PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: SHKATËRRIMI I EKONOMISË SHQIPTARE NË MAQEDONI

Tetovë, 25. 11. 2016: (NJË VËSHTRIM I SHKURTË: SI U SHNDËRRUA TETOVA NGA NJË QYTET INDUSTRIAL NË QENDËR TË KRIMIT TË ORGANIZUAR)- ARSYEJA E SHTATË pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është SHKATËRRIMI I EKONOMISË SHQIPTARE NË MAQEDONI.
Zhvillimi ekonomik i qyteteve dhe rajoneve me popullsi shqiptare në Maqedoni, si gjatë periudhës së socializmit edhe në periudhën e tanzicionit të ashtuquajtur demokratik, është përcjellë me një kontroll të veçantë nga pushteti i këtij vendi.
Ekonomia e shqiptarëve është zhvilluar kryesisht nën përcjelljen e rreptë të pushtetit, i cili vazhdimisht ka mbajtur llogari vetëm për përfitimet e veta dhe asnjëherë për ndihmën dhe përkrahjen e veprimtarisë ekonomike të shqiptarëve, qoftë asaj shoqërore apo private, në ndërmarrjet, fabrikat, apo format tjera të organizimit të saj.

Pamje e qytetit të Tetovë në vitet e mëhershme.

Janë të njohura disa faza, të cilat e ilustrojnë më së miri këtë qasje të pushtetit ndaj ekonomisë së shqiptarëve, të cilat kanë lënë pasoja të rënda në rrënimin e ekonomisë, me plaçkitjen sistematike dhe varfërimin ekstrem të tyre, deri në atë nivel saqë shumica e banorëve shqiptarë që dikur kishin ushtruar ndonjë veprimtari fitimprurëse, ose kishin krijuar një kapital të nevojshëm për zhvillimin e ndonjë veprimtarie ekonomike, u detyruan t’i mbyllin ato, ose t’i zhvillojnë në vende të tjera jashtë Maqedonisë.
Tetova, gjatë periudhës së socializmit, nga një qytet i pazhvilluar, kryesisht i njohur për prodhime bujqësore dhe blegtorale, mes viteve të 50-ta deri në vitet 80-ta të shekullit të kaluar u ngrit në një qyteti me industri të zhvilluar. Pak qytete në Maqedoninë e atëhershme patën fatin të pësojnë një transformim të këtillë kolosal. Zhvillim i hovshëm i këtij qyteti gjatë asaj periudhe mund të shpjegohet me faktin se, pushteti kishte për qëllim ta stimulojë popullatën joshqiptare të mos shpërngulej nga Tetova dhe ,,për t’i bërë ballë shqiptarizimit” të këtij qyteti dhe rajonit më të gjerë të Pollogut. Pushteti i asaj kohe ndërmori hapa të shpejtë për industrializimin e këtij qyteti, jo vetëm për krijimin e kushteve më të mira për jetesë, sidomos për banorët me përkatësi etnike joshqiptare, por edhe për realizimit me sukses të planit strategjik për krijimin e një baraspeshe etnike, me sjelljen në këtë qytet të mijëra maqedonasve të Egjeut nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Sidoqoftë, nga ky zhvillim përfituan edhe banorët shqiptarë, të cilët vazhdimisht kanë qenë shumicë dominuese në Tetovë dhe në qytetet tjera të Maqedonisë Perëndimore.
Pas pavarësimit të Maqedonisë në vitin 1991, ekonomia e qytetit të Tetovës, sidomos kapacitetet industriale, u privatizuan në mënyrë të paligjshme dhe vetëm brenda një dekade u shkatërruan plotësisht, nga viti 1993 deri në vitin 2003, sa zgjati procesi i privatizimit, duke e shndërruar këtë qytet nga një qendër të zhvilluar industriale në qendër të tregtisë së imtë, të mafies urbane dhe krimit të organizuar i të gjitha llojeve.

Procesi i privatizimit në Maqedoni
Procesi i privatizimit në Maqedoni filloi që në vitin 1989, që në kohën kur Maqedonia ende ishte republikë në kuadër të federatë së atëhershme Jugosllave, me sjelljen e Ligjit për kapitalin shoqëror dhe të Ligjit për të ardhurat personale.
Koncepti fillestar i privatizimit në të gjitha njësitë federale të ish Jugosllavisë, në bazë të këtyre ligjeve ishte ndarja e aksioneve të brendshme në ndërmarrje, me çka të punësuarve u mundësohej të bëhen pronarë të ndërmarrjeve shoqërore ku ata punonin.
Pas pavarësimit të Maqedonisë, në vitin 1991, dy vjet më vonë, më 1993 u soll Ligji për transformimin e ndërmarrjeve me kapital shoqëror, i cili solli një formë ndryshe të privatizimit, sipas modelit të ekonomisë së tregut, me të cilin ky proces u intensifikua dukshëm.
Më vonë, në vitin 1995, u soll Ligji për ristrukturimin e një pjese të ndërmarrjeve të cilat në punën e tyre kishin treguar humbje, kurse një vit më vonë, më 1996 u soll edhe Ligji për transformimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe kooperativave që posedonin toka bujqësore. Po në këtë vit u soll edhe Ligji për privatizimin e kapitalit të bashkuar të ndërmarrjeve, me dispozitat e të cilit parashihej ulje e madhe e çmimeve për shitjen e kapitalit shtetëror, me mundësi të pagesës në valutën vendëse (denar) dhe me një zbritje prej 60% të vlerës reale.
Tërë procesin e privatizimit në Maqedoni e udhëhoqi Agjencia për transformimin e ndërmarrjeve me kapital shoqëror, e cila njihej si Agjenci e privatizimit, që kryesisht ishte në duart e strukturës së atëhershme të partisë më të madhe maqedonase, LSDM, e cila edhe udhëhiqte me sektorët përkatës në Qeverinë e atëhershme të Maqedonisë. Edhe pse në qeverinë e asaj kohe merrte pjesë partia e parë politike e shqiptarëve, PPD, nga analizat e mëvonshme vërehet se pjesëmarrja e saj në qeverinë e atëhershme dhe veçanërisht në procesin e privatizimit ka qenë tepër formale, me shumë pak përjashtime individuale.
I tërë procesi i privatizimit në Maqedoni përfundoi diku nga fundi i vitit 2003, kur edhe u shitën aksionet në 1.700 ndërmarrje, me çka shteti përfitoi mbi 2 miliardë e 300 milionë euro. Sipas disa të dhënave, shteti në këtë proces mezi inkasoi 20% nga vlera e përgjithshme e ndërmarrjeve shoqërore të shituara përmes procesit të privatizimit. Në procesin e privatizimit në Maqedoni u përfshinë mbi 95 % të ndërmarrjeve me kapital shoqëror. Vlera reale e këtij kapitali shoqëror të privatizuar në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, nga ekspertët është vlerësuar se kap shumën e përgjithshme prej mbi 6 miliardë dollarë.
Në procesin e privatizimit, Maqedonia dhe Rumania llogariten si shtetet me përvojë më të keqe në këtë proces, në nivel të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Shkatërrimi i ekonomisë dhe industrisë së Tetovës përmes privatizimit
Me qëllim të nxitjes së hulumtimeve, studimeve dhe analizave profesionale në këtë temë, në vija të përgjithshme do ta paraqesim vetëm pasqyrën e kapaciteteve industriale dhe ndërmarrjeve të tjera në këtë qytetit, të cilat u ngritën gjatë një periudhe prej disa dekadash, për të sjellë përfundime nga hulumtimet dhe analizat e ardhshme shkencore në këtë fushë, se si arriti pushteti i kohës së ,,tranzicionit” dhe ,,demokracisë”, nga një qytet me industri të zhvilluar, ta shndërrojë Tetovën në qendër të tregtisë së vogël, kriminalitetit të organizuar, ndërtimeve pa leje, ku sidomos do të vihet në spikamë rrënimi i kapaciteteve industriale dhe ekonomike, privatizimi i paligjshëm, largimi nga puna i dhjetëra mijë punëtorëve, shuarja e traditës për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e këtyre kapaciteteve industriale dhe vjedhja e pashembullt e kapitalit shoqëror nga oligarkët e këtij qyteti dhe sidomos nga pushteti qendror i këtij shteti.
Tetova, për gjatë kohë do t’i vuaj pasojat e kësaj plaçkitje të pronës shoqërore dhe varfërimit të skajshëm i popullsisë, nga pasojat e rënda të së cilit filloi shpërngulja në masë e popullatës së këtij qyteti në botën e jashtme. Sipas disa llogarive të përafërta, nga qyteti i Tetovës dhe qytetet tjera me shumicë shqiptare në Maqedonisë Perëndimore janë shpërngulur mbi 100 mijë banorë shqiptarë, të cilët e lëshuan vendin kryesisht për shkaqe ekonomike, nga pasiguria e krijuar në këto qytete, por edhe si rezultat i politikave të shtetit, i cili me çdo kusht është munduar ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve në Maqedoni.

Një vështrim i shkurtë i kapaciteteve ekonomike dhe industriale të Tetovës
Në ndërmarrjet, fabrikat dhe kombinatet e komunës së Tetovës, gjatë periudhës para pavarësimit të Maqedonisë kanë qenë të punësuar mbi 25 mijë punëtorë, shumica e të cilëve pas privatizimit të tyre mbetën të papunë dhe në mëshirën e fatit. Nga të ardhurat vjetore të këtyre kapaciteteve ekonomike të komunës së Tetovës mbushej gati gjysma e buxhetit të Maqedonisë.
Në vazhdim të këtij vështrimi janë radhitur disa nga këto ndërmarrje dhe fabrika, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore i kishin pushtuar tregjet e ish Jugosllavisë dhe disa vendeve të Evropës Perëndimore, Lindje së Afërt dhe të Mesme, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç ishte për shembull brendi i njohur i gjigandit të tekstilit me 7 mijë punëtorë, ,,Teteksi” i Tetovës.

Lista e ndërmarrjeve dhe fabrikave të shkatërruara plotësisht nga privatizimi:

1. Kombinati i tekstilit ,,Teteks”;
2. Kombinati metalurgjik ,,Jugohrom”;
3. Fabrika e përpunimit të lëkurës ,,Goce Dellçev”;
4. Fabrika e përpunimit të prodhimeve bujqësore ,,Jagoda”, më vonë ,,Grocka”;
5. Fabrika e plastikës mjekësore ,,Tetova”;
6. Fabrika e bukës dhe prodhimeve ushqimore ,,Zhito Pollog”
7. Fabrika e konfeksionit të modës ,,Edko”
8. Kombinati i industrisë së drurit ,,Jellak”
9. Fabrika e përpunimit të aluminit ,,Te-Al”
10. Ndërmarrja tregtare ,,Delikates”;
11. Ndërmarrja tregtare ,,Interpromet”;
12. Shoqata aksionare ,,Autoprogres”;
13. Shtypshkronja ,,Napredok”, në vitet 1941-1945 ,,Përparimi”;
14. Ndërmarrja gazetare botuese ,,Pollog”, me pjesët e saj, gazetën rajonale ,,Pollog” dhe Radio Tetova.;
15. Kombinati i duhanit ,,Tetovo Tabak”, i njohur si ,,Monopoli” i Tetovës;
16. Ndërmarrja e transportit ,,Polet”;
17. Ndërmarrjet hoteliere turistike, me njësitë e saj: hoteli ,Makedonija” dhe hoteli ,,Teteks”, ndërmarrjet ,,Nov Zhivot”, ,,Jellak”, ,,Popovo Shapka”, ,,Zhiçara”;
18. Fabrika ,,Tehno-Metal”, Tetovë;
19. Ndërmarrja ndërtimore ,,Tetovo Gradba”; etj.

Shënime përfundimtare
Nga të gjitha këto kapacitete, të cilat u ngritën me mund dhe kapital shoqëror, aktualisht ka mbetur vetëm kombinati metalurgjik ,,Jugohrom”, i cili pas procesit të privatizimit ka kaluar në duart e disa pronarëve dhe kryesisht i ka shërbyer pushtetit për realizimin e interesave të veta, jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike, duke u shndërruar në një kombinat problematik, i cili me helmimin e mjedisit jetësor gjatë viteve të fundit më shumë i ka sjellë dëme sesa dobi qytetit të Tetovës dhe rajonit të Pollogut.
Me këtë rast, në mënyrë telegrafike vlen të përmendet edhe puna e mafies së ndërtimeve, e cila në bashkëpunim me organet e pushtetit lokal dhe qendror, vetëm nga ndërtimi i disa qendrave tregtare në Tetovë, siç janë: ,,Triada”, ,,Saranda”, ,,Bazar”, ,,Tregu i Gjelbërt”, si dhe me ndërtimin e dhjetëra ndërtesave shumëkatëshe për banim, këto klane mafioze kanë arritur ta plaçkitin popullatën vendëse me dhjetëra milionë dollarë.
Në listën e ndërmarrjeve, kombinateve dhe fabrikave të mëhershme në komunën e Tetovës, ndoshta nuk janë përfshirë të gjitha kapacitetet ekonomike dhe industriale, por kjo le të shërbejë si nxitje për hulumtime, analiza dhe studime të mëtejshme nga ekspertët e fushave përkatëse.
(23.XI.2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura