LAVDIM HAMIDI: DËSHTAKËT E KOMUNAVE NË FUSHATË!

Prishtinë, 06. 06. 2014 – Agim Bahtiri kryen punë! Barrikada që ndan jugun nga veriu i Mitrovicës është hequr në gjashtëmujorin e parë të mandatit të tij, ashtu siç kishte premtuar në zgjedhjet lokale të fundvitit 2013, ndërsa Komuna e tij është shndërruar në eksportuesin kryesor të kërpudhave në Evropë. Janë punësuar 15 mijë veta në fabrikën për kultivimin e kërpudhave dhe papunësia në Komunën që dikur njihej si njëra nga më të pazhvilluarat në vend ka rënë nën mesataren evropiane.
Shpend Ahmeti e ka zgjidhur problemin e furnizimit të kryeqytetit me ujë, s’ka më as kaos në komunikacion, rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës është përfunduar për më pak se 100 ditë, ndërsa për nxjerrjen e një ekstrakti, apo certifikate të lindjes nuk të duhen as 8 orë për të pritur në radhët e gjata te sportelet e Prishtinës.
Lutfi Hazirit s’i ka mbetur asnjë premtim pa e realizuar. Rrugën e Zhegrës e ka bërë autostradë, ndërsa atë të Pogragjës që çon drejt vendlindjes së tij (Llofcë) e ka realizuar si një magjistrale gjermane.
Tashmë kur i ka kryer të gjitha punët në Komunën e Gjilanit, ku para pak muajve e ka fituar besimin e elektoratit, Lutës i ka dalë kohë të merret edhe me fushatën për zgjedhjet nacionale të 8 qershorit.

Dështakët e komunave: Agim Bahtiri i AKR’së, Shpend Ahmeti i VV’së, Lutfi Haziri i LDK’së, Mimoza Kusari – Lila e AKR’së, Agim Veliu i LDK’së, Nexhat Demaku i PDK’së dhe Rasim Selmanaj i AAK’së!

Ai ka kurajën që këto ditë të fushatës të premtojë infrastrukturë moderne në të gjithë Kosovën, derisa në gropat e thella të rrugëve në fshatrat e Gjilanit gjatë ditëve me shi “mund të lahen edhe buallicat”.
Njësoj si Agimi, Shpendi dhe Luta, në këto zgjedhje po veprojnë edhe kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, Agim Veliu i Podujevës, Rasim Selmanaj i Deçanit e Nexhat Demaku i Drenasit.
Në vend se të merren me realizimin e premtimeve në komunat ku udhëheqin, ata po i dalin në ndihmë edhe liderëve të partive të tyre në tubime të ndryshme elektorale, duke tentuar që nëpërmjet fjalimeve boshe t’i rrisin votat partiake në nivel qendror.
Disa prej tyre madje shihen në bilborde të shumta gjithandej Kosovës, ndonëse s’janë askund në garë për Parlamentin e Kosovës.
Po të ishin të përgjegjshëm ndaj elektoratit që i ka votuar dhe në nivel të detyrës, këta kryetarë komunash as nuk do të duhej të shiheshin në tubimet elektorale, por të merren me realizimin e premtimeve të dhëna 6 muaj më parë.
Duke i anashkaluar problemet esenciale në komunat që i drejtojnë, këta kryetarë vështirë se do të arrijnë të dërgojnë vota në “hambarin” e partive të tyre. Përkundrazi. Gjasat janë shumë të mëdha që me prezencën e tyre të humbin shumë “kokrra” të fituara në zgjedhjet lokale. Thjesht, për faktin se pikërisht ky soj politikanësh po bëhen shembull të shkeljes së ligjit dhe premtimeve të dhëna pak kohë më parë, diçka që më së paku i nevojitet Kosovës, e cila aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian.
Edhe këta kryetarë të çoroditur e bëjnë Kosovën shtet “sui generis”, ku dështakët në nivel lokal kërkojnë votat për partinë edhe në zgjedhjet nacionale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura