Qysh në fillim të vitit ai më kishte lënë një përshtypje si një shpifës i madh e tradhtar dhe nxitës i vrasjes së Mehmet Aliut, të cilin donte ta arratiste herët a vonë. Është për t’u çuditur se ai jo vetëm që mbeti i patrazuar, por i mor të gjitha punët e administratës në duart e veta dhe është në marrëveshje direkte me administratën lokale. Policia udhëzimet i merr nga ai, dhe, për shkak të dëshirës e kënaqësisë së tij, funksionarët e mëdhenj u shkarkuan nga shërbimi publik pa ndonjë arsye të caktuar, ose pa paralajmërim. Ndonëse nuk mbante asnjë pozitë zyrtare, përveç asaj të mësuesit, ai korrespondonte me shifër kahdo që donte.
U përpoqa ta kuptojë natyrën e lidhjes së tij me Qeverinë, si edhe detyrat që duhet t’i kryente.
Ata të cilët nuk janë në partinë e tij dhe që përfaqësojnë pjesën më të madhe të banorëve e përshkruajnë pozitën e tij si të jashtëzakonshme dhe të pajustifikueshme, kurse idhtarët e tij, të krijuar me karakter shumë të ulët, e bëjnë atë si prijatar ekzekutiv për mirëmbajtjen e qetësisë dhe për administrimin e drejtësisë (…). Prandaj, është e qartë se Qeveria është duke e angazhuar atë për t’i vazhduar intrigat në mënyrë që t’i prishë vendimet e Evropës (…)”.
Më tutje, diplomati anglez, konstatonte me tendencë të qartë antishqiptare se, nëse Turqia e justifikon kundërshtimin e shqiptarëve me patriotizmin e tyre, kjo “nuk duhet të pranohet”!? – sepse cilësi të tilla nuk ka në këtë pjesë të Shqipërisë, përpos “në mendimet e një grupi fanatikësh, të udhëhequr nga Haxhí Ymer Efendiu, të cilët e kanë formuar të ashtuquajturën “Lidhja Shqiptare,” e cila, në realitet, nuk posedon asnjë vitalitet, përveç asaj çka rrjedh nga Qeveria, nga e cila, kohë pas kohe, shihet veprimi i mekanizmit të saj si dhe dëshira për një besnikëri të mirë”.
Përmbajtja e dokumentit të mësipërm pasqyron qëndrimin antishqiptar të tërbuar të Anglisë. Se Komiteti Qendror i Lidhjes dhe ideologu, kryetar i saj, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, ishin forcë politike shqiptare antiosmane për lirinë e Shqipërisë, ka dëshmi të shumta të pakontestueshme. Nga telegrami i valiut të Manastirit, Ahmet Muhtar Pasha, të datës 2 qershor 1880, shihet se Lidhja Shqiptare kishte depërtuar në të gjitha mekanizmat shtetërore osmane në tokat shqiptare: administratë, gjyqe, ushtri, polici dhe se Komiteti Qendror i Lidhjes ishte pushtet ekzekutiv e faktik në Shqipëri.
Ky vali osman antishqiptar, më 12 qershor 1880, e njoftonte Portën e Lartë se Komiteti Qendror i Lidhjes në Prizren, “nëpërmjet Degës së tij (…), është duke bërë presion në mënyrë demagogjike në popullsinë e vendit” dhe pretendon “që të gjitha viset e Shqipërisë të vihen nën një qeverisje unike dhe gradualisht të marrin formën e një shteti autonom. Bile, për t’i realizuar këto qëllime, kanë filluar parapërgatitjet duke ndërmarrë masa që prej tashit të organizojnë ushtrinë dhe format e tjera…”. Për ta ndalur këtë aktivitet, valiu i Manastirit propozonte: “Të zihen kryetarët e Komitetit të lartpërmendur si dhe të degës së tij, siç janë: Haxhí Ymer Efendiu, Shuaip Aga, prej anëtarëve Dervish Beu, Halim Qerqizi, Jonuz Efendiu, Rexhep Aga dhe Daut Spahiu – Gjakovari dhe të gjithë të internohen në vende të largëta dhe të ndryshme!”
Mutesarrifi i Prizrenit, më 15 qershor 1880, hedhjen në pranga të personaliteteve të përmendura e shihte të realizueshme, por, për t’i hyrë asaj pune, kërkonte të sillej në Prizren ushtri – kavaleri dhe këmbësori, forca të reja. Kjo kërkesë nuk mbeti pa efekte. Më 23 qershor 1880, Këshilli i Ministrave të Perandorisë Osmane aprovoi vendimin për internimin e Haxhí Ymer Prizrenit dhe të Shuaip agë Spahisë, “së bashku me pesë anëtarë të tjerë që përcaktohen me emra” dhe vendimin për kahet e veprimet që duheshin kryer për krijimin e “Vilajetit të bashkuar të Rumelisë”.
Në të vërtetë, nga fundi i qershorit dhe pjesa e parë e korrikut 1880, Haxhí Ymer Efendi Prizreni kishte ndërmarrë hapa vendimtarë për një përtëritje të kuadrit udhëheqës e komandues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të parandaluar copëtimin e Ulqinit nga Shqipëria. Për këtë qëllim e kishte thirr “Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për një datë të shpejtë, dhe delegatët u emëruan nga shumica e kazave, dhe janë në rrugë për në atë vend të takimit” – informonte zyrtari anglez në Shkodër, më 15 korrik 1880.
Sipas konsullit austro-hungarez, Valdhart, më 21 korrik 1880, në Prizren arritën rreth 100 përfaqësues të degëve të Lidhjes. Midis kundërshtarëve të projekteve austro-hungareze, për ta shtrirë pushtimin deri në Mitrovicë, do të shquhet Myderriz Haxhí Ymer Prizreni. Kuvendi i Lidhjes u mbajt më 22 korrik 1880 dhe atij i bëri jehonë të madhe korrespondenca e Politische correspondenz të Vjenës, më 23 korrik 1880, të botuar greqisht në gazetën Ora të datës 3 gusht l880 dhe serbisht në Narodni list të 14 gushtit 1880.
Në këtë informatë personaliteti i myderrizit Haxhí Ymer Efendi Prizrenit pati një trajtim shumë të rëndësishëm për historinë kombëtare shqiptare. Gazeta Ora nxirrte konstatimin se në Prizren, në Kosovë e në Shqipëri, “Situata e përgjithshme nga dita në ditë është më e rëndë; rendi juridik në një të ardhme të afërt po kërcënohet dhe se frika për rreziqet ekstreme nga çasti në çast po vërehet e arsyetohet” dhe citonte pjesë nga raporti i 24 korrikut 1880 për “Pol. Correspondenz”: “I quajturi Kuvendi i Madh i Prizrenit nxori në shesh figurën e Haxhi Ymer Efendisë për udhëheqës…”
Këtë raport, siç u tha më lart, e solli të plotë Narodni list, e cila, në fillim,theksonte: “Pol. corr. më datën 23 korrik nga Prizreni bie këtë shënim: ‘Lidhja e Prizrenit për Kryetar ka emëruar Haxhí Ymer Efendiun. Famën e tij e tejkalon vetëm vrazhdësia e tij. Ai nuk respekton pushtetin e qeverisë turke, nuk duron pranë vetes asnjë që është baras me të, nuk duron të dëgjojë kundërshtimet, urdhëron pakufizueshëm, çdo rezistencë e dënon ashpër dhe sundon vërtet me frikë’.
Ky diktator i tipit – sipas dëshirës së vet, para pak kohësh bëri dy akte të cilat janë të çuditshme edhe për veten e tij. Para gjashtë ditësh (më 17 korrik 1880), i shkroi Valiut të Kosovës një letër shumë interesante për marrëdhëniet me ato vise, vërtet shumë të rëndësishme, me të cilën nuk kërkonte as më pak e as më shumë sesa tërë pajisjen ushtarake e cila gjendet në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Shkup t’ia dorëzojë ‘Lidhjes së Madhe’. Kjo kërkesë është bërë aq më vendosmëri, saqë Ymer Efendiu nuk ka ngurruar të shtojë edhe atë: ‘Nëse qeveritari në fjalë për tetëmbëdhjetë ditë nuk e plotëson atë kërkesë, Ushtria e Lidhjes do të vijë vetë për armë dhe municion, të cilat asaj i duhen”.
Korrespondenti vjenez, më tutje, theksoi: “Diktatori (Ymer Efendiu) nuk priti rezultate nga ajo letër, por përgatiti 4 000 mijë veta të cilët pa presedan e dëgjojnë dhe pas skadimit të afatit do të sulmojë me forcë.
Puna e tij e dytë diplomatike ishte ajo që e thirri të ashtuquajturin Komitet Popullor në Prizren. Në Shkodër, në Guci, në Lumë, në Pejë, në Gjakovë dhe në Tregun e Ri dërgoi këtë letër qarkore:
“Këshillit të vendit në…
Me këtë u urdhëroj që të besueshmit e Juaj nga Kazaja e Juaj t’i dërgoni këtu (në Prizren). Këta më duhet t’i marr në procedurë për disa gjëra. Mund të dërgoni një ose më shumë veta, por ata duhet të jenë të bindur ndaj Atdheut (…). Me datën 20 korrik të gjithë delegatët duhet të jenë këtu!”.
Kuptohet, urdhri është zbatuar. Nga Shkodra nxitoi zeshkani i rrëmbyeshëm, Et’hem Aga, nga Gucia kryengritësi ekstrem, Ali Pasha, Jusuf Aga dhe Ibrahim Alia nga Peja, mandej (…) Mahmut Mustafa nga Gjakova. Nga të gjitha anët erdhën njerëzit më të ashpër të Lidhjes. Dibranët, të cilët nuk dinin për farë Lidhje, gjithmonë të papushtueshëm, premtuan se do t’i dërgojnë delegatët e vet!
Kuvendin prej 104 anëtarësh Ymeri, më date 22, e njohtoi se ka vendosur të rekrutojë 18 mijë veta nën Flamurin e Lirisë. Delegatët janë të detyruar që në afatin më të shkurtër t’i caktojnë aq veta sa kërkohen nga secili rreth. Për armë është kujdesur vet, aq sa duhet. Pastaj vuri në spikamë se valiu i Prishtinës armët dhe municionin e përgatitur tani shpejt do t’ia dorëzojë “Lidhjes së Madhe”.
As për të holla nuk do të shfaqet nevoja (…). Në fund, deputetëve u solli ta nënshkruajnë njëfarë “Deklarate”, me të cilën sikur u shpallë luftë armiqve evropianë të Shqipërisë”.
Këtu duhet të konstatohet se korrespondenti vjenez gënjente kur thoshte se Ymer Efendiu është kundërshar “i rreptë i konfesioneve të tjera”, ndërkaq pati të drejtë kur tha se Ymer Prizreni ka ego të pathyeshme. Dhe se ai është udhëheqës i pakundërshtueshëm.Përfundonte: ”Para pak kohësh e ka ndjekur kajmekamin e Mitrovicës dhe askush nuk ka marrë guxim të nxjerrë fjalën jashtë”.
Kuvendi i Përgjithshëm, më 22 korrik 1880, iu drejtua Sulltanit, në emër të popullit shqiptar, me kërkesë të lejonte bashkimin e Shqipërisë dhe të caktonte një person për të qeverisur me Shqipërinë e bashkuar në emër të Sulltanit, duke vërë në pah se: “Sot në të gjitha anët ndër ne është bërë i njohur paralajmërimi i sulmit të padrejtë, të cilin armiqtë e jashtëm janë duke përgatitur kundër nesh. Për këtë arsye, të gjithë ne kemi vendosur të rrezikojmë me dëshirë e pa dëshirë trupin dhe krejt pasurinë për t’u mbrojtur nga armiqtë e jashtëm.
Sipas mendimit tonë të përgjithshëm, duke parë si obligim nevojën e mbrojtjes së atdheut, kemi vendosur njëzëri që qeverisja dhe administrimi i Shqipërisë duhet t’i ngarkohet patjetër një valiu të besueshëm, të aftë dhe të sigurt. Me zemër të pikëlluar në përgjithësi kemi vendosur të përqendrohemi kundër kësaj padrejtësie.
Qysh nga 400-500 vjet e këndej kemi jetuar nën sovranitetin e Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit, dhe qysh prej stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë në mënyrë trashëgimtare kemi gëzuar të drejtën e ekzistimit, të lirisë, të nderit dhe të fesë, kurse tani është e qartë se Lartmadhëria e Tij, Sulltani, nuk do ta lejojë shkatërrimin tonë brenda sekondës.
Lidhur me qëllimet dhe kërkesat tona ju kemi bërë qysh herët me dije dhe Ju kemi parashtruar peticione, kërkesa dhe telegrame, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive.
E njoftojmë Lartmadhërinë e Tij, Sulltanin, me qëllim të vetëmbrojtjes, duke dhënë jetën për tokë të atdheut tonë, për të cilin do të derdhim pikën e fundit të gjakut, do ta vazhdojmë kontinuitetin e qëndrueshmërisë dhe ekzistencën tonë trashëguese – historike.
Sot, në Prizren, janë mbledhur paria nga të gjitha viset tona. Çdo njëri ka ardhur sipas zakoneve të vjetra ku janë përmbushur fushat me njerëz të cilët kanë lidhur besën e bashkimit, duke u zotuar se do t’i zbatojnë dëshirat e përgjithshme të popullit për t’i mbrojtur viset e Shqipërisë.
Prandaj, kërkojmë prej Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit, të emërohet një person të qeverisë në të gjitha (viset tona). Turbullirat dhe trazirat e ndryshme deri tani janë frenuar me premtime, por prej tashti nuk do të jemi në gjendje t’i qetësojmë.
Lutemi edhe njëherë që përgjigjen definitive të na dërgoni po ose jo, të cilën e presim me padurim. Si gjithmonë, edhe në këtë pikëpamje urdhri i takon Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit.
Të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë, më 22 korrik 1880. Dokumenti është vërtetuar me vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.
Këshilli i Ministrave të Turqisë e shqyrtoi, më 24 korrik 1880, kërkesën e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 22 korrikut 1880 dhe në fillim të procesverbalit konstatoi: “Kërkesa nga ana e Komitetit të Lidhjes së Prizrenit, që viset shqiptare të bashkohen në një shtet të veçantë autonom, të organizohet, të mobilizohet ushtria nga vetë ata dhe të grumbullohen ndihma të tjera, kjo është hyrje në tradhtitë e saj.
Për këta hapa është mirë që menjëherë të diskutohet dhe të kërkohet nga pushteti qendror që sa më parë të ndërmerren masat e duhura.
Udhëheqësit e kësaj Organizate dhe të Degës së saj, siç janë: Haxhí Ymer Efendiu dhe Shuaip Aga me pesë anëtarët e tjerë, që janë shënuar zyrtarisht në shkresë, duhet të internohen larg në vise të ndryshme”.
Tashti, pa hezituar, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, në krye me urtakun e vendosur, Myderrizin e Madh, i renditi punët për t’i realizuar aspiratat politike autonomiste të Shqipërisë. Pikërisht më 26 korrik 1880 u dha urdhër degëve në krahina që të informonin personalitetet zyrtare osmane për anulimin e gjyqeve civile nga Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: ”Dega e Lidhjes për Prishtinën, që është qendra e vilajetit, na dorëzoi sot (më 3 gusht) një letër me njëzet vula, në të cilën thuhet e vihet në dukje se me vendimin e datës 26 korrik 1880, që i ka ardhur nga Komiteti i Lidhjes të Prizrenit, janë shkarkuar nga detyrat nëpunësit e rinj të gjykatave që ndodhen brenda Vilajetit (të Kosovës)” – i shkruanin nga qendra e Vilajetit, – Prishtina, Kryeministrisë.
Qendra e administrimit osman të Vilajetit të Kosovës, vis ky ku qëndronte truri, zemra dhe gjaku i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Haxhí Ymer Prizrenin, i sugjeronte Kryeministrisë së Turqisë, më 9 gusht 1880, se “nëse një orë e më parë nuk veprohet” për parandalimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “atëherë e gjithë Shqipëria do të na dilte nga dora”.
Gazeta Srpski list e Zarës, më 8 dhjetor 1880, duke i bërë jehonë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në përmbushjen e Rezolutës së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, të 22 korrikut 1880, dhe Kërkesës që ai Kuvend ia kishte drejtuar Sulltanit, shkroi: “Nuk është plotësisht e mundshme të vihet në spikamë lajmi serioz, të cilin në telegram po jua dërgoj edhe sipas të cilit Kryesia e shqiptarëve në Prizren ka vendosur të flakë nga populli i vet edhe vulën e fundit të sundimit të Sulltanit.” Këshilli Ushtarak i Lidhjes, sipas Narodni list të 14 gushtit 1880, dhe pikërisht myderrizi Haxhí Ymer Prizreni kumtoi se nuk e njeh më Qeverinë e Stambollit dhe se “Lidhja u shpall luftë armiqve të Shqipërisë”.
Ndërkaq, Mutesarrifi (prefekti) i Prizrenit informonte valiun e Manastirit, më 20 gusht 1880, se ishte bërë një riorganizim në Lidhjen Shqiptare, duke përfshirë edhe riorganizimin e Komitetit Drejtues të Lidhjes, në krye të të cilit qëndronte myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, kurse posti i Nënkryetarit të Lidhjes i ishte besuar Shuaip agë Spahisë, i cili e kishte edhe postin e Kryetarit të Komitetit të Degës së Lidhjes Shqiptare në Prizren. Dhe, i zhgënjyer nga fakti se Komiteti Qendror i Lidhjes, në krye me Ymer Prizrenin, sa vinte e bëhej më monolit, valiu i Manastirit i shkruante, më 21 gusht 1880, me indinjatë, Ministrisë në Stamboll se “ndonjë përçarje tjetër që dëshirohet të ndodhë në Prizren në dëm të Komitetit të Lidhjes nuk besojmë se do të mund të ketë. Prandaj tani ka ardhur koha të thellohet kjo përçarje dhe të sigurohen mjetet për ta mposhtur Lidhjen”.
Ndërkaq, valiu i Kosovës, më 11 nëntor 1880, informonte Ministrinë e Luftës në Stamboll se “Jemi informuar se para se të merret leja nga Qendra e Organizatës së Lidhjes së Prizrenit nuk mund të zbatohen kurrfarë masash, lidhur me çështjen e mobilizimit dhe të grumbullimit të rezervave”. Së këndejmi, përfundonte ai, “nuk jemi optimistë se mund të arrihet zhdukja e të gjitha këtyre veprimeve, lëvizjeve para se të shkatërrohet qendra e Organizatës së Lidhjes së Prizrenit. Kjo mund të arrihet vetëm me përdorimin e një force të madhe shtypëse!”
Pas shkëputjes së Ulqinit nga tërësia e trungut të Shqipërisë Etnike, më 26 nëntor 1880, me dhunë ushtarake e politike evropiane e `perandorake osmane për interesa të Malit të Zi, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në krye me Myderrizin e Madh – Haxhí Ymer Efendi Prizrenin, tashmë me një famë të shtuar në përmasa kombëtare e ndërkombëtare, mobilizoi degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për t’i vu në jetë vendimet mbi kërkesat organizative më parësore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të aprovuara në Kuvendin e Lidhjes në Dibër, më 20-23 tetor 1880: Të ripërtërihet aktiviteti i degëve të pushuara; të merret pushteti gjyqësor e administrativ në nahi, në kaza dhe në nivel të Vilajetit, për ta bashkuar administrimin shtetëror të Shqipërisë nga Komiteti Qendror i Lidhjes; për përvetësimin për nevoja të Lidhjes Shqiptare të të gjitha të ardhurave të obliguara për Perandorinë dhe për mosdhënien ushtarë për ushtrinë perandorake të rregullt dhe atë rezervë.
Realisht, sipas prof. Zef Vizzolit, nga Kriza e Ulqinit në të gjitha kabinetet evropiane do të flitet për Çështjen shqiptare. Më tutje, valiu i Kosovës theksonte qartë se “Turbullirat dhe konfliktet të cilat e kanë përfshirë popullsinë e këtij Vilajeti i ka shkaktuar krejtësisht Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit” dhe se “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit me degët e tij, që janë formuar brenda Vilajetit të Kosovës, në këtë kohë e ka treguar veten në formë të pushtetit, pasi i ka zbatuar të gjitha aksionet që ka dëshiruar”.
Këtu duhet të kihet parasysh se sintagma Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit ishte sinonim për rolin pushtetar të myderrizit Haxhí Ymer Prizreni në Lidhjen Shqiptare. Realisht, pushteti faktik i Lidhjes Shqiptare në Vilajetin e Kosovës, sipas Valiut të Kosovës, pasqyrohej më fuqimisht në pengesat që atij, pra pushtetit osman, i bënte Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare në fushë të mbledhjes së ushtrisë – rekrutë e rezervë, ndaj “për t’i dhënë fund kësaj situate, njëherë e përgjithmonë, së pari kërkohet: të shpërndahet Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit me të gjitha degët e tij, të zbatohet mobilizimi i rekrutëve dhe marrja e rezervës”. Dhe, ritheksonin: “Për t’i realizuar këto masa, nevojitet që forcave ekzistuese të divizionit t’u shtohen 10-15 taborë nga ushtria mbretërore, me kusht që brenda muajit të rikthehen dhe të lejohet përdorimi i forcës ushtarake” dhe, “sipas nevojës së gjendjes së tanishme është çështje me rëndësi që Sanxhaku i Prizrenit (ku dominonte plotësisht fjala e Myderriz Haxhí Ymer Prizrenit) të rikthehet në kuadrin e këtij Vilajeti” – përfundonte Osman Pasha, zyrtari osman i Kosovës.
Organi kroat Obzor, i cili me kujdes të shtuar e përcolli veprimtarinë politike e luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të konstatojë, më 18 dhjetor 1880, se Prizreni është qendër administrative dhe ushtarake e Shqipërisë nën udhëheqjen dhe komandën supreme të myderriz Haxhí Ymer Prizrenit: “Luftërat e Gjergj Kastriotit e kanë larguar fuqinë e Turqisë nga Shqipëria, kurse Lëvizja e sotme (…) synon të dëbojë Greqinë etj (…). Qendër e kësaj Lëvizjeje nuk është Shkodra, as Janina, por është Prizreni”. Së këndejmi, “Prizreni – Krujë e viteve të Skënderbeut” – kisha konstatuar qysh më 1978.
Në janar të vitit 1881 u bë riorganizimi i Lidhjes. U formua Komiteti i Ri Qendror i Prizrenit, i cili e shpalli “Qeverinë e Përkohshme” të Shqipërisë, të cilën Sami Frashri e quajti “Kuvernë e Përdorme”, në krye të së cilës, sipas studiuesit osman, Sylejman Kylçe, u vu “aktivisti i shquar i Lidhjes, Sheh Ymer Prizreni”, i cili i mori në duart e veta Qeverinë dhe Lidhjen.Nga shkurti i vitit 1881 Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit, përkatësisht “Kuverna e Përdorme” e formoi një njësi ushtarake elite prej “tetë mijë vetësh t’armatosun, e përbame prej burrash mâ trima të Shqipnis”. Ishin këta kryesisht malësorë nga viset e Gjakovës, të Lumës e të Fandës, nën komandën e kreut të Gashit, Ali Ibrahimit – Ibrës, Haxhí Jonuzit, kryetar i Gjykatës tregtare të Prizrenit dhe Sylejman agë Vokshit, tashti më i dëshmuar si komandant energjik i forcave më elite të Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Këta u-betunë në nji mbledhje: 1) Me dhanë jetën për Shqipni, 2) me i prishë gjithë ata që do t’a thyjshin Besën shqiptare, 3) me e shtrëngue qeverinë e Stambollit që në Prizren, Gjakovë e Lumë t’i heki gjyqtarët e këqij e t’i zavendsojë ata me të ndershëm”.
Në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes në Prizren, ku u morën këto vendime, mori pjesë edhe Abdyl be Frashëri, i cili gjatë shkurtit 1881 do të vizitojë edhe Gjakovën, Pejën, Prishtinën e Dibrën. Dhe, duke u nisur nga një realitet i ri politik dhe shtetëror në Shqipëri, Narodni list e Zarës, më 19 shkurt 1881, shkruante qartë: “Shqipëria dëshiron pozitë autonome!”
Sidoqoftë, nga fundi i marsit 1881 të gjithë mekanizmat e organizmit shtetëror perandorak osman i kishin drejtuar mjetet drejt Kosovës së rebeluar. Mirëpo, burimet parësore vërtetojnë se, së paku nga fundi i marsit të vitit 1881, Myderriz Ymer Prizreni në krye të Komiteti Qendror të Lidhjes luajti në kartën e fundit për jetë a vdekje; për shkëputjen e autonomisë së Shqipërisë nga Porta e Lartë.
VIJON…
Postime të Lidhura
NJË KUJTIM PËR IKONËN E RADIOS DHE TELEVIZIONIT SHQIPTAR KIÇO FOTIADHI (1940 – 17 SHTATOR 2014)
NJË KUJTIM PËR IKONËN E RADIOS DHE TELEVIZIONIT SHQIPTAR KIÇO FOTIADHI (1940 – 17 SHTATOR 2014) “Medalje e…
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (72)
Pashtriku, 17 shtator 2020: 8.1.11 Pjesë nga shënimet e Rexhep Malajt në “Qëndresa” “…Ishte dimër i ftohtë, kur…
SHERADIN BERISHA: SHEMBËLLTYRA E JOSIP BROZ TITOS NË STUDIMET ‘SHKENCORE’ TË IBRAHIM RUGOVËS
(Pashtriku.org, 24. 01. 2013) – Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të…
AVZI MUSTAFA: NJË FJALIM I PABOTUAR I IBRAHIM THEMOS MBI ÇËSHTJEN E MAQEDONISË
Shkup, 22. 10. 2013 – Në këtë artikull do të bëjmë fjalë për jetën, punën dhe kontributin e…