Bukuresht, 10. 02. 2014 – Nëse periudhës së regjimit të diktaturës në Shqipëri do i kërkonim ndonjë gjë positive, kjo mund të jetë zhvillimi i arsimit. Brezi i studentëve të viteve 50-të, që u shkolluan në Rusi dhe vëndet e tjera të kampit socialist, prunë në vendin tonë njohuri absolut të domosdoshme për ngritjen e industrisë dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Pa këto kuadro, sado pak që ishin, investimet e dy dekadave të mëvonshme nuk do ishin të mundura. Ekonomia e çdo vendi ka nevojë për punonjës të kualifikuar, aq më tepër vëndet emergjente siç është dhe rasti i Kosovës.
Studentët shqiptarë të shkolluar jashtë, përveç kontributit që patën direkt në zhvillimin e degëve të ekonomisë, ata u bënë dhe transmetuesit e dijeve të tyre për brezat e tjera që u shkolluan më vonë në vend. Ata morrën përsipër hapjen e degëve të reja në arsimin e lartë, dhe këtë e bënë pa patur eksperiencën e duhur pedagogjike dhe pa patur kulturën e nevojshme të mësimdhënies. Të gjitha këto u ngritën mbi bazën e punës individuale autodidakte, ku jo të gjithë arritën në nivelin e duhur apo të nevojshëm. Në përgjithësi ata riprodhuan në gjuhën shqipe tekstet që kishin studiuar dhe për model kishin pedagogët e tyre të huaj.
Për brezin tim, në kushtet e viteve 60-të, të hapave të para të arsimit të lartë shqiptar në shkencat e natyrës apo ato teknike, kjo mund të konsiderohet si një fazë paraprake për kosolidimin e dijeve dhe të formimit të një brezi të gjërë punonjësish teknik. Shkolla ruse, ashtu si në tërë vëndet e tjera socialiste, u bë bazë e zhvillimit arsimor. Në atë periudhë plagjiatimi as që vihej në diskutim, bile konsiderohej si e vetmja metodë për krijimin e texteve shkollore. Rrallë ndonjë pedagog vinte bibliografinë. Kishte raste kur nuk kishim tekste fare dhe pedagogu diktonte direkt në orën e leksioneve, perkthimet që bënte nga tekstet ruse, polake, çeke apo gjermane, sipas gjuhës që kishte mësuar. Shpesh ndodhte që rekomandonte një autor dhe nëse studenti gjente në bibliotekë një autor tjetër, në një gjuhë tjetër, për ta patur si model për projektin e tij, ai i refuzohej nga pedagogu, thjesht për faktin se pedagogu nuk e njihte apo nuk ishte në gjëndje ti vlersonte metodat e logaritjeve teknike që e kapërcenin mjaft nivelin e tij.
Kështu kam patur një pedagog, i cili mori përsipër të na jepte tre lëndë profesionale, pa qënë fare i shkolluar në ato fusha. Ai kishte bërë tre vjet fakultet në Gjermanin Lindore për një fushë tjetër, studime të cilat i kishte ndërprer, për arsy të ndërprerjes së marrdhënieve në 1961 dhe meqë zotëronte në njëfarë mase gjuhën gjermane, filloi të përkthente disa tekste që kishte gjetur në bibliotekën shkencore të universitetit të Tiranës. Gjatë leksioneve kur i bëja pyetje ai nxehej dhe na nxirte nga klasa, se gjoja nuk donte ta nderprisnim. Kështu ne gjetëm një metodë për tiu shmangur orëve dhe sa herë që dëshironim të largoheshim nga mësimi, pa marrë mungesa, vinim në klasë dhe sa fillonte mësimi e sulmonim me pyetje. Pas pesë minutash ishim jashtë të lumtur, sidomos në pranverë kur çelnin lulet së bashku me hormonet tona dhe përfundonim në parkun e liqenit (që ishte pranë) ose në kinema kur dilte ndonjë film i ri.
Pedagogët tanë hynin në katedra pa asnjë përvojë mësimdhënie, pa asnjë publikim shkencor, bile mjaft nuk kishin as eksperiencën e prodhimit. Kishte raste kur na vinin si pedagog të jashtëm inxhinjera direkt nga prodhimi, të cilët shpesh mungonin ose vinin me vonesë dhe nuk na gjenin në sallë. Atëhere as që e vrisnim mëndjen për cilësinë e informacionit që merrnim, universiteti prodhonte kuadro për fshatin, për kooperativat, për uzinat, për shkollat e ulta apo të mesme etj. Kishte plan prodhimi kuadrosh. Kur mbrinim në prodhim pas diplomimit, konsideroheshim si kuadro të lartë dhe ishim të detyruar të përballonim dhe të zgjidhnim çdo problem që na dilte para. Sasia e kuadrove të prodhuar në vit ishte treguesi i vetëm, kur cilësia e tyre ishte e pamatur. Notat ishin aq subjektive sa nuk mund të mirreshin për bazë. Për të mos mohuar të vërtetën duhet pranojmë se kushtet e atëherëshme nuk na ofronin mundësi të tjera, ishte një fazë zhvillimi që duhej kapërcyer në një fare mënyre në kushtet e një vëndi të izoluar. Nga ana tjetër nuk egzistonte nocioni i korupsionit, notat ishin të shtrënguara, sidomos në disa lëndë ku si pedagogë ishin ata pak intelektualë të shkolluar në perëndim para lufte, që i shpëtuan shpatës së “Dimokleut”, siç ishte rasti i pedagogut të matematikës në inxhinjeri. Zakonisht studentët e dobët skartoheshin në vitin e parë, të tjerët vazhdonin qoftë dhe duke përsëritur ndonjë vit.
Më vonë gjatë punës, kur u ndesha gjatë punës me problemet ekonomike, sidomos me metodat e planifikimit, pashë se ne të inxhinjerisë ishim rast i lumtur, pasi situata në fakultetin ekonomik ishte akoma më e pashpresë. Vetë medollogjia e planifikimit të shtetit ishte një tekst i kopiuar nga një autor rus, të cilin një pedagog shqiptar i ngarkuar të hartonte metodollogjinë, e kishte përkthyer gërmë për gërmë, deri dhe tek shëmbujt, ku kishte ndruar vetëm rublën me lekun, por shifrat ishin identike. Ky ka qënë një nga faktorët e dështimit të ekonomisë shqiptare, e cila me gjithë kreditë e marra (16 miliard $), nuk arriti të vetfinacohet, por pas ndërprerjes së ndihmës ekonomike të Kinës, filloi të binte gradualisht nga viti në vit, deri sa hyri në faliment . Kolapsi total ndodhi në vitin 1991. Sot, me eksperiencën e grumbulluar, shpesh jam munduar të analizoj shkaqet e asaj situate aspak normale. Në shumë drejtime kam hasur në faktorin – padije , ose në argumentin justifikues – munges experience.
Pra që të krijojmë një përshtypje të përgjithëshme, ekonomia shqiptare, me një popullsi analfabete të viteve 40, pasi pati një trajektore 45 vjeçare zhvillimi, megjithatë në vitin 1990 të akoma të vuante për munges experience. Mund të themi se falimentoi nga padija. Kjo mund të thuhet jo për anën teknike por më tepër për atë ekonomike dhe sidomos atë makroekonomike, metodollogjin e planifikimit, manaxhimin e zhvillimit, koordinimin e sektorve ekonomik, edukimin difiçitar jo cilsor etj. Ndërhyrja politike në fushën e arsimit pati një efekt shkatërues. Pedagogët universitar merrnin tituj shkencor pa asnjë punë shkencore, zgjidheshin nga partia mbi bazë politike, që të fusnin ideollogjinë dhe politikën e partisë në arsim. Dekanët dhe rektorët emëroheshin nga komiteti i partisë. Pra kariera universtare nuk kishte lidhje me dijet, apo punën shkencore. Kjo gjë krijoi një strukture mediokre universitare, e cila me kohë u bë e padepërtueshme. Ajo formoi një shtresë të priveligjuar pedagogësh të cilët shfrytzonin punën e të tjerëve, pa pasur asnjë meritë shkencore. Mbureshin nëpër podiume konferencash me rezultatet e punonjësve anonim, të cilëve nuk u dilte kurrë emri në sipërfaqe. Anonimët, këta argatë të shkretë shkencorë, kishte raste që kënaqeshin kur u publikohej ndonjë punim i tyre me emrin e shefit si autor. Në rastë refuzimi, i priste qarkullimi në prodhim për riedukim, të shoqëruar me një karakteristikë të keqe, ku theksohej ana ideollogjike. Kështu e ushtronte mediokriteti presion mbi ata pak intelektualë të aftë të cilët guxonin të çfaqnin një nivel kulture apo aftësi profesionale mbi atë të mediokritetit mesatar. Kuadrot që arrinin në kantjere apo uzina nuk kishin më nevojë për dije të tjera. Ata për të mbijetuar në atë mjedis mbytës injorant shkriheshin me masën dhe ngriheshin në poste në bazë të “devotshmërisë”. Bile po qe se vërehej ndokush që në vend që të pinte raki me shokët, ku të sqaronte problemet e futbollit, shkonte në bibliotek të studionte apo mësonte gjuhë të huaja, shihej me dyshim dhe vihej nën vëzhgim nga organet e sigurimit, kuptohet mbas ndonjë letre anonime apo ndonjë vlersimi që i bënte sekretari i organizatës bazë të partisë. Kam pas rastin të shoh karakteristikën që më bënte një sekretar partie që nuk dinte të shkruante, mund ta imagjinoni se çfarë shkruante atje? Në një mbledhje partie, ku isha ftuar të asistoja, pa qënë anëtar i saj, jam akuzuar se lexoja. Në sytë e antarëve besnik dhe vigjilentë të partisë, ky ishte një faj shumë i rëndë. Ishin gati të më fundosnin, vetëm që s’u kishte ardhur urdhëri nga partia për këtë masë, kështu që shpëtova me një vërejtje të rëndë. Sot Shqipëria ka ndryshuar shumë, i janë hapur dyert arsimit masiv universitar privat, i cili ka hyrë në konkuncë të fortë me atë shtetëror. Problemi i cilësisë vazhdon të jetë një preokupim, por perspektiva është me sens pozitiv.
Fatkeqsisht lajmet nga Kosova dhe Maqedonia për arsimin e lartë shqiptar nuk janë aspak inkurajuese. Këto ditë kur studentët në Prishtinë kanë dalë në rrugë dhe protestojnë kundër korupsionit dhe mediokritetit të pedagogve karieristë, lexova një shkrim në gazetën Jeta në Kosovë, 06 Shkurt, 2014, një prezantim shumë interesant i problemit nga Agron Demi “Legjitimuesit e Dijes”, ku më tërhoqi vëmëndjen një fragment shumë domethënës :
“Në total brenda një viti kalendarik mbi 65 mijë qytetarë 3.7% e popullsisë së Kosovës kanë statusin e studentit. Tridhjetë për qind e studentëve vijojnë studimet në fushën e ekonomisë, 14.6% janë student të juridikut, pastaj vijnë shkencat politike dhe administratë publike. Në sektorin privat, 62.4% studiojnë ekonominë. Vetëm 3.4% e studentëve studiojnë në shkencat teknike, kryesisht në universitetin public”.
Nga këto të dhëna statistikore kuptova se Kosova po pregatitet të fryj aparatin buxhetor të shtetit me punonjës pa vlerë dhe nuk po planifikon një zhvillim të ekonomisë së saj. Ku do i gjejnë investitorët e huaj apo ata vendor specialistët, teknikët dhe puntorët e kualifikuar. Kosova mund të ketë shumë burime natyrore, por asnjë investitor nuk guxon të hedhi parat në një vend ku nuk ka ku gjen specialistët e nevojshëm dhe do i duhet ti importoj ata nga vëndet e zhvilluara. Në këtë mënyrë Kosova po orientohet drejt një ekonomie të bazuar në konsum dhe jo në prodhim. Eksporti i lëndëve të para bruto nuk do i mbulojë dot asnjëherë nevojat e vëndit, pamvarsisht se dikush mund të mbushi xhepat me komisionet ilegale për trafikun e influencës. Nga ana tjetër asnjë intelektual i arsimuar jashtë nuk do mund të punësohet në vëndin e tij, pasi bariera e mediokrëve politik ua bën të pamundur këtë, i dekurajon, i neglizhon, u tregon rrugën nga kanë ardhur. Kjo hemoragji e trurit ka pasojat më të rënda për vëndin dhe për nivelin e jetesës së popullit shqiptar të Kosovës.
Japonia veproi komplet ndryshe. Ajo zgjodhi nga populli 10.000 fëmijë të talentuar dhe i dërgoi me bursa në shkollat më të mira të Europës dhe Amerikës. Pastaj, kur u kthyen, u la në dorë të drejtojnë shtetin, të hartojnë dhe të zbatojnë strategjinë e zhvillimit. Rezultati dihet.
Studentët protestues në Prishtinë kanë arritur në fazën e dëshpërimit, ata kanë arritur të kuptojnë se perspektiva e tyre është e komprometuar, prandaj dhe kërkojnë ndryshim. Shteti në këtë rast ndërhyn duke mbrojtur strukturën mediokre të emëruar nga vet ai. Politikanët edhe më mediokër, disa dhe analfabet, nuk mund të kuptojnë se çfarë kërkojnë studentët. Shteti ushtron dhunën policore për ta shtypur këtë protest legjitime të studentëve, duke e fundosur përfundimisht perspektivën e zhvillimit të vëndit.
Unë mendoj se eksperienca negative e zhvillimit të arsimimit mediokër në Shqipërinë nën regjimin komunist duhet ta ndihmojë qeverinë e Prishtinës që të mos kaloj nëpër të njëjtën rrugë aq të gjatë. Arsimi në Kosovë duhet ti përgjigjet nevojave konkrete të specifikës së zhvillimit për periudhën që po kalon. Duhet të hartohet një strategji e zhvillimit ekonomik nga e cila të dalin dhe nevojat dhe të planifikohet zhvillimi arsimor në sasi dhe cilsi.
Nuk bëhet buka pa miell, por mielli do kohë të prodhohet, përndryshe vdes nga uria. Kjo po ndodh në Kosovë, do bukë por s’ka miell, i kanë mbet vetëm krundet, pasi miellin e ka exportuar në perëndim. Kështu artistët, specialistët, futbollistët shqiptarë kontribojnë për zhvillimin e Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Italisë, Amerikës dhe Kanadasë etj., veç jo për vëndin e tyre, aty s’kanë vend, ua kanë zënë vëndin padija – kjo epidemi e mediokritetit.