PROF.DR.AGIM ZOGAJ: LAJTHITJET PROSERBE TË HISTORIANIT FRANCEZ, ZHAN – POL BLED

Prishtinë, 27 shkurt 2020:
Përulja para hegjemonisë
Lufta diplomatike, mediatike, akademike kundër shtetit të Kosovës, është në ofensivë të madhe. Serbia, është ajo, e cila, me tërë mekanizmat e saja institucionale po vepron dhe, natyrisht, për ato objektiva, është në koordinim me aleatët e saj, të djeshëm dhe të sotëm, në radhë të parë me Rusinë. Si të interpretohen, ndryshe, disa nga deklarimet, pohimet e historianit francez, Zhan – Pol Bled, i cili, këto ditë, pikëpamjet e tij i shpalosi, në një ligjëratë mbajtur në Beograd, më konkretisht, në intervistën dhënë medies serbe. Fillimisht, ta theksojmë se, ai është anëtar me korrespondencë i Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve, fakt ky, i cili, pa ndonjë paragjykim, por, jep të kuptosh, se në lidhje me Kosovën, historiani, akademiku francez, sikur edhe bashkë kolegët e tij serbë, nuk mund të pritet të ketë qasje objektive, të pa anshme. Aq më parë, një akademik francez, mendimtar, i një ndër qytetërimeve më të shkëlqyera, të gjitha epokave të historisë. Një akademik, nga i cili, pritet që, gjithnjë dhe në çdo rast, përmes mendimeve, ideve të mbështesë lirinë, si vlerë universale, e drejtë e të gjitha kombeve në botë, të mbështes, luftën e popujve për çlirim nga sundimi, nga robëria. Ai, historiani francez, e di fare mirë se, idetë, projektet, luftërat koloniale, i takojnë historisë, së shkuarës së errët, pavarësisht, shteteve, popujve, qeverive, jo vetëm Serbisë! Prandaj, realisht, në ligjëratën e tij në Beograd, në cilësi të anëtarit të Akademisë serbe, është pritur që, në lidhje me Kosovën të jetë në nivel të mendimtarit, historianit, i cili do të jetë në anën e së drejtës ndërkombëtare, në anën e themeleve të filozofisë evro-perëndimore për lirinë si koncept, edhe i filozofëve dhe humanistëve të ndritur francez, përkrah, popujve të cilët me gjak e kanë fituar lirinë, siç është populli ynë shqiptar!

Gjithsesi, pikëvështrimi i parë, i historianit francez, i cili meriton, rishqyrtim, analizë është pikëpamja e tij se:” Problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm në kornizat evropiane”! Zhan – Pol Bled, ndoshta, qëllimisht nuk e përkufizon se, çfarë kupton me, sipas tij, “kornizat evropiane”. Për më tepër, ai, ose e keqinterpreton, shprehjen, mendimin, konceptin, “Problemi i Kosovës”, ose, bëhet sikur, vërtet nuk e kupton qëllimin e një thënie, cilësimi të tillë. Pra, për cilat “korniza evropiane” e ka fjalën, dhe, në rast se, ato korniza, sipas tij, njëherazi, nuk janë edhe korniza evro-amerikane?! Apo, historiani francez, sikur edhe shumë historianë serbë nuk mendojnë dhe nuk duan që, Kosova të jetë, sferë interesi, sferë ndikimi, në gjeopolitikën amerikane? Prandaj, ky shtrembërim i fakteve historike, kjo përulje ndaj nacionalizmit dhe hegjemonizmit modern serb, ky anti amerikanizëm është sui generis, nga se vjen nga një mendimtar, nga një akademik!

 

Në fakt, cilat janë argumentet e historianit francez, i cili spekulon se, Kosova “qenka problem”? Ai vetë, shprehimisht e deklaron, “Problemi i Kosovës”! Kosova, ndërsa, nuk është problem, i askujt dhe për askënd, nga se, edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është shpallur shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Kosova, nuk është, problem, aq më parë nuk është e atillë siç e menduaka, me dioptrinë serbe, Zhan – Pol Bled. Kosova, e ka zgjidhjen e vetë, dhe për veten, ndërsa, në raport me Serbinë, ne jemi të hapur për dialog dhe bisedime për koordinimin, negocimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, të fqinjësisë së mirë. Asgjë më tepër dhe asgjë tjetër, që ka të bëj, siç pretendon Serbia dhe aleatët e saj, me statusin shtetëror, ndërkombëtar, tani më të zgjidhur. Pra, është problem i kujtdo qoftë, jo vetëm i Serbisë, apo edhe i historianit francez, që mendon se, Kosova është “problem, i hapur, i pazgjidhur”!
Përkëdhelja e Serbisë!
Për çfarë qëllime, historiani francez e përmend se: ”Serbia, sipas Macronit, ka rol shumë të rëndësishëm në nivel rajonal…Macro, është i mendimit se Serbia është një nga faktorët kryesor, në atë që quhet, Ballkani Perëndimor…”!? A nuk shprehin, këto pikëpamje, nostalgjinë e këtij mendimtari francez për kohërat, kur, Serbia, edhe nga epoka e Miteranit, dhe jo vetëm e atij, shihej, si aleati i vetëm sllav, ortodoks i Francës në rajon, aleat, i cili, qoftë edhe përmes agresionit dhe pushtimit të tokave shqiptare, mbronte interesat edhe të aleancave serbe?
Në intervistën e tij, francezi, Bled, merret edhe me rolin dhe “kompetencat” që Gjermania mund dhe duhet t’i ketë në lidhje me Kosovën. Ai thotë: ”Gjermania duhet të jetë e angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ajo nuk duhet ta ketë rolin dominues ose vendimtar”! Sërish, pra, ai është i mendimit se, çështja e Kosovës duhet të “zgjidhet”, për çka, prejudikon, paragjykime, në stilin e politikës imperialiste serbe në raport me Kosovën! Nga ana tjetër, merr të drejtën, që, t’i jep leksione diplomacisë gjermane dhe, të tërheq vërejtjen diplomacisë së BE-së, për rolin e Gjermanisë, në rastin e Kosovës. Bled shprehet se:”…Roli i Gjermanisë dhe i Francës duhet të jetë i njëjtë për nga rëndësia, ndikimi”! Është e qartë se, historiani Bled, angazhohet që, Franca dhe Serbia të jenë me më shumë ndikim në politikat rajonale. Po, përse, ai shqetësohet aq tepër për Serbinë, e cila, ditë e për ditë po armatoset me armatime më të sofistikuara, për çka, edhe NATO u detyrua të reagoi?
Megjithatë, historiani Bled, për habi, publikisht spekulon me rolin, pro serb të diplomacisë franceze, në prag të fillimit të luftërave në ish Jugosllavi. Ai madje, e thotë hapur se: ”Në pjesën e parë të luftës (në ish Jugosllavi. A. Z ) Franca ishte për zgjidhjen e çështje serbe – për një Serbi të Madhe”! Kjo deklaratë e historianit francez, shpalos, gjithë objektivat e politikës së Serbisë, dje dhe sot. Mjerisht, francezi Bled, keqinterpreton, dezinformon, gjoja, Franca, në prag të fillimit të luftërave në ish Jugosllavi qenka angazhuar për një “Serbi të Madhe”! Bled, me një kualifikim të tillë, ka synuar të jetë sa më i ledhatuar nga serbët, por, ai nuk mund ta fshehë faktin se, Franca liridashëse, Franca e Bonapartës, e Zhan Pol Sartrit, e Alen Delonit, Brizhit Bardos, mori pjesë në sulmet e NATO-së kundër caqeve ushtarake serbe!
Nëse, anëtari i Akademisë të Shkencave dhe Arteve të Serbisë, nuk shqetësohet dhe nuk kujdeset për autoritetin e tij akademik, qytetar, atëherë së paku, do të duhej të ishte më i kujdesshëm, ta respektoj shtetin, atdheun e vetë, Francën, qytetërimin francez!
Ndoshta, Zhan – Pol Bled, gjithë këto deklarata kundërthënëse, sikur edhe ndonjë bashkëmendimtar i tij, ia ka borxh akademisë serbe!? Ndryshe, si ka pranuar, ta errësoi mendjen, hiç më pak se me ideologjinë më të errët të postmodernes, atë serbomadhe?!
_____________
Burimet ilustruese të portalit pashtriku.org:
Profesor Žan Pol Bled: Kosovo nije 51. država SAD, Srbija zaslužuje kompromis
https://www.kosovo-online.com/vesti/politika/profesor-zan-pol-bled-kosovo-nije-51-drzava-sad-srbija-zasluzuje-kompromis-22-2-2020
***
Žan Pol Bled za RTS: Makron ponovio značaj pristupanja Srbije EU
http://www.rts.rs/page/stories/sr/story/9/politika/3861021/-francuski-istoricar-zan-pol-bled-.html
***
Žan-Pol Bled za RTS: Makron ponovio značaj pristupanja Srbije EU
https://www.youtube.com/watch?v=bWXlXpStAu8

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura