POLITIKA LINDORE (OSTPOLITIK)

POLITIKA LINDORE (OSTPOLITIK)
Nga Xhelal Zejneli, Shkup 25. 06. 2022
Testi i politikës është, si përfundon ajo dhe jo si fillon – Henry Kissinger
Ostpoltik (gjerm. Ostpolitik – politika lindore) është shprehje për “ndryshim nëpërmjet qasjes së përsëritshme” – siç i quajti diplomati gjerman Egon Bar – përpjekjet e kancelarit të Gjermanisë Perëndimore, Vili Brantit* (Villy Brandt, 1913-1992) për t’i normalizuar marrëdhëniet e vendit të vet me vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë edhe Republikën Demokratike Gjermane, përkatësisht Gjermaninë Lindore.
Shprehje e vërtetë është në të vërtetë Politika lindore e re (gjerm. Neue Ostpolitik), për t’u bërë dallimi nga politika ndaj Evropës Lindore që e kanë ndjekur qeveritë e Unionit Demokratik të Krishterë (CDU) deri në vitin 1969. CDU-ja, me të parin kancelar të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1949-1963, Konrad Adenauer (Konrad Hermann Joseph Adenauer, 1876-1967) dhe me të tjerë, synonte ta injorojë dhe ta izolojë regjimin komunist të Gjermanisë Lindore, me shkallë të caktuar të bashkëpunimit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në dy pjesë: në Republikë Federale Gjermane (perëndimore) dhe në republikë Demokratike Gjermane (lindore). Në fillim, secila nga dy qeveritë thoshte se ajo e përfaqëson tërë popullin gjerman. Mirëpo, Gjermania Perëndimore thoshte se ajo është e vetmja qeveri gjermane, me legjitimitet demokratik. Më vonë, kah fundi i viteve ’60 të shekullit XX, qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore përcaktoi kombin “socialist”.
Prej vitit 1949 deri në vitin 1969, në qeverinë federale të Gjermanisë Perëndimore mbizotëroi Unioni Demokratik i Krishterë. Gjatë atyre viteve, qeveritë e Gjermanisë Perëndimore refuzonin çfarëdo kontakti me qeveritë e Gjermanisë Lindore, për shkak të karakterit jodemokratik të tyre. Sipas Doktrinës së Halshtajnit (Hallstein Doctrine)*, Gjermania Perëndimore do të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me çdo shtet që do të vendoste marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë Lindore. Doktrina e Halshtajnit u zbatua për herë të parë në vitin 1957, kur Gjermania Perëndimore e tërhoq njohjen e Jugosllavisë, pasi ajo e priti ambasadorin e Gjermanisë Lindore. Gjatë viteve ’60 të shekullit XX, u duk sikur një politikë e tillë nuk do të mundë të zbatohej për afat të gjatë.
Kur Gjermania Perëndimore vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 1965, shtetet arabe reaguan duke i ndërprerë marrëdhëniet me Gjermaninë perëndimore dhe duke vendosur marrëdhënie Gjermaninë Lindore.

  • * *
    Shënim: Doktrina e Halshtajnit (Hallstein Doctrine; gjerman: Hallstein-Doktin) – ka të bëjë me njohjen juridike ndërkombëtare të qeverive. Emrin e mori sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, i radhëve të CDU-së, akademikut Valter Halshtajn (Walter Hallstein, 1901-1982) i cili u angazhua për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet që do ta njohin qeverinë e Republikës Demokratike Gjermane (të Gjermanisë Lindore, të zonës sovjetike). Ai konsideronte se vetëm Boni zyrtar është i autorizuar t’i përfaqësojë interesat e 18 milionë gjermanëve që jetojnë në Republikën Demokratike Gjermane. Kjo doktrinë u zbatua edhe në praktikë, si për shembull ndaj Kubës dhe RPF të Jugosllavisë.
  • * *
    Ende pa u bërë kancelar, kryetari i bashkisë së Berlinit perëndimor, socialdemokrati Vili Brant u angazhua dhe zbatoi një politikë që do t’i ulte tensionet midis dy shteteve gjermane, sidomos në interes të tregtisë ndërkufitare. Propozimin e vet për një politikë lindore të re e arsyetonte me faktin se Doktrina e Halshtajnit nuk ia kishte dalë ta rrëmonte regjimin komunist, as e kishte përmirësuar pozitën e gjermanëve në Gjermaninë Lindore. Vili Branti besonte se bashkëpunimi me komunistët do t’i nxiste takimet gjermano-gjermane, të cilat do ta rrëmonin pushtetin komunist brenda një afati më të gjatë.
    Mirëpo, Vili Branti theksonte se ostpolik e re e tij nuk i lente pas dore lidhjet e afërta që i kishte Gjermani Perëndimore me vendet e Evropës Perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo anëtarësinë e saj në NATO. Madje. deri në fund të viteve ’60 (të shekullit XX), qëndrimi i palëkundur që kishte të bënte me Doktrinën e Halshtajnit, konsiderohej i dëmshëm për interesat e ShBA-së. Shumë këshilltarë dhe zyrtarë amerikanë, si për shembull politikani dhe diplomati amerikan Henri Kisinxher (Henry Alfred Kissinger, i lindur si Heinz Alfred Kissinger; Firt, Gjermani e Vajmarit, 1923 – ) kërkonin nga Boni zyrtar që të jetë më fleksibil d.m.th. më i lakueshëm. Në të njëjtën kohë, shtetet e tjera të Evropës Perëndimore kishin hyrë në një periudhë të një politike më të guximshme të orientuar kah lindja. Kur qeveria e Vili Brantit erdhi në pushtet në vitin 1969, politikanët e njëjtë filluan të shprehin rezerva për politikën gjermane të pavarur ndaj lindjes, duke pasur frikë nga një “Rapal” i ri.
    Franca kishte frikë se Gjermania Perëndimore, pas zbutjes së tensioneve me Lindjen, do të mund të bëhej më e fortë. Në fund, Branti e shtyri Francën që ta pranojë politikën e tij, duke i ruajtur kontributet financiare gjermane për Politikën e përbashkët evropiane në bujqësi.
    Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, socialdemokrati Vili Brant (emri i vërtetë Herbert Ernst Karl Frahm, 1913-1992), më 7 dhjetor 1970 e trasoi rrugën e pajtimit midis Polonisë dhe Gjermanisë. Ishte i pari kancelar gjerman që e vizitoi Poloninë. Në paraditen e datës së sipërthënë, vuri kurorë në Përmendoren e kryengritësve, në kujtim të hebrenjve të zënë rob dhe të vrarë aty si dhe të polakëve të vrarë. Pasi vuri kurorën, u largua ca hapa dhe kokulur ra në gjunjë në granitin e lagët. I gjunjëzuar para monumentit, qëndroi 30 sekonda. Fotografët dhe kameramanët shtyheshin për ta përjetësuar skenën. Sakaq, ky akt mori dheun. Më vonë, në kujtimet e veta, Vili Branti shkruan: “Në honin e historisë gjermane dhe nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që e bëjnë njerëzit, kur fjalët janë të tepërta”. Misioni paqësor i Vili Brantit, do të mundë të ishte paradigmë për tejkalimin e konflikteve të ndryshme në botë.
    Në vitin 1970, kancelari Vili Brant takohet në Erfurt me homologun e tij të Gjermanisë Lindore, Vili Shtof (Villi Stoph, Berlin, 1914 – Berlin, 1999). Në vitet 1973-1976 Vili Shtof ishte kryetar i Gjermanisë Lindore, ndërsa në vitet 1964-1973 dhe 1976-1989 ishte kryeministër. Pasardhës politik i Vili Brantit ishte kancelari Helmut Shmit (Helmut Schmidt, 1918-2015). Në vitin 1981, kancelari Helmut Shmit u takua në Delnze me udhëheqësin komunist të Gjermanisë Lindore Erih Honeker (Erich Honecker, 1912 – Santiago, Kili, 1994).
    Në vitin 1971, Vili Brantit iu dha çmimi “Nobel” për paqe. Më 6 maj 1974, Vili Branti dha dorëheqje si kancelar, pasi që njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, Gynter Gijom (Günter Guillaume, Berlin, 1927 – Petershagen-Eggersdorf, Gjermani, 1995), në vitin 1973 u zbulua se ishte agjent apo spiun i shërbimit sekret kryesor “Shtazi” (Das Ministerium für Staatssicherheit der DDR, Stasi) të Republikës Demokratike Gjermane (Gjermanisë Lindore). Ky skandal njihet si “Afera Gijom”. Branti dha dorëheqje 14 ditë pas skandalit. Më 15 dhjetor 1975, në procesin gjyqësor kundër çiftit Gijom, që zgjati gjashtë muaj, Gynter Gijom u dënua për tradhti me 13 vjet burg: Gruaja e tij Kristel Gijom (Christel Boom, e lindur Meerrettig, mbiemri martesor Christel Guillaume, 06.10.1927 – 20.03.2004), edhe ajo spiune në dobi të Gjermanisë Lindore, u dënua me 8 vjet burg. Ishin martuar në vitin 1951. Në vitin 1981, në saje të këmbimit me spiunët perëndimorë që ishin zënë në Bllokun lindor, Gynter Gijom u lirua nga burgu dhe u kthye në Gjermaninë Lindore, ku u prit si hero. Po atë vit, por pesë muaj para burrit të saj, u lirua edhe Kristel, e cila po ashtu u kthye në RDGJ. Pas kësaj, ata u ndanë, ndërsa në vitin 1990, Gynter Gijom u rimartua me infermieren Elke Bröhl. Në vitin 1988, Gynter Gijom botoi autobiografinë e vet “Deklarata” (Die Aussage).
  • * *
    Shënim:
  1. Gjermani e Vajmarit (Weimarer Republik) ose zyrtarisht Rajhu Gjerman (Deutsches Reich) quhet Gjermania e periudhës së viteve 1919-1933.
  2. Marrëveshja e Rapalos (Treaty of Rapallo) u nënshkrua në komunën Rapalo të Gjenovës (Itali), më 16 prill 1922 ndërmjet Gjermanisë së Vajmarit dhe Rusisë Sovjetike. Sipas saj, të dyja palët hoqën dorë nga të gjitha kërkesat territoriale dhe financiare ndaj njëra-tjetrës dhe realizuan marrëdhënie diplomatike miqësore. Marrëveshjen e arritën ministri rus i Punëve të Jashtme Georgi Çiçerin (Georgy Chicherin, 1872-1936) dhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, politikan liberal, industrialist me prejardhje hebraike, Valter Ratenau (Walther Rathenau, Berlin, 1867 – atentat, Berlin, 1922). Marrëveshja u konsiderua fitore e madhe për Rusinë, por edhe për Gjermaninë dhe një dëshpërim i madh për Francën dhe Britaninë e Madhe. Termi “frymë e Rapalos” u përdor për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore midis Gjermanisë dhe Rusisë. Marrëveshja nuk përmbante kurrfarë dispozitash ushtarake, por midis Gjermanisë dhe Rusisë ishte përcaktuar një bashkëpunim ushtarak sekret, gjë që paraqiste shkelje të Marrëveshjes së Versajës. Marrëveshja shtesë, e nënshkruar në Berlin më 5 nëntor 1923, e zgjeroi marrëveshjen edhe për marrëdhëniet e Gjermanisë me republikat e tjera sovjetike: me Ukrainën, Bjellorusinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Republikën e Lindjes së Largët. Marrëveshja përsëri u konfirmua me Marrëveshjen e Berlinit të vitit 1926.
  • * *
    Zbutja e tensioneve me Lindjen drejt së cilës synonte ostpolitik, medoemos të fillonte me Bashkimin Sovjetik, të vetmin shtet të bllokut lindor me të cilin Republika federale Gjermane kishte lidhje diplomatike zyrtare, përkundër Doktinës së Halshtajnit.
    Në vitin 1970, Vili Branti e nënshkroi Marrëveshjen e Moskës* për shmangien e përdorimit të forcës dhe njohjen e kufijve momentalë, d.m.th. ekzistues në Evropë. Po atë vit, Vili Branti nënshkroi Marrëveshjen e Varshavës, në procesin e njohjes formale të Republikës Popullore të Polonisë. Në të vërtetë, Marrëveshja e Varshavës i përsëriti dispozitat e Marrëveshjes së Moskës dhe theksoi edhe njëherë se Republika Federale e Gjermanisë e pranon Vijën Odër – Nisë (Oder-Neisse). Pas kësaj, pasuan marrëveshjet edhe me shtetet e tjera të Evropës Lindore. Më kontradiktor ka qenë Marrëveshja themelore (Basic Treaty; gjerm. Grundlagenvertrag) e vitit 1972 me Gjermaninë Lindore, me të cilën për herë të parë pas ndarjes, u vendosën marrëdhënie zyrtare ndërmjet dy shteteve gjermane.
    Situatën e ndërlikonte pohimi shumëvjeçar i Gjermanisë Perëndimore se ajo e përfaqëson tërë popullin gjerman. Kancelari Vili Brant përpiqej ta zbuste këtë duke e përsëritur deklaratën e vet të vitit 1969 se, ndonëse në Gjermani ka dy shtete, ato nuk mund ta shohin njëri-tjetrin si shtete të huaja.
    Shënim: Marrëveshja e Moskës e nënshkruar në vitin 1970 nga Vili Branti për njohjen e kufijve ekzistues në Evropë ka hasur në kundërshtime në Gjermani dhe jashtë saj.
  • * *
    Unioni Demokratik i Krishterë konservatore që ishte në opozitë, Marrëveshjen themelore e hodhi poshtë në Bundestag ngase konsideronte se me këtë qeveria ka bërë lëshime të mëdha. Po ashtu i kritikuan të metat e Dokumentit të Barit (Egon Bahr), në të cilin ndihmësi i Vili Brantit, Egon Bar (Egon Bahr, 1922-2015), për çështjet thelbësore është pajtuar me diplomatin dhe politikanin sovjetik Valentin Falin (1926-2018).
    Qeveria e Vili Brantit, koalicion i socialdemokratëve dhe demokratëve të lirë, humbi një numër të caktuar deputetësh në parlament, të cilët kaluan në Unionin Demokratik të Krishterë, në shenjë proteste ndaj Marrëveshjes themelore. Në prill të vitit 1972, dukej sikur udhëheqësi i opozitës, i radhëve të CDU-së, Rainer Barcel (Rainer Candidus Barzel, 1924-2006) kishte mbështetje të mjaftueshme për t’u bërë kancelar i ri, por me rastin e votimit në parlament, i munguan dy vota. Më vonë u konstatua se Gjermania Lindore i kishte paguar dy deputetë që të votonin kundër Rainer Barcelit.
    Në zgjedhjet e viti 1972, Vili Branti fitoi dhe më 11 maj 1973, parlamenti federal e aprovoi Marrëveshjen themelore. Sipas Marrëveshjes themelore, Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore këmbyen ambasadorë, të cilët për shkaqe politike u quajtën “përfaqësues të përhershëm”. Njohja e ndërsjellë, të dy shteteve ua çeli dyert e hyrjes në Kombet e Bashkuara, për arsye se pohimi i Gjermanisë Perëndimore se ajo e përfaqëson tërë popullin gjerman, me aktin e njohjes së Gjermanisë Lindore, u hodh poshtë.
    Në vitin 1982, Unioni Demokratik i Krishterë (Christian Demokratic Union – CDU) dhe Unioni Social i Krishterë i Bavarisë ia dolën ta bindin Partinë e Demokratëve të Lirë që ta prishin koalicionin me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë, kështu që udhëheqësi i Unionit Demokratik të Krishterë (CDU), Helmut Kol (Helmut Kohl, 1930-2017) u bë kancelar i ri i Gjermanisë Perëndimore. Por, ky nuk e ndryshoi politikën ndaj Gjermanisë Lindore. Ostpolitik apo politika lindore u konsiderua e drejtë. Lidhur me këtë u krijua një konsensus i fuqishëm, saqë politikani konservator gjerman, ministër dhe kryetar i Bavarisë, Franc Jozef Shtraus (Franz Josef Strauss, 1915-1988), i cili me të madhe kishte luftuar kundër Marrëveshjes themelore dhe ishte kundërshtari kryesor i Helmut Kolit në bllokun e koalicionit, në vitin 1983 mundësoi të votohet dhe të aprovohet propozimi i Kolit që Gjermanisë Lindore t’i huazohen tre miliardë marka.
  • * *
    Diplomacia e Vatikanit – Termi ostpolitik (politika lindore) përdoret edhe për politikën e papës Pali VI ndaj Bashkimit Sovjetik dhe pjesës tjetër të Bllokut lindor. Për ta përmirësuar pozitën e katolikëve pas perdes së hekurt, ai hyri në dialog me pushtetet komuniste në nivele të shumta. Në vitin 1966 dhe 1967, e priti në Vatikan ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Andrej Gromiko (Starye Gromyki, Bjellorusi, 1909 – Moskë, 1989) dhe kryesuesin e Kryesisë së Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, Nikolaj Podgorni (Kharlivka, Ukrainë, 1903 – Moskë, 1983). Gjatë pontifikatit të tij, pozita e Kishës në Poloni, në Hungari dhe në Rumani u përmirësua në masë të caktuar.
    Shënim: Papa Pali VI (Pope Paul VI, 1897-1978), i lindur si Giovanni Battista Enrico Antonio Maria Montini, ishte kreu i Kishës Katolike dhe sovran i shtetit të Vatikanit. Detyrën e papës e kreu në vitet 1963-1978.
  • * *
    Gjatë viteve ’80 të shekullit XX, Korea e Jugut zbatoi politikën nordpolitik (politika veriore). Ky emërtim paraqet aludim për ostpolitik (politika lindore). Koncept i ngjashëm është edhe “politika diellore” që e ka trashëguar “nordpolitik”.
    * * *
    Marrëveshjet që i ka lidhur Gjermania Perëndimore: Marrëveshja e Moskës, 12.08.1970; Marrëveshja e Varshavës, 07.12.1970; Marrëveshja e katër fuqive, 03.09.1971; Marrëveshja e transitit, 17.12.1971; Marrëveshja themelore, 21.12.1972; Marrëveshja e Pragës, 11 dhjetor 1973. Ato ndërlidhen me ostpolitik, qoftë si qëllim parësor, qoftë si qëllim dytësor.
    Marrëveshjet e mëvonshme të periudhës së kancelarit Helmut Kol, që nga viti 1982 deri në bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990, edhe pse janë marrë me çështje të ngjashme dhe kanë pasur qëllime të ngjashme, nuk konsiderohen pjesë e ostpolitik.
    Emërtimi Gjermani Perëndimore është në përdorim që nga shpallja e saj më 23 maj 1949 deri në ribashkimin me Gjermaninë Lindore, më 3 tetor 1990. Prej viti 1990, Republika Federale e Gjermanisë njohët vetëm si Gjermani.
Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura