‘POLITIKA E MODERUAR’ DHE ‘EKSTREMISTËT SHQIPTAR” NË KËNDVËSHTRIMIN E GAZETARIT ENVER MALOKU!

Në 24 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut

‘POLITIKA E MODERUAR’ DHE ‘EKSTREMISTËT SHQIPTAR” NË KËNDVËSHTRIMIN E GAZETARIT ENVER MALOKU!

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 11. 01. 2023

“Diplomacia perëndimore, në përshkrimet e vlerësimet e veta për Kosovën, po e fut në fjalor edhe sintagmën “ekstremistët shqiptarë”. A ka fare ekstremistë shqiptarë në Kosovë dhe kush janë ata? Përse kjo sintagmë po futet në përdorim mu në kohën kur Kosova është vendi me më së shumti viktima në botë? Cilat mund të jenë pasojat e praktikës së inkriminimit? Në deklaratën e disa diplomatëve perëndimorë shihet se me sintagmën “ekstremistët shqiptarë” ata nënkuptojnë shqiptarët që punojnë e që luftojnë për lirinë e pavarësinë e vendit të vet, ata që mbrojnë shtëpitë e familjet e veta dhe që përpiqen që, me mjetet që i kanë, të realizojnë vullnetin e popullit për liri e pavarësi. Kështu, perëndimi anatemon vepruesit, ndërsa nuk i qorton as nuk i anatemon ata që flasin e shkruajnë për pavarësi… Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e perëndimit…” – kështu ka shkruar gazetari Enver Maloku, në tetor të vitit 1998, në artikullin: “KUSH JANË ‘EKSTREMISTËT SHQIPTARË’ NË KOSOVË?”

KUSH ËSHTË ENVER MALOKU

Enver Maloku u lind më 1954, në fshatin Bradash të Komunës së Besianës (ish’Podujevë). Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë. Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.

Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi QIK’un, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike. Puna e z.Maloku, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh.

Kështu, në korrik të vitit 1998 Maloku i shpëtoi një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë përpara banesës së tij në Prishtinë. Por, në pasditen e 11 janarit 1999, plumbat e atentatorëve, pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës. Enver Maloku u varros më 12 janar 1999 në vendlindjen e tij në Bradash.

Në komentet e kohës kur u vra, u tha se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Për të nderuar veprimtarinë e tij më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, i është ngritur monumenti, ndërsa ish-rruga “Aktashi I” e ka marrë emrin e tij.

PËRSE U VRA ENVER MALOKU?!

Publicisti i shquar Salih Kabashi, në shtator 2003, gjatë një polemike që po zhvillonin Jahir Demaj dhe Lulzim Berisha, lidhur me vrasjen e Enver Malokut ka thënë (citoi): “Enver Maloku u vra sepse QIK-u të cilin ai e drejtonte zu të njohë dhe të lartësojë lëvizjen e armatosur të shqiptarëve kundër pushtueses Serbi.”

Lexoni më gjerësisht, Salih Kabashi: “Xhemal Mustafa dhe Enver Maloku ishin në radhë të parë e para së gjithash intelektualë të Kosovës”

http://www.trepca.net/…/030918-sk-opin-xh.mustafa.dhe.e…

***

Ndërkaq, duke u bazuar në publikimet e Enver Malokut, veçanërisht në artikullin e tij: KUSH JANË ‘EKSTREMISTËT SHQIPTARË’ NË KOSOVË?, botuar në tetor të vitit 1998, me këtë rast përgjigjes së z. Sali Kabashi do t’ia shtoja edhe këtë gjykim timin: “Enver Maloku u vra sepse me shkrimet e tij autoriale doli në mbrojtje të “ekstremistëve shqiptarë” (një sintagmë kjo e shpikur nga regjimi serbë kundër luftëtarëve të UÇK’së e që përdorej shumë shpesh edhe nga diplomatë perëndimorë) dhe filloi të kritikonte bindshëm “politikën e moderuar – propagandistike” të liderit të LDK’së, Ibrahim Rugova, e cila ashiqare i shkonte përshtati regjimit poshtues e kriminal të Millosheviqit, atë “propagandën politike për pavarësi” që zhvillohej në Prishtinë, dhe e cila për tetë vjet rresht ishte manipuluese dhe si e tillë ia kishte topitur mendjen shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia; i thumbonte (si Nonda Bulka dikur) ata që nuk ishin në “shënjestër të represionit të ashpër serb”, pikërisht ata që tashmë ishin treguar “të gatshëm të kontestojnë rezultatin e referendumit dhe që janë treguar të gatshëm të pranojnë edhe zgjidhje të çështjes së Kosovës nën deklarimin e popullit me referendum” (është fjala për referendumin e shtatorit 1991), edhe sipas preferencave të qarqeve diplomatike perëndimore, të cilat duke qenë për “anatemimin e veprimit konkret” dhe kundër “luftës për liri”, ishin rreshtuar kundër pavarësisë së Kosovës.” (Fjalët në thonjëza janë të Enver Malokut, të përdorur në artikullin e lartpërmendur).

* * *

Në 11 vjetorin e vrasjes së gazetarit Enver Maloku, portali www.pashtriku.org – publikon artikullin e tij: “Kush janë “ekstremistët shqiptarë” në Kosovë“, të botuar më 28 tetor 1998, në të përditshmen “Bota sot”.

Nga arkivi

Me rastin e 11 vjetorit të vrasjes së gazetarit Enver Maloku

NË PËRKUJTIM TË GAZETARIT ENVER MALOKU

https://pashtriku.beepworld.de/enver_maloku.htm

***

Në vijim ju ftojë të lexoni të plotë shkrimin:

– DILEMA –

KUSH JANË „EKSTREMISTËT SHQIPTARË“ NË KOSOVË?

Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e perëndimit

Shkruan: Enver MALOKU

Diplomacia perëndimore, në përshkrimet e vlerësimet e veta për Kosovën, po e fut në fjalor edhe sintagmën “ekstremistët shqiptarë”.

– A ka fare ekstremistë shqiptarë në Kosovë dhe kush janë ata?

– Përse kjo sintagmë po futet në përdorim mu në kohën kur Kosova është vendi me më së shumti viktima në botë?

– Cilat mund të jenë pasojat e praktikës së inkriminimit?

Në deklaratën e disa diplomatëve perëndimorë shihet se me sintagmën “ekstremistët shqiptarë” ata nënkuptojnë shqiptarët që punojnë e që luftojnë për lirinë e pavarësinë e vendit të vet, ata që mbrojnë shtëpitë e familjet e veta dhe që përpiqen që, me mjetet që i kanë, të realizojnë vullnetin e popullit për liri e pavarësi.

Kështu, perëndimi anatemon vepruesit, ndërsa nuk i qorton as nuk i anatemon ata që flasin e shkruajnë për pavarësi. Ç’është e vërteta, më parë se Perëndimi, qëndrimin e tillë e ka krijuar vetë Beogradi, i cili tash sa vite nuk i denon masovikisht shqiptarët për delikt verbal, pra për shprehje mendimesh e pikëpamjesh, por i dënon dhe i ekzekuton shqiptarët që veprojnë ose që kërkojnë veprim. “Ekstremistë shqiptarë” nuk do të kishte po të mos kishte politikanë që vetëm flasin, por nuk punojnë e nuk veprojnë.

Një pjesë e zhurmshme e politikës kosovare është propagandë për liri e pavarësi të Kosovës. Ka kaq shumë propagandë sa opinioni është ngopur me të, mirëpo, së paku deri më tash, me propagandën politike për pavarësi jetojnë relativisht mirë grupacionet e individët. Duke folur e duke shkruar, kjo politikë qëndronte lartë te opinioni i manipuluar kosovar, i cili tash po zgjohet me të shpejtë nga tragjedia e vet.

Në anën tjetër, kjo politikë nuk është në shënjestër të represionit të ashpër serb, për shkak se Beogradit i ka konvenuar në njëfarë mase politika propagandistike, si zëvendësim i politikës vepruese. Politika propagandistike kosovare nga Perëndimi vlerësohet gjithnjë e më shumë si politikë e moderuar.

Ç’është e vërteta, më parë Perëndimi e ka vlerësuar atë si politikë të moderuar dhe ka investuar në të e në politikanët që janë ofruar vetë, që janë treguar të gatshëm të kontestojnë rezultatin e referendumit dhe që janë treguar të gatshëm të pranojnë edhe zgjidhje të çështjes së Kosovës nën deklarimin e popullit me referendum.

Ku ka “shqiptarë të moderuar”, ka edhe “shqiptarë ekstremistë”. Kjo është një logjikë e thjeshtë! Mirëpo, duke inkriminuar vepruesit (nuk po përdorim këtu fjalën veprimtar, e cila e ka humbur kuptimin nga keqpërdorimet) për projektin e pavarësisë, Perëndimi, praktikisht, po e inkriminon edhe vetë projektin për të cilin, me propagandë, angazhohen edhe politikanët e “moderuar” shqiptarë!

Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e Perëndimit! Jo rastësisht, pas deklaratave se nuk mbështesin pavarësinë e Kosovës, disa diplomatë të Perëndimit i kanë shpeshtuar kohëve të fundit edhe deklaratat kundër pavarësisë së Kosovës!

***

RRËFIMI I ENVER MALOKUT PËR KRIMIN E KRYER NË PREKAZ NGA FORCAT USHTARAKE – POLICORE SERBE

Vrasjet masive më 5 – 7 mars 1998 në familjen Jashari në Prekaz i dhanë botës pamjen rrënqethëse të gjenocidit serbë mbi popullin shqiptar në fund të mileniumit të dytë.

Në 24 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut sjellë rrëfimin e tij ekskluziv lidhur më këtë ngjarje gjenocidale. Rrëfimi i Malokut u botua në “Informatorin ditor nr.1993 D, të QIK-ut, më 10 mars 1998, me titull: “Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë”.

___

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 D

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 18:00)

PAMJE TË LLAHTARSHME TË MASAKRËS NË PREKAZ

Në hyrje të Skënderajt, në një servis të materialit ndërtimor “Servisi i Lahut” gjenden trupat e masakruar të 53 shqiptarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët dhe Skënderaj përgjithësisht.

Pamja e kufomave të paluara ngjitas njëra-tjetrës, në dy radhë tmerrësisht të gjatë, është e llahtarshme. Afër njëri tjetrit janë trupat e anëtarëve të familjeve të tëra. Nga një familje janë masakruar ose vrarë edhe 19 anëtarë, nga një tjetër pesë.

Pamja e trupave të vrarë është dëshmi për aksionin terroristik me qëllim të masakrimit të popullsisë. Dy trupa janë të goditur nga granatat, njëri në gjoks, tjetri në fyt. Trupi i Shaban Jasharit është masakruar me thikë. Në trup ka një xhep të hapur me thikë, njëra dorë i është këputur, ndërsa sytë i janë nxjerrë. Një të riu i është çarë koka përgjysmë.

Shihet se njerëzit janë vrarë me armë të rënda. Disave u është marrë shpirti dalëngadala me torturë. Adem Jashari, kundër të cilit thotë policia se e ka organizuar aksionin, ka vetëm një vrimë plumbi në fyt.

Të llahtarshme duken pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë.

Zenë Jasharit, një 48 vjeçari, i janë vrarë Blerimi 5-vjeçar, Bujari 12-vjeçar, Abdullahu 15-vjeçar dhe gruaja Bahtie 43-vjeçare, e cila ishte shtatzënë. Gruaja me tre fënmijët e tij kishin shkuar për t’u strehuar te axha Haliti. Mirëpo, pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej. Nga bombardimet ishin vrarë në vend gruaja dhe djali Avdullahu. Ndërsa, dy fëmijët e vegjël policia i kishte marrë me vete dhe i kishte dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit.

– Mendoja se janë gjallë, por u tmerrova kur i pash trupat e tyre të vrarë që i solli policia! – thotë ai.

Trupat e dy fëmijëve kanë plot shenja të goditjeve me mjete të forta. Blerimi ka shenja në anën e djathtë të kokës, ndërsa Bujari është qëlluar edhe me një plumb në tamth në anën e majtë.

– Qe dy ditë e dy net qëndroj këtu. Nuk mund të ndahem nga trupat e vrarë të fëmijëve të mi!- thotë Zena.

Tronditës ishte momenti i identifikimit të të vrarëve gjatë ditës së sotme. Shumë anëtarë të familjeve, për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, nuk e kanë bërë ende identifikimin e të vrarëve.

Abaz Jashari, 22-vjeçar, nuk mund ta përballonte sot tmerrin kur i pa trupat e babait e gjyshes së vrarë për të cilët shpresonte se ishin gjallë. Dhembja e tij ishte edhe më e madhe nga frika se mund t’i jetë vrarë edhe i vëllai i tij në moshë të re, trupin e të cilit e kërkonte.

Në këtë morg të improvizuar, aktivistët e LDK-së dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut përpiqeshin të kryenin identifikimin e të vrarëve. Deri më tash ata kanë arritur të identifikojnë 37 të vrarë. Katër kufoma vështirë se do të mund të identifikohen, pasi janë të karbonizuara. Identifikimi bëhet vështirë edhe për shkak se banorët e Prekazit të Ulët mbahen ende në një rrethim të fortë.

Të gjithë janë të sigurtë se numri i shqiptarëve të vrarë është më i madh se ky që njihet deri më tash. Askush deri më tash nuk e ka kontrolluar terenin e Prekazit të Ulët as shtëpitë që janë sulmuar.

Për të humbur gjurmët e krimit, policia ka bërë presion gjatë gjithë ditës ndaj aktivistëve të LDK-së dhe anëtarëve të familjeve me qëllim që të kryhet brenda ditës varrimi i të vrarëve. Përgjegjësit e policisë serbe në Skënderaj janë kërcënuar disa herë gjatë ditës se do t’i varrosin vetë të vrarët, nëse këtë nuk e bëjnë familjet e tyre.

Varrimi do të jetë i vështirë edhe për shkak të numrit të pakët të njerëzve që do të përgatisnin ceremoninë e varrimit. Nga disa familje nuk ka mbetur askush në Prekaz ose në Skënderaj, pasi, ose janë vrarë, ose janë larguar në vende të tjera.

Në Skënderaj gjatë ditës së sotme kanë qëndruar përfaqësues të disa organizatave humanitare ndërkombëtare dhe ekipe televizive të disa qendrave të njohura në botë. Mirëpo, policia serbe nuk ia lejoi hyrjen në Skënderaj as sot një delegacioni të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Hënës së Kuqe.

Skënderajn sot e vizitoi një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përbërje Anton Noka, nënkryetar, mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm, dr. Rexhep Gjergji, Basri Musmurati, Abdyl Ramaj, Ramë Buja, anëtarë të Kryesisë, dr. Edi Shukriu, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Naim Jerliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe Enver Maloku, përgjegjës i Qendrës për Informim të Kosovës.

Delegacioni nuk mundi të bisedonte me udhëheqjen e Degës së LDK-së, pasi shumica prej tyre janë të bllokuar në Llaushë, ose në fshatrat tjera.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Skënderaj që mundën të bisedonin me këtë delegacion thanë se gjendja në Skënderaj është dramatike në të gjitha planet. Në planin e sigurisë fizike, janë të kërcënuar të gjithë banorët e Drenicës. Forcat serbe në gjendje të gatishmërisë më të lartë kërcënojnë praktikisht secilin. Në kodrat për rreth Skënderajt shiheshin snajperistët serbë, të cilët mbajnë në rrethim të plotë qe disa ditë fshatrat dhe vetë qytezën e Skënderajt.

Gjendja dramatike është edhe në shëndetësi dhe në ushqime. Nga frika ose mungesa e mallrave, në Skënderaj pothuaj nuk rri hapur asnjë shitore. Si në qytet, ashtu edhe në fshatrat e Drenicës përskaj udhës Komoran – Gllogoc – Skënderaj sundojnë pamje të tmerrit që vazhdon. Këto pamje japin pamjen e një jete të shkretëruar. Gjatë shkuarjes dhe kthimit në rrugën që përshkon disa fshatra të Drenicës nuk shihet njeri të lëvizë as tym në oxhaqet e shtëpive. Në Komaran, për një orë, nuk u pa qoftë një njeri në rrugë, ose në shtëpitë për rreth.

***

Në 16 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut

“Politika e moderuar” dhe “ekstremistët shqiptar” në këndvështrimin e gazetarit Enver Maloku!

Shkruan: Sheradin Berisha / 10/01/2015

www.prizrenpress.com/politika-moderuar-dhe-ekstremistet-shqiptar-ne-kendveshtrimin-gazetarit-enver-maloku/  

____________

Ilustrimet:

– Faksimili i artikullit të Enver Malokut: KUSH JANË ‘EKSTREMISTËT SHQIPTARË’ NË KOSOVË?,

– Prishtinë, 10 mars 1998: konferenca me gazetarë nga shefi i QIK-ut Enver Maloku së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Prezentohet për herë të parë përmes fotografive (të shkrepura nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi) maskara gjenocidale e kryer nga forcat ushtarake – policore serbe në familjen Jashari në Prekaz të Drenicës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura