POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (10)

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (10)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

***

Sheradin Berisha

VAZHDIM I QARKORES

Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ (shkruar nga Xhafer Shatri në emër të redaksisë të Zërit të Kosovës)

Në një letër të mëparshme kur autorit të këtyre rreshtave i propozuan ta “bëjnë” kryetar të L. dhe kur ky propozim u injorua, si duket i humbën të gjitha shpresat se do të mund të luajnë me emrin e Lëvizjes, të cilës, duhet të themi, duke keqpërdorur sinqeritetin tonë, ia imputuan emrin me ndajshtimin LR(S)SHJ, sepse në dokumentet e bashkimit përmendet vetëm LRSHJ, asgjë tjetër. Këtu është shkaku pse edhe sot e tutje në ZK përdoret vetëm në një vend LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në J.).

Në këtë letër informuese është vështirë që për një kohë fare të shkurtër të përfshihen të gjitha ato që na shtyjnë të bashkohemi, pastaj ato marrëdhëniet ngreh e mos këput që për ne kanë qenë torturë, minimi i radhëve nga brenda, intrigat e ndryshme, mossinqeriteti total, dëshira e sëmurë për dominim etj., kanë qenë arsenal i tyre i përditshëm në marrëdhënie me ne. Për hir të unitetit ne jemi treguar së tepërmi tolerantë, apo thënë më mirë oportunistë. Me ta është dashur ta shkëpusim që në fillim. Me njerëzit që nga hija e vet nuk e shohin interesin e luftës e të popullit ne s’na lidh asgjë. Kjo broshurë më tepër është një konglomerat budallallëqesh e sharlatanërie të pashoqe. Autori(ët) i saj nuk e njeh, apo thënë më mirë, s’e njeh fare realitetin e sotëm, apo thënë ndryshe, nuk do ta njohë. Nisur nga kjo që në biseda verbale dhe në mbledhje të ndryshme duhet të plotësohet edhe me shembuj më të freskët e më të imët, tash për tash shtrohet si detyrë që të gjithë anëtarët e LRSHJ ta analizojnë këtë broshurë dhe të shprehin mendimin për të, pa kurrëfarë mërie ose inati personal, ne qëllimisht s’po e bëjmë këtë, sepse na nevojitet mendimi i të gjithë shokëve e pastaj nga ato do të marrim një vendim.

Një gjë është e qartë: ky është një fraksion që mund ta dëmtojë, por kurrë ta ndalë hovin e Lëvizjes, këta janë njerëz që nuk kanë ndikim në masë, ata i frikohen takimit më tej, nuk kanë kurrëfarë aftësie intelektuale për të shkruar diçka të mirë apo aftësi organizative që ta dëmtojnë armikun ashtu siç e kërkon populli sot dhe kushtet ekzistuese. Është dëshmuar se janë mendjemëdhenj të sëmurë, njerëz në të cilët nuk mund të mbështetemi kurrë dhe s’mund të shohim asgjë të mirë. Sikur të ishin shokë, ata kanë mundur të kontribuojnë, sepse udhëheqësi i tyre (Abdullah Prapashtica – shënim i redaksisë) ka punuar në çerdhen e armikut dhe ka mundur të na informojë e mësojë për shumë gjëra, ka ndodhur krejtësisht e kundërta.

Mjerisht puna ka shkuar edhe më larg, ka fakte se po na i denoncojnë njerëzit e tyre shokët tanë më të mirë. Sidomos kjo po na dëmton shumë. Është edhe një e keqe tjetër: ekziston dyshimi i themelshëm se në mesin e njerëzve të tyre ka edhe njerëz që punojnë për armikun, fundja të gjitha veprimet e tyre çojnë ujë atje ku s’duhet. Por megjithatë, ne nuk guxojmë të jemi shpirtngushtë dhe t’i kualifikojmë si armiq e tradhtarë, pavarësisht se puna e tyre është kokë e këmbë e tillë.

Lidhur me këtë nga shokët tanë kërkohet që, gjithsesi, ta studiojnë këtë broshurë dhe sa më parë t’i shprehin mendimet e veta, gjatë leximit ta analizojnë së bëshku çdo rresht dhe të vijnë vetë në përfundime të drejta. Duam po ashtu ta dimë se a mendojnë shokët t’i demaskojmë apo jo, t’i luftojmë haptas dhe ta bindim popullin se kush janë dhe çka duan apo ta lëmë për një kohë se si po zhvillohet situata. Por një gjë duhet ta kemi parasysh: këta njerëz mbjellin hutim e dezorientim te masat dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse kompromentohet emri i Lëvizjes e ata do të vazhdojnë të veprojnë edhe në të ardhmen në emrin e saj, sepse ky është paravani më i mirë përmes të cilit ata i fshehin budallallëqet e veta. Ky është i vetmi shkak që na shtyn të merremi me ta, përndryshe ata janë fare të parëndësishëm. Do të mund të ishin të rrezikshëm vetëm nëse lidhen me ndonjë shërbim të huaj informativ, sidomos me atë bullgar, siç ka propozuar shefi i tyre (A.Prapashtica – shënim i redaksisë) një herë, por e kemi kundërshtuar, mu për këtë duhet të jemi shumë e shumë vigjilentë, t’i sqarojmë masat, sepse ata kanë për qëllim të fusin konfuzion dhe në emër të saj ta verbojnë Lëvizjen. Të aktivizohemi të gjithë në zbulimin e njerëzve që e shpërndajnë këtë manifest të budallallëkut dhe t’i sqarojmë punëtorët, por pa hyrë në detaje të marrëdhënieve tona me ta. Ata duhet t’i luftojmë me punë të përditshme e jo me thashetheme.

(Kryesuesit e PKMLSHJ, janë Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, F. Topalli).

Presim mendim të menjëhershëm

Redaksia e “Zërit të Kosovës”, / Shtator 1983 /

(Burimi: Faridin Tafallari: Dhimbje krenare, (kujtime, dokumentacion, korrespondencë – Shtëpia Botuese LILO, Tiranë 1998, faqe 208 – 212)

QARKORE E BRENDSHME (E LRSHJ-së) LIDHUR ME RASTIN E ISH-PKMLSHJ (PARTIA KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI), NË VITIN 1983

***

Sheradin Berisha

Edhe një dëshmi arkivore!

TITA I MIRË RANKOVIQI I KEQ!

Letra e Mërgimit (Sabri Novosellës) dërguar Skënderit (Xhafer Durmishit) më 12 nëntor 1982

I dashur vëlla, 12 nëntor 1982

Letrën tënde të shkruar në 6 faqe e mora dhe e kuptova në hollësi. Vërejtjet tuaja janë plotësisht të arsyeshme. Konspiracioni po i detyron njerëzit të gënjejnë, por edhe ajo duhet të ketë kufi. Është e vërtetë se (Uka – Xhafer Shatri) i ka disa gjeste nganjëherë jo të përshtatshme, sidomos njerëzit që nuk e njofin mirë munden me e keqkuptuar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk ka njeri pa të meta dhe gabimi më i madh i njeriut është kur e idealizon dikend, pasi njeri ideal nuk ekziston dhe ata që e kanë princip t’i idealizojnë njerëzit, shpesh dëshpërohen kur i shofin të idealizuarit e vet se edhe ata janë njerëz me të mirat e të këqijat e veta. Është e rëndësishme që njeriu të mos jetë i poshtër si Osmani që çdo fjalë e tij është vetëm gënjeshtër e intrigë e sa për të meta të zakonshme na duhet t’ia durojmë njëri-tjetrit. Me këtë letër për ty po e nisi edhe një letër për shokun ku je duke qëndruar dhe duke punuar, besoj se nuk do të ndikoj negativisht.

Po më duket se ai shok duhet të jetë një njeri shumë i mirë dhe kishte me qenë mirë të qëndrojsh aty aq sa të jetë e mundur, bile edhe në qoftë se e merr lejen e qëndrimit. Në dhomën e punës mos lejo të hyj askush që të mos vjen te dekonspirimi i punës tënde, kuptohet në marrëveshje me shokun që të mos vij deri te ndonjë keqkuptim.

Të fala vëllazërore M. (M-Mërgimi=Sabri Novosella)

***

Pasi e shkrova këtë letër më erdhi një letër që i kishte ardhur Hasanit që është këtu, të cilën ia kishte dërguar Hiseni që është atje. Në atë letër, njërën ma kishte shkruar mua si përgjigje në një bisedë telefonike që e patëm para sa kohësh. Në atë bisedë i pata thënë: Bisedoni me N. (Nuhi Sylejmani) dhe bashkë me të tjerët distancohuni prej Halimit (Osman Osmanit) dhe për çdo gjë i drejtoheni L. (LRSHJ) në adresë të ZK.

Ai mu përgjegj: Bisedova me atë shokun (domethënë N.) dhe nuk u pajtua me mendimet tua, por edhe unë u pajtova me mendimet e tij.” Dhe më udhëzon që të informohem edhe nga drejtime tjera e jo vetëm nga një drejtim. Me këtë u vërtetua se Halimi e ka formuar grupin e vet prej njerëzve që i kanë takuar atij grupi, domethënë gënjeshtrat, intrigat e provokimet i kanë pasur sukses, kuptohet duke e keqpërdorur autoritetin tim, pasi unë e kam dërguar në atë mes dhe në bazë të fjalëve të mia ai mes i besoi dhe ai e keqpërdori besimin tim në mënyrë shumë të poshtër. Për këtë aspak mos u brengos. Çdo kujt fytyra i del në shesh. Ti kushtoju me tërë qenien Organit (ZK). Ai është arma më e fuqishme në duart tona në këtë etapë. Ata po e zhvillojnë teorinë “Tita i mirë Rankoviqi i keq” për ne që të dy janë të njëjte. Kjo në këtë situatë mund të ketë edhe diçka pozitive, por më vonë do të bjerë dhe me te do të bien edhe ata që e zhvillojnë sot. Në çastin e duhur ne i demaskojmë dhe distancohemi prej tyre. Tani në ZK nuk ua lejojmë ato marrina.

***

Sheradin Berisha

Reagim ndaj një publikimi të Osman Osmanit

ZËRI I JUSUF GËRVALLËS DHE PARTIA KOMUNISTE (PKMLSHJ), 22 SHKURT 1982 – 11 KORRIK 1982

***

Sheradin Berisha

JUSUF GËRVALLA DHE XHAFER DURMISHI – ANËTARË TË KQ TË LNÇKVSHJ-së

Osman Osmani në reagimin e tij lidhur me shkrimin e Xhafer Durmishit: Zëri i Jusuf Gërvallës dhe PKMLSHJ, 22 shkurt – 11 korrik 1982″ shkruan:

“Redaktimi sado nderhyres qe te jete asnjehere nuk nenkupton autoresine.

Do te ishte me rendesi te sqarohet se:

Kur, ku dhe nga kush eshte zgjedhur Xhafer Durmishi anetare i „KQ“ te LNÇVSHJ-se?!”

Përgjigjia ime:

Osman Osmani,

Xhafer Durmishi për herë të parë me Jusuf Gërvallën është takuar në shtëpinë e tij (në Untergrpenbach) më 17 korrik 1981 dhe aty ka qëndruar deri rreth 10 dhjetorit 1981. Në bazë të komunikimit të Jusufit me Sabri Novosellën – përmes letrave dhe telefonit, Jusuf Gërvalla dhe Xhafer Durmishi me pseudonimin SHPENDI në KQ të LNÇKVSHJ-së pranohen bashkarisht.

Jusuf Gërvalla në letrën dërguar Sabri Novosellës, më 14 janar 1982 shkrua: “Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit – shën im) dhe timen në KQ (më Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ).” (Citim i shkputur nga Letra e JG, dërguar, Sabri Novosellës, më 14 janar 1982. Botuar në librin e Faridin Tafallarit, Terror – Dhimbje – Qëndresë, Tiranë 1997, f.452-454)

***

Ju ftojë të lexoni letrën në tërësi:

Letra e Jusuf Gërvallës dërguar Sabri Novosellës, më 14 janar 1982

***

14 janar 1982

I dashur vëlla Mërgim,

Letrën për KQ të PPSH e vonuam shumë. Unë e shkrova në disa variante, por me asnjërin prej tyre nuk mbeta i kënaqur. Nuk jam mësuar të komunikoj me një nivel të tillë. Më së fundi e lashë variantin që mora prej teje.

Hapi si hap më pëlqeu shumë dhe më duket shumë i dobishëm. Por, nuk di a duhet të jemi të kënaqur si e kemi realizuar.

Në letrat e fundit na kanë arritur disa këshilla nga ana juaj. Ta them të drejtën se mua personalisht me kanë lënë me një ndjenjë të ftohtë. Thelbi i tyre konsiston, sipas përshtypjes sime, në një tërheqje në vete, që u dashka të aplikohet prej nesh. Ose nuk kam qenë në gjendje ta kuptoj qartë. Se cilësia duhet të ketë përparësi ndaj sasisë, kjo dihet dhe për këtë kam pas shkruar edhe vetë, nëse të kujtohet, në atë Qarkoren drejtuar atyre shokëve në D., që ti e ke pas pëlqyer. Por, që atëherë kushtet kanë ndryshuar shumë.

Tash ka dalë sheshit pezmi i madh i popullit, gatishmëria e madhe për flijime të larta, ideja e luftës për liri është materializuar më shumë se kurrë. Sipas njohurive të mia të pakta teorike, më duket se tash, në vend të reduktimeve e të përkufizimeve, duhet ta aplikojmë zgjerimin e furishëm të radhëve, ashtu si thotë Lenini me një rast, madje në atë mënyrë që rekrutët e rinj të zënë vendin e luftëtarëve të rëndomtë, kurse ushtari i vjetër të zërë vendin e oficerit të ulët.

Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit – shën im) dhe timen në KQ. Rinia jonë revolucionare po kërkon radhët e revolucionarëve të organizuar. Ajo do të kapet në ato hallka që do t’i gjejë me leht. Po u mbyllëm ne, ajo do të kapet në radhët e të tjerëve.

Më duket se Lëvizja duhet të mblidhet, t’i trajtojë me seriozitetin më të madh disa çështje vitale që dalin nga momenti aktual e që i kanë rrënjët në kushtet e ndryshuara shumë pas demonstratave të pranverës së shkuar.

Mendoj se Lëvizja duhet të përfshihet prej impulsesh të reja. Se cilat do të jenë këto impulse, unë nuk jam në gjendje ta them. Por, po të përpiqen shokët, do ta gjejnë medoemos.

Unë kërkoj falje për guximin që po marr të flas kështu, sado që, siç e di edhe ti, njohuritë i kam të mangëta si për mënyrën e organizimit të brendshëm, ashtu edhe për gjendjen reale të punëve në veprimtarinë e sotme të organizatës sonë. Mirëpo, disa vërejtje, më parë se t’i mbaj në vete, parapëlqeva t’i them shtruar.

Shtypi revolucionar zë një vend me rëndësi në veprimtarinë e çdo organizate revolucionare. Ne tani mund të themi se kemi shtypin tonë. Por, pa u siguruar mënyra e sigurt e transportit dhe e shpërndarjes së tij, shtypi mbetet gjysmë i vdekur. Kurse ne nuk mund të krenohemi se kemi krijuar kushtet as për transport, e mbase as për përhapjen e tij të suksesshme. Kjo gjë po ushtron ndikim negativ edhe në punën e vetë redaksisë së „Z. K.“. Është një ndjenjë e ligë kur mendon se je duke shkruar diçka që e ka shumë vështirë të bjerë në dorën e lexuesit.

Siç e di, ne kemi pas bërë që këndej njëfarë transporti të shtypit. E kemi futur atë në Atdhe, por atje s’i kemi pasur njerëzit që do ta shpërndanin si duhet. Tani, në drejtimin e transportit, kemi pësuar më në fund edhe një disfatë. Me numrin 1 të „Z. K.“ dërguam për në Atdhe dy punëtorë. Rruga e futjes së materialit ishte po ajo që kishim ndjekur në tri raste të suksesshme të transportit. Por, kësaj radhe puna dështoi dhe ata dy punëtorët ndodhen në duart e UDB-së. Pas kësaj e kemi shumë vështirë të ndjekim të njëjtën rrugë. Tani a të qajmë materialin që nuk ra në duart e lexuesit, apo të qajmë njerëzit që na u dëmtuan. Aktualisht numri i dytë (bashkë me shumë kopje të numrit 1) na kanë mbetur këtu dhe s’po bëjmë ballë dot t’u japim rrugë. Është disfata e parë kësodore që dy vjet e këtej dhe na ka demoralizuar shumë. Sa patëm zënë të kënaqemi e të marrim krah nga materialet që po na arrinin për revistën, tash u desh të na dilte edhe ky problem.

Nga ana tjetër, mënyra se si është vepruar nga ana juaj atje me futjen e materialit brenda, jo vetëm që nuk i plotëson nevojat për shtypin tonë revolucionar në Atdhe, por është e pasigurt dhe e rrezikshme po aq sa mënyra jonë. Si me një kopje të „Z. K.“ si me një mij, njeriu rrezikohet njësoj.

Si t’ia bëjmë këtij halli të madh? Marku s’na erdhi. Edhe po të kish ardhur, më duket (sipas fjalëve të Kolës) se edhe ai tashmë nuk është i pakomprometuar në sytë e UDB-së.

Ne kemi vrarë mendjen se rruga më e sigurtë për futjen e shtypit në Atdhe është shfrytëzimi i ndonjë transportuesi në relacionet evropiane. Juve ndoshta mund t’iu vijë përdoresh të gjeni ndonjë shofer shqiptar nga Turqia që bart mall me kamion të madh në shtetet evropiane, e që kalon nëpër Jugosllavi. Ne do t’ia jepnim që këtej materialin, kurse shokët brenda duhet ta gjejnë mënyrën se si ta marrin prej tij në dorëzim atë material. Në rast të tillë neve do të na zvogëlohej problemi edhe sa i përket shtimit të tirazhit të revistës edhe shpeshtimit të daljes së saj, gjë që ka rëndësi të madhe.

Është keq që këtë punë s’e kemi bërë dert para disfatës sonë të parë, por tash kjo duhet të na bëhet një preokupim shumë serioz. Ndryshe, spontaniteti do të na kushtojë shtrenjtë dhe do të bëjë që të zhagitemi si zvarranikë e jo të veprojmë furishëm si revolucionarë.

Edhe një lajm jo fort të mirë kam për ju. Me insistimin e Shpendit, për të mos thënë me presionin e tij, Shpendi shkoi në Kosovë për një qëndrim të shkurtër, disa kohë para vitit të ri. Së andejmi u paraqit disa herë me telefon, e së fundi disa ditë para vitit të ri, kur tha se do të kthehej menjëherë pas vitit të ri. Mirëpo, sot jemi më 14 janar, e ai as na thirri më, as erdhi. Ne nuk kemi si t’i drejtohemi, sepse ai nuk është në shtëpi, por në ilegalitet. Por, jemi të brengosur shumë se mos i ka ndodhur gjë. Ndonjë lajm a shenjë për të keq nuk kemi, veçse vonesa e tij na brengos. Nëse ka fat dhe kthehet, ai do të na sjellë materiale me vlerë, sepse për atë qëllim edhe pat shkuar.

Tani po kthehem edhe njëherë në fillim të letrës. Mendimi im është se disa çështje parimore, siç është themelimi i partisë si domosdoshmëri apo rrezikshmëri në perspektivë, pastaj mënyra e organizimit të Lëvizjes në kushtet e reja të luftës, duhet të diskutohen e të pleqërohen më dendur me shokët, sidomos me Plakun. Jo vetëm gabimet e mëdha parimore, por edhe të voglat ka mundësi të evitohen shumë më mirë në këtë mënyrë. Ju atje jeni të lumtur që e keni Plakun. Në këtë pikëpamje ne jua kemi lakmi, se këndej punët në relacione të tilla nuk janë aq të thelluara, jo për fajin tonë.

Në fund, duke ju dërguar të fala vëllazërore e revolucionare, kërkoj falje për helmin e derdhur në këtë letër, por na helmuan ca problemet e përmendura dhe është e udhës t’i ndajmë bashkë.

Sokoli

P.S.

Vehbi Ibrahimi, i vrarë në Belgjikë, ishte sekretari personal i Emin Fazliut (Emil Kastriotit). Ky farë Emili, kryetar i së ashtuquajturës „Besëlidhja shqiptare“, është një nga reaksionarët më të mykur shqiptarë në Perëndim. Enver Hadri, për sa jam i informuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orientim prorus. Edhe Martin Camaj, për sa dimë, është kundër Shqipërisë. Për emrat e tjerë, adresat e të cilëve na janë dërguar me nga një pikëpyetje pranë, nuk dimë gjë. Ne s’po u dërgojmë tash për tash asgjë, deri sa të mos vërtetohet puna e tyre. Në qofshin si këta që përmendëm më lart, s’kemi pse ua dërgojmë as helmin, lëre më shtypin tonë. (Fjala është për Hasan Beyn në Amerikë, Hysen Çamin në Suedi, Vincenzo Golletttin në Frankfurt.)

—–

Ja një adresë ku të më shkruash për disa kohë:

Shaban Klaiqi

Postfach 1566

7030 Böblingen

W. Germany

Së shpejti të dërgoj edhe ndonjë tjetër.

(Marrë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f.452-454)

VIJON …

© Pashtriku.org

___________________________

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (11)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura