TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS (26 PRILL 1915) KA HARTUAR PLANIN PËR ZHDUKJEN E SHQIPËRISË NGA HARTA E EUROPËS!

Pashtriku.org, 20. 04. 2015 – Biblioteka e Kongresit Amerikan, ka publikuar hartën e Traktatit të fshehtë të Londrës (26 prill 1915), ku është planifikuar zhdukja e shtetit shqiptar nga harta e Europës. Sipas këtij traktati famëkeq të arritur midis Fuqive të Antantës (Francës, Anglisë, Rusisë dhe Italisë: – Pjesa veriore e Shqipërise që përfshinë Malësinë në veri, në lindje Dibrën, deri në qytetin e Lezhës në perendim, dhe në jug deri të qyteti i Krujës, është skicuar t’ia japin Serbisë dhe Malit të Zi. Për më tepër Serbisë i lejohet të projektoj dhe ndërtoj linjën hekurudhore Danum-Adriatik! Greqisë është planifikuar t’ia japin pjesën jugore të Shqipërisë, ndërsa Italia ta marrë territorin jug-perendimor që përfshin Vlorën, dhe i ishullin e Sazanit. Në fund traktati parashihte themelimin e një Shteti Islamik Shqiptar (në Shqipërinë e mesme), me një territor shumë të vogël që do të mikqyret nga Italia.

===================================================


Në vazhdim lexoni shkrimin e historianit Ibrahim Gashi:

IBRAHIM GASHI: TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS (1915) DHE SHQIPËRIA

Situata ndërkombëtare në fund të shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit XX dominohej nga zhvillime mjaft dramatike në Evropën Juglindore. Këtu tashmë po vendosej fati i perandorive të shumëplakura osmane dhe hapsburge. Aktualiteti politik në Ballkan tashmë shprehte, në njërën anë, ambiciet e monarkive ballkanike për ta gjetur mënyrën e imponimit të tyre në “zgjidhjen” e së ashtuquajturës çështje lindore dhe nga ana tjetër, koncertit të fuqive të mëdha, tashmë të divergjuara në dy kampe kundërshtare (Blloku i Fuqive Qendrore dhe Blloku i Antantës), të cilat po shfrytëzonin gjithë momentet e mundshme për ta forcuar influencën dhe praninë e tyre në rajonin e Ballkanit. Në këtë ambicie influencuese u dalluan Vjena dhe Petrogradi. Epilogu i luftërave ballkanike 1912-1913 mund të thuhet se nuk i ndau plotësisht të kënaqur asnjërën nga këto dy fuqi. Rusia nuk arriti ta siguronte daljen e Serbisë në Adriatik, kurse Austro-Hungaria nuk arriti ta mbronte parimin e etnicitetit me rastin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Rrjedhimisht, rivaliteti midis këtyre dy shteteve rreth dominimit në Ballkan erdhi duke u shtuar. Serbia, eksponenti kryesor i Rusisë, me mbështetjen e kësaj të fundit, po e kundërshtonte hapur forcimin e ndikimit austriak në Bosnje. Ky rivalitet i hapur shumë shpejt do gjenerojë, siç është e njohur, paevitueshmërinë e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore nëpërmjet provokimit të rëndë me rastin e atentatit mbi trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Princin Franc Ferdinandin.
Sulmi i Austro-Hungarisë mbi Serbinë lëvizi mekanizmin e aleancave dhe lufta gradualisht, deri nga fundi i vitit 1914, mori karakter botëror. Aleancave iu bashkuan aleatë të rinj, natyrisht në bazë interesave të tyre nacionale, por pati edhe abstenim dhe rishikim pozicionesh. Italia, aleati i bllokut qendror që nga viti 1882, tani në fillim të luftës kishte shpallur asnjanësinë dhe po rikalkulonte pozicionimin e saj në anën e fuqive që i ofronin më shumë favore territoritoriale përgjatë vijës së bregdetit lindor të Adriatikut. Të gjitha burimet dhe studimet e gjeopolitikës së kohës flasin se Italia tashmë e kishte kuptuar se ishte e pozicionuar në krahun e gabuar, kur dihet se territoret që ajo aspironte ishin zonë e influencës dhe interesit të drejtpërdrejtë austriak. Rrjedhimisht, Austria dhe Gjermania ishte shumë e qartë se nuk mund të ofronin për Italinë atë që ajo kishte llogaritur.
Në këto rrethana politika dhe diplomacia e Romës, nën vellon e asnjanësisë, kishin filluar negociata me të dy palët, duke e ngritur kështu lartë e më lartë çmimin e marrëveshjes së aderimit në kuadër të njërës apo palës tjetër ndërluftuese. Kërkesa kryesore e Italisë në këto negociata ishte e përqendruar në sigurimin e një pozite dominuese në Shqipëri, duke kontrolluar pjesën më të madhe të bregdetit dhe një pjesë të konsiderueshme të hinterlandit. Madje, duke qenë akoma në pozita asnjanëse, nga fundi i dhjetorit 1914, Italia e pushtoi Vlorën. Më këtë veprim ajo e ndërgjegjësoi Rusinë se në copëtimin e territoreve shqiptare nuk mund të përfitonin vetëm shtete fqinje ballkanike, por duhej llogaritur edhe Italia. Vet Cari i Rusisë, i kërrusur mbi një hartë të Ballkanit, po i dëftonte ambasadorit të Francës në Petrograd planin mbi copëtimin e Shqipërisë midis Italisë dhe fqinjëve ballkanikë.
Vetëm disa muaj më vonë, më 29 mars 1915, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan në vija të përgjithshme pajtohej më atë të Rusisë, Franca dhe Britania nuk patën arsye për ta kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte krijuar. Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë, u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës më 26 prill 1915.
Pikat kruciale të traktatit që cenuan territorin shqiptar përmblidheshin në nenin 6 (“Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor mjaftë të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërsisht deri në kufirin verior të Himarës, në jug”)., dhe nenin 7 (“…poqë se pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të ketë kundërshtim që pjesët veriore dhe jugore të ndahen midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, poqë se për këtë pajtohen edhe Franca, Britania dhe Rusia…. Italia do të ngarkohet të përfaqësoj Shqipërinë në marrëdhëniet e saj më botën e jashtme”). Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës e pranuan traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë (Neni 16). Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, ashtu siç e përcaktonte neni 2, Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.
Rrjedha e luftës dhe veçmas epilogu i saj, me fitoren e fuqive të Antantës mbi fuqitë e bllokut Qendror, e bënë traktatin e fshehtë të Londrës shumë aktual. Italia në mbarim të luftës kishte zotëruar dhe po mbante të pushtuar Vlorën dhe një pjesë të hinterlandit shqiptar. Në këto rrethana e ardhmja e Shqipërisë ishte shumë e kërcënuar. Rreziku i copëtimi po bëhej imanent. Fillimisht Konferenca e Paqes e Parisit, madje nuk po e diskutonte fare si çështje në vete, por vetëm në kuadër të së ashtuquajturës “Çështje të Adriatikut”, e cila do të zgjidhej nëpërmjet një marrëveshje midis Italisë, Greqisë dhe Serbisë. Degradimi i tillë i çështjes shqiptare në konferencë po përcaktohej si obligim i fuqive fituese që buronte nga Traktati i fshehtë i Londrës.
Në rrethanat e krijuara, situata paraqitej e pashpresë për shqiptarët. Ata duhej të bënin diçka të ngutshme, për ta kthyer rrjedhën e ngjarjeve në favor të tyre. Natyrisht vendimet historike ndodhen. Thirrja e Kuvendit të Lushnjës dhe fillimi i luftës për çlirimin e Vlorës, si dhe puna lobuese e mërgatës shqiptare në Amerikë, pranë administratës dhe presidentit Uilson i frenuan ambiciet e shteteve ballkanike dhe të Italisë që të ricopëtonin hapësirën etnike shqiptare, me tendencë të pengimit të krijimit të çfarëdo shteti shqiptar.
***
Nga retrospektiva 100 vjeçare vërejmë se traktati i fshehtë i Londrës mbetet një nga elaboratet me famëkeqe që parashihte copëtimin e Shqipërisë edhe ashtu të cunguar në Konferencën e Londrës më 1913. Për fat të mirë, falë veprimeve dhe rrethanave të sipërthëna, ai nuk u jetësua, por në memorien historike të shqiptarëve ngelet si një thikë e drejtuar që kërcënoi fort, por nuk u ngul në trupin tonë.

 

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura