PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (III)

Prishtinë, 8 shtator 2020:
Fëmijëria
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë u lind më 27 gusht 1910 në një familje të pasur ekonomikisht dhe shumë të begatshme shpirtërisht. Familja e saj shquhej për dashamirësi, për harmoni të rrallë familjare, për bamirësi. Në ato rrethana edhe u edukua dhe u frymëzua shpirti bamirës, humanist i saj i cili më vonë, deri më 5 shtator të vitit 1997 do të rrezatonte dashuri të amshueshme për Zotin dhe për njeriun.
Nga kujtimet e Lazrit, del se Gonxhe Bojaxhiu ishte “…një vajzë normale, pak e rezervuar, e mbyllur. Kishte shumë shoqe, gjithnjë rrinte me to, por edhe ato vinin tek ne. Si filloi shkollën fillore menjëherë u pa se është e talentuar për mësime. Ishte para në klasë. Gjithnjë e gatshme t ‘iu ndihmojë edhe të tjerëve…”. Sipas Lazrit, që e re, pra në moshën fëmijërore Gonxhe Bojaxhiu kishte prirje për artet e bukura ndër to për poezi, për shkrime. Shkruante poezi të cilat me dëshirë ua lexonte shoqeve të saja. Me shoqet ishte shumë e hapur dhe e afërt, kurse me shokët paksa më e drojtur, e tërhequr. Në shoqëri mund ta gjeje me të gjithë fëmijët e popujve që jetonin në Shkup, pra pa bërë dallime në fe, racë, komb. Ishte dashamire e madhe e mësimeve, prandaj vazhdimisht mund ta gjeje me libra dhe fletore në duar. Nga karakteri përshkruhej si personalitet i qetë dhe shumë i urtë. Madje, si shembull të urtisë saj edhe nëna Drane shpesh e merrte Gonxhen. Por, që në ato vite, që në ato moshën e saj të hershme, ndoshta edhe për nga personaliteti dhe karakteri i saj dashamirës, i but dhe fare i dashur, Dranja, e ema e Nënës Terezë e kishte parandjenjën se e bija e saj e dytë ishte nisur rrugës së Zotit, pra për murgeshë ! Lazër Bojaxhiu rrëfente:” Gonxhja gjithmonë mbante ndonjë libër pranë, nëna ia tërhiqte vërejtjen Ages qite mos e linte të lexonte aq shumë… Gonxhes i pëlqente të rrinte në kishë, posaçërisht kur nuk kishte njerëz brenda. Ajo kishte dëshirë të lutej vetëm…”.

Janë tejet sublime dhe domethënëse kujtimet e kushëririt të Gonxhe Bojaxhiut, ndryshe kompozitorit tonë të njohur Lorenc Antoni i cili lidhur me fëmijërinë e tij dhe të Gonxhes thoshte:” Si fëmijë jemi rritur së bashku. Të gjithë ne jemi rritur në oborrin e kishës. Edhe në shkollë kemi qenë bashkë. Katër vitet e para i kemi kryer në gjuhën shqipe, në lokalet afër kishë. Mësuesi i parë ka qenë Engjëll Nocaj nga Shkodra/ Pastaj erdhi edhe Ndue Vorfi…Në shkollë ka qenë shumë e mirë. Përpos kësaj ajo ishte edhe organizatore e mirë…Një gjë na pat ra të gjithëve në sy atëherë ishte tepër e dëvoçme. Shoqërohej mjaft me të gjithë dhe ishte shumë aktive në grupin tonë, shoqërinë katolike…”.
Gonxhe Bojaxhiu, duke qenë shumë e angazhuar, ajo veç mësimeve ndiqte edhe shumë fusha tlë aktivitetetev tjera, ndërkohë që ishte mjaft aktive në programet e ndryshme që organizoheshin në aktivitetet bashkiake të famullisë. Kështu ajo, pos të tjerash edhe këndonte në kor, recitonte mjaft bukur në teatrin e qytetit, merrte pjesë në shfaqje, festivale të famullisë,vallëzonte, shkruante poezi dhe poashtu i binte edhe mandolinës. Nga kjo del se, kisha për Gonxhe Bojaxhiun ishte shtëpia e saj e dytë, kurse, sipas kujtimeve të bashkëkohanikëve të saj, është e saktë se arqipeshkvi i asaj kohe i Shkupit,
Imzot Imzot Lazër Mjeda , që ndryshe ishte mik i madh i familjes Bojaxhiu kishte pasur ndikim të madh në formësimin shpirtëror të Gonxhe Bojaxhiut. Gonxhe Bojaxhiu. Lexonte shumë dhe kishte një prirje, veçmas për poezitë Ndre Mjedës si dhe të poetëve tjerë rilindas. Por, lidhur me ndikimet në formësimin e jetës saj shpirtërore, thuhet se një rol të rëndësishëm e kanë lozur edhe etërit jezuitë të “Misionieve volante” nga krahina italiane e Venedikut. Njëri prej tyre ishte prifti shqiptar, Atë Gaspër Zadrima, i cili në Shkup kishte ardhur në vitin 1921. Prifti tjetër që po ashtu kishte pasur ndikim në edukimin jo vetëm kishtar, por përgjithësisht shpirtëror të Gonxhe Bojaxhiut të re, kishte qenë, Atë Cepetiq, i cili poashtu kishte shërbyer në Shkup. Fakti se me shëndet ishte fare e dobët, kjo nuk e pengonte që në atë moshë të hershme të rinisë të dëshmohej me një vullnet të çelikët, me qëndrueshmëri stoike dhe me karakter të veçantë. Ishte e angazhuar në shumë lëmi të jetës. Përpos mësimeve në shkollë, ajo kishte angazhime të shumta edhe në aktivitetet e famullisë së “Zemrës Krishtit” në Shkup. Me një rast, më 27 maj 1928, pak kohë para se të largohej për në Indi, Gonxhe Bojaxhiu shokëve dhe shoqeve ju kishte mbajtur një ligjëratë mbi litanitë e Zonjës së Bekuar. Ajo kishte mbajtur edhe mësim feje, besim fëmijëve më të vegjël, sepse prifti kroat nuk dinte të fliste shqip.
Siç dihet, Gonxhe Bojaxhiu që nga fëmijëria u mishërua me mësimet e Zotit. Ndaj nuk habit fakti se që në vitin 1927, pra një vit para se të nisej për misione në Indi, ajo me një rast i kishte thënë kushëririt të saj, Lorenc Antonit i cili po i mësonte tre vajza në mandolinë që t’ju merrte para: “ Merre, merre nga një dinar e pastaj m’ i dërgo mua për misione në Indi”. Natyrisht, që më herët ajo ishte e familjarizuar me Kishën, ndërsa kur ishte 12 vjeç, së pari herë e kishte dëgjuar zërin e Zotit. Vite më pas, ajo kishte thënë:” Isha e vogël, në gjirin familjar, kur i kisha 12 vjeç. Atëherë së pari dëshirova t’i kushtohem plotësisht Zotit…Gjashtë vjet kam menduar dhe jam lutur…Një kohë pothuaj se nuk kisha dëshirë më të bëhem motër…por Zoti më zgjodhi…”. Ishte e thjeshtë, e dashur, dukej të ishte e lumtur, nuk dëshironte të imponohej para miqve, shokëve , shoqeve, para familjes, shpesh rrinte edhe e heshtur dhe e medituar, por siç shkruan edhe biografi i saj Dr. Don Lush Gjergji, “…kur ishte në pyetje Kisha, feja, atëherë ishte shumë energjike, vendimtare”. Natyrisht, në ato vitet e rinisë së hershme megjithatë nuk do ti shkonte në mendje se një ditë do të jetë humaniste me përmasa botërore. Në mars të vitit 1928 Gonxhe dhe Age Bojaxhiu kishim marrë pjesë në programin kishtar duke kënduar kompozimin e Lorenc Antonit që titullohej sipas “Në breg të liqenit” me tekst të Hil Mosit. Koncerti ishte mbajtur për qëllime humanitare dhe vet ky fakt dëshmon se, Ganxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë që nga ato vite i ishte përkushtuar misionit të paqës, dashurisë për Zotin dhe njeriun, një lloj vetëflijimi të amshueshëm. Në të vërtetë, që më 1926, për herë të parë Gonxhe Bojaxhiu kishte marrë pjesë në një akademi solemne për qëllime humanitare. Ajo, sipas kujtimeve të kushëririt të saj, kompozitorit Lorenc Antoni :” …ndiqte me rregull dhe me kohë ushtrimet. Ishte gjithnjë e gëzuar. Ajo merrte pjesë në shfaqjet e organizuara të rinisë katolike: shpesh këndonte, lozte, aktronte, recitonte, etj. Unë isha ai që e mësova t’i binte mandolinës. Ajo mësoi shumë shpejt dhe mirë.
Ajo ishte një vajzë rreth së cilës mblidheshin të gjithë me dëshirë, sidomos vajzat e reja. Ishte e lindur për të organizuar. Së bashku me Atë Jambrekoviqin, ajo ishte frymëzuesja dhe organizatorja jonë”.
Por, sipas bashkëmoshatarëve të saj, edhe atë Jambrekoviç e kishte frymëzuar për të marrë rrugën e misionarës. Ai, në predikimet e përherëshme fetare veç tjerash i informonte besimtarët e rinj, ndër të cilët edhe Gonxhe Bojaxhiun me misionet për të varfërit dhe për të gërbulurit. Ju pipre literaturë fetare për lexim ku shkruanin misionarët kroatë nga India, nga rrethi i Kalkutës ku ata punonin. Nga dita në ditë shpirti i saj inspirativ dhe mendja e saj, përherë imagjinatave po afrohej vendimit për tu bërë motër – misionare. Ajo e ndjente se Zoti po e thërret. Në kujtimet e tij, Lazër Bpjaxhiu pranonte se:” Këpndimi fetar, liturgjia, si dhe rrëfimet për misionaret përbënin botën, në të cilën jetonim. Sa ishte gjallë babai im, shtëpia jonë i ngjante një vatre politike. Pas vdekjes së tij, na mban gjallë feja. Nënat dhe bijat iu përkushtuan organizimit dhe mbështetjes së aktiviteteve fetare pa u lodhur asnjëherë”. Në përgatitjen për rrugën dhe thirrjen e Zotit, pra, dy vite para se të nisej për në misione, më 1927 dhe më 1928 Gonxhe Bojaxhiu ishte në Letnicë. Atje kishte qëndruar më shumë se herave tjera, plot dy muaj. Gjatë qëndrimit në Letnicë njëherit i kishte pasur edhe ushtrimet shpirtërore, pas të cilave kishte marrë vendimin e prerë për misione, motër në Indi. Pasi u kthy nga Letnica të gjithëve ju kishte thënë se kishte vendosur të nisej në rrugën për motër – misione. Pastaj, sërish kishte shkuar në Letnicë por kësaj radhe për tu parë dhe për ti thënë lamtumirë “Nënës thirrje”, pra për ta marrë bekimin e saj sepse pa atë bekim ajo nuk nisej dot.
Ndërkohë që rrethi i saj shoqëror, shoqet dhe shokët, për ti dhënë lamtumirën e fundit, kishin organizuar një program të veçantë të “Akademisë së Pashkëve” ku si pikë e veçantë ishte përshëndetja me Gonxhe Bojaxhiun. Pikërisht pika e dytë e programit titullohej “Lamtumirë” Gonxhe Bojaxhiut.
VIJON …
________________________

PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (II)

https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10458

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura