HAKI MORINA: A KISHTE TESTAMENT NJERIU QË NUK U ANKUA ASNJËHERË?

Zvicër, 05. 07. 2013 – Kumti i vdekjes së aktorit Minella Borova ishte i papritur dhe thellësisht i dhembshëm. Miqësia me artistin dhe bashkëpunimi me të gjatë viteve 1991- 1992. Mosrespekti aktual për artistët e vërtetë tregon një prapambeturi të cilën nëse duan ta shndërrojmë si të përkohshme na duhet një luftë e vërtetë me vetveten për të mposhtur mjerimin mendor që gërryen dhe e shkatërron bërthamën e një kombi!
I ikur nga Shqipëria në Shqipëri, për shkak të ndjekjeve policore, në vitin 1991, gjatë aktivitetit tim në Tiranë, takova artistin Minella Borova të cilin kur e shikoja në rolet e filmave përmes TVSH, nuk e kisha menduar se do të vinte dita ta takoja për së afërmi. Të bisedonim. Dhe që në fillim, biseda me të “rrëshqiti” në mënyrë miqësore. I afërt, i hapur, miqësor dhe shumë i thjeshtë, jo si shumë aktor të tjerë arrogant, të cilit mohonin të kaluarën në mënyrë cinike duke mos kuptuar se bashkë më të kaluarën po mohonin edhe veprat dhe krejt veten e tyre, por me një kulturë sjelljeje e me një fjalor shumë të kujdesshëm ai filloj të më tregoj gjëra që lidheshin me Kosovën! Më vonë, gjatë takimeve të përditshme Minella na mbështeti e na inkurajoj në rininë eurosocialiste që nga themelimi për vepra ndryshimi. I tregova që kisha lexuar një intervistë të tij për gazetën “BASHKIMI” kur ai papritmas më tha se edhe unë kam lexuar shkrime tua në atë gazetë! I befasuar për “memorien” e tij, e pyeta se për ç’arsye filmi aktual është larg filmit të kohës se “diktaturës”? Dhe mësova nga ai që “rënia” e nivelit ishte “artificiale” sepse janë po ata kineastë e regjisorë dhe aktorë që kanë krijuar dhe interpretuar dikur por atëherë shteti nuk lejonte prodhime të dobëta. Regjisorët e aktorët detyroheshin që me javë të përsëritnin një “insert” filmik derisa dilte i arritur!

– Aktori ynë i shquar Minella Borova – 

S’e di pse tani po më kujtohet momenti kur pas Kongresit te rinisë eurosocialiste ai u ofrua kur unë isha duke biseduar me një vajzë korçare! “Haki, me tha ai, në të kaluarën dashuritë i fillonim kështu, në kongrese, aksione vullnetare e vende të tjera, të panjohura për ditët e sotme!” Një moment tjetër ishte takimi me të në rrugë. E pash me dorë të lidhur me fasha! Duke me treguar që ishte përplasur me biçikletë me një këmbësor e pyeta se a ke qenë te mjeku menjëherë! “Për fat, – tha ai, e kam gruan mjeke”, dhe qeshi me një buzëqeshje që nuk munda të mos e kujtoj kur mora vesh lajmin e vdekjes së tij! Kur mora vesh arratisjen e tij në një vend të largët (në vendin ku vdiq Zef Serembe) mu duk sikur diçka i mungonte Tiranës, njeriu aq i njohur që jeta i kishte falur një biçikletë si mjet udhëtimi. Një njeri pra aq i njohur në gjithë vendin për veprat e tij filmike, nëpër rrugët e Tiranës vlerësohej i barabartë me shitësit e qebapëve! Aq i bënte njerëzve a ishte ky një qenie, një qenie njerëzore që personifikonte përmasat e njeriut artist që kishte ndërtuar e mishëruar dhjetëra karaktere nga veprat dramaturgjike skenike e atyre kinematografike dhe njeriut që ndërthurte të kaluarën dhe perspektivat për të ardhmen. Duke qenë natyrë poeti dhe njeri që kisha provuar jetën në vend të largët nuk kisha si te mos mendoja, sidomos në ambientet ku çdo ditë e takoja, e te mos t’i i thosha vetes: çfarë të keqe i bëri atdheu ky artist i madh, pse u soll kjo shoqëri në mënyrë kaq indiferente me jetën e aktorit që i kontribuoj aq shumë artit shqiptar?
Të rrallë janë njerëzit që kur mendoj për ta nuk ndjehem “fajtor” siç ndjehem para këtij artisti! Përballë njerëzve me ndërgjegje s’ka si të mos qëndroj fytyra tij e pafajshme, shpirti i tij i mirë, zemra tij e dëlirtë, dashuria e tij ndaj të bukurës, përkushtimi i tij për njeriun! Mosrespekti aktual për artistët e vërtetë tregon një prapambeturi të cilën nëse duan ta shndërrojmë si të përkohshme na duhet një luftë e vërtetë me vetveten për të mposhtur mjerimin mendor që gërryen dhe e shkatërron bërthamën e një kombi! E si te mos më shkoj mendja tani andej kah normalisht nuk do të duhej: vallë kush iu gjend pranë para se të nxirrte fjalët e fundit, a la pas vetes pronë tjetër përveç veprave të tij të pavdekshme artistike, cili ishte testamenti i këtij njeriu të pazhurmshëm e modest që bëri vepra dhe jetoj i heshtur dhe u degdis pa fjalë larg atdheut, pa u ankuar asnjëherë?!

=========================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
MË 30 QERSHOR 2013 NDAHET NGA JETA AKTORI KORҪAR MINELLA BOROVA

Më 30 qershor 2013 (në moshën 66 vjeçare) vdiq aktori i njohur korçar, Minella Borova. Minella ka ndërruar jetë në Buenos Aires të Argjentinës, ku edhe jetoi për 20 vjet, që prej vitit 1993. Ai numëron dhjetëra filma në karrierën e tij kinematografike, por në morinë e roleve, do të mbahet mend për Besnikun në filmin “Udhëtim në Pranverë”. Ai ka qenë për shumë vite një artist dhe njeri i dashur e i vlerësuar nga komuniteti artistik, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i referohet mendimeve, batutave e thënieve të tij. Homazh për ndarjen nga jeta të aktorit ka bërë edhe faqja e teatrit kombëtar të komedisë në rrjetin “Facebook”, ku adhurues të Borovës kanë publikuar imazhe të tij, mes tyre edhe një fotografi nga më të fundit të aktorit.
Minella Borova lindi në vitin më 22 shkurt 1947 në Korçë. Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Punoi në teatrin “A. Z. Cajupi” të Korçës deri në vitin 1979, më pas si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1989 dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës, deri më 1991. Në vitin 1993 emigroi për gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer sërish në vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”. Megjithatë, ai emigroi sërish në Argjentinë. Roli i tij i parë është ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) të Minush Jeros me regji të Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”. Minella Borova u shqua më fort si aktor i planit satirik, por herë-herë edhe lirik e romantik. Në lojën e tij spikat një humor i çlirët, shije e hollë, një sjellje e shpenguar, njëherazi edhe elegante, ku ndihet synimi për të skicuar tipa e karaktere të ndryshëm. Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, 1970; Martini te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agolli, 1972; Stenli Kor tek “Engjëjt e skëterrës” e George Bellak dhe Pol Kantën, 1972; mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, 1974; hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços, 1978; Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafëzezit, 1984; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahes*, 1986 etj. Në vitin 2007 pas një ndërprerjeje rreth 15-vjeçare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina, me të cilin riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike, duke kaluar sa nga njëri te tjetri. Minella Borova fitoi emër më fort si aktor i filmit, ku ka realizuar një spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme si tek “Udhëtim në pranverë”, “Rrugë të bardha”, “I treti”, “Pylli i lirisë”, “Rrethimi i vogël” dhe veçanërisht me rolin e oficerit fashist në filmin “Në fillim të verës”. Ai ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë për teatrin, sidomos në vitet 1980-1990.
Në vitin 2003, ai u shfaq në festivalin e pestë ndërkombëtar të teatrit “Skampa 2003” në qytetin e Elbasanit. Drama që paraqiti titullohej “Pushtet”, një prej shumë dramave që Minella Borova ka përkthyer nga spanjishtja, tepër e pëlqyer në Argjentinë, ku ai ishte edhe një prej protagonistëve, së bashku me regjisorin e njohur argjentinas Daniel Denoud. Por përtej mesazhit të një drame tepër interesante, të një pjese që ka në thelb jetën në kohën e diktaturës në Argjentinë aktuale dhe për Shqipërinë, qëndron dhe pasioni, puna e stërmundimi i aktorit Borova që ndonëse punon 15 orë çdo ditë në punë të rëndomta për mbijetesë, gjen kohën të merret me art. Në lidhje me jetën e tij në Argjentinë, Minella kishte deklaruar më parë, se kishte shitur nëpër rrugë së bashku me çifutët. “S’kishte punë tjetër për ne emigrantët. Kam përshtypjen se këto idetë e emigracionit në shoqërinë shqiptare janë të zmadhuara, pasi informacioni me kohë ka qenë i zmadhuar për andej. Atje nuk është fushë me lule, përkundër, por dhe informacioni për Shqipërinë vjen i deformuar. Ekziston atje një grup i vogël i shoqërive shqiptare të ikura kryesisht prej dekadash, të themi të organizuar, pasi dhe mbështetja e ambasadës shqiptare atje është e mirë. Edhe pse në festa kombëtare ngrihet flamuri shqiptar, shumë prej tyre flasin me dashuri e thonë ‘jemi shqiptarë’, më vjen keq, më dhemb se pjesa më e madhe e tyre nuk dinë shqip”, është shprehur vite më parë Minella Borova.

(Shikoni filmin “Në fillim të verës” (1975) – ku me aktorët: Sandër Prosi, Astrit Çerma, Demir Hyskja, Agim Shuke, Ndrek Luca etj., luan edhe aktori korçar Minella Borova…)

…………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura