Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (2)

Prishtinë, 27 Prill 2020: Çetniku famëkeq serb, që ia mori peng dy djemtë Isa Boletinit!
Bashkëpunimi dhe bisedimet shqiptaro-serbe kishin filluar që nga fillimi i shekullit XIX. Të rikujtojmë se ato u shtuan gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve ‘20 të shekullit XIX, kur Mustafa Pashë Bushatliu, bashkëpunoi me Millosh Obrenoviqin, përmes informatorëve të tyre. Me Millosh Obrenoviqin bashkëpunoi edhe Mahmud Pasha i Nishit, i cili në shkurt të vitit 1831 kishte kërkuar para te Princ Milloshi. Princi Millosh i kishte dhënë ndihma edhe Mahmud Pashës së Nishit, dhe atje e kishte dërguar si informator të tij Dimitrije Tiricin. Kjo i shkonte për shtati princit Millosh, pasi që ai ishte shumë i interesuar që në Nish të kishte njeriun e vet. Princ Milloshi e zgjodhi që ta dërgoj në Nish Dimitrije Tiricin, pasi që ai kishte lindur në Nish, ishte i arsimuar në perëndim dhe e njihte mirë edhe gjuhën osmane. Tirici u dërgua në Nish përmes konsullit të Beogradit me arsyetimin kinse dëshiron që të kthehet e të jetojë në familjen e vet.

Sipas burimeve arkivore serbe dhe një tregtari nga Aleksinci, të quajtur me emrin Gjorgje, i cili prej datës 12-24 prill të vitit 1844, kishte udhëtuar deri në qytetin e Manastirit, ai kishte treguar se, rruga në ato vise ishte bërë e pasigurt, prej kryengritësve shqiptar. Sipas rrëfimeve të tij midis Velesit dhe Shkupit, në atë kohë ishin mbledhur, rreth 8.000 kryengritës shqiptar. Siç duket ky nuk kishte qenë ndonjë tregtar, por ishte ndonjë agjentë serbë, që e kishte pasur si detyrë të jap informata, për zonën në mes të Nishit dhe Manastirit, andaj për këtë kishte shkuar në Manastir, ku ishte koncentruar ushtria e sulltanit.
Siç shihet Millosh Obrenoviqi e kishte krijuar mundësinë e lidhjeve në mes të serbëve dhe shqiptarëve ortodoks në rrethinën e Kumanovës, Velesit, Prilepit, Manastirit, Ohrit, Tetovës e Shkupit. Këto lidhje u forcuan edhe më shumë në dekadat e mëvonshme, dhe kjo ndikoi që nga ndikimi i shkollave laike serbe dhe kishës ortodokse, shqiptarët ortodoks të këtyre anëve në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, të serbizohen. Të mbështetur në shqiptarët ortodoks të serbizuar në qytetin e Shkupit u themelua në vitin 1901 edhe organizata çetnike Dora e Zezë.

Foto 6 dhe foto 7. Banda të çetnikëve serbë të organizuar nga “Dora e Zezë”, në trevat shqiptare të Maqedonisë
Njëri ndër çetnikët që bëri krime të shumta ndaj shqiptarëve ishte edhe Vojisllav Tankosić. Vojislav Tankosić, lindi në Ruklada, në rajonin e Tamnavës afër Valevës, me 20 shtator 1880 dhe ka vdekur më 2 nëntor 1915. Familja e tij më parë kishte ardhur për të jetuar në rrethinën e Valevës, prej një zone boshnjake. Siç shihet me veprimtarinë e tij që e zhvilloi para luftërave ballkanike, i maskuar si shqiptar që veproi në trevat shqiptare të Maqedonisë së sotme dhe në Kosovë, la të kuptohet se kishte origjinë shqiptare nga Peshteri apo edhe Tregu i Ri (Novi Pazari).
Vojislav Tankosiç, që nga fillimi i formimit të kësaj organizate ishte bërë aktiv me veprimet e tij. Ky grup e hartoi planin për vrasjen e çiftit mbretëror, Mbretin Aleksandër dhe Mbretëreshën Draga. Në natën e 10-11 qershorit 1903, Dragutin Dimitrijeviç Apis, e organizoi vrasjen e çiftit mbretëror në Pallatin e Vjetër. Tankosic, si i besueshëm i Dragutin Dimitrijeviçit Apis, gjatë këtij aksioni i ekzekutoi dy vëllezërit e Mbretëreshës Draga Mashin, gjatë komplotit të përmbysjes së mbretit Aleksandër Obrenoviç, për ta sjellë në fron mbretin, Petar Karagjorgjeviqin e Parë.
Vojislav Tankosiç, përveç që ishte anëtar i Dorës së Zezë (Cerrna Ruka), ai ishte bërë anëtar dhe i Bosnjës së Re, i cili edhe ishte akuzuar në përfshirjen për vrasjen e Franc Ferdinandit. Ai u arrestua nga qeveria serbe kur Gavrilo Principi e vrau Archeduke Franz Ferdinandin (28 qershor 1914), por u fal kur Austria e sulmoi Serbinë.
Vojislav Tankosiç, në moshën rinore e mbaroi Gjimnazin dhe Akademinë Ushtarake, dhe fitoi besimin e Milorad Gogjevacit dhe udhëheqësve të tjerë çetnikë. Tankosiç u dërgua si një agjent sekret, i fshehtë, në territorin e Maqedonisë së sotme, për të studiuar terrenin, situatën dhe për të krijuar kontakte me njerëzit e atjeshëm, për veprim kinse kundër P. Osmane që planifikoheshin të bëheshin në të ardhmen. Edhe ky fakt se ky e njihte gjuhën shqipe, dhe si agjent depërtonte lehtë në mesin e shqiptarëve, në trevat ku sundonte P. Osmane.
Si i ri i arsimuar në një frymë të zjarrtë kombëtare serbe, i kishte shtuar shumë aktivitetet e tij në organizata rinore serbe, Tankosiç në atë kohë si i ri, u përpoq të fitonte besimin e gjeneralit Jovan Atanackoviç, i cili kishte filluar të mblidhte vullnetarë për të nxitur kryengritje në territoret ku sundonte P. Osmane. Në dimrin e vitit 1903-04, si anëtar i Organizatës Çetnike Serbe, Tankosiç shkoi në Shkup, Manastir dhe Selanik, dhe atje filloi të organizojë aksione dhe grupe të çetnikëve në Maqedoninë e sotme.
Më 16 prill të vitit 1905, ai mori pjesë në Betejën e Çelopekut afër Kumanovës, nën udhëheqjen e Savatije Milosheviçit.
Vojislav Tankosiç, në vitin 1907-08 ishte Shefi i Shtabit të zonës lindore të Vardarit, që do të thotë se ai komandonte të gjitha njësitë aktive nga kufiri serb deri në Vardar. Në vitin 1908, ai drejtoi sulmin ndaj bandave bullgare në fshatin Stracin, gjë që gati shkaktoi një luftë serbo-bullgare. Pas këtyre aktiviteteve, Tankosiç u kthye në Beograd në korrik 1908.
Pas aneksimit austro-hungarez të Bosnjës dhe Hercegovinës (6 tetor 1908), Tankosiç themeloi një shkollë çetnike në Prokuple, në të cilën u trajnuan vullnetarët për të ekzekutuar, gjatë operacioneve speciale, që planifikoheshin të ndodhin në Bosnje dhe Hercegovinë.
Siç shihet bisedimet e serbëve me shqiptarët, të zhvilluara me shekuj, nuk kanë qenë të pa njohura për serbët edhe në prag të luftërave ballkanike. Kjo dëshmohet nga këto të dhëna për Vojislav Tankosiçin, i cili në mënyrën më dinake përfitoi gjatë bisedimeve me Isa Boletinin, i cili njihej si njëri ndër shqiptarët më të fuqishëm të kohës.

Foto 8. Vojislav Tankosiç, i fotografuar jashtë shtëpisë së Isa Boletinit në vitin 1911, me veshje shqiptare i maskuar si shqiptar, gjatë bisedimeve për bashkëpunim kundër P. Osmane.
Në bisedimet e vitit 1911 me Isa Boletinin, Vojsllav Tankosici fitoi njohuri për organizimin e shqiptarëve, terrenin dhe fuqinë ushtarake të shqiptarëve. Tankosiqi me krenari e pikturoi veten para shtëpisë së liderit ushtarak shqiptar me të cilin bisedoi. Para konfliktit me Turqinë ishte shumë e rëndësishme që Serbia të mos ndërhynte në konflikt me shqiptarët. Prandaj, qeveria serbe dërgoi oficerët e saj më të shquar për të biseduar, për mos përfshirjen e shqiptarëve gjatë luftës midis Serbisë dhe Turqisë.
Për të biseduar në Boletin, shkoi edhe Dragutin Dimitrijeviç Apis, i cili kërkonte që të shtohej revolta e shqiptarëve kundër ushtrisë turke.
Beogradi lidhjen kryesore e kishte mbajtur me Isa Boletinin, për të cilin dihej se kishte një dashamirësi ndaj serbëve: Qeveria serbe te Isa Boletini, kishin dërguar emisarë të ndryshëm serbë, enkas për të biseduar me të, ndër të cilët edhe kolonelin famëkeq Dragutin Dimitrijeviq “Apis”, udhëheqësin e lëvizjes çetnike serbe “Dora e Zezë”. Ai kishte ardhur në Boletin, për të ndikuar te Isa Boletini, që të hynin në luftë kundër Austro-Hungarisë.
Isa Boletini në atë kohë ishte shqiptari më i fuqishëm, ai ishte udhëheqësi më i respektuar ushtarak që pati ndikimin më të madh në mbarë popullin shqiptar. Megjithëse Apisi u kthye në Beograd, me premtimin që e kishte marrë nga Isa Boletini për t’ia kthyer armët Austro-Hungarisë, mirëpo askush në qeverinë dhe ushtrinë serbe, nuk ju besoi fjalëve të tij. Kjo ishte edhe arsyeja pse Tankosiç vendosi t’i merrte gjërat në duart e tij.
Qeveria serbe u përpoq të përdorte shqiptarët kundër turqve, dhe dërgoi Tankosiçin në Kosovë, ku ai së bashku me Isa Boletinin biseduan për të organizuar aksione kundër ushtrisë turke. Tankosiqi gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, në qershor dhe korrik 1912, i udhëhoqi shqiptarët në konfliktin e tyre me turqit në rrethinën e Mitrovicës.
Duke e njohur situatën dhe terrenin, Tankosiçi vetë shkoi në Boletin, dhe e poshtëroi Isa Boletinin, duke ia rrëmbyer të dy djemtë e tij! Vojsllav Tankosiçi të dy djemtë e Isës i dërgoi në Kurshumli, ku u mbajtën peng deri sa lufta të mbaronte, me mesazhin se jeta e tyre varej nga fakti, nëse do të përmbushej fjala e babait të tyre. Shqiptarët, natyrisht, nuk ndërhynë në konfliktet serbo-turke, dhe kryekomandanti i tyre u detyrua të ruajë zemërimin e tij thuhet në burimet serbe.
Para shpërthimit të luftës ballkanike, në mars 1912, Tankosiçi u transferua në selinë e trupave kufitare, i ngarkuar me vullnetarë të trajnuar mirë për operacione ushtarake, të cilët kishin ardhur nga të gjitha rajonet me popullsi serbe.
Tankosiçi ishte shumë i rreptë në përzgjedhjen e vullnetarëve të tij, dhe nga 2.000 kandidatë, ai në njësitin e tij i zgjodhi vetëm 245 vullnetarë. Njëri ndër ta që u refuzua, për shkak të shtatit të tij të dobët ishte Gavrilo Principi, i cili më vonë e kreu atentatin ndaj Franc Ferdinandit.
Në Luftën e Parë Ballkanike Tankosiçi komandoi njësitin e çetnikëve për të sulmuar kufirin në Llap (Merdare). Ai i filloi operacionet kundër ushtrisë turke, dy ditë para shpërthimit të luftës, në pikën kufitare në Merdare. Këtë pikë kufitare e mbronin shqiptarët vullnetar dhe ushtarë shqiptarë të mobilizuar në ushtrinë turke. Në këtë betejë çetnikët dhe shqiptarët u përplasën, dhe kjo ishte beteja e parë në këtë luftë. Çetnikët e Tankosiçit, luftuan për tre ditë vetë, derisa në këtë luftë me çetnikët u bashkua edhe Ushtria e rregullt serbe. Roli i Tankosiçit në organizimin e komploteve, luftimeve dhe atentateve ishte vendimtar në proceset e zhvillimeve të luftërave ballkanike, dhe Luftës së Parë Botërore.
Krimet e tij ishin bërë të njohura për të gjitha ushtritë që luftuan në Ballkanin qendror.
Në vijim po e japim edhe një pasqyrë të shkurtë të aktiviteteve të këtij çetniku famëkeq, deri në vrasjen e tij gjatë luftimeve me austro-hungarezët në vitin 1915. Gjatë vitit 1913, Tankosiçi së bashku me anëtarët e tjerë të Dora e Zezë, bëri presion ndaj qeverisë serbe të Nikolla Pashiqit, para Traktatit të Bukureshtit (1913). Qeveria u përpoq të tërhiqte Tankosiçin dhe Apisin, por megjithatë, mbreti nuk u pajtua. Një konflikt midis ushtrisë dhe autoriteteve civile, u qetësua gjatë vitit 1913, por u përshkallëzua më vonë gjatë vitit 1914, me kërcënime të hapura të bëra për disa ministra. Pretendohet se Tankosiçi mori pjesë në stërvitjen e çetnikëve për vrasjen e Franz Ferdinandit. Pas vrasjes së vitit 1914, qeveria austro-hungareze i dha një ultimatum qeverisë serbe, për vrasjen e Ferdinandit. Tankosiç u burgos nga qeveria serbe, mirëpo ai u lirua, kur Austria e sulmoi Serbinë.
Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Tankosiç u bë komandanti i skuadrës së Vullnetarëve në Beograd, dhe më pas në skuadrën e Vullnetarëve të Rudnikut. Në kohën e Betejës së lumit Drin (1914), kundër austriakëve, ai komandoi një bandë të veçantë vullnetarësh dhe çetnikësh në lumin Lim në Bosnjën Lindore, pastaj në Loznica, Krupanj, dhe fushat e tjera të betejës. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, Jovan Babunski formoi njësitin e çetnikëve “Sava” të cilët më pas luftuan nën komandën e Major Vojislav Tankosiçit. Njësia vazhdoi të luftojë kundër austro-hungarezëve, në fund të verës së 1914, dhe e shkatërroi një urë hekurudhore në lumin Sava për të parandaluar forcat austro-hungareze që ta kalonin atë.
Tankosiqi e furnizonte me armë organizatën Bosnja e Re, dhe kishte hapur shkollë që i ushtronte vullnetarët e çetnikëve për luftë kundër austriakëve.
Njësitet e çetnikëve të Voja Tankosiçit dhe Jovan Babunskit i penguan austriakët që natën e parë të luftës ta pushtojnë Beogradin. Me (6 Shtator – 4 Tetor 1914), ai luftoi kundër austriakëve të Lumin Drinë, dhe njësiti i tij është tërhequr i fundit nga kjo betejë. Në këtë luftë ai plagoset rëndë dhe me plagët e marra pas dy dite ai vdes në Trstenik më 2 nëntor 1915.
Gjatë tërheqjes së Ushtrisë Serbe në 1915, Tankosiç deri sa komandonte një batalion u plagos në Igrishte afër Veliki Popoviç më 31 tetor 1915. Ai vdiq nga plagët më 2 nëntor 1915, në moshën 35 vjeç në Trstenik.
Në këtë betejë shqiptarët dhe serbët luftuan në distancë shumë të afërt. Shqiptarët që shkuan vullnetarë për ta mbrojtur kufirin nuk kishin armatim të mjaftueshëm.
VIJON …

__________________

Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftërat ballkanike (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9963

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura