Pashtriku.org, 05. 06. 2013 – (“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj.” – Maximilian Lambertz) – Pellazgët janë populli i vetëm i identifikuar në Europën parahistorike, mijëvjeçari i 6 p.e.s. , që vërtetohet me mbishkrimet e lashta, të deshifruara vetëm vitin e fundit. Së pari ato i përmend Homeri dhe Hesiodi, dy poetët pellazgë, epikat e të cilëve në shekujt 8-7 p.e.s. konsiderohen veprat e para literare të letërsisë perëndimore. Mbi pellazgët më pas kanë shkruar gjatë antikitetit Herodoti dhe autorë të tjerë. Por që në këtë kohë fillon edhe falsifikimi i historisë, që vazhdon edhe sot. Ndonëse Homeri dhe Hesiodi asnjë herë në epikat e tyre nuk i përmendin grekët apo helenët, sepse këta kanë ardhur më vonë në truallin ku jetojnë sot, shkrimtarët e lashtë Herodoti, Eskili, Sofokliu, Euripidi etj.,falsifikojnë faktet dhe grekët i përshkruajnë si pjesëmarrës dhe heronj të Luftës së Trojës (rreth 1250 p.e.s.), falsifikime që gjejnë përkrahje tek falsifikatorët e sotëm.
Më pas për një kohë të gjatë, pellazgët ngelën në errësirë dhe u duk sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Në kapërcellin e viteve 1700-1800 dijetarët e shquar arbëreshë N. Keta, E. Mashi, Z. Krispi, V. Dorsa, Dh. Kamarda etj. nga Universitetit i Kalabrisë, vunë re që shumë fjalë nga gjuhët latine dhe helene kishin kuptim në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër ata gjetën në epikat e Homerit shumë fjalë të gjuhës shqipe, kështu shprehën mendimit, që gjuha shqipe ka lidhje të ngushtë me gjuhën pellazge dhe shqiptarët janë pasardhësit e tyre.
Qysh në vitin 1789 N. Keta shkruan“pellazgët janë stërgjyshat e lashtë të maqedonasve, epirotëve dhe shqiptarëve dhe për rrjedhim edhe gjuha shqipe rrjedh nga ajo pellazge”. Të njëjtën gjë shpreh Z. Krispi më 1831: “ Si nuk u dashka pra të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë [gjuha shqipe], gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit….. Dardanët, frigët dhe pellazgët, pa dyshim më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e së cilës vërehen sot te gjuha shqipe”.
…………………………………
Projekti ‘Vitrina në kampus’ Objektivat e Qendrës së Studimeve Pellazgjike! (1- 2)
Më pas këto ide të guximshme u përqafuan edhe nga dijetarë të tjerë, ndër të cilët spikat Johan Han, i cili shqiptarët, ilirët, maqedonët dhe epirotët i rëndit në racën pellazge dhe gjuhën shqipe të ardhur prej saj. Këto ide u përhapën dhe u përqafuan nga shumë dijetarë më pas.
Shtysë të madhe për Qytetërimin Pellazg dha zbulimi i Trojës nga H. Shliman (1870). Ai vërtetojë se “Iliada” e Homerit nuk ishte imagjinatë, por e mbështetur plotësisht në histori dhe nga rrënojat e Trojës dolën ndërtime, armë, poçeri, zbukurime dhe mjete të tjera, që vërtetuan praninë e një shoqërie shumë të zhvilluar para helene gjatë kohës së bronzit. Shlimani dhe pasuesit e tij bënë studimin e detajuar stratigrafik të shtresave të Trojës dhe dalluan 9 kryesore prej tyre, që përfaqësojnë 9 qytete të shkatërruar dhe ndërtuar njeri mbi tjetrin. Troja I fillon 3000 vjet p.e.s. dhe deri në fund të Trojës VII, shek. 6 p.e.s., përfaqëson periudhën pellazge të Trojës, sepse vetëm fiset pellazge kanë banuar në atë kohë në Egje dhe Ballkan. Pas Luftës së Trojës rreth 1250 p.e.s. Troja u braktis për 6 shekuj si e mallkuar. Vetëm në shekullin e 6 fisi pellazg i aeolëve fillon ta banojë atë sërish dhe kjo është Troja VIII, ku fillon periudha helene, sepse ka edhe elementë kulturor helenë. Shlimani arriti edhe në përfundimin e rëndësishëm se në Trojë nuk gjinden dokumente të kulturës greke para shekullit të 5 p.e.s. Këto të dhëna u vërtetuan më vonë nga arkeologjia në ishullin e Lemnit dhe vitet e fundin nga studimet tona në Peloponez, Athinë, Euboe, Korinth, ishullin e Kretës etj., ku gjatë kohës së bronzit dhe fillim të kohës së hekurit është folur gjuha pellazge/shqipe.
Rilindësit tanë e mbështetën fuqimisht Qytetërimin Pellazg dhe shqiptarët si pasardhës të pellazgëve. Kjo mbështetje pat rëndësi të madhe për ngritjen e ndjenjës kombëtare në luftën për çlirim kombëtar nga pushtimi i gjatë osman dhe të mbrojtjes së tërësisë territoriale nga pushtuesit e rinj grek dhe serb.
Por gjatë shekullit të 19 dolën spekulantë, të cilët e shkruan historinë sipas pikësynimeve politike, duke anashkaluar parahistorinë, për ti shërbyer ideologjive raciste dhe interesave personale. Fatkeqësisht në këtë rrugë jo shkencore u përfshinë edhe disa nga “albanologët” e kohës, që i panë shqiptarët e sotëm pasardhës vetëm të ilirëve, duke i shkëputur nga trungu i lashtë pellazg dhe dardanët, maqedonët, epirotët, arvanitët, arbëreshët etj. Këto qëndrime pa baza shkencore janë përkrahur dhe vazhdojnë të përkrahen nga disa gjuhëtarët shqiptar, duke penguar lidhjen e gjuhës shqipe me rrënjët e saj të lashta pellazge.
SIMPOZIUMI I DYTË MBI PELLAZGËT
Megjithë këtu sot janë mjaft dijetarë vendas ose të huaj, që i kushtohen qytetërimit të lashtë pellazg dhe kanë arritur rezultate të mahnitshme. Këtij qëllimi i shërbeu edhe simpoziumi i dytë ndërkombëtar “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre”, që u organizua në Tiranë më 9-10 nëntor 2012 nga shoqata “Qendra e Studimeve Pellazgjike”. Në simpozium u referuan 25 kumtesa nga studiuesit më në zë të kësaj teme nga Tirana,Vlora, Fieri dhe Patosi, si dhe studiues nga Kosova, Maqedonia, Italia, Franca, Zvicra, Austria: Sh. Musaj (Austri), R. Doçi, M. Carrabregu dhe S. Rizaj (Prishtinë), A. Altari, L. Prifti, Çlirim Hoxha, A. Shuke, Liljana Peza, F. Demi (Francë), Salvatore Bavore Mele (Itali), A. Boçi, P. Belliu, I. Haxhia, V. Pirolli, A. Luka, E. Brinja, A. Kocaqi, A. Spahiu (Francë), H. Gjergji (USA), B. Imeri dhe L. Peza.
Sot është vërtetuar plotësisht jo vetëm qenia e Qytetërimit të lashtë Pellazg në Ballkan, Azi të Vogël, Lindja e Afërt, Itali dhe ishujt e Mesdheut, por studiuesit kanë vërtetuar njëkohësisht edhe lidhjen e ngushtë të pellazgëve me shqiptarët, nëpërmjet gjuhës së përbashkët pellazge/ shqipe, veshjeve, zakoneve, perëndive etj. Prandaj pranohet se pellazgët, janë popull i gjallë, që sot përfaqësohen nga shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Epirit, Arbanitas, Arbëreshët dhe shqiptarët e diasporës. Ky popull i lashtë dhe i talentuar i ka lënë gjurmët e tij në të gjitha kontinentet e botës, duke i emërtuar ato.
Antarët dhe simpatizantët e shoqatës, mbështetur në këto arritjeve të mëdha shkencore kanë dhënë kontributin e tyre, në ndriçimin e disa çështjeve të rëndësishme historike dhe ndër më kryesoret janë:
1. Vitin e fundit u zbuluan se mbishkrimet më të lashta europiane janë të shkruara në gjuhën pellazge. Prof. dr. Luftulla dhe PhD. Liljana Peza i raportuan këto të reja në Kongresin e Parë Ballkanik, mbajtur në Stamboll më 24-26 shtator 2012. Këto mbishkrime janë disa, por me rëndësi të veçantë janë: Mbishkrimet nga kultura e lashtë Pellazge e Vinçës (Dardania e lashtë) dhe mbishkrimi nga kultura e lashtë Pellazge Turdos (Dakia e lashtë), të viteve 5500 dhe 5300 p.e.s., vlerësuar nga dijetarët si shkrimi më i vjetër në botë. Në mbishkrimin e kulturës pellazge të Vinçës është shkruar: IIIVIJV1, e cila po të zbërthehet, bëhet : III VIJ V 1. Germa “V” në shkrimet e lashta lexohet si “U”, prandaj kemi: VIJ = UIJ = UJI në gjuhën shqipe. Në mbishkrim ndodhen edhe numrat III dhe 1, të njëjtë me numrat që kemi sot në përdorim.
Në varësen Tartaria ndodhet një mbishkrim i famshëm: germa “P” dhe shprehja “PDor” (ose Pbor). Dallohen fjalët:“Dor” (ose “bor”), fjalë mjaft të lashta, cilat janë edhe sot në gjuhën shqipe.
Enë balte me mbishkrim nga Vinça, 5500 BC
Varëse me mbishkrim Tartaria, Rumani, 5300 BC –
Dokumentet më të lashta të gjuhës shqipe.
* * *
Në këtë mënyrë fjalët VIJ = UIJ dhe Dor (ose bor) (dora, bora), përbëjnë fjalët më të vjetra të shkruara ndonjë herë në botë ashtu si dhe numrat që përdorim sot. Fjala VI (UI ose uji) është ndeshur edhe tek etruskët gjatë mijëvjeçarit të fundit p.e.s. Rëndësi të madhe ka fakti se pellazgët shpikën të parët në botë shkrimin dhe ndërtuan abecedarit e plotë që ka sot bota perëndimore në përdorim, për të shkruar gjuhët e tyre. Këto germa më pas u huazuan për të ndërtuar alfabetin latin dhe grek. Kjo tregon se gjuha pellazge ka filluar të flitet dhe të formohet si gjuhë disa mijëvjeçarë më herët, aty rreth mijëvjeçarëve 10-12 p.e.s.
Pellazgët kanë vazhduar ta shkruajnë gjuhën e tyre edhe më pas. Nga studimet që kemi bërë kohët e fundit rezulton se mbishkrimet Dypilon i Athinës, Cumae i Korinthit, Nestor Cup i Napolit, Itali, të shekujve 9-8 p.e.s. dhe dy mbishkrime nga ishulli i Kretës: Prais-1 dhe Dreri-1, të fundit të shekullit 7-fillimit të shekullit 6 p.e.s. janë të shkruara në gjuhën pellazge. Gjer tashti në literaturën shkencore shkruhet se këto mbishkrime janë të shkruar në gjuhën greke dhe përbëjnë shtyllat për vërtetimin e lashtësisë së kësaj gjuhe.
Zbulimi i gjuhës pellazge në këto mbishkrime vërteton plotësisht se banorët e Athinës, Korinthit, Peloponezit, Napolit, ishullit të Kretës etj. nga neoliti deri në gjysmës e parë të Kohës së Hekurit (deri rreth vitit 500 p.e.s.) kanë folur dhe shkruar gjuhën pellazge/shqipe dhe jo gjuhën greke, siç trumbetojnë falsifikatorët.
Nga faktet e mbledhura del se pellazgët kanë qenë përhapur në të gjithë botën, që vërtetohet nga toponime e shumta në botë: emri i Britanisë – BRITAN, që do të thotë se ishulli ishte “tan bri, thepa”, emrat AMUR (asht mur), SAKALIN (sa ka lin, lindur), TOKIO (tokë jo) etj. Megjithë këtë përhapje të madhe, qendra ku filloi zhvillimin i mirëfilltë i Qytetërimit Pellazg ka qenë Ballkani Qendror. Në këtë rajon u ngritën farmat e para dhe filloi bujqësia (nga fjala FAR), janë prodhuar vegla e parë prej bakri, një sëpatë prodhuar rreth 5500 p.e.s. dhe shfrytëzimi më i vjetër i mineralit si dhe objektet e para dhe më të vjetra prej ari në botë. Po në këtë rajon kohët e fundit u zbulua qyteti më i vjetër në botë, 4700-4200 p.e.s.(Thrakia, Bullgaria veriore), që merrej me tregtimin e kripës. Zeuastika e parë (shenja e Zeusit) rreth dhjetë mijë vjet p.e.s. është ndeshur gjithashtu (Ukraina perëndimore), që tregon se njerëzit e rajonit tashmë e kishin krijuar Zeusin- Zotin e tyre dhe perënditë e tjera pellazge, ku faleshin dhe kërkonin ndihmë. Gjatë neolitit- fillimi i kohës bakrit dhe të bronzit, qytetërimi Pellazg u shtri në Anadoll dhe më tej, ku shquhen Troja, Hititët, në Mesopotami, Mikenë, Kretë, Itali, Maltë etj.
2. Janë bërë avancimet të dukshme të njohurive mbi qytetërimin dhe gjuhën e shumerëve të lashtë (Mesopotami) nga ing. Anastas Shuke. Vërtetohet se mbishkrimet e lëna prej tyre në shkrimin kunjor (rreth 3000 p.e.s.) janë të shkruara në gjuhën pellazge/shqipe . Me studimet në këtë fushë autori vërteton plotësisht se shumerët e lashtë rreth vitit 3000 p.e.s. dhe më pas, kanë folur njërin nga dialektet e gjuhës pellazge. Kjo ngjashmëri është vënë re edhe nga studiuesi arvanitas J. Thomopulo (1933), por studimi i tanishëm është i gjithanshëm dhe më i plotë në gjuhën shqipe.
3. Nga studiuesi Asqeri Boçi është thelluar puna në zbërthimin e mëtejshëm të gjuhës së “Iliadës” së Homerit, e cila vërtetohet se është e mbushur me fjalë të gjuhës pellazge dhe se kjo vepër letrare, e para e letërsisë europiane, është shkruar fillimisht në gjuhën pellazge. Shënojmë se “Iliada” pranohet se është shkruar rreth vitit 750 p.e.s. dhe përshkruar ngjarjet e fundit të Luftës së Trojës (rreth vitit 1250 p.e.s., Koha e Bronzit). Me këto studime vërtetohet plotësisht se Homeri dhe banorët e Smirnës (Izmiri i sotëm) dhe të gjithë krahinës së lashtë të Jonisë, kanë folur dhe shkruar gjuhën pellazge.
4. Studiuesi Kol Marku ka arritur rezultate të mira në studimin e pranisë së Qytetërimit Pellazg në Itali, duke sjellë prova të plota për problemin. Studimi sapo ka filluar dhe presim rezultate të dukshme vitet e ardhshme. Siç dihet emërtimi “Itali” rrjedh nga pellazgët, banorët e lashtë të saj. Studiuesi italian nga Sardenja Dr. Salvatore Bovore Mele, ka ndërtuar fjalorin e parë të gjuhës së lashtë sarde-shqip-anglisht. Autori vërteton se gjuha e sardëve, banorëve të lashtë të ishullit, është gjuha pellazge/ilire/shqipe, që përbën një arritje mjaft të rëndësishme të gjuhësisë bashkëkohore. Ndërtimi i këtij fjalorin të parë, përfaqëson një punë kolosale me rëndësi të madhe historike dhe gjuhësore. Profesori nga Sardenja A. Aredu në librin e publikuar ka zbuluar se qytetërimi lashtë i Sardenjës është me origjinë pellazgo-ilire. Kështu të dy studiuesit përputhen plotësisht, që sardët e lashtë kanë folur gjuhën pellazge/shqipe.
5. Nga prof. dr. Leonard Prifti është avancuar më tej njohja e miteve dhe legjendave të lashta pellazge, duke sjellë të reja të panjohura më parë në këtë fushë, ndërsa studiuesja Fatbardha Demi solli njohje të reja rreth besimit fetar të pellazgëve.
6. Profesori nga Prishtina Rexhep Doçi vazhdon në studimin e toponimeve të lashta pellazge nga Kosova dhe më gjerë, me të cilat jep kontribut të rëndësishëm në studimin e Qytetërimit Pellazg.
7. Kontribut të rëndësishëm me studimet e tyre botuar në libra, në shtypin e ditës si dhe në internet për çështjeve të veçanta me temë nga Qytetërimi Pellazg kanë dhënë padyshim Prof. S. Driza, N. Stilo, Dr. M. Aref, ing. E. Brinja, Prof. M. Cerrabregu, Liljana Peza, F. Demi, L. Muhaj, S. Hushi, Ç. Hoxha, etj.
8. Punë e mirë është bërë në Universitetin Vitrina me pedagogë dhe studentë, ku janë mbajtur ligjërata për përhapjen e njohurive mbi pellazgët dhe qytetërimin e tyre nga E. Brinja, Liljana Peza, A. Shuke, L. Prifti, F. Demi, L. Peza etj. Këtë vit kjo punë do të zgjerohet edhe më shumë.
Ditën e dytë pjesëmarrësit vizituan Muzeun Arkeologjik të Tiranës, ndonëse i vogël, por i rregulluar mjaft mirë. Shpjegimin na e bëri një vajzë e re, që ndiqte doktoranturën. Ajo përgjithësisht ishte e përgatitur në fushën e muzeut, por na bëri mjaft përshtypje të madhe se disa çështje të sqaruara tashmë në shtypin tonë, që i përkasin qytetërimit pellazgo-ilir ajo ende nuk kishte njohuri dhe vazhdonte me dogmat e vjetra. Shpjeguesja ngulte këmbë p.sh. që Epidamni (Durrësi) dhe Apollonia kanë qenë koloni greke, në një kohë që është vërtetuar se këto dy qendra dhe të tjera si Buthroti (=Bullroti), Lisi (Lezha), Bylisi, Dorzi etj. janë ngritur nga fiset pellazgo-ilire, vërtetuar me shumë mbishkrime dhe objekte të tjera. Edhe emërtimet e tyre janë në gjuhën pellazge/shqipe. Kundërshtime të forta patëm për mbishkrimin ilir të Mozaikut të Mesaplikut (shek. 6 p.e.s.), paraqitur në figurë. Ndonëse ky mbishkrim tingëllon mjaft qartë në gjuhën shqipe dhe shkruar me alfabetin pellazg: A ПAq KE AC = A PAK KE AK = ose A PAK KE AÇ = ASHT PAK KE HAK (ose = ASHT PAK KE TË HASH), shpjeguesja e muzeut ngulte këmbë, që është mbishkrim në gjuhën greke. Ku e sheh ajo greqishten nuk merret vesh. Është për tu habitur për gjykimin e kësaj vajze të re, për ta lexuar vetë mbishkrimin. Për këtë mbishkrim në shtypin tonë kanë botuar mjaft autorë, që e pranojnë se i përket gjuhës ilire, por shpjeguesja nuk kishte haber për këto. Kjo tregon për nivelin e pamjaftueshëm të përgatitjes së studiuesve të rinj, të cilët nuk kanë njohuritë e duhura, nuk kanë iniciativën dhe u rrinë besnik dogmave të vjetra. Mbishkrimi i Mozaikut të Mesaplikut (Vlorë) përbën një dëshmi të gjallë të lidhjes iliro-shqiptare, sepse të gjitha fjalët e tij janë plotësisht të kuptueshme në gjuhën e sotme shqipe, megjithëse ai është shkruar 2600 vjet më parë. Nga ana tjetër germat e përdorura në mbishkrim janë të abecedarit pellazg, që ndeshen edhe në mbishkrimet e tjera të lashta pellazgo-etruske.
Simpoziumit i erdhën përshëndetje vëllazërore nga prof. dr. A. Berisha, studiues dhe pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë (Itali), studiuesja franceze / shqiptare Solanxhe d’Angeli, vajza e autorit të famshëm Robert Angeli, i njohur ndër ne për veprën e tij të mrekullueshme “Enigma” si dhe studiuesi i njohur nga Kosova Dr. J. Buxhovi, autor i monografisë së plotë historike në tre vëllime “Kosova”. Megjithëse morën ftesat, asnjëri nga gjuhtarët ose historianët e Qendrës Albanologjike të Tiranës nuk mori pjesë dhe as dërgojë ndonjë urim. Vazhdohet avazi i vjetër antishkencor i injorimit të veprimtarive shkencore mbi Qytetërimin Pellazg dhe i të rejave shkencore nga ato.
GJENDJA E ALBANOLOGJISË
Studimi i historisë së gjuhës shqipe ka ngelur prapa në krahasim me gjuhët e tjera europiane, mund të them në nivelin e shekullit 19. Ndryshe nga gjuhët e tjera europiane, që dokumentohen të shkruara shumë kohë më vonë (p.sh. dokumenti më i vjetër i shkruar i gjuhës frënge është i vitit 842 të erës sonë, gjermanishtja gjatë shekullit 6-8 dhe anglishtja pak më vonë), gjuha shqipe i ka rrënjë në mijëvjeçarin e 10 p.e.s. dhe dokumentin e parë të shkruar në mijëvjeçarin e 6 p.e.s. (shih figurat sipër). Ajo është shkruar me shkrimin kunjor shumer rreth vitit 3000 p.e.s., nga hititët rreth vitit 1700, p.e.s., në shkrimin Linear B në shekujt 14-12 p.e.s. në rajonin e Egjeut, në ishullin e Lemnit gjatë shekullit 9-8 p.e.s. dhe në shumë mbishkrime të tjera. Asnjë gjuhë e botës nuk e ka dokumentimin kaq të lashtë dhe të plotë. Prandaj shumë dijetarë e kanë quajtur gjuhën shqipe “Gjuhë Hyjnore”, “Gjuhë e Artë”, “Gjuhë e Ambël”, “Gjuhë Universale” etj. Këto të dhëna nga gjuhësia dhe historia jonë janë shfrytëzuar shumë pak. Ende vazhdohet rruga antishkencore ndaj Qytetërimit Pellazg, ndjekur nga kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Kur dijetari i shquar Spiro Konda ligjëronte dhe sillte prova bindëse mbi këtë qytetërim të lashtë dhe e lidhet atë me shqiptarët, disa drejtues të akademisë me marifete dhe përbuzje e luftuan dhe asnjë herë nuk e pranuan si koleg. Vetëm me ndërhyrjen e udhëheqësit të shtetit, atij ju lidh rroga e punonjësit shkencor dhe pa dritën e botimit vepra e tij e famshme mbi pellazgët. Kështu kultura jonë u pasurua me një vepër kulmore. Qendrime jo korrekte ka pasur edhe ndaj studiueses N. Vlora, kur fliste mbi lashtësinë e shqipes në Prishtinë.
Provat për lashtësinë e gjuhës shqipe janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Këto prova gjuhtarët tanë nuk i kanë hedhur poshtë, por pa arsye dhe padrejtësisht i injorojnë, që është rrugë jo shkencore. Atyre kjo rrugë nuk ju sjell shumë dëm personal, sepse ende nuk i peshon kush për aftësitë e tyre profesionale. Dëm të madh merr gjuha shqipe, e cila megjithëse është gjuha më e vjetër e botës dhe me dokumentin më të lashtë shkrimor, qëndrimet e padrejta të gjuhtarëve tanë e radhisin atë të shkruar në mesjetë, dhe Formulën e Pagëzimit (1462) ja ngjisin si dokumentin më të lashtë. Nga kjo R. Elsie arrin në “zbulimin e madh” se “shqiptarët dolën në dritë në shekullin e 15”.
Gjuha shqipe duhet studiuar në mënyrë të gjithanshme, sidomos historia e prejardhjes së saj, sepse është shumë prapa, në krahasim me studimin e ndërtimit të saj të brendshëm. Duhet të studiojmë të gjitha gjuhët pararendëse të shqipes: pellazgjishtja, ilirishtja, maqedonishtja, dardanishtja, trakishtja etj.), të Anadollit (frigishtja, jonishtja, hititja, etruskishtja e deri tek gjuha e shumerëve si dhe të gjitha mbishkrimet e lashta. Kur ti bëjmë këto kemi plotësuar detyrimet tona ndaj gjuhës sonë kombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare për te.
Nuk mund të përputhemi me prof. Sh. Rrokaj, dekan i fakultetit të filologjisë (Tiranë), i cili deklaron: “duhen ndryshime në gjuhën shqipe, pa cënuar standardin” dhe “duhen studime të mirëfillta të brendshme të folklorit, etnologjisë dhe jo ti kushtojmë rëndësi gjuhësisë historike të jashtme”. Kjo donë të thotë me fjalë të tjera ta dënosh gjuhën shqipe për të mos u studiuar e plotë asnjë herë kurrë. Këto kanë lënë prapa studimin e rrënjëve të gjuhës shqipe. Konservatorët mundohen ta ruajnë nivelin e ulët të njohje së rrënjëve të gjuhës sonë, duke ruajtur standardet e vjetruara 50 vjeçare. Ndonëse italianët e kanë pranuar zyrtarisht dhe ju a mësojnë nxënësve në shkollat tetëvjeçare, që gjuha etruske ka mjaft afërsi me gjuhën shqipe, gjuhtarët tanë na servirin gështenja të kalbura, duke e mohuar këtë ngjashmëri, duke u paraqitur me nivel të ulët profesional para botës së kulturuar. Prandaj nuk mjafton që të studiohet vetëm ndërtimi i brendshëm i gjuhës shqipe, por është e domosdoshme të studiohet historia e saj dhe lidhjet me gjuhët e tjera të lashta.
Nuk e nderon Qendrën Albanologjike vlerësimi me çmim të librit “Kosova një histori e shkurtër”, që ka të meta serioze historike dhe shtrembëron faktet. Përse nuk e vlerëson Kosova këtë libër, me të cilën lidhet? Autori Malkolm mundohet në shkrimet e tij “tu shkulë zemrën shqiptarëve”, stërgjyshat e lashtë-pellazgët, për ti paraqitur të rinj në truallin ku jetojnë sot. Me vlerësimin më të lartë duhej të nderohej libri “Shqiptarët” i E. Xhakut, që e shkruan me nivelin më të lartë dhe bazuar plotësisht në dokumente historinë e shqiptarëve. Ka dhe vepra të tjera me nivel të lartë në shqip, që kontribuojnë dukshëm në albanologji, që duhet të vlerësohen nga Qendra Albanologjike. Në ujëra të turbullta është edhe Akademia e Prishtinës, që e nderon me titull të lartë O. Shmitit, “për meritat”, që hedh baltë mbi heroin tonë kombëtar dhe historinë e shqiptarëve, pa baza shkencore dhe duke shtrembëruar dukshëm historinë e Kosovës.
Dy botime mbushur me falsifikime botoi vitet e fundit Akademia e Athinës: “Macedonia – 4000 years of the Greek history” dhe “Epirus-4000 years of the Greek history”. Grekët në fakt dokumentohen në rajonin e Egjeut vetëm gjatë shekullit 5 p.e.s., por duke përvetësuar Qytetërimin Pellazg, nga të cilët rrjedhin shqiptarët, mundohen të rrisin lashtësinë dhe fisnikërinë e tyre, të paraqesin Epirin dhe Maqedoninë si vendbanime të tyre të lashta dhe Aleksandrin e Madh, Pirron etj. heronj të tyre. Të gjithë këtë skandal në historinë europiane, albanologjia shqiptare e kalon në heshtje, duke dëshmuar këllqet e saj të dobëta për të thënë të vërtetën. Prandaj është e domosdoshme që në fakultetin filologjik dhe në Qendrat Albanologjike, të ngrihet sektori i studimit të Qytetërimin Pellazg dhe gjuhëve të lashta të rrjedhur prej tij, ku specialistët ti studiojnë ato dhe lidhjen me gjuhën e sotme shqipe.
………………………………..
Pelasgic – Illyrian – Etrusco – and Albanian Language!
PUNA PËR TË ARDHMEN
Studiuesit e Qytetërimit Pellazg, të bindur se rruga e tyre e deritanishme është më se e drejtë, do të vazhdojnë të gjurmojnë të rejat historike dhe gjuhësore në lashtësinë pellazge, për ta ndriçuar sa më mirë këtë qytetërim nga rrjedh Qytetërimi Perëndimor dhe populli ynë. Na vjen mjaft mirë dhe frymëzohemi, që presidenti Nishani shprehu gjykimin mjaft të qartë, kur ditën e 100 vjetorit të Pavarësisë popullin tonë e cilësoi “me rrënjë pellazge dhe histori ilire”. Është koha që gjuhtarët dhe historianët tanë ti kthejnë sytë dhe ta mbështesin këtë ide. Detyrë e rëndësishme për ne është referimi i problemeve të veçanta nëpër institucionet shkencore, universitete, shkolla të mesme etj. për ti bërë të ditura arritjet në masën e gjerë të popullit dhe ndërgjegjësuar atë për kontributin e stërgjyshëve tanë në historinë botërore.
Në studimin e Qytetërimi Pellazg nuk mjafton vetëm vullneti dhe puna e studiuesve dhe dashamirëve. Kërkohen mjedise dhe mjete mbështetëse, qoftë për veprimtaritë ashtu edhe për botimet, pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare etj. për thellimin e studimeve dhe shpërndarjen e njohurive. Prandaj nevojitet ndihmë nga shoqatat kulturore, individë dhe dashamirës, për ta përshpejtuar zgjidhjen e problemeve. Kështu dijetarët duke punuar dhe dashamirësit duke ndihmuar, jemi të sigurtë se gjuha shqipe do të renditet shpejt, në bazë të dokumenteve që disponojmë, gjuha më e vjetër e shkruar e botës. Këto të dhëna do të reflektohen në ndryshimin e parahistorisë së popullit tonë, e cila do të fillojë me Pellazgët Hyjnorë dhe do të vazhdojë me ilirët, dardanët, maqedonët, epirotët, thrakët, Hititët,frigët, jonët, shumerët etj.
Pragë, më 1 shkurt 2013
______________________
1. Prof. Dr. Luftulla Peza, studiues i paleohistorisë, kryetar i Shoqatës “Qendra e Studimeve Pellazgjike”, em:[email protected]
2. Maximilian Lambertz (1882-1963), gjuhtarë austriak, që është marrë shumë me gjuhën dhe letërsinë shqipe dhe ka shkruar mjaft studime mbi te. Ka vizituar disa herë Shqipërinë edhe kur shtetet lindore prishën marrëdhëniet me te në vitet 60’. Citati nga vepra: Albanien erzählt: ein Einblick in die albanische Literatur. Übersetzt und herausgegeben. Literatur der Volksdemokratien, 7, Berlin: Volk und Welt 1956, 191 pp.
Tiranë, 9-10 nëntor 2012: Pjesëmarrës të Simpoziumit II Ndërkombëtar “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre”: Nga e djathta e shikuesit në të majtë: Ing. Eva Brinja, Eriselda Durmishi, Prof. dr. Muharrem Cerrabregu, Margarit Nilo, Brahim Avdyli, Kol Marku, Fatbardha Demi, PhD. Liljana Peza, Prof. Dr. Ago Nezaj, Dr. Petrit Belliu, MA Vilma Pirolli, Prof. Dr. Rexhep Doçi dhe Ing. Anastas Shuke. Ulur: Skënder Hushi, Prof. dr. Luftulla Peza, Prof. Dr. Leonard Prifti dhe Kozeta Zavalani.