PROF.DR.EDI SHUKRIU: VENDBANIMET E HERSHME KODRINORE TË KOSOVËS (GJUHA DHE KUPTIMI)

Pashtriku.org, 30. 04. 2014 – /Ligjëratë me mësuesit e shqipes në shtetet Skandinave, 19 – 20 maj 2011, Landskrona, Suedi/ – Zhvillimi i vendbanimeve, kudo në botë, ka kaluar nëpër faza të ndryshme, nga vendbanimet shpellore dhe përmes vendbanimeve kodrinore deri te vendbanimet bashkëkohore. Nga konglomeratet e para më të mëdha duhet theksuar zhvillimet e vendbanimeve parahistorike, që kishin qendër fshatin më të madh (I), i cili më pas zhvillohet në një vendbanim protoqytetar (II) dhe, më pas në qytet (III). Dy fazat e para nënkuptojnë organizimin fisnor, ndërsa faza e tretë nënkupton shthurjen e organizimit fisnor dhe zhvillimin e qyteteve dhe me to edhe të qytetërimit.
Nëpër faza të ngjashme kaloi edhe zhvillimi i vendbanimeve në Kosovë. Me këtë rast kam përzgjedhur të ju prezantoj zhvillimin e vendbanimeve të hershme kodrinore, të rëndësishëm për fitimin e njohurive mbi format e vendbanimeve të fortifikuara të Kosovës, të kulturave që u krijuan në to dhe të çështjeve të kontinuitetit dhe të identitetit.

Prof.Dr.Edi Shukriu…

Sipas përnjohjeve të mija shumëvjeçare, në Kosovë ekzistojnë mbi 150 vendbanime kodrinore të hershme dhe ky numër mund të rritet pas përnjohjes së plotë arkeologjike të gjithë territorit të Kosovës. Si edhe në hapësirat e tjera, vendbanimet kodrinore nisën të ndërtohen nga epoka e eneolitit. Në epokën paraprake të neolitit vendbanimet vendoseshin në vende të rrafshëta apo në kodra të ulëta, mbi fusha pjellore, si në rastin e Gradishës së Vlashnjës.
Vendosja në vendbanime kodrinore gjatë epokës së eneolitit u shkaktua për shkak të nismës së xehetarisë, përkatësisht të përdorimit të bakrit, dhe të dyndjeve indoeuropiane. Dyndjet indoeuropiane shkaktuan ndryshime të mëdha, duke sjellur sërish blegtorinë si bazë ekonomike në vend të ekonomisë bujqësore të banorëve më të hershëm dhe duke sjellur trazira, që krijuan nevojën për siguri dhe mbrojtje të banorëve autokton neolitik dhe të ardhacakëve indoeuropian. Pra, siguria dhe mbrojtja, bashkë me xehetarinë ishin shkaqet kyçe për ngrehjen e vendbanimeve të fortifikuara kodrinore. Nga gërshetimi i banorëve vendor dhe të fiseve indoeuropiane u krijua popullata e njohur më vonë si ilire.
Vendbanimet e hershme kodrinore janë vendosur në pika të rëndësishme gjeo-strategjike, pranë grykave të lumenjëve dhe në pika të larta gjeografike, dominuese mbi rrethinën.
Këto vendbanime ndahen në dy grupe:
1. Vendbanime të larta kodrinore (Veletini, Gradina e Zatriqit, Gradina e Llapushnikut, Gradina e Pidiqit, Gradina e Vuçakut, Gradina e Samadrezhës, Çuka e Brainës, Çuka e Drazhnjës, Qyteza e Madhe dhe Qyteza Vogël e Vlashnjës etj.)
2. Vendbanime të ulëta kodrinore (Gradisha e Vlashnjës, Gradina e Gadimes së Epërme, Kalaja e Bardhit të Madh/Bellaçevcit, Hisari i Suharekës, Gradina e Cernicës, Kalaja e Strezovcit, Kalaja e Ballocit etj.).

Vendbanimet janë vendosur në maja të mbrojtura nga natyra dhe janë rrethuar me ledhe me struktura të ndryshme, varësisht nga periudha kur janë ngrehur. Sot mund të ofrohet vetëm një pasqyrë e përgjithshme mbi konstruksionet e ledheve rrethuese gjatë kohëve, pasi që nuk janë bërë hulumtime të mjaftueshme të ledheve rrethuese të këtyre vendbanimeve dhe se gjatë gërmimeve të mëparme i është kushtuar më shumë kujdes shtresave kulturore të cilat gjendeshin brenda ledheve rrethuese. Si vlerësim i përgjithshëm mund të konstatohet se ledhet e para rrethuese gjatë epokës së eneolitit u ndërtuan prej dheu, ndërsa më pas mbi to është thurrur edhe gardhi.
Në Kosovë janë evidentuar grupe të ndryshme kulturore që janë vendosur në vendbanime kodrinore:
1. Kultura neolitike e Starçevës,
2. Kultura neolitike e Vinçës (faza Vinça-Tordosh),
3. Kultura eneolitike e Vinçës (faza Vinça-Plloçnik). Kjo kulturë përcjell kontinuitetin e traditave të banorëve neolitik,
4. Kultura Bubanj-Hum (lidhet me dyndjet e fiseve indoeuropiane),
5. Kultura e Badenit (Baden-Kostolac). Lidhet me ndërhyrjen e fiseve që erdhën nga veriu),
6. Kultura ilire/dardane (faza paradardane, protodardane, dardane, dardane urbane),
7. Kultura provinciale romake,
8. Kultura mesjetare.

Ledhet rrethuese eneolitike prej dheu duket se vazhduan edhe në periudhat vijuese, për të arritur përparim me ndërtimin e ledheve prej guri pa material ndërlidhës ose të ndërlidhur me baltë. Nga periudha romake paraqitet llaçi si material ndërlidhës, struktura e së cilës ndryshon bashkë me gjithë konstruksionin e ledheve sipas kohës kur janë ndërtuar, si duket dhe specifike konstruksionet e periudhës bizantine dhe më pas. Duhet theksuar se nuk kemi njohuri të mjaftueshme për vendbanimet e këtij lloji gjatë periudhës së ekzistimit të shtetit dardan (shekujt IV-I), që përkon me periudhën helenistike, objektiv ky që do të duhej të ishte prioritet në studimet e ardhshme.
Toponomia e vendbanimeve kodrinore
Studimi i toponomisë së vendbanimeve të fortifikuara kodrinore të Kosovës është mjaft kompleks dhe me shumë interes për çështje të identitetit dhe të kontinuitetit. Me këtë rast do të paraqes vrojtimet e mija lidhur me toponominë e tyre, që dolën si rezultat i analizës së materialit arkeologjik të periudhave të ndryshme, i cili doli nga gërmimet arkeologjike në lokalitetet kodrinore kosovare.
Toponimet mbizotëruese në Kosovë të vendbanimeve kodrinore parahistorike, antike dhe mesjetare janë: Gradinë, Gadinë, Gradishë, Gadishë, Gjytet, Çytetëz, Çukë, Sukë dhe Kala.
Emërtimet e ndryshme janë rezultat i përkatësisë së ndryshme kohore të këtyre vendbanimeve, të cilat u zhvilluan në kontinuitet apo me ndërprejrje. Varësisht nga kohëzgjatja e jetës në to, disa lokalitete mbajnë njëkohësisht dy toponime, siç janë Gradinë dhe Kala. Toponimi Gradinë lidhet me ndërtimin e tyre në parahistori, ndërsa toponimi Kala dëshmon shfrytëzimin e këtyre vendbanimeve gjatë mesjetës.
Vështruar nga aspekti arkeologjik toponimi Gradinë / Gadinë paraqitet më i hershëm dhe përkon me vendbanimet parahistorike. Këto vendbanime kanë shtresa kulturore të epokës së eneolitit, përfshirë edhe epokën e hekurit (Gradinat në Gadime të Epërme, Cernicë, Llapushnik, Vuçak, Hisar të Suharekës etj.).
Toponimi i tillë ndeshet në shumë gjuhë, si janë indoevrop. ghordo, hetishte gurtas (kështjellë), gotishte gards (shtëpi), shqip garda / gardh, nordishte e vjetër gardr (gardh), sllavishte gradj apo lituanishte gardas (vath i dhenve, gardh).

– Vendbanimet e hershme kodrinore në Kosovë –

Në kuadër të këtij trajtimi është me rëndësi të ceket se toponimi nënkupton një vend apo vendbanim të rrethuar.
Hulumtimet arkeologjike të zhvilluara në Kosovë kanë dëshmuar se në lokalitetet kodrinore me toponimin gradinë gjendet vendbanimi parahistorik. Përjashtim bëjnë lokalitetet e periudhës romake me toponimin gradinë, të cilat gjenden në hapësira të dysta /Gradina te Graçanica – Ulpiana antike apo Gradina te Gushica e Vitisë/.
Lidhur me toponimin Gradinë paraqiten toponimet Gradishtë, Gradishtë, Gadishtë dhe Gadishë, të cilat gjenden kryesisht në kodra të ulëta dhe përmbajnë edhe material të periudhës romake dhe bizantine të hershme.
Disa ballkanistë dhe sllavistë janë të mendimit se termi gradj i sllavishtes së vjetër apo trajta e saj e vjetër para metatezës së likuidave gard është gurrë prej nga del fjala gardh e shqipes dhe e rumanishtes. Në anën tjetër, studiuesi Norbert Jokli gjen verbin e tipit arkaik sgardh (hap, çel) në pluralet gardhiqe (gjerdhe e gardhinjë) dhe si të tillë, bashkë me studjuesit e tjerë, fjalën gardh e nxjerr si fjalë kentum të gjuhës shqipe. Edhe studiuesi Eqrem Çabej termin gardhën të gegërishtes së vjetër e nxjerr morfologjikisht nga plurali i singularizuar të femërores gardhë.
Pa marrë parasysh mendimet e lingusitëve të ndryshëm mbi prejardhjen e toponimit Gradinë, duhet pasur parasysh me këtë rast edhe dëshmitë që i ofron materiali arkeologjik. Kështu, është dëshmuar se vendbanimet kodrinore të Kosovës me toponimin Gradinë përmbajnë shtresa kulturore parahistorike dhe se në atë kohë këto vendbanime ishin të mbrojtura me ledhe prej dheu mbi të cilat thurrej gardhi. Kjo sjell në përfundim se toponimi Gradinë ka për gurrë fjalën gardh, që nënkupton vendin e rrethuar me gardh dhe që ka për bazë gjuhën indoeuropiane.
Po si u ruajt ky toponim deri në bashkëkohësi, përmes ilirishtes / shqipes apo sllavishtes / serbishtes?
Mendoj se të dhënat arkeologjike sërish ndihmojnë sqarimin e prejardhjes së këtij toponimi, duke pasur parasysh se vendbanimet që mbajnë sot toponimin Gradinë kanë ndërpreje të jetës në to, përkatësisht nuk kanë në funksion më pas shekullit IV p.K. dhe se jeta në to ka vazhduar kryesisht gjatë antikës.
Po ta kishte toponimi prejardhjen sllave atëherë shtrohet pyetja se si kanë mundur të emërtohen gradinat si të tilla nga sllavët, kur këta erdhën më shumë se 1000 vjet pas shuarjes së jetës në to?
Është më afër të vërtetës të mendohet se sllavët, ashtu si i mësuan nga banorët vendës toponimet gjytet apo kala nga trajta ilire/shqipe, ta kenë përvetësuar edhe toponimin më të lashtë gradinë për vendbanimet parahistorike, të cilat nuk i kanë ndeshur fare, aq më pak rrethojat e tyre prej gardhi.
Një numër i madh i vendbanimeve kodrinore të Kosovës i takon antikës së vonë dhe mesjetës dhe këto mbajnë toponimet Gjytet, Çukë apo kala. Kryesisht këto i përkasin shekullit IV dhe më pas, kur nis sërish ndërtimi i vendbanimeve në kodra. Kjo ndërlidhet me krizën në botën antike dhe të pasigurisë së shkaktuar me dyndjet e popujve.
Këtë periudhë e karakterizon edhe fortifikimi i të gjitha vendbanimeve, të atyre të ngrehura në rrafshe (Ulpiana – Justiniana Secunda) dhe të atyre të vendosura në kodra (Veletini, Vërboci, Vuçaku, Strezovci, Balloci, Teneshdolli, Kalaja e Prizrenit, Çukat e Brainës e të Drazhnjës, Qytetëza e Madhe dhe e Vogël në Batushë etj.). Në të shumtën e rasteve këto fortifikata përmbajnë edhe shtresa kulturore parahistorike. Vështruar nga aspekti arkeologjik toponimi gjytet del më i vjetër krahasuar me toponimin kala.
Toponimi Kalaja e Gjytetit, si në rastin e lokalitetit te Alba e Madhe (Jabllanicë e Madhe) apo Kodra e Gjytetit, në rastin e lokalitetit pranë Radacit, shtrojnë çështjen e toponimisë dhe të përmbajtjes strukturore të këtyre vendbanimeve (akropolet, infrastruktura etj.), që duhet të ishte rast i studimeve të veçanta.
Mendoj se toponimet e ruajtura në traditën gojore përputhen plotësisht me diferencimin kronologjik të konstatuar nga hulumtimi arkeologjik i këtyre vendbanimeve. Evidentimi i toponimeve të vendbanimeve kodrinore, të ruajtur në traditën gojore, ka një rëndësi të madhe, andaj studiuesit duhet të jenë tejet të vëmendshëm në këtë drejtim.
***
Për fund duhet theksuar se vendbanimet e fortifikuara nuk kanë qenë oaza të izoluara dhe se është zhvilluar edhe komunikimi vizuel midis tyre. Rrjeti i komunikimit midis vendbanimeve të fortifikuara kodrinore ka ekzistuar që nga periudha parahistorike.
Komunkimi midis vendbanimeve kodrinore është zhvilluar përmes dy formave:
1) në mënyrë të drejtpërdrejt, midis fortifikatave të ngehura në lartësi të mëdha, dhe
2) në mënyrë të tërthortë, përmes ndërlidhjeve me fortifikatat më të ulëta.
Në këtë drejtim, mendoj se rol kyç për komunikimin midis fortifikatave të ndryshme të Kosovës e kanë luajtur tri vendbanimet kodrinore të larta, ajo e Zatriqit, e Veletinit dhe e Llapushnikut. Natyrisht, studimet në këtë drejtim duhet thelluar, duke shtruar dhe çështjen e formave të komunikimit në largësi përmes elementeve të ndryshme dhe studimeve shumëdimensionale dhe krahasimtare.

——————————————————

Prizren – Vlashnje, 2005 – Vlasnja ndodhet mbi fushën e Prizrenit. Aty janë zbuluar pikturat shkëmbore, të cilat e kthejnë këtë vendbanim të lashtë, në vendin e tretë në Ballkan ku gjenden këto piktura.

____________________
KUSH ËSHTË EDI SHUKRIU

Edi Shukriu u lind më 22 tetor 1950 në Prizren. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Ka punuar në Muzeun e Kosovës. Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK, 2009-). Është arkeolog’ja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973-). Ishte shknecëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj. Në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.


====================================

PROF.DR.EDI SHUKRIU: TRASHËGIMIA KULTURORE E DARDANISË – KOSOVËS
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=1981

——————————————-

(Përgatiti Pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura