GJOKË DABAJ: 77 PYETJE, TË CILAVET MEDIAT SHQIPTARE DO TË DUHEJ T’U PËRGJIGJESHIN

Durrës, 22 nëntor 2018: E përdora fjalën latine media, duke nënkuptuar këtu edhe organet e quajtur onlajn, portalet e shumtë në gjuhën shqipe, edhe gazetat shqiptare gati të panumërueshme që dalin në Tiranë, në Prishtinë dhe në plot qytete të tjerë, shqiptarë dhe joshqiptarë, televizionet dhe radiot që flasin shqip, edhe këta thuajse të panumërueshëm. Sigurisht, nën po këtë emërtim, nën emërtimin media, përfshihen edhe librat e të gjithë llojevet. Kemi, pra, në ditët e sotme, një MEDIA SHQIPTARE, numerikisht dhe sasiorisht të pakonkurueshme me asnjë kohë tjetër shqiptare të mëparshme. Ke përshtypjen sikur tashmë problemi ynë kombëtar dhe shoqëror është në rrugën më të mbarë të zgjidhjes, sepse mendimet nuk mbeten pa u shprehur dhe rrjedhimisht punët tona nuk mbeten pa u kryer.
Mirëpo, mua po më bren një brengë tjetër: A mos po flasim e shkruajmë duke u ardhur problemevet kryesorë të Kombit tonë rretherrotull, pa i mjekuar plagët atje ku duhet dhe ashtu si duhet?!
Për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit tonë, unë po rendis këtu 77 pyetje, të vështira për t’iu përgjigjur në kohën tonë, por që gjithsesi mediat tona do të duhej t’u përgjigjeshin. Them mediat, sepse në popull ato i kanë përgjigjet në mënyrat nga më të ndryshmet, shpeshherë të sakta, ose afërsisht të sakta e shpeshherë krejt të gabuara.

1.Një pyetje që jo më kot po më rri në mendje, është kjo: Në kohën e intervenimit të NATO-s në Kosovë, pse shkoi në Mitrovicën Veriore pikërisht ushtria franceze?
2.Pse nuk shkuan atje, psh., forcat e SHBA-së?
3.A mos ish hartuar qysh atëherë ndonjë plan ogurzi, për t’ia dhënë Sërbisë edhe këtë copë të Shqipërisë, siç i janë dhënë dikur po kësaj Sërbie, Nishi, Vranja, Leskovci dhe Pazari i Ri, me gjithë ato hapësira të mëdha rreth tyre, të cilat sot thuajse askujt prej të huajvet nuk i shkon mendja t’i quajë Shqipëri?
4.Pse u realizua dhe, doemos, u organizua, në mënyrë perfide dhe tepër të ulët, dëbimi nga Mitrovica Veriore e shqiptarëvet, që deri në atë kohë ishin të shumtë në mos shumicë në atë pjesë të Mitrovicës?
5.A mos edhe këtu kish një plan ogurzi për ta copëtuar edhe më shumë Shqipërinë?
6.Le të kthehemi pak mbrapa në kohë: Në vitin 1985, mbasi vdiq Enver Hoxha, pse u vu dhe nga kush u vu në krye të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë një Ramiz Ali, i cili, në mos më tepër, do të LEJONTE shkatërrimin e plotë të kësaj pjese të Shqipërisë?
7.Pse, në krye të Republikës së Shqipërisë, mbas Ramiz Alisë, erdhi një Sali Berishë, ish-student në Francë?
8.Kush e solli Sali Berishën në krye të këtij shteti dhe pse, me çfarë qëllimi?
9.Si dhe pse u pru në krye të Republikës së Shqipërisë, prej Parisit e në Tiranë, një Ed Ramë?
10.A rastësisht ndodhi ky katapultim i tiji dhe, a u bë kjo punë për ta forcuar Kombin Shqiptar apo për ta shpërbërë përfundimisht?
11.Si dhe pse u pru një Hashim Thaç në krye të Republikës së Kosovës, thonë edhe ai njohës i gjuhës frënge?
12.Pse u rrëzuan e u shkatërruan përmendoret e Enver Hoxhës anembanë Republikës së Shqipërisë, a sepse Enveri ishte komunist, apo sepse Enveri u pat dalë zot Shqipërisë dhe shqiptarëvet?
13.Pse u çarmatos aq keq Republika e Shqipërisë, sa të mos mund as piramidat e kufirit të vet t’i ruajë e t’i mirëmbajë, të paktën aq sa ushtria greke të dijë se deri ku i lejohet të shkelë?
14.Sa pushkë e automatikë, me gjithë fishekë, i kish Republika e Shqipërisë e s’i ka dhe pse iu hoqën dhe kush ia hoqi?
15.Sa raketa, topa e tanke kish Republika e Shqipërisë e s’i ka dhe pse iu hoqën dhe kush ia hoqi?
16.Sa nëndetëse e anije lufte kish Republika e Shqipërisë e s’i ka dhe pse iu hoqën dhe kush ia hoqi?
17.Sa avionë lufte kish Republika e Shqipërisë e s’i ka dhe pse iu paaftësuan dhe kush ia paaftësoi?
18.Pse u shndërrua në muranë kapanonesh çatishembur Kombinati i Tekstilevet “J.V.Stalin” i Tiranës dhe kush e planifikoi, kush e nxiti zhbërjen e asaj industrie që mbante me rroga disa mijë punonjës?
19.Pse dhe prej kujt u shndërrua në gërmadhë, ngjashëm me kalanë e Beratit, (rrënuar dikur prej të huajsh), Kombinati i Tekstilevet “Mao Ce Dun”, që mbante në punë 20 mijë punonjës?
20.Kush është planifikuesi, që shumica e tokavet në Republikën e Shqipërisë, nga toka pjellore, të punuara për bukuri, u shndërruan në “plantacione” shkurresh?
21.Pse u shkatërrua dhe kush e shkatërroi Kombinatin e Sheqerit në Maliq?
22.Kush i zhbonifikoi dhe pse i zhbonifikoi, tokat në fushat e Maliqit e të Korçës?
23.A e kanë analizuar dhe a duhet ta analizojnë shqiptarët, pse ndodhi ashtu si ndodhi dhe kush qe i interesuar që të ndodhte ashtu me minierat e Bulqizës dhe me krejt basenin krommbajtës në Republikën e Shqipërisë?
24.A i ka bërë dikush pyetjet dhe a duhen bërë pyetjet: Si ka qenë dikur dhe si është sot miniera e qymyrgurit në Memaliaj, si ka qenë dikur dhe si është sot qyteti i Memaliajt?
25.Pse, si dhe kush e organizoi shkatërrimin e sistemit ujitës në Republikën e Shqipërisë, si Kanalin „Naum Panxhi“, kanalin Milot-Mamurras e dhjetëra të tjerë?
26.Si dhe pse u shkatërrua Kombinati Industrial i Laçit, kush e organizoi dhe kush e zbatoi shkatërrimin e asaj vepre, që i mbante me rroga mijëra familje?
27.Në një kohë kur me qindra herë flitet, ngre e lësho, për një vrasje rrugësh a për një përplasje makinash, pse nuk shtrohet në mediat tona në Tiranë, problemi i madh: Pse u katandis në këtë gjendje Kombinati Metalurgjik i Elbasanit “Çeliku i Partisë” dhe kush qe i interesuar qër ta katandisur kështu?
28.Kurumi, kompanitë kanadeze minierashfrytëzuese dhe të tjera kompani joshqiptare, të naftës apo të aeroportevet, përfshirë edhe ato kompani të huaja që janë future tashmë në Republikën e Kosovës, a kanë ardhur ato këtu për ta shpëtuar nga KOMUNIZMI dhe për ta nxjerrë nga varfëria Kombin Shqiptar, apo për të forcuar, me pasuritë tona nëntokësore e mbitokësore, KAPITALIZMIN e tyre?
29.Që Kurumit, tash sa vjet, “nuk po i bie në sy” se në shkritoret e tija po hyjnë kapakët e pusetavet, po e shohim të gjithë, por unë nuk po mund ta kuptoj, pse analistët tanë atdhembrojtës nuk po e trajtojnë këtë problem hajdutërie, që nuk është aspak i vogël, sepse është edhe poshtërues?
30.Grekët nuk janë popull i keq, por si është e mundur që ata, pothuaj të gjithë mendojnë se Epiri Jugor dhe Epiri Verior janë Greqi e jo Shqipëri?
31.Kush ua ka mbushur grekëvet kokën me lakra të tilla?
32.Mos e kanë fajin, madje faj shumëshekullor, priftërinjtë dhe peshkopët gjaktrazues, shqiptarvrasës, po edhe grekvrasës?
33.Kush ua ka mbushur mendjen sërbëvet që Kosova është Sërbi?
34.Mos janë klerikët veshjezez e mjekërrlëshuar, ata që ia bëjnë çorbë mendjen kombit sërb?
35.Malazezët dhe sërbët, pse mendojnë që Shkodrën e kanë çliruar ata?
36.A thua mendojnë gjermanët që Shqipërinë e kanë çliruar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, meqë këtu para tyre ishin fashistët italianë?
37.Pse nuk ka shkolla shqipe në Podgoricë e në Tivar, apo kjo s’ka ç’u duhet, as shkodranëvet, as elbasanasvet dhe as korçarëvet, se “s’është punë e tyre”?
38.A mos i intereson dikujt, atje në Mars apo Jupiter, që shkodranët të vriten njëri me tjetrin, në mënyrë që të harrojnë, edhe Tivarin, edhe Tuzin, edhe Plavën, edhe Lezhën, edhe Pukën?
39.Pse nuk regjistrohen shqiptarët e Sanxhakut si shqiptarë dhe pse nuk kanë edhe ata shkolla shqipe si Peja e si Drenica?
40.Pse nuk ka shkolla shqipe në Janinë, Prevezë, Margëlliç, Paramithi, Pargë, Artë, Filat, Konicë, Follorinë e Kostur, sado që, edhe Janina, edhe Preveza, edhe Margëlliçi, edhe Paramithia, edhe Parga, edhe Arta, edhe Filati, edhe Konica, edhe Follorina, edhe Kosturi, JANË PREJ KOHËSH ANËTARË TË BE-SË?
41.A trajtohet ky problem i madh i Kombit Shqiptar në mediat tona apo: Ç’na duhen këto gjëra, të cilavet prej kohësh u është vënë kapaku?
42.A i ka shkuar ndërmend dikujt prej nesh, po edhe prej grekëvet, të pyesë në media, shqip edhe greqisht: Pse Konstantin Kociasi mendonte se Bularati i tij është njëri prej katundevet kufitarë, “që i ka mbetur Greqisë pa marrë” dhe nuk mendonte që disa dhjetëra qytete ia ka marrë Greqia Shqipërisë?
43.Ç’është ky marifet, kjo dukuri e shkuarjes së shqiptarëvet në Siri, Irak e Afganistan, PËR TË VRARË E PËR T’U VRARË, në pamje të parë për vete, por në të vërtetë për dikënd tjetër?
44.A nuk i ngjan kjo mendje e këtij lloj shqiptari, mendjes së një cjapi, i cili, i gënjyer nga një grusht kokrra misri, shkon vetë te thika e kasapit?
45.A mund të na sqarojë dikush, por të na sqarojë bindshëm dhe me analiza të hollësishme, pse u shtuan aq shumë në Kombin Shqiptar shfrytëzuesit e prostitutavet e pranë tyre edhe prostitutat, aq sa të alarmohet edhe Mbretëria e Bashkuar nga ky fenomen?
46.Pse kaq shumë përdorues droge në Republikën e Shqipërisë, shfaqur këtu mbas vitit 1990?
47.A duhet të përgjigjet dikush me analizëe të hollësishme dhe objekive: Pse ndodhi dhe si ndodhi që, në Republikën e Shqipërisë u krijua një kastë e veçantë, kasta e prodhuesvet dhe e trafikuesvet të të gjithë llojevet dhe nënllojevet të drogavet?
48.Si ndodhi që, territorin e Republikës së Shqipërisë e mbushën dhe e tejmbushën lokalet e bastevet, të quajurat lojëra të fatit, dhe një varg i gjatë mënyrash e marifetesh, për ta çuar njeriun drejt shkatërrimit të plotë si qenie njerëzore?
49.Kush na katandisi që, ne shqiptarët, nga njerëz normalë që ishim para 1985-s, të shndërrohemi në prodhues, transportues dhe tregtarë drogash, në mashtrues, dhunues dhe shfrytëzues vajzash, në trafikues fëmijësh dhe në monstra gjithfarësh?
50.Pse nuk shkruhen libra 200-300-faqesh, që të zbardhen shkencërisht gjithë këto shëmtira që ia nxinë shqiptarit, edhe shpirtin, edhe faqen, edhe jetën, në këta 30 vitet e fundit?
51.Pse nuk po ka, në këtë kohë, as në Republikën e Shqipërisë, as në Republikën e Kosovës dhe përgjithësisht në krejt Shqipërinë, asnjë vrasje, asnjë atentat, asnjë denim me vdekje, NË EMËR TË ATDHEUT dhe, po në këtë kohë, po ka kaq shumë vrasje të të gjithë llojeve të tjerë?
52.A duhet të bëhet një statistikë sqaruese, një bilanc: Sa shqiptarë janë vrarë, prej vetë shqiptarëvet, në Republikën e Shqipërisë, nga viti 1990 deri në vitin 2018, qoftë edhe “për motive të dobët”, gjaqe, rivalitete, përplasje makinash, ose thjeshtë për hiç gjë, dhe sa bij e bija të këtij vendi e kanë dhënë jetën në emër të Kombit e të Atdheut?
53.Sa arrestime, mesatarisht, në javë, në muaj apo në vit, janë bërë në Republikën e Shqipërisë, në periudhën nga viti 1944-1985, krahasuar me vitet 1990-2018 dhe, nëse numri i të arrestuarvet është proporcionalisht shumë më i madh në vitet 1990-2018, ku janë komentuesit, historianët dhe sociologët, që të na i zbardhin dhe analizojnë shkencërisht këto dukuri?
54.Pse, në Republikën e Shqipërisë, por edhe në vise të tjerë të Shqipërisë, ndodhi dhe po ndodh përditë e quajtura plakje e popullsisë?
55.Sa e kemi pasur moshën mesatare të popullsisë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në vitet 1944-1985, dhe sa e kemi moshën mesatare të popullsisë në Republikën e sotme të Shqipërisë, jopopullore dhe josocialiste?
56.Si ndodhi dhe pse ndodhi që, mbas vitit 1990, në Republikën e Shqipërisë të plaçkiten shumë herë reliket e kishavet dhe ikonat, kur ato relike e ikona komunizmi i pat ruajtur?
57.Çfarë ndodhi me arin dhe me thesaret e tjerë të Republikës së Shqipërisë mbas vitit 1990, ku shkoi ajo pasuri e madhe e Kombit Shqiptar, kush e mori atë pasuri tashmë të pazëvendësueshme, a e morën shqiptarët apo dikush tjetër dhe, nëse dikush tjetër, kush është ai?
58.Pse duhej që SHBA-ja ta kushtëzonte kthimin e arit që nazistët ia kishin grabitur Republikës së Shqipërisë, me pronat e amerikanëvet që qeveria komuniste i kish shtetëzuar, ç’lidhje kishin pronat e dikujt, të shtetëzuara, me pronën e shqiptarëvet të rrëmbyer nga nazistët?
59.Moria e bankavet të huaja, hapur në vendet ku jetojnë shqiptarët, a kanë për qëllim për të përmirësuar jetën e shqiptarëvet, cili është qëllimi real i bankavet, që vijnë këtu dhe hapin filiale me komoditete marramendës dhe çojnë përditë thasë me para në Rinas?
60.Pse nuk i sqarojnë analistët tanë, që na shfaqen natë për natë nëpër ekrane, qëllimet e mirëfilltë të spitalevet të huaj edhe qëllimet e mirëfilltë të bankavet të huaja, përhapur gjithandej, jo atje ku popullata vuan, por atje ku popullata qarkullon më shumë?
61.Dhjetëra spitalet e huaj, që janë hapur këtu në vendin tonë, a kanë hallin e shëndetit tonë apo i kanë “harmonizuar” edhe fatin tonë të zi, kur na zë sëmundja, edhe rastin fatlum për të fituar ATA sa më shumë para në kurriz të të sëmurëvet tanë?
62.Shkurt, edhe njëherë: Përse hapen spitale të huaj në Shqipëri, për të shëruar të sëmurët tanë apo për të grumbulluar para për vete?
63.Pse ndodhi që, në vitet 2020, një milion shqiptarë të Republikës së Shqipërisë të mos lexojnë libra, sado që e dinë alfabetin, madje shumë prej tyre i kanë DJEGUR nga 16 vite të jetës së vet ( jo 16 ditë, por 16 VITE!), për të mësuar shkrim e lexim, dmth., për të lexuar e shkruar e jo për të mos lexuar e për të mos shkruar?
64.Pse ndodhi dhe pse po ndodh që pothuajse çdo shqiptar që e ka trupin në Atdhe, po e mban mendjen ditë e natë jashtë Atdheut?
65.A nuk i ngjan kështu mendja e këtij shqiptari të sotëm “mendjes” së një dhie, e cila gjithë kohën, sa rri në vathë, sytë i mban te lakrat përtej gardhit?
66.Mbasi në sheshin kryesor të Burrelit u vendos shtatorja e Ahmet Zogut, a u sigurua mirëqenia e qindra familjeve matjane në qytetet e në fshatrat e Matit, apo matjanët po kërkojnë për të ikur sa më parë e sa më larg prej atij sheshi dhe, rrjedhimisht, edhe prej atij mbreti?
67.Mbasi nga sheshi kryesor i Shkodrës u hoq dhe u hodh diku te grumbulli i mbeturinavet, monumenti i Pesë Heronjvet të Vigut, pse u shndërrua Shkodra nga një qytet që rrezatonte kulturë, në një qytet bandash rivale, vjedhjesh, rrëmbimesh dhe vrasjesh të përditshme?
68.Si, pse dhe me ç’fonde u ndërtuan në Republikën e Shqipërisë dhe në krejt Shqipërinë një numër i madh kishash e xhamish, në një kohë kur këto kisha e xhami nuk i frekuentojnë rregullisht as dhjetë për qind e banorëvet?
69.A nuk është, jo veç çudi e madhe, por edhe absurditet i madh, t’i vësh në të njëjtin piedestal meritash për Kombin Shqiptar, edhe Nënë Terezen edhe Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe askujt nga analistët, sociologët dhe historianët tanë, të mos i bien në sy këta lloje paravolirash?
70.Në bisedimet me Sërbinë, pse nuk po përmendet, nga pala jonë, kufiri i vërtetë midis Shqipërisë dhe Sërbisë, nga Nishi në Sjenicë dhe pse nuk thuhet: Ne nuk po kërkojmë tash rikthimin e këtyre tokave, por bota të mos e harrojë këtë plagë të rëndë që na e ka shkaktuar dhe as Sërbia të mos harrojë ç’borxhe i ka Kombit Shqiptar?
71.Në bisedimet me Greqinë, pse nuk po thuhet, nga pala jonë, që kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë është në Gjirin e Ambrakisë, por ne tash, për arsye konjukturore, nuk po kërkojmë çuarjen e këtij kufiri në vendin që i takon?
72.Ose të paktën në shtypin tonë të Tiranës e të Prishtinës, pse nuk po përmenden, askund ose thuajse askund, kufijtë e vërtetë të këtij vendi?
73.Si është e mundur që kjo Evropë të kërkojë që ne shqiptarët t’ua kthejmë tokat BEJLERËVET TË TURQISË (si kusht që të pranohemi në BE) dhe po kjo Evropë të mos u kërkojë sërbëvet dhe grekëvet të na i kthejnë tokat që na i kanë marrë, duke na i vrarë e duke na i dëbuar prej andej qindra mijë njerëz?
74.Ç’po u kërkon dhe ç’po u jep Evropa shqiptarëvet, duke ngrohur pafundësisht vezët e BE-së, të cilat nga dita në ditë mund të dalin të prishura llukë?
75.A po e trajton Evropa problemin: Kush, pse dhe si e copëtoi Shqipërinë në 150 vitet e fundit, apo po e kalon anash këtë problem, duke dëshiruar që as ne të mos e kujtojmë kurrë më?
76.Apo ndoshta, Evropa dhe Amerika, për të zezën e vet, po vazhdojnë të na konsiderojnë plaçkë tregu, në vend që të quajnë miq dhe aleatë të pazëvendësueshëm?
77.Me se po merren në ndërkohë mediat tona, analistët tanë, historianët tanë dhe sociologët mjegullshpërndarës?
Këto ishin të 77 pyetjet, të cilat unë ka vite që po ia bëj vetes dhe tash po dua ta ndaj mendimin edhe me ju.
Gjokë Dabaj, Nëntor 2018, me rastin e Festavet tona të mëdha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura