PËRBALLJA PUBLIKE JO DIPLOMATIKE MES AMBASADORIT LU DHE PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM, ADRIATIK LLALLA

Pashtriku.org, 03. 02. 2017: Prokurori i Përgjithshëm dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shpërthyer në deklarata të forta me akuza ndaj njëri-tjetrit sot në Tiranë.Ambasadori amerikan Donald Lu foli shqip me një gjuhë të ashpër ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë një tryeze të Shoqërisë Civile.
Lu u shpreh se Llalla po punon kundër Reformës në Drejtësi. “Prokurori i përgjithshëm për më shumë se 18 muaj ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi”.
Ambasadori i SHBA-vë deklaroi sot se gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet e ardhshme, reformën në drejtësi dhe ekonominë e vendit, ndaj shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë syçelur.
Por menjëherë, as një orë nga deklarata e fuqishme e Lu, me një fjalim tepër të gjatë, që besohet se ishte përgatitur më herët, u kundërpërgjigj kryeprokurori.

Me zërin e shefes seë kabinetit të institucionit, Llalla jo vetëm përgjigjet por i shpall ‘luftë’ ambasadorit të SHBA duke e akuzuar për shantazhe dhe presione, ndërsa thekson se ambasada para pak ditësh i ka anuluar edhe vizën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokurori i Përgjithshëm i hodhi poshtë akuzat se ka penguar reformën në drejtësi.
Ndërsa Lu theksoi se Llalla dhunoi Kushtetuten kur dërgoi vetem 3 emra për shortin në KED, Prokuroria i cilëson hakmarrje personale sulmet e Lu ndaj Llallës, ndërsa thotë se ambasadori i SHBA ka bërë presione për disa dosje që ka pasur interes.
“Pra nuk hezitojmë të shprehemi se kjo sjellje e Lu është personale për interesa personale”, tha zëdhënësja e Prokurorisë.
Duke e quajtur, ‘sorosian’, Kryeprokurori thotë se nëse Donald Lu është mësuar të jetë zot në politikën shqiptare nuk mund ta realizojë këtë edhe në prokurori.
Llalla se deklaratat e sotme janë një sulm i hapur paprecedent i një diplomati ndaj prokurorisë së përgjithshme dhe janë në vazhdën e një serie shantazhesh dhe presionesh të mëparshme, për të cilat është njoftuar presidenti i Republikës.
***
Donald Lu: Llalla 18 muaj kundershtoi Reformen ne Drejtesi, dhunoi Kushtetuten
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu ka lëshuar sot akuza të forta kundër Kryeprokurorit Adriatik Llalla në tryezën të Shoqërisë Civile ‘Pjesëmarrja e qytetarëve në Demokraci’ ku e pranishme ishte edhe Romana Vlahutin.
Donald Lu deklaroi se kryeprokurori Llalla dhe prokurorët kanë 18 muaj që shprehen kundër Reformës në Drejtësi.
Ai theksoi se Prokuroria e Përgjithshme tentoi sekuestrimin e serverit të ILDKP, që është jetik për Vettingun, ndërsa në shortin e hedhur për KED shkeli ligjin, pasi dërgoi vetëm tre emra për tre institucione dhe jo listën si të gjithë institucionet e tjera duke dhunuar Kushtetutën e re të Shqipërisë.
“Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithcka e tjetër në ekonominë e vendit.
Prokurori i Përgjithshëm ka folur për më shumë se 18 muaj kundër Reformës në Drejtësi, prokurorët u përpoqën të sekuestronin serverin e ILDKP, që është jetik për Vettigun.
Në shortin e hedhur për KED, Prokurori veproi në shkelje të frymës së Kushtetutës së re duke e dhunuar.
Kushtetuta thotë se anëtarët duhet të zgjidhen me short, por prokurori dërgoi vetëm tre emra për tre poste pa transparencë” tha ai.
Ambasadori i SHBA paralajmëroi se në Shqipëri do të vijnë gjykatës e prokurorë nga SHBA e BE për të monitoruar procesin e Vettingut, ndërsa të gjithë emrat e zgjedhur nga shorti për KED duhet t’i nënshtrohen Vettingut.
“Ndërkombëtarët do të mbështesin përpjekjet e tyre, javën e ardhshme do të vijnë prokurorë dhe gjykatës nga SHBA dhe BE për monitorimin.
Do të ndihmojmë vendin për kandidatët për procesin e Vettingut dhe do të monitorojnë cdo proces të Vettingut për të mos lejuar anësinë politike, korrupsionin dhe paaftësinë”, deklaroi ai.
Në fund deklaratën e tij ambasadori Donald Lu e mbylli duke theksuar se SHBA i ka sytë nga Shqipëria, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët që të jenë vigjilentë për të parandaluar që njerëz të fuqishëm të kapin drejtësinë.

Report TV – Lu: Llalla kundër ‘Drejtësisë’ Kryeprokurori:Më shantazhon

***
Deklarata e plotë e Ambasadorit të SHBA, Donald Lu

Ambasadore Vlahutin, Ambasador Borchardt, Ambasador Graf, Z. Gogo, Zj. Meta, Zj. Prifti, zonja dhe zotërinj,

Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit.

Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike.

Ju të shoqërisë civile dhe të medias jeni rojtarët. Kjo nuk është detyrë për amatorë. Nuk është pa kosto. Nuk është pa rreziqe. Që të keni efekt, ju duhet mbështetje politike dhe financiare. Ju duhet përvojë, besueshmëri dhe mbi të gjitha, ju duhet kurajo.

I njëjti sy-shqiponje është i nevojshëm për reformën në drejtësi. Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët.

Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun.
Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione.
Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste.
Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut.
Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do t’i mbështesin përpjekjet e tyre.
Javën e ardhshme, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja, për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Së pari do të ndihmojnë Kuvendin të vlerësojë kandidatët për Komisionet e Vetingut. Më pas, do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vetingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale.
U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vetingut. Faqja e internetit e Avokatit të Popullit përmban të gjitha hollësitë për aplikimin.
Mesazhi im sot është i qartë. Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu, edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Evropës. Më e rëndësishmja, populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar që njerëz të fuqishëm ta vjedhin demokracinë tuaj.
***
Pergjigjet Adriatik Llalla: Sjellje jo diplomatike! Me bllokoi dhe vizen duke me bere presion
Prokuroria e Përgjithshme përmes zëdhënëses për shtyp u është përgjigjur akuzave të ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu ku thuhet se ka punuar kundër Reformës në Drejtësi.
Prokuroria e Përgjithshme akuzon ambasadorin e SHBA për shantazhe dhe presione ndërsa për një gjë të tillë ka vendosur në dijeni edhe Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit.
Në deklaratën e prokurorisë u përmendën edhe mosdhënia e vizave të udhëtimit drejt SHBA-ve për prokurorin e përgjithshëm dhe familjarë të tij, si dhe për prokurorë të tjerë.
Prokuroria i cilëson hakmarrje deklaratat e Lu ndaj Llallës, ndërsa thotë se ambasadori i SHBA ka bërë presione për disa cështje gjyqësore që ka pasur interes.
Përsa i përket shortit dhe anëtarëve të KED që janë zgjedhur nga prokuroria, institucioni i akuzës fton ambasadorin të lexojë ligjin në shqip dhe anglisht.
Sipas kryeprokurorit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm.
“Prokuroria e Përgjithshme është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori aktual në Tiranë, z. Donald Lu, lidhur me qëndrimet e institucionet përsa sa i përket Reformës në Drejtësi dhe kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Dëshirojmë të njoftojmë median dhe, nëpërmjet Jush, edhe opinionin publik shqiptar se, këto sulme tërësisht jo-diplomatike nuk janë aspak të reja për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët kanë mbështetur që në fillimet e saj nevojën për reformim. Në qëndrimet zyrtare dhe publike, Prokuroria ka identifikuar problematika në draftet kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ka shprehur qëndrimet e saj parimore dhe në frymën e së drejtës. Duhet theksuar se këto qëndrime kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, siç dihet tashmë, ka rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të drafteve të propozuar nga ekspertët e huaj, të mbështetur publikisht nga Ambasadori Lu.
Sa i përket procedurës së kandidimit të anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ftojmë zotin Lu dhe ekspertët e tij të rilexojnë ligjin përkatës mbi kriteret e anëtarëve të këtij institucioni. Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexoj variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht.
Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë.
Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm.
Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza.
Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.
Ky reagim i Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, vjen menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mbi presionet dhe shantazhet e vazhdueshme të ambasadorit Lu kundrejt institucionit.
Duke kërkuar mirëkuptimin Tuaj për kohën, dëshirojmë t’Ju prezantojmë letrën e plotë që u është dërguar autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare për veprimet jo-diplomatike të Ambasadorit Lu”.
Prokurori i Përgjithshëm publikoi edhe një letër dërguar presidentit Nishani lidhur me presionet, që sipas tij, i ka bërë ambasadori amerikan, si dhe mbi mohimin e vizave të udhëtimit

Letra e Prokurorit te Pergjithshem drejtuar Presidentit/Informacion mbi revokimin e vizave amerikane për disa prokurorë
Drejtuar: SH.T.Z. Bujar NISHANI
President i Republikës
Z. Ilir META
Kryetar i Kuvendit
T I R A N Ë
Të nderuar Zotërinj,

Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikes gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.
Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu.
Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.
Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.
Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.
Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.
Të nderuar zotërinj,
Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.
Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.
Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional.
Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.
Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014, Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.
Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.
Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.
Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.
Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.
Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.
Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri.
Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.
Të nderuar zotërinj,
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës.
Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.
Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
ADRIATIK LLALLA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura