PRETENDUESIT E HELENËS SË BUKUR TË TROJËS

PRETENDUESIT E HELENËS SË BUKUR TË TROJËS

Nga Beqir Elshani, Pashtriku 10.02.2023

Sipas Homerit shkaktare e Luftë së Trojës është bërë Helena, të cilën Paridi e kishte rrëmbyer prej mbretit spartan, Menelaut, dashurinë e të cilëve ua kishte lidhur hyjnesha Afërditë. Megjithëse Helena, të cilën njerëzit e quanin femër me mollëza të ndritshme, kishte kushtet e mira të jetës te Menelau, për të cilën thuhet se ishte pasanike në ari, mirëpo thjeshtëri e kishte martuar pa dëshirën e saj, prandaj ajo zgjodhi Paridin, një burrë të ri e të vetëm. Jo vetëm kaq, sepse Helenën e bukur e kishin kërkuar për grua shumë heronj grekë, si Odiseu prej Itakës, Ajaksi prej Salamisë dhe Diomedi prej Argosit. Nuk duhet harruar faktin se kreshniku Tese ishte i pari që kishte rrëmbyer Helenën, mirëpo e çliruan vëllezërit e saj. Kështu mbreti i grekëve, Agamemnoni, për pushtimin e Trojës nuk la mjet pa përdorur për të shkaktuar grindje dhe për të formuar ushtrinë e tij të madhe. Helena trojane vërtet ishte martuar skllave nga njerku i saj, Tindari, mirëpo me bukurinë e saj ajo i skllavëronte mbretërit, siç ishin Menelau, dhe kunati Agamenoni. Fill pas rrëmbimit, të gjithë këta hamshorë, siç i quan Homeri, që në fillim kishin qenë pretendues të Helenës së bukur, iu bashkuan Agamemnonit në fushatën e luftës kundër Trojës së lavdishme e të fuqishme. Kjo ngjarje tregon sikur secili hero kishte pjesën e tij për “mbrojtjen” e nderit të Helenës, dhe dukej sikur ajo u pasqyrohej në fytyrë, ndaj rrëmbyes Paridi ua shtonte inatin, siç shprehet populli, në zjarrin e ndezur ua vuri benzinën. Po kush nuk e donte Helenën që kishte marrë dheun, e cila ua dridhte zemrat pretenduesve grekë. Atë e donte edhe kunati Agamemnon, dashurinë e të cilëve e kishte zbuluar hyjnesha Afërditë, këtë ngjarje e vërteton se kur Menelau deshi ta vriste Helenën, atë e mbrojti Agamemnoni. Ndryshe me pretenduesit tjerë, pasioni i Akilit ishte trimëria dhe guximi, mbrohej para çdo sulmi që ndryshonte me lakmitë pushtuese të Agamemnonit. Hipokrizia e Menelaut shihet kur ai për interesa të ngushta të etikës vetjake (është fjala për Helenën e braktisur), e bind vëllain e tij, Agamemnonin, për flijimin e bijës së tij, Ifigjeninë, për t’i qetësuar valët e detit që pengonte grekët për të lundruar në drejtim të Trojës.

Vetë zbulimi i hyjneshës Afërditë për dashurinë e fshehtë në mes Agamemnonit dhe Helenës, tregon për çaste të vështira të xhelozisë që përjetonin edhe gratë e bujarëve grekë, që me kohë kishin zbuluar hilet. Prandaj po të pyeteshin gratë e tyre se a duhet mbrojtur nderin e Menelaut, për shkak se Paridi ia kishte rrëmbyer gruan – Helenën, kurrë nuk do të pranonin të luftonin, sepse e dinin që burrat e tyre e kishin syrin te nusja e re e mbretit spartan, e cila ishte bërë sinonim i bukurisë. Sipas grave greke, burrat e tyre donin që së paku Helenën ta kishin afër dhe të çmalleshin sikur ta kishin në shtrat, pa çka pse ishin familjar, por edhe të martuar. Mirëpo tani ajo ishte martuar larg, dhe atë jo me pretenduesit tjerë, po ashtu të moshuar, por me një djalosh të ri e të pashëm trojan – Paridin.

Kur Paridi e mori Helenën, të gjithë anëtarët e familjes trojane të mbretit Priam e nderonin si pjesëtare të familjes së tyre, ndërkohë që heronjtë grekë edhe pse të martuar, kurrë nuk ia ndanë syrin Helenës. Helena tashmë gjendej e lirë në shtëpinë trojane, derisa Paridin e kishte burrë, të tjerët i kishte vëllezër e motra, do të thotë asnjëri prej trojanëve nuk lakmonte ta cenonte nusen e bukur të Paridit, siç kishte vepruar prijësi grek – Agamemnoni. Duket qartë që në kështjellën trojane mbreti Priam rejat e veta i donte si bijtë e tij, kurse kryekomandanti trojan, Hektori, me gruan e tij, Andromakën, Helenën e donin si motër. Prandaj atdheu ishte mbi të gjitha, jo nderi i shkelur me anën e Helenës, të cilën edhe gratë greke e mallkonin. Tekembramja, Helena për të mirën e paqes pranon të kthehet te burri i parë – Menelau, veprim që aspak nuk do t’i pëlqente Agamemnonit, i cili synim kishte pushtimin e Trojës. Kur Menelau i fuqishëm dhe me përvojë luftarake në dyluftim deshi të vriste Paridin, prej nga mund të përfundonte hakmarrja dhe kthimi i Helenës te burri i parë, mirëpo e mbrojti hyjnesha e Olimpit, Afërdita. Prandaj ashtu siç trembej Paridi në dyluftim me Menelaun, sepse ishte rrëmbyes i Helenës, trembej ky i fundit prej Hektorit trim, sepse ishte xheloz, për shkak se i pari mbronte atdheun, i dyti nderin familjar.

Paridi rrëmben Helenën

Kur mbreti Pele i mirmidonëve, përndryshe babai i Akilit legjendar, në Olimpin e shenjtë u martua me Tetidën, prej dashurisë së madhe që kishte ndaj saj, e quajti këmbargjende, kurse më vonë e akuzoi si vrasëse të të birit – Akilit. Ngjashëm edhe Paridi kur në fillim e dashuroi bareshën Enona, e quajti nimfa e malit, mirëpo më vonë e braktisi duke lënë me vaj dhe dashurohet në Helenën me faqe të ndritshme, bukuria e së cilës ishte përhapur në mbarë Greqinë antike, prej nga shumë mbretër e princër dëshironin të martoheshin me të, dhe, një ndër ta ishte edhe Odiseu. Mirëpo babai i Helenës nuk kishte pranuar, prandaj Odiseu u martua me Penelopën, të cilën e deshi duke i mbetur besnik deri në vdekje. Vlen të theksohet se Paridi duke lundruar drejt Spartës për ta rrëmbyer Helenën, i pengonte era dhe valët e mëdha, mirëpo me ndihmën e hyjnive arriti të mbajë kursin vetëm për bashkimin e tij me Helenën e bukur. Kjo tregon që edhe hyjnitë ishin për martesën e dy të rinjve, Paridit me Helenën, prandaj i mbrojtën nga stuhia dhe valët e furishme. Kjo grua e re ishte skllave në shtëpi të Menelaut, sepse ai jo vetëm që ishte burrë i vjetër, por kishte edhe gra të tjera. Nuk gjendet libër ku nuk përmendet Helena spartane që ka qenë gruaja më e bukur në botë, e cila ishte rrëmbyer nga princi trojan, Paridi, po ashtu i bukur, me anën e së cilës shkaktoi luftën e Trojës. Helena ishte bij e Zeusit dhe e Ledës, bukuria e së cilës i ka frymëzuar piktorët dhe artistët e të gjitha kohërave për ta përfaqësuar atë, shpesh si personifikim i bukurisë ideale. Prandaj sapo martohet me një burrë të ri, siç ishte Paridi, ajo lirohet prej skllavërisë. Po të martohej Helena me njërin prej këtyre djemve sokola, siç ishin Teseu, Odiseu, Ajaksi dhe Diomedi etj., mbase nuk do të vinte deri te lufta përgjakshme e Trojës.

Sakrifikimi i Ifigjenisë dhe Laokonti

Në fillim Akili ishte gjakftohtë, nuk dëshironte të luftonte për ambiciet e Agamemnonit, mirëpo me vrasjen e mikut të tij, Patroklit, në dyluftim me Hektorin, gjërat ndryshojnë shpejt dhe atë në favor të Agamemnonit vetjak dhe dinak. Homeri tregon se hyjnitë nuk janë besnikë, janë të luhatshëm, të cilët i nënshtrohen fatit të luftës prej nga bindet edhe Zeusi. Këtu lexuesi mund të kuptojë se të gjithëve iu dhimbs vrasja Patroklit, nga shpata e Hektorit, por askush nuk u gëzua më shumë se prijësi grek, Agamenmnoni. Është interesante kontrasti i flijimit të bijve: derisa prijësi trojan, Priami, të birin (Paridin) e sakrifikoi për shkak të profecisë se kur të rritet do të bëhej i rrezikshëm, Agamemnoni të bijën, Ifigjeninë, e sakrifikoi jo për mirëqenien e popullit të tij, por për pushtimin e Trojës. Prandaj i pari ishte shpëtimtar dhe mbrojtës i vendit, i dyti ishte ndjekës i ligësisë. Kështu Ifigjenia ra viktimë për rrëmbimin e Helenës. Ambicien pushtuese të Agamemnonit, komandantit suprem të grekëve, e kishte zbuluar me kohë Akili dhe Odiseu, mirëpo me anën provokimit të ushtarëve akeas i kishin detyruar të marrin pjesë në luftë për pushtimin e Trojës. Prandaj nuk ka asnjë dyshim që gratë e tyre të mllefosur janë gëzuar, kur kanë marrë vesh që Helena është grabitur, dhe nuk dëshironin që ajo të kthehet përsëri te mbreti Menela; sa më larg, aq më mirë, sepse dëshironin t’i kenë burrat e qetë në shpirt, jo të dhënë pas Helenës. Vetëm nëse Klitemnestra ka qenë e verbër dhe nuk ka mundur të hetonte veprimet e bashkëshortit, Agamemnonit, duke vështruar kunatën (lexo: Helenën). Duket qartë që Helenën e urrente mbarë Greqia, sepse braktisi burrin e parë me gjithë fëmijë dhe si pasojë e së cilës shkaktoi luftën në mes trojanëve dhe grekëve. Gjithashtu edhe Odisenë, që punoi kalin e drunjtë e bëjnë fajtor, sepse në prag të largimit të grekëve nga Troja, shkaktoi luftën e përgjakshme, për të cilin Ifigjenia e mallkon: “Vdektë e mos ardhtë n’atdhe i gjallë!”.

Hyjnesha Athenë nuk e kishte harruar zemërimin ndaj Paridit për mollën e artë që ia kishte dhënë Afërditë, prandaj në çastin kur Laokonti deshi ta qëllojë kalin me shigjetë, dy gjarpërinj e sulmuan Laokontin me gjithë bijtë. Ishte një paralajmërim i frikshëm në mënyrë që trojanët të mos guxonin të kundërshtonin kalin e drunjtë. Këtë e tregon edhe skulptura e përdredhur e Laokontit, i cili bërtet deri në kupë të qiellit për të mos e pranuar përbindëshin e drunjtë. Kishte ardhur gjendja të frikohesh apo të mos frikohesh prej perëndive, Priami fanatik zgjodhi frikën dhe Troja shkatërrohet. Kështu ky kalë i drunjtë pas gënjeshtrës së Sinonit dinak rrëshqiti drejt kështjellës. Në themelet e kështjellës trojanët një kohë të gjatë kishin vrarë me mijëra grekë, të cilët me shpatë në dorë janë munduar të hyjnë në qytet, tani me duart e tyre po e futnin përbindëshin e drunjtë, që në barkun e tij fshiheshin shpatarët grekë. Trojën që nuk kishin mundur ta pushtojnë grekët me anën e shpatës, do ta shkatërrojnë me anën e dhuratës. Karakteristikë e ngjarjes është se Troja u pushtua natën, ndërkohë që ati i hyjnive – Zeusi, po flinte. Trojanët e mashtruar murin e rrënuan, jo vetëm për ta zënë kalin gjigant, por u treguan shumë të kujdesshëm për të mos e lënduar ndonjë pjesë të kalit, sepse mund të zemërohej hyjnesha greke – Athena. Mu për Homeri thotë se perënditë e nisën luftën dhe perënditë e shkatërruan Trojën.

Edhe pse Agamemnoni e pushtoi Trojën, megjithatë (ngjashëm porsi Priami trojan), mbeti nën muret e Trojës, atë e vrau bashkëshortja, Klitemnestra. Klitemnestra kishte përjetuar skena tronditëse: kishte parë bijën, Ifigjeninë, duke u sakrifikuar për ambicie pushtuese dhe burrin duke u përqafuar me Kasandrën, Kështu ëndrra e Agamemnonit për lumturinë e tij realizohet, por me përfundim tragjik. Klitemnestra kishte paragjykuar nëse nuk e vret me kohë, do ta vriste ai, duke pasur parasysh se tani Agamemnoni si fitimtar i dehur do të vepronte edhe më zi, i cili nuk e kishte hallin e nderit familjar, por pushtimin e Trojës. E njëjta gjë ndodh edhe me luftën në mes Hektorit dhe Akilit, derisa Hektori lufton për mbrojtjen e atdheut, Akili hakmerret për vrasjen e mikut të tij, Patroklit. Prandaj kur Hektori i lavdishëm në dyluftim vritet nga shpata e Akilit zemërak, është i dhimbshëm, ngjashëm siç do të jetë i dhimbshëm edhe Akili kur vritet nga shigjetat e njëpasnjëshme të Paridit. Trimëria e Akilit ka inatin e hakmarrjes, prandaj prej zemërimit e vret Hektorin, për të cilin edhe sot qajnë lexuesit.

Kthimi i Odisesë në Itakë

Sipas gojëdhënës tregohet se mbreti i Itakës, Odiseu, ishte i martuar me Penelopen dhe me të kishte një djalë, Telemakun. Fill pas lindjes së të birit, shpërthen lufta për Trojën, dhe Odise ftohet që së bashku me mbretërit grekë detyrohet t’i përmbahet marrëveshjes që dikur i kishte premtuar babait të Helenës, Tindarit. Për të mos u ndarë prej së dashurës dhe birit të porsalindur, vendos të paraqitet si i marrë, në mënyrë që askush të mos e detyrojë të shkojë në luftë. Ditën kur u nis për në Luftën e Trojës, as Akili, as Odise nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në luftë për hesapet e Agamemnonit, kryekomandantit të ushtrisë greke, mirëpo agjentura e tij nuk kishte lënë vend pa zbuluar shpërdorimin e Akilit dhe Odisesë: të parin e zbuluan me anën e shpatës, edhe pse i veshur me rroba grash, i dyti u zbulua si njeri i çmendur, i cili në fushë del i zhveshur, ku paraqitej se është budalla. Mirëpo agjentët e Agamemnonit, që ishin të sprovuar me marifetet e armiqve, nuk lënin mjet pa përdorur për zbardhjen e fshehtësive. Agamemnoni në Itakë dërgon Palamedin, të zbardhë të vërtetën. Palamedi e has Odisenë e zhveshur duke mbjellë kripë në arën e lëruar, në zgjedhë kishte vënë kaun me gomarin, ndaj të gjithë njerëzit thoshin se mbreti i tyre ka luajtur mendsh. Atëherë Palamedi për ta zbuluar marifetin e Odisesë, merr të birin e tij dhe e vendos para plugut, natyrisht që Odise ndalet, që të mos e lëndojë të birin. Kështu zbulohet aktrimi i tij prej budallait dhe detyrohet të shkojë në luftë. Ai u tregua burrë e baba, nuk pranoi të mbysë të birin, prandaj detyrohet të shkojë në Luftën e Trojës. Odise dhjetë vjet luftoi për pushtimin e Trojës, kurse dhjetë vjet bredhi deteve derisa u kthye në vendlindjen e tij te Penelopa besnike.

Pas pushtimit të Trojës me kalin e drunjtë, Odisesë iu paraqitën vështirësi tjera për kthim në atdhe. Mbretit të Itakës iu afruan shumë mundësi për t’u martuar me gra të tjera, i cili tashmë ishte bërë i lavdishëm, mirëpo synimi i vetëm i tij ishte kthimi në vendlindje, atje ku e priste bashkëshortja e tij besnike, Penelopa me të birin, Telemakun. Gjatë kthimit në atdhe, Odise kurrsesi nuk mashtrohet pas thesarit dhe pas nuseve të reja, prandaj perënditë i ndihmuan, që përkundër vështirësive të kthehet në vendlindje, dhe të vazhdonte të mbretëronte vendin e tij. Vullnetin e Odisesë nuk mund ta luhaste as Kalipsoja tërheqëse, as magjistarja Kirka, as Nausika e mrekullueshme. Sipas ngjarjeve që rrjedhin, edhe pse Odise gjatë kthimit në atdhe asnjë ofertë të grave, dhe atë të sundimtarëve të pasur, sidomos me Nausikën dhe Circën e bukur, nuk pranoi të martohet, me anën e së cilës i mbeti besnik Penelopës. Odise për t´u kthyer në Itakë, së pari rremtarëve ua mbylli veshët me dyllë dhe vetë qëndroi duarlidhur në kiçin e anijes për të mos u magjepsur pas sirenës. Përndryshe, jo që nuk do të kthehej kurrë në atdhe, por edhe Itaka e tij do të shkatërrohej. Prandaj për kthimin e Odisesë në vendlindje, perënditë i ndihmuan, me që synim i vetëm i tij ka qenë përfundimi i luftës dhe kthimi në vendlindje. Nuk duhet harruar faktin që Odise ka kuptimin e shkuarje-kthimit epik, por me pasoja dhe atë me dekada vitesh, pasi që kush ka shkuar në Luftën e Trojës, në shtëpi nuk është kthyer.

Hyjnitë e mbronin Odisenë, sepse ai e mbronte moralin familjar, njëkohësisht tregonte dashuri ndaj familjes dhe atdheut. Përkundër famës që Odise kishte fituar në Luftën e Trojës, megjithatë mbeti besnik dhe nuk e tradhtoi as atdheun, as gruan, kurse gjatë kthimit në Itakë, shkoi e vizitoi varrin e nënës që vdiq nga malli për të birin. Sipas Homerit thuhet se perënditë e kanë udhëhequr luftën e Trojës, prandaj fati i luftës 10-vjeçare ishte vendosur në Olimp. Të njëjtën vuajtje po e përjetonte edhe Penelopa, ajo ka pritur shumë gjatë për kthimin e bashkëshortit, dhe ende shpresonte që ai do të kthehet. Prandaj hyjnitë e mbronin, sepse Penelopa nuk lakmonte burrë të ri, as thesar, me që nuk ka pasuri më të madhe se mbrojtja e nderit për pritjen e bashkëshortit. Në anën tjetër, në Itakë djemtë me padurim pritnin të martoheshin me të, vetëm për t’u shpallë mbret i Itakës. Penelopa pikëllimin e largonte me anën e lëngut të bimës që pengonte rrjedhjen e lotëve. Me këtë lëng mund të ndalej pikëllimi i nënës ndaj të birit të vrarë, apo e kundërta.

Për habi, ishin dy raporte të njëjta për mbrojtjen e bashkëshortësisë besnike me anën e sakrificës, Odiseu jashtë vendlindjes dhe Penelopa brenda pallatit mbretëror, e cila ditën e thurte pëlhurën, kurse natën e prishte. Ajo e dinte që një ditë do të zbulohet fshehtësia strategjike, ndaj edhe durimi u sos, sepse Homeri tani i ballafaqoi sy me sy, me moton ja vdekje – ja liri. Mëtuesve syleshë nuk u vinte aspak keq që Odise ka shkuar në luftë për të mirën e atdheut, janë njerëz pa ndjenja dhe grykës të mëdhenj për pushtet, prandaj lufta e vetme e tyre ishte martesa dhe froni i mbretit. Derisa Odise në Trojë kishte lënë trimat si Hektori, Akili, Ajaksi, Glauku, Filokteti etj., në vendlindje po gjente kopukët që luftonin për grabitjen e nuses së tij, vrasjen e të birit, dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Vlen të theksohet se Odise kishte dalë si mbret prej Itakës së tij, mirëpo u detyrua të kthehet si lypës, të cilin e njohu qeni i tij, Argu.

Në pallatin e Itakës po mbahej gara e mëtuesve për martesë me Penelopën, që njëkohësisht shpallej mbret i Itakës. Ishte e pamundur përkulja e harkut për të qëlluar 12 rrathët, kuptohet që edhe këtu Odisesë i ndihmuan hyjnitë, sepse ky sakrifikonte çdo gjë për t’u kthyer në vendlindje, për t’u bashkuar me nusen, e cila 20 vjet e kishte pritur, tani pse të mos e mbronin hyjnitë para mëtuesve kopukë, të cilët nuk kishin aspak respekt për heronjtë e luftës, por ishin grykës të pasurisë dhe karrieristë që luftonin për pushtet. Mëtuesit ishin të bindur se lufta e Trojës ka qenë e përgjakshme dhe askush nuk ka shpëtuar, prandaj nuk mund ta merrnin me mend, që dinaku i fuqishëm Odise, ditën kritike do të kthehet dhe sipas kërkesës së Penelopës i qëllon dymbëdhjetë rrathët. Dihet që një plak aq i vjetër si Odise është e pamundur të përkulë harkun dhe të qëllojë rrathët, veprim që mund ta bënin vetëm Herakliu, Teseu, Davidi që ishin të rinj, mirëpo Zeusi në çastet kritike ia dha forcën, sepse e mbronte pragun e shtëpisë, atdheun dhe familjen e tij të shenjtë. Si të mos i kalonte Odise 12 rrathët me harkun e tij të fuqishëm, si kusht për bashkimin me Penelopën e tij, kur ai kishte marrë pjesë në luftën e madhe të Trojës dhe po kthehej fitimtar; kishte luftuar 10 vjet me shpatë e me dinakëri, po ashtu i shoqëruar me trimat kalorës; kishte fituar përvojë të ashpër luftarake për pushtimin e Trojës, që ka qenë një ndër betejat më të vështira të asaj kohe, prandaj Homeri e ka bërë të lavdishëm në epin e tij “Iliada”. Është interesante të përmendet se Odise me artin e tij luftarak kishte mundur trojanët trima shumë të mëdhenj e të fuqishëm, pse tani të mos i hiqte qafet armiqtë lokalë në Itakë, që ishin të dehur për pushtet. Prandaj me vrasjen e mëtuesve të Penelopës, Odise vriste edhe të keqen që kishte kapluar atdheun e tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura