PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: DEKLARATA E RREZAK SHALËS /23.09.1966/ (20)

Prishtinë, 18 mars 2020:
Deklarata e Rrezak Shalës (23.09.1966)
Para komisionit të Komitetit Krahinor, me ftesën e tyre, edhe Rrezak Shala kishte deklarua me shkrim për jetën dhe veprimtarin e vet në organet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror. Ai kishte thënë se “Në Shërbimin e Punëve të Brendshme ndodhem nga gushti i vitit 1946, dhe këtë vazhdimisht në sektorin e sigurimit publik dhe në pozitën udhëheqëse-nga shefi i departamentit të rrethit deri tek naqallniku i shërbimit të kriminalistikës për krahinë, përveç periudhës së çlirimit të Prizrenit 1944, kur kam qenë në detyrë si shef i OZN-ës, gjithsej disa muaj.

Vrojtimet e mija gjatë kryerjes së shërbimit dhe gjatë shërbimit sidomos koordinimi me disa shërbime të sektorëve të Punëve të Brendshme, do ti paraqes në vija të shkurta duke mos u bazuar se në cilën kohë gjërat kanë ndodhur.
Vrojtimet e mija më tepër kanë karakter sipërfaqësor, duke u nisur nga ajo që unë nuk kam punuar në SSH dhe gjërat nga ky shërbim për mua kanë qenë të ndaluara, bile shumë here janë fshehur nga unë. Por, sa iu përket deformimeve sidomos të shërbimit kriminalistik, për këtë më në detaje mundem me dhënë sqarime.
Për të gjitha këto që do i paraqes këtu, unë në ditët e para pas plenumit kam shkuar te shoku Ali Shukrija pa qenë i ftuar dhe i kam tregua atij për mendimet e mija në shërbimin e SSH, pastaj për krejt këtë pas dy dite po ashtu kam shkua dhe e kam njoftuar shokun Veli Deva si dhe shokun Xhavit Nimanin. I kam njoftuar këta shokë duke u nisur nga kjo se është detyrë e imja si anëtar i komitetit të krahinës, si komunist dhe si njeri që një kohë të gjatë e kisha kalua në këtë shërbim. I kam njoftuar këta shok se ato ditë ende nuk ishte formua kurrfarë komisioni të cilës do i rrëfeja të gjitha këto, ndërsa shokët që më herët i përmenda ndjeja një lloj obligimi që ti njoftoja bash ata, e sidomos shokun Ali, se jam këshilltar i këshillit ekzekutiv, a shokun Xhavit se jam deputet i republikës.

Sipas mendimit tim UDB-a në krahinë, ka qenë shërbimi ma i centralizuar në vertikale dhe ka qenë i lidhur me sekretariatin republikan dhe atë federative, e sidomos SHSSH dhe policia. Nga aty edhe financimi centralist i këtyre dy shërbimeve. Ky centralizim mund të shpjegohet në disa mënyra dhe elemente të vogla që plotësojnë atë që nga viti 1953 dhe deri më tani. Të gjithë sekretarët për punë të brendshme të krahinës, kanë qenë të dërguar nga Beogradi. Poqese flitet për lidhjet horizontale, ajo s’ka qenë kurrfarë sipas mendimit tim, përveç disa individëve, sekretari i komitetit krahinor, në këtë shërbim edhe pse diçka jeni të njoftuar, kjo e tëra ka qenë më tepër për formë.
Numri më i madh i këshillimeve në të cilat është diskutuar ndoshta për gjera shumë të rëndësishme, kryesisht janë mbajtur në nivel të republikës dhe federatës, edhe kur janë mbajtur në nivel të krahinës atëherë ato kanë qenë këshillime të tipit të mbyllur, në të cilat nuk ka mundur të marri pjesë edhe njerëzit më përgjegjës të krahinës. Edhe pse unë kam qenë anëtar i kolegjiumit të krahinës, nuk kam mundur të marri pjesë edhe kur kanë diskutuar gjëra të përgjithshme nga sektori i SSH.
“Kosova krahina më e rrezikshme në Jugosllavi” thoshin udhëheqësit e SHSSH
Një here të vetme kur kam marr pjesë para shumë viteve përveç naqallnikve të shërbimit të sekretariatit të punëve të brendshme të rretheve, thirrem edhe unë si anëtar i kolegjiumit. Në këtë këshillim merrnin pjesë Svetisllav Stefanoviqi dhe Vojkan Llukiqi, të cilët me sa më kujtohet, ligjëroi Llukiqi, i cili iu dha mirënjohje organeve të SSH të krahinës, të cilën e vërtetoi edhe Stefanoviqi dhe veçanërisht e theksoi se Kosmeti është territori më i rrezikuar në Jugosllavi dhe se duhet posaçërisht ti kushtohet vëmendje që ky shërbim këtu dukshëm të forcohet.
Sidomos është karakteristike kur në Kosmet dhe atë në vitin 1953, nga ana e UDB-ës të Serbisë ka qenë e orientuar e gjithë ekipi e SSH në përbërje të Maksim Sikimiqit, Dragan Gjuriqit dhe Sava Qiroviqit. Sipas mendimit tim ky ka qenë grupi më i deformuar që nga themelimi i këtij shërbimi se publikisht është manifestuar mosbesim total ndaj të gjithë kuadrit udhëheqës në Kosovë, e sidomos ndaj shqiptarëve. Bile Qiroviqi publikisht ka bërë sjellje shoviniste. Ai e rrihte fshatarin shqiptar në rrugë, ia hidhte plisin para këmbëve ia shkelte dhe i fyente nënën shqiptare, dhe veç kësaj ata shërbenin si inspirator të kumarit, amoralit dhe të dehjes.
Kur flasim për karakterin centralist të UDB-ës, atëherë pjesa më e madhe mendoi në SSH, se shërbimet tjera sidomos shërbimi kriminalistik ka qenë e karakterit publik dhe problemet janë trajtuar në forma të ndryshme. Bile mendoi që ky shërbim dhe tjerat shërbime kanë shërbyer si “arsyetim” publik për UDB-ën e përgjithshme, a kjo nuk kishte lidhje me SSH.
Shkaktari kryesor mendoi unë i deformimeve në shërbim në përgjithësi qëndron në rritjen e aparatit, e sidomos të SSH, por njëkohësisht poqese shikohet sipas statistikave, kriminaliteti politik dukshëm ka rënë sidomos nga viti 1948 e deri te viti 1964, indeksi ka lëvizur nga 8% deri tek 0,1% më 1963. Kjo rritje e aparatit sidomos ka ardhur në shprehje në UDB-en federative, republikan e krahinor. Poqese e marrim sistemimin e fundit, drejtoria krahinore e SSH, atëherë mundem të vërtetoi të dhënat e theksuara.

Nga deformimet e mëdha duhet të themi se ishte: Aksioni i mbledhjes së armëve dhe Procesi i Prizrenit.
Aksioni për grumbullimin e armëve në kuptimin e gjer të aksionit dhe për pasojat e mëdha politike është njëra nga deformimet më të mëdha. Është interesante se edhe tani ende nuk flitet për motivin e vërtet të këtij aksioni edhe pse atëherë është folur se duhet grumbulluar armët se ka shumë vrasje në krahinë. Megjithatë ky është vetëm motiv sipërfaqësor, se aksionin nuk e kanë inicuar shërbimet që e luftojnë këtë lloj kriminaliteti, por këtë e kanë iniciuar shërbimi i SSH. Sa më kujtohet së pari kanë filluar në rrethin e Pejës, ku ka qenë naqallnik i UDB-ës, Vujo Vojvodiqi, ndërsa shef i SSH ka qenë Sveta Bogdanoviqi. Pas Pejës aksionin e kishte fillua rrethina e Mitrovicës dhe rrethet tjera në krahinë. Rrahjet kanë qenë shumë masive. Ka pasur shumë raste kur njerëzit iu kanë nënshtruar torturave, janë rrahur edhe anëtarët e Lidhjes Komuniste. Pasi se gjëja se ishin arritur rezultate të shkëlqyeshme, atëherë u harrua në motivin e parë, pastaj filluan të flasin se armikut duhet futur frikën në asht. Në këtë aksion më aktiv ishte SHSSH, policia dhe një pjesë e shërbimit të kriminalistik dhe shërbimeve të tjera dhe nëpunës të caktuar. Atëherë kam kërkuar që aparati i shërbimit kriminalistik në Prishtinë mos të marri pjesë në aksion, duke thënë si arsyetim se më e rëndësishme është që ky shërbim ti kryej punët e veta, se sa çdo gjë të lënë pas dore vetëm e vetëm për të marr pjesë në grumbullimin e armëve. Pastaj, duhet të mos lejojmë që nëpunësit e këtij shërbimi të mos mësohen me torturë, duke pasur parasysh se ata punojnë në procedura penale në kuadër të UDB-ës. Përjashtuar disa nëpunës të sektorit të shërbimit të kriminalistikës në rrethin e Prishtinës, të tjerët kanë qenë të përjashtuar nga aksioni. Pastaj mua më akuzuan se unë kundërshtoi aksionin, dhe se arsyetimet që i kisha sjell ishin manifestime që kundërshtonin aksionin.
Metodat që u aplikuan gjatë aksionit të mbledhjes së armëve
Për metodat se si është realizua aksioni mendoi se janë përdorur metoda më të tmerrshme që vetëm një tru i zi mund ta mendoi. Çka është më e rëndësishmja se të gjitha këto kanë pasur karakter masiv. Unë e dijë por edhe mendoj se mbi 80% e familjarëve nga një fshat iu kanë nënshtruar torturës. Për të gjithë këtë kanë qenë të informuar bile gjatë ditës, e sidomos për numrin dhe llojin e armës së zjarrit, UDB-eja e republikës dhe ai federativ, por edhe ai sekretari i komitetit krahinor-Gjoka Pajkoviqi.
Për aksionin dhe për pasojat politike rrallë ka ndodhë që ndonjë njeri, që ka pasur një ngritje të vogël politike që nuk e kishte kuptua. Andaj, mendoi se pasojat politike nuk mundemi me ia shkrua vetëm këtij shërbimi, por edhe personaliteteve më të rëndësishme politike në atë kohë.

Për Procesin e Prizrenit, shumë pak di edhe atë që di është ajo që kam dëgjua nga bisedat e ndryshme jo zyrtare dhe në biseda intime, se procesi i Prizrenit është udhëhequr kryesisht nga Beogradi, dhe atëherë kam dëgjua se si numri më i madh i udhëheqësve të shokëve shqiptar ishin të dyshuar si armiq politik. Lista e këtyre shokëve, se si bisedohej në kuluare ka filluar me Fadil Hoxhën, Xhavitin etj. Njëri prej pjesëmarrësve të procesit, njëfarë Dushan Krainoviqi, nëpunës i UDB-es së Serbisë, pasi se unë e kisha ngacmuar diçka, ai më tha “do të vij rendi edhe në ty”, duke menduar sigurisht në Procesin e Prizrenit. Unë në këtë reagova, e qova në dreq të mallkuar dhe u largova nga aty. Për këtë proces duhet të din Budimir Gaiqi, atëherë naqallnik i UDB-ës në Prizren, Milosav Blagojeviqi, atëherë shef UDB-ës në Prizren dhe naqallnik UDB-ës për krahinë me sa më kujtohet Gojko Medenica, normalisht edhe sekretari Çedo Mijoviqi.
Kuadrot e pakta shqiptare në radhët e SSH
Qëndrimi për kuadrot shqiptare, edhe ashtu ka pasur shumë pak dhe ka qenë i dyshuar. Bile unë iu kam largua që të kthehem në lokalet e UDB-ës, se sa më kujtohet në një aktiv të komunistëve të UDB-ës më 1962, nëpunësi i UDB-ës ka kritikuar sjelljet e nëpunësit të UDB-ës, se kolegët serbë nuk do të flasin me te, poqese në zyrën e tij hynë ndonjë koleg shqiptar. Ai këtë dukuri e kishte quajtur shoviniste. Shkuarja ime aty dhe kontaktet me koleg nga UDB-eja kanë qenë të karakterit personal edhe atë në kohët e fundit, edhe pse kam qenë deri diku intim me Çeda Topalleviqin.
Politika kadrovike, sikurse shumë here kemi thënë, ka qenë shumë e gabuar. Pranimin e anëtarëve të rinj e bëmë, por pranuam një numër të vogël të shqiptarëve. Në kolegjium kemi biseduar lidhur me këtë dhe morëm qëndrim që numri më i madh të pranohet nga radhët e kësaj popullate. Bile kërkuam edhe intervenimin e komitetit krahinor të LK që të na ndihmojnë. Megjithatë, rezultatet ishin të padukshme por krahasuar me periudhën e kaluar ishin të mëdha. Kjo përafërsisht dukej kësisoj: Mitrovica e Kosovës, nuk kishte pranuar asnjë shqiptar, Prishtina mezi kishte pranuar një nga Prishtina, Gjilani asnjë, Ferizaj numrin më të madh e kishte pranua, Prizreni diçka pak dhe Peja po ashtu. Pranimet e këtilla më së miri tregojnë në strukturën nacionale të njerëzve udhëheqës në këto resorë të kësaj krahine dhe çka është më e dhembshme poqese mund të shprehem kështu se në Ferizaj ishte pranua numri më i madh shqiptar ngase aty ishte udhëheqësi shqiptar. Pranimi ishte bërë në bazë të verifikimit dhe mendimit që kishin dhënë organet e SHSSH. Më kujtohet një rast nga Prishtina, kur u deshtë me pranua një të ri shqiptar, u diskutua gjatë për të tre-katër muaj dhe në fund nuk u pranua se gjëja babai i tij gjatë kohës së luftës kishte qenë në shërbim të okupatorit, në të vërtet babai i tij kishte qenë komandir i policisë menjëherë pas lufte deri vonë edhe shkon në pension.
Ka mbretëruar mendimi se kuadrin duhet mobilizuar nga nxënësit e dështuar, që në praktik edhe ashtu ka ndodhur, se atëherë është shikuar se vetëm ata janë të përshtatshëm për polici. Ose një mendim që ka mbretërua dhe me mburrje e theksonin që nga më i madhi deri te më i vogli, e sidomos deri tek ardhja e Miça Mijushkoviqit për sekretar, se polici i mirë është ai polic i cili pinte, i cili luan kumar, dhe shkon pas lavireve. Përafërsisht kështu është përkufizua punëtori i SSH në atë kohë. Më tutje, mendime të ndryshme e epitete i jepnin vetes, si për shembull Stanisllav Gërkoviqi fliste se stili i jetës së tij duhet të jetë “me të gjithë mirë, me askënd mirë”. Ose Jova Bajata ”Nuk duhet me pas besim në askënd, por njerëzit duhet me i verifikua në bazë të sjelljeve të tyre”.

Milosav Blagojeviqi gjithnjë e shprehte mosbesimin total ndaj prizrenasve. Gjithmonë në çdo mbledhje fliste për lokalizmin prizrenas dhe kërkonte që prizrenasit-nëpunësit të largohen nga shërbimi i tij, dhe të sillen personat nga jashtë, se njeriu te ata nuk mund të mbështetet. Po të njëjtin qëndrim ka pasur edhe Krsta Kërstiqi e Iço Deniqi nga Gjilani. Tek ata shkohej edhe më larg se mosbesimi u shprehte deri në atë masë që askujt në Gjilan nuk i besonin.
Dhuna e udbashit Enver Hoxha ndaj shqiptarëve
Enver Hoxha i takon kuadrit më të padijshëm dhe metodë e vetme e punës së tij ka qenë presioni. Ai ka qenë një kohë referent për delikte të gjakut në sekretariatin krahinor, dhe kishte kërkua nga unë që disi të kthehej në UDB-e kjo edhe u bë, ndërsa unë mendoja disi si ta liroi nga krejt kjo. Por, pas një kohe, ai u dërgua si shef në përfaqësinë e Gjakovës, në të cilën kishte fillua përsëri me një oreks edhe më të shtuar të metodave të dhunës ndaj njerëzve, e sidomos të shprehte dyshimin ndaj çdo kujt. Kishte krijua përçarje në mes nëpunësve në përfaqësi, se çdo gjë kishte lënë pas dore kur ishte në pyetje UDB-a. Për të qenë ironia edhe më e madhe, unë kam dëgjuar se ishin në fund të riorganizimit dhe atë e kishin planifikuar për zëvendës të naqallnikut të UDB-ës në Krahinë. Sa më kujtohet mua, Enveri më kishte lajmërua se ishte mbytur një emigrant dhe kufomën e kishin gjetur të groposur në dhomë, duke kërkuar nga unë që t’i dërgoi një ekspert gjyqësor. Po me këtë rast më tha se gjithashtu kishte humbur një emigrant që me siguri ky e kishte kryer vrasjen e përmendur. Pas një kohe u informova se dorasi në tentim për të kaluar kufirin është vrarë. Me këtë edhe ishte mbyllur ngjarja. Por, kjo doli diçka tjetër, që tani e kemi zbuluar, se ai e kishte inskenua ikjen dhe vet e kishte vrarë personin në kufi.
Interesant është me Moma Çanoviqin, nëpunës i UDB-ës në Gjakovë, më herët në Prishtinë, i cili ishte largua nga Prishtina për sjellje shoviniste, pastaj për të shkua në Beograd me ndihmën e Dragosllav Novakoviqit, i cili ka ditur shumë për sjelljet e tij por megjithatë e kishte favorizuar. Rast identik është edhe me Andrija Vujoviqin, shef i UDB-ës nga Gjakova, i cili kaloi për shef të UDB-ës në Kralevë.
Sa i përket shërbimit të kriminalistikës, ka pasur shumë deformime, sidomos në aspektin e orientimin e këtij shërbimi në zhdukjen e kriminalitetit. Me vite është punuar që shërbimi të orientohet në veprimtari preventive edhe pse në kohët e fundit u bënë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, megjithatë kjo dallonte nga terreni në terren, ku hasej në rezistencë, sidomos në Mitrovicë, Prishtinë e Gjakovë. Kjo rezistencë sidomos vinte nga shefat e përfaqësisë në Mitrovicë e Gjakovë, ndërsa në Prishtinë bëhej në mënyrë të heshtur dhe nga shefi i departamentit Gjoka Dapqeviqi dhe shefi i përfaqësisë, Gërkoviqi. Insistimi i jonë ishte që ne të punojmë në zbulimin e kriminalitetit që në fillimet e tij dhe ti njoftojmë faktorët shoqëror me informata, që me një mënyrë ti ndalojmë që këto dukuri mos të kalojnë në kriminalitet, dhe të mbrojmë qytetarin. Bile kemi insistua në të, unë gjithnjë kam folur në këshillime të përfaqësive, që ne duhet të mbrojmë njeriun edhe nga dobësitë e veta dhe ne mos të përzihemi në mënyrë direkt në to, por për këto të njoftojmë faktorët shoqëror dhe organet vetëqeverisëse, se ishte mendimi dominues se ne duhet të zbulojmë veprimtarin kriminalistike dhe poqese puna e tij nuk ka kalua në vepër kriminale ta mbajmë nën kontroll derisa ajo të ndodhë për të marr masa të ndjekjes. Ose, orientimi me çdo kusht që të dëshmohet faji gjatë procedurës, edhe poqese nuk ka sukses, nuk kaloi që ne vetë të ndalim procedurën. Insistuam në të se më e mençur kishte me qenë që të dëshmojnë të vërtetën, fundja kjo e vërtet edhe poqese është kundër sukseseve të shërbimit, dhe në këtë drejtim në kohën e fundit ishin arritur rezultate të mira. Megjithatë ka pasur ndërhyrje të vrazhda nga ana e disa nëpunësve, bile disa si metodë kanë përdorur dhunën për të marr të dhëna, kjo ka qenë karakteristik për Prizrenin dhe Prishtinën. Ne lidhur me këtë kemi mbajtur edhe një këshillim me shefat e përfaqësive në të cilën unë kam paraqitur një referat lidhur me arrestimet joligjore, për rrahjet, për përzierjet e nevojshme se vetëm ne dimë që duhet të ndërmarrim masa të caktuara, dhe rreth këtij referati nuk pati asnjë reagim, por të gjitha ato që u than u pranuan si të vërtete. Atë referat me kërkesën e shokut Mugosha ia dorëzova vet atij, ndoshta tani edhe mund të gjendet dhe të shihni anën antiligjore që është përdorur dhe të argumentuar me shumë shembuj. Një sukses të madh e kemi arritur në punën preventive në delikte gjaku, sidomos në pajtimin e familjeve për gjakmarrje, sidomos tek familjet e mbyllura dhe tek familjet që lëviznin në bazë të besës. Ne kishim arritur që të krijojmë për çdo rast dosje për gjakmarrje dhe kemi punuar për zbulimin për përgatitjet e gjakmarrjeve dhe kush ishte personi i përshtatshëm për ta kryer pajtimin.
Krejt këtë që me vite kishim punuar që ne të kyçemi në lëvizjet shoqërore, përnjëherë, pas largimit tim nga SUP-it 1.09.1965, u ndërpre me punën, bile në këshillimin që ish udhëheqësit e mi më kishin thënë se kjo punë nuk është punë e jona se ne duhet të kryejmë formalitete ligjore, kur të ndodhë vepra penale, gjëja se këtë e kishte thënë Gërkoviqi.

Në aspektin e gabimeve materiale mund të thuhet se kjo i takon kohës së kaluar, a kjo ka ndodhur kur ne kemi hasur nëpër depo shumë materiale të konfiskuara si dëshmi të veprave penale, dhe nuk kemi mundur me e zbulua se të kujt janë ato gjera, duke pasur parasysh kohën e kaluar dhe evidencimin e dobët… Menjëherë kemi ndërmarr që materialet që ndodhen aty, të regjistrohen me komision, të vlerësohen dhe të shiten, kështu që rastet e reja të evidentohen me rregull dhe ti vihen bashkë me lëndën penale. Në këtë drejtim kemi sjell masa të rrepta të kontrollit, bile disa nëpunës në këtë drejtim kanë marr masa disiplinore për arsye se kanë mbajtur para në sirtar bashkë me lëndët, e jo me i deponuar në bankë siç edhe ishte e obliguar. Unë besoi se sa i përket gjërave nga e kaluara ka pasur keqpërdorime, por në asnjë mënyrë nuk kemi qenë në gjendje që të dëshmonim dhe mu për këtë kemi kalua në masa radikale që pa marr parasysh që në të ardhmen mos të kemi këso lëshimesh.. Por, unë nuk e di se edhe më tutje shefat e përfaqësisë me shefat e tyre me materialin e zënë e kanë shfrytëzuar për qëllime të palejueshme.
Kam qenë kryetar i gjykatës disiplinore në krahinë. Mund të them se në këtë periudhë një numër i caktuar i nëpunësve ka qenë i dënuar për lëshime disiplinore, të cilët kryesisht ishin policë dhe një numër i vogël i nëpunësve të UDB-ës. Tek këto dënime, ka pasur dënime të ashpra edhe pse ka pasur intervenime edhe atë nga radhët e nëpunësve të SUP-it krahinor. Bile këto intervenime nganjëherë kanë arritur edhe te shkalla e dytë e gjykatës disiplinore, pastaj procedurat na u anuloheshin, diku edhe me arsye, dhe gjykatën e paraqitën se ishte më e ashpra.
Edhe njëherë për librin që nxiste urrejtje ndaj shqiptarëve
Duke pasur parasysh se unë kisha përfundua shkollën e lart të UDB-ës të RSFJ-së, në periudhën 1958-1960, kam disa vrojtime dhe për këtë kam folur me disa shokë. Unë kam mësuar nga skripti në të cilën mësohet për pakicat dhe e kam dhënë provimin nga ajo, vetëm se kam pasur fatin se nuk më ka rënë pyetja nga kjo temë.. Të ju them se si jam ndjerë unë në atë moment mundem te ju them se me kaploi një ndjenjë e padrejtësisë. Nuk ishte vetëm kjo, por të merret skripti dhe të lexojmë atë që shkruhet për shërbimin e zbulimit sovjetik dhe aty ka shumë gjëra të papëlqyeshme që shkruhen në të, si për shembull: ”UDB-a ka qenë e para e cila ka zbuluar qëllimet e Stalinit dhe të Kominternës ndaj Jugosllavisë”, “Të gjithë ata që kanë kryer KUMST në Moskë, kanë përfunduar si spiun të NKVD-es”. Poqese shikojmë se krejt kush e ka përfunduar këtë shkollë, me sa më kujtohet edhe udhëheqësit më të mëdhenj, poqese e citojmë këtë citat nga skripti, atëherë vijmë deri tek përfundime të ndryshme atëherë duhet të dyshojmë edhe tek shoku Tito, poqese e ka përfunduar këtë shkollë. Përndryshe këto materiale ruhen në shkollën e lart të UDB-ës të Jugosllavisë të cilat duhet ti nënshtrohen kontrollit, por edhe përgjegjësisë së autorit, se sa unë kam pyetur atëherë se kush i ka shkruar këto dy skripta, me sa është kjo e vërtet, mua disa shokë më kanë thënë se skriptin për pakicat nacionale e ka shkrua grupi i nëpunësve federative të UDB-ës, të cilët punojnë si kundër spiun për Shqipëri, ndërsa skriptin për shërbimin kontra informativ të Bashkimit Sovjetik e ka shkruar Veselin Bullatoviqi, sekretari i deritanishëm të punëve të brendshme të Malit të Zi., i cili atëherë ishte ndihmës drejtor i shkollë, respektivisht kur unë isha aty.
Ndërsa sa i përket sekretariatit të Serbisë ka pasur shumë fjalë fyese për popullin shqiptarët. Bile shqiptarët i quanin “lojasim”, dhe shumë shpesh thoshin edhe para meje, duke mos e ditur se unë isha shqiptar. Ose shumë shpesh shokët nga këto anë kur shkonin atje, gjëja se në mahi i thoshin “Ku jeni ju shqiptarët”, e këtë e bënin sidomos kuadri i vjetër i UDB-ës, nga Sreqko Milosheviqi dhe rreth tij.
Unë mendoi se munden me u gjetë vërejtje edhe tek arrestimet e grupeve politike armiqësore. Bile unë në këtë drejtim kam pasur edhe biseda, për shembull me Çeda Topalleviqin. I kam thënë, pse ne po lejojmë që ato organizata apo grupe të zgjerohen aq shumë dhe ne nuk i ndalojmë me kohë. Bile i kam thënë se me këtë nuk arrijmë asgjë, përkundrazi me këtë po i tregojmë botës se kemi rezistencë me politikën e me shtetin tonë. Një kohë të gjatë është lejuar që një organizatë të veproi dhe të përcillet dhe në fund u bë realizimi i kapjes vetëm kur atëherë lejuan organet më të larta krahinore e republikane.
Ibro Haskaj fajësonte njerëzit pa pikë faji
Mua më është i njohur rasti i Ibro Haskajt qysh para dy viteve edhe atë krejt rastësisht, se kur isha në një këshillim në KPD në Nish. Mua, Stanoje Aksiqi më ka thënë se i ka dorëzua materialet të cilat Ibro Haskaj e akuzon personin e pafajshëm. Duke u kthyer nga KPD, iu drejtova sekretarit duke i thënë se këtë gjë duhet të vërtetoi për shkak të autoritetit të shërbimit, poqese jo për interes të drejtësisë. Ai atëherë më është përgjigjur se këtë gjë do ta vërtetoi Enver Hoxha, por më duket se asgjë nuk u ndërmor lidhur me këtë. Kur e vërejta se puna ime ishte e kot, atëherë e lashë që gjërat të shkojnë rrjedhës së vet. Përndryshe, duhet të them se sa i përket këtyre vrasjeve të cilat në shumë mbledhje janë theksuar, unë për këto lidhje nuk kam pasur. Por kam dëgjuar kur kanë dëgjuar edhe qytetarët, pa marr parasysh që kam shërbyer 20 vjet në këtë shërbim. Vetëm se unë personalisht mendoi se është e pamundur që operativistët kanë kryer këto krime pa dijeninë e dikujt. Bile mendoi se likuidimet është dashtë të kenë edhe pëlqimin e qendrës-sekretariatit republikan, pa marr parasysh rendësinë e rastit, me sa e di unë organizimi i këtij shërbimi, është dashur pëlqimi i sekretarit shtetëror.
Mendoi se qëndrimi centralist i këtij shërbimi, është manifestuar edhe nëpër mes të ligjeve. Poqese e marrim dhe e studiojmë më afër ligjin republikan për UDB-ën, në të qëndron se naqallnikun e UDB-ës mund ta emëroi kuvendi komunal, vetëm se me pëlqimin e sekretarit Republikan të UDB-ës. Unë përveç të tjerave në mbledhje të këshillit të kuvendit kam reaguar, duke shtuar se kjo është kundër kushtetuese. Se ne duhet të bëjmë një kuvend në varësi nga drejtoria e një shërbimi. Lidhur me të kam marr përgjigje se kjo është çështje e republikës dhe e ligjvënësit dhe ata munden këtë të drejtë ta rezervojnë për vete, për shkak se ata e financojnë këtë shërbim. Pastaj kam reaguar dhe kam thënë se nuk mundet askush që të thyej principet ligjore për shkak se e financon. Megjithatë kjo ngeli e tillë.
Intrigat, ushqim shpirtëror i udbashve
Në kohën e fundit kanë qenë shumë intriga në mes nëpunësve. Në të vërtet kjo ka ndodhur qysh më herët që nga koha e Vuja Vojvodiqit që ishte këtu naqallnik i UDB-ës. Pa fyerje, por unë mendoi se ai ka qene një shembull shkollor për mangësitë që ka poseduar që nga ato nacionaliste dhe dukshëm ka ndikuar tek një numër i madh i kuadrove që të deformohen. Që nga periudha e tij ende daton ndarja e nëpunësve në Vujoviqa, dhe kush nuk ka qenë me të, nuk ka qenë i favorizuar. Mendoi se përgjegjësia e tij duhet ti nënshtrohet jo vetëm sanksioneve politike por edhe të tjerave.
Sigurisht se diçka kam harrua që të paraqes këtu, por për të gjitha këto me të cilat ndoshta edhe me gojë mundem me i thanë para shokëve që janë anëtar të komisionit, por shpresoi se do të ulemi me disa shokë të grupeve të caktuara dhe të bisedojmë lidhur me to, dhe disa gjëra edhe me gojë ti plotësojmë apo eventualisht ti plotësojmë me të dhëna të reja.
Rrezak Shala, dora vet.
Prishtinë 23.09.1966
VIJON …
_________________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: PROCESVERBAL NGA BISEDA ME ANËTARËT E KOMISIONIT TË SKK TË LKS-së PËR KM, ME SHOKUN RAJKO VIDAQIQIN (20 SHTATOR 1966) (19)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9771

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura