Prof. asoc.dr. Sabit Syla: Reagimet e SHBA-së dhe të disa vendeve perëndimore ndaj ngjarjeve të marsit – prillit 1981 në Kosovë

Prishtinë, 7 prill 2021: Demonstratat e vitit 1981, që tronditën pushtetin jugosllav nuk i lanë indiferente as shtetet e Evropës Perëndimore, Lindore, shtetet skandinave, aziatike, afrikane, e SHBA-të. Ndikimi, roli dhe përmasat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, në aspektin ndërkombëtar, të ballafaqojnë më shumë se sa me një demonstratë në një vend sikurse Kosova, më shumë se sa me një shtet sikurse ishte Jugosllavia, dhe më shumë se sa me një kontinent. Sepse, ngjarjet reflektuan në formë zinxhiri. Të tilla ishin rrethanat politike, ekonomike, diplomatike, historike dhe gjeopolitike të asaj kohe në Ballkan dhe në Evropë.
Jo vetëm shtetet e Evropës Perëndimore: Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca, Austria, Zvicra, Belgjika, Irlanda, Danimarka, Spanja, Portugalia e Islanda; jo vetëm shtetet e Evropës Lindore: Bullgaria, Gjermania Lindore, Çekosllovakia. Hungaria, Polonia, etj., jo vetëm shtetet skandinave: Suedia, Finlanda, Norvegjia, etj., por edhe dy superfuqitë e kohës: SHBA dhe BRSS, nuk qëndruan indiferent lidhur me ngjarjet e vitit 1981. Ato po alarmonin njërën dhe palën tjetër, Perëndimin dhe Lindjen, rrjedhimisht dy superfuqitë. Këto superfuqi nuk dëshironin që asgjë t’i lihej rastit.
Të ndryshme ishin qëndrimet e shteteve Perëndimore nga ato Lindore, të shteteve skandinave nga ato afrikane-aziatike, dhe të SHBA-ve me ato të BRSS. Në disa raste, të ndryshme ishin edhe pikëpamjet midis vetë shteteve të së njëjtit bllok.
Me këtë rast po paraqesim disa dokumente diplomatike të qeverisë shqiptare rreth qëndrimeve të mbajtura nga SHBA dhe disa shteteve të Evropës Perëndimore mbi demonstratat e zhvilluara në Kosovë në vitin 1981.

Drejtoria II
Sektori i Evropës Perëndimore
Mbi reagimet e SHBA-së dhe të disa vendeve perëndimore ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë
Tiranë, më 26 qershor 1981

Vendet perëndimore i kanë kushtuar qysh në fillim një vëmendje të veçantë ngjarjeve në Kosovë. Ndërmjet bisedave të shokëve tanë me diplomatë perëndimorë në Ministri, me zyrtarët vendas e diplomatë të huaj në vende të ndryshme, nëpërmjet shtypit, radiotelevizionit etj., ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për këto ngjarje, sidomos për pasojat që mund të kenë ato për stabilitetin e shtetit federativ jugosllav, për ruajtjen e status quo-së në Ballkan dhe Evropë. As SHBA-ja dhe as partnerët evropianë nuk pajtohen me politikën e pavarur të vendit tonë socialist. Ato nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri. Shpresë të madhe patën ato pas prishjes më Kinën, por nga ana tjetër Perëndimit i intereson që vendi ynë ndjek një politikë të vendosur e konsekuentë ndaj Bashkimit Sovjetik socialimperialist, që nuk i jep atij baza ushtarake dhe që nuk mban asnjë lloj marrëdhënie më të dhe më vendet satelite të Evropës Lindore mban marrëdhënie të një niveli të ulët.
Uashingtonit nuk i pëlqen që Shqipëria socialiste deklaron se nuk donë marrëdhënie më të dhe demaskon politikën prej superfuqie të imperializmit amerikan, por në të njëjtën kohë e vlerëson faktin që ai me shumicën e aleatëve të tij në Evropë e Ballkan mban marrëdhënie normale dhe shprehet për t’i zgjeruar ato qoftë edhe në fushën ekonomike, tregtare, kulturore e fusha të tjera të interesit reciprok. Në mënyrë të veçantë SHBA-së dhe partnerëve të tjerë të NATO-s u intereson zhvillimi që morën marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, Turqinë dhe me Jugosllavinë. Gjithashtu, ato duke u nisur nga mendimi se Shqipëria, që tani nuk mban marrëdhënie me superfuqitë dhe nuk kërkon mbështetjen e tyre, nuk do të mund t’i rezistojë një agresioni sovjetik, sidomos për faktin që Traktati i Varshavës nuk ka pranuar denoncimin që i bëri ajo dhe për shkak se midis Shqipërisë e Bullgarisë është në fuqi traktati i “miqësisë”, dy faktorë këto, sipas versionit perëndimor që Bashkimi Sovjetik mund t’i përdortë si pretekste për të sulmuar atë (Shqipërinë).
Vepra e shokut Enver Hoxha “Hrushovianët” u konfirmoi edhe një herë kancelarive të Perëndimit qëndrimin e Shqipërisë se asgjë nuk e bashkon atë me Bashkimin Sovjetik socialimperialist të klikës së Brezhnjevit, por nga ana tjetër ato nuk janë të bindura plotësisht se ajo për mbrojtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të saj nuk mbështetet tek faktori i jashtëm, por tek i brendshmi. Sado i gabuar që është ky vlerësim, NATO-ja e kalkulon në planet e saja, duke u nisur kurdoherë nga qëllimi i vetëm që stabiliteti në Jugosllavi duhet ruajtur me çdo kusht, se kështu ruhet status quo-ja në Ballkan e Mesdhe që është në favor të saj. Duke e parë situatën e këtij rajoni në këtë prizëm, kuptohet se Perëndimi shqetësohet shumë për ngjarjet në Kosovë dhe nuk pajtohet me trajtimin që i bëri udhëheqja e re jugosllave këtij problemi, pasi ai shikon në to një rrezik të madh për stabilitetin e Jugosllavisë së pas Titos me të gjitha pasojat që mund të sjellë për të një shkatërrim i shtetit federativ jugosllav dhe si rrjedhim ndryshimi eventual i status quo-së në Ballkan në favor të Bashkimit Sovjetik. Nga ngjarjet në Kosovë kancelaritë e shteteve perëndimore nxorën konkluzionin se shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen që do të krijohej në Jugosllavi pas Titos nuk ishin pa baza. Një vit pas vdekjes së tij, udhëheqja e re jugosllave tregoi paaftësinë e saj për t’u dhënë zgjidhje problemeve të mprehta që preokupojnë vendin, midis tyre ai i Kosovës. Përdorimi i dhunës së egër për shtypjen e demonstratave që u zhvilluan në Kosovë nuk gjeti aprovim në vendet perëndimore, gjë të cilën ato e shprehen nëpërmjet kontakteve të ndryshme me shokët tanë këtu dhe jashtë dhe veçanërisht me anë të shtypit dhe të radiotelevizionit.
Për shërbimet që i ka bërë Jugosllavia, Perëndimit në drejtim të minimit të socializmit dhe sabotimit të luftërave nacional-çlirimtare, sidomos me rolin e saj në “lëvizjen e të paangazhuarve” si dhe për hir të interesave politike, ekonomike e ushtarake që ai ka aktualisht atje, ai mban qëndrim miqësor ndaj saj. Por megjithatë sipas të dhënave në rruge diplomatike dhe më anë të shtypit e organeve të propagandës perëndimorët i kanë bërë të qartë udhëheq
jugosllave rezervat e tyre lidhur me qëndrimin që mbajti ajo ndaj këtyre ngjarjeve ashtu siç janë përpjekur në këtë rruge t’i bëjnë të qartë vendit tonë reagimin e tyre ndaj qëndrimit të mbajtur nga ana jonë për këtë problem.
SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore në parim janë për ruajtjen e stabilitetit në Jugosllavi, pasi kështu ruhet sfera e tyre e influencës në Ballkan, por nga ana tjetër ato, duke u nisur nga interesat e ngushta imperialiste mbajtën qëndrime të diferencuara për sa i përket trajtimit të ngjarjeve në Kosovë, sidomos Franca. Pavarësisht nga kjo, ato në forma të ndryshme i kanë bërë të qartë udhëheqjes jugosllave se nuk janë gjetur shkaqet e vërteta dhe nuk merren masa efektive që do të qonin në normalizimin e gjendjes.
Me sa del nga bisedat më zyrtare, diplomatë dhe nga shtypi, Perëndimi në përgjithësi, më përjashtim të Francës, i kundërvihet qeverisë jugosllave lidhur me problemet më themelore që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë:
– Nuk pranon versionin jugosllav që i mohon Kosovës të drejtën e ligjshme për të fituar statusin e një republike në kuadrin e federatës me pretekstin se kjo do të qonte në prishjen e kësaj të fundit.
– Hedh poshtë pretendimet e autoriteteve jugosllave se në ngjarjet e Kosovës ka dorë Shqipëria.
– Vë në dukje se shqiptarët e Kosovës janë diskriminuar vazhdimisht dhe u janë mohuar të drejtat e tyre politike e demokratike dhe se kërkesa e tyre kryesore ka qenë gjithnjë shpallja e Kosovës republikë më vetë.
– Thekson se Shqipëria ngre zërin dhe mbron të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, por nuk ndërhyn në punët e saj të brendshme, se pala jugosllave nuk ka asnjë material konkret për të provuar ndërhyrjen shqiptare dhe se vëzhguesit e huaj e quajnë një gjë të tillë të pabesueshme, po të merret parasysh fakti që Shqipëria është për forcimin dhe jo prishjen e federatës jugosllave.
– Vë në diskutim pretendimin jugosllav se toka e Kosovës historikisht i takon Serbisë me faktin se shqiptarët janë në truallin e tyre që në kohën e ilirëve, ndërsa serbët kanë ardhur atje më vonë.
– Kritikon shtypin jugosllav që nuk informon saktë dhe në kohë për ngjarjet në Kosovë, duke theksuar se krahina është akoma në gjendje shtetrrethimi.
– Kritikon faktin që krahina e Kosovës është lënë pas dore për sa i përket zhvillimit të saj ekonomik.
– Dënon aktet e terrorit dhe të dhunës që kryen policia dhe ushtria jugosllave për shtypjen e rezistencës së popullit kosovar dhe shpreh mendimin se është e dyshimtë që problemi i Kosovës të zgjidhet me masa policeske.
– Vë në dukje se pakënaqësia më e madhe në Kosovë është ajo kombëtare, që ka qenë më të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat e popullit kosovar, së cilës i shtohen kërkesat ekonomike, që së bashku përbejnë një kombinim shumë të fuqishëm të revoltave kombëtare, ekonomike dhe shoqërore.
Nga kontaktet më funksionare e diplomatëve të vendeve të ndryshme dhe komentet e shtypit dhe të radiotelevizionit dalin në pah edhe qëndrimet e vendit tonë, të shprehura në artikujt e “Zërit të popullit” lidhur me ngjarjet në Kosovë, siç janë:
– Shqipëria ka dënuar përdorimin e forcës kundër pjesëmarrësve të demonstratave dhe shkeljen e të drejtave të popullit kosovar, gjë që është një e drejtë e saj.
– Ajo nuk ngrenë pretendime territoriale dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme, por kërkon që shqiptarëve të Jugosllavisë t’u njihen ato të drejta që gëzojnë qytetaret atje në bazë të kushtetutës.
– Çështja e Kosovës është punë e vetë kosovarëve.
– Shqipëria i konsideron të padrejta vendimet e Fuqive të Mëdha në të kaluarën, në baze të të cilave Kosova iu aneksua Serbisë.
– Tito nuk e mbajti premtimin e dhënë për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
– Shqipëria si në kohën kur ishte gjallë Tito, ashtu dhe tani, deklaron se ajo do t’i vijë në ndihmë popujve të Jugosllavisë në rast të një agresioni sovjetik kundër saj, etj.
Vlerësimet në përgjithësi pozitive të shtypit perëndimor si dhe reagimet e ndryshme të diplomatëve dhe të zyrtarëve të mjaft vendeve perëndimore pro qëndrimeve tona lidhur me ngjarjet e Kosovës e kanë tërbuar udhëheqjen jugosllave aq sa shtypi i Beogradit është hedhur deri në sulme personale kundër korrespodentëve të huaj të akredituar atje, sidomos për faktin se SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore pikëpamjet e tyre në një masë të konsiderueshme i kanë shprehur me anë të propagandës.
Krahas vlerësimeve pozitive për qëndrimet tona, shtypi perëndimor, në një formë ose tjetër ka bërë të njohura natyrisht edhe versionet e ndryshme të autoriteteve dhe të shtypit jugosllav për sa i përket ngjarjeve në Kosovë. Shtypi francez ka mbajtur qëndrim negativ për këto ngjarje aspak dashamirës ndaj vendit tonë, duke popullarizuar e mbështetur tezat jugosllave. Ndryshe nga shtypi gjermanoperëndimor, amerikan, anglez, austriak, zviceran, belgjian, suedez etj., ai francez nuk i ka pasqyruar objektivisht ngjarjet në Kosovë, sidomos “Le Monde” nuk është treguar aspak realiste në trajtimin e tyre. Karakteristikë e shtypit francez ka qenë se ai është treguar dorëlëshuar për të bërë të njohura tezat jugosllave, i ngurtë në përhapjen e qëndrimeve tona dhe ka ngulur këmbë në pikëpamjen e tij se polemika midis Jugosllavisë e Shqipërisë duhet të shuhet se ajo do të shpjerë në keqësimin e marrëdhënieve midis tyre, gjë që do to dobësonte pozitat e Perëndimit në Ballkan, megjithëse duhet thënë se lidhur më shpërthimet në ambasadën jugosllave në Tiranë ka pasqyruar më shumë edhe pikëpamjet tona.
Qëndrimet e vendeve perëndimore dalin në njëfarë mase pak a shumë konkrete edhe nga bisedat e shokëve tanë në qendër dhe jashtë me zyrtarë e diplomatë të vendeve të ndryshme perëndimore, siç janë:
– Ambasadori austriak në Beograd ka informuar shokët tanë se sipas ambasadës së SHBA-së atje amerikanët kanë “më shumë mirëkuptim për pozitën e Shqipërisë” lidhur me ngjarjet në Kosovë. Ashtu si shtypi amerikan, ata shkaqet e tyre të vërteta i shikojnë tek problemet ekonomike, sociale e shoqërore të Kosovës. Dënojnë përdorimin e dhunës kundër demonstruesve i këshillojnë autoritetet jugosllave që mos t’i largojnë studentët nga Universiteti I Prishtinës, por t’i mbajnë nën kontroll aty, se ndryshe “do të dalin në mal për të luftuar”. Shprehen kundër presioneve që ushtron Jugosllavia ndaj Shqipërisë, duke vënë në dukje se kjo është në dëm të pavarësisë së tyre.
Nga ana tjetër SHBA-ja ia ka tërhequr vëmendjen qeverisë turke dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me reagimin antijugosllav të shtypit turk për ngjarjet në Kosovë. Ato i kanë kujtuar autoriteteve turke se me Jugosllavinë ekziston një pakt ballkanik që në rast rreziku për të duhet të hyj në veprim. Jo vetëm kaq, por synimi i SHBA-së është këtë pakt për ta vënë në shërbim të tyre.
Fakti që Departamenti i Shtetit shprehu shqetësimin e tij dhe shtypi amerikan nuk u pajtua me qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj ngjarjeve në Kosovë, duke i këshilluar që të heqin dorë nga trajtimi i gabuar që po u bëjnë atyre, nuk e prek fare qëndrimin dashamirë të SHBA-së ndaj Jugosllavisë dhe as marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve. Përkundrazi vërteton edhe një herë se SHBA-ja është gati t’i japin Jugosllavisë çdo ndihmë të mundshme politike, ekonomike dhe ushtarake, me qëllim që ajo të ruaj pavarësinë e saj karshi superfuqisë tjetër, Bashkimit Sovjetik. Nuk ndryshon aspak edhe qëndrimi i SHBA-së ndaj vendit tonë dhe as synimet e tyre armiqësore kundër tij. Por, kritikat e këshillat amerikane, në esencë dashamirëse për Beogradin, nuk kanë gjetur jehonë tek udhëheqja jugosllave, sidomos tek klani serbomadh.
– Nga takimet e shokëve tanë në Paris me funksionarë të MPJ-së del se francezët na japin këshilla që të tregohemi të “përmbajtur” dhe të ruajmë marrëdhënie normale me Jugosllavinë, “problemet t’i zgjidhim në mënyrë paqësore”, shprehen se Ballkanin duan ta shikojnë si në të kaluarën, etj. Duke u bërë interpretë të tezave jugosllave ata shprehin mendimin se Qeveria jugosllave do të marrë masa për të ndihmuar ekonomikisht Kosovën dhe me sa duket do t’i japë një autonomi më të madhe kulturore asaj, se praktikisht jugosllavët e kanë të vështirë të pranojnë kërkesën për statusin e republikës, se kjo do të sillte pretendime territoriale ndaj Maqedonisë e Malit Zi, ku banojnë shqiptarë. Por, më e rrezikshme, theksojnë funksionarët francezë të MPJ-së, do të ishte kërkesa për shkëputje, gjë që Kosova si krahinë autonome nuk mund ta bëjë tani, pasi kjo do të çonte në destabilizimin e Jugosllavisë, në prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis saj dhe Shqipërisë dhe në inkurajimin e synimeve sovjetike për të dalë në Adriatik.
Natyrisht duke u hequr si “demokratë” ata kritikojnë përdorimin e dhunës kundër demonstruesve kosovarë, konsiderojnë parimisht të drejta kërkesat ekonomike e sociale të tyre, etj. Këto pikëpamje janë shprehur kryesisht në kohën kur ishte d’Esteni president dhe në kulmin e fushatës së zgjedhjeve, por edhe që nga ardhja në fuqi e Miteranit nuk shikojnë ndonjë ndryshim thelbësor, përveç faktit që Miterani në takimet me ambasadorin tonë është shprehur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe shtypi ka filluar të shkruaj më shumë edhe për qëndrimet tona dhe jo kryesisht ato jugosllave. Kjo mund të ketë dy arsye. E para mund t’i jetë tërhequr vëmendja nga Qeveria e re franceze dhe kjo do të ishte mjaft pozitive. E dyta shtypi e propaganda franceze e ndjejnë vetën të izoluar karshi shtypit perëndimor të vendeve të tjera që shkruan objektivisht lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe për qëndrimin e vendit tonë. Ky është një problem që duhet analizuar e ndjekur me kujdes në të ardhmen. Më shumë rëndësi ka të mësojmë se çfarë qëndrimi do të mbajë Qeveria e re franceze tani pas zgjedhjeve parlamentare ndaj ngjarjeve në Kosovë. Nuk mendohet që Qeveria e re e presidentit Miteran të ndryshojë qëndrimin politik taktik e strategjik të Francës të mbajtur ndaj Ballkanit e Mesdheut, por edhe sikur ajo të vazhdojë të përkrahë Jugosllavinë në çështjen e Kosovës, do t’i duhet medoemos të ruaj ekuilibrin në marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, pasi ai i siguron asaj mbrojtjen e interesave të Francës në këtë zonë.
– Shtypi gjermanoperëndimor u ka bërë shumë jehonë ngjarjeve në Kosovë, duke shprehur në përgjithësi ato qëndrime të shtypit perëndimor që përmenden më lart. Përveç kësaj ai ka venë në dukje se dhuna e terrori kundër kosovarëve është përdorur edhe në të kaluarën, gjë për të cilën nuk mban
përgjegjësi vetëm Rankoviqi, por edhe Tito e udhëheqësit kosovarë si, Fadil Hoxha e Veli Deva. Sado që shtypi në RF Gjermane, ashtu si në vende të tjera pretendon se është i pavarur, ai shpreh në një masë të konsiderueshme pikëpamjet e qarqeve drejtuese të Bonit lidhur me ngjarjet në Kosovë, pasi synimi strategjik i Gjermanisë Perëndimore ndaj Jugosllavisë dhe në tërësi ndaj zonës së Ballkanit dhe të Mesdheut përputhet në përgjithësi me atë të NATO-s. Këtë e vërteton edhe fakti që, siç del nga burime diplomatike gjermanoperëndimore, artikulli i 17 majit të “Zërit të popullit” është pritur mirë nga qarqet zyrtare të Bonit, sidomos qëndrimi ynë i qartë lidhur me problemin gjerman. Megjithatë, lidhur me çështjen e reparacioneve Qeveria gjermanoperëndimore deri tani nuk ka reaguar dhe nuk u është përgjigjur propozimeve të qeverisë sonë.
– Jehonë të veçantë gjetën ngjarjet në Kosovë sidomos në Austri. Kjo shpjegohet jo vetëm me faktin se ajo përkrah qëndrimin e Perëndimit për këtë problem, por edhe për arsye se ajo niset edhe nga problemet e saj të veçanta, që ka me Jugosllavinë për sa i përket minoritetit kroato-slloven në Austri dhe në përgjithësi marrëdhënieve të saj më të si vend fqinj. Një pjesë të veprimtarisë së tyre emigrantët politikë jugosllavë, veçanërisht ata kroatë, e kryejnë në Austri, etj. Pozitivisht lidhur me ngjarjet në Kosovë kanë reaguar diplomatët dhe shtypi edhe në vende të tjera, sidomos në Angli, Zvicër, vendet e ulëta, vendet skandinave etj. Në shkrimet e tyre gazetat e këtyre vendeve i kanë bërë jehonë artikujve tanë të “Zërit të popullit” dhe në përgjithësi kanë ndjekur atë linjë që ndoqi shtypi perëndimor, duke shprehur po ato shqetësime dhe duke mbrojtur interesat e tyre në Jugosllavi e në të gjithë Ballkanin.
Mbi bazën e analizave që kanë bërë të gjitha drejtoritë për zonat respektive që ndjekim, mendojmë se është e nevojshme të bëhet një konsultë midis tyre, ku të marrin pjesë edhe shokët e Komitetit, për të paraqitur secila mendimet e saj dhe në fund të arrihet në disa konkluzione mbi detyrat që na dalin dhe masat për veprim në drejtim të marrëdhënieve të vendit tonë më vendet e ndryshme, aktivizimit të diplomacisë me vendet fqinjë dhe vendet e tjera perëndimore dhe në përgjithësi për punën tonë në drejtim të propagandimit dhe përhapjes së mendimit të Partisë në Perëndim.
Tiranë, më 26. 06. 1981 Idriz Bardhi

Relacion mbi shkrimet e shtypit amerikan për vendin tonë gjatë periudhës nga gushti i vitit 1980 deri në qershor të vitit 1981
Mbi shkrimet e shtypit amerikan mbi ngjarjet në Kosovë
Nju Jork, më 11 korrik 1981

Gjëja e parë që të bie në sy në këto shkrime është jo vetëm numri relativisht i madh i artikujve që janë shkruar por dhe shtrirja e tyre në shumë organe të shtypit e sidomos trajtimi i këtyre ngjarjeve disa herë me radhë në disa nga gazetat më të mëdha të Amerikës. Deri më 19 qershor të këtij viti kanë shkruar mbi ngjarjet në Kosovë si dhe për materialet tona mbi këto ngjarje 46 gazeta të ndryshme të vendit të cilat kanë botuar 123 artikuj prej të cilëve 61 kanë qenë artikuj të gjatë e komentues, 48 artikuj të shkurtër me karakter informues, 10 të marra nga gazetat e tjera dhe 4 të marrë nga agjencia e “Tanjugut”.
Gjatë kësaj periudhë vetëm gazeta “New York Times”, që është një ndër gazetat më të mëdha amerikane ka shkruar 13 herë dhe pastaj vijnë me radhë gazetat “Washington Post”, e “Times Herald” me 7 herë; “Chronicle” (Houston, Tex) 6 herë; “World” dhe “Chronocle” (San Francisko) 5 herë; “Free Press”, “News Day” dhe “Times (Los Angeles) 4 herë; “Star, Indianapolis”, “Christian Science Monitor” dhe “New York Post”, “Sun Times”, “News World”, dhe “Boston Globe” nga 3 herë; “Star Washington”, “Morning Nëws”, “Herold American”, “News American”, “Courant, Hortford”, “Journal Providence”, “News”, “Republican”, “Journale”, “American”, “Post-Dispatch” dhe revista “World Press Review” nga 2 herë dhe 17 gazeta të tjera që kanë shkruar vetëm nga një herë. Autorët që kanë shkruar më shumë për këto ngjarje janë: 1) Marvinë Howe-korrespondent special i gazetës “New York Times” – ka shkruar 5 herë, 2) Erik Bournë-korrespodent special i gazetës “Christian Science Monitor” në Vjenë – ka shkruar 3 herë dhe Anthony Barbieri-korrespodent i gazetës “Morning Sun” – ka shkruar dy herë. Gazetarë tjerë që shkruan shpesh për vendin tonë, megjithëse për ngjarjet në Kosovë ka shkruar vetëm një herë, është dhe korrespondenti i gazetës “Washington Post” – Michael Dobbs. Që nga fillimi i ngjarjeve në Kosovë shtypi amerikan ka pasur më shumë shkrime edhe për vendin tonë. Prandaj në këtë relacion së pari po trajtojmë qëndrimet e pikëpamjet e shprehura në shtypin amerikan lidhur me këto ngjarje.
Shtypi amerikan nuk reagoi menjëherë pas demonstratave të filluara të prillit në Kosovë. Ky qëndrim mendojmë se nuk ishte një gjë e re por një veprim i menduar mirë. Në këtë qëndrim shprehej në njëfarë mase dëshira e qeverisë amerikanë për t’i treguar udhëheqësve revizionistë jugosllavë se edhe pse nuk mund të aprovojë politikën e gjenocidit dhe të masave shtypëse që zbaton Qeveria jugosllave kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, SHBA-ja po mbanë qëndrim të rezervuar për hir të miqësisë së vjetër që ekziston midis këtyre dy vendeve si shpërblim për shërbimet e mëdha që revizionistët jugosllavë i kanë bërë imperializmit në përgjithësi dhe atij amerikan në veçanti.
Veç kësaj duhet menduar se në ngathtësinë e shtypit amerikan për pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë. Problemi nuk është i njohur sa duhet për gazetat amerikane, ngjarjet e Kosovës nuk bënin pjesë në repertorin tradicional të problemeve më të cilat merren këto gazeta. Dhe mbi të gjitha sado që quhet i lirë e duket i padisiplinuar shtypi amerikan i ndjek dhe nuhat tendencat zyrtare të qeverisë. SHBA-ja, siç është parë edhe më vonë, në fazën fillestare të ngjarjeve nuk kanë dëshiruar që rasti i Kosovës të marrë publicitet, nuk kanë dëshiruar të njihet shumë në botë se gjendja në Jugosllavi është kaotike, si filluan problemet e mëdha për këtë SHBA-ja nuk ka dëshiruar e më sa duket nuk dëshiron që rreziku i social-imperializmit sovjetik në Ballkan të vihet shumë në dukje sepse duan që konfrontimin me të ta kufizojnë më shumë në disa zona të tjera. Në pasqyrimin e ngjarjeve të Kosovës shtypi amerikan është treguar, sidomos në fillim, i njëanshëm sepse është mbështetur në shkrimet e shtypit jugosllav, të komenteve të agjencisë së “Tanjugut” dhe në deklaratat e zyrtarëve të lartë jugosllavë. Trajtimi i ngjarjeve në Kosovë duke u mbështetur në të dhënat jugosllave ka bërë që në SHBA të jepet versioni i shtrembëruar i ngjarjeve për sa i përket anës së tyre politike dhe asaj historike. Në shtypin amerikan edhe të kaluarën historike të Kosovës kanë mbizotëruar tezat false të punuara nga “historiografia serbë” e të trumbetuara nga propaganda jugosllave. Prandaj, shtypi amerikan nuk ka qenë në gjendje të zbulojë e të shtjellojë si duhet për opinionin e lexuesit e tij shkaqet e vërteta dhe tërë kontekstin historik e bashkëkohor të shpërthimit të demonstratave dhe të krimeve e terrorit që bënë serbët për t’i shtyp ato. Njëfarë qëndrimi i njëanshëm e deri diku projugosllav ka karakterizuar shtypin amerikan po të kemi parasysh se pasqyrimi i materialeve tona në shtypin amerikan ka qenë shumë i pakët dhe i cunguar.
Me kalimin e kohës dhe zhvillimin e ngjarjeve edhe shtypi amerikan bëri ndryshime në trajtimin e problemit. Botimi i një numri të madh shkrimesh jo vetëm me karakter informues por edhe komentues sidomos në javën e dytë pas demonstratave të 1 dhe 2 prillit qenë shenjat e para se ky shtyp nuk mund të heshtë e as t’i shmangej bërjes së konkluzioneve e të vlerësimeve që i imponoheshin nga ngjarjet. Arsyet që e detyruan shtypin amerikan që të dal nga gjendja e mëparshme duhen kërkuar së pari në vetë përmasat e përpjesëtimet që morën vetë demonstratat e shqiptarëve në Kosovë. Ato si nga numri i pjesëmarrësve, nga shkalla e shtrirjes së tyre dhe nga kërkesat që shtruan për zgjidhje ishin të tilla që as mund të shtypeshin lehtë dhe pa zhurmë siç kërkonte të bënte Qeveria jugosllave dhe as mund të mbuloheshin e të liheshin në heshtje dhe aq më pak të shtrembëroheshin në përputhje me epitetet që i vinte Qeveria jugosllave. Po ashtu, ato duhen kërkuar edhe në presionin që ushtroi opinioni përparimtar si dhe qëndrimet që mbajti shtypi në vende të tjera të botës i cili ndihmoi që t’i çirrej maska udhëheqjes revizionistë jugosllave dhe të dilte në shesh e vërteta mbi ngjarjet në Kosovë.
Më poshtë po radhisim disa nga idetë kryesore që ka shprehur shtypi amerikan në shkrimet e tij lidhur me ngjarjet në Kosovë:
1. Në të gjitha shkrimet pranohet se Kosova është provinca më e varfër prej të gjitha krahinave të tjera të Jugosllavisë dhe problemet ekonomike janë një nga shkaqet e demonstratave. Në shtypin amerikan është thënë se Kosova është një nga krahinat më të varfra të Ballkanit. Lidhur me këtë problem, gazeta “New York Times” e datës 11 maj 1981 shkruan: “Një zyrtare e partisë komunistë vuri në dukje gjatë një intervistë se në Klinë, komuna më e varfër në Kosovë, të ardhurat për frymë janë rritur nga 62 dollarë që ishin në vitin 1949 në 346 dollarë në vitin 1980. Po ai shtoi se ajo qëndron shumë prapa komunave veriore rreth Lubjanës, që ka rreth 7 500 dollarë të ardhura për frymë”. Ndërsa gazeta “Christian Science Monitor” më datën 21 maj shkruan: “Pavarësisht prej prioritetit financiar, Kosova qëndron në fund të pirgut jugosllav. Të ardhurat mesatare vjetore për frymë të saj janë më pak se 1/3 e mesatares së Jugosllavisë që është rreth 2 700 dollarë dhe thjeshtë sa 1/7 e mesatares së Sllovenisë që është 5 400 dollarë”. Në po këtë artikull më poshtë thuhet: “se provinca ka 7% të popullsisë jugosllave po përfiton më pak se 3% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar të saj”. Po kështu, në gazetën “Boston Globe” më datën 18 qershor midis të tjerave thuhet: “… Ata pak shqiptarë ordinerë që mund të takosh tregojnë se si hendeku i thellë ekonomik midis Kosovës dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë po vjen duke u thelluar, se sistemi jugosllav i socializmit të “Laise Faire” nuk jep as udhëheqje dhe as ndihmë të mjaftueshme, se si ata akoma trajtohen në mënyrë të atillë që ta ndjejnë vetën inferiorë”. Po për këtë problem gazeta “Christian Science Monitor” më datën 8 prill shkruan: “Në dukje ishin kushtet ekonomike që nxitën lëvizjet e 1 dhe të 2 prillit. E gjithë Jugosllavia është në rënie, por Kosova me një popullsi prej 1.6 milionë banorë nga të cilët 3 në 4 vetë janë shqiptarë etnikë është goditur më rëndë. Kosova, një nga krahinat më të varfra në Ballkan, ka pasur një rënie të ndjeshme në standardin e jetesës dhe pse ka pasur një ndihmë të kufizuar nga federata gjatë dy dekadave të fundit”.
2. Në shumë shkrime të shtypit amerikan quhet e drejtë e në fakt mbështetet kërkesa e shqiptarëve që banojnë në Jugosllavi për të pasur republikën e tyre brenda federatës Jugosllave. Për këtë gazeta “Nëw York Times” më datën 27 prill 1981 midis të tjerave thekson atë që shteti federativ i Jugosllavisë ka tashmë 6 republika, çfarë ndryshimi do t’i sillte dhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë kur 85% e banorëve prej 1.5 milionë janë shqiptarë etnie? Në një artikull tjetër të gazetës “Christian Science Monitor” të datës 21 maj 1981 thuhet se bërja e Kosovës republikë do të forconte sistemin duke shërbyer si një përfundim logjik i procesit. Më poshtë po kjo gazetë thotë se ata që argumentojnë këtë thonë se shpejt apo vonë do të provohet se statusi i republikës është e vetmja zgjidhje jo vetëm për të ruajtur paqen në Kosovë, por gjithashtu për të ruajtur sigurimin në një zonë të ndjeshme të Ballkanit. Gjithashtu, në shumë shkrime të shtypit amerikan theksohet se Qeveria jugosllave nuk i jep Kosovës statusin e republikës sepse ka frikë se ajo mund të shkëputët. Lidhur me këtë më datën 21 maj në gazetën “Christian Science Monitor” thuhet: “Në fakt, Kosova ka tashmë autonomi lokale. Dhe zyrtarët e Beogradit të ndodhur nën presionin e lobit të fortë serb, pretendojnë se bërja e Kosovës republikë mund të çojë në shkatërrimin e gjithë federatës e të konceptit të vetadministrimit”.
3. Në artikujt e shtypit amerikan thuhet se shqiptarët përbejnë pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës duke zënë 85% të numrit të saj. Në disa raste numri i popullsisë jepet edhe më i vogël se shifra 85%. Ajo që të bie në sy në këto shkrime është fakti se në shumë artikuj përmendet fjala minoritet e jo nacionalitet shqiptar. Bile me qëllim të caktuar shtypi amerikan duke shtrembëruar historinë përpiqet të nxjerrë serbët sikur gjoja ata janë autokton në krahinën e Kosovës kurse shqiptarët si të ardhur. Kështu në gazetën “Boston Globe” të datës 18 qershor midis të tjerave thuhet: “… në epokën e mesme, si pjesë e shtetit të Rascia, Kosova ishte shtëpia e dinastisë themeluese të Serbisë dhe vendi i Patrikanës në qytetin e Pejës. Pastaj erdhën turqit që u shtrinë në Evropë. Në vitin 1389, në Rrafshin e Kosovës, afër Prishtinës, turqit munden ushtrinë kryesore serbe dhe sunduan vendin për 500 vjet të tjera”. “Megjithëse shumë prej serbëve u larguan në veri, duke lejuar fiset shqiptare që të plotësojnë vakumin, Kosova u bë vendi i kombit serb dhe i hakmarrjes së përgjakshme”.
4. Në të gjithë komentet e shtypit amerikan mbi ngjarjet në Kosovë pohohet fakti se Shqipëria nuk ka gisht në demonstrata. Për këtë gazeta “Christian Science Monitor”, më 21 maj 1981, shkruan: “Me hamendje po e akuzojnë Shqipërinë për ndërhyrje e nxitje. Por nuk ka prova se regjimi i Tiranës ishte ose është më shumë se simpatizues i kërkesës së demonstruesve që Kosovës t’i jepet statusi i plotë i republikës”. Ndërsa gazeta “Boston Globe” më datën 18 qershor shkruan: “Sigurisht është më lehtë për të qortuar një djall të jashtëm se sa një kalbëzim të brendshëm dhe shqiptarët e regjimit të Enver Hoxhës që jetojnë të mbyllur përbejnë një rast të mrekullueshëm për të ngatërruar gjurmët”. Në shtypin amerikan për këtë problem jepet edhe qëndrimi me dy fytyra i Qeverisë jugosllave. Në fillim në këto shkrime citohen thëniet e autoriteteve të larta jugosllave se nuk kishte prova që Tirana të kishte gisht në protestat. Më vonë, me daljen e artikullit të gazetës “Zëri i Popullit” të 8 prillit, pasqyrohet dhe ndryshimi i qëndrimit jugosllav. Kështu në një prej këtyre artikujve thuhet se Jugosllavia e akuzon Shqipërinë se zhvillon një fushatë anti-jugosllave dhe se ka pretendime mbi territorin e saj. Ndërsa, në një tjetër thuhet se një udhëheqës i rangut të lartë akuzoi Shqipërinë fqinjë për nxitjen e demonstratave të fundit në provincën e Kosovës.
5. Në këto shkrime pohohet fakti se në Jugosllavi shqiptarët kanë pasur gjithnjë statusin e “qytetareve të klasit të dytë”. Lidhur me këtë më datën 13 prill në gazetën “News World” thuhet: “Shqiptarët u ankohen gazetarëve se jetojnë si qytetarë të klasit të dytë në tokën që ishte e tyre shumë kohë përpara se zoti të vendoste që këtu të vendoseshin serbët, kroatët dhe turqit. Serbët janë të veshur mirë kurse ne ecim zbathë”. Ndërsa gazeta “Christian Science Monitor” më datën 8 prill 1981 shkruan: “Edhe pse tradicionalisht ruajnë krenarinë kombëtare, shqiptarët kosovarë akoma vuajnë nga një kompleks inferioriteti. Serbët dhe anëtarë të tjerë të mëdhenj të vendit shpesh i shohin me nënvleftësim ata”. Po për këtë problem në gazetën “Boston Globe” më datën 18 qershor shkruhet: “Shqiptarët kanë qenë gjithnjë qytetarë të klasit të dytë në vendin e sllaveve të jugut (që do të thotë Jugosllavi) dhe si mysliman në një vend të kristianëve. Ata janë më të varfrit e të varfërve, akoma në pjesën më të madhe fshatare analfabetë. Në çoftë se ata largohen nga Kosova për të gjetur punë, gjuha e tyre është e padëshirueshme për jugosllavët e tjerë, ata përfundojnë në bërjen e punëve të mbetura si portierë, pjatalarës e lustraxhinj…”.
6. Numri i pjesëmarrësve në demonstrata në shtypin amerikan jepet herë 20 000, herë 10 000 dhe në ndonjë rast citohet dhe shifra prej 2 000 veta që kanë deklaruar zyrtarët jugosllavë. Për sa i përket numrit të të vrarëve jepen të njëjtat shifrat herë 9 dhe herë 11 që janë dhënë nga zyrtarët e lartë jugosllavë.
7. Pasqyrohet reagimi ndaj materialeve tona. Megjithëse ky reagim është i pjesshëm dhe jo i plotë aty jepen disa prej qëndrimeve tona kryesore. Lidhur me këtë në shtypin amerikan më datën 9 prill shkruhet se “gazeta “Zëri i popullit” botoi pikëpamjen e parë shqiptare për demonstratat duke akuzuar se minoriteti shqiptar në Kosovë ishte duke u mbajtur në varfëri dhe pa liri politike”. Ndërsa, më 24 prill në shtypin amerikan thuhet se “dje (më 23 prill) Shqipëria mohoi se është përzier në demonstratat e dhunës të kohëve të fundit të shqiptarëve etnikë në Jugosllavi ose se kishte pretendime territoriale ndaj fqiut ballkanik”. Po kështu në shtypin amerikan shkruhet se: “Një artikull i gazetës së Partisë Komuniste “Zëri i popullit” gjithashtu akuzoi autoritetet jugosllave për shtypjen barbare, vrasjet e torturat e ashpra për të shtypur turbullirat në provincën e Kosovës”. Gjithashtu në shtypin amerikan pasqyrohet qëndrimi i vendit tonë mbi hedhjen poshtë të shpifjeve jugosllave se gjoja vendi ynë ishte përzier në hedhjen e bombave në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Për këtë gazeta “Washington Post” më datën 26 maj 1981, boton lajmin nga Vjena me titull: “Shqipëria kritikon Beogradin mbi shpërthimin në Ambasadën në Tiranë”. Në këtë artikull në fillim thuhet: “Sipas një deklaratë të Ambasadës shqiptare sot këtu, Shqipëria ka hedhur poshtë protestën e Beogradit mbi sulmin me bomba kundër ambasadës jugosllave dhe aludonte se bombat mund të ishin hedhur nga vetë jugosllavët. Duke përfunduar artikulli shkruante: “Deklarata shqiptare thoshte se bombat mund të ishin vendosur nga brenda ambasadës, e cila nga jashtë ruhet shumë e vazhdimisht”. Po kjo gazetë më datën 30 maj shkruan: “Shqipëria ka hedhur poshtë pretendimin e Beogradit se ajo ishte e implikuar në vënien e bombave në Ambasadën jugosllave në Tiranë, javën e kaluar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, thirri ambasadorin e Jugosllavisë për t’i hedhur poshtë akuzat se Shqipëria po përpiqej t’i shmangej përgjegjësisë për incidentin”. Po më 30 maj, gazeta “New York Times” shkruan: “Gazetat shqiptare thanë sot se zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Reis Malile, kishte hedhur poshtë akuzën e Jugosllavisë se Shqipëria ishte përzier në hedhjen e bombave në ambasadën jugosllave në Tiranë javën që kaloi. Thuhet se zoti Malile thirri ambasadorin e Jugosllavisë në Tiranë, Branko Kona, dhe i tha atij, “Ne kurrë nuk kemi sulmuar dhe nuk do ta sulmojmë Ambasadën jugosllave në Tiranë”. Në këto shkrime pasqyrohet dhe dëshira e vendit tonë për vazhdimin e marrëdhënieve të fqinjësisë me Jugosllavinë si dhe për të luftuar krah për krah me popullin jugosllav në çoftë se sulmohet nga imperializmi e social-imperializmi.
8. Flitet për gjendjen e rëndë që vazhdon të ekzistojë në Kosovë si dhe për terrorin e masat shtypëse që po ndërmerr Qeveria jugosllave ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Në këto shkrime thuhet për mbylljen e universitetit dhe shkollave të tjera të larta e të mesme në krahinën e Kosovës, për ushtrinë dhe forcat speciale të sigurimit prej forcave të policisë kombëtare që vazhdojnë të qëndrojnë në provincën e Kosovës, për shtimin e forcave të policisë dhe të forcave rezerviste në këtë krahinë, për 100 demonstrues të arrestuar që pritën të dalin në gjyq, për 500 demonstrues që janë gjobitur dhe për 150 të tjerë që kanë pasur akuza serioze e të pa përcaktuara, për 450 anëtarë partie që janë përjashtua për pjesëmarrje në demonstrata duke përfshirë 105 mësues dhe 99 studentë, për 189 veta që janë qortuar rëndë duke përfshirë 109 mësues e 300 studentë që janë përjashtuar nga shkolla etj. Po kështu, në këto shkrime jepet mendimi i zyrtarëve perëndimorë të cilët thonë se problemi ka filluar të përhapet gjatë gjithë provincës.
Për sa përmendem tërheqim konkluzionin e përgjithshëm se pavarësisht prej përpjekjeve të shtypit amerikan sidomos në fazën fillestare pas demonstratave të 1 dhe të 2 prillit për ta paraqitur zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë sipas interpretimit që i bënin këtyre ngjarjeve zyrtarët e lartë jugosllav, shtypi, agjencia e “Tanjugut” dhe gjithë propaganda jugosllave si dhe qëndrimin krejt të kundërt të diferencuar që mbajti ndaj materialeve tona mbi këto ngjarje të cilat i pasqyrojë pak herë dhe në mënyrë shumë të reduktuar si dhe të metave të tjera që kanë të bëjnë me trajtimin e këtyre ngjarjeve në bazë të interesave dhe botëkuptimit të tyre borgjez, pati anë pozitive se bëri të njohur në publikun amerikan, në trupin diplomatik e në gjithë botën ngjarjet në Kosovë të cilat për mendimin tonë dhe nga takimet që kemi pasur me diplomatë, gazetarë dhe vendas ose kanë qenë shumë pak të njohura ose nuk njiheshin fare. Dhe ashtu si janë paraqitur ngjarjet në shtypin amerikan çdo njëri i ndershëm që ka dashur të njohë e të kuptojë të vërtetën nga këto shkrime mbi ngjarjet në Kosovë i ka dhënë të drejtë popullsisë shqiptare në Jugosllavi sepse janë ngritur për mbrojtjen e të drejtave të tyre të ligjshme të dhëna edhe nga kushtetuta jugosllave, kanë vlerësuar si të pjekur e të matur qëndrimin e vendit tonë në mbrojtje të këtyre të drejtave dhe kanë dënuar vrasjet, politikën e gjenocidit dhe masat shtypëse që ka marrë dhe po merr qeveria jugosllave kundër shqiptarëve në Jugosllavi.
Në shkrimet e shtypit amerikan për ngjarjet në Kosovë në fakt nuk gjen asgjë që të justifikojë apo të marrë anën e Jugosllavisë. Nga e tërë ajo që është shkruar, del se pavarësisht nga armiqësia e njohur e këtij shtypi ndaj Shqipërisë socialiste, ai nuk ka mundur t’i shmanget pranimit në fakt të së vërtetës mbi ngjarjet në Kosovë. Qëndrimet jo dashamirëse të shtypit amerikan ndaj vendit tonë edhe në këtë rast nuk kanë munguar. Por, ato janë shprehur jo aq direkt. Ato janë shprehur në pasqyrimin e pakët të materialeve tona dhe në përsëritjen herë pas herë të shpifjeve të njohura mbi “ashpërsinë e regjimit”, “izolimin e Shqipërisë”, etj.
Nju Jork, më 11 korrik 1981 Gëzim Arapi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura