PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: SHTYPI I HUAJ PËR NGJARJET E VITIT 1981 NË KOSOVË (38)

Pashtriku, 27 korrik 2020: Shtypi i Gjermanisë Lindore për demonstratat e vitit 1981
Mjetet e informimit të RDGJ, i dhanë shumë pakë rëndësi ngjarjeve në Kosovë. Gjatë tërë kohës kishin publikuar vetëm dy lajme: Dy paraqitje të shkurtra të Stane Dollancit në konferencën për shtyp me gazetar të huaj dhe informatën nga Plenumi i KQ të LKJ-së. Karakteristike është se këto lajme i ka botuar javorja “Horizont”, i cili ishte shumë pak i lexuar tek popullata. Në biseda interne, gjermanet e këtij shteti jepnin këto arsyetime për këtë lloj publiciteti në shtypin e tyre: Gjermania Demokratike nuk donë të përzihet në punët e Jugosllavisë në raport me shtetet tjera, këtë nuk e kemi bërë as në kohët më të vështira kur ishin polemikat në mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë” ishte arsyetimi i tyre.

Shtypi i Rumanisë për demonstratat e shqiptarëve
Shtypi Rumun gjatë tërë kohës sa zgjatën demonstratat në asnjë mënyrë nuk kishin regjistruar ndonjë lajm për ngjarjet në Kosovë thuhej në informatën e KQ të LKJ-së. Një qëndrim i tillë i Rumanisë mund të shpjegohet nga arsyet e brendshme të shtetit rumun dhe arsyeja tjetër ishin shkaqet e pakënaqësisë të pakicës hungareze në Rumani. Anëtarët e Partisë Komuniste u informonin për ngjarjet në Kosovë nëpër mes buletineve interno, por vetëm deri tek niveli i sekretarëve të rretheve.
Informimi i opinionit të gjerë në Vendet e Painkuadruara
Vendet e Painkuadruara kanë dhënë një publicitet të kufizuar ngjarjeve në Kosovë. Në disa vende informimi është bërë nëpër mes të informatave të shkurta të marra nga agjencitë e perëndimit, por kryesisht me përmbajtje korrekte, por në disa edhe nuk ka pasur asnjë informatë për ngjarjet në Kosovë.
1) Kjo paraqitje dhe ky raport ndaj ngjarjeve në Kosovë të sjell në përfundime se shumë vende të painkuadruara nuk e kishin krejt të qartë se çfarë qëllimesh kishte irridenta shqiptare, dhe nuk donin që me shkrimet e tyre të lëndonin Jugosllavin. Është interesant se nën 2. Asnjëherë nuk erdhi deri tek ndarja në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, megjithëse në disa shtete të painkuadruara publicitet kishin pasur edhe qëndrimet e shtetit shqiptarë.

Informimi i shtetit indian për ngjarjet në Kosovë
Në disa vende të painkuadruara sikurse që ishte India, në kohët e fundit shumë pak shkruhej për Jugosllavinë. Duke informuar për ngjarjet në Kosovë, shtypi indian raportonte shumë shkurt dhe ato informata të marra kryesisht nga agjencitë e huaja perëndimore duke vu në spikamë disa të dhëna, por duke mos treguar pse kishte ardhur deri tek demonstratat. Mënyra jo objektive e raportimit për këto ngjarje të Kosovës dhe për situatën e përgjithshme politike në Jugosllavi kishte shkrua gazeta “Hindu” e cila thoshte se trazirat në Kosovë janë “ protesta të studentëve për nivelin e ultë të standardit jetësor të një pjese të popullatës dhe kundër jetës luksoze të funksionarëve partiak”.
Edhe Kuba komentonte demonstratat studentore të shqiptarëve në Kosovë
Ngjarjet në Kosovë morën dukshëm, por edhe njëanshëm publicitet, dhe duke u bazuar në shkrimet e publikuara në mjetet e informimit në Kubë, ashtu që në bazë të shkrimeve nuk mund të diheshin shkaktarët pse kishte ardhur deri tek trazirat. Gazeta partiake “Granma” kryesisht sillte të dhënat jugosllave për situatën tepër serioze, numrin e të lënduarve etj. Por edhe informatat e agjencisë së lajmeve shqiptare ATA. “Granma” nuk raportonte se situata në Kosovë ka fillua të qetësohej dhe as për gjykimin e Jugosllavisë për elementin kontrarevolucionar. Qëndrimi tendencioz ndaj Jugosllavisë duket edhe në të dhënat e pasakta që jepte shkruante dokumenti i KQ të LKJ-së, se ata citonin parcialisht të dhënat që jepnin burimet jugosllave dhe shkaqet pse kishin ndodhur trazirat dhe kryesisht arsyetimi ishte se ishin shkaqet ekonomike që kishte ardhur deri te këto (“Bohemija”). Në mjetet e informimit askund nuk përmendej se ishte e përzier Shqipëria në ngjarjet e Kosovës. Megjithatë në bisedat interne, kubanët theksonin se është normale që Shqipëria ka qenë e detyruar që të përzihej, se nuk ka mundur të injoroj “situatën në të cilën jetojnë një milion shqiptar në Jugosllavi”.
Edhe Egjipti shkruante për pakënaqësitë e shqiptarëve në Jugosllavi
Shtypi egjiptas nuk kishte informuar gjerësisht për ngjarjet në Kosovë, por në informatat e publikuara kishte qëndrim jo objektiv ndaj Jugosllavisë. Gazetat “Al ahram” dhe “Al musavar” shkruanin se këto ngjarje “janë shenjë e keqe për shkatërrimin e sistemit jugosllav” dhe se “Jugosllavia ende jeton nën frikën për humbjen e liderit të saj Tito”. Por komentin më armiqësor për ngjarjet në Kosovë e kishte publikua “Video press servil” i Kajrosë duke shfrytëzuar të dhënat e ambasadës shqiptare.
Përfaqësitë diplomatike shqiptare në mënyrë ofensive vepronin në vendet e painkuadruara duke bërë distribuimin e materialit propagandues, megjithëse nuk kishin hasur në përkrahje zyrtare. Në këtë drejtim Shqipëria nuk kishte arritur që të bëjë ndonjë shpërthim propagandistik se në vendet e të painkuadruarve mendohej se ngjarjet në Kosovë do e sjellin në pyetje integritetin jugosllavë, por në masën më të madhe të këtyre vendeve mbretëron disponimi se Jugosllavia duhet të mbetet vend stabil i Vendeve të Painkuadruara.
Mjetet e informimit kinez mbanin një qëndrim balancues lidhur me ngjarjet në Kosovë
Mjetet e informimit kinez vetëm pakë por në mënyrë korrekte informonin opinionin për ngjarjet në Kosovë. Në fillim gazeta kineze iu shmangeshin që të sjellin në lidhje RP të Shqipërisë në lidhje me këto ngjarje si dhe të shkruajnë për ashpërsinë e marrëdhënieve jugosllave-shqiptare. Por mbas vemjes së eksplozivit në ambasadën jugosllave në Tiranë, shtypi kinez gjithnjë e ma shumë zbulonte rolin e Shqipërisë në këto ngjarje. Qëndrimet jugosllave i paraqiste në këtë mënyrë e cila i luftonte aktivitetet propagandues të Shqipërisë.
Jugosllavia jep karakteristikat e strategjisë propaganduese të Shqipërisë:
Eskalimi i propagandës shqiptare antijugosllave lidhur me ngjarjet në Kosovë zbuloi në mënyrë eksplicite strategjinë e qëllimeve të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Karakteristikat elementare të propagandës shqiptare ndaj Jugosllavisë ishin (vazhdimisht sipas dokumentit):
1. Përgatitjen e vazhdueshme për një kohë të gjatë dhe të përpunuara mirë për paraqitjen propaganduese dhe shfrytëzimin e shtrembërimit të të dhënave historike;
2. Porosit propagandistike ishin të formuluara aq mirë që të arrinin efekte shumë të madh tek populli shqiptarë në Kosovë, gjë që tregon aftësinë e propagandës shqiptare që maksimalisht të adaptohej në shfrytëzuesin e informatës;
3. Sulmet propagandistike në fillim të ngjarjeve në Kosovë u lançuan herë pas here, që më vonë të kalojnë në një fushat në të cilën do të përfshihen të gjitha temat që lidheshin me Jugosllavinë dhe me marrëdhëniet jugosllave-shqiptare.
4. Shqipëria ka zhvilluar një aktivitet të gjerë në aspektin ndërkombëtar me qëllim të ndërkombëtarizimit të problemit dhe diskreditimit të Jugosllavisë;
5. Veprimtaria propaganduese në Shqipëri në mënyrë sinkronizuese vepronte bashkë me zhvillimin e veprimtarisë kontrarrevolucionare në KSA të Kosovës.
6. Qëllimi i Shqipërisë ishte që ti ofrohet përkrahje e plotë irredentizmit dhe kontrarevolucionit shqiptarë në Kosovë dhe të tentohej destabilizimi i shtetit jugosllav vetëm për të realizua pretenzionet territoriale ndaj SFRJ dhe “bashkimit të gjithë shqiptarëve”.
Për tu realizua kjo strategji e qëllimeve të Shqipërisë në propagandën e vet u angazhua që:
– të nxis nacionalizmin e irredentizmin shqiptarë në Kosovë, të nxis trazira dhe të akuzonte “udhëheqjen serbe” për “shovinizëm dhe gjakderdhje” dhe gjithashtu dëshironte të nxiste përçarjen në mes kombeve e kombësive në vend;
– të diskreditojë sistemin vetëqeverisës socialist dhe politikën e të painkuadruerve të Jugosllavisë, të tregonte për situatën ekonomike të vendit si shumë të vështirë dhe se zgjidhja e problemeve nacionale ta gjykonte plotësisht si të gabuar;
– të krijoj përshtypje për “politikën e rrejshme të fqinjësisë së mirë që udhëheq Jugosllavia”, në të vërtet ajo vet ka udhëhequr politik dyfëtyrshe ndaj Jugosllavisë, duke trumbetuar se ajo angazhohej për marrëdhënie të mira fqinjësore, por vazhdimisht dhe në mënyrë konstante është përzier në punët e brendshme të vendit tonë dhe ka nxitur aktivitete armiqësore;.
Perfiditeti i politikës dhe i propagandës shqiptare pasqyrohet në të, se Shqipëria është angazhuar që para opinionit botëror të krijoj përshtypje se nuk përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, dhe se fajin për keqësimin e marrëdhënieve jugosllave-shqiptare fajin e kishte Jugosllavia. Në vijën e diskreditimit të Jugosllavisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria tentonte që të “ndërkombëtarizonte “problemin e Kosovës”. Për këtë në Tiranë u lançua teza për “tendencën e shovinizmit serbomadh dhe hegjemonistët sovjetik” që të akuzohej Jugosllavia si faktor destabilizimi në Ballkan.
Edhe pse Shqipëria ishte e izoluar, propaganda shqiptare kishte arritur që të depërtonte në botë. Qëllimet e saja që të diskreditonte Jugosllavin në mes të shteteve të painguadruara nuk patën rezultate të dukshme, por arriti që të ketë efekte pozitive në perëndim, kështu që në disa rrethe nuk e dinin se pse Kosova nuk mund të bëhej Republikë. Për të arritur këtë qëllim Shqipëria kishte nxitur demonstrata antijugosllave të emigracionit shqiptar. Shqipëria nuk u gjykua edhe pse kishte nxitur veprimtari terroriste kundër Jugosllavisë dhe qytetarëve të saj në botën e jashtme.
Edhe pse ditëve të fundit duket qartë se po bije intensiteti i propagandës shqiptare (kështu mendonin jugosllavët), Shqipëria reagon për çdo ditë, me më pakë argumente por edhe me argumente kontradiktore, thuhej në informatën analitike, dhe duhet pritur që ajo mund të vazhdoi fushatën antijugosllave, vazhdonte më tej dokumenti. Për këtë është e domosdoshme, porositnin pushtetarët jugosllav, që në mënyrë të përgatitur mirë, të organizuar e të matur të reagojnë kudo që është e mundur. Për këtë qëllim formuan dy grupe punuese pran KQ të LKJ dhe Qeverisë Federale të Jugosllavisë për të orientuar dhe programuar veprimtarin informative-propagandistike ndaj Shqipërisë dhe të tjerëve.
Dokumenti ishte “Top sekret” dhe iu dorëzua: Anëtarëve të Kryesisë të KQ të LKJ-së; Anëtarëve të Kryesisë të RSFJ-së; Sekretarëve ekzekutiv të KQ të LKJ-së; Sekretarëve ekzekutiv të Komiteteve Krahinore dhe Arkivit të KQ të LKJ-së.
VIJON …
__________________
Referenca:
1. Me këtë rast është dhënë arsyetimi si gjithmonë se nuk kemi të dhëna për ngjarjet në Jugosllavi: ose nuk është shkruar, ose shkrimet nuk janë evidentuar nga ana e korrespodentit të Tanjugut apo nga ambasada.
***
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: SHTYPI I HUAJ PËR NGJARJET E VITIT 1981 NË KOSOVË (37)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10313

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura