RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (27)

Nga Asllan Muharremi

Shëndeti dhe sfidat e tij

     Disa ditë pas kthimit nga Cernusha, ku së bashku me Ferkiun i patëm shumëzuar tetë kërkesat e parevokueshme, kisha vërejtur se nga veshi i majtë më kullonin pika gjaku. Megjithëkëtë tek mjeku nuk isha drejtuar. Pas rrethimit të shtëpisë dhe kalimit në ilegalitet, nuk më kishte rënë ndërmend të merresha me veshin dhe hallet e tij.

      Mirëpo disa ditë më vonë ndonëse nuk kisha vërejtur kullim gjaku, e ndjeja një dhembje të veshit dhe kokës. Një simptomë tjetër ishte se të gjitha llojet e ushqimeve, që shijoja, më dukeshin shumë të njelmëta. Në një rast e pyeta Elhemen për njelmësinë e ushqimit dhe nga ajo mora përgjigje që nuk i vërtetonte përshtypjet e mia. Elhamja e mori një pjesë të pites, që e kishte gatuar, nga ana e tepsisë që kishte para vete, dhe më luti ta provoja, por unë nuk pashë asnjë ndryshim! Ushqimi vazhdonte të kishte “shumë” kripë!

      Ky përkeqësim i papritur i shëndetit tim, i shqetësoi edhe Elhamen dhe Sheremetin. Ata përpiqeshin të më ndihmonin në mënyra të ndryshme, por sa më shumë që kalonte koha, ndjehesha gjithnjë e më keq dhe dhembja sa vinte e më shtohej. Fillova ta humb forcën dhe mezi qëndroja në këmbë. Çuditërisht, “mendjen” e kisha të kthjelltë. Vallë pak e kisha policinë, por tani më duhej edhe kjo sëmundje e mistershme?‒ e pyesja vetën.

      Kaluan dy-tre ditë dhe me Sheremetin biseduam se si t’ia bëjmë.  U pajtuam që ta kontaktojmë një mjek, por mjek të njohur nuk kishim. Në bisedë e sipër, na lindi ideja që ta kërkojmë ndihmën mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit të Punëtorëve të Termocentralit të Obiliqit dhe, në atë rast, ta përdor librezën shëndetësore të vëllait tim, Shabanit. Gjatë bisedave na e merrte mendja se Termocentrali i Obiliqit kishte rreth tetëmbëdhjetë mijë punëtorë dhe personeli mjekësor nuk i njihte të gjithë punëtorët që i kontrollon.  Pastaj, unë gjithashtu thashë vetë me vete: “nëse me zënë policia, le të më zënë me librezë të vëllait!”

      Sheremeti, më tha se do të përpiqej ta kontaktonte Hoxhën dhe ta porosiste që ta vizitonte shtëpinë time dhe të na e sillte librezën shëndetësore. Pak më vonë më ka njoftuar se shpresonte se qysh nesër ta kemi librezën shëndetësore.

     Meqë u pajtuam që ta kërkojmë ndihmën mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit të Termocentralit në Obiliq, mendja më shkoj që të zhvendosesha, së pari në Hade, tek daja Isë, dhe pastaj me ndihmën e tij ta vizitoja Shtëpinë e Shëndetit. Dajën Isë, qysh i vogël e kisha dëgjuar duke biseduar për demonstratat e vitit 1968, e dija se ai shoqërohej me nipin e tij – Qamil Grajçevcin – dhe dajën tim – Salih Mirena; se ata të tre kanë qenë shokë të pandashëm dhe pjesëmarrës në demonstratat e 1968-tës në Prishtinë. Gjithashtu, me dajën Isë dhe Qamilin, viteve të fundit, kisha biseduar kohë pas kohe për zhvillimet politike dhe ua kisha dhënë ndonjë gazetë dhe libër të ndaluar.

    Të nesërmen, Sheremeti më njoftoi se e kishte marrë librezën shëndetësore. Dikur pasdite, ai erdhi përsëri në dhomë dhe më njoftoi se duhej të bëhesha gati se një makinë po më priste në oborr. Sheremeti, më ndihmojë të futesha në makinë.

     Pas pak, u nisëm në drejtim të fshatit Hade, së bashku me  Isuf Saraçin. Kaluam nëpër fshatrat Hamidi e Leshkoshiq dhe arritëm në Hade. Në hyrje të fshatit u ndamë me Isuf Saraçin, ndërsa unë vazhdova dhe kalova anësh fshatit, nëpër bashkari* dhe arrita tek shtëpia e dajës Isë (Mirena).

     Ndjeja keqardhje që po detyrohesha t’i shkoja në shtëpi dhe me këtë druaja se  do t’i krijoja telashe dajës Isë dhe familjes tij. Mirëpo në atë gjendje që isha, nuk gjeja zgjidhje tjetër.

     Daja Isë së bashku me dajën Hajrë dhe e gjithë familja e tyre më pritën krahëhapur. E gjithë familja kishin dëgjuar se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë time me 7 prill 1983 dhe e dinin se isha duke u kërkuar nga policia!

     Të nesërmen në mëngjes daja Isë së bashku me nipin  tij, Qamilin, më dërguan në Shtëpinë e Shëndetit të Punëtorëve në Obiliq. Një mjek më kontrolloi dhe pas pak i këshilloi dajën Isë që të më dërgojnë në Prishtinë.

            *bashkari– kështu quheshin arat e dajave në Hade

     Nga Obiliqi, me makinën e Qamilit, arritëm në Prishtinë.

     Natën e parë kam qëndruar në shtëpinë e Riza Pllanës në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku jetonte me familjen e saj motra e Qamilit – Rifetja.

      Të nesërmen kemi kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Spitalit Universitar të Prishtinës. Më kontrolloi një mjek specialist. Ai kërkoi  nga unë që t’i bëja analizat e gjakut. Meqë ai nuk “zbuloi” asgjë të çuditshme, gjatë kontrollit të parë, mjeku më këshilloi të kthehesha në shtëpi! Unë i shpjegova mjekut se nuk isha aty për pushim mjekësor, por për shkak të dhembjeve të padurueshme që kisha! Pas shpjegimeve të mia dhe marrjes së rezultatit të provave shtesë, mjeku më udhëzoi që të shkoja tek Klinika e Otorinolaringologjisë ( Sy-vesh-hundë dhe Fyt).

      Në Klinikën e Otorinolaringologjisë u vendosa në Repartin e Veshëve në një dhomë me dy-tre pacientë të tjerë. Mjekët më bënë një provë që ishte një shpim në shpinë. Pas kësaj mjekët nisën menjëherë mjekimin. Ndihma e dhënë pati efekt pozitiv dhe unë fillova të ndjehesha më mirë dhe të kisha më pak dhembje në kokë.

     Ditën e tretë të qëndrimit në spital, një pacient i dhomës sime më tha se po më njihte dhe se më kishte takuar, kohë më parë, diku në Mitrovicë! Pacienti, që më tmerroi me lajmin që po më jepte, më tha gjithashtu se ai më njihte, madje edhe se e dinte se quhesha Asllan dhe jo Shaban!

      Unë bëra përpjekje t’ia mbushja mendjen se isha duke i përngjarë në ndonjë person tjetër dhe këmbëngulja se unë quhesha Shaban dhe jo Asllan. Çuditërisht pacienti nuk e zgjati më shumë me çështjen e njohjes! Megjithëkëtë mua më kapen “ethet”. Mendja më shkonte gjithandej! Për mua çdo njeri i panjohur ishte i dyshimtë!

      Ditën e pestë të qëndrimit tim aty, unë fillova ta merrja vetën dhe të lëvizja nëpër korridorin e repartit të mjekimit, pothuajse normalisht. Shëtitjen e bëja nga dhoma ime e deri në fund të korridorit, ku ndodhej një dritare shumë madhe e cila kishte pamje nga oborri dhe vend parkimi i makinave.  Duke shëtitur, sapo arrita tek dritarja u ndala dhe i hodha një shikim oborrit.  Papritur i shohë Burim Zagragjën dhe Behxhet Ahmetin, poshtë në oborr, tek parkingu i makinave dhe afër derës së hyrjes në repartin tim. Nuk vonova dhe zbrita poshtë në katin përdhes dhe dola tek dera në oborr.  U përshëndeta me  shokët dhe atyre u tregova edhe për shqetësimin tim që kisha, se një pacient po thoshte se më njihte! U pajtuam që të futesha në makinë. Aty biseduam pak minuta dhe ashtu siç isha ikëm në drejtim të Hades. Pas njëzet-tridhjetë minutash arritëm në hyrje të  fshatit  Hade. Burimi e Behxheti u kthyen  ndërsa  unë vazhdova në këmbë deri tek shtëpia e dajës Isë.

     Të nesërmen, daja Isë, shkon dhe e takon tim atë në vendin e tij të punës, e  porositë të shkonte në  Klinikën e Otorinolaringologjisë së Spitalit Universitar të Prishtinës dhe t’ju shpjegonte mjekëve se  gjoja unë isha larguar nga spitali për shkak të provimeve që kisha javën e ardhshme!

     Të nesërmen në mëngjes, daja Isë më ka njoftuar se, im atë kishte shkuar në spital dhe ua shpjegon mjekëve “arsyet” e ikjes sime nga spitali. Në atë rast mjeku i kishte thënë tim atë:

    ‒ Unë isha duke u bërë gati ta njoftoja policinë për largimin e tij, pa leje, nga spitali! Mirëpo meqë ke ardhur dhe po m’i tregon arsyet e largimit të tij, nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Ne jemi të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Shabanit! Duhet ta kuptoni se gjendja  shëndetësore e djalit tënd është e rëndë dhe ai duhet patjetër të kthehet në spital, sepse shëndeti i tij, tani për tani, është më i rëndësishëm sesa provimet. Po t’i jap me vete këto barëra, por përpiqu ta bindësh djalin tënd që të vije në spital sepse ai nuk do të shërohet vetëm me këto barëra!

      Pasdite daja Isë kthehet nga puna dhe m’i sjellë barërat dhe mendimin e mjekut. Unë nuk e morra seriozisht mendimin e mjekut. Vazhdova t’i pi barërat që m’i kishte sjellë, por nuk e kisha ndërmend të shkoja përsëri në spital!

      Të nesërmen fillova përsëri të ndjehesha keq. Kisha barkë qitje dhe vjellje. Të gjitha simptomat që i kisha pasur para shtrirjes në spital më ishin rishfaqur.

     Daja Isë dhe Qamili më dërguan përsëri në spital. Mjekët rifilluan menjëherë trajtimin mjekësor.

      Kaluan dy-tre ditë të tjera dhe unë nuk po shihja ndonjë përmirësim. Një  mëngjes infermierët më nxorën nga dhoma dhe së bashku me shtratin tim më dërguan në sallën e operacionit.

      Pas marrjes së narkozës më ka “zënë gjumi”. Pas pak, e kam dëgjuar një zhurmë  të  ngjashme me krismën që lëshon prerja me thikë e një stofi të fortë. Gjatë operacionit, pa problem e dëgjoja bisedën e kirurgëve Refki Ramku e Hasan Jakupi. Si duket, ata ishin të vetëdijshëm se unë i dëgjoja, prandaj flisnin me njëri-tjetrin gjermanisht! Gjithashtu, gjatë operacionit, i dëgjoja goditjet e çekanit, por nuk ndjeja dhembje.

      Pasi  më ka lëshuar narkoza, nga salla e operacionit deri në dhomën time,  më ka shoqëruar një infermiere që më fliste serbisht. Nuk ia mbaj mend emrin por ajo kishte sjellje shumë njerëzore. “E sinko moje15…,- më thoshte diçka që unë e dëgjoja si në ëndërr”

       Menjëherë pas operacionit fillova të ndjehesha më mirë dhe të këndellesha. Mjeku i kishte urdhëruar personelin e kuzhinës që të më jepnin ushqim shtesë. Dy-tre ditë pas operacionit më dukej sikur nëpër murin përballë, që e kisha në dhomë, po lëviznin milingona në një rresht që s’mbaronte kurrë. Pas disa ditësh nisa serish të ecë nëpër dhomë dhe pak më vonë edhe nëpër korridor të spitalit.

     Një ditë një kryeinfermiere me mbiemrin Sokoli erdhi në dhomën time dhe më pyeti se si ndjehesha. Meqë unë i jepja përgjigje se ndjehesha mirë, ajo e gëzuar më tha:

     ‒ Po më vjen mirë. Ke pasur një gjendjen të rëndë. Mjekët të kanë hequr kaq qelb nga truri i vogël, – dhe ma tregoi një gotë plastike të vogël sasinë e qelbit që më kishin nxjerrë  mjekët. Ke qenë shumë në rrezik dhe pranë vdekjes – vazhdoi me gjithë seriozitet kryeinfermierja Sokoli.

     Unë s´dija se çka t’i them, por iu përgjigja informacionit të saj me kokëfortësinë e njeriut që nuk beson në vdekje:

      ‒ Nuk e kam pasur ndërmend të vdes! ‒ i thashë kryeinfermieres.

       Kryeinfermierja Sokoli më lëshoi një buzëqeshje dhe iku.

        Çdo ditë që kalonte ndjehesha gjithnjë e më mirë me shëndet. Nuk ndjeja dhembje dhe vargu i milingonave ishte larguar nga muri! Më ishte shtuar forca dhe ngjitesha nga shtrati e lëvizja nëpër dhomë.

       Përmirësimi ma ngacmoj idenë që ta braktisja spitalin sa më parë. Dëshiroja të bëhesha bashkë me shokët dhe njerëzit tjerë të dashur e të shtrenjtë të cilëve kjo sëmundje e mallkuar u nxori aq shumë telashe.

      Mirëpo mjekët nuk e bisedonin me mua çështjen e largimit tim nga spitali. Sa herë i pyetja më përgjigjeshin se do të më lirojnë sapo të shërohesha! Përgjigja e mjekëve më dëshpëronte shumë.

      Pas disa ditësh, gjersa isha duke shëtitur në korridor, e shoh se po vinte drejtë meje Enver Syla, bashkëfshatari im, nga Mihaliqi.  Sapo e pashë mendova menjëherë si të ikë nga korridori. U bëra se nuk po e njihja dhe u ktheva e u futa në dhomë.

     Unë nuk kisha guxim t’i afrohesha dhe aq më pak të ndalesha dhe të flisja me të. Fatkeqësisht ndonëse Enver Syla ishte djalë i urtë, ai kishte kushërinj që ishin të lidhur me pushtetin, madje edhe që punonin në polici, dhe kisha frikë se ai mund të fliste, pa qëllim të keq, me ndonjërin prej tyre dhe pastaj ata mund ta përcillnin lajmin  te dhëndëri i tyre, Burhan Prishtina.  

     Pas këtij takimi të papritur dhe befasues për shkak të frikës nuk kam fjetur gjithë natën. A thua a me ka njohur se kush isha apo jo?

     Kisha hyrë në javën e katërt të qëndrimit tim në spital, e megjithëkëtë mjekët asnjëherë nuk e shkruan me mua çështjen e lirimit tim nga spitali!  

     Çdo mëngjes shkoja në dhomën e trajtimit dhe mjekët ma  pastronin  plagën. Nga veshi e nxirrnin fashën e ndotur dhe në vend të saj e fusnin një fashë të pastër. Kjo praktikë e tyre, ishte mjaftë e bezdisshme. Kur e nxirrnin fashën nga veshi më dukej sikur ajo po kalonte tejpërtej nëpër kokë, nga veshi i djathë në veshin e majtë!        

     Nuk kalonte ditë pa më ardhur dikush për vizitë. Nganjëherë më vizitonin dy-tre vizitorë brenda ditës, por e mira në këtë ishte se pothuajse asnjëherë vizitorët nuk vinin të gjithë përnjëherë.

      Selvete Grajçevci, që ishte studente e Fakultetit Juridik, më ka vizituar më së shpeshti. Atë e dërgonin daja Isë dhe i vëllai i saj Qamili kur nuk kishin mundësi të vinin vet. Por edhe ata vinin shumë shpesh. Pastaj mjaftë shpesh më kanë vizituar edhe Ferkiu e Mirvetja (Haliti) dhe shokë dhe të afërm të tjerë. Disa herë, pa lejen time dhe të shokëve, ka ardhur edhe babai im, të cilin kur e shihja m´i shtinte njëqind tutë në barkë. Kisha frikë mos po i vije ndonjë spiun prapa.  Kur e “qortoja” se përse kishte ardhur, ai më arsyetohej dhe më thoshte se kishte dal nga vendi i punës dhe drejt e në spital dhe se kishte shikuar  mos po i vije njëri prapa, por s’kishte parë njëri!

      Një ditë më vije në dhomë Xhevat Durmishi, i veshur me mantel të bardhë. Xhevati ishte në vitin e pestë të Fakultetit të Mjekësisë. Ai hyri në dhomë dhe nisi t´i pyeste për shëndetin pacientët me radhë duke filluar me atë që ishte më afër dere. Mu afrua edhe mua dhe nisi të më pyet më gjerësisht se si po ndjehesha.

       Unë e kuptoja se çfarë brenge kishte Xhevati, që ishte vëlla i Xhaferit. E vërtetë ishte se unë isha shumë më mirë dhe kjo që po ia thosha Xhevatit nuk ishte vetëm përpjekje për t’ia hequr shqetësimin atij dhe familjes së tij.

      Megjithëkëtë, Xhevati e lexoi një fletë nga raporti i mjekut që ishte në fund të krevatit tim dhe si duket nga ai e kuptoi më mirë se unë seriozitetin e gjendjes sime. Pas pak minutash Xhevati doli nga dhoma.

     U gëzova shumë që e takova Xhevatin sepse e dija se ai do ta informonte edhe familjen e tij dhe kështu nëpërmjet të atit të tij do të merrte vesh edhe Sheremeti se si jam.

     Kirurgu Hasan Jakupi, gjatë një vizite që ma bëri në dhomë, më kërkoi që të shkoja në zyrën e tij sepse dëshironte të fliste diçka me mua. Hasan Jakupi, që ishte një nga kirurgët që më kishte operuar, e merrja me mend se e dinte gjendjen time më mirë se kushdo tjetër, prandaj mezi prisja të shkoja dhe të flisja me të.

     Shkova në zyrën e tij dhe Hasan Jakupi më thotë:

     ‒ Tani që more e vetën, çka e ke ndërmend të bësh?

      ‒ Duhet të dal diku jashtë vendi, ndoshta kaloj në Shqipëri,‒ i përgjigjem.

       ‒ Unë jam i mendimit të forcohesh edhe pak dhe të lajmërohesh në polici! Të dënojnë ndoshta disa vjet, por pas burgut kthehesh prapë në shtëpinë dhe vendin tënd. Po dole jashtë do të humbësh. Këtë e duan ata që të kërkojnë. Mos kalo në Shqipëri!

       ‒ Nuk mund të dorëzohem në polici. Kjo çështje nuk është aq e thjeshtë. Të faleminderit shumë për këshillat tua,‒ i thashë dhe u ndamë!

       Unë e kuptoja se ç´më thoshte Hasan Jakupi, por unë dhe shokët kishim vendosur që të mos dorëzohesha dhe të largohesha nga Kosova për një kohë. Hasan Jakupi më njihte mua dhe tim atë qysh më parë. Ai shoqërohej me kushëririn tim Haqif Sadiku. E kuptoja se Hasani nuk dëshironte që unë të largohesha nga Kosova dhe për këtë arsye mendoja se nuk kishte asgjë të keqe këshilla e tij, përkundrazi ajo ishte shumë dashamirëse. Qëndrimi i tij ishte miqësor dhe i drejtë. Unë kisha shumë respekt për Hasanin dhe mjekët tjerë që punonin aty. Për mua Hasan Jakupi dhe Refik Ramku ishin bërë heronjtë e mi dhe unë isha shumë krenar për ta dhe punën e tyre.

      Një ditë  mjeku më njoftoi se duhet të shkoja për një kontroll në Shkup. Më thanë se në spitalin e Prishtinës nuk mund të bëhej një kontroll i asaj natyre që mund të bëhet në Shkup.

      Në mëngjes, me ambulancën e spitalit, së bashku me shoferin dhe një mjek u nisëm për Shkup. Në spitalin e Shkupit pritëm disa orë, por nga aty u kthyem pa kryer punë! Shoqëruesit e mi u hidhëruan shumë nga trajtimi përbuzës dhe jo human që na bënë mjekët e spitalit të Shkupit. Ata nuk na morën në dorë, ndonëse mjekët nga spitali i Prishtinës i kishin paralajmëruar se do t’i vizitonim. Mjeku që më shoqëroi, që nuk e njihja dhe që nuk ia mbaj mend as emrin, m’i tha këto fjalë pasi u kthyem nga Shkupi:

      ‒ Shko kah të duash, por mos harro se Prishtina, gjithmonë do të ngelet Meka jote!

      Unë e shikova me habi, por nuk i thashë gjë. Ndonëse e ndjeja vetën ateist dhe përqafoja mendimin shkencor të Karl Marksit se “feja është opium për popullin”, ashtu siç admiroja thënien e famshme të Pashko Vasës  “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk mund të mos ndjeja admirim për një mjek shqiptar, që në rrethana shumë të vështira  dhe dramatike të jetës sime, po bënte  krahasime të tilla. Ndonëse, nuk i kisha të drejtuar sytë as kah Meka e as kah Vatikani apo Athina, unë pajtohesha me mjekun se Prishtina ishte vend i shenjtë për mua, ashtu siç ishte për stërgjyshërit tanë të lashtë -Dodona, Mali i Tomorit e vende të tjera të kultit! Mua po më mahniste “këshilla” që po më jepte mjeku i Prishtinës. Ndoshta, thosha vetë me vete, se edhe ky ma di hallin? Zemra më lëshonte të rrahura pa pushim. Njerëz të mrekullueshëm!

      Një ditë, nga mjeku mësova se plaga ime ishte ende e hapur! Ky lajm më shqetësoj shumë. Ditët e javët kishin kaluar dhe nuk dija se kur do të mund të lirohesha nga spitali, por pas këtij lajmi, sikur dita e lëshimit nga spitali po ikte drejtë një date edhe më të panjohur. Më shqetësonte edhe çështja e kësaj dreq sëmundje, që dashka kaq shumë kohë  për t’u dorëzuar ..! Vallë ç’është kjo sëmundje që nuk dorëzohet- e pyesja vetën?

     Disa ditë më vonë kirurgu Refki Ramku më thërret në zyrën e tij dhe më thotë:

       ‒ Ka katër javë që po luftojmë me sëmundjen tënde dhe ende nuk dimë se a je shëruar plotësisht nga infeksioni apo jo? Këtu në Prishtinë nuk kemi aparaturën nevojshme mjekësore që do të na duhej për një kontroll të tillë, kontroll ky që ti duhet ta bësh patjetër. Mua më duhet të dërgoj në Beograd, – më tha mjaftë i shqetësuar kirurgu Ramku!

      Sapo mbaroi kirurgu Refki Ramku, unë reagova menjëherë:

       ‒ Jo, nuk dua të shkoj në Beograd. A ka mundësi të më dërgosh në Zagreb, Lubjanë apo diku tjetër?‒ e pyeta mjekun.

      ‒ Më vjen keq, por unë nuk kam të drejtë të dërgojë as në Zagreb, as në Lubjanë dhe as diku tjetër. Kështu i kemi rregullat. Ne kemi urdhër t’i udhëzojmë pacientët në Beograd. Në spitalet tjera mund t’i udhëzojmë pacientët vetëm nëse Beogradi nuk ka mundësi pranimi! Por ti nuk ke nevojë të shqetësohesh. Ke parasysh se mjekët në Beograd nuk dinë se kush je. Po të ishe ndonjë figurë e njohur edhe unë do të kisha frikë dhe mundësisht nuk do të dërgoja në Beograd, por ata të dinë si punëtor dhe të shikojnë pa hile,‒ më dha mbështetje kirurgu Refki Ramku.    

     Shpjegimi i mjekut  ma ktheu mendjen dhe u pajtova të udhëtoja për Beograd. Të nesërmen, në mëngjes, kirurgu Refki Ramku dhe një infermiere po ma shikonin plagën dhe po më përgatitshin për udhëtim që ishte menduar të realizohej nesër. Refki Ramku i thoshte infermieres:

     ‒ Lidhja plagën mirë se ata në Beograd do të thonë: Eto propala republika16!

      Unë e shikova me habi dhe Refki Ramku sikur ta kuptonte se ç´po më ziente koka më thotë:

      ‒ Edhe kjo është me ne!

      Çka t’i përgjigjesha? Mendja më iku tek Zeqir Sadria, Enver Maxhuni, Burhan Prishtina, Faruk Mehmeti dhe suita e tyre kriminale. Në vesh më tingëllonin fjalët e tyre se “ata dinë gjithçka” se ne nuk kishim përkrahjen e popullit dhe dokrra të tjera udbeske. Vallë çdo të bënin udbashët se unë gjendesha në spitalin “tim” dhe në mesin e njerëzve të mi, – pyeta vetën? Mora frymë thellë dhe u ngrita nga shtrati dhe falënderova mjekun për ndihmën. Dola nga dhoma e kontrollit dhe ika në dhomën time. Zemra më ishte bërë mal!

     Në mëngjesin e ditës së nesërme së bashku me dajën Isë dhe shoferin e ambulancës jemi nisur për Beograd.

    Pas disa orësh udhëtimi arritëm në Beograd. Daja Isë dhe shoferi e kanë paraqitur arritjen tonë në sportelin e Spitalit të Neurokirurgjisë në Beograd. Personeli mjekësor që kishte detyrë pranimin e pacientëve të rinj më dëshiroi mirëseardhje! Një burrë rreth të dyzetave dhe me një trup rreth dy metrash gjatësi, i cili u prezantua se ishte mjek me përkatësi etnike malazeze dhe më origjinë nga Kosova,  mori udhëzimin mjekësor dhe e lexoi. Pas pak ma kërkoi letërnjoftimin. Unë iu përgjigja se letërnjoftimin nuk e kisha me vete dhe se gjoja atë e kisha harruar në spitalin e Prishtinës! Pas disa hezitimesh dhe pasi e lexojë edhe njëherë udhëzimin mjekësor dhe diagnozën, mjeku i pranimit u pajtua që të më pranonte në spital edhe pa letërnjoftim. Ma lëshoi një shkëndijë “humanizmi” me një:

      ‒ Ajde jadni Shabane, ocu da te primim ovog puta, ali drugog puta nemoj da dodes u Beograd bez licnekarte!!!”(Eja Shabani i gjorë, po të pranoi kësaj radhe, por herëve të tjera mos eja në Beograd, pa letërnjoftim).

       Unë, daja Isë dhe shoferi e falënderuam për pranimin tim!  Menjëherë pas pranimit tim në spital, u përshëndeta me dajën Isë dhe shoferin të cilët  u kthyen për Kosovë. Ndërsa unë ngela i vetëm në Beograd, tashmë i çarmatosur, pa letërnjoftim dhe vetëm me një udhëzim mjekësore dhe diagnozën që ishte shumë e gjatë por që niste me Cerebellum…17 dhe vazhdonte me një fjali të tërë që unë se kuptoja asnjë fjalë.

      Në spitalin e Beogradit, në repartin e neurokirurgjisë, më vendosën në një dhomë me dy pacientë. Njëri nga pacientët ishte serb nga Beogradi dhe quhej Zoran, ndërsa tjetri ishte boshnjak nga rrethi i Novi Pazarit dhe quhej Enver. Të dy ishin me diagnozë kanceri. Zorani, që si dukej ndjehej shumë i dëshpëruar për diagnozën e tij, dëgjonte muzikë serbe me zë deri në kupë të qiellit. Edhe Enveri mërzitej shumë për sëmundjen që kishte. Mua më vinte keq për ta, sepse të dy ishin të rinj me moshë, rreth të tridhjetave.

     Të nesërmen, gjersa po rrinim në dhomë, pacienti serb me pyet:

       ‒ A po vijnë refugjatë nga Shqipëria?!

      Ç´t’i përgjigjesha?! Unë nuk isha i interesuar fare të përgjigjesha në pyetje të tilla dhe që mund të zgjonin kureshtjen e pacientit nga Beogradi. Pastaj, ku ta dija se kush ishte, se a ishin me të vërtet pacient apo jo?

     ‒ Unë jam fshatar dhe kam shkuar në shkollë vetëm tetë vjet,‒ i përgjigjem Zoranit. Familja ime ka shumë tokë dhe ne kemi një  traktor dhe merremi me bujqësi. Në fshatin tonë nuk ka refugjatë nga Shqipëria, po të gjithë banorët jemi vendas. Unë nuk di ma shumë. Im atë më ka thënë se nuk bënë të merresh me politikë, – dhe nxora nga xhepi i këmishës një tubë me letra njëmijë dinarësh dhe ua tregova  shokëve pacientë që kisha në dhomë.

     Zorani  më shikoi e m’i rrahu krahët me dorë  dhe më tha:

      ‒ Imash pametnog oca…”18 !  

      Enveri nuk fliste gjë. Ai vetëm dëgjonte.

       Në një rast, kur Zorani nuk ishte në dhomë, Enveri filloi ta shante Zoranin dhe të gjithë serbët! Qëndrimi i tij nuk më pëlqeu. Unë kisha hallin tim dhe nuk dëshiroja të flisja me asnjërin për asgjë tjetër pos për “shëndetin”! Më vinte keq për “vëllain” nga Novi Pazari, të cilit pushtuesit serbë ia kishin humbur identitetin kombëtar dhe gjuhën e të parëve të tij, por unë nuk mund të flisja! Me Enverin, në rrethana të tjera, me gjithë qejf do të kisha biseduar dhe do t’i kisha thënë se unë jam vëlla i tij dhe se nëpër dejtë e tij ashtu si edhe në të mijat rrjedh gjak ilirë. Do t’i kisha thënë se unë kisha dëgjuar nga im atë dhe kisha lexuar se e gjithë krahina e Tregut të Ri deri vonë kanë folur shqip dhe burrat deri vonë kanë mbajtur qeleshe të bardhë… Por kësaj radhe më duhej ta dëshpëroja atë duke heshtur dhe duke i thënë me heshtjen time se jam krejtësisht i pa interesuar për ato gjëra që ai ishte duke folur. Në anën tjetër nuk më pëlqente edhe sharja e Zoranit, prapa shpine. Unë nuk kisha asgjë kundër Zoranit dhe përkatësisë së tij etnike. Popullin serb dhe qeveritë serbe nuk i kisha futur asnjëherë në një thes. Unë as shokët e mi nuk kishim asgjë kundër serbëve të Kosovës e as atyre të Serbisë. Ne ishim kundër politikës serbomadhe të Beogradit. Unë isha me mendimin e Leninit dhe e mbaja mend një mendim të tij shumë të drejtë se “Një popull që shtyp popujt tjerë, as vet nuk është i lirë”. Serbët nuk janë të lirë përderisa mbështesin politikën serbomadhe të udhëheqjes së tyre. Nuk ka Serbi të lirë pa Kosovë të lirë apo nuk ka Jugosllavi të lirë pa Kosovë të lirë dhe të barabartë me Republikat tjera!

      Ditën e dytë dola nga dhoma dhe u shëtita nëpër korridor si dhe qëndrova në një restorant që ndodhej në kuadër të spitalit.

     Dukej qartë se spitali ishte shumë modern dhe i një cilësie tjetër nga ai i Prishtinës. Kjo ishte një mrekulli, por mua më dhimbeshin pacientët nga Kosova që nuk kishin një spital të tillë dhe duhej të vinin për mjekim kaq larg!

     Nëpër hapësirën e një vendi për vizitorë, pashë shumë pacientë që kishin kaluar nëpër operacione të ndryshme, disa me kokë të mbështjell me fasha të bardha edhe  disa të tjerë me shenja të plagëve nëpër kokë dhe flokë të rruara. Një fotograf, që bënte fotografi të shpejta, më kërkonte që gjithsesi të bëja një fotografi. Unë u pajtova të fotografohesha, ashtu si isha me kokë të lidhur me fashë të bardhë dhe sapo ia pagova paratë ma lëshoj në dorë një fotografi që e nxori nga aparati i tij. Tani u bëra edhe me fotografi,-thosha vetë me veti.

     Ditën e tretë më thirren në kontroll dy mjekë specialistë. M´i bënë disa prova të drejtpeshimit dhe të prekjes së majës së hundës me gishtin tregues, sy mbyllur. Në fund, pasi mbaruan punë, njëri nga mjekët i tha shokut të tij:

     ‒ Oni su alla specialisti!19

      Mjekët u konsultuan në mes veti më thanë se nuk kisha asnjë të keqe dhe se duhet të kthehesha në Prishtinë.

      Ky vendim i mjekëve beogradas, për mua nënkuptonte se kisha udhëtuar kot së koti deri në Beograd. Kontrolle të tille, madje edhe më të mira se këto të specialistëve në Beograd, më kishin bërë mjekët e Prishtinës.

      Menjëherë shkova dhe u përshëndeta me pacientët e dhomës dhe ju dëshirova shëndet në të ardhmen. U vesha, dola para pasqyrës e shkova në recepcion dhe e kërkova dokumentin e fletë-lëshimit nga spitali.

     Pas disa orësh mora autobusin Beograd-Nish. Në autobusë unë dallohesha se isha pacient. Kokën e kisha të lidhur me fashë të bardhë dhe kjo më krijonte mjaftë siguri…

     Në Stacionin e Autobusëve në Nish isha duke e pritur autobusin për Prishtinë. Duke pritur, një udhëtar, që gjithashtu po priste edhe ai autobusin, mu afrua dhe së pari më pyeti për shëndetin në gjuhen serbe. Sapo mori përgjigje nga unë, si duket për shkak të gjuhës, e kuptoj se isha shqiptar. Ai nisi të flet shqip dhe më tregoi se ishte romë nga Prishtina.

      Pas disa orësh udhëtimi nëpër Prokuple dhe Kushumli, arritëm së bashku me mikun tim të ditës në Prishtinë. Para se të ndaheshim dhe të nisesha për spital, mora shumë urime për shëndet nga bashkudhëtari im.

      Nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë e mora një taksi dhe shkova deri në Spital. Aty e takova një mjek kujdestar të cilit ia dorëzova fletë-lëshimin nga spitali i Beogradit. Mjekut i tregova se çfarë kontrolli më bënë mjekët në Beograd dhe se ç’i kisha dëgjuar ata duke folur gjatë kontrollimit që më bënë. Mjeku i hipi tensioni i gjakut dhe më tha të shkoja në shtëpi dhe të lajmërohesha përsëri nesër herët në mëngjes në spital.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (28)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura