BEDRI TAHIRI: TË PANDARË EDHE NË PËRJETËSI

Prishtinë, 24. 09. 2016: (Përvjetorët e krenarisë sonë kombëtare) –
Luftë…luftë…luftë…dhe prapë luftë.
Një emër që denbabaden na përcolli nëpër vite e shekuj. Për të, më mirë se librat, flisnin pleqtë përvojëhidhur. Por, kot. Mendja jonë sikur nuk i kuptonte dot. Ende nuk besonim se mësuesja e jetës qenkësh hileqare e madhe dhe shpeshherë nuk treguaka të vërtetën! Ende nuk e keni provuar shkaun, se ndryshe do të flisnit,- thoshin ata, duke dredhur kokën me habi e duke ofsharë thellë…Dhe, së fundi, u bindëm. Edhe vetë e provuam atë të zezë. E përjetuam një luftë të ndyrë, që, pos në mesjetë, zor të ketë ngjarë ndonjëherë…
E martë, 22 shtator 1998. Gjyshja, ndjesë pastë, gjithmonë thoshte se e marta është përplot të liga dhe fort ia kishte dronë, sa s’prekte punë me dorë pasdrekën e saj. Ne qeshnim pa të drejtë, duke e marrë si bestyte. Edhe agu i kësaj dite nisi fare ters. Tri të martët zemërake na kishin mallkuar rëndë. Nata barsë polli lubinë me barkun e pangopshëm shekullor. Dheu u trand fuqishëm…
Rrezet e purpurta të diellit herak mezi depërtonin në thellësitë e lugjeve të trazuara të Qyqavicës mitike. Edhe mrizet e qeta të Krojeve të Bardha ishin zgjuar beftë. Po zanat flokëgjata ku ishin që nuk po dukeshin gjëkundi. Mbase strukur mes shkëmbinjsh të thepisur pas shkurresh të dendura mbanin vesh se ç’po ngjiste. Edhe dielli ishte hutuar, nuk bënte dot tutje…
-Të zhduket me gjithë rrënjë farë e mallkuar e UÇK-së!- kishte urdhëruar kryesatanai fytyrëprishur Milosheviq, para se ta nënshkruante marrëveshjen me ambasadorin Hollbruk. Dhe vartësit e tij besnikë nisen operacionin famëkeq me emrin „QYQAVICA“, të planifikuar mirë e mirë një kohë të gjatë. Mbi njëzet e pesë mijë trupa; policë, ushtarë, oficerë, paramilitarë dhe vullnetarë serbë, të mobilizuar edhe me dhunë, me tërë makinerinë e arsenalin e armatimit, u vërsulën mbi zemrën e Kosovës, mbi Drenicën dhe Artakollin. Nga çdo anë, nga Mitrovica, nga Skënderaj, nga Gllogoci, nga Obiliqi dhe nga Vushtrria hijet mortore marshonin me tanke e topa, me hanxharë të helmatosur e me una të ndezura në dorë drejt Qyqavicës…
Dhjetëra e dhjetëra fshatra u gjetën në rrethim të hekurt. Popullsia e pambrojtur u trazua keq. Të hutuar e të lëbetitur morën kokën në dorë, kah sytë këmbët. E ku të shkonin fatzinjtë ? Predhat e granatat plasnin kudo, mbi çati, nëpër oborre e mbi plevica që merrnin flakë furishëm. Një rrugë e vetme kishte ngelur, ajo që të shpiente në Qyqavicë.
Akrepat e orës rrotulloheshin mërzitshëm. Qielli përflakej në kryqëzim betejash e fatesh mjerake. Shqipet e lirisë qëndronin të patundura maje kreshtash. Zanat faqekuqe braktisen mrizet hijethella dhe ua mjekonin plagët trimave, që përballeshin fytas me të keqen. Qumështi i tye, i bardhë si bora, u jepte fuqi. Edhe me nëntë plagët e Gjrergj Elez Alisë në shtat, ata vazhdonin betejat për jetë a vdekje. E ku kishte nder më të madh sesa të biesh në fushën e nderit, në betejat për liri…
Po Guri i Plakës ç’kishte vallë që rrite si mumie e shushatur?
Ah, i shkreti, nuk kishte edhe faj! Shenjat që vinin nga maja e Kosmaçit ishin ndjellakëqia. Drejt tij ishte sulur lubia shumëkrerëshe. Kjo nuk i kishte ngjarë kurrë! Mjaft kishte parë, dëgjuar e përjetuar. E kishte përcjellë edhe Millosh Kopiliqin kur qe nisur për ta therr sulltanin sedërmadh. Kishte përjetuar betejat e Azem Galicës, Lec Gradicës e Zenel Baicës. Por, sot ishte krejt ndryshe. Këtu po ngjiste hataja. Toka shkundullohej si nga tërmeti shumëshkallësh. Edhe këmbët e tij, shtatë pash nën dhe po i dridheshin. Dragonjtë i kishin zënë pritë kuçedrës që kishte mësyrë ta çnderonte virgjëreshën Qyqavicë…
-Oj Xheva e Abdyl Krasniqit, unë Azem Galicën e prita me vite derisa theu burgjet e kralit serb. Por kur u bashkuam, më nuk u ndamë kurrë. U bëmë shokë jete e shokë lufte. Disa në fillim më shikonin vëngërr, por shpejt u penduan. Zhvilluam mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare. Edhe kur vajti në atë botë, vëtë e përcolla. Me duart e mia e lëshova në shpellën enigmatike “Çuku që kërset “. Ashtu meritonte ai, një varr të thellë, më të thellin në botë, që dora e shkaut të mos e prekte as për së vdekuri. Ai ishte amaneti i tij i fundit dhe ia plotësova, mori Xhevë Krasniqi, e pastaj vazhduam betejat nën thirrjen e njohur: O prite, prite Azem Galicën!…

-Edhe unë veprova ashtu, e prita burrin tim, Fehmiun, që po të njëjtit armiq e dënuan njëmbëdhjetë vjet burg, mori Shotë Galica. E prita në shtëpinë e tij, në Gllanasellë. A ka ngjarë kjo ndonjëherë, oj dada Shotë?! Ndoshta kurrë, as në legjenda, por ashtu kisha vendosur. Dhe Drenica nuk më mbajti mëri, as zanat nuk thanë nuse pa dhëndërr! Ah, përpak harrova të të them se eshtrat e Azemit nuk i mbajti shpella. Ata morën krahë dhe shkuan në Galicë, aty te themelet e kullës, ku e patët thurur epopenë e lavdisë më 1924. Aty, në obelisk, trimi pret që një ditë edhe ti të fluturosh nga Fushë-Kruja e prapë të bashkoheni për të mos u ndarë kurrë, oj Shota e Azem Galicës…
-O prite, prite Azem Galicën! -oshëtinë shkrepat e flakëruar.
-O prite, prite Fehmi Lladrovcin! – mbajtën iso fushat e malet përreth.
Bishat e çakërdisura nxitonin pas makinerisë së rëndë shtypëse drejt Çikatovës, Gllanasellës e Dobrashecit. Trimat nuk loznin nga vendi. Ku ka ditë më të bukur se sot me vdek për atdhe! Hiç mos keni frikë, lum ai që ka nderin të bie në altarin e lirisë! Kemi për të luftuar sa do të mbesim në analet e historisë! Kështu u fliste trim Fehmiu bashkëluftëtarëve tek qëndronin nëpër istikame duke ia thënë këngës e duke i pritur plumbat me dhëmbë. Aromë e lirisë i kishte dehur deri me një. Tamam si kreshnikët e motit. Frika nuk ekzistonte atypari. Antitanku në krahun e komandantit gogësinte papra. Dhe somnabulët e hekurt rrokulliseshin nëpër hendeqe. Në të djadhtë snajperistja Xhevë ua qendiste lulen e ballit atyre që veç pak e lëvrinin kokën. Tutje sypatrembura e Bistricës së Shalës qëllonte rrallë e për mall dhe këndonte…
Për këtë tokë nana na bani
Kurrë nuk lujamë nga istikami…
-Të gjithë të tërhiqen sa më thellë, edhe ushtarët le të shkojnë pas popullit për t’u ndihmuar. Të gjithë, të gjithë! -u dëgjua zëri i komandant Fehmiut, pasi dielli kishte kaluar zenitin, e gjaku i shkonte rrëke nëpër gurët strallor në hyrje të istikamit që digjej flakë. Ishte plagosur rëndë, por mbahej me stoicizëm. Kapedani i mirë e braktis i fundit anijen, ose mbytet bashkë me të, -thoshte i madhi Skënderbe. Dhe qëndronte i patundur. Shpirti po i ndjehej i lehtësuar pasi arriti ta tërheq trupin e pajetë të Fatimës, e cila qe vrarë pak më parë. Zemra po i therrte edhe për djaloshin nga Kodra e Trimave, i cili kishte rënë në pikën tjetër, por s’ kishte ç’të bënte. U ngrit në këmbë si div mali dhe shikoi nga Qyqyavica. Mendjen e kishte te popullata. Mblodhi fuqinë dhe e hodhi edhe mortajën e fundit. Tanku zinxhiror, që i kishte dalë pas shpine, andej nga shkolla e Dobrashecit, u përplas në humnerën e pafund si bishë e plagosur. Atij i buzëqeshi fytyra. Ashtu buzagaz i mbylli sytë qetas, sikur kur flinte. As ofshamje, as rënkime…
-Fehmi, mos na lërë vetëm! -briti thekshëm e shoqja, duke ia vënë kokën në prehër.
-Qëndro Xhevë, mos u ligështo! Harrove ç’biseduam pak më parë? Dasmë pa mish s’ka. Ja edhe Galica e Azemit për të saten herë u sakatos keq. Nuk e shikon gjakun e bijve të saj se si rrjedhë lumë nga maja e bjeshkës mëmë…
-Ah, më fal dada Shotë. Unë nuk po qaj, jo. Qyqavica po loton. Ja shikoje si po pikon Maja e Zezë. Ashtu pat lotuar edhe shtatëdhjetë e katër vjet më parë për Azemin tënd. Dhe loti i ngriu në qepalla. Dëshmorët nuk qahen. Ata nuk e durojnë lotin dot. Vetëm këngë e pushkës ua qetëson shpirtin. Dhe, snajpera e saj e përpiktë amerikane sërish mori në thumb. Kriminelit që kishte guxuar të afrohet deri afër, i fluturuan trutë në erë. Ktheu kokën prapa. Fare pranë komandantit edhe një lulëkuqe e freskët, amazonia Fatime…Po ajo shtëpi që tymon zi? Ah, aty është plaku Hamit Lladrovci, i cili nuk deshi t’ia tregoi shpinën shkaut, por u ndalë dhe e mbrojti pragun e shtëpisë stërgjyshore…Krismat e lirisë nuk pushonin, ato dëgjoheshin edhe përreth…
-Edhe ushtari i fundit të largohet që këtej! -foli Xheva preras. S’ka diskutim, tash unë urdhëroj këtu, – thirri për së dyti, duke i detyruar të largoheshin edhe ata që hezitonin ta linin vetëm, edhe Asllan Fazliun…
– Dada Shotë, ku je moj, a më dëgjon? Mos thuaj që Xhevë Krasniqi-Lladrovci nuk u bë komandante. Po, po dhe ktheu kokën prapa që të shoh mos pahiri po i hidhërohej i shoqi…
Sakaq një plumb i mallkuar e qëlloi keq. Buzëqeshja i ngriu në fytyrë. Një baluke e gjakosur i kishte rënë mbi sy. E hodhi vështrimin tej e tej. Drenica po digjej anembanë. Gjithkund tym e flakë. Zemra i qau për atë zallamahi çmendëse. I kishte ngelur edhe një bombë e vetme. U ngrit në gjunjë dhe me dorën e ngritur lart shqiptoi me sa zë që kishte: Rroftë Kosova e l…i…r…ë !
Plasja e fuqishme u përcoll me tym e kukulele të shumta…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura