpërmjet lajmëtarit ka të drejtën e informimit se çka po ndodh në atdheun e tij dhe jashtë atdheut të tij. Krijuesi e ka vetë kodin e etikës dhe sjelljes para opinionit dhe për këtë edhe duhet nderuar krijimtarinë e tij realiste kur ajo mbështetet në fakte.
Nuk jemi në kohën kur mbreti apo perandori ishin gjykatësit e padiskutueshëm, për të vendosur mbi fatin e çdo banori të sovranit popull. Edhe sistemi i fundit demokratik u tregua qartë se shtylla kryesore që e mban sundimtarin shqiptar në këmbë është abuzimi me pushtetin, pakica sundon mbi shumicën që në emër të ndryshimeve, nuk kanë ndryshuar asgjë.
Pas kaq vjetësh ndërrimi sistemesh, sundimtarët shqiptarë lirinë e lakojnë në të gjitha rasat e mundshme, por ne jemi dëshmitarë se kemi të bëjmë vetëm me gënjeshtra. Po përmend faktin që ende e kemi të freskët në memorien tonë. Po përmend vitin 1997 në Shqipëri, rast që preku mbarë shiptarët. Liria atje u përçudnua nën krismat e armëve dhe vrasjeve që tronditën kombin në kohën kur të gjithë në ekrane na kishin lodhur së tepërmi me fjalën demokraci, por aktorët e atyre ngjarjeve dramatike, sot e kësaj dite kanë mbetur ende të pandëshkuar, bile aktorët e këtyre ngjarjeve sa tragjike po aq edhe komike vazhduan të sundojnë e po e sundojnë edhe sot sovranin popull.
Krimet e bëra nga klanet e klasës politike nuk gjetën përgjigjen e duhur nga drejtësia e korruptuar. Mbase kjo është liria që shqiptarët e pranuan nën terrorin e pushtetit, një terror nga pushteti i Kosovës e pranuan edhe djemtë e vajzat e Vetëvendosjes që kërkojnë liri e drejtësi për shqiptarët e Kosovës.
Parlamenti i Kosovës nuk po miraton ligje për dënimin e profiterëve të luftës dhe konfiskimin e pasurive të këtyre kriminelëve ordinerë. Po ndhodh e kundërta, deputetët e Parlamentit të Kosovës miratojnë Kodin Penal për t’i dënuar dhe frikësuar mediet dhe fjalën e lirë, pse këta artikullshkrues po japin lajme e po shkruajnë në gazeta për dukuritë negative mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe nepotizmin e pushtetarëve tanë.
Cilido qoftë pozicioni që marrim zakonisht, artikullshkruesi kur shkruan mbi dukuritë negative të shoqërisë, por edhe kur shkruan gjëra të mira për shoqrinë progresiste, përveç se na mëson sesi duhet dënuar dukuritë negative dhe si duhet ecur mbarë e mirë e në mënyrë emancipuese shoqëria jonë, vë në prove mbase edhe bindjet tona. Prandaj, shtypi është i lirë nëse asnjë organ politik ose juridik nuk ndalon shprehjen e opinioneve të lira.
Kultura demokratike shqiptare, nuk është tashmë e panjohur për qytetarët shqiptarë, ata i dinë se cilat janë të drejtat e tyre personale, dhe të drejtat e përbashkëta mbarëshiptare. Andaj, Zot i madhërishëm! Ç’të keqe kam bërë, që jeta ime të jetë kaq e zeherlisur, sa nga sundimtarët e huaj sa nga sundimtarët shqipfolës! Prandaj, o Zoti im! Më fal kaq durim e jetë, për të jetuar? Më fal kaq durim e jetë që unë të përjetoj ditë të bardha, pa sundimtarë të huaj, pa sundimtarë shqipfolës në mbarë hapësirat shqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura