ARIF EJUPI: NË ‘FETE DE LA MUSIQUE’ TË GJENEVËS JEHON EDHE KËNGA SHQIPE (FOTO)

Gjenevë, 24. 06. 2016: Gjenevianët qysh herët njihen si adhurues të flaktë të muzikës. Ata nuk mund ta imagjinojnë dot jetën pa serenatat e dashurisë, pa muzikën pop plot gjallëri, pa jazz-in si një formë muzikore e shekullit të -XX- të krijuar në Amerikën Veriore,por që veçohet me përzierjen e elementeve afrikane dhe evropiane.
Në Gjenevën e bukur e me lashtësi në art e kulturë shijet e grupmoshave të mesme nuk mund t’i plotësojë askush më mirë se sa simfonitë prekëse të klasikëve të vjetër Ludvik Van Bethoven, Richard Wagner, Wolfang Amadeus Mozart, Antonio Vivaldi, Giuseppe Verdi etj.
Kurse ritmi i fortë i grupeve të repit, hevi mëtell, dhe popi tradicional u përshtatet të rinjve dhe mbledh numër të konsiderueshëm të tyre.
Ndërkaq një grup tjetër i njerëzve preferon vallëzimin si formë të lirimit nga trazimi shpirtëror.
Kjo kategori adhuruesish vallëzimin e konsiderojnë si diçka të bukur që ngjallë ndjenja pozitive tek ata dhe ua kthen lumturinë qoftë ajo edhe e çastit.

Duke i njohur deri diku dëshirat muzikore të qytetarëve vendas dhe të vizitorëve të huaj Departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kantonit të Gjenevës,ka mobilizuar shoqëri të shumta aksionare dhe publike me ndihmën e të cilave ka organizuar tri ditë radhas në këtë qytet të njohur të kulturës, traditës dhe të diplomacisë botërore edicionin e 25-të të “Fete de la Musique” .
Në këtë ngjarje të madhe kulturore në të dyzetepesë komunat e Gjenevës,grupe të shumta muzikore me artistë të njohur kanë dhënë koncerte live në të cilat kanë marrë pjesë qindra adhurues të muzikës.
Për dallim nga viti që shkoi kësaj here kjo festë ka qenë edhe më madhështore nga fakti që në të njëjtën kohë janë zhvilluar edhe ndeshje të shumta të kampionatit evropian në futboll “Franca 2016” të cilat janë ndjekur në ekrane të mëdha televizive nënritmin e këngëve dhe valleve.
Pjesë e programit në këtë festë kaq të rëndësishme ishte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gëzuar” nga Gjeneva.
Puna e parreshtur dhe dëshira që me çdo kusht të ruhet vlera e trashëgimisë sonë kulturore dhe etnografike ka bërë që Ansambli “Gëzuar” të jetë si një nga grupet më të adhuruara jo vetëm në Gjenevë,por edhe jashtë saj.
Ky Ansambël që nga dita në ditë po krijon profilin e tij origjinal mbrëmë me një parakalim në sheshin qendror “Place Neuve” të Gjenevës, ka prezantuar disa valle të bukura shqiptare të cilat kanë zgjuar kureshtjen e pjesëmarrësve veçmas të atyre që përherë të parë vizitojnë Gjenevën.
Vallet shqiptare ata i kanë përjetuar si një emocion që përtërin dhe frymëzon ndjenjat e gjithsecilit. Po ashtu si diçka që ua ka ngre zemrën peshë këtyre vizitorëve të rastit ishin dhe kostumet e bukura shqiptare të qëndisura me mjeshtëri të rrallë.

Kënga “Xhemadani vija-vija” nisur nga solistet e talentuara Vjendita dhe Ejona Stojkaj, ka jehuar deri në pjesën tjetër të qytetit ku atyre sikur në kor u janë bashkangjitur edhe zëra të tjerë të të rinjve që në ato çaste kremtonin fitoren historike të kombëtares shqiptare ndaj Rumanisë 1 me 0.
Solistë e valltarë të Ansamblit “Gëzuar” me interpretimet e bukura të valleve dhe këngëve shqipe edhe kësaj radhe tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve. Fragmentet e tyre të prezantuara në këngë e valle pjesëmarrësit e shumtë të kësaj feste tradicionale i duartrokitën gjatë.
Kjo edhe një dëshmi shtesë se në Gjenevë, vlera dhe e bukura çmohet çdoherë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura