PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: NJË DOKUMENT ‘TOP SEKRET’, PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981 (35)

Prishtinë, 9 korrik 2020
NJË DOKUMENT ‘TOP SEKRET’, PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981
Duke shfletuar, hulumtuar dhe studiuar dokumentet e periudhës më të re të Kosovës, me theks të veçantë demonstratat e vitit 1981, në shumë kuti të arkivit hasa materiale të cilat flitnin për informimin që bënte KQ i LKJ-së lidhur me demonstratat. Më tërhoqi vëmendjen një informatë që në fillim të saj shkruante “Top sekret”, andaj kureshtja prej hulumtuesi ishte edhe më e madhe.

Demonstratat studentore 1981,
Duhet shtuar se, Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 e të tjerat në vijim, nuk ishin rastësi në historikun tonë. Ato ishin një vazhdim i luftës së shqiptarëve që ishin nën okupimin jugosllav dhe që me vite e vite kishin luftua për liri dhe të drejta kombëtare e politike. Megjithatë, demonstratat e atij viti, duke i krahasuar me demonstratat e vitit 1968, ishin një dëshmi e qartë për rritjen e shkallës së pjekurisë e të vetëdijes politike të shqiptarëve. Është një fakt i pamohueshëm se demonstratat fillimisht (11 mars) u kërkua ndryshimi dhe përmirësimi i situatës ekonomike, si dhe zgjerimi i të drejtave dhe lirive politike. Lufta për ndryshimin e gjendjes ekonomike e politike të popullit shqiptar u sintetizua në kërkesën “Kosova-Republikë” që synonte të ndryshonte pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të mbarë popullsisë shqiptare në Jugosllavi në kuadër të federatës.
Programi i Demonstratave 1981
Ndërsa sa i përket Programit të Demonstratave të 1981, dihej se, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë së atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto, që vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale, në vitet e mëvonshme, por edhe të Demonstratave të vitit të madh.
Duhet thënë se Programi i demonstratave, ishin vetë kërkesat që u paraqitën në to e që nuk dallonin nga ato të demonstratave të 1968, dhe nga programet e shumta të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi.

Hydajet Hyseni duke i paraqit kërkesat e studentëve më 1981
Kushtetuta e vitit 1974 nuk ishte dëshirë e pushtetarëve por ishte rezultat dhe sukses i Lëvizje kombëtare që përjetoi nivelin më të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet të merret si ngritje në kuadër të procesit e jo si rritje e aspiratës), sepse, deri në këtë kohë, shqiptarët në kërkesat e tyre politike ishin shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit në Shtetin e Jugosllavisë.
Të gjitha programet e organizatave ilegale shqiptare kishin karakter kombëtar
Duhet theksuar se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit.
Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin statike, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si:
1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën
3. Republika e Kosovës.
Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar.
Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk kishin vetëm kërkesa të karakterit social por edhe politik. Por, duhej të vinte dita e 26 marsit, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë.
Me 26 mars, u shpalos haptas programi i demonstratave me krye kërkesën për Kosovën-Republikë, dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 e 2 prillit e më vonë, do të ishin programi, boshti dhe themeli vertebror i Demonstratave të vitit 1981. Demonstratat e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.
Prej parullave që u shpalosen në këto demonstrata, veçojmë: “Vdekje armikut – Liri popullit”, “Kosova-Republikë”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton” e të tjera si këto, ku shihet dukurish se kërkesat e demonstruesve ishin politike, kombëtare e social-ekonomike, të cilat burimin e kishin dhe, në mënyrë eksplicite paraqitnin programin e tyre politik të cilat siç u pa i dëshmoi dhe i rezistuan kohës. Kërkesa më e rëndësishme, në të vërtet kërkesa historike e këtyre demonstratave ishte kërkesa që shqiptarëve t’u njihet e drejta e popullit shtet krijues, e drejta që shqiptarët në Kosovë dhe në trevat e tjera me shumicë shqiptare të kenë republikën e tyre, siç i kishin popujt e tjerë në Jugosllavi.
Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, 2 prill 1981
Më 2 prill 1981, Beogradi kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, po atë ditë, në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë, demonstratat u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill u organizuan demonstrata edhe në Deçan e në Istog. Me demonstrata u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj 1981.
Mbyllet mësimi në Universitet dhe shkolla të Kosovës
Pas kësaj, organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitetin e Prishtinës. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që ta shkëpusnin edhe nga bota.
Edhe pse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i kishte cilësua paqësore, edhe pse këto demonstrata kishin karakter demokratik e kombëtar, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinjtë gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopter, autoblinda, aeroplan luftarakë, bile-bile edhe të tipit MIG-21”. Në Demonstrata pati të vrarë e të plagosur, të arrestuar e të arratisur jashtë atdheut. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e shenjët të atdheut.

Statistikat e të dënuarve ishin jo të sakta
Statistikat e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishin të sakta. Ajo ndërronte nga momenti në moment, dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngase kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Këtë më së miri e dëshmon rasti i profesorit Ukshin Hotit, për fatin e të cilit nuk dihet edhe sot. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin nënat, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund , dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptar kudo që ndodheshin.
Nuk kurseheshin as mërgimtarët
Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i vëllezërve Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqeshin edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i atdhetarëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri e shumë të tjerëve. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur. Ato vazhduan deri në vitet e fundit të shekullit XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj atdhetar: Rexhep Mala e Nuhi Berisha. E këta nuk ishin të vetmit.

Duhet thënë edhe këtë se Demonstratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë e dukshëm. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të botës demokratike. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarëve, ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga ndikimet për integrimin e tyre në Jugosllavi. Demonstratat e vitit 1981 nga shumë studiues u quajtën edhe Revolucion kombëtarë, sepse objektivi kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese.
Jehona e demonstratave në arenën ndërkombëtare
Demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Parulla e asaj pranvere të vitit ‘81 “Republikë, kushtetutë –ja me hatër ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), do të shfaqet në momentin më të duhur historik, për të mbrojtur popullin, po ashtu edhe tokatë e robëruara shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.
VIJON …
_______________________

PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: DOK 2 – TOP SEKRET – FJALA HYRËSE E ALI SHUKRISË LIDHUR ME VLERËSIMIN E SITUATËS POLITIKE DHE TË SIGURISË NË KRAHINË, QERSHOR 1981 (34)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10225

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura