PORTRETI LETRAR I DR. ZEJNEPE ALILI REXHEPIT

 Pashtriku.org, 07. 11. 2014 – Në Edicionin e pestë – 2014 “VJESHTA LETRARE E GJILANIT”, që pritet të mbahet nesër – më 08 Nëntor 2014 – në ora 12:00, (në Sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit) do të promovohet “PORTRETI LETRAR I DR. ZEJNEPE ALILI REXHEPIT”, profesoresh në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në këtë manifestim të rëndësishëm letrar janë të mirëseradhur të gjithë artëdashësit… Me rastin e prezantimit të kësaj poete në këtë edicion letrar, botojmë këtë cikël poezish.

 

PAS SHIUT… GJYSMËDEHUR E ËNDËRRONJËS MË VJEN
***

ËNDËRR QË S’PERËNDON
Nën vellon e kësaj vjeshte, lodhshëm frymon një qytet,
të lyera në bronz i ka heronjtë dhe historitë,
si relikte të gravuara horizontesh të përgjakura…
Sot…
Edhe qyteti im e bart dyzimin e viteve
kur koha e derdh ironinë mbi të,
zvarriten muzgjet nga frymëmarrjet rënduar…
Kush e di, se ku e ka portën marrëzia!?

Kjo vjeshtë e stërlodhur shpalos plagë të vjetra,
mbi dhembjet e gurëve që ruajnë luzma gjaku,
mbi dhembjet e kullave që ruajnë zjarre armësh.
Fjala…
ngujuar mbeti në altare vdekjesh,
aty shteron imagjinata si ndonjë pellg i fjetur,
edhe dashuritë na braktisin, marrin arratinë…
Sa i gjatë bëhet rrugëtimi në errësirë!

Ritet e ditëve tona, në kujtesë i kanë flijimet
për këtë tokë qiellrrufesh, kufomash të panumëruara,
nga vetë djalli që betohet mbi mëkatin.
Dhembja…
E skicon trishtimin në vaje të ngjirura
si dorëshkrimet që vlug zjarresh zgjojnë
në lakuriqësinë e muzeumeve të mjerimit.
Ç’faj kanë poetët që thurin ëndrra të përbotshme?!

Absurde kohësh ngrihen mbi stinët e mërguara,
portave të qytetit ku thyhen karvane yjesh
fjala ndërroi jetë, pasha kumtin e poetit!
Diell…
për këtë tokë dhe lotin e syrit,
jetët e trazuara pushtohen nga lodhjet e së nesërmes,
në pritje të dritës, pulsojnë si dejt e gjakut,
në tjera parakalime nisen me fatet e ngujuara.

Këtej…, shtigjet janë të errëta, ninullat të mekta,
pesha e shekujve la dhjetëra okë dhimbjesh, kur
një udhëtare e pafre e pagëzuar…
Liri
me plagët e kohës rizgjon heshtje poetësh,
të paprekura në grimca harrese, rikthen ekuilibrin e humbur
me erën e ngrohtë që fryn kah dheu i premtuar
me ritmin e kohës të ecim, nën vellon e kësaj vjeshte.

***
ISHTE KOHË LEGJENDASH

Hije që kundrojnë
mbi lugoret e absurdeve të kohës
ku luzmat e brengëmallit mozaik bëhen
për këtë dhe,
të përgjakurin Atdhe,
në ëndrra e krenari poetësh!

… Dhe nata sterrë u dergj në rrënkime
shikimi, veç hënën dëshmitare kishte,
po ajo nemitur në harresëdhimbje,
si një Promethe, s’hesht para perëndish
Dhimbje, ti… që s’më ndahesh kurrë!

Në fërfëllimë flatrash, padiktueshëm
u ngjize ndjenjave të mia,
stuhish e erërash ngrihesh, lart
në re të zeza ngjitesh.
Sa droje kam për bukurinë tënde të përgjumur!
Si tinzare e pafre mbi shpirt zbarkon…

Trazohen kujtimet e një legjende të lashtë!
E gjithandej nën gërmadha, ilirishtja rrënkon
e ti, triumfalisht fatit i nënqesh
biografive të pashkruara ua sos durimin
kryqëzuar në të harruarat kohë trishtimi.

Ajo kohë zezonë, një ditë u rrënua e rra,
po aritmetika e djallit s’u mposht,
As vaji, as varri s’më tret dhimbjet,
në shpirt skalitur më janë.

Fiset pëshpërisin me duhmën e trazuar!
Të tjera kohë ishin,
të tjera kohë vijnë…,
o tokë ilire, e mbarsur në trishtime,
bijë e lindur për flijime Perëndish.
Lavdi për erëgjakun e dheut tënd,

Mall kam,
Kaherë ndiej mall!
Se e vogla zemra ime,
Ka dashuri të madhe për ty
Atdhe i të parëve të mi.
Dhimbje ti, që s’më ndahesh kurrë!
***
MALL PËR BALADËN TONË

Seç ndiej mall,
kur muzgu në sytë e tu
s‘më sjell perëndim ndjenjash,
as tundimin tënd të shterur
rrugëve të palodhshme si lavjerës fati…

Ti udhëtar i regjur, udhëtimesh pa mbarim
në dritëhëne, një cep yjësie shkëpute për mua
se në delirin e mallit afshndezur të prisja,
bukurezë feksja në kthinat e shpirtit tënd
magmë e bekuar perëndish, në ngjizje dashurish!

Kur nata zbret altareve të paprekura,
ti i lodhur kthehesh nga rruga e gjatë
me dhembje ngarkuar,
as violina si rinis tingujt, zemërmekur tretet,
si një velencë mjerimi pushton mallin tim, për ty…

Në humbëtira vitesh, zjarrmojnë të përndezurit yje
në përplasje stinësh ngatërruam rrugë,
kujtimet palosen, me nxehtësi puthjesh
mbi gjurmë stinësh pa kthim
fati ynë degdiset, baladave të pashkruara.
***
MË SHUMË SE SHPËRFILLJE

Flokëshprishur, pas shiut…, gjysmëdehur
e ëndërronjës, më vjen!

Nën balluke të del shikimi i mprehtë
Si një smerald ndjellës,
përtej, vrojton jetën e lodhur
që bart si relikt dhoma me vetmi shekujsh.

Heshtja flet për trazimin e motit,
si apostujt e ngujuar në pikturë varur.

Sa herë që era të shpërprish ëndrrën,
strukesh në shpirtin tim
që të bën vend miqësisht!

Sërish mbetesh një eremit i dalldisur,
gojëkyçur si mister…
shpërfillës në trishtimin tim.
***
DUHET TË KESH DËGJUAR SA MALL LË SHIU

Në legjenda dashurish, dhembjesh e mëkatesh ngarkuar
për çaste kotësie me kohën fundosur,
shumë vitesh zvarritur në Katedralen e Parisit
valsit të zemrës i zbehet melodia, si (ç)ngjyrimi i tingujve.

Atëbotë, duhet të kesh ndjerë mallin e shiut!

Sa demoniake kjo kujtesë stinësh të largëta
që pushtohet nën virgjërinë e një nate yjezuar,
me delikatesë hiresh të asaj gruaje të pasfidueshme,
derdhen mëkate homazhesh të sajuara.

Loti shtegton me dhembjet, në largësi miljesh të pa matura.

Estetikën e shpirtit e (zh)varrosje… edhe pa puthje malli rëndon.
gjersa kokën e rënduar e mënjanoje si pelegrin i devotshëm,
se Ema (Bovari) ta trullosi imagjinatën dhe iku…, nga kjo botë!
E ti eremit i penduar riendesh rrugëve të Parisit.

Pa e vrarë mendjen sa rëndon malli i shiut!

Në këmbanore katedralesh jep kumtin mashtrues,
ditëve me shi kur malli ta shton trishtimin,
rizgjimin e ndjenjave në eliksire zjarrmish
e derdh mbi pellgje lotësh të një gruaje!

Patjetër të kesh dëgjuar sa mall lë shiu…!

Çuditërisht, nuk lodhesh as në ndërrime stinësh
të ecësh në vetmi jete si kryqtar i penduar…,
pasi e di se sa e trishtueshme është harresa.
Harresa! Kjo aleate e dashurive të lodhura.

Po si i kujton vitet e pritjeve, kur të gjata janë stinët e shiut?!
***
VJESHTË NË SYTË E TU

Vjeshtën e parë, si përhidhej
mbi supe tek çapitej e ndjeva,
kur ca gjethe lehtësisht binin
në të zhuriturin shpirt…
Trazonin ëndrrat rubinore,
një gjeth s’dorëzohej, me ndjenë purteke
drithërimash strukej në timin krahëror,
animizëm i disbalansit tënd ndjesor!

…Shoh sytë e tu të ullinjtë
si dritëzjarr, lëngëzuar janë, e
grimca admirimi përçojnë
në mua, behari syth lëshon…
Kjo mjafton!

Një çast, më duhet të rimarr veten,
të grisurat mendime t’i flak tej,
të ndiej cazë diellishtën!

E, kësaj pranverë lozonjare
që vjen e brishtë, e ndrojtur,
t’i pëshpëris: “akoma ka dashuri”!

Dhe ti e kupton,
se jeta unazore është!
Edhe në përkalime të ylberta përjetimesh
ruan shikimin e syve të ullinjtë
që përjetshëm diellzohen…
Dhe e di!
E ndiej…
S’ka më vjeshtë në sytë e tu!
***
JO MË HESHTJE

Dita zgjohet me ëndrrat e mia, sot
në shtegun e vjetër kërkon gjurmët e braktisura…
nisur me erën e tërbuar që barti ëmbëlsinë e puthjeve,
atje tej mbi oqeane ku malli lundron e s’kthehet,
degdiset në ferrin e historive të sajuara
ku sosen vitet e harrimit të vjeshtës së gjatë,
për të rinisur shkundja e kujtimeve të pluhurosura.

Digjesh në imazhe të përthyera si drita e syrit,
kreshtave të papushtuara ngjitesh me vragët e shpirtit.

E mbaj mend që një herë më pate thënë:
“Heshtja si ngjan kurrë heshtjes
që serviloset si në debate politike… ti s’e njeh
këtë gjuhë mashtrimi, as shterpësinë e fjalës,
vazhdo të duash, siç do Zotin tënd, diellin dhe yjet…
edhe trëndafilat duaj, janë vrull i gjakut tënd…!”

Pastaj, ike larg ku s’të zë shikimi i zjarrtë…

Profesoresha e USHT-së, Doc.dr. Zejnepe Alili-Rexhepi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura