PERIUDHA JUSTINIANA PRIMA … (II) – (VIDEO)

Periudha gjysmëshekullore e veprimtarisë së Argjipeshkvisë së Justiniana Primës (II)

Nga Bedri Muhadri

Justiniana Prima në këto periudha të vrullshme, plot turbullira dhe pasiguri, si pasojë e dyndjeve të pandërprera të popujve të ndryshëm barbarë dhe sllavëve, nuk do të qëndrojë gjatë. Ajo përmendet për herë të fundit në aktet kishtare në vitin 602, kur Gjonin, argjipeshkvin e saj përpiqet ta ndërrojë perandori Maurik (582-602). Kundër dëshirës autokratike të këtij perandori angazhohet papa i Romës, Gërguri i Madh. Nga kjo shihet qartë se Justiniana e Parë, edhe i tërë territori administrativ i Mitropolisë dhe i argjipeshkvisë gjendet nën juridiksionin e Kishës së Romës

Kisha në atë kohë i kishte shumë borxhe perandorit Justinian, sepse ajo tek ai e gjeti “jo vetëm mbrojtësin e zjarrtë, por edhe të zotin e vet”. Dihet se Justianiani edhe në dogmën kishtare kishte pasur ndikim të madh në përkrahjen e doktrinës kristologjike të konsupstancialitetit që përfaqëson njëqenësinë e Krishtit me dy qeniet e tjera hyjnore, Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Në frymën e kësaj perandori Justinin I, në vitin 531, shpalli ediktin me të cilin anatemizoheshin të gjithë ata që mohonin konsupstancialitetin e Krishtit. Argjipeshkvi i parë i Justinianës së Parë merret Kateliani, rreth vitit 535, ndërsa Gjoni, si i fundit (591-602), del se kemi periudhën gjysmëshekullore të veprimtarisë së Argjipeshkvisë së Justiniana Primës. Kjo periudhë kohe përkufizohet me supozimin nga data e shpalljes së Novelës së Dytë 545, e deri te meshtari i fundit i vitit 602.

Në këtë kohë, popujt e ndryshëm barbarë, e më së shumti hunët dhe sllavët, filluan të depërtonin pandërprerë gjithnjë e më thellë duke i pushtuar këto anë e duke shkatërruar para vetes gjithçka, në rend të parë qytete dhe fortifikata. Sipas një shkrimi të vjetër, konsiderohet se qytetet dardane u pushtuan ose u rrënuan midis viteve 613-616, pra si argumenton G. Gjini, gjithsesi para rrethimit të madh të Selanikut në vitin 618, të cilin rrethim e udhëhoqi Kagani.

Ndonëse diskutimet ende të pazgjidhura për vendndodhjen e qendrës së zhdukur civile dhe kishtare të Justinianës së Parë, ku janë dhënë shumë pikëpamje për këtë vendndodhje të saj, po përmendim disa prej tyre. Prej mesit të shekullit XIX, vendet e ndryshme supozohen dhe përmenden si vendndodhje e Justinianës së Parë; kështu për shembull: Shkupi, Prizreni, Ohri, dhe Lebani afër Leskovcit. Sot përmendet më së shumti qyteti i Shkupit, i cili njihej edhe si qyteti i perandorit Justinian. Prokopi thotë: “Ai themeloi këtu (Taurisiumit) pranë një qyteti madhështor që e quajti Justiniana Prima”. Ky shënim flet qartë se atë duhet ta lypim në mes të Bedrianës, për të cilën Prokopi thotë se e ka rindërtuar edhe Taurisiumin. Në të mirë të ubikacionit të Justinianës Prima në afërsi të Taurisiumit pranë Shkupit të lashtë flasin edhe mbeturinat e ujësjellësit të sotëm për të cilën Prokopi thotë: “Perandori ndërtoi këtu një ujësjellës madhështor që të kishte ujë në të gjitha stinët”.

Këtë mendim e përfaqësojnë studiues të njohur si Artue Evans, Zeilleri, Nikolla Vulić etj. Këtij qëndrimi i shkon edhe fakti i cili theksohet vazhdimisht se Justiniana e Parë në aspektin kishtar ishte vetëm vazhdim i të dikurshmes “Ecclesiae Scupinae”. Selia e parë ipeshkvnore në Dardani, me sa dihet deri më tani ka qenë në qytetin e Shkupit. Studiuesi Franja Barishqi mendon se ajo duhet të jetë shtrirë në “një krahinë kufitare thrako-ilire”, respektivisht qyteti gjendej në Dacia Mediterramea, kurse Tome Tomoski konsideron se Justiniana Prima duhet të ubifikohet te Taurisiumi, te fshati i sotëm Tavor, jo larg Shkupit të lashtë. Këtë mendim e pranon edhe studiuesi Z. Mirdita. Në Novelën XI të datës 14.IV. 535, që në thelb është dekret i karakterit institucional, thuhet: “Meqenëse aq fort dëshirojmë ta lartësojmë me mënyra të ndryshme vendlindjen tonë (…) dëshirojmë që edhe për sa i përket pushtetit kishtar ai të rritet në shkallën më të lartë kështu që drejtuesi shpirtëror i sotëm dhe i ndritshëm i qytetit tonë, Justiniana e Parë të bëhet jo vetëm metropol, por edhe argjipeshkvi”.

Ngatërrimi i qyteteve

Po ashtu, shumë studiues, mbi bazën e materialeve arkeologjike e identifikojnë Justinianën e Parë me Cariqni Gradin, diku në afërsi të Kurshumlisë. Studiuesi G. Gjini, në kundërshtim të ubikacionit të Justinianës së Parë me Cariqin Gradin, sjell disa argumente. Largësia prej 100 kilometrash të zhvendosjes së qendrës së Argjipeshkvisë së Shkupit në Cariqin Grad, duke kapërcyer disa qendra të njohura ipeshkviale si Ulpiana e ndoshta edhe ndonjë tjetër. Shkupi si metropol nuk ka mundur e as ka guxuar të mbetet gjatë kohë pa epror, sepse këto ishin kohë shumë delikate përreth, veçanërisht në kufijtë verior të cilët ishin vazhdimisht të shqetësuar. Gërmimet e deritanishme arkeologjike në Cariçin Grad, padyshim kanë sjellë rezultate të lakmueshme. Gjashtë bazilikat e krishterimit të hershëm flasin pikësëpari për banorët shumë fetarë të këtij qyteti, por njëkohësisht është shumë e besueshme se kemi të bëjmë edhe me seli ipeshkvore. Monogrami i Justinianit në bazilikën me transept është në gjuhën latine e jo greke. Edhe zbulimet e tjera të gjetura në Nish, Kumanovë, Priboj, flasin për faktin se në regjionin e Cariçin Gradit, gjuhë e liturgjisë ishte latinishtja.46 Edhe emrat e titullarëve të njohur të Justinianës së Parë (Catellianus, Benenatus, Johannes) tregojnë padyshim se i përkasin hapësirës gjuhësore latine. Justiniana e Parë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, nga shumica e shkencëtarëve, është lokalizuar në Shkup, ose ne Ohër.

Megjithatë, Justiniana Prima në këto periudha të vrullshme, plot turbullira dhe pasiguri, si pasojë e dyndjeve të pandërprera të popujve të ndryshëm barbarë dhe sllavëve, nuk do të qëndrojë gjatë. Ajo përmendet për herë të fundit në aktet kishtare në vitin 602, kur Gjonin, argjipeshkvin e saj përpiqet ta ndërrojë perandori Maurik (582-602). Kundër dëshirës autokratike të këtij perandori angazhohet papa i Romës, Gërguri i Madh. Nga kjo shihet qartë se Justiniana e Parë, edhe i tërë territori administrativ i Mitropolisë dhe i argjipeshkvisë gjendet nën juridiksionin e Kishës së Romës. Kjo mund të shihet qartë nga korrespondenca e papa Gregorit të Madh, letrat e të cilit adresohen për Gjonin, argjipeshkvin e përmendur, dhe kanë të bëjnë me një mosmarrëveshje në mes ipeshkëv Palit dhe Nemesiut përkitazi me selinë ipeshkvore të Diokletianës. Nga kjo korrespondencë kuptohet se ai mbetet ende drejtues suprem kishtar i këtyre viseve, përkundër kundërshtimit të perandorit Maurik. Veç kësaj, argjipeshkv Gjoni është i fundit që përmendet si udhëheqës i Justiniana Primës. Pas krejt ç’u tha shtrohet me të drejt çështja e kontinuitetit kishtaro-administrativ të Ipeshkvisë së Shkupit të lashtë e Justinianës së Parë dhe kontinuitetit të këtyre të dyjave në Ipeshkvinë e sotme të Shkupit. Faktet historike të interpretuara nga studiues të njohur, e pohojnë bindshëm kontinuitetin kishtaro-administrativ të Ipeshkvisë së Shkupit të lashtë dhe Justinianës së Parë. Lidhur me këtë, një fakt i sigurt i bashkon ato, kjo është pozita e tyre nën juridiksionin e Papatit përkatësisht lidhja apo bashkimi i përhershëm i tyre me Kishën e Romës.

Veç kësaj, edhe vetë fakti që Justiniani e ndërton Justiniana Primën dhe e ngriti atë në aspektin kishtar në rang të argjipeshkvisë dhe të mitropolisë me të gjitha prerogativat e përmendura, bile pas jo më shumë se 27 vjetëve pas tragjedisë që e kaploi këtë me tërmetin katastrofal, besojmë se ai do të ketë pasur një bazë në saje të së cilës ka qenë i detyruar të vepronte. Sepse dihet, se pas tërmetit shkatërrues të viti 518 dhe nga ana tjetër sulmet dhe dyndjet e pandërprera të barbarëve dhe sllavëve, Shkupi i lashtë nuk përmendet më. Qytetet dhe fshatrat shkretohen. Në sajë të të dhënave të autorëve të ndryshëm, shihet se këto vise i kishin okupuar fiset e ndryshme sllave. Popullata së bashku edhe me priftërinjtë ikën në vende më të sigurta. Në këto kohë tragjike, nga një anë të katastrofave natyrore dhe nga ana tjetër dyndjet e pandërprera barbare dhe të sllavëve, në fronin ipeshkvnor të Shkupit përmendet Gjoni, ipeshkvi, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë. Duke marrë parasysh që Justiniana e Parë qe themeluar si qytet krejtësisht i ri në të tretën e parë të shekullit IV, viti 535, por që në epokën e qeverisjes së perandorit Herakliu I (610-641) pushoi së ekzistuari, pra deri kur vërshimi sllav e tronditi thellë territorin bizantin, duke u shkatërruar dhe humbur shumë qytete, e në mesin e tyre edhe Justiniana e Parë. Që këtej del se Justiniana e Parë nuk do të ketë jetuar më shumë se një shekull. Pra, për një kohë kaq të shkurtër, zgjerimi i saj i konsiderueshëm territorial me godina monumentale, fetare dhe profane, mund të shpjegohet me faktin e pamohueshëm se vërtet është fjala për një qendër shumë të ngritur në atë kohë, të njohur Justiniana e Parë, në territorin e Dardanisë. Ndërmarrje tjetër e rëndësishme në Dardani nga ana e perandorit Justinian ishte ndërtimi i qytetit tjetër, që njihet si Justiniana Secunda. Lidhur me këtë qendër, na njofton Prokopi i Cezares, i cili thotë: “Ka pasur në Dardani, që prej kohëve të lashta, një qytet që quhej Ulpiana (Ulpiana). Ai (Justiniani) rrëzoi pjesën më të madhe të murit të saj rrethor, i cili qe dëmtuar shumë me rastin e tërmetit 518 dhe nuk shërbente për asgjë, dhe bëri një mur rrethues, i rindërtoi që të gjitha dhe, pasi e stolisi me madhështi dhe i dha bukurinë e sotme, i vuri emrin Justiniana Secunda-Justianiana e Dytë”.

Ky qytet, si trashëgimtar i Ulpianës, vazhdoi të jetë qendër me rëndësi ipeshkvnore, por tash nën argjipeshkvinë e Justinianës së Parë. Ulpiana, apo Justiniana e Dytë ndodhet në rajonin e pasur me xehe me ngjyra (plumb, zink, argjend) që do të ketë qenë edhe një qendër banimi shumë e zhvilluar ekonomike për dardanët. Po ashtu, me këtë perandor, shfaqet një rilindje ekonomike, politike në provincën e Dardanisë, në vendlindjen e tij, duke ngritur qytete të mëdha dhe me institucione më të larta në kuadër të principatave të perandorisë së tij.

Me invadimin e barbarëve (sllavo-avarë), shek. VI – VIII, në trevat ballkanike do të ndërronte edhe harta kishtare e Dardanisë. Gjatë kësaj periudhe, pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvore e argjipeshkvore, siç ishin Justiniana Prima, Shkupi, Justiniana Secunda, Nishi e Remisiana. Gjatë këtyre trazirave, u ndërprenë edhe lidhjet me Papatin, për t’u shkëputur për një kohë të gjatë, dhe jashtë ndikimit të kishës bizantine mbetën edhe Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit. Kështu, Justiniana Prima (Scupi) deri më 733 ishte qendër kishtare nën juridiksionin e Romës. Perandorit bizantin, Leoni III Izauri (717-741), rreth viti 733 ipeshkvitë e Ilirikut iu shkëputën nga vartësia e Romës, duke iu nënshtruar qendrës së Kostantinopojës.

Përfundimi

Territori i Kosovës në kohën para osmane quhej Dardani. Në antikë Dardania në kuadër të sistemit të gjerë religjioz romak kishte objektet e veta fetare dhe ishte nën juridiksionin kishtar të argjipeshkvisë së Selanikut. Qytetet kryesore të Dardanisë ishin Shkupi kryeqendra e saj dhe Ulpiana në afërsi të Prishtinës. Në vitin 518 në Dardani ndodhi tërmeti shumë shkatërrues, u shembën vendbanimet si dhe objektet fetare. Perandori bizantin Justiniani I 527-565, i cili është me prejardhje nga Shkupi, i kushtoi një vëmendje të veçantë atdheut të tij, Dardanisë. Ai ndërmori veprime perandorake duke sanuar gjendjen e rëndë që pësoi Dardani me rastin e tërmetit. Ai rindërtoi dhe ndërtoi objekte të rëndësishme në Dardani sidomos në qytetin Ulpiana, e cila pas rindërtimit mori emrin Justiniana Secunda. Ndërtime të shumta ai kreu në fshatin e tij të lindjes. Aty ndërtoi një qytet madhështor, të cilin e quajti Justiniana Prima.

Justiniani I e riorganizoi kishën në Dardani. Me aktin e nxjerrjes së Novelës CXXXI me 18.III. 545 nga ana e Perandorit Justiniani I, duke pavarësuar statusin institucional dhe juridik kishtar në Dardani duke e ngritur vendlindjen e tij qytetin Justiniana Prima në argjipeshkvi, e cila vepronte e pavarur dhe nuk i nënshtrohej argjipeshkvisë së Selanikut dhe ajo shtrihej në tërë territorin e Dardanisë.

Me pushtimet sllavo-avare të shekullit VI-VIII në treva ballkanike dhe në Dardani pësojnë shkatërrime e dëme të mëdha edhe qendrat fetare, po ashtu edhe argjipeshkvia e Justiniana Secunda. Në kohën e pushtimit bullgarë në Dardani nga viti 976 e deri më 1018 në aspektin kishtar ishin pjesë e Mitropolisë së Ohrit. Burimet historike që në shek. XI dëshmojnë për veprimtarinë e Ipeshkvisë së Prizrenit dhe Ipeshkvisë së Lipjanit të cilët ishin në kuadër të Kryepeshkopatës së Ohrit.

Me pushtimin e Dardanisë – Kosovës në dekadën e dytë të Shekullit XIII nga shteti sllav i formuar nga Dinastia e Nemanjidëve, dhe me pavarësinë e Kishës ortodokse serbe në vitin 1219, kemi një riorganizim kishtar në Dardani të realizuar me forcën e pushtetit të sundimtarëve të Nemanjidëve në periudhën kohore 1219-1371.

(FUND)

___________

(Ky tekst fillimisht është botuar në revistën: “Kosova nr. 37/38”, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013, f. 76-84. Fusnotat janë larguar nga redaksia)

_______________

Pasdite – Parku Arkeologjik Ulpiana 11.05.2023

***

Justiniani I – përtëritësi i qyteteve të Dardanisë (I)

Nga Bedri Muhadri

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura