PROF.DR.SABILE KEҪMEZI BASHA: DËSHMIA HISTORIKE E NJË LIBRI – KONTRIBUT I MEMORIES SË KOMBIT

Prishtinë, 05. 02. 2015 – (Mehmet Hajrizi & Gani Syla, “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2014) – Okupimi shekullor i Kosovës, dhuna e terrori sistematik i pushtetit, ngritur në sistem, kishin ndikuar që populli i robëruar shqiptar në Jugosllavi të marrë masa dhe të rezistojë në forma e mënyra të ndryshme. Lëvizja Kombëtare Shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit (1878) kishte një program të definuar politik dhe angazhim për ruajtjen e tërësisë së tokave shqiptare. Andaj edhe në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur formohet organizata ilegale atdhetare “Grupi Revolucionar”, drejtuesit e saj vlerësuan drejt momentin historik për t’u dalë zot tokave shqiptare që kishin ngelur nën okupimin serb e jugosllav më 1945. Qëllimi i kësaj organizate ishte organizimi dhe lufta e vazhdueshme për jetësimin e së drejtës së ligjshme, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë që do të përmbushte një aspiratë të ligjshme historike të popullit shqiptar.
Në vitet 2000-2004, kur po hulumtoja dhe grumbulloja materialet për librin “Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1990”, hasa në shumë dokumente e materiale që deri atëherë nuk i kisha parë e as dëgjuar për to. Kontakti me dokumentin origjinal, normalisht lë mbresa nga më të ndryshmet, por gjithsesi të pashlyeshme. Afërsia me një dokument të krijuar vite më parë, e sidomos kur e di se në çfarë kushte është krijuar ai dokument, pa dyshim se të përcjellë ndjesi që lidhen drejtpërdrejt me krijuesin e tij.

Ngela e mahnitur nga puna voluminoze që kishin bërë anëtarët e Lëvizjes ilegale në Kosovë. Një mal me dokumente të shkruara, trakte të panumërta, gazeta e fletushka të zbehura nga koha, që i kishte mbuluar dhunshëm pluhuri por, të tëra ato ishin thellë të ruajtura në memoriet e veprimtarëve. Kisha hulumtuar me qindra dosje të të burgosurve politikë, kisha shfletuar me mijëra faqe materialesh të ilegales. Në dosjet e ndryshme të UDB-së, kisha zbuluar dhjetëra organizata ilegale, me qindra e mijëra anëtarë, por emrat e tyre evidentoheshin vetëm në dosjet e fshehura të UDB-së dhe një pjesë e tyre në aktgjykimet e të burgosurve.
Në arkivin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, por edhe në arkivat e gjykatave tjera anekënd Kosovës, më kishin rënë në sy dhe më bënë përshtypje aktgjykimet e anëtarëve të “Grupit Revolucionar”, e më vonë të Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK), që në dosjen e tyre tepër voluminoze, përveç që prezantohej veprimtaria ilegale, në brendinë e saj kishte shumë materiale politike të shkruara me një përkushtim të madh për kohën. Veç sasisë që bie në sy në shikim të parë, këto shkrime lënë mbresa të pashlyera për gjuhën dhe cilësinë e tyre.
Në një libër kam thënë se “OMLK ishte njëra ndër organizatat më masive pas vitit 1981 dhe dallohej me një organizim të mirë dhe të shpejtë. Për pranimin e anëtarëve të rinj kriteret ishin të rrepta, nga ata kërkohej besnikëri, aftësi dhe aktivitet”.
Organizata fillimisht kishte botuar organin “Zëri i Kosovës” kurse më vonë edhe fletushkën “Pararoja”, për nevoja të brendshme të organizatës. Ndërsa, për informimin e opinionit të gjerë botonte revistën “Liria”. Veç revistave e fletushkës, anëtarët e OMLK-së shtypnin edhe materiale të tjera për nevoja të organizatës dhe për masat e gjëra. U shtypën gjithashtu edhe “Tezat mbi Frontin për Republikën e Kosovës”, esenca e të cilave ishte se të gjitha grupet dhe organizatat ilegale në vend dhe jashtë, kudo që vepronin, duhej të bashkoheshin në një front unik, me kërkesën Kosova-Republikë. Botuan edhe përmbledhjen me poezi “Këngët e lirisë” në 1. 500 ekzemplarë. Gjatë punës së vet në terren anëtarët e organizatës kishin shpërndarë mbi 3. 000 ekzemplarë të secilit numër të revistës “Liria”. Kjo revistë ishte shpërndarë edhe në shtetet perëndimore, si në Zvicër, Belgjikë, Gjermani, Austri etj.
Duhet përmendur se nga kjo organizatë u zbuluan 115 anëtarë, por me qindra të tjerë mbetën të pa zbuluar dhe vazhduan aktivitetin e tyre ilegal, duke e bindur okupuesin se nuk mund ta zhbënin Lëvizjen, sepse rrënjët i kishte në popull dhe dashuria për lirinë buron nga aty.
Edhe pse armiku trumbetonte se në radhët e ilegales nuk ka njerëz të shkolluar, e vërteta ishte krejt ndryshe, ngase struktura profesionale e të arrestuarve të kësaj organizte ishte si vijon: 12 profesorë, 42 studentë, 9 arsimtarë, 5 nxënës, 11 tregtarë, 3 gazetarë, një punëtor i SPB-së, 1 mjek, 1 bujk, 2 nëpunës, 3 mësues, 1 jurist, 1 i pa punë dhe 20 me profesione të tjera.
Për të dëshmuar se në organizatë kishte veprimtarë nga të gjitha viset ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi, po paraqes prejardhjen e tyre: 48 veta vinin nga rajoni i Gjilanit, 29 nga Prishtina, 4 nga Klina, 4 nga Kaçaniku, 4 nga Deçani, 4 nga Ferizaj, 6 nga Gllogoci, 2 nga Istogu, 2 nga Podujeva, 1 nga Peja, 1 nga Tetova, 1 nga Dibra, 2 nga Presheva dhe 3 të tjerë nga Mali i Zi e vende të tjera.
Në librin “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, që e ka botuar Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, në Prishtinë, që po e promovojmë sot, janë botuar dokumente të sistemuara të kësaj organizate, që kapin harkun kohor 1973-1982, kur edhe ka pushuar së vepruari me këtë emër.
Dy çështje të mprehta përbëjnë boshtin e kësaj organizate, që janë të ndërlidhura njëra me tjetrën:
1. Organizimi i rezistencës së popullit të pushtuar shqiptar dhe
2. Sensibilizimi ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Dokumentet e botuara në këtë vëllim plotësojnë kuadrin e përpjekjeve të vazhdueshme të drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç vihet në pah që nga kapitulli i parë “Programi politik”, duke vazhduar me çështje statutare e organizative, duke përfshirë letrat e ndryshme të dërguara nga udhëheqësit e kësaj organizate për shokët e idealit, por edhe udhëheqjes më të lartë të Shqipërisë. Është me interes të vihet në dukje fakti se në kërkesat e tyre përvijohej pika e referimit mbi të drejtën e trashëgimisë së ligjshme historike në të gjithë territorin etnik shqiptar, duke iu referuar të drejtës historike dhe strukturës etnike të popullsisë. Po ashtu në këtë libër, zënë vend dokumentet me karakter politik, pastaj janë me shumë interes traktet si dhe thirrjet që vazhdimisht duhet pasur parasysh kohën dhe rrethanat në të cilën ka vepruar dhe është zhvilluar organizata e përmendur.
Në kushte okupimi siç ishim ne, edhe veprimtaria e ilegales zhvillohej nën okupim, por djemtë e vashat më të mira të atdheut, punonin edhe kur nuk punohej dot, vepronin edhe kur veprimtaria ishte e pamundur. Duhet përmendur edhe kapitujt e tjerë si: Ekonomi; Faqe Historike; Vështrime dhe informata; Zhvillime ndërkombëtare; Art dhe letërsi, e krejt në fund vijnë Grafika ilustruese si dhe Shtojca e librit: Faksimile.
Dokumentet e këtij botimi dëshmojnë se, vendosmëria e atdhetarëve shqiptarë për t’u vënë në mbrojtje të vendit, ishte një tipar dallues i cili rrezaton si faktor efektiv nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë së kësaj organizate.
Dokumentet në këtë libër janë sistemuar në bazë kronologjike dhe tematike. Si të tilla në një libër botohen për herë të parë. Dokumentet dhe materialet janë prezantuar ashtu si kanë qenë përgatitur apo botuar, me ndonjë shkurtim të vogël redaktorial aty-këtu. Në fund të çdo dokumenti jepet gazeta apo libri se ku ka qenë i botuar, ose arkivi e fondi ku ndodhet materiali.
Fati i mirë i këtij libri është se, këtë përmbledhje me dokumente e kanë përgatitur vetë anëtarët e kësaj organizate të prirë nga zotëri Mehmet Hajrizi dhe zotëri Gani Sylaj. Besoj dhe jam shumë e bindur se me botimin e këtyre dokumenteve, po plotësohet edhe një zbrazëtirë në mozaikun e trashëgimisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si të tilla sigurisht do të nxisin kureshtjen e studiuesve të kësaj fushe për studimin dhe hulumtimin e kësaj periudhe e aq më tepër që tani të gjitha materialet janë grumbullua në një libër.
Autorët Mehmet Hajrizi e Gani Sylaj, me botimin e librit me dokumente e materiale “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, kanë bërë një vepër të madhe dhe me të drejtë mund të themi se ky libër mund të llogaritet si kontribut memories së kombit. Dokumentet e kësaj organizate, kanë edhe rëndësinë e veçantë historike, se do të shërbejnë si dëshmia më e mirë për ngjarjet e kohës.
Dhe krejt në fund, autorëve të librit, u uroj jetë të gjatë dhe punë të frytshme në vitet në vijim. Por, po e përmbyll me një porosi, që ky botim i dokumenteve të jetë shembull i mirë edhe për anëtarët e organizatave të tjera ilegale që t’i grumbullojnë, sistemojnë dhe t’i botojnë materialet e organizatave të tyre, se ato, veç rëndësisë historike, kanë edhe rëndësinë e veçantë kombëtare.
(Kumtesë e lexuar në promovimin e librit të Mehmet Hajrizit dhe Gani Sylës “Nga Grupi Revolucionar deri te Fronti i Republikës”, 29 janar 2015, i mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.)

Historija shqiptare gjatë shekullit të mesëm Dr.Sabile Keçmezi-Basha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura