PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (24)

Prishtinë, 22 Maj 2020: Vrasjet, vetëvrasjet dhe lëndimet trupore të qytetarëve për shkak të keqpërdorimeve të organeve të shërbimit shtetëror
Gjatë punës së vet komisioni kishte pranua një numër të madh të ankesave të qytetarëve nga të gjitha trevat e Kosovës të cilët paraqiten keqpërdorimet e individëve nga shërbimi i sigurimit të shtetit, nga të cilët kishin humbur jetën e familjarëve apo edhe të bashkëvendësve të tyre, ose ishin të vrarë, ose më vonë kishin vdekur nga lëndimet e marra nga rrahjet ose maltretimet nga ana e shërbimit të sigurimit të shtetit. Disa nga dhuna e tepërt që ishte përdorur ndaj tyre në mënyrë sistematike, nuk kishin mundur të qëndronin, kishin bërë vetëvrasje ose tërë jetën kishin ngelur me pasoja fizike e psikike.
Gjerë më tani ishte kontrollua vetëm një numër i konsideruar i ankesave për vrasje , vetëvrasje dhe lëndimeve trupore, dhe duke u nisur nga këto të dhëna konstatohet se rastet e tilla nga organet e shërbimit të sigurimit të shtetit nuk munden me qenë të plota.
Duke u nisur në bazë të të dhënave për vrasjet dhe vetëvrasjet e qytetarëve tek të cilat ka ardhur për shkak të keqpërdorimeve nga ana e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, nga shqyrtimi i disa ankesave del se ka mbi 70 raste në tërë Kosovës, për të cilat supozohet se të gjitha këto ishin krime, dhe veç këtyre ka edhe 28 raste për lëndime të rënda të qytetarëve. Nga këto të dhëna gjerë më tani janë nxjerr të dhënat elementare se kush po lajmërohet, për çfarë arsyeje lajmërohet, kush është lajmërues i rastit dhe se në çfarë rrethanash ka ardhur deri tek vrasja respektivisht vetëvrasja apo lëndimi trupor. Çdo rast i lajmëruar është shqyrtuar se a është i mjaftuar rasti që të shqyrtohet dhe të llogaritet si rast i keqpërdorimit dhe komisioni mund të vendos në vazhdim se si do të procedohet në organet kompetente dhe a duhet të merren masa penale ndaj personave që kanë kryer veprën.
Rastet e keqpërdorimeve kryesisht janë paraqitur gjatë periudhës kohore 1952-1964, duke ardhur në përfundim se numri më i madh i rasteve të keqpërdorimeve ka ndodhur në vitin 1956, dhe ky vit ka të bëjë me aksionin e mbledhjes së armëve.
Janë shqyrtuar të dhënat lidhur me vrasjet, vetëvrasjet dhe lëndimet e rënda trupore sidomos në rajonet e Pejës, e Gjakovës, pastaj në territorin e Skenderajt e të Prizrenit, e në fund është në terrenin e Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Podujevës, Rahovecit, Vitisë, e Kamenicës.
Tani për tani është vështir të vlerësohet se a janë të paraqitura të gjitha rastet lidhur me keqpërdorimet e organeve të sigurimit të shtetit.
Rastet e caktuara dhe ankesat për këtë lloj keqpërdorimi kryesisht ishin të drejtuara kundër 26 personave nga shërbimi i sigurimit të shtetit, të cilët mund të ishin fajtor për të gjitha këto vrasje apo vetëvrasje, për të cilat në disa raste nuk ka të dhëna të mjaftueshme, çka do të thotë se duhet hulumtuar dhe grumbulluar të dhëna shtesë për të ardhur deri te e vërteta se kush në të vërtet është fajtor për vrasjen apo vetëvrasjen e personit.
Në mesin e të dhënave të gjertanishme për individët që kanë kryer vepra penale nga Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, për të cilët është verifikuar se me keqpërdorimet e tyre në këtë apo atë mënyrë kanë ndikuar në vdekjen apo në lëndimet e qytetarëve, në mënyrë direkt apo indirekte nëpër mes të nëpunësve të tyre apo bashkëpunëtorëve, ka dy (2) ish naqallnika të sekretariatit të punëve të brendshme të rretheve, dhe tre (3) naqallnika të shërbimit shtetëror, rreth 11 operativistë, 2 komandira të policisë dhe disa policë.

Në bazë të ngritjes së dyshimeve dhe dokumenteve të tyre tani mund të thuhej, se të gjitha ato raste meritojnë që me një kujdes të veçantë të shqyrtohen veç e veç, të grumbullohen të dhënat e bollshme, poqese paraqitet nevoja edhe nga vetë anëtarët e komisionit, e diku edhe nga personat të cilat do i caktonte komisioni. Në rastet që komisioni mendon se janë të përfunduar duhet caktuar organet përkatëse që të merren me to.
Vështirësitë rreth hulumtimit të rasteve
Është mase e domosdoshme që paraprakisht të tregohet në vështirësitë e hulumtimit të rasteve të vrasjeve dhe të keqpërdorimeve të shumta. Sidomos janë paraqitur shumë vështirësitë tek ato raste që është dashur me u ngrit ndonjë procedurë penale. Atje ku ka pasur keqpërdorime me pasoja të vrasjeve, normalisht se ata persona edhe fshehjen e tyre e kanë bërë në mënyrë perfide. Pastaj ka pas edhe presione të caktuara tek personat që sadopak kanë ditur për ngjarjen që kurrë të mos flasin për ngjarjen apo të ecurisë së keqpërdorimit. Në të shumtën e rasteve ku ka ndodhur vrasja, kryesisht dhe asnjëherë nuk është kryer obduksioni i kufomës. Por, poqese organet kompetente edhe kanë kryer obduksionin atyre asnjëherë nuk iu ka shkua në mendje ka mundësi që ato vrasje t’i ketë kryer organi i sigurimit të shtetit.
Duhet theksuar, se nga koha kur ishte kryer vrasja kishte kalua një periudhë e caktuar kohore, dhe është shumë e vështir të zbulohen të vërtetat. Disa persona nga keqtrajtimet që iu kishin bërë personat e organeve të sigurimit të shtetit, pas një kohe kishin vdekur në shtëpitë e tyre. Dhe ishte shumë e vështirë që të zbulohen rastet e tilla ngase ata nga frika asnjëherë nuk kishin kërkua ndihmën e mjekut, nuk kishin historikun e sëmundjes, dhe nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm për të dëshmuar për lëndimet serioze trupore të tyre. Veçanërisht ishte vështir të dallosh lidhjen në mes maltretimit të personit dhe vetëvrasjes së personit që ndodhte më vonë, e sidomos kur vetëvrasja kishte ndodhur jashtë burgut dhe larg vendit ku kishte ndodhur maltretimi apo rrahja e personit. Në disa raste organet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror kishin deklaruar se iks personi kishte ikur për Shqipëri, ndërsa pas diskutimeve të hapura po delte krejt e kundërta dhe si e pavërtetë, se personat që i kishin paraqitur se të ikur, në të vërtet organet e sigurimit i kishin vrarë dhe i kishin zhdukur zajeve e përroskave.
Këto raste dhe raste të tjera të ngjashme ishte shumë te vështir që të zbulohen, por ngelet detyrë e të gjithë atyre që merren me zbulimin e këtyre rasteve që të jenë të kujdesshëm, të ndërgjegjshëm dhe të durueshëm që me përkushtim të punojnë për zbardhjen e këtyre rasteve.
Sipas të dhënave duhet të thuhej se me këtë rast nuk është marr kurrfarë mase ndëshkuese ndaj personave që kanë kryer rrahje dhe mbytje të qytetarëve. Nga të gjitha rastet e shqyrtuara që gjerë më tani iu kanë paraqitur komisionit, vetëm në dy raste 4 persona të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror janë nxjerr para gjyqit, prej të cilëve njëri prej tyre ka qenë i dënuar me 4 vjet burg të rëndë për vdekjen e tij të shkaktuar nga rrahja e madhe. Ndërsa në dy raste, janë dënuar 3 veta në mënyrë simbolike edhe pse personat kishin vdekur nga rrahja dhe maltretimi vetëm e vetëm se ai nuk kishte dëshmua rrejshëm para gjyqit.. Por është për tu çuditur edhe pse e kishin mbytur njeriun, nëpunësit edhe më tej kishin ngelur në vendin e njëjtë të punës të SHSSH. Udhëheqësit e Sigurimit Shtetëror, edhe pse punëtoret e tyre kryenin krime, megjithatë, ata nuk i ndjekshin kriminelët, por u angazhonin që ata mos të ndjekëshin penalisht dhe të mos dënohen, ose atyre t’iu shqiptohen masa simbolike të dënimeve.
Duke i rrumbullakuar të dhënat e grumbulluara për vrasje, vetëvrasje dhe për lëndime të rënda trupore, shumë nëpunës të SHSSH u dyshuan se kishin kryer vepra penale ndaj qytetarëve duke i vrarë e detyruar që të bënin vetëvrasje në mënyra të ndryshme dhe rrethana të pasqaruara.
Ka disa operativist që tani janë zbuluar se kanë kryer dy e më tepër vrasje ndaj qytetarëve, në kohën e mbledhjes së armëve, ose edhe në raste tjera. Bile në disa raste punëtoret e sigurimit, kanë detyruar të tjerët-bashkëpunëtoret e tyre që ti kryenin vrasjet duke iu dhënë privilegje apo edhe duke mos i ndjekur për vepra të tjera penale që i kishin kryer ata. Pas Plenumit të Brioneve ishte marr i njëjti vendim se edhe ndaj atyre që kishin qenë dorë e zgjatur e sigurimit të merren masa për ndjekjen e tyre penale dhe të marrin dënimin e merituar. Edhe në rastet tjera, kushdo që zbulohet se ka kryer një apo ma shumë vrasje e ka përdorur dhunë duhet të merren masa përkatëse.
Në shumë raste, ende ekziston dyshimi se kush i ka kryer vrasjet, mu për këtë komisioni bënte apel se çdo kush din diçka më tepër për rastet është e mirë që të lajmërohen, të dëshmojnë dhe të merren masat e caktuara me ligj.
Po të donin organet e ndjekjes, mjaftonte një deklaratë apo një ankesë e verifikuar mirë që ndaj personit të merreshin masa, por edhe pas kësaj kriminelet ecnin lirshëm nëpër qytetet pa pasur as frikë e as vrarje të ndërgjegjes për krimet e bëra.
Nga disa organe të SSH kishte shumë të dyshuar për vrasje, por ata paraqitnin argumentet e tyre duke gjetur njëmijë arsyetime përse ishin kryer ato.
Kriminelet kishin dëshmuar se vrasjet i kishin kryer me urdhrin apo me lejen e udhëheqësit të tyre në tërë Kosovën. Pastaj ka pasur shumë likuidime se ka ekzistuar e dhëna se ata po bëheshin gati për tu arratisur, prandaj me bashkëpunimin në mes të bashkëpunëtorëve në terren kishin ngritur prita dhe në prita kishte pasur shkrepje armësh, njerëzit edhe ishin vrarë. Pastaj gjatë aksionit të armëve, shumë qytetar e kishin pësua edhe me jetë. Kishte ndodhur në shumë raste kur me dhunë organet e sigurimit kanë dashur të vijnë deri tek dëshmitë e rrejshme, ata nuk kanë pranuar dhe iu kanë shkaktuar lëndime trupore, ku pas largimit nga lokalet e policisë ata edhe kanë vdekur. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, pas torturave të padurueshme dhe pas kërkesës së hetuesve se duhet të paraqitet përsëri në zyrat e sigurimit, ata kanë bërë vetëvrasje. Një numër tjetër i qytetarëve për tërë jetën kanë ngelur me pasoja nga rrahjet që i ka rrahë policia.
Aksioni për mbledhjen e armëve
Në deklaratat e qytetarëve të cilët i kanë dhënë dhe të cilat janë përpunuar nga ana e anëtarëve të komisionit dhe materialet e bisedat në terren, më së shumti del se janë kritikuar dhe që kanë tejkaluar kompetencat e sigurimit të shtetit ka qenë periudha e aksionit të mbledhjes së armëve.
Ankesat e qytetarëve që kanë ardhur nuk janë verifikuar, por janë shqyrtuar dhe janë marr parasysh ashtu sikurse i kanë paraqitur qytetaret, megjithatë mund të konstatohet se edhe pse aksioni ka ndodhur para 10 viteve, vetë ngjarja ka lënë pasoja dhe gjurmë të pashlyera.
Qërimi i hesapeve ndaj qytetarëve nga ana e organeve të sigurimit, tek popullata ka krijuar mosbesim ndaj organeve në veçanti dhe ndaj pushtetit në përgjithësi. Edhe sot, pas tërë kësaj që ka ndodhur, ende në popull ekziston frika dhe mosbesimi sa qytetaret kur dërgojnë ankesa i shkruajnë dhe i dorëzojnë në mënyrë anonime. Në shumë letra që i kanë dërguar qytetaret, ata thonë se e din që nuk është mirë që letrat po i dërgojnë pa emër, por kërkojnë falje, duke pohuar se ende kanë frikë nga organet e sigurimit.
Dhuna e përdorur ndaj qytetarëve
Në shumë letra dhe në shumë biseda tregojnë qytetaret se në fshatra janë blerë e stër blerë pushkët vetëm e vetëm që të dorëzonin në kohë pushkën e kërkuar nga organet e sigurimit. Ka ndodhur se me dhjeta herë e njëjta pushkë është dorëzuar e pastaj e njëjta është shitur nga bashkëpunëtorët e UDB-es dhe përsëri është dorëzuar në polici, kështu në fatkeqësinë e popullit shqiptar, policia serbe është pasuruar.
Aksioni i armëve është shfrytëzuar edhe si qërim hesapesh në mes të bashkëpunëtorëve të sigurimit ngase në mënyra tjera nuk kanë pasur mundësi që të hakmerren.
Një aksion i tillë jo ligjor dhe antinjerëzor ka ndikuar që organet e Sigurimit të Shtetit dhe të UDB-es kishin humbur besimin tek populli e kjo duket qartë tek ankesat dhe deklaratat e qytetarëve, ku me çdo kusht kërkohet që nëpunësit e sigurimit të merren gjithsesi në përgjegjësi. Po ashtu nga deklaratat e njerëzve duket se një numër i madh i komandimeve dhe policisë të cilët kanë keqpërdorur pozitën e tyre janë të urryer dhe kërkohet që të dalin para drejtësisë.
Metodat e maltretimit ishin të ndryshme, duke filluar që për çdo ditë janë thirrur në stacion të policisë, fyerjet e ndryshme, kërcënimet e shumta, flakareshat në vende publike e në zyra, mbajtja e tyre në vende të ftohta, qëndrimet në ujë të akullt e deri tek rrahjet e rënda që kanë sjell me dhjeta persona në vdekje, vetëvrasje, dhe arratisje përtej kufirit- në Shqipëri, Bullgari e Greqi.
Një person anonim, i cili në ankesën e tij tregon torturat të cilat i ka përjetua nga ana e policisë së Pejës, ngase ai thotë se është nga Rugova. Ai dëshmon se nuk ka pas person që nuk është malltretuar nga organet e sigurimit, ata janë rrahur aq shumë sa nuk kanë mundur të qëndronin në këmbë, i kanë detyruar që të zbathur të shëtisin dhe të rrinë në borë. Nga rrahjet e shumta 4 fshatar të tij kishin vdekur, një tjetër duke mos mundur më të duronte rrahjen ishte detyruar që të hidhej nga një kërsh dhe të mbytej, por për fat kishte shpëtua dhe më vonë e kishin dërgua në spital, por doli nga aty me pasoja të mëdha. Ndërsa 10 fshatar të tjerë duke mos mundur të duronin torturat nga organet e sigurimit ishin detyruar që të iknin për Shqipëri duke lënë tërë familjet në mëshirën e gjakpirësve.
Ka pasur shumë raste, kur organet e sigurimit i kanë pasur duart plotësisht të lira dhe nuk kanë zgjedhur mjetet për torturat ndaj qytetarëve. Askujt nuk i kanë dhënë llogari për veprat e tyre dhe me të madhe kanë pasur përkrahjen dhe mbështetjen e shefave të tyre. Në terrenin e Skenderajt kur një fshatar nuk ka pranuar se kishte pushkë, ia kanë sjell edhe gruan aty dhe para saj e kanë rrahur, pastaj për ta frikësua gruan kanë shti me armë, duke i thënë tani burrin do ta vrasim, nga kjo skenë makabre gruaja është çmendur dhe pas tri javëve ka vdekur.
Nga 121 ankesa që janë shqyrtuar, pasojat e aksionit të mbledhjes së armëve kanë përfunduar me 16 vdekje, 2 vetëvrasje dhe 11 raste me lëndime të rënda trupore.
VIJON …
_______________________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (23)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10041

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura