PËR TË VËRTETËN, DINJITETIN DHE KUJTESËN

Reagim ndaj qëllimit tendencioz të Rexhep Tortes

PËR TË VËRTETËN, DINJITETIN DHE KUJTESËN

Nga Nafi Çegrani

Në jetën publike shqiptare, gjithmonë ka pasur njerëz që e kanë përdorur fjalën për të ngritur urë mes njerëzve, për të ndriçuar errësirën e historisë dhe për t’i dhënë zë së vërtetës së heshtur. Por, ka pasur edhe të tillë që fjalën e kanë bërë mjet për mjegullim, për përçarje dhe për keqdashje. Reagimi im sot i drejtohet pikërisht këtij fenomeni – për të mos heshtur para një mendimi të shtrembër, të nxitur jo nga e vërteta, por nga prirje të vjetra të errëta që i njohim prej kohësh.

Lexova me vonesë një shkrim të Rexhep Tortes nga Dibra, i cili me një tendencë të pastër keqbërëse dhe në shpirt hakmarrës, përpiqet të vendosë hije mbi emrin tim dhe mbi ata personalitete akademike që i kam përmendur në librat e mi, si “Ballë për ballë me vdekjen” dhe vepra të tjera. Pa ndonjë shkak, pa ndonjë arsye të vërtetë, pa asnjë kontakt njerëzor që do ta motivonte një reagim racional, ai përdor një gjuhë që s’i përket as gazetarisë, as etikës, as kulturës së komunikimit shqiptar.

Unë e kam njohur Rexhep Tortën në vitet e Jugosllavisë komuniste. Ai nuk ishte thjesht një njeri që rrinte pranë strukturave të pushtetit; ai ishte një pinjoll i asaj bote të errët, i cili, me privilegjet që i jepeshin nga Qendra rezidente e UDB-së në redaksinë e gazetës “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, gëzonte një status që pak kush e kishte: statusin e njeriut që shërben si instrument.
I favorizuar nga Lutfi Rusi, Sllavka Biljanovska, Vera Kërliu dhe të tjerë zyrtarë të aparatit jugosllav të sigurimit, ai angazhohej me vullnet dhe zell për të grumbulluar informacione kundër njerëzve të vet – kundër shqiptarëve.

U kujtoj lexuesve se këto nuk janë hamendësime; janë fakte që i njohin të gjithë ata që kanë jetuar atë kohë. Torte ka mbledhur informacione kundër atdhetarit të ndershëm Murteza Bajraktari nga Gostivari. Ai ka përndjekur me insinuata dhe informacione të montuara edhe shokët e vet nga Dibra, Tetova, Shkupi – njerëz që nuk kërkonin gjë tjetër veçse të jetonin të lirë dhe të mos nëpërkëmbnin dinjitetin e tyre shqiptar.

Të gjitha këto, ai i ka bërë jo nga frika, por nga servilizmi, nga ambicia personale dhe nga prirja për t’u bërë pjesë e botës që sundonte mbi mendjet dhe lirinë e njerëzve.

Sot, kur e kaluara duhet trajtuar me maturi dhe dinjitet, kur plagët e asaj kohe kërkojnë mbyllje, jo hapje të reja, Torte në shkrimin e tij nuk reagon me argument, as me kujtesë të saktë, por me duf personal, duke përçuar të njëjtën frymë me të cilën dikur shërbente në prapaskenat e UDB-së.

Një njeri i lirë që kërkon të thotë mendimin e tij e bën këtë me fakte, me etikë dhe me përgjegjësi morale. Por kur dikush e shfrytëzon fjalën si mjet për prishje, për baltosje dhe për ringjallje të fantazmave të vjetra të komunizmit, ai tregon më shumë për veten sesa për tjetrin.

Në thelb, ai nuk reagon ndaj meje; ai reagon ndaj dritës që e ka shqetësuar përherë.

…Unë nuk kam përse t’i përgjigjem me gjuhë të ulët. Shkrimet e mia, librat, kujtimet e jetuara në burgjet dhe qelitë e Zenicës më 1981, përballjet me aparatin jugosllav, janë prova të heshtura të një jete që e ka ringritur dinjitetin shqiptar, jo e ka shembur atë.

Ndaj, reagimi im nuk është hakmarrje; është detyrim moral.
Sepse njeriu, për të qenë njeri, duhet të ketë një busull të brendshme – besim në Zotin, në të vërtetën, në paqen shpirtërore, në të drejtën që i shërben njerëzimit.
Dhe ai që s’e ka këtë, i humbur ka qenë dhe i humbur do të mbetet.

Rexhep Torte nuk ka qenë asnjëherë palë e njerëzve që ngritën kulturën shqiptare. Ai ka qenë pjesë e strukturave që i rrezikuan ata.

Prandaj, kur ai guxon të përmendë emrin tim, të vërë në dyshim akademikët që unë i kam nderuar, të prekë punën time letrare dhe jetën time të përkushtuar ndaj së vërtetës së popullit tim – ai nuk bën gjë tjetër veçse zbulon substancën e vet të vjetër, atë të njeriut që jeton në hije dhe ushqehet me ndjellakeqësi.

Në një shoqëri normale, njerëz të tillë do të mbaheshin larg kulturës, larg opinionit publik, larg hapësirës së debatit, sepse nuk sjellin as dije, as vlerë, as moral. Sillen si jehona të një epoke të kaluar, të një realiteti që shqiptarët e kanë kaluar me sakrifica të dhimbshme.

Unë, për vete, mbetem në anën e njerëzve të së vërtetës, të atyre që kanë rrënjë, degë dhe hije – te ata që i kanë dhënë këtij kombi dritë, dije dhe dinjitet.

Është kjo arsyeja që po i përgjigjem shkrimit tendencioz të Rexhep Tortes nga Dibra, një shkrim i mbarsur me keqdashje, me duf personal dhe me synim diskreditimi, që nuk i shërben as së vërtetës historike dhe as shoqërisë sonë. Sepse në çdo shoqëri demokratike, liria e shprehjes shkon paralel me përgjegjësinë morale dhe juridike. Askush nuk ka të drejtë të përdorë median, publikun apo penën për të shpifur, për të ndërtuar insinuata, për të hedhur dyshime pa prova mbi jetën dhe integritetin e dikujt tjetër. Dhe në këtë rast, shkrimi i Torte-s jo vetëm që cenon etikën e komunikimit publik, por ringjall metoda të njohura të së kaluarës – insinuata, shtrembërime dhe sulme të pamerituara.

 Rexhep Tortën në kohën e Jugosllavisë komuniste, vente e vinte vërdallë në redaksinë e gazetës “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, ku Torte shpenzoi vite të tëra, ishte një prej atyre që gëzonte privilegjet e “besimit”.

Ai kontribuonte me zell në grumbullimin e informacioneve jo vetëm kundër atdhetarit Murteza Bajraktari, Talat Afçes, Muhedin Hadrit e të tjerëve, janë dëshmi të një rruge të përndjekjes që mbeten gjurmë në arkivat secrete, që i kam lexuar dhe i njoh fort mirë.

Këto janë fakte të një kohe të rëndë, të dokumentuara në historinë tonë kolektive.

Ndaj sot, kur ai përpiqet të flasë me ton moralizues, është e drejtë e çdo shqiptari të pyesë:

Nga vjen ky moral? Nga cila përvojë? Nga cilat vlera?

Njeriu matet me rrënjët e tij – me atë që ka bërë kur askush s’e shihte, me atë që ka zgjedhur në kohë të errëta. Ka njerëz që, edhe kur jeta u ka vështirësuar rrugën, kanë ruajtur dinjitetin e tyre, dritën e brendshme dhe besimin te e drejta. Ata janë Talat Afçe, Murteza Bajraktari, Purde, Adnan Agai dhe qindra të tjerë që mbetën shtylla të karakterit shqiptar.

Dhe ka të tjerë që nuk patën as rrënjë, as degë, as hije.
Njerëz që u bënë zgjatim i një sistemi që i përndiqte vetë vëllezërit e tyre.

E kur njeriu nuk ka hije, hapi i tij nuk është i vetin – është i dikujt tjetër.

Kjo është arsyeja pse shkrimi i Torte-s nuk është thjesht tendencioz; është simptomë e një bote të vjetër që akoma mundohet të mbijetojë përmes ligësisë, zilise dhe

Unë nuk kërkoj të bind askënd. Por, Rexhep Torte nuk mund të rishkruajë historinë e vet.

As të tjerëve.

Dhe nuk mund të vërë në dyshim moralin e atyre që i kanë shërbyer kombit me ndershmëri.

Kundër fjalës së keqe duhet vendosur fjala e drejtë.

Kundër ligësisë – e vërteta.

Kundër keqdashjes – integriteti.

Unë për këtë jam ngritur. Për këtë shkruaj. Për këtë reagoj.
Dhe për këtë do të vazhdoj të flas, aq kohë sa fjala ime mund të jetë dritë në një hapësirë ku disa ende duan t’i kthehen hijes së vjetër.

Prandaj, mund të shtoj edhe këtë: ka kohë që hija e errët e UDB-së jugosllave endet ende nëpër kujtesën tonë kolektive, si një cicërimë e heshtur e frikës që nuk ka pranuar të shuhet. Sidomos nga viti 1956 e këtej, nën komandën e Titos dhe Rankoviqit, ndaj shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Sanxhak dhe vise të tjera u ushtrua një dhunë sistematike, e mirëorganizuar, e mbështetur në një aparat represiv që ndërtonte armiq sikur të ishin tulla. Dhe ne, për shumë vite, kemi jetuar të detyruar brenda një aritmetike terrori, ku njeriu nuk llogaritej si qenie, por si provë e një procesi të montuar.

Nuk mund të harrohen vrasjet, burgimet, shpifjet, inskenimet, torturat psikologjike dhe fizike, zhdukjet pa gjurmë—të cilat nuk ishin rastësi, por pjesë e një politike shtetërore të projektuar për të thyer shtyllën morale të shqiptarit. Nga proceset ndaj patriotëve të viteve ’50 e deri te ndjekjet ndaj intelektualëve në vitet ’81, gjithçka ishte shndërruar në një laborator të kontrollit totalitar, në të cilin fati shqiptar ishte vetëm një element eksperimental.

Këto struktura nuk u mjaftuan vetëm me goditjen brenda kufijve jugosllavë. U shtrinë larg, deri në diasporë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vepronin shumë dibranë dhe shqiptrarë të devotshëm nga trojet tona etnike, ku syri i keq i Rexhep Tortes kishte depërtuar edhe andej Oqeanit… Madje edhe në Gjermani, në Zvicër, atje ku kishte jetë shqiptare, organizatat e UDB-së dhe KOS-it zhvilluan një luftë të fshehtë kundër emigracionit politik shqiptar. Infiltrimi, shpifja, fabrikimi i informacioneve, përçarja e komuniteteve, rekrutimi i elementëve të dobët, presioni ndaj familjeve – ishin vetëm disa nga metodat operative me të cilat një aparat i tërë shtetëror përpiqej të ngulfaste zërat e lirisë.

Kjo histori nuk është vetëm histori e largët. Është histori e përgjakur me emra dhe mbiemra konkretë. Me njerëz që kanë mbetur pa varr. Me familje të shkatërruara. Me intelektualë që u dënuan për libra e fjalime. Me djem të rinj që u torturuan pse guxuan të ëndërronin. Me figura të lirisë që në dosjet e UDB-së mbetën të shpallur si “armiq”, ndërsa në memorien tonë sot janë ndër emrat më të pastër dhe më të nderuar.

Shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk ishin viktima të rrethanave – ishin viktima të një sistemi racist dhe kolonial, i cili i konsideronte si popull për t’u kontrolluar dhe nënshtruar.

Polemika sot nuk ka synim hakmarrjen, por saktësinë. Nuk ka qëllim nxitjen e urrejtjes, por vendosjen e drejtësisë. Kujtesa nuk është luks emocional: është zotim kombëtar që krimet të mos përsëriten, të mos relativizohen dhe të mos harrohen.

Nuk është e mjaftueshme të përmendim vuajtjen. Duhet të artikulojmë mekanizmin e krimit. Duhet të dokumentojmë emrat, dosjet, dëshmitë, arkivat. Duhet të emërtojmë ata që urdhëruan dhe ata që kryen. Duhet të rikthejmë dinjitetin e atyre që u vranë, u burgosën, u shpallën “tradhtarë” vetëm sepse ishin shqiptarë.

Kjo është detyrë e brezave, detyrë e gazetarisë së lirë, detyrë e historisë, detyrë e së drejtës njerëzore e jo e Rexhep Tortës shpirt lig.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura