MODELI I  ASNJANËSISË SË SUEDISË DHE TË AUSTRISË – TË PAPRANUESHME PËR KIEVIN

MODELI I  ASNJANËSISË SË SUEDISË DHE TË AUSTRISË – TË PAPRANUESHME PËR KIEVIN

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 5 Prill 2022

Austria dhe Suedia, dy shtete që nuk janë anëtare të NATO-s edhe zyrtarisht janë asnjanëse në rast lufte. Janë model që Rusia dëshiron t’ia imponojë Ukrainës. Duke parë invadimin e Rusisë, tani edhe vetë ato pyesin, sa është i qëndrueshëm një status i tillë i tyre. Në anën tjetër, Kievi një model të tillë e refuzon dhe përballë Rusisë kërkon garanci të sigurisë absolute.

Austria fuqimisht i përmbahet asnjanësisë së vet. “Asnjanësia është pjesë e identitetit austriak”, deklaron politologu dhe profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Insbrukut (Innsbruck), Martin Senn (Martin Sen, 1960-). Asnjanësia që ia imponoi Austrisë në vitin 1955 Bashkimi Sovjetik, pas dhjetë vjet pushtimi bashkë me Perëndimin, këtij vendi që e komprometoi Hitleri, i mundësoi një shkëputje dinjitoze nga e kaluara e luftës, kështu që ajo u bë vend i takimeve historike. 

Në vitin 1961, pikërisht në Austri, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit (Josip Stalin, 1879-1953) dhe kryeministër i viteve 1958-1964, Nikita Sergeeviç Hrushov, ia shtrëngoi dorën presidentit të atëhershëm amerikan Xhon Kenedit (John Fitzgerald Kennedy, 29.05.1917 – atentat, 22.11.1963). Në vitin 1979, po në Austri, ia shtrinë dorën njëri-tjetrit udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik i viteve 1964-1982 Leonid Brezhnjev (1906-1982)dhe presidenti amerikan Xhimi Karter (Jimmi Carter, 1924-).

Organizata e Kombeve të Bashkuara, një prej selive të vet e ka vendosur në Austri. Pas kësaj, vendime të tillë kanë marrë edhe organizata ndërkombëtare të tjera. Që atëherë, Vjena mbështet paqen në botë dhe shpesh është nikoqire e bisedimeve shumëpalëshe. Mirëpo, Austria nuk është plotësisht asnjanëse. Në vitin 1995 Austria aderoi në Bashkimi Evropian dhe sipas Marrëveshjes së Lisbonës të vitit 2009, merr pjesë në sigurinë dhe në mbrojtjen e përbashkët. Profesor Martin Sen (Martin Senn) thotë: “Për këtë kurrë s’është diskutuar”. Sipas tij, lidhur me sa më sipër, sa më parë duhet të debatohet.

Rusia e cila tradicionalisht ka lidhje të afërta me Austrinë, ia mban për të madhe Vjenës “asnjanësinë fiktive”, për arsye se ajo e mbështeti Ukrainën, sikundër të gjitha vendet e Perëndimit, me përjashtim të Serbisë.

Editorialisti i javores “Profil”, Kristian Rainer (Christian Rainer, 1961-) shkruan: “Na u  desh  një luftë e këtillë mizore , qindra kilometra lar nesh, që të pushojmë të jemi naivë”.

Madje edhe ushtria austriake ka shprehur keqardhje për pakësimin e buxhetit ushtarak. Midis anëtarëve të BE-së, me 0,7% të PBV, Austria është vendi i tretë i cili më së paku ndan për ushtrinë, nën Maltën dhe Irlandën, të cilat po ashtu janë vende asnjanëse. Qeveria austriake paralajmëroi se planifikon t’i rritë investimet për ushtrinë në 1 për qind, për ta arritur së paku Zvicrën fqinje, e cila po ashtu është asnjanëse dhe e cila ka tri herë më shumë ushtarë, aeroplanë luftarakë dhe tanke.

Por kancelari austriak, i cili është ushtar karriere, refuzon të hapë Kutinë e Pandorës. “Austria do të mbetet asnjanëse”, porositi konservatori Karl Nehammer (Karl Nehamer, 1972-)dhe i mbylli të gjitha diskutimet. Sipas një pyetësori të zbatuar para pak kohësh,  aderimin e Austrisë në NATO, e mbështet jo më shumë se çdo i pesti austriak.  

Rasti i Suedisë – Në kohë paqeje, Suedia zyrtarisht nuk është e lidhur me asnjërën palë, ndërsa në kohë lufte, ajo është asnjanëse (neutrale). Politikën e vet strikte të asnjanësisë e ndërpreu kah fundi i luftës së ftohtë, përkatësisht në vitin 1992, tre vjet para se të aderonte në Bashkimin Evropian. Suedia është një prej vendeve të rralla të Evropës e cila mbi dy shekuj nuk di për luftë, d.m.th. nuk ka përjetuar luftë. Suedia nuk është anëtare e NATO-s, edhe pse që prej mesit të viteve ’90 të shekullit XX, është pertnere e aleancës ushtarake, ndërsa në vitet e fundit, vazhdimisht i është afruar asaj. Investimet për ushtrinë i ka reduktuar me të madhe. Në vitet ‘60 dhe ’70 të shekullit XX, investimet për ushtrinë arrinin rreth 4%, ndërsa në vitin 2010 ato u reduktuan mezi në 1 për qind. Por, pas viti 2014, kur Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë, Suedia përsëri filloi të investojë në ushtri. Që nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, Suedia paralajmëroi se deri vitin 2030 investimet në ushtri synon t’i rritë në 2% të PBV. Sipas një pyetësori të zbatuar para do kohe, shumica e suedezëve për herë të parë u deklaruan se dëshirojnë që vendi i tyre të aderojë në NATO, por kryeministrja që vjen nga radhët e partisë socialdemokrate, Magdalena Andersson (Magdalena Anderson, 1967-), një mundësi të tillë e hodhi poshtë, me arsyetimin se kjo do të mund të destabilizonte gjendjen në veri të Evropës.

Sipas pyetësorëve, numri i skeptikëve ndaj NATO-s ka rënë edhe në Finlandë dhe ajo nuk është aq e prerë kundër anëtarësimit. Para do kohësh, kryetari i Finlandës Sauli Niinisto (SauliNiinistö, 19948-)bëri thirrjeqë për këtë të bisedohet dhe të vendoset “pa ngurrim, por me mend”.Sipas tij, hyrja në NATO do të mund ta shtonte tensionimin.Lidhur me aderimin në NATO,Kuvendi i Finlandësdo të debatojë në prill, kur pritet të marrë raport “për përparësitë dhe për rreziqet”.   

Moska iaimponoi Finlandës asnjanësinë gjatë luftës së ftohtë. Finlandezët këtë e kujtojnë me hidhërim. Kjo asnjanësi që njihet emrin specifik “finlandizim”, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – pushoi. Finlanda nuk është e lidhur me asnjërën palë, por nuk e pranon etiketën e asnjanësisë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës perëndimore.

Asnjanësia e Zvicrës – Zvicra me shekuj i është përmbajtur politikës së asnjanësisë ushtarake në punët globale. Ajo nuk është i vetmi shtet asnjanës në botë. Të tilla janë edhe Irlanda, Austria, Kosta-Rika etj. Shenjat e para të asnjanësisë zvicerane datojnë qysh nga viti 1515, kur Konfederata e Zvicrës pësoi humbje të madhe prej francezëve në betejën për Margnanon. Pas humbjes, Konfederata hoqi dorë nga politika e vet ekspansioniste dhe për të ruajtur ekzistencën e vet, u shmangej konlikteve. Por, luftërat e Napoleonit e vulosën vendin e Zvicrës si një shtet asnjanës. Në vitin 1798 Franca e sulmoi Zvicrën duke e bërë më vonë satelite të perandorisë së Napoleon Bonapartit dhe duke e detyruar ta komprometojë asnjanësinë e vet. Pas disfatës së Napoleonit në Vaterlo (Waterloo), Fuqitë e Mëdha të Evropës erdhën në përfundim se një Zvicër asnjanëse do të shërbejë si zonë tamponi ndërmjet Francës dhe Austrisë dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Gjatë Kongresit të Vjenës të mbajtur në vitin 1815 nënshkruan deklaratën me të cilën vërtetohet “asnjanësia e përjetshme” e Zvicrës në bashkësinë ndërkombëtare.

Zvicra e ruajti qëndrimin e vet të paanshëm edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku e mobilizoi ushtrinë e vet dhe pranoi refugjatë, por refuzoi të marrë anë ushtarakisht. Ndërkohë, në vitin 1920, Lidhja e Popujve e sapoformuar, asnjanësinë e Zvicrës e njohu zyrtarisht dhe e themeloi selinë e vet në Ggjenevë. Asnjanësia e Zvicrës u sfidua dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u gjend i rrethuar nga fuqitë e Boshtit. Zvicra e ruajti asnjanësinë e vet duke paralajmëruar se në rast invadimi do të reagojë. Por, në anën tjetër ajo nuk e ndali tregtinë me Gjermaninë naziste. Pas mbarimit të luftës, një veprim i këtillë u cilësua si kontravers. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Zvicra luajti rol veprues në punët ndërkombëtare, duke u ndihmuar nismave humanitare. Kur është fjala për punët luftarake, ajo mbetet asnjanëse. Kurrënuk iu bashkëngjit Organizatës së Paktit Veriatlantik (NATO-s) apo Bashkimit Evropian. Anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u bë jo më parë se në vitin 2002. Përkundër asnjanësisë shumëvjeçare, Zvicra ende mban ushtri për qëllime mbrojtëse. Prej të gjithë meshkujve të moshës 18 deri në 34 vjeç, kërkon shërbim ushtarak me gjysmë orari pune. 

*   *   *

Asnjanësinë sipas modelit të Suedisë dhe të Austrisë, që e kërkon Moska, Ukraina nuk e pranon. 

*   *  *

Në zgjerimin e katërt të Bashkimit Evropian, më 1 janar 1995, anëtare të saj u bënë Austria, Finlanda dhe Suedia. Norvegjia e nënshkroi marrëveshjen, por nuk e ratifikoi për arsye aderimi i saj në BE sërish u refuzua në referendum. Anëtare të NATO-s nuk janë edhe Malta, Irlanda dhe Qiproja. S’ka dyshim se anëtarësimin e Qipros në aleancë, për shkaqe të njohura, do ta parandalonte Ankaraja.

*   *   *

Shënim: Kuti e Pandorës – Në mitologjinë greke të lashtë, Pandora ishte një grua e bukur të cilën e kishte krijuar Hefesti. Të gjitha perënditë i kishin dhuruar dhurata nga më të çmuarat. Zeusi e dërgoi Pandorën në Tokë si dënim për rrëmbimin e zjarrit nga Prometeu. I dha asaj një enë në të cilën ishin fshehur të gjitha të këqijat. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, përkundër kundërshtimit të Prometeut, e merr për grua dhe e çel enën nga e cila u liruan të gjitha sëmundjet, fatkeqësitë dhe të këqijat e tjera. Kur më në fund ia dolën ta mbyllin enën, në të kishte mbetur vetëm – shpresa. Për këtë arsye, për Pandorën thuhet se është “sjellëse e fatkeqësisë”, ndërsa për enën apo kutinë e Pandorës – “dhuratë që shkakton probleme dhe grindje”. Lufta e ftohtëLufta e ftohtë ishtekonflikt politik midis fuqive të Perëndimit, të udhëhequra nga ShBA-ja dhe fuqive të Lindjes, të udhëhequra nga BRSS-ja. Zgjati prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv, përmasash botërore. Lufta e ftohtë karakterizohet me “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike midis Perëndimit dhe Lindjes, me qëllim të luftimit të ndikimit të bllokut armiqësor. Karakteristikë kryesore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të dukshme në lëmin e kulturës, të sportit, të shkencës dhe të teknologjisë. Më e rëndësishme ka qenë gara kozmike që pati si rezultat vajtjen e  njeriut në gjithësi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura