Çelet në Vlorë muaji i Letërsisë dhe Artit
PROGRAMI I VEPRIMTARISË
PËRURIM I VËLLIMIT POETIK “PORTRETE QË NA FRYMËZOJNË”
I AUTORIT ILIA BOMBAJ
Data: 04.10.2025, ditë e shtunë, ora 11:00
Vendi: Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë
Moderator: Albert HABAZAJ
Diskutime:
- Albert Habazaj, poet, bibliograf
- Enrieta Sina, poete, gazetare
- Hiqmet Mehmetaj, poet lirik
- Eqerem Canaj, poet, kritik letrar
- Lejla Qejvani, poete, veprimtare shoqërore
- Përshëndetje të lira
- Vullnet Sina, Deputeti i Vlorës
- Angjelina Beko Tahiraj, mësuese në pension
- Ing. Sejmen Gjokoli, këshilltar i kulturës në bashkinë Selenicë
- Fatbardha Xhindi Amzaj, poete
- Baxhul Merkaj, kritik arti
- Sotir Zahoaliaj, veprimtar shoqëror
- Ilia Mustaqi, komentator i RTSH
- At Spiro Bulika, klerik në Selenicë
Falënderim i autorit
PORTRETE QË FRYMËZOJNË POETIN ILIA BOMBAJ – MËSUES DHE MISIONAR I PAQES
MSc. Albert HABAZAJ
poet, studiues, kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë
Të dashur penëtarë të fjalës së bukurshkruar, miq e dashamirës tanë!
Sikurse dhe më parë, strehëza jonë bujare, Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” e qytetit të Vlorës na pret me bujari falë drejtoreshës dr. Iltana Koleka dhe stafit të saj shembullor në shërbim të komunitetit.
Sot, më 4 tetor çelim simbolikisht muajin e letërsisë dhe artit për vitin 2025, sepse ne i kemi shtrirë gjatë gjithë vitit veprimtaritë tona të larmishme letraro -artistike.
Mozaikut tonë kulturor po i shtohet dhe një ngjyrë tjetër e ngrohtë, sa poetike, aq humane e dashur.
Veprimtaria e sotme është e veçantë në bukurinë e saj fisnike, sepse kopshtit tonë poetik i shtohet dhe një lule e freskët, e shëndetshme dhe me aromë të këndshme letrare me përurimin dhe njohjen e vëllimit poetik “Portrete që na frymëzojnë” e autorit Ilia Bombaj. Është një përmbledhje me 67 lirika atdhetare e shoqërore, e mbushur me motive me diell shpirti të portreteve që e frymëzojnë autorin, dhe jo vetëm Lilin tonë, të cilit sot i jemi përkushtuar, prandaj le ta quajmë 4 tetorin ditën e poetit mësues Ilia Bombaj.
Përveçse kam besim tek dëshira për të shkruar, talenti e dhuntia e autorit, ndihem i qetë, sepse libri ka kaluar në sitën e imët redaktoriale të poetes, shkrimtares, gazetares dhe botueses së mirënjohur Enrieta Sina, pranvera e çdostinëshme në formë njeriu.
Më lejoni të kthehem pakëz mbrapa nja 7-8 muaj, më saktë më 7 mars 2025, në ditën e shenjtëruar të mësuesit. Në Selenicë, në prani të shumë banorëve, nxënësve, mësuesve, personaliteteve nga fusha e arsimit, letërsisë, artit, kulturës, diplomacisë dhe politikës u vlerësua dhe u nderua për gjurmët me dritë në udhëtimin qytetar mësuesi dhe veprimtari shoqëror Ilia Bombaj, i njohur për ndihmesën e tij në mësimdhënie, në shqetësimet dhe zhvillimet e jetës qytetare jo vetëm në Selenicë, Vlorë, Lubonjë, Armen, Lumi i Vlorës, Panaja e rrethina por edhe tej hapësirave të qarkut tonë. Qysh nga ajo ditë e bekuar e 7 Marsit 2025 e në vijim mësuesi Ilia Bombaj është Misionar i Paqes Botërore, Ambasador Nderi, zotërues i Çmimit të Madh “Nënë Tereza” dhe anëtar i misionit të Paqes të DMPP (Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet).
Sot, ky misionar i Paqes Botërore nderohet me këtë veprimtari përuruese të krijimtarisë së tij poetike në institucionin e duhur ku ka vlerë libri e ku peshon fjala. Ilia është i njohur si artist i palodhur, si prozator e romancier këmbëngulës, si autor monografish (bëhen rreth 15 botime të autorit deri sot, sepse ai është turbinë shkrimore.
Çfarë vërej tek ky poet?
Së pari, Ilia Bombaj është poet identitar. Ai nëpërmjet këtij libri, si të thuash, bën autobiografinë e vetë në vargje. Ai tregon thjesht e me dinjitet kush është, nga është, kush janë njerëzit e tij, kush janë miqtë e tij, kush janë të parët e tij, cila është historia e tij, cili është synimi i tij fisnik dhe mesazhi i tij i lartë. Ai është një vllah i mirë, njësoj si ne, një ndër ne, me të mirat, hallet e shqetësimet e shumta përbashkuese e të pakta përveçuese.
Rikthehemi tek “Portretet …” e Lilit.
Vjershat e Ilia Bombajt janë me tematikë të ngushtë përkushtuese, shkruar me patos e dashuri, me ndjenjë të lartë vëllazërore e synim për t’u përmirësuar duke përparuar. Ai shkruan për ata që ka njohur, për ata që njeh e i lënë mbresa të mira.
Poezia e tij është patetike dhe klasifikohet në poezinë e angazhuar shoqërore, shkruar me një gjuhë të pastër e të zhdërvjellët, ku spikat stili i ligjërimit të bukur, thurur me aq dashamirësi nga autori
Në një trajtë tjetër Ilia Bombaj më jep imazhin e Selenicës që asfaltoi botën, edhe udhët e Parisit. Edhe Ilia me zemrën e tij, me shpirtin e tij shkroi për mirësinë, për njerëzit e virtytshëm, për historinë e lavdishme, duke nisur patjetër me bijtë e Selenicës, që mërguan si lule nëpër botë dhe patjetër duke e mbyllur me plakat e lagjes së tij: Margën, Guçën, Dhoksinë, Nastën, ca Spira, ca Todi, ca Pandi, ca Gaqi, “emra që thirren me mall nëpër lagje/ si monumente që s’flenë kurrë në harresë”. Vargje të tilla i japin hijeshi poetikës së autorit sepse janë të shëndetshme figurat stilistike, në këtë rast krahasimi dhe similituda, (krahasim i zgjatur) i cili e bën akoma më të plotë përfytyrimin dhe fuqinë emocionale. Ai shkruan për legjendën e kulturës, aktorin, që u bë histori, për Lasgushin e At Spiro Bulikën, që është dritë e besimit në Selenicë në kishën ngritur me mure në qiell, shkruan për lavdinë e Luftës së Vlorës, 1920 me Osmën Haxhiun, Selam Musain e Ahmet Lepenicën, për karvanët e Vllehëve pjesëmarrës në këtë luftë me shpirtin e lirë, se kishin në ballë bij të Selenicës si Tol Kita Petraj e Taqi Foton, shkruan për Borovën që s’harrohet, shkruan vargje për artistë, poetë, inxhinierë, mësues, klerikë, misionarë e atdhetarë, sepse që përtej shquan poezia e tij me ngjyra të ndezura atdhetare.
Ndërkohë, të gjithë e njohim historinë e kapedan Gjolekës dhe këngën e tij të famshme: “U trete, Gjolek’, u trete/ po sos u trete për vete/ po për gjithë vilajete…”. Edhe Ilia më duket si një Gjolekë në kohë të re, por i zbritur nga monumenti me jatagan e ulur në tokë me ne, si ne, me penë, me zë e shpirt.
Lajtmotivi poetik dhe jetësor i autorit Ilia Bombaj është : “Dashuri dhe nderi janë një”, sepse dashuria është ndjenja më e bukur njerëzore dhe familja është çerdhja e bekuar e dritësisë diellore në tokë të jetës sonë gëzimtare, familja është bërthama e lumturisë.
Miq të dashur! Letërsia vllahe pasurohet me një visar poetik e kulturor, krahas të talentuarës Sofia Doko Arapaj, po aq dhe letërsia e autorëve vlonjate bëhet më e dinjitetshme dhe me frymëmarrje të gjerë, të natyrshme, zbukuruar me filigran shpirti.
Lili është dhe vetë një portret që frymëzon të tjerët me humanizmin dhe bamirësinë e tij, me dashurinë dhe shembullin e devotshëm për të bërë gjëra të mira, shpesh herë edhe duke dalur nga rreshti (patjetër vetëm për mirë)
Kjo veprimtari është një lule letrare dhe kulturore për muajin e Letërsisë dhe Artit në Vlorë.
Faleminderit, Lili, që na e bëre këtë ditë kaq të bukur!
————————-

Kujtesë:
MËSUESI ILIA BOMBAJ VLERËSIM NGA DMPP
Më 07/03/2025 … në gjurmë të aktivistit shoqëror Ilia Bombaj, DMPP-Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i përfaqësuar nga Guvernatori Ambassador-Shefki Hysa, Amb. Dr. Kristo Goci, Misioneri i Paqes Naim Nimani, Drejtoreshës Bela Dika, Juriste e DMPP Gabriela Shehati, Misionari i Paqes Regjizor Kristaq Janushi, Misionare Dr. Keti Sula, nderoi në atdheun e tij në mes të komunitetit të tij, në prani të Kryetarit Bashkiak Nertil Bellaj, Deputetit Anduel Tahiraj, Hirësi Spiro Bulika, Poet Albert Habazaj, Poet Hiqmet Mehmetaj, Komentator RTSH Ilia Mustaqi, Gazetar-Analist Harilla Koçi , Drejtoresha e shkollës “Todi Koçeli” Donika Qirjo, etj. Që sot e në vazhdim, mësuesi Ilia Bombaj është
Misionar i Paqes Botërore, Ambasador Nderi, zotërues i Çmimit të Madh “Nënë Tereza” dhe anëtar i misionit të Paqes të DMPP.
Përgatiti: Albert HABAZAJ
Vlorë, e shtunë, 4 Tetor 2025
***
KOMANDANTI I GJYSHIT
– Mares sot mbush 6 vjeç –
Albert HABAZAJ
Që në mëngjes te oborri
Dola sot tek pres e loz,
Se në çdo vit 3 tetori
Vjen i bukur dhe serioz.
Tek pres nipin tim të parë
Me dy globe gazi mbushur,
Maresin 6 – vjeçar
Që në klasë të parë është ulur.
Me librat në bankë të parë
Si një princ i vogël ulur,
Shumë dije do të marrë
Komandanti im i bukur.
Libra dhe dëshira bashkë,
Lodra edhe fantazira,
Burr’ i vogël vjeç gjashtë
Do të bëjmë gjëra të mira.
Maresi mua më thotë:
Mezi pret të vijë në Vlorë,
Të bëjmë makina, robotë,
Aeroplanë e motorë.
Dhe të lozim ne, si çuna,
Ndërsa gocat lozin bashkë,
Sepse ashtu është puna
Çunat më shumë lozin jashtë.
Do të bëjmë edhe shtëpi,
Në darkë do ‘ dalim për peshk,
S”ka erë, deti s’hedh stuhi
Tok me babin, o sa qejf!…
Njëri-tjetrin shumë e duam
Në një lojë s’ pranojmë tjetër,
Sa punë realizuam –
Çun i vogël, çun i vjetër…
Pastaj ikën në Tiranë
Me më të mirët në botë,
Do mamin e babin pranë
Pa ta një natë nuk rri dot…
Ky është komandanti im
Kapedani që rri rëndë,
E mban babi i tij si trim
Dy dhëmbole i kanë rënë.
Të lumtur, tek 6 vjeç mbush
Djali i madh i djalit të madh,
Loz i lumtur si rrallëkush
Si ketrushi në livadh…
Vlorë, e premte, 3 Tetor 2025
***

Një tufëz me lule poetike për 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit
NDERIM MËSUESVE TË MI, MË TË MIRËVE NË BOTË
Albert HABAZAJ
“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s’kishte të dytë.
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën’ meteorë.
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s’ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit’ e natë.
Ku t’i gjej t’u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
Nderim mësuesve të mi
Më të mirëve në botë,
Baras qenë me Perëndi,
Diell që thyen çdo shqotë.
Mësues të dashur, Gëzuar 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit, sepse në kushte shumë të vështira, në kohë dhe hapësirë kornizore, ju ishit vërtet më të mirët në botë, të zotë, të aftë e të plotësuar me dije, të devotshëm e të përkushtuar si ju, dinjiteti i shkollës dhe krenaria e arsimit shqiptar. Si ata që më kanë dhënë mua mësim, edhe të tjerët, jo vetëm në Tërbaç, Labëri, Vlorë, Tiranë e kudo në Shqipëri ishit Misionarë të Vërtetë Drite.
Dritë ata që janë në krahë të Paharrimit tonë e, se na vështrojnë nga yjet, dritërofshin në përjetësi…
Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!
Nderim nga Albert R. Habazaj