PETRIT KUҪANA: ‘PUSHTETI I DIJES’, I DOBISHËM EDHE PËR KLASËN POLITIKE

Londër, 05. 04. 2014 – (Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, botoi librin më të ri të shqiptarit nga Londra, Mr. Emanuel Bajra me titull: “PUSHTETI I DIJES” – Analiza, pikëpamje dhe ide) – Autori ia ka arritur që në këtë përmbledhje artikujsh, komentesh dhe analizash të formësojë një mendim, duke mos mbetur thjesht në konstatim, por të parashtrojë dhe madje të konkretizojë idetë për zhvillim. Janë shumë prej këtyre ideve që do të ishin të dobishme për klasën politike shqiptare në Ballkan dhe jo vetëm.
“Pushteti i dijes” ngjason me shëmbëlltyrën e një kumti që përpiqet të tejçohet nëpërmjet rreshtave e disa herë në mes të tyre. Është pikërisht ky kumt që shpesh kthehet në mision shumëdimensional, ku pikë-qendra mbetet një (vëzhgues) observues, që mbart shumëçka nga mëmëdheu dhe që gërshetohen mrekullisht me dijen dhe përvojat londineze.
Është një mbartje e natyrshme e ideve dhe përpjekjeve të rinisë së tij të hershme, që nuk u kufizuan thjesht në angazhimet e tij në rrjedhat historike të kohës, (qenia në krye të organizimeve studentore etj., nuk mund të kalohej pa lënë gjurmën e saj dhe që shpeshherë shfaqen qoftë edhe mes rreshtash).

Autori i librit – Mr. Emanuel Bajra.

  Duket se autori kurrsesi nuk mund të mbetej në suazën e emigrantit halleshumë, (që nuk mund të shikojë më larg sa pragu i derës), e aq më tepër të tëhuajsohet, por padyshim është kthyer në modelin, jo vetëm të aktivistit brenda komunitar dhe më gjerë, por edhe të mërgimtarit të suksesshëm në ishullin britanik. Zanafilla e projektit të realizimit vetvetësor nuk ishte Londra kurrsesi. Londra për autorin duket se është thjesht një destinacion dhe me të gjitha gjasat duken se është thjesht i përkohshëm.
Penë-ndryshkja nuk mund të ishte kurrsesi virusi që infekton autorin, siç ndodh rëndom, siç u ka ndodhur goxha shpesh mërgimtarëve të ndrojtur, në dheun e huaj. Përkundrazi “të shkruarit” u kthye në armën më të fuqishme të autorit, përkundrejt angazhimeve të panumërta komunitare që ka bërë autori.
Pasja e një “Pushteti të dijes” është kurajoze dhe bart në vetveten mëdyshjet e seleksionimit të “objekteve” që mund dhe duhet të prezantohen për “vëzhguesit” qofshin këta edhe soditës apo (sidomos) specialistëve që me çdo kusht kërkojnë të gjurmojnë çdo veçantësi.
Në artikujt e përmbledhur në këtë vëllim, mund të vërejmë autorin vëzhgues, ku në shumë vende nuk mungojnë nuancat poetike, karakteristike për stilin e tij publicistik. Është një vëzhgues që duket se “Pushtetin e dijes” e ka vendosur diku afër Meridianit të Grinuiçit, aty ku “ndarja e botëve” kthehet në mision në mos të bashkimit, së paku të gërshetimit të tyre. Duket se pikëpamjet e parashtruara marrin ngjyrat e kësaj “hapësire në mes dy botëve”, ku Prishtina, Tirana dhe Londra janë dy anë që gërshetohen mjeshtërisht nga autori në para-shtimet e tij.
Nga pikëpamja kohore “objektet” e paraqitura në këtë “muze” marrin një dimension më të thekshëm, sidomos pas krizës ekonomike dhe konstatimet shoqërohen bashkë me recetat e ideve për tejkalimin e saj. Mbetet interesante paraqitja e pikëpamjeve të kësaj krize nga një “londinez” që nuk mund të rrijë pa u përfshirë edhe në zhvillimet e brendshme të Britanisë, zgjedhjet, politikat ekonomike, vendimmarrjet e rëndësishme e deri tek përsiatjet artistike. Është një univers i tërë mendimi që nuk mund të ndalet thjesht në një qark të shkurtër, por që kalon meridianë dhe paralele anë e kënd globit, duke mos u kthyer detyrimisht në qëllim në vetvete, por pa “guxuar” të anashkalojë as Gjakovën e tij të dashur.
Ka një përqasje estetike e përzgjedhur në temat që trajton, ku duhet theksuar se mbizotëron sensi realist në çdo parashtrim për ndryshim.
Autori ia ka arritur që në këtë përmbledhje artikujsh, komentesh dhe analizash të formësojë një mendim, duke mos mbetur thjesht në konstatim, por të parashtrojë dhe madje të konkretizojë idetë për zhvillim. Janë shumë prej këtyre ideve që do të ishin të dobishme për klasën politike shqiptare në Ballkan dhe jo vetëm. Por “Pushteti” është për të gjithë dhe natyrisht duhet shijuar çdo objekt i tij.

– Autori është Drejtor i Gazetes “The Albania” në Londër.

Mr.Emanuel BAJRA “PUSHTETI I DIJES” (Analiza, pikëpamje dhe ide)
Shtëpia botuese: JAKOVA
Redaktor: Ilir HAJDARI
Recensent: Petrit KUÇANA
Realizimi teknik dhe dizajni: Shkëlzen REXHA
Shtypshkronja: Erpoprint,
Gjakovë, 2014

===================================’

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura