Karl Patsch: I L I R Ë T ( III )

Karl Patsch: I L I R Ë T ( III )

Iliria nën Romën

Nën perandorin Oktavianus Augustus të gjithë Ilirët qenë nënshtruar prej Romës. Si ata që banonin ndër Alpet lindore, ashtu edhe banorët e fushës së madhe të Danubit prej Vjene e prej Budapesti, deri në Savë; ashtu edhe të gjithë Ilirët e gadishullit Balkanik, e vjen vetvetiu, edhe Ilirët që kishin dalë në Itali e në Azinë e vogël. Mbasi Ilirët kishin një vend tepër të hapët, kështu që u ndanë në provinca romake të ndryshme, e prej kësaj pune patën edhe fatin e ndryshëm. Më keq se të tjerët u gjetën Ilirët e Danubit e bashkatdhetarët e tyre në anën veri-perëndimore të gadishullit Ballkanik, vendi i hapët i të cilëve formonte vetëm një provincë romake. Me dhënë rekrut, me paguar taksa, me luftuar larg atdheut për romakët, me iu shtruar urdhërave të huaj, me ruajtur qetësinë; të gjitha këto ishin për burrat një zgjedhë e rëndë, të cilët ishin mësuar dorëlirë, e pa njeri mbi vedi. U mendue me e shkundë këtë zgjedhë të re: u formua një lidhje e madhe, e cila përfshinte të gjitha fiset prej Danubi deri ndër male në Drin e në Mat në Shqipëri. Kjo lidhje ishte bërë fshehtazi, pa dijtë Romakët gjë, ishte e menduar dhe e drejtuar mire. Pritej vetëm një rast i pëlqyeshëm. Ky rast erdhi në vitin 6 e.s. atëhere kur perandori i mëvonshëm Tiberius, i cili aso kohe ishte kryegjeneral në Illyrikum, mbas urdhërit të perandorit Oktavianus Augustus, përqendroi ushtritë e veta afër Vjenës. Më pas ai kaloi Danubin për me e bërë një provincë romake edhe vendin e Markomannëve gjermane, që është Bohemija e sotme.

Duke menduar se në Illyrikum mbretëronte qetësija, Tiberi kishte lanë këtu disa rrema ushtrie të pakët e të ligësht. Kështu pra, pasi ia panë gjasën, u ngritën fiset ilire. Shenjën e kryengritjes e dhanë Daesitiates, një fis i madh, i provuar ndër lufta, i pashtrueshëm e që banonte në Bosnjen e mesme të sotme, por që duke qenë larg nga deti nuk përmendet aq shumë sa fiset e tjera. Prej Desitiateve u shtri kryengritja gjithnjë e më andej. Numri i kryengritasve ishte 20’000 këmbësore e 9000 kalorës.Roma u tremb. Perandori Augustus tha në Senat se armiku mundet dukee hyrë në Italinë e sipërme me u gjet në një kohë të shkurtër para Romës, prandaj mori masat e nevojshme kundra këtij rreziku. Tiberi mori urdhër me bërë paqe me mbretin e Markomanëve Marbodin, me u kthyer këndej Danubit për me shtruar kryengritjen me krejt energjinë Por pëpara se të mbërrinte ai në Illyrikum, Ilirët thyen fuqitë e ligshta ushtare të vendit e mbërrtën deri në Adriatik, ku krejt bregu i banuar prej Grekërve e Romakëve deri në Apollonia, në Pojanin e sotëm në Vjosën e poshtme, qe shkretuar e qenë në rrezik edhe shumë qytete të mëdhaja në breg. Shpirti i kësaj lirie qe prisi i Desitiatëve Bato, një njeri i pathyeshëm dhe i papërkulur, një njeri i lindur për kryetar lufte, i cili me dorë të vet rrezoi për toke një tjetër prijs të kryengritasve, të fisit Breuci në Savën e poshtëme që edhe ai quhej Bato, pse trathtoi shokët. Katër vjet zgjati lufta për liri, prej vitit 6 deri në 9 e.s. Tiberi drejtonte operacionet me mendim e me gjakftohtësi në krye të një ushtrie të madhe. Më parë ai shtroi kryengritjen në viset e Danubit e të Savës, pastaj mësyni Ilirët e gadishullit Balkanik. Këtu kundërshtimi qe më i madh, qëndresa më e përgjakshme e me humbje të mëdhaja nga të dyja anët. Vendasit i njihnin të gjitha malet, pyjet e udhët, prandaj mbrojtja qe ma me përfundime të mira. Romakëve pasi kapërcyen ndalimet e natyrës iu desh me luftuar prej një kështjelle në tjetrën.

Batoja më në fund zuri vend në kështjellën Andetrium, në veri të Salonës, larg vendit të vet. I rrethuar nga të katër anët, pa ndonjë ndihmë prej së jashti, qe i shtrënguar me lëshuar armët. Ai, që me një shpresë të plotë kishte rrokur flamurin e lirisë, iu desh me u përkulur përpara fuqisë së madhe të një mbretërie botërore, e cila i kishte të gjitha mjetet e nevojshme dhe së cilës i duhej me e shuar atë kryengritje për nderimin e vet dhe ngaqë nuk duronte asnjë armik afër Italisë. Vetë Tiberi, një ushtar i ndershëm, e priti me shumë nderime kundërshtarin e vet, por Batos iu desh, sikurse mbretit Genthius 177 vjet përpara tij, me e lanë Illyrikumin e me shkuar si rob në Itali, ku ai mbas shumë vjetësh vdiq në Ravenë.

Besnikët e Batos vazhduan luftën edhe për një kohë të shkurtër. Më të fundit që ranë në dorë qenë Desitiatët, të cilët qenë të parët që patën ngritën flamurin e lirisë, e larg prej tyre në Mirditë, fisi i Pirustëve. Prova më e fundit e rifitimit tëe lirisë së Ilirëve qe lufta rreth fortesës Arduba, e cila qe si një kujtim i përgjakshëm i gruas ilire. Kjo fortesë e rrethuar gati krejt prej një lumi të hovshëm dhe e forcuar më së miri, u qëndroi burrnisht Romakëve. Por fuqija e madhe e armiqve i ligshtoi Ilirët e deshtën me renë në dore. Dezertorët romakë që kishin dalë në anën e Desitiatëve ishin për vazhdimin e luftës. Dyshimin e burrave e sqaruan gratë. Ato kërkuan më parë vdekjen se me rënë në dorë të armikut. Mbas kësaj pune u mbrojt fortesa me një burrni të pashoqe. Por kur u pa, se guximi nuk vyente gjë e fortesa ishte duke rënë në dorë, atëherë qenë djeg shtëpijat, e gratë me fëmijët e vet u hodhën në zjarr ose në lum, sikurse bënë në Metulum 44 vjet perpara. Edhe Arduba u ra në dorë Romakëve si një rrënojë pa kurrnjë vlere.

Në luftën për liri nuk kishin marre pjesë të gjithë Ilirët. Ilirët e Alpeve e një pjesë e madhe e gadishullit Ballkanik ndenjën dorjashtë. Ata shkonin me provincat e tjera: Noricum, Moesia, Macedonia dhe Epirus, e që prandaj kishin edhe interesa të tjera. Një pjesë e Ilirëve epirotas e maqedonas e kishin humbur gati krejt ndjenjen atdhetare nën ndikimin e helenizmit. Sidomos nuk e shohim ndër këto luftime për liri fisin e Dardanëve, që përbëhej prej shumë fiseve të cilët banonin në Vardarin e epërm, në Drinin e Bardhë, në Moravën jugore, në anën e epërme të Timokut, domethënë rreth Nishit e Shkupit. Dardanët qenë një popull i fort e luftarak që kishte nën vete popullsinë katundare thrakase e që sundohej me sistem monarkik. Sikurse Ardianët që përfaqsonin Ilirët si një popull të fort për në det, ashtu Dardanët i përfaqësonin si një fuqi e madhe për në toke, të sunduar prej mbretërve të fuqishëm, të cilët në gadishullin Ballkanik luajtën një rol të madh për një kohë shumë të gjatë. Mbreti Monunius shtroi në vitin 275 p.e.s. edhe Shqipërinë e mesme, ku kishte nën vedi edhe kolonitë greke Dyrrachiun (Durrës).

Sikurse Dardanët, ashtu nuk muarën pjesë në luftat e mëdha në vitet 6-9 e.s. as fiset ilire që shkonin me provincën romake Macedonia, të cilët banonin në pjesë të rëndësishme të Shqipërisë, në bregun e Valonës deri në derdhjen e lumit Mat. Nuk muarën pjesë as Dasaretët që banonin rreth liqenit të Ohrit e që kishin të vetin edhe qytetin Anfipatrea, Beratin e sotëm. Mungonin edhe fisi Candavii, i cili banonte në lindje të Elbasanit ndër të dy anët e Shkumbinit të sipërm deri në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit; fisi Eordaei në Devollin e poshtëm e në Shkumbinin e mesëm ku ishte qyteti Scampa, Elbasani i sotëm; fisi i fortë Parthini në fushën bregore të Shkuminit deri në lumin Mat; fisi Penestae në Matin e epërm e në Drinin e Zi që kishte për kryeqytet Uscana, Dibrën e sotme; dhe fisi Albani me qytetin Albanopolis, i cili do t’i jipte emrin e vet një populli të madh, të cilin në letërsinë e vjetër e ndeshim aq pak sa që sot nuk dijmë mirë se ku gjindej. Në kohën që këto fise, të cilët shkonin me provincën Macedonia e që prej një kohe të gjatë i ishin nënshtruar Romës, nuk mirnin pjesë në luftat ilire për liri, përmenden Pirustët që banonin andej kufinjve të Maqedonisë në provincën e afërme Dalmatia, në Mirditën e sotme, për trimni luftarake e për ndjenja atdhetare. Sikurse Desitiatët, ashtu edhe Pirustët i ranë në dorë Tiberit vetem atëhere kur të gjitha fiset e tjera kishin lëshuar armët. Fiset e tjera, të cilat nuk morën pjesë në luftë janë Scirtones në Malsi të Gjakovës, Labeates rreth liqenit të Shkodrës e Dokleates në Malin e Zi të sotëm.

Romakët në luftë qenë të egër, e shtronin pa fare dhimbje çdo kryengritje. Por përkundrazi, kur siperania e tyre politike njihej e nderohej atëhere u jipnin të nënshtruarve një liri shumë të gjërë. Ata nuk u përkitnin në kombësinë e tyre, as në besim, as në kulturë që kishin; edhe në administratë i linin të lirë përsa u jipnin leje interesat e mbretërisë. Ata nuk kërkojnin prej të nënshtruarve që të shkriheshin e të asimiloheshin me ta; por është e ditun se pushtimi prej një populli të fortë, të ditur e të përparuar, linte medoemos gjurmët e veta në popullin e mundur. Prej kësaj pune kuptohet lehtazi që të nënshtruarit posa shihnin se rifitimi i vetqeverimit të tyre nuk ishte i mundur, iu shtroheshin gjendjes së re, përparonin por duke rujtur vetitë e veta kombëtare, megjithëqë pushtimi i Romakëve la gjurmët e veta në gjuhë e në kulturën e tyre.

Karakteri, zakonet dhe besimi i Ilirëve

Ilirët gëzuan të gjitha të drejtat e nënshtetsisë së një shteti të rregulluar mirë administratisht, e të një trupi të madh të mbarshtruar mirë ekonomisht e qenë shtylla e mbretërisë, por megjithëkëtë qenë konservatorë të mëdhenj, sidomos ndër male. Ata ruajtën për shumë kohë zakonet e të parëve të vet. Ilirët qenë, më shumë se çdo gjë tjetër, luftëtarë; armët caktonin jetën e karakterin e tyre e prej sosh nxirnin jetesën. Puna kryekrej për ta ishin luftat me të huajtë e me fqinjtë e vet, për me mbrojtë lirinë, për me bërë plaçkë, dhe për me bërë popujt rob të cilët detyroheshin pastaj me u përpjekë e me u kujdesur për gjallnimin e tyre. Edhe mbrenda fisit, ndërmjet vedit ndodhnin luftime, por vetëm atëhere kur nuk iu kërcënohej ndonnjë rrezik i jashtëm. Një provë e këtyre grindjeve të mbrendëshme janë kështjellat e fortesat e shumta e të afërta njëra me tjetrën, që gjindeshin në tokën ilire. Dashuria që kishin për armë i shtynte Ilirët me luftuar edhe për të huajt me pagesë. Deri edhe mbretër Ilirësh morën pjesë ndër lufta me pagesë. Por mbasi Romakët i dhanë fund lirisë e pamvarsisë së tyre, e mbasi në gadishullin Ballkanik mbretëronte gjithkund rregulli e qetësia, e nuk duroheshin më grindjet e perçarjet, atëhere Ilirët shërbyen në ushtrinë e në flotën romake. Me këtë mënyrë arritën me pasur nëpunësina të larta në mbretërinë e Romës si oficerë e gjeneralë, e mbasi vetëm oficerët mundnin me u bërë nëpunësa civile kështu zunë vende të mëdhaja edhe në administratë.

Më vonë kur Romakët u lëshuan fronin ushtrive të Ballkanit, shumë Ilirë morën perandorinë romake në dorë e u bënë perandorë me rëndësi, të cilët e shpëtuan atë mbretëri të madhe prej gjendjes shumë të keqe, e riorganizuan e i siguruan jetën. Ndër këta perandorë të mëdhenj, shpëtuesa të Romë, numërohen Claudius II, Aurelianus, Probus, Carus, Diocletianus, Constantius Chlorus, Constantinus Magnus (i Madh), Justinus I, Justinianus e Justinus II. Perendori Anastasius ishte prej Durrësi, por nuk kishte gjak ilir. Klaudi II, Konstant Klori e i biri i tij Konstantini i Madh, Justini I, Justiniani e Justini II ishin të gjithë prej Dardanie. Se Diokleciani, i cili përmirsoi mbretërinë romake, se Konstantini i Madh i cili me njohjen e krishtërimit si besim shtetëror e me themelimin e Konstantinopojës fitoi një rëndësi historike botërore, e se Justiniani që qe themeluesi i Aja Sofisë në Konstantinopojë e që qe shpikësi i ma të madhit Corpus Juris të derisotëm; se këta njerëz të mëdhenj qenë Ilirë, zakonisht nuk bëhet fjalë sepse ata në histori përmenden si Romakë, si perandorë e oficera të Romës. Këta e shumë Ilirë të tjerë qenë me zë në mbretërinë e përzime romake; këta e shumë të tjerë luftuan për madhështinë e nderin e saj, sikurse shumë shqiptarë punuan e luftuan për mbretërinë Osmane e cila u mbajt në këmbë pothuaj prej tyre. Si perandorë të Romës sundonin një mbretëri, e cila shtrihej prej Portugalisë deri në Kaukaz e në Eufrat, prej Anglie deri ne shkretirat e Saharsë; krejt deti Mesdhe ishte i rrethuar nga provinca romake. Ushtritë romake giendeshin në Marok e në Ren, në Danub, në Armeni e në Nil.

Gurë vorrezash Ilire gjenden edhe sot në Marok, në Angli, në Germani, etj. Detarët ilirë i njohim prej përmendoreve që gjenden afër Napolit e Ravenës në Itali. Si një popull luftarak u jipnin Ilirët, sikurse Shqiptarët e sotëm, një rëndësi të posaçme armëve të mira e të bukura. Farkëtarët dhe armëpunuesit grekër bënin prandaj një tregti të madhe me Ilirët. Armët e Ilirëve ishin këto: 1) Përkrenaria (shih Figurat 4 e 5) me dy fletë ndër dy anët, me një mburojë për shpinën, e me një tufë hekuri përsipër, e cila në figurën këtu poshtë mungon sepse i është thyer klisheja; 2) Mburoja, shpina kupore e së cilës (Figura 6 e 7) shpesh ishte e stolisur me giithfarë fytyrash; 3) Mburoja për këmbët. Për armë mësymje kishin harkun, shigjetën e cila kishte një majë të mprehët dhe ishte e çdo lloj forme e madhësie (shih Figurën 8); çdo luftëtar mbante shumë copa prej saj me vete. Pastaj kishin edhe shpata, shisha e topuza. Se sa fort i kishin për zemër armët e tregojnë sendet e stolisjes së trupit e të shtëpisë së tyre, të cilat i bënin në ngjasim e në formë harqesh, shigjetash, shishas, etj. (shih Figurën 9).

Kur Ilirët nuk kishin luftë për të bërë, ose nuk grindeshin me fqinjtë e vet, jipeshin pas andjeve e gëzimeve të jetës: thirnin miq e të afërm drekë e darkë, të cilat bëheshin me shpenzime të mëdhaja, e ku ishte zakon që miqtë të pijnin sa të mundeshin. Ndër këto festa e argëtime mirrnin pjesë edhe gratë, të cilat përcillnin nëpër shtëpitë burrat e vet të dehur. Ardianëve u ra një herë shumë shtrenjt parregullimi në të ngrënë e në pije. Keltët, të cilët në të shekullin IV p.e.s. hynë në Illyrikum, e njihnin këtë veti të Adianëve dhe e përdorën për fitimin e vet. Ata përgatitën në lamën ushtarake të vet gjella e pije, i përzjenë me barna që të merrnin mendjen; bënë sikur tërhiqeshin, por ndenjën në pritë në një vend të afërm. Ardianët posa panë se u larguan Keltët, ranë në pre në lamën e armikut, u vunë me hëngër e me pirë gjellët e pijet e gjetura gati, por me njëherë u dehën. Keltet dualën prej prite, i mësynë dhe pa shumë mundim i mundën. Mbretërit ardianë u jipnin të nënshtruarëve të vet shembull të mirë në vesin e pijes: si kryetarë të këtij vesi numërohen Agroni e Genthiusi; i pari vdiq nga pija e tepërt e i dyti kur kishte gotën në dorë nuk dinte me pi me masë, e prandaj bëri gabime të rënda si sundimtar. Pija kombëtare e Ilirëve ishte birra, që quhej Sabaja, që përgatitej prej elbi, prej meli ose prej gruri. Por edhe vera pihej me shumicë. Është për t’u përmendur edhe mikpritja e çmueshme e Ilirëve.

Dardanët përmenden si miq të mëdhej të muzikës, të cilët njihnin veglat me tela e fyellin. Por si duket këto veti muzikore i kanë marrë më vonë prej të nënshtruarve të vet Thrakasve, sepse këta ishin shumë muzikalë, çka për Ilirët nuk kemi lajme. Ashtu edhe banimi i keq e i ndytë i Dardanëve nuk është për t’iu veshur Ilirëve, por të nënshtruarve të tyre Thrakasve. Grekërit kur donin me ndarë me gisht një njeri të ndyrë thonin se ai lahej tri here në jetë sikurse Dardanët. Banimet në Dardani thuhet se kanë qenë shpella në tokë me pullaze të mbuluara me pleh. Kësisoj banimesh primitive ndeshen në shumë vise thrakase, por jo ndër Ilire. Një popull zotni, si populli ilir, që mbante rob nën vete deomos jetonte më mirë dhe i ruante plaçkat e luftave në një vend më të sigurtë sesa ndër shpella e ndër vrima toke me pullaze plehu. Me jetesën luftarake e andjen që shkonin Ilirët, ata nuk kishin as andie as kohë me u marrë me bujqësi. Për këto punë të rënda kishin robërit e luftave e numri i tyre do të ketë qenë i madh, mbasi edhe zotninjt ishin të shumtë. Bujqësia atëherë ishte e përparuar, ngase për një ishull që ishte në lumin Narentë thuhet në shekullin IV p.e.s. se qe punuar dhe mbjellur mirë. Përveç bujqsisë, kishte një rëndësi të madhe gjëja e gjallë, për të cilën përdornin si kullotë livadhet e maleve të larta. Një provë se mbahej gjë e gjallë është grindja që ngjau ndërmjet Ardianëve e Autariatëve për krojet e krypes (që i përshkruam më përpara) e djathi i deles ilire që qe shumë i përmendur. Llojet më të mira të djathit qenë Caseus Dokleas (djathi i Dokles) e Caseus Dardanicus (djathi Dardan), që bëhej prej Dokleatëve e prej Dardanëve.

Leshi i deleve punohej për stofa. Një veshje ilire prej leshi deleje që Dalmatica, e cila në fillim ishte një petk i gjërë, i gjatë, me mange të gjata dhe me një rryp në ije, e mbi të ishte një mantel me rrudha prej një cope që u hidhej krahëve (shih Figurën 10). Ky mantel ishte i mbajtur në shpatullën e djathtë me një gjilpërë dhe mbulonte dorën e rrmakët, kurse dora e djathtë ishte e lirshme. Më vonë Dalmatica e Ilirëve u bë modë edhe në Itali, e qysh në kohën e Perandorit Commodus (180-192 e.s.) u mbajt si veshje në rrethet më të mëdhaja romake; pastaj iu ndërrua stofa, forma e stolisja, e u bë pekt shteti e mbeti deri në ditën e sotme si petk liturgjik i kishës katolike. Në viset e nxehta e në ato të brigjeve, ashtu edhe ndër ishujt, lulëzonte hardhia e ulliri. Pjellorija e tokës tërhoqi këtu qysh prej kohëve më të para kolonë grekë, të cilët zunë vend ku me të mirë e ku me të keq. Nëpërmjet kolonëve grekër në ishullin Lissa u përhap zëri i verës së këtij ishulli në të dytin qindvjet p.e.s. deri në lindje lë Detit Mesdhe. Për ruajtjen e venës e të vajit kishin enë druri, e për transportin e tyre përdoronin calike lëkure; më vonë pastaj, u rujtën ndër magripë (qypa të mëdhenj dheu) që quheshin Amphorae. Viset ilire qenë shumë të pasura për dru. Të gjitha lartësirat, edhe malet e sotme të zhveshuna të Malit të Zi, të Dalmacisë e të Hercegovinës, ishin në kohën e vjetër të pyllzuara. Pyjet e shpeshta vështirsonin veprimet ushtarake romake në Iliri e u lehtësonin Ilirëve mbrojtjen e atdheut të vet. Mbasi ishte pasuri e madhe druri, pjesa më e madhe e kështjellave ilire, ashtu edhe shtëpijat nëpër qytete, ishin prej druri. Pasuria e pyjeve u jepte mundësi Ardianëve e Liburnëve me ndërtuar anije e me u bërë në këtë mënyrë njerëz deti. Në kohën greke e romake qe eksportuar shumë dru prej Ilirisë ndër vende të Detit Mesdhe ku mungonte. Nëpër pyje jetonin shtazë të egra, për shembull kaprolli, që sot ndër shumë vende është shfarosur, atëhere gjendej gjithkund e ishte shumë i përhapur. Brina kaprojsh, dhëmbë thiu të egër gjenden me shumicë ndër rrëmime që bëhen në tokë ilire. Ilirët, siç shihet prej figurave të gurëve të vorrezave, ishin një popull gjahtar me zë. Më tepër ishte i përhapur gjahu (gjuajtja) në kalë.

Por malet e Ilirisë patën një rëndësi edhe më të madhe: disa pjesë të tyre qenë në kohën e vjeter e në të mesmen burime ari e argjendi. Provinca Dalmatia qe në kohën romake një vend shumë i rëndësishëm për prodhimin e arit. Sipas shkrimtarit roman Plinius, qenë nxjerrë aty nën perandorin Neron 25 kg ar dita më ditë, e për punëtorin e arit dalmatian ishte themeluar nën perandorinë romake një drejtori e veçante shtetërore, e cila e kishte ndenjen e vet në Salonë që ishte kryeqyteti i provincës dalmate. Në Drina, në Bosnje, gjendej kaq shumë argjend, sa që Romakët e quajtën këtë vend Argentavia. Më kah jugut, në Shqipërinë e sotme qe gjetur me shumicë argjend. Një provë për këtë gjë është shkrirja e madhe e monedhave në qytetet Dyrrachium (Durrës) e Apollonia (Pojan) dhe të qenurit e qytetit Damastion ku shkriheshin këto monedha. Ato monedha paraqesin puntorë minerali nga fisi i Pirustëve. Ky fis, i cili në luftërat e mëdhaja për liri në vitet 6-9 e.s. luajti një rol të madh, qe i përmendur për përvojën që kishte në punimin e mineralit. Kur perandori Trajan mbas pushtimit të Siebenburgenit çoi atje kolonistë për me shfrytëzuar xehet e atjeshme, u shpërngulën atje kaq shumë Pirustë sa që një vend i tërë u quajt Vicus Pirustarum. Edhe Dalmatët qenë punëtorë të mirë minerali e shumë ndër ta shkuan bashkë me Pirustët në Siebenburgen.

  • VIJON – 

________________________ 

Karl Patsch: I L I R Ë T ( II )

https://pashtriku.org/karl-patsch-i-l-i-r-e-t-ii/

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura