PROF.DR.QEMAL MURATI: SHKUPI ANTIK – VENDBANIMI MË I HERSHËM I SHQIPTARËVE

Kërçovë, 10. 02. 2014 – “Në vështrimin e stratigrafisë toponomastike, shqiptarët janë aq më të rëndësishëm sepse kanë ruajtur emrin e vjetër për qytetin e Shkupit saktësisht sipas ligjeve të gjuhës së tyre. Emërtimi i tyre Shkup germë për germë përputhet me formën latine-dardane Scupi dhe assesi nuk mbështetet në formën sllave ose turke. Ky fakt ka rëndësi edhe për çështjen se ku ka qenë vendbanimi më i hershëm i shqiptarëve. Hipoteza e Joklit që ai të ketë qenë Dardania, me këtë konstatim fiton peshë vërtetësie.” (Petar Skok).
Është e njohur përgjithësisht se Shkupi është qytet i vjetër. Në vendin e sotëm është ngritur nga Perandori Justinian I, pas tërmetit katastrofik që goditi qytetin e lashtë Scupi në vitin 518. Qyteti Scupi është vendosur në grykën e Lepencit te Vardari, nja tre-katër kilometra në perëndim nga vendi ku është sot. Sllavët vijnë këtu në fund të shekullit VII dhe qyteti sundohej nga sundimtarë të ndryshëm – feudalët vendës; ka qenë në administrim të shtetit mesjetar bullgar dhe atij serb. Turqit e morën më 1392 dhe nën sundimin e tyre mbeti plot 520 vjet, deri më 1912 (Trajko Stamatoski, Karakteristiki na mikrotoponimijata na Skopje, Folia Onomastica Croatica 12-13 (2003-2004), të cilët i dhanë dhe emrin Üsküp, në bazë të harmonisë vokalike të gjuhës së tyre. Gjykimi i linguistit maqedonas Petar Ilievski (Balkanološki lingvistički studii, Institut za Mekedonski jazik “Krste Misirkov”, Skopje, 1988, 508) që thotë se sllavët kur i populluan këto vise, gjetën aty dy variante të emrit të qytetit pranë Vardarit: Scupi e Scopi, është me ngarkesë të qëllimshme e joshkencore, për të mohuar praninë e emërtesës toponimike shqipe Shkup dhe për të përjashtuar elementin shqiptar në këto hapësira në periodën parasllave.

– Scupi –

Te shqiptarët ky qytet i botës antike njihet me emrin e lashtë Shkup-i, në greqishten Skopi, prej nga ka depërtuar dhe te maqedonasit e bullgarët Skopje, te serbët Skoplje, turq – Üsküp. Linguisti i njohur Petar Skok pohon se emri shqip – Shkup, i këtij qyteti të ngritur qysh në kohën antike në truallin e Dardanisë para portave të tri grykave – Kaçanikut, Dervenit dhe Matkës, lidhet direkt me emrin e vjetër Scupi, sipas të cilit forma fonetike Shkup tingull për tingull mbulohet me formën latino-dardane Scupi, -orum me ndërrimin e s-së nistore në sh, pra është një kontinuente e drejtpërdrejtë e formës antike të latinitetit ilirik.
Skupi (Scupi) i ka takuar sferës së latinitetit ballkanik, që dëshmohet dhe me emrin Justiniana Prima që i dha mbreti ilir Justiniani dhe me mungesën e formës greke Justinianopolis. “Në vështrimin e stratigrafisë toponomastike, shqiptarët janë aq më të rëndësishëm, sepse kanë ruajtur emrin e vjetër për qytetin e Shkupit saktësisht sipas ligjeve të gjuhës së tyre. Emërtimi i tyre Shkup germë për germë përputhet me formën latine-dardane Scupis dhe assesi nuk mbështetet në formën sllave ose turke. Ky fakt ka rëndësi edhe për çështjen se ku ka qenë vendbanimi më i hershëm i shqiptarëve. Hipoteza e Joklit që ai të ketë qenë Dardania, me këtë konstatim fiton peshë vërtetësie” (Petar Skok, Iz toponomastike Juzhne Srbije II Skopskla kotlina, Glasnik Skopskog Naučnod Društva, Skoplje, 1933, 103).
Emrit të Shkupit i sillet edhe etimologu ynë i shquar E. Çabej, në një diskutim të tij të mëhershëm në Sektorin e gramatikës e të dialektologjisë në periudhën 1959-1965 rreth punimit të Selman Rizës “Sistemi i rasavet dhe tipet e lakimit”, rreth ndriçimit të historisë së trajtimit të disa çështjeve të morfologjisë historike të shqipes (çështjeve të sistemit emëror, të nyjës, të përemrave dëftorë e pronorë), ku merr në shqyrtim me atë hov dhe topikun tonë në vështrim, dhe ndër të tjera thekson: “Në lidhje me këtë ka të ngjarë që Scupi i kohës romake te vokali fundor të përmbajë artikullin postpozitiv, i cili në shqipen sot paraqitet si -i” (Çabej 2012: 42).
Më tej ai e zgjeron diskutimin për Shkupin me frymë polemizuese kundër Selman Rizës, si vijon: “Në një rrugë pa rrugë është futur S. R. dhe në gjykimin që jep (f. 108) për emrin antik të Shkupit, Scupi. Për këtë emër vendi në f. 79 kisha thënë se “Në lidhje me këtë ka të gjarë që Scupi i kohës romake te vokali fundor të përmbajë artikullin postpozitiv, i cili në shqipen sot paraqitet si -i. Kundra kësaj teze që unë vetë e paraqes vetëm si mundësi të madhe (“ka të gjarë”), po shkencërisht plotësisht të mbrojtshme, kritiku ynë merr qëndrim prej linguisti historik me këto dy arsyetime:
“a) Toponimevet iliriane Romakët nuk ua kanë riprodhuar mbaresat iliriane.
b) Tek Ptolemeu (III 9, 4, VIII, 3) i njëjti toponim figuron në shumësin greqisht: Skoupoi.”
Pikësëpari mendimi i S. R. se te Scupi kemi të bëjmë me një toponim ilir do reviduar në vështrimin që shumica e dijetarëve kompetentë në këtë lëndë Scupin nuk e zënë si qytet ilir, po trak; kështu edhe emri i tij nuk figuron ndër emrat gjeografike ilire të Ballkanit në veprën e njohur po me këtë titull të Hans Krahes. Pavarësisht nga kjo rrethanë, pohimi se Romakët toponimevet ilire nuk ua paskan riprodhuar mbaresat, me gjithë sigurinë apodiktike me të cilën paraqitet, është një koniekturë e pambështetur në ndonjë fakt e si e tillë krejt e pathemeltë. Është e pamendueshme që ata Romakë a Grekë që shkruanin këto emra t’i kenë riprodhuar ato me cungim të mbaresave të tyre. Me një supozim të këtij lloji do të pranohej që ata të kenë qenë gjuhëtarë në kuptimin e sotëm të fjalës – të tillë nuk arrinin të ishin as gramatikanët e tyre – sa që të dinim se ku mbaronte tema e një emri e ku niste mbaresa. Më logjike është të mendohet se Romakët e Grekët u shtonin mbaresave të emrave të huaja mbaresat e veta, i zëvendësonin në shkrim e sipër ato me këto, bënin në atë mes një interpretatio latina ose një interpretatio graeca. Kështu ka ndodhur me të vërtetë, e për këtë ka fakte sa të duash.
Në rasën tonë konkrete ballkaniken Skupi ose Shkupi Romakët e grupuan në shumësat e mashkulloreve të tyre, e prandaj ky emër qyteti tek ata lakohet Scupi Scuporum, dhanore Scupis. Dëshmia e Ptolemeut (Skoupoi) që sillet si instancë kundër tezës sime, nuk është në gjendje as të vërtetojë gjë as të përgënjeshtrojë. Skoupoi është një imitim besnik, bile servil, i lat. Scupi, -orum, shumës grek (….) ishte vetëm grafike: sepse në kohë të Ptolemeut (shek. II i epokës së re) diftongu oi kish treqind vjet që ishte reduktuar në zanore të thjeshtë. Kështu pra Skuopoi e Ptolemeut në esencë nuk është veçse Scupi latin shkruar me germa greke, grupuar artificialisht në sistemin e lakimit të greqishtes klasike, i cili në atë kohë kishte marrë rrugën e shkoqjes, të zbërthimit të tij. Katër shekuj pas Ptolemeut, Prokopi i i Cezaresë emrin e këtij qyteti e shkruante Skoupion. Edhe këtu, si te lat. Scupi e te Skoupoi e Ptolemeut, na shfaqet me fytyrë të mbuluar një trajtë vendi Skupi ose Shkupi. Po kësaj here greqizuar grafikisht me anë të -on-it të neutrit të greqishtes, i cili tashmë edhe ky ishte zhdukur qëmoti e mbahej vetëm në përdorimin klasicist të shkrimtarëve. Gjithsesi ka gjasë që te këto emra romake e greke na ruhet një emër parashqiptar me artikullin postpozitiv. Shtojmë tani se po ashtu duket se qëndron puna në lat. Scodra: shqip Shkodra. Edhe këtu na shfaqet artikulli postpozitiv, -a-ja e femërores” (Eqrem Çabej, Për disa çështje të morfologjisë historike të shqipes dhe të metodës shkencore, Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave filologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, 444-45).
Më pas, Çabej në fjalorin e tij etimologjik (Studime etimologjike në fushë të shqipes) nuk e përfshin këtë topik (Shkupin). Kjo mund të kuptohet qartë që ai do të ketë qenë i vetëdijshëm se shpjegimet e tilla për Shkupin, me gjithë shtjellimin e mësipërm interesant, nuk janë të sigurta. Ky gjuhëtar ndërkaq merr në vështrim fjalën Shkupë “erë e nxehtë që shkrin borën”, të cilën e jep Gazulli për të folmen e Bogës në Malësi të Madhe, që lidhet me “era e Shkupit”, emërtim i një ere pas drejtimit të vendit nga i cili mendohet se vjen (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore II, Rilindja, Prishtinë, 1976, 144). Edhe në të folmet e Karadakut të Shkupit, të Moravës së Epërme e të Moravës së Poshtme të Kosovës, folësit e moshuar për një erë të ngrohtë që vjen nga Shkupi thonë: “Po fryn shkupja” (Mehmet Halimi, Vështrime gjuhësore, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1993, 32). Është për të shënuar këtu që emrin e Shkupit me trajtën e femërores Shkupë-a e hasim edhe te shkrimtarët tanë të vjetër, si te Frang Bardhi (Dictionarium Latino-Epiroticum, 1635) Shkupja “Scopi, Scopia, Scupia), te Pjetër Bogdani argjupeshkëpi i Shkupsë (Çeta e Profetëve, 1685), te “Kuvendi i Arbënit (1706)” Shkupa “arqupeshkupin të (e) Shkupësë” (Kolë Ashta, Leksiku historik i gjuhës shqipe V, Shkodër, 2009, 168). Kjo është një dëshmi e sigurt se “i” te Shkup-i në krye të herës nuk ka qenë një artikull postpozitiv (nyje e prapme) e shqipes, por shumësi i formës latine Scupi.
Recensuesi i artikullit të Joklit te ZONF V (1928) 2, 205, Petar Skok, është i gatshëm, si thotë ai, të nënshkruajë të gjitha përfundimet që ka arritur Jokli për habitatin e shqiptarëve në Dardani dhe përpiqet për ta vërtetuar këtë tezë dhe me vëzhgimet e veta. Kontributi më i rëndësishëm i Skokut për teorinë dardane të origjinës së shqiptarëve gjithsesi është etimologjia e dy emrave popullorë të tyre: Shqipën fillimisht do të kenë qenë “kolonët nga qyteti Scupi” = shq. Shkup dhe Albani “ardhacakë nga zona përreth lumit *Alb-‘ Llap-i i sotëm në Kosovë (Skok 1931: 49): pa marrë parasysh të gjitha rezervat, ky interpretimi edhe deri më sot ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve të ndryshëm. Te Scupi alb> shq. Shkup, sll. Skъp Skop-je problemi që prej atje të përftohej Shqip- qëndron në kuantitetin e vokalit themelor: kurse për sa i përket Lab, emri i lumit nuk është i njohur në burimet antike… (Aleksandar Loma, Sloveni i albanci do XII veka u svetlu toponomastike, In: “Становништво словенског поријекла у Албанији” – Зборник радова са међународног научног скупа одржаног на Цетињу 21, 22. и 23. јуна 1990. године, Титоград, 1991, 13).
Përtej fakteve të fonetikës historike të munguara, për lidhjen e pagjasshme të etnonimit të sotëm shqiptar me emrin e Shkup-it do të nënvizojmë dhe këtë: si është e mundur që topiku Shkup që rron në gojën e shqiptarëve së paku prej dy mijë vjetësh të gjeneronte një emër etnik shqiptar kaq të ri në shek. 17-18, pra kjo do të ishte krejt e papërligjur dhe nga ana e motivimit semantik. Emrat Shkup e shkip-tar kanë vetëm një përngjasim okazional (të rastit), një dukuri kjo e shpeshtë në gjuhë.
Ndonjë etimologji tjetër për sa i përket kuptimit të emrit të Shkup-it, si ajo e historianit dhe arkeologut kroat Qiro Truhelka, i cili thotë se rrënja e toponimit të Shkupit duhet kërkuara te “shtëpia” ose te “shqiponja” (Asllan Selmani, Toponimet sërish po sulmohen nga nacionalizmi shtetëror, Lobi, 27. 8. 2004) është krejtësisht arbitrare. Në fakt, kuptimi i emrave të tillë të botës antike si Shkup, Vardar, Sharr, Shtip, etj. është vështirë të diktohet, porse të shumtën e herëve ata mbajnë një emër vetjak. Për vjetërsinë e madhe të emrit Shkup në gojën e shqiptarëve prej shekujsh e mijëvjeçarësh, përveç anës së fonetikës historike, siç u shpjegua më sipër, flasin dhe një varg përdorimesh të ngulitura që lidhen me këtë topik, si: Shkupjan, Shkupjane, që tregojnë përkatësinë e banorit që jeton në Shkup ose që janë me prejardhje nga Shkupi; përveç këtyre trajtave të zëna ngoje, në disa të folme ndeshim dhe i shkupsi, e shkupsja. Pastaj shkupjançe, që shpreh mënyrën e jetesës: po jeton shkupjançe; e ka ba Shkup; fraz. Shkup e Shkodër: Ky njeri ka shetit Shkup e Shkodër, përdoret me kuptimin për një njeri që ka shëtitur shumë; Mos fol Shkup e Shkodër – mos fol përçart; Mos m’çit n’Shkup e Shkodër – mos më shoshit, mos pyet pa lidhje, etj. (Halimi 1993: 28).
Nga pikëpamje linguistike, emri i Shkupit, bashkë dhe me emrat e tjerë Sharr, Vardar, Shtip, Ohër, janë dëshmitë më të sigurta dhe pikat më referenciale të pranisë së shqiptarëve në këto hapësira së paku që nga periudha antike greke e romake, pra gjithsesi shumë shekuj para ardhjes së sllavëve. Skoku sikur në mënyrë të heshtur e miraton Joklin, kur, duke u atribuuar shqiptarëve edhe më tej përzierjen iliro-trakase, në vështrimin territorial të origjinës dardane, zonat në të cilat ata, sipas tij, “kanë çuar jetën e tyre të pastrit” në periudhën parasllave përcakton pikat: Sharr, Pollog, Prizren, Krujë dhe Duklja (Loma 1991: 13).

– Scupi – Shkupi – 

=======================

*) KUSH ËSHTË PROF.DR.QEMAL MURATI

Qemal Murati lindi më 6. 8. 1955 në Tuhin të Kërçovës. Shko¬lli¬min fillor e ka kryer në vendlindje. Më pas ka vijuar mësimet në gjimnazin e Prishtinës dhe ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës (1975-1979).
Prej vitit 1978-1980 punon si lektor dhe redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” dhe redaktor gjuhësor në Televizionin e Pri¬shtinës (l98l).
Në vitin l983 mori gradën e magjistrit, me studimin “Ndikimet re¬c¬iproke midis shqipes dhe maqedonishtes”, ndërsa në vitin l989 ka marrë gradën e doktorit të shkencave filologjike në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, më temë “Sllavizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë”, para Komisionit vlerësues: Akad. Idriz Ajeti, Akad. Oli¬vera Jashar-Nasteva, Prof. dr. Latif Mulaku, dhe Akad. Besim Bokshi.
Më 1982 pranohet bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albano¬logjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhësisë. Në vitin 2003 zgjidhet këshilltar shkencor në këtë Institut (që është i barasvlershëm me titullin Profesor ordinar në universitet).
Nga viti l985-86 ka realizuar një qëndrim specializimi për gjuhësi në Paris, në Universitetin e Sorbonës.
Dekan dhe profesor universitar
Me themelimin e Universitetit të Tetovës (l994), për një kohë drejton në cilësinë e dekanit Fakultetin Filologjik, ku ka qenë i anga¬zhu¬ar dhe si profesor ordinar për lëndët Fonetikë e gjuhës shqipe, Dia¬le¬ktologji, Histori e gjuhës shqipe, Leksikologji e gjuhës shqipe etj. Më 1999 zgjidhet Profesor ordinar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
– Më 2003-2006 ka qenë i angazhuar në Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica” për lëndën Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip.
– Nga viti 2005-2008 ka qenë i angazhuar si pedagog për lëndët Shkrim akademik, Mediet dhe komunikimi, dhe Komunikim interkul¬tu¬ror në Fakultetin e Edukimit në Gjilan.
– Në vitin akademik 2009/2011 është angazhuar në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, si titullar i lëndëve Historia e gjuhës shqipe, Hy¬rje në gjuhësi, Sociolinguistikë dhe Semiotikë.
– Nga viti 2008 është anëtar i Institutit të Trashëgimisë Shpirtë¬rore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
– Në vitin 2004, 2010 dhe 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës e kandidon tri herë radhazi për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
– Në vitin 2012 Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup e kandidon për anëtar të Akademisë së Shken¬cave dhe të Arteve të Maqedonisë.
– Në harkun kohor l990-2012 ka botuar ose ka përgatitur për botim mbi 32 vepra me tematikë nga dialektologjia, historia e gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje, kultura e gjuhës, ono¬mastika, leksikografia, etj.
Kryeredaktor
Kryen detyrën e kryeredaktorit të revistës “Gjuha Shqipe” në Institutin Albanologjik.
Emërohet Kryeredaktor i revistës “Studime Albanologjike” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (2011-2012).
Drejtor
Themelues dhe drejtues i parë i Seminarit Ndërkombëtar të Alba¬nologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (2007-2010).
Në cilësinë e kryeredaktorit dhe redaktorit përgjegjës ka përga¬ti¬tur për botim:
Seminari I Ndërkombëtar i Albanologjisë (Materialet e punimeve të Seminarit I Ndërkombëtar të Albanologjisë), 16-23 shtator 2007, Te¬tovë-Ohër, shtator, 2008, f. 887;
Seminari II Ndërkombëtar i Albanologjisë (Materialet e punime¬ve të Seminarit II Ndërkombëtar të Albanologjisë), 22-28 shtator 2009, Tetovë-Ohër, shtator, 2009.
Drejtues
Organizues dhe Drejtues i Konferencës Shkencore “Shqipja stan¬darde dhe gjendja aktuale e përdorimit të saj”, Kolegji Universitar ILIRIA (Prishtinë, 27 Maj 2010).
Bashkautor, Redaktor dhe Recensues fjalorësh
Fjalori i fjalëve të huaja (bashkautorë: Murat Bejta, Latif Mula¬ku, Mehdi Bardhi, Abdullah Zajmi, Shefkije Islamaj, Ibrahim Goçi dhe Qemal Murati), Institutit Albanologjik, Prishtinë, 1988.
Fjalor serbisht-shqip (bashkautorë: Burim Axhanel, Qemal Mura¬ti, Shefkije Islamaj, Ragip Mulaku), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013.
Redaktor i fjalorit Makedonsko-albanski rečnik (Fjalor maqedo¬nisht –shqip) të autorëve Adnan Agai-Kimete Agai, Shkup, 1999, f. 423.
Recensues dhe lektor i veprave madhore leksikografike:
Burim Adzhanel, Bosansko-albanski rečnik (Fjalor boshnjakisht-shqip), Albansko Kulturno Društvo BESA, Sarajevo, 2008, f. 720;
Burim Adzhanel, Hrvatsko-albanski rečnik (Fjalor kroatisht-shqip), Albansko Kulturno Društvo BESA, Sarajevo, 2010, f. 1006.
Ka marrë pjesë dhe ka referuar në simpoziume dhe konferenca shkencore në Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Shkup, Ul¬qin, Ohër, Tetovë.
Ka botuar punime studimore në revistat: Gjurmime albano¬lo¬gjike, Gjuha Shqipe (Prishtinë), Jehona, Studime Albanologjike (Shkup), Gjuha jonë (Tiranë), Buletin Shkencor (Shkodër), Lemba (Ulqin), Make¬donski folklor (Skopje, 2008), etj.

—————————————-

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura