POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (11)

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (11)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

***

Sheradin Berisha

RËNDËSIA E PUBLIKIMIT TË PROCESVERBALEVE

I nderuar Osman Osmani, ti më pyet:

“Sheradin Berisha i nderuar, nuk e di cili është qëllimi publikimit të këtyre “procesverbaleve”…”

Përgjigjja ime:

Kam publikuar tri procesverbale: dy proceverbale të mbledhjeve të KVG-së për Europën perëndimore, proceverbalin e mbledhjes themeluese të KVG-së së LRSSHJ – së, e mbajtur më 26 shkurt 1982 dhe proceverbalin e mbledhjes së fundit të KVG-së së LRSSHJ-së, e mbajtur më 12 korrik 1982. Ndërkaq proceverbali i tretë ishte, proceverbali i mbledhjes së anëtarëve të LRSHJ-së nga “Rrethi i Shtutgartit”, të njejtit anëtarë që ishin pjesë e KVG për Europën Perëndimore.

Me dy procesverbalet e para dëshmohet aktiviteti i përbashkët (I Xhafer Durmishit, i yti dhe i anëtarëve tjerë) në KVG, dhe rrjedhimisht dëshmohet se Xhafer Durmishi nuk ishte thjesht “shoqërues formal” i yti (Osman Osmanit) pas ardhjes nga Turqia në Gjermani (më 22 shkurt 1982), siç pretendon në shkrimet e tij kryetari i Partisë Komuniste të Kosovës (PKK), Abdullah Prapashtica, ashtu siç nuk ishte XHD as “shoqërues formal” i Sabri Novosellës, gjatë takimeve në Turqi për bashkimin e dy organizatave (LNÇKVSHJ – PKMLSHJ) në LRSHJ, më 16/17 shkurt 1982.

***

Mbledhja e anëtarëve të LRSHJ-së në “Rrethin e Shtugartit” që u mbajt më 26 shtator 1982 ishte thirrë nga anëtari Jahir Jahiri (i afërt me Nuhi Sylejmanin), pikërisht për çështjen e Nuhiut dhe pasojat e fjalëve të tij, që i kishte thënë në mbledhjen e fundit të KVG-së më 11 korrik 1982, ku përfundimisht largohet nga kjo mbledhje, dhe rrjedhimisht nga shokët me të cilët kishte vepruar deri në këtë kohë.

Me këtë rast shkëpus pjesën hyrëse të proceverbalit të mbledhjes së 26 shtatorit 1982:

PROCESVERBALI I RRETHIT TË SHTUTGARTIT, MË 26 SHTATOR 1982

Procesverbal i mbajtur gjatë takimit (të datës 26 shtator 1982) të thirrur nga ana e një grupi punëtorësh më aktivist të rrethit të Shtutgartit. Rendi i ditës: 1. Çështja e Nuhi Sylejmanit dhe pasojat e fjalëve të tij, 2. Situata momentale

Të dymbëdhjetë të pranishmit e aprovuan rendin e ditës. Në këtë tubim para të gjithëve ka qenë i thirrur Nuhiu (Nuhi Sylejmani) dhe Halimi (Osman Osmani). Tubimi u mbajt 5 km larg banesës së Nuhiut në fshatin D., në pjesën më të madhe në një lokal të qetë, në dhomën e veçuar të një kafeneje.

Nuhiu ftohet dy herë që të vjen në tubim. Në radhën e parë për ta marrë shkojnë Abdurrahman Sadiku, Qemal Haxhillari dhe Murat Kryeziu. Në banesën e tij kishte hyrë vetëm Abdurrahmani, i cili ishte i bindur thellësisht se do t’i përgjigjet thirrjes dhe do të vij, por nuk pati sukses. Pas një ore diskutimi më të lirë duke e parë nevojën shkojnë për ta marrë: Murat Kryeziu, Qemal Haxhillari dhe Nami Ramadani. Të tretë hyjnë në banesë dhe ia shpjegojnë çështjen. Lidhur me shpjegimin e Nuhiut për mosardhjen e tij ata që kishin shkuar me e marrë deklaruan:

Nami Ramadani: Nuhiu tha unë nuk vij sepse e kam drejtimin tim, jam i lidhur me tjetër kend, unë i kam principet e mia. Nuk vij pasi nuk qenka Naimi (Haradinaj). Kur i thash se Naimin ta sjell për dy orë Nuhiu u tërhoq dhe tha prapë se nuk vij.

Murat Kryeziu: Nuhiu më tha se unë nuk përzihem më në politikë, ju vazhdone rrugën pa mua.

Hasan Veselaj: (mysafir i Nuhiut në atë moment i cili kohëve të fundit është shoqërua me Nuhiun dhe Halimin, të cilin e kishin marrë këta të tre): Unë i thash Nuhiut disa herë se duhet me ardhë e me u takua pasi të gjithë po e shohin të arsyeshme, por ai nuk pranoi kurrsesi.

Pasi ai në asnjë mënyrë nuk pranoj me ardhë u vendosë që mbledhja të filloj edhe pa te.”

****

I nderuar Osman

Siç vihet në dukje në proceverbal, përkundër shkuarjes së shokëve (dy herë) në shtëpi të Bacit Nuhi për ta lutur që të shkojë në mbledhjen e thirrur për te, ai nuk shkon, duke thënë: “nuk vij sepse e kam drejtimin tim, jam i lidhur me tjetër kend,..”

Dhe kjo që thotë Baci Nuhi është e vërtetë, sepse zhvillimi i ngjarjeve në muajt në vijm të vitit 1982 dhe veçanërisht gjatë viteve 1983 – 1985 … dëshmojnë se ai duke qenë nën ndikimin tuaj (qysh kur vepronit në KVG) ishte lidhur dhe kishte përqafuar konceptin politik të ish – PKMLSHJ. Dhe ky rrugëtim në këtë drejtim, (me rastin e themelimit të OS të BPK më 14 mars 1983), Bacin Nuhi e pozicionon në krye të Komiteti Drejtues (KD) të LRSHJ, organ ky i grupimit politik të Abdullah Prapashticës. (Për mënyrën se si u themelua KD i LRSHJ dhe jo vetëm mund ta bëjë një pasqyrim më të gjerë, duke iu referuar librit të Nysret Hajdarit: Kujtime të ndritura të kohëve të errëta, vëllimi i parë – vitet 1940 – 1989, botuar në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese, Printera,ch, që e drejton Ti)

***

Më 21 qershor 1983, (9 muaj pas mbledhjes së 26 shtatorit 1982), Baci Nuhi me pseudonimin LUANI – nga pozita e Kryetarit të KD të LRSSHJ-së i shkruan letër Skënderit – Xhafer Durmishit, (të cilën e publikove ti qysh në fillim të këtij bashkëbisedimi që u bë temë diskutimi), ku e akuzon atë për mos ardhje në një takim të organizuar (në odën e Shtutgartit) nga punëtorët – anëtarë të LRSHJ për të sqaruar gjërat në KVG. Saktësisht për ato gjëra që ishte ftuar të merrte pjesë në mbledhjen e 26 shtatorit 1982 (nga ish shokët e KVG), por që kishte refuzuar të shkonte për t’i bërë sqarimet e nevojshme.

Në fund të letrës LUANI – Skënderit i shkruan: “Rasti yt do të ndriqohet para KD të LRSSHJ…”.

Para cilit KD të LRSSHJ-së kërkonte Baci Nuhi të ndriçohet rasti i Skenderit? Para KD të LRSSHJ-së (krahut të Abdullah Prapashticës) ku vetë ai ishte kryetar, ndërsa Skenderi (Xhafer Durmishi) nuk ishte as anëtar.

Pse?

Sepse ai ishte anëtar i Qendrës Ekzekutive (QE) të LRSHJ, i themeluar më 15 janar 1983 në Ludwigsburg, që përbëhej nga Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi, Hasan Mala, Faridin Tafallari dhe Ibrahim Kelmendi. /

***

Sheradin Berisha

Letër e Abdullah Prapashtica lexuar në mbledhjen e KVG-së për Europën Perëndimore, më 11 korrik 1982, dërguar shokëve në emër të Halimit (Osman Osmanit). Në mbledhje merrnin pjesë Baci Nuhi Sylejmani, Xhafer Durmishi, Osman Osmani, Faridin Tafallari, Hafiz Gagica, Haxhi Berisha dhe Naim Haradinaj.

***

Nga arkivi i LRSHJ-së (1982)

LIDHJA KOMUNISTE E RSSHJ-së ËSHTË PARTI KOMUNISTE MARKSISTE LENINISTE DHE PRIJËSE IDEORE E KLASËS PUNËTORE DHE POPULLIT SHQIPTAR NË RSFJ, SI PJESË PËRBËRËSE E LKJ-së …

Shkruan: Abdullah Prapashtica, Ankara 14 qershor 1982

„Sa i përket organizimit të organizatave të brendshme të LRSHJ ajo qështje duhet realizuar, sapo të ndërtohet tërësisht LRSHJ dhe këtë nuk mundet ta pengoi askush sepse ai është vendim i pa tjetërsushëm i dokumentit të bashkimit të 17 shkurtit 1982. Kështu që edhe organizata komuniste (Partia Komuniste – shënim i redaksisë) edhe tjerat përcjellse (Organizata Sindikale e Punëtorëve, Organizata e Grave, Organizata e Rinisë, Organizata e Pionierëve… – shënim i redaksisë) do të organizohen. Sa i përket emnit të organizatës komunist, ma merr menja se nuk ka dilemë, sepse plotsisht është i përshtatshëm emni LK (Lidhja Komuniste – shënim i redaksisë) e Republikës Socialiste Shqiptare në RSFJ nga çdo aspekt e posaqërisht është në vi të LRSHJ. Këtu vetëm në definicionin e LK të RSSHJ mund të thuhet ”LK e RSSHJ është Parti Komuniste Marksiste Leniniste dhe roli i sajë është pris ideor i klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, është pjesë përbërse e LKJ (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë – shënim i redasksisë) dhe pjesë integrale e lëvizjes komuniste marksiste leniniste botrore”. Ky definicion vazhdon për dokumentet e LK të RSSHJ e jo të LRSHJ.“ – kështu i shkruan udhëheqësi i Partisë Komuniste të Kosovës (PKK-së), Abdullah Prapashtica në letër dërguar Sekretarit të „Komitetit – Vëllezërit Gërvalla“ për Europën Perëndimore, Osman Osmanit (Halimit).

Në vijim lexoni të plotë letrën e Abdullah Prapashticës:

***

Sheradin Berisha

Nga arkivi i LRSHJ-së, 1982

Letër e Xhafer Durmishit në emër të KVG më 1 tetor 1982

Më 1 tetor 1982, Kryetari Xhafer Durmishi – në emër të Komitetit “Vëllezërit Gërvalla” (KVG), shpreh mendimin lidhur me letërpërgjigjien e krahut të ish-PKMLSHJ-së (Abdullah Prapashtica, Osman Osmani …) ndaj pikëpamjeve të Xhafer Shatrit

***

MENDIMI I KVG NË LIDHJE ME LETËRPËRGJIGJEN E KRAHUT TË ish-PKMLSHJ NË LIDHJE ME PËRGJIGJEN E TYRE NDAJ PIKËPAMJEVE TË SHOKUT LL (LLESHI – XHAFER SHATRI) (Shkruan: Xhafer Durmishi)

***

Sheradin Berisha

NGJARJET HISTORIKE NUK JANË PIKTURA!

Ish udhëheqësi i PKMLSHJ-së * PKK-së, Abdullah Prapashtica në kuadër të kësaj teme që po diskutojmë shkruan:

“Në emër të ndriqimit të kalurës historike nuk mundet të bëhet as minimi as falsifikimi i saj! Riciklimi i shpifjeve, i intrigave e i rreneve dhe gjysem të vertetave të deformuar të asaj kohe të shkuar, nuk ka efekt në rrjedhat histoirike! Tani krahasoni me ato shpifje, intriga, rrenë dhe gjysëm të verteta të deformuara me komentet e Liderve të Grupit Intelelktualve të Kosovës, kometet e Diplomcisë Shqiptare dhe komentet e bashkëluftetarve tanë, me te cilët rrugtojmi me dekada e të cilët na njohin më mire se kushdo tjetër i huaj dhe komentet e popullit mbi vepimtarinë tonë në publikime të ndryshme, mbi punën tonë, me kometet e Durmishave e të Qervishave …. dhe të bregëqepsve me dy klasë fillore… të cilët “i shkruajn nga 40 libra” me duar të tjerëve, për një kohë të shkurtër që janë njohur me neve – kundër neve! Nëse i publikoni edhe faktet historike edhe shpifjet me një vend, atëherë ua humbni vleren edhe të vertetave që i thoni! Besoj se ky nuk është qellimii juaj përfundimtar! Rishikone edhe njëherë qasjen e juaj ndaj kësaj teme!”

***

Përgjigjja ime:

Në portalin Pashtriku kam botuar historinë e PKMLSHJ (1975 – 1981) duke botuar shkrime e studime tuaja autoriale, të Osman Osmanit, Skënderi Ibishit (tashmë i ndjerë), të Prof.Amet Qeriqit etj., pastaj kam botuar edhe libra të O. Osmanit ku përfshihen edhe materiale të ndryshme, aktakuza, aktgjykime në këtë kuadër edhe aktakuzën e Grupit të intelektualëve në krye me Ukshin Hotin dhe Halil Alidemën, etj. Gjithashtu e kam botuar edhe librin e Bacit Nuhi Sylejmani “Vrasja e trefishtë”…

***

Këtu nuk po diskutojmë për këtë periudhë historike të PKMLSHJ-së (1975 – 1981), por për periudhën 1982 – 1985 …, kur PKMLSHJ është bashkuar me LNÇKVSHJ-në dhe OMLK-në në LRSHJ (gjatë rrugës LRSSHJ) duke i përfshirë të gjitha zhvillimet shpeshherë polarizuese (të mos themë gjithëherë kundërthënëse dhe jo vetëm) të cilat kanë bërë që kjo Lëvizje në perëndim fillimisht të rrugëtoj në një binar me KVG (26 shkurt – korrik 1982) pastaj në dy binarë:

1. QE (KQ) e LRSSHJ (nga 15 janari 1983…)

2. KD e LRSSHJ-së (nga 14 marsi 1983, dhe nga mesi i vitit 1984 – 1985 në tri binarë: të 3 krahëve (2 organizatave dhe një partie) të cilat më 17 shkurt dhe 15 maj 1982 u bashkuan në LRSSHJ!

***

Në histori, përgjegjësia e parë e dëshmitarit të një ngjarjeje historike është t’i shmanget gënjeshtrës, e dyta të mos e fshehë të vërtetën, dhe e treta të mos japë asnjë shkas që të dyshohet në të për anësi.

Në këtë kuptim historiani dhe filozofi i Romës antike, Ciceroni (106 – 43 p.e.s) ka tënë: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”.

Njeriu mund ta përdor imagjinatën e tij në art, në pikturë, në skulpturë, në arkitekturë, në kompozime muzikore, pastaj në letërsi, në roman, në prozë, në përralla popullore, në anekdota, në poezi etj., por nuk mund ta përdor në histori, në trajtimin e ngjarjeve historike! Pse? Sepse kujesa dhe imagjinata në shkencën e historisë, të gënjen, të çon drejt gabimeve të mëdha dhe në këtë mënyrë manipulohen faktet e vërteta arkivore!

***

“Historia përbëhet nga ngjarjet dhe datat. Ajo nuk është një pikturë e vjetër a një ikonë që mund t’i shtosh disa penelata zbukurimi apo ta restaurosh. Jo! Historia ka lidhje me kohën dhe me veprat. Koha nuk mund të kthehet pas dhe veprat nuk mund të ribëhen me zbukurime”. (‘Helga’s Secrets’, “Lufta shqiptaro – turke (1370 – 1530), Tiranë 2016.)

Në shkencën e historisë ngjarjet e zhvilluara nuk janë piktura të vjetra të cilat mund të zbukurohen apo të restaurohen. Ato ngjarje hulumtohen e faktohen nga burime të ndryshme arkivore dhe pastaj trajtohen ashtu si kanë ndodhur, e jo ashtu si dëshirojmë ne të kishin ndodhur!

***

Prandaj i nderuar Abdullah,

Mundësisht përqëndroju në këtë periudhë kohore (1982 – 1985) duke sjellur të dhëna konkrete në këtë histori!

Shumë faleminderit.

***

Sheradin Berisha

DISKUTIMET PËR LETRËN E LUANIT (NUHI SYLEJMANIT), DATË 21 QERSHOR 1983 – DËRGUAR SKËNDERIT (XHAFER DURMISHIT)

Në këtë temë diskutimin e vazhduam duke pas për referencë letrën e Nuhi Sylejmanit – Luanit (të publikuar nga Osman Osmani – Halimi), të cilën e kishte shkruar më 21 qershor 1983 për Skënderin (Xhafer Durmishin).

Qysh në fillim nga nga kjo letër i nxora për diskutim katër çështje, të cilat sqarojnë problemet që ishin ngritur aty.

Deri më tani dy çështjet e para i kam diskutuar, ndërsa kanë mbetur për diskutim çështja e tretë dhe e katërt, ndonëse disa parametra të dy çështjeve të fundit i kam prekur sipërfaqësisht gjatë diskutimit për dy çështjet e para.

Me këtë rast fillimisht ua rikujtojë dy çështjet e para të cilat deri më tani janë diskutuar.

ÇËSHTJA E PARË

Në pjesën e parë të fjalisë fillestare (të letrës së Luanit drejtuar Skënderit) thuhet: “Për shkak të mos ardhjes në takimin i cili u organizua me iniciativën e puntorve – antarve të LRSSHJ ….”, dhe në fjalinë pasuese:

“Mosardhja e jote në takim asht ikje nga përgjegjsija…” tregon se kjo letër është shkruar pas mbajtjes së këtij takimi.

Në këtë drejtim rrjedhimisht: 1. a e ka njoftuar baci Nuhi paraprakisht Skenderin (Xhafer Durmishin) për takimin që do të mbahej, dhe 2. kjo letër e shkruar pas mbajtjes së këtij takimi (meqë Skënderi nuk ka qenë në takim) a i është dërguar atij (a i ka ra në dorë) për t’u njoftuar lidhur me takimin dhe qëllimin e takimit?

……

Në këtë çështje, deri më tash nuk kam marrë asnjë përgjigje nga Luani (Nuhi Sylejmani) dhe Halimi (Osman Osmani), sepse kanë vendosur të heshtin. Ndërsa përgjigjen në këtë çështje e kam marrë nga vetë Skënderi, të cilën e kam shpërfaqur qysh në fillim të këtij diskutimi.

***

ÇËSHTJA E DYTË

Qysh në fillim të letrës së Luanit kuptohet se është mbajtur një takim i organizuar nga punëtorët – anëtarë të LRSHJ-së për t’i sqaruar përqarjet në KVG, të cilat i ka shkaktuar Skenderi bashkë me dy – tre veta (sipas Luanit) dhe për pasojë Luani (Nuhi Sylejmani) është larguar nga KVG.

Pyetja ime: Baci Nuhi kur është larguar saktësisht (data, muaji, viti) nga KVG (Komiteti Vëllezërit Gërvalla), dhe a ishte funksionale KVG, në qershor 1983, në kohën ku është mbajtur ky takim i LRSHJ-së?

….

Edhe në këtë çështje Nuhi Sylejmani (Luani) nuk është përgjigjur (ka heshtur), ndërsa diskutimin e kam zhvilluar me Osman Osmanin (Halimin). Gjatë diskutimit me Halimin si dëshmi arkivore kam sjellur procesverbalet e KVG-së (Komiteti – Vëllezërit Gërvalla) për Europën perëndimore (i themeluar më 26. 02. 1982), në të cilat është prezentuar aktiviteti i LRSHJ-së deri në korrik 1982.

KVG-ja ishte struktura e parë organizative në Europën perëndimore, pas marrëveshjes së bashkimit: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ, më 17 shkurt 1982, në Ankara të Turqisë.

***

Sheradin Berisha

ODA E LRSHJ-së NË SHTUTGART (1)

Tani të kalojmë në çështjen e tretë dhe pastaj në atë të katërtën:

ÇËSHTJA E TRETË

Në vijim të letrës (datë 21. 06.1983) të cilën e publikoj Halimi (Osman Osmani), Luani (Nuhi Sylejmani), Skënderit (Xhafer Durmishit) i shkruan: “Unë erdha pikrisht në odë për të nxjerrur në shesh të vërtetën para klasës puntore…”

Pyetja ime ishte: Ky takim si duket është mbajtur në një odë, a ju kujtohet në odën e kujt prej shokëve të LRSSHJ-së është mbajtur ky takim?

…..

Edhe në këtë pyetje rreth kësaj çështjeje, Luani (Nuhi Sylejmani) ka heshtur, nuk është përgjigjur fare!

***

Fillimisht kur e kam lexuar në letrën e Luanit fjalën ODË kam menduar se është fjala për takimin e mbajtur në një odë të shokëve të LRSHJ-së, dhe prandaj kam bërë pyetjen: “a ju kujtohet në odën e kujt prej shokëve të LRSSHJ-së është mbajtur ky takim?”.

Por ndërkohë më është kujtuar se në një nga librat e Faridin Tafallarit e kam lexuar se anëtarët e LRSHJ-së për rrethin e Shtutgartit në fund të vitit 1982 e kishin marrë një Odë me qira për takimet dhe aktivitetet e tyre.

Ndërkohë më gjerësisht për Odën e LRSHJ-së në Shtutgart kam mësuar kur e lexova librin e autorit Nexhat Çoçaj: Petriti i shkrepave – Remzi Ademaj, Hero i Kombit (Monografi I, Durrës 2011).

Kjo ODË e marrë me qira është paguar nga anëtarët e LRSHJ-së që vepronin në rrethin e Shtutgartit. Ishin të njejtit anëtarë që kishin vepruar në KVG, (deri në mbledhjen e fundit të korrikut 1982), kur përfundimisht Nuhi Sylejmani dhe Osman Osmani ishin larguar, dhe nuk kanë zhvilluar më aktivitete në kuadër të LRSHJ-së, me këta anëtarë të rrethit të Shtugartit.

VIJON…

***

Sheradin Berisha

ODA E LRSHJ-së NË SHTUTGART (2)

Osman Osmani – Nuhi Sylejmani – Fitim Fitimi

Në Kapitullin: Oda e Shtugartit, faqe 128 – 132, të librit: “Petriti i shkrepave – Remzi Ademaj, Hero i Kombit”, autori Nexhat Çoçaj shkruan për historikun e Odës së Shtugartit.

Në fillim të nëntorit 1982 veprimtarët e LRSHJ-së nga radhët e “Komitetit Vëllezërit Gërvalla” (KVG): Remzi Ademaj, Faridin Tafallari, Nami Ramadani, Haxhi Berisha, Ismet Klaiçi, Naim Haradinaj, Xhafer Durmishi, Avdyrrahman Sadiku, Qemal Haxhillari, Murat Kryeziu, Mejdi Rexha, Mejdi Bytyçi, Hafiz Gagica, Shaban Bobaj, etj., vendosën të marrin me qira një zyrë për takimet e tyre, dhe në shenjë respekti për shtëpinë e Jusuf Gërvallës ku i mbante ai shpeshherë takimet me bashkëpunëtorët e tij, e quajtën ODË E SHTUTGARTIT. Dhe në këtë odë u mbajt gjallë fryma e odës së vëllezërve Gërvalla. Kjo Odë ishte në Merklingen – Weil der Stadit (afër Shtugartit) dhe ka funksionuar deri në fund të vitit 1983.

Sipas dëshmive (procesverbaleve) në këtë odë u zhvilluan shumë aktivitete të LRSHJ-së. Aty u lexua organi i Lëvizjes, “Zëri i Kosovës”, dhe njëkohësisht shpërndahej tek mërgimtarët në rrethinën e Shtutgartit e më gjerë. Rrjedhimisht çdo fundjavë aty shfaqeshin filma dokumentar me karakter kombëtar etj. Gjithashtu në këtë ODË janë marrë vendime për organizimin e festës Kombëtare të 28 Nëntorit (më 27 nëntor 1982), janë caktuar detyra për takimet me mërgimtarët në Gjermani si dhe me bashkëveprimtarët e LRSHJ-së në Zvicër, Xhafer Shatrin, Hasan Malajn, Saime Isufin, Kadri Abdullahun etj.

Në mesin e janarit 1983 Oda e LRSHJ-së në Shtutgart ka organizuar shënimin e një vjetorit të vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.

Në këtë përvjetor të vrasjes për herë të parë kishin ardhur veprimtarët e LRSHJ-së nga Zvicra, në krye me Xhafer Shatrin. Pas një tubimi që u mbajt afër Eslingenit (në Shtutgart), më 15 janar 1982 në banesën e Hafiz Gagicës në Ludwigsburg, u mbajt mbledhje e zgjeruar e LRSHJ dhe me këtë rast, u zgjodh Kryesia me këtë përbërje: Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi, Hasan Mala, Faridin Tafallari dhe Ibrahim Kelmendi. Këtë organ e quajtën Qendër Ekzekutive (QE) e LRSHJ-së për Europë.

Tashmë Qendra Ekzekutive (QE) e LRSHJ-së ishte organi kryesor drejtues i Lëvizjes për të gjitha shtetet perëndimore.

Meqë Xhafer Shatri u zgjodh kryetar i QE-së dhe përgjegjës për përgatitjen dhe nxjerrjen e Zërit të Kosovës (organin e LRSHJ-së), në shkurt të atij vitit makina e shkrimit të Jusuf Gërvallës, (të cilën e kishte përdorë Xhafer Durmishi për nxjerrjen e disa numrave të ZiK-ut) nga Gjermania u bartë në Gjenevë të Zvicrës ku vepronte Xhafer Shatri.

Njëkohësisht me veprimtarinë që zhvillonte QE e LRSHJ-së në Gjermani, Zvicër dhe në disa shtete tjera të Europës, ODA e Shtugartit vazhdonte aktivitetin e saj të LRSHJ-së në mesin e mërgimtarëve.

Në gusht të vitit 1983 me iniciativën e ODËS u themelua Klubi i Punëtorëve “Isa Boletini” në qytetin Sindelfingen afër Shtutgartit.

Më 11 nëntor 1983 anëtarët e LRSHJ-së nga kjo odë planifikuan dhe organizuan një protestë në një sallë të Shtugartit ku përmes Klubit “Hasan Prishtina” Konsullata jugosllave organizoi një Koncert “Kosovarja Këndon” me këngëtarë që kishin ardhur nga Kosova. Në sallë u brohoritë kërkesa “Kosova Republikë” si dhe u shkaktua një konflikt fizik me autoritetet e konsullatës jugosllave. Me këtë rast arrestohen 17 veprimtarë të LRSHJ-së dhe mbahen disa javë në burg. U burgosën: Remzi Ademaj, Shaban Bobaj, Mejdi Bytyqi, Hafiz Gagica, Hismet Kaliqi, Gani Kryeziu, Murat Kryeziu dhe Hasim Mjaku etj. Me ndihmën e avokatëve të angazhuar nga veprimtarët e LRSHJ-së deri në dhjetor të gjithë dalin nga burgu.

Më 2 dhjetor 1983 veprimtarët e LRSHJ-së nga ODA e Shtutgartit përgatitën dhe mbajtën një tubim festiv për 28 nëntorin, ditën e Pavarsisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnik.

Dëshmi ilustruese: Kopertina me pesë faqet e kapitullit “Oda e Shtugartit, faqe 128 – 132, të librit: “Petriti i shkrepave – Remzi Ademaj, Hero i Kombit”, me autor Nexhat Çoçaj.

————–

NDËRPRERJA E DISKUTIMIT!

Për shkak të heshtjes së Osman Osmanit, Nuhi Sylejmanit, Nusret Hajdarit – Fitim Fitimit, (Abdullah Prapashtica gjatë debatit më kishte bllokuar), këtu e ndërpres zhvillimin e këtij debati (diskutimi), sepse nuk ka kuptim ecuria e shtjellimit të fakteve pa pjesëmarrjen e tyre në diskutim!

FUND /

Sheradin Berisha © Pashtriku.org – Prill 2024

_______________

Kthehu në fillim – në faqen e parë:

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (1)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura