PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT STUDENTORE TË 11 MARSIT 1981 – SIPAS DOKUMENTIT SEKRET TË KK TË LKK-së (26)

Prishtinë, 26 Maj 2020:  Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së) 1
Menjëherë pas demonstratave studentore të 11 marsit të vitit 1981 shtabet politike të Jugosllavisë, që nga instancat më të ulëta e deri në ato më të lartat, që nga krahinat, republikat e deri në federatë, që nga organizatat bazë e deri në Komitetin Qendror të LKJ- së u mblodhën dhe diskutuan për ngjarjet në Kosovë. Të gjithë nxitonin se kush më parë të propozojë masat më drakoniane, se kush të parashtrojë planet më shtypëse e më antihumane ndaj atyre që morën pjesë në demonstrata. Sipas informatës që jep Komiteti Krahinor i LKK-së, me numër 01-561, më 3 maj 1981, njoftohet opinioni se më 11 mars të vitit 1981, rreth orës 19.00, në Mensën e studentëve në Prishtinë kishte ndodhur një shkelje e rëndë e rendit publik dhe qetësisë, e pastaj shpërthyen demonstrata të një numri të konsiderueshëm studentësh. Kryesia e KK jep edhe shkaqet pse kishin ndodhur “trazirat”, kështu i quajnë demonstratat që kishin ndodhur. Si shkak i drejtpërdrejtë i këtyre trazirave ishte, gjoja, pakënaqësia e një grupi studentësh për shkak të ushqimit që konsumonin në restorantin e tyre, pritjes së gjatë, shërbimit jo efikas, dritës së dobët etj. Pas kësaj grupi i përmendur doli jashtë restorantit, u tubua para tij dhe u drejtua nëpër rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të Fakultetit Teknik. Në atë moment në grup ishin rreth 200-400 studentë, të cilët ndalonin vetura dhe automjete dhe u bënin dëme relativisht të vogla.2 Në raportin që japin organet kompetente të KK të LKK-së thuhej se më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe 100 studentë të tjerë. Studentët duke parakaluar pranë ndërtesës së KK të LK të Kosovës, thirrën parulla në një zë në gjuhën shqipe “Kushte”, “Kushte”, kurse para ndërtesës së KK të LKK-së lëshuan parullën “ushqim”. Në dokument thuhej se atë mbrëmje në shëtitoren e qytetit kishte shumë të rinj, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët nuk iu bashkuan demonstruesve3, gjë që nuk është e vërtetë pasi unë jam dëshmitare e këtyre ngjarjeve. E vërteta është se ka pasur shumë të rinj e studentë, që shumica i janë bashkuar demonstruesve dhe janë futur në kolonë me ta.

Pas lajmit se në mensën e studentëve ka demonstrata, punëtorët politik të Kosovës ishin sensibilizuar dhe një grup i madh i tyre si të KK të LK të Prishtinës, të KK të LK të Kosovës dhe të Universitetit ishin futur në radhët e studentëve me qëllim që me mjete politike, me veprime ideopolitike t’i bindnin studentët që të shpërndaheshin, të kthehen në Qendrën e studentëve dhe atje të bisedojnë konkretisht në lidhje me kërkesat për përmirësimin e kushteve dhe të standardeve të studentëve në përgjithësi. Pas bisedave që kishin zgjatur gati një orë, studentët ishin pajtuar që të shkonin deri në mensën e tyre. Grupi ecte ngadalë, ndalej shpesh, këndonte, e kohë pas kohe përsëriste parullat “Kushtet” dhe “Ushqimi”4. Këtë e konfirmonte edhe KK të LKK-së në dokumentin e saj.
Një grup tjetër studentësh, afro 200 veta, kishin arritur të organizohen dhe të nisen nëpër rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të qytetit, duke lëshuar parulla si: “I duam shokët” etj., (fjala ishte për të rinjtë e burgosur në burgjet jugosllave, – S.K-B). Studentët gjatë kësaj kohe kishin arritur të konsolidoheshin. Forcave të Sigurimit vazhdonin t’i pengonin në këtë drejtim. Në parakalim e sipër në mesin e studentëve u përhap informata se disa studentë ishin arrestuar, por studentët edhe më shumë iu bashkoheshin radhëve duke lëshuar parulla në gjuhën shqipe “Kërkojmë kushte më të mira”, “Duam vepra e jo fjalë”, “Dikush në fotele, e dikush pa bukë”, “Deri kur në podrume”, “Poshtë borgjezia”, dhe “Lironi shokët tanë”. Demonstratat atë natë vazhduan dhe studentë të tjerë të shumtë i bashkoheshin turmës.

Sipas informatës së KK të LKK-së, edhe pas orës 22.00 grupet e shumta të studentëve u takuan para mensës. Para demonstruesve dolën dhe folën 3 studentë, të cilët duke kërkuar disiplinë theksuan se qëllimi i tubimit të tyre ishte të kërkonin të drejta dhe përmirësim të kushteve të jetës dhe të punës, e jo të çrregullojnë rendin publik dhe qetësinë. Mirëpo ata njëkohësisht i ftuan demonstruesit të qëndronin të tubuar dhe të jenë kompakt në mbrojtje të kërkesave të tyre. Edhe pse studentët ishin të qetë dhe demonstratat ishin paqësore, gjë që kërkohej nga ata vetë, pas kthimit afër mensës së studentëve numri i tyre sa vinte e shtohej duke arritur në 2.000 studentë. Studentët ishin të qetë, por pas kalimit të disa orëve, rrethi filloi të ngushtohej dhe të bëhej izolimi i tyre nga ana e forcave të policisë. Pati disa tentime që të bisedohej me ta pasi numri i tyre ishte shtuar dukshëm. U orvatën të bisedojnë prorektori dhe disa profesorë të Universitetit të Kosovës, nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës e të tjerë, por të gjithë këta u përcollën me britma. Kulmimi i pakënaqësisë tek studentët arriti kur thirrën parullën “I duam shokët”. Me ta u bë e pamundur çdo bisedë e mëtejshme, aq më tepër që të bërtiturat erdhën duke u shtuar. Me kohë studentët duke parë se pjesëtarët e shërbimit të Sigurimit po tentonin që të afroheshin më tepër, filluan të reagonin.
Nga ora 1oo e 12 marsit, studentët e revoltuar nga bllokada e pjesëtarëve të organeve të Sigurimit, reaguan në mënyra të ndryshme vetëm e vetëm për të liruar kalimin në drejtim të qytetit. Sipas dokumentit thuhej se “megjithëse ishin shterur të gjitha mjetet politike, me vendim të Komitetit të Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe të Vetëmbrojtjes shoqërore të KSA të Kosovës, forcat e Sigurimit, me përdorimin e mjeteve kimike – të gazit lotsjellës, në orën 02. 30 e shpërndanë grupin, prej të cilit u ndanë nja 50 studentë duke u tubuar përsëri në terrenin midis konvikteve të studentëve, duke lëshuar parulla dhe duke kënduar deri në orën 05 kur edhe ky grup u shpërnda definitivisht me intervenim të mëvonshëm të forcave të Sigurimit”5.
Organet e Sigurimit po atë ditë dhanë informatën se nga studentët nuk u lëndua rëndë askush, ndërsa nga ana e policisë u lënduan dy policë. Njëri ishte lënduar me revole kurse tjetri me gurë ndërsa 18 të tjerë ishin lënduar lehtë. Organet e Punëve të Brendshme në marrëveshje me Komitetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe të Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës në ndërkohë kishin marrë përsipër që të bënin identifikimin e organizatorëve, të pjesëmarrësve më të zëshëm të 11 marsit. Organet e Sigurimit kishin identifikuar 102 veta, prej të cilëve 79 ishin nga Kosova, kurse 23 studentë 6nga vise tjera.
Në informatën që jep KK i LKK-së thuhej se në Prishtinë ishin angazhuar ekskluzivisht forcat e Sigurimit nga KSA e Kosovës, kurse organet e punëve të brendshme u vunë në gjendje mobilizimi. Në bazë të autorizimeve ligjore, sekretari krahinor i PB, me vendim të 11 marsit, formoi një njësi të veçantë të policisë, të përbërë ekskluzivisht prej njerëzve të organeve nga territori i Kosovës. Kryesia e KSA e Kosovës, Kryesia e KK të LK të Kosovës, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, si dhe organet dhe udhëheqësit e komunës së Prishtinës, ishin të angazhuara që të merrnin masa po qe se ndodhte ndonjë e papritur. Organet e PM dhe faktorët e tjerë të vetëmbrojtjes kishin marrë për detyrë sigurimin e rendit dhe të qetësisë, të objekteve me rëndësi jetike dhe kishin marrë urdhër që të ndërpresin me çdo kusht demonstratat. Komiteti i Mbrojtjes së përgjithshme Popullore dhe i VMSH ishin në tubime permanente, merrnin vendime, orientonte dhe koordinonte drejtpërdrejt të gjitha masat dhe aksionet politike me qëllim që të ndërpritej dhe të tejkalohej situata e krijuar 7.
Po ashtu në të gjitha komitetet komunale të LK në krahinë gjatë natës ishte aplikuar vigjilenca dhe mobilizimi më i madh që në mënyrë të vazhdueshme të sigurohej informimi për ngjarjet. Më 12 mars, të gjitha organet udhëheqëse të krahinës kishin mbajtur takime dhe ishin informuar për ndërprerjen e tyre. Në mbledhje të Kryesisë të KK të LKK, ishte informuar se demonstratat kishin karakter social dhe ishin të lidhura me kushtet e ushqimit të studentëve dhe më gjerë, për disa çështje të standardit të studentëve. Këto demonstrata të studentëve për nga dimensioni i tyre, nga koha dhe mënyra e artikulimit dhe për nga pasojat, ishin aksion jashtëzakonisht i dëmshëm politik, i patolerueshëm dhe i palejueshëm në sistemin jugosllav8, thuhej në dokumentin e partisë.
Më tej, vazhdonte dokumenti, mënyra e tillë e artikulimit të problemeve sociale, edhe atëherë kur këto probleme realisht ekzistojnë, nuk i ndihmojnë zgjidhjes së suksesshme të problemeve, por mund të jetë i dobishëm dhe në funksion vetëm të shprehjes së forcave dhe të tendencave armiqësore e nacionaliste. Dukej qartë se KMPP dhe ai i VMSH të KSA të Kosovës kishin marrë mbi vete që të konkretizonin planin e aplikimit eventual të forcës dhe rendit me veprime graduale. Në bazë të vendimit të KMPP dhe të VMSH, që nga fillimi i demonstratave ishin marrë masa për për qendrim të disa njësive të policisë në Prishtinë, për mobilizim të njësive rezervë të policisë, për vënien e disa shtabeve të mbrojtjes territoriale dhe të një njësie speciale në gjendje gatishmërie, e sidomos masa për sigurimin e objekteve jetike 9 etj.
Në mbledhjet e dy kryesive, krahas vlerësimit dhe kualifikimit të ngjarjeve dhe nxjerrjes së disa përvojave për organizim më të mirë në lëmin e sigurisë dhe të vetëmbrojtjes, u caktuan, para së gjithash, detyrat e drejtpërdrejta ideopolitike në lidhje me skanimin e gjendjes, me vazhdimin e punës normale, të mësimeve dhe të jetës në Universitet, me informimin e ngutshëm e të drejtë të komunistëve dhe të punonjësve në Prishtinë dhe më gjerë në krahinë për ngjarjet, me ndërmarrjen e masave të organizimit më të mirë në çdo ambient me qëllim që të pengohet çfarëdo eksesi apo trazire, për të tubuar rreth politikës së LKJ-së numrin më të madh të studentëve, të rinisë, të punëtorëve dhe të punonjësve, për dënimin energjik të këtyre demonstratave, por edhe për pengimin e çdo forme të dramatizimit, të prodimenzionimit dhe të spekulimeve, të njollosjes së Universitetit, të studentëve përgjithësisht, të një kombi, për pengimin e ngjalljes së nacionalizmit shqiptar apo serb 10 etj.
Komiteti Komunal i LKK të Prishtinës, më 12 mars, në ora 03 (pas dite) kishte thirrur mbledhjen e zgjeruar të KK të MPP dhe të VMSH, në të cilën u vlerësua gjendja politike dhe e sigurisë. Në të u caktuan masat dhe aktivitetet e mëtejshme. Po ashtu edhe Rektorati i Universitetit të Kosovës mbajti një mbledhje me të gjithë sekretarët e OTH-rë LK të fakulteteve dhe të Qendrës së Studentëve. Në të merrnin pjesë edhe kryetarët e konferencave aksionale të fakulteteve, me dekanët dhe me kuadrot e tjera, në të cilën u analizua gjendja e tërësishme në Universitetin dhe në Qendrën e studentëve dhe u caktuan masat e mëtejshme për zhvillimin normal të mësimit 11.
Në mëngjesin e 12 marsit në komunat, në tërë Kosovën, KMPP dhe të VMSH mbajtën mbledhjet e tyre në të cilat u shqyrtua situata aktuale politike e sigurisë. Ndërsa në të gjitha qendrat, ku merrnin pjesë kuadrot e komunave fqinje, u mbajtën mbledhjet e zgjeruara të komiteteve komunale të LK. Ata u informuan për vlerësimet lidhur me ngjarjet në Qendrën e Studentëve dhe u caktuan detyrat e drejtpërdrejta në angazhimin e tyre politik.
Më 13 mars 1981, Komiteti Krahinor ishte njohur me konkluzionet që ishin sjellë në një mbledhje të përbashkët të Kryesisë së KSA të Kosovës dhe të Kryesisë së KK të LKK-së. Ato bënin fjalë për kualifikimet themelore të këtyre ngjarjeve si dhe për masat që ishin marrë për ndërprerjen e trazirave dhe skanimin e gjendjes. Komiteti Krahinor me atë rast kishte aprovuar informatën, si dhe kualifikimet themelore të dhënë në lidhje me demonstratat e 11 marsit nga Kryesia e KSA të Kosovës dhe Kryesia e Komitetit Krahinor të LKK-së. Po ashtu, në bazë të dokumenteve dëshmohej se Kryesia e KK të LKK kishte lidhje të vazhdueshme me Kryesinë e RSF të Jugosllavisë, me Kryesinë e KQ të LKJ-së dhe me Këshillin Ekzekutiv Federativ, si dhe me udhëheqësin e RS të Serbisë, kurse Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme me Sekretariatin Federativ dhe me atë Republikan të PB të Serbisë duke e informuar për situatën në Kosovë.
_______________

Referencat:
1 Arkivi i Kosovës, Fondi Komiteti Krahinor 1981, d. Informata, për demonstratat armiqësore në krahinë më 11, 25 e 26 mars dhe më 1, 2 e 3 prill 1981, Prishtinë, maj 1981.
2 Arkivi i Kosovës, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-së, d. Kryesia e KK të LKK, Informatë, 5 maj 1981.
3 Po aty, 1.
4 Po aty, 2.
5 Arkivi i Kosovës, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-së, d. Demonstratat e studentëve 1981.
6 Po aty, 4.
7 ASHAK, F. KK I LKK-së, d. Vlerësimi i shkaqeve, rrethanave dhe pasojave të demonstratave armiqësore dhe organizimi e veprimtaria e Lidhjes së Komunistëve dhe e forcave të tjera të organizuara socialiste në Kosovë, 5 maj 1981.
8 Po aty, 5.
9 Po aty, 6.
10 Po aty, 7.
11 Po aty, 8.
VIJON …
___________________________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (25)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10074

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura