Prishtinë, 12. 04. 2015 – (2. 10. Nga shtypi i huaj) – Në faqet e gazetës, veç shkrimeve që i shkruanin autorët shqiptar, por për hir të situatës së rëndë politike ishin të detyruar që të fshiheshin prapa emrave të imagjinuar ose prapa pseudonimeve që i merrnin vet, dhe që për to dinin një grup i vogël njerëzish, në gazetë ndodhte shpesh që kah fundi i saj mund të hasësh edhe në shkrimet që ishin të marra nga shtypi i huaj, në të cilat bëhej fjalë për situatën në Kosovë.
Në këtë faqe mund të gjesh shkrime nga gazetat e ndryshme botërore siç ishte shkrimi “Për një grusht dollarë”, e huazuar nga Buletini Financiar i Londrës. Në mes tjerash në të shkruanin se funksionarët më të lartë të Jugosllavisë momentalisht gjenden në disa kryeqytete të Evropës perëndimore, e do të shkojnë edhe në Tokio, me shpresë se kanë për të mbledhur një ndihmë prej tre miliardësh dollarë. Qeveria jugosllave ka bërë një strategji paushallë për këtë fushat të lypjes së kredive. SHBA, Gjermania Perëndimore, Franca, Japonia, dhe Lindja e Mesme – për të gjitha këto vende veç e veç Beogradi ka përcaktuar shumën e kredisë që pret prej tyre shkruan gazeta.
Ndërsa në shkrimin “Burgosjet masive në Kosovë”, marr nga gazeta kroate “Hërvatski List” që botohej nga emigracioni kroat në Suedi, thuhej se: Gazetari gjerman Rullman informon në të përjavshmen e tij “Ost-Dienset” se në Kosovë janë bërë burgosje masive të shqiptarëve në të gjitha qendrat e rëndësishme si Prishtinë, Mitrovicë, Vuçitërnë, Prizren, Gjakovë, Gjilan etj. Për të informuar opinionin e gjerë gjerman se Pushteti jugosllav i mbajti sekret këto burgosje, por kur lajmi arriti në shtypin e huaj, “Politika” e Beogradit mori urdhër të shkruante se janë burgosur vetëm 50 shqiptarë, që do të dilnin para gjyqit. Por, ky numër nuk është pesëdhjetë, veçse dy mijë, dhe të burgosurit janë akuzuar për “kominformizëm” dhe irredentizëm (lëvizje çlirimtare). Duke shkruar për kominformizmin, “Politika”, pretendonte ta zbusë jehonën e lajmeve sensacionale në perëndim, po e vërteta është se të burgosurit janë të akuzuar për lëvizje çlirimtare. Pjesa e tyre më e madhe janë intelektual, punonjës të fakultetit, të shkollave të mesme etj.
Kjo dëshmon se lëvizja çlirimtare për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar po zgjerohet me hov të madh. Por, mjafton edhe vetëm kjo aferë politike që qeverisë së re jugosllave t’i dalin kokëçarje të mëdha , shkruan gazeta kroate “Hrvatski List” në Suedi.
Në vazhdim komenton gazeta “Lajmëtari i Lirisë” se burgosjet sensacionale të shqiptarëve në Kosovë, gjithashtu edhe në viset të tjera, madje edhe në Serbin e ngushtë, në B e H dhe në Kroaci, tregojnë se qeveria e re po ndihet e pasigurt pas Titos. Në Mitrovicë është burgosur një klasë e tërë nxënësish, bashkë me profesorët. Që të gjithë këta janë shqiptarë të rinj, gjë që ka rëndësi të madhe! Në Kroaci burgosin për një fjalë goje lidhur me gjendjen politike. Të gjitha ndërtesat shtetërore dhe ndërmarrjet industriale janë ruajtur me kujdestari e me ushtri. Të gjitha këto të lënë me përshtypjen e pasigurisë, gjë që e kanë vërejtur edhe të huajt; vetëm një pjesë e madhe korrespodentësh dhe gazetarësh të prishtë nuk e vërejtën , komenton gazeta.
– Burgosjet sensacionale të shqiptarëve në Kosovë –
Ndërsa gazeta “Amnsty International” në shkrimin “Jugosllavia dhe të drejtat e njeriut”, shkruan se mospërfillja e të drejtave të njeriut në Jugosllavi bie mbi kurrizin e disa grupeve të caktuara. Grupe të rëndësishme përbëjnë nacionalistët e Kroacisë dhe ata të Kosovës. Me këtë rast duhet të kemi parasysh se në Jugosllavi ka një dallim të madh mes veriut dhe jugut… Në republikën e Kroacisë, si më parë, ka forca që kërkojnë të drejtën historike për një “Kroaci të pavarur” me gjuhë dhe kulturë të veten, dhe ato forca i kundërvihen centralizmit të Beogradit. Kundër këtyre forcave , që dalin më pak në pah pas spastrimeve të vitit 1971, ndërmerren masa rigoroze dhe ata burgosen me të madhe. Punëtorët kroat në botën e jashtme, të cilët gjoja mbajnë kontakte me emigracionin kroat, kur kthehen në Jugosllavi nxirren para gjyqit… .
Ndërsa më vonë po e njëjta gazetë tërheq paralelen se në të njëjtën situatë ndoshta edhe më të rëndë janë shqiptaret në Kosovë. Në vazhdim ajo shkruan se një nacionalizëm i llojit tjetër shfaqet në Kosovë. Nacionalistët shqiptarë kërkojnë bashkim me Shqipërinë, Titon e konsiderojnë diktator, këta janë kryesisht nxënës dhe studentë. Ndaj tyre tani së voni është ndërmarrë një valë e madhe burgimesh, të burgosurit më së shpeshti dërgohen në burgjet jashtë Kosovës…
Sikurse në vitet e më hershme por edhe në vitet e më vonshme se u dëshmua se më tepër se gjithkund në Ballkan ishte e nevojshme një stabilitet politik për hir se ishte në interes edhe të perëndimit, politikanët evropian nuk donin ta qortonin Jugosllavin për këtë mospërfillje të të drejtave të njeriut ose të protestonin kundër praktikës së kidnapimeve nga ana e UDB-es, e për të gjitha këto perëndimi kishte njohuri të mjaftueshme se çfarë po ndodhte me popullin shqiptar dhe me të tjerët në Jugosllavi.
Duke analizuar me radhë shkrimet e shtypit të huaj, hasa edhe në një shkrim që më tërhoqi vëmendje, ndërsa këtë e kishte botuar gazeta e emigracionit kroatë “Hërvatski List”, me titull “Kundërthënie shqiptare”. Në pika të shkurtra paraqet kundërthëniet shqiptare që mbretërojnë në emigracionin shqiptar. Disa grupe e shoqata që janë formuar në vitet para të pas LDB-së, kanë orientime properëndimore e djathtiste dhe punojnë në dëm të Shqipërisë socialiste. Gazeta na ofron si shembull se Mbreti Lekë në eksil paskësh përgatitur gjatë kësaj vere (1980), një invazion mbi Shqipërinë për ta rrëzuar Enver Hoxhën dhe komunizmin në Shqipëri (me siguri edhe Shqipërinë)….Ai sikur shumë shqiptarë të tjerë, nuk sheh se me një politik të tillë aq të keqe do të bëhej aleat i Beogradit dhe do ta shtynte Kosovën shqiptare edhe më shumë në prangat e Beogradit, për të vazhduar më tej se deri sa të jetë në fuqi kjo politikë: të bësh sehir sesi Serbia e terrorizon dhe e ç’faros Kosovën shqiptare, dhe në anën tjetër të përpiqesh të shembësh Shqipërinë… Beogradi do të ketë te emigracioni shqiptarë aleatin më të mirë për pacifizmin e Kosovës , përmbyll shkrimin gazeta e emigracionit kroat.
Duhet shtuar se grupi tjetër që përkrahte Shqipërinë Socialiste, dhe luftonte okupimin serb ishte gjenerata më e re, e cila e shtyrë nga dhuna e terrori kishte marr rrugët e kurbetit dhe ishte vendosur diku në shtetet e perëndimit. Të ndikuar nga demokracia dhe të motivuar që Kosovën sa më parë ta shohin të lirë, ata kishin marrë mbi vetëm detyrën e organizmit të shqiptarëve në emigracion dhe me të drejt thoshte atdhetari Jusuf Gërvalla se neve shqiptarëve dhe Kosova nuk ka nevojë për disa zëra të ngritur, por ka nevojë për një zë të fuqishëm, dhe koha e dëshmoi se e tërë kjo ishte një thënie që ndoshta edhe sot kemi nevojë që të gjithë shqiptarët kudo që jemi ti artikulojmë dëshirat tona në një kërkesë të përbashkët.
3.VAZHDON BOTIMI I I GAZETËS “LAJMËTARI I LIRISË”, NR. 3
Qysh në numrin e parë të gazetës ishte bërë njoftimi nga ana e redaksisë së gazetës se kjo gazetë do të dal njëherë në dy muaj. Kështu edhe numri i tretë i saj doli në muajt janar-shkurt të vitit 1981. Sikurse edhe dy numrat e mëhershëm, gazeta kishte të njëjtën teknik dhe po ashtu vazhdoi të nxirrej nga vëllezërit Gërvalla. Kishte të njëjtin format dhe trajtonte temat e nxehta politike të shqiptarëve dhe tokat shqiptare. Ishte e botuar në format A-4, dhe kishte po ashtu moto sikurse edhe numrat tjerë të saj “Me penë dhe me pushkë…”, që për kohën kur botohej edhe penda e edhe pushka ishin shumë të nevojshme për shqiptarët e okupuar.
3. 1. UDB-eja, “uron “ mërgimtarët për vitin e ri
Ishte viti i dytë që botohej gazeta, viti 1981. Kosova ziente nga brenda. Atdhetarët e parandienin dhe punonin me të madhe për këtë. Andaj, jo rastësisht në faqen e parë të saj është vu artikulli “Kështu na “uron” UDB-ja vitin e ri”. Autori anonim shkrimin e shkruan pasi se mërgimtarët tonë vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Por, pushtetarët mendonin ndryshe, dhe mu këto festa i shfrytëzuan që sa më shumë shqiptar të torturonin dhe ti merrnin në biseda informative. Një gjë të tillë tmerri e llahtari e përjetoi edhe vet atdhetari Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës. Ai ishte një burrë trim dhe i gatshëm për sakrifica. Atje larg në kurbet e kishte djeg malli për prindërit e familjen e tij, edhe pse e dinte se çfarë situate e rëndë po mbretëronte në Kosovë, megjithatë kishte vendosur që të vinte në shtëpi, bile pak të çmallej me të dashurit e vet. Qëllim i mirë ishte nga ana e Hysen Gegës, por edhe udbashët kishin qëllimet e tyre, dhe se një kohë të gjatë ishin përgatitur si ta fusnin Hysenin në rrjetin e tyre.
Pasi se ishte çmallur me familjaret, mërgimtari ynë takon edhe shokët me të cilët kishte evokuar kujtimet për një kohë që kishte mungua. Festa ishte kalua si kurrë më mirë në jetë, por udbashët as atë natë nuk kishin fjetur, por ishin kujdesur që në mëngjesin e hershëm të vitit të ri ta “befasonin” dhe t’ia “uronin” vitin e ri Hysen Gegës. Aty nga ora tre e mëngjesit ishte rrethuar shtëpia e Qazim Gegës. Me një tog të madh policësh të armatosur gjerë në dhëmbë. Nga udhëheqësi i togut u kërkua që të dorëzohej Hysen Gega, duke e quajtur “armikun e popullit”, dhe shtrohet pyetja athua vallë vërtet ishte Hysen Gega armik i popullit të vet? Si mund të ndodhte një gjë e tillë. Armiku i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar ishte polici që çirrej, dhe kërkonte me çdo kusht për ta burgosur djalin shqiptarë.
Në tmerrin e natës së ftohët, policia hulumtoi çdo skutë të shtëpisë dhe në fund para tytave të pushkëve kishte vënë babin dhe gruan e Hysenit. Iu treguan se janë të rrethuar dhe se kishin ardhur për ta arrestuar Hysenin në emër të popullit. Pas zhurmës e tollovisë së krijuar, Hyseni zgjohet nga gjumi dhe kur shef babën dhe gruan para tytave të pushkëve, tmerrohet. “Në emër të popullit” i bërtiti polici, “Hysen Gega je i arrestuar” Pa u trembur aspak, Hysen Gega përgjigjej: Cilit popull??? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka mallkime e ankime populli, jo për mua. Ia lidhin duart dhe e fusin në kampanjollën e mavitë. Me dhunë e futën në veturë, ndërsa nga atje u dëgjua zëri i fuqishëm i Hysen Gegës i cili thërriste ma sa fuqi që kishte: Rroftë Shqipëria, rroftë populli shqiptar, poshtë titizmi, poshtë shërbëtoret e okupatorit, dhe në anën tjetër të shtëpisë britma e vëllait Danushit theu heshtjen e natës duke thirrur sa mundi: Rroftë Shqipëria, rroftë populli i bashkuar shqiptar, dhe policia nuk hezitoi për ta arrestuar edhe vëllanë e Hysenit.
Në këtë shkrim redaksia e saj atje nga mërgimi i çonte urimet më të mira Hysen Gegës duke i thënë se Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar, po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gegaj dhe ty Danush, dhe atyre mijëra djemve të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe, që këtej po jua përcjellim edhe sihariqin, se populli po bëhet gati për t’iu marrë ju hakun. Po, po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe, – shkruan redaksia e gazetës.
Po ashtu në këtë faqe, redaksia jep edhe një informacion të rëndësishëm për lëvizjen ilegale shqiptare duke i informuar se: Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare ku, UDB-a të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur egërsisht. Me një tërbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, pushteti jugosllavë po orvatet të zhbijnë çdo filiz të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial nga ana e shovinistëve të Beogradit . Për të shprehur më vonë indinjatën e thellë dhe duke e njoftuar opinionin e gjerë se përveç vëllezërve Hysen e Danush Gegaj, kohëve të fundit u arrestuan për veprimtari “armiqësore kundër popullit e shtetit“ do të thotë për veprimtari patriotike. Edhe këta persona: Hasan Ukëhaxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s’ia dimë emrin etj. Informonte shtypi i diasporës.
3. 2. Mërgimtarët tanë festonin ditën e pavarësisë
Në një shkrim të gazetës “Më të fortë se kurdoherë”, shkruhej për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve tanë që ndodheshin në mërgim jashtë vendit shqiptar. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare. Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.
Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili fillonte me këto fjalë: Vëllezër të dashur!
Gjithçka te ky dhe, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet për rreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohët. Në qoftë se ndonjëherë edhe ndodhë të na hetojnë pran, atëherë, pranin tonë e ndiejnë si pranin e një lecke të hedhur në rrugën e madhe, dhe vërtet a ka ma trishtuese dhe me plot dhembje se sa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikoj në rrjedhat e atij vendi, kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e ditës së pavarësisë.
Pastaj, autori iu dëften të pranishmëve se si historia na la me gishta në gojë dhe në bisht popujsh të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona deshëm dhe jetën në shtetin e përbashkët kombëtare; atë që gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej motesh. Por, në vend që të sendërtohej kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e mjerim. Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit Dhe vërtet, me të drejtë thotë autori i shkrimit se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti; të na i prej rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat që për vatan e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le”
Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare si në diasporë po ashtu edhe në Kosovë.
3. 3. Konferenca e Bujanit, në faqet e “Rilindjes”
Në të njëjtën faqe (3), të gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, jepet njoftimi se si gazeta “Rilindja” në vigjilje të Vitit të Ri, në rubrikën e saj “Në ditën e sotme”, na njoftonte: “Në Bunjaj (më 1943) filloi puna tri ditësh e Konferencës së Parë Krahinore të Këshillave Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Metohisë. Në prezencën e 51 delegatëve nga të gjitha rrethet e Kosovës e të Metohisë, u zgjodh Këshilli i Parë Nacionalçlirimtar krahinor, u caktuan detyrat e tij dhe iu bë proklamata popujve të K e M, që ta intensifikojnë luftën kundër okupatorit fashist” , por, në vazhdim të njoftimit nuk jepet se çfarë kishte në atë proklamatë. Me asnjë fjalë nuk njoftohej populli për përmbajtjen e Rezolutës së Konferencës, ku thuhej se: ”Populli shqiptar, i cili me shekuj luftoi për çlirimin dhe krijimin e shtetit të vet kombëtar, si dhe pjesa e trojeve shqiptare dhe pjesa e popullit shqiptar që pat mbetur jashtë kufijve shtetëror shqiptarë, me çlirimin nga pushtuesit (fashistë, do ti realizojnë aspiratat e veta dhe do ti bashkëngjiten shtetit amë – Shqipërisë…
Autori i shkrimit mendon se kjo informatë e lëshuar në faqet e “Rilindjes”, ishte një provokim i lig i vullnetit të popullit tonë, i cili u çua në luftë ngadhënjimtare kundër fashizmit, i çliroi tokat e veta dhe u erdhi në ndihmë edhe popujve e të Jugosllavisë. Sepse, fuqitë aleate në Luftën e Dytë Botërore dhe Jugosllavia, të cilat e kishin nënshkruar Rezolutën e përmendur të Konferencës së Bunjajt, madje në cilësinë e garantuesve për realizimin e saj, e shkelën atë si të ishte fjala për një marrëveshje të parëndësishme tregtare, e jo për vullnetin e një populli të tërë, të shumëvuajtur, konstaton autori i shkrimit.
3. 4. Rinia shqiptare, Rini revolucionare
Në shkrimin “Rini shqiptare, Rini revolucionare”, më me ëndje do të thosha se është një shkrim i shkruar në formë afishe, që i drejtohet rinisë shqiptare të Kosovës dhe të viseve tjera të banuara me shqiptar në Jugosllavi. Autori me një gjuhë tjetër rinin shqiptare të Kosovës e quan edhe pararoja e popullit shqiptar, dhe kjo pararojë nëpër mes të këtij shkrimi fton në luftë për çlirimin e tokave tona të shtrenjta nga kthetrat e kralëve të rinj jugosllavë. Lufta e popullit tonë për pavarësi nuk ka pushuar kurrë asnjëherë ndër shekuj. Populli ynë dhe rinia e jonë heroike luftojnë dhe do të luftojnë deri në çlirimin e të gjitha territoreve nga shovinistët jugosllavë. Dhe për të ecur drejt kësaj rruge të shenjët, sot duhet t’ia caktojmë vetes detyrat që kërkojnë prej nesh zgjidhje dhe vazhdon autori të përgjigjej se si e vetmja rrugë, qëllim dhe detyrë e rinisë sonë liridashëse është edukimi edukativo-politikë dhe përgatitja e të rinjëve shqiptar për luftë nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera të robëruara nga klika shoviniste e Titos.
Duke i numëruar të gjitha luftërat dhe të gjitha fitoret, autori i shkrimit na prezanton tradhtinë e madhe që na bënë jugosllavët më 1945, por edhe më vonë se si udbashët na përcillnin hapa pas hapi dhe shkonin aq larg sa na ndalonin që në mënyrë legale të dëgjonim Radio-Tiranën dhe të lexonim shtypin dhe literaturën që botohej atje. Autori merr si shembull se si në kohën e fashizmit nuk lejonte të dëgjoheshin në radio emisionet e aleatëve, që informonin për gjendjen në frontet e ndryshme antifashiste. UDB-ja jugosllave nuk lejon sot (1981), të dëgjohet radioja e të vetmit vend socialist në botë, Radio Tirana… Por, mashtrohen këta zotërinj. Siç janë mashtruar të gjithë armiqtë e vjetër e të rinj përpara qëndresës sonë këmbëngule kundër vlerave dhe frymës së huaj. Rinia jonë nuk trembet kurrë nga dredhitë dhe presionet e tyre. Trimërinë dhe guximin i kemi të trashëguara brez pas brezi, kurse qëllimi i madh që kemi përpara, na bënë edhe më të pathyeshëm
Qëllimi i autorit është që të na dëftej se për ti realizuar aspiratat tona, lypset guxim, trimëri, vigjilencë, vendosmëri dhe sakrificë. E këto virtyte nuk i kanë munguar kurrë popullit dhe rinisë sonë. Lufta kundër armikut shekullor shkon krah për krah me luftën kundër shfaqjeve e dukurive të huaja, që paraqitën në mesin tonë. Indiferentizmi, pasivizmi, heshtja, ngurrimi – nuk kanë vend në luftën tonë . Shkrimi i lartpërmendur, më tepër i ngjanë një afishe të shpërndarë në popull se sa një shkrimi gazetaresk, por që flet dhe analizon dendur historinë e popullit shqiptar në tërësi.
3. 5. Kurthet dhe hendeqet e pushtetit
Për kurthet dhe hendeqet e pushtetit jugosllav, flet shkrimi në vijim “Kurthet dhe hendeqet”, por që nuk i dihet autori. Herë-herë më befason e dhëna se duke lexuar dhe analizuar shkrimet e kësaj gazete, në shkrime nuk hasi në emra dhe as në pseudonime të autorëve, dhe pyes veten, pse ky shtyp i botuar jashtë Kosove, dhe dihej se shkrimet i bënin mërgimtarët tanë, që shumica nga ata edhe kishin kërkuar azil politik, pse nuk i kanë shkruar emrat ose, pse nuk kanë shkruar me pseudonime, siç kanë bërë ilegalistët e organizatave të mëhershme ilegale.
Është e ditur se udbashët nuk vepronin vetëm në Kosovë e Jugosllavi, por kishte shumë nga ata që vepronin dhe hetonin shqiptarët që punonin kundër Jugosllavisë edhe jashtë vendi. Ishte krejt e kuptueshme, se hetuesit që gjurmonin veprimtarët, nuk u kënaqnin vetëm me masat e marra ndaj atyre, por siç dihej edhe nga shumë raste, ata për aktivitetin e tyre jashtë merrnin masa ndëshkuese edhe ndaj familjarëve që jetonin në Kosovë, dhe besoj se kjo ishte edhe arsyeja që në faqet e shumta të këtij shtypi mungojnë emrat dhe pseudonimet, vetëm se, për ti identifikuar shkrimet tani, është me shumë vështirësi.
Në shkrimin “Kurthet dhe hendeqet”, autori shkruan për veprimet e paramenduara që i bëjnë pushtetarët ndaj popullit të pafajshëm shqiptar, dhe asgjë e re do të thosha, se për kurthe, krime, shantazhe, burgosje, tortura, hendeqe, populli jonë i okupuar dhe nën pushtetin jugosllav të gjitha këto marifetllëqe i pati me bollëk. Veç këtyre kurtheve ata punuan edhe në aspektin ligjor dhe të gjitha ato padrejtësi i legjitimoi dhe i futi në sistem. Si çdo pushtues dhe si çdo klikë antipopullore, edhe regjimi i Beogradit është përpjekur e përpiqet ta përjetësojë pushtetin e vet. Pos të tjerash edhe me dispozitat ligjore. Korrekte në dukje të parë, këto dispozita, në thelb përmbajnë nene e klauzola të atilla, që kanë për qëllim realizimin e aspiratave më të erra antipopullore, antikombëtare dhe antiklasore. Këto dispozita janë ato që përligjin diskriminimin social e nacional të disa popullsive, varfërimin dhe shtypjen gjithnjë më të madhe të një pale dhe pasurimin e privilegjet gjithnjë më të mëdha të një pale tjetër, në kurriz të së parës.
Herët a vonë shkruan autori i shkrimit se pushtuesit dhe klika antipopullore do të gremisen atje ku ua kanë bërë vendin historia dhe popujt e shtypur. Këtij mallkimi nuk do të mund ti bëjë bisht as Jugosllavia titiste. Ajo vërtet ka kurdisur shumë leqe dhe ka hapur shumë llagëme për punonjësit dhe popujt e shtypur, që të mbajtur me forcën e dhunës brenda kufijve administrativo-politik të këtij shteti social-shovinist, do të shtrëngohen t’i japin shumë e shumë zor për ta hequr qafën nga laku. Megjithatë për çdo ditë po bëhet më e qartë se këta popuj do të mbesin edhe më tej ata që janë- të përjetshëm, kurse në kurthet e në hendeqet e kurdisura për ta do të bjerë vetë kreatura e regjimit antipopullor jugosllav, në krye me hegjemonizmin serb, e me shovinizmin malazez e maqedonas, thotë autori i shkrimit.
I tërë shkrimi i kushtohej një dispozite kushtetuese e cila u shkaktonte telashe të mëdha krerëve shoviniste të Beogradit. Fjala ishte për dispozitën mbi statusin të ashtuquajtura territor të papërzier në pikëpamje nacionale. Një status të tillë, sipas dispozitës në fjalë, e gëzojnë ato tersi administrativo-politike të federatës (ato republika dhe krahina), në të cilat popullsia e një kombësie përbënë mbi 80% të popullsisë së përgjithshme.
Në kohën që kjo dispozitë u ngjit e bëri vend në Kushtetutë, nuk ekzistonte frika se statusin e territorit kombëtarisht të papërzier mund ta gëzonin një ditë edhe ato regjione ku kjo gjë ishte e padëshirueshme për shovinistët sllavë.
Pushtetarët e Beogradit ishin shumë të bindur se me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare i kishin kryer punët. Tokat shqiptare i kishin copëtuar në tri republika dhe Kosovën e kishte aneksuar R. e Serbisë. Në Kosovë nuk ndërtohej ndonjë fabrikë apo industri e rëndë. Situata e rëndë politike dhe kushtet e vështira për jetë kishin ndikuar dukshëm që ata të shpërnguleshin si për Anadoll po ashtu edhe në vendet tjera perëndimore. Derisa shqiptarët shpërnguleshin, në tokat e tyre sillnin kolonë sllavë dhe i ngulitnin aty me kushte shumë të favorshme për jetesë. Atyre iu siguronin tokë e shtëpi, i punësonin e shumë favore tjera. Ndërsa për shqiptarët kishte punë vetëm në ato punishte të domosdoshme, ku nxirreshin lëndët e para dhe pasurit e tjera të mëdha të shqiptarëve, që merrnin rrugën e Beogradit. Popullsia shqiptare shtypej në pikëpamje sociale e nacionale, ekonomike e politike ;mbi të ushtrohej terrori i egër politik dhe presioni i vazhdueshëm, që duhej të zbrazej fare nga elementi autokton shqiptar dhe, e mbushur me elementin ardhacak sllavë, të ndërronte rrënjësisht fizionominë etnike dhe nga krahina shqiptare, të bëhej një krahinë sllave. Por, llogarit e Beogradit, ishin pa mbulesë. Çka ndodhi me trojet shqiptare. Ishte ajo nëna shqiptare që e mundi Qubrilloviqin por edhe okupatorin. Nataliteti shqiptar në vitet në vijim u shtua dukshëm, ndërsa atdhetarët e shumtë në trojet tona formuan dhe organizuan shumë organizata ilegale, të cilat në mënyrë permanente informonin popullin për qëllimet e armikut dhe synimet e tija ekspansioniste.
Pjesë nga artikulli “Kurthet dhe hendeqet”, botuar në gazetën”Lajmëtari i lirisë”, janar – shkurt 1981, faqe 7.
3. 6. Gazeta “Rilindja” në thumb të kritikës
Në shumë shkrime të “Lajmëtarit të Lirisë”, kam hasur se, dendur kritikohet politika redaktuese e saj. Kritikohen shkrimet, herë-herë edhe gazetarët, por në të shumtën e rasteve kritikohet politika e redaksisë, që shkruan në mënyrë të padrejtë për ngjarjet dhe situatën politike në Kosovë.
Në vazhdën e këtyre shkrimeve, është edhe shkrimi “Një variant leximi”, që edhe këtij i mungon emri i autorit. Me një mënyrë, shkrimi i “Lajmëtarit…” e vë në lojë dhe karikon dukshëm me shkrimin që e kishte bërë gazetari i “Rilindjes”, (Ç.I). “Gazeta “Rilindja”, thotë autori i shkrimit të “Lajmëtarit…” mund të lexohet edhe mbrapsht, ngase asgjë nuk humb. Se në këtë gazetë (“Rilindja”), jepen aq shumë të pavërteta sa për njohësit e mirë të situatës në ekonomin kosovare, i kap tmerri. Në shkrimin e gazetës “Rilindja”, gazetari lavdëron me të madhe të arriturat e minatorëve dhe të ardhurat që vijën nga shitja e xehes. Do të kishte qenë vërtet shkëlqyeshëm po të ishte kështu, por gazeta ilegale që botohej në atë kohë në Gjermani, “Lajmëtari…” i kundërvihej kësaj të dhëne. Me argumente shkruan se, “Trepça” është e detyruar t’i shes’ prodhimet e veta vetëm në tregun e brendshëm-me çmime deri në 20 herë më të ultë se çmimet në tregun botëror, ndërkohë që çmimet e hekurit, çelikut dhe të bakrit të prodhuar jashtë Kosove, po në tregun e brendshëm jugosllav, janë shumë më të larta se ato në tregun botëror, përkatësisht 124, 72, dhe 27,5%, vetëm për shkak të diskriminimit me anë të çmimeve të ultë, gjatë vitit 1978 kjo minierë gjigante pati mbi 300 miliardë dinarë humbje; gazetari i “Rilindjes” do të mund të lexonte së paku në “Kohë të lirë, deri sa çlodhet nga referatet e LSPP-së edhe revistën “Economia” , porosit autori i shkrimit.
3. 7. Parapërgatitjet për regjistrimin e popullsisë
Pasi se ishte pushtuar dhe aneksuar Kosova dhe viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, pushtetarët e Beogradit, megjithatë nuk ishin të qetë. Tokave shqiptare ia kishin vënë kufirin dhe merrnin e plaçkitnin çdo të mirë natyrore nga tokat tona, por populli shqiptar kishte bërë benë se nuk do i lëshonin këto toka për pa u farua të tanë, thoshte kënga popullore.
Shikuar në aspektin ekonomik, Jugosllavia kishte interesa të mëdha për tokat e pushtuara shqiptare si në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi, e në Serbi. Pasurit natyrore në këto vise ishin procentualisht nga më të mëdhatë në gjithë territorin administrativo-politik të Jugosllavisë. Ato sigurojnë një pjesë të madhe lëndësh të para dhe rezerva të begatshme natyrore, që ndikojnë dukshëm në potencialin e përgjithshëm të pasurive të këtij vendi. Ndërkaq në pikëpamje politike, pushtimi i këtyre viseve –bashkë me përpjekjet e vazhdueshme për pushtimin e Shqipërisë Veriore deri te lumi Shkumbin (para lufte), ose për shndërrimin e gjithë Shqipërisë në republikë të shtatë (pas LDB-nga shovinistet serb e malazezë është konsideruar detyrë ”kombëtare” dhe hap i domosdoshëm në sendërtimin e ëndrrës pushtuese sllavomadhe, në gjurmët e përtëritjes së shtetit mesjetar serb të Nemanjiqve , shkruan autori për synimet gllabëruese të shovinistëve të Beogradit.
Punimi “Armikut-gurin e gjakut”, i cili është shkruar në prag të fillimit të përgatitjeve të regjistrimit të popullsisë në Jugosllavi (1981), autori e ndan në pesë nëntituj, duke folur veç e veç për secilën pjesë.
Ta zëmë, në nëntitullin “Popullsia pengesë e pa kapërcyeshme”, trajtohet situata politike dhe aspiratat ekspansioniste të shovinistëve të Beogradit të cilët i kurdisnin për tokat shqiptare. Në shkrim konstatohej se për ta shfrytëzuar sa më shumë dhe pa frikë pasurit tona, vazhdimisht ka ekzistuar një frikë e madhe tek pushtetarët dhe një pengesë e pa kapërcyeshme :popullsia vendëse shqiptare. Etnikisht, kjo popullsi gjithmonë kishte qenë kompakte në viset e veta, kurse historikisht, ajo kishte një traditë të madhe luftarake e rezistuese ndaj pushtuesve të huaj edhe më të mëdhenj e më të fuqishëm… Zgjidhja më e mirë, siç kanë treguar përpjekjet e vazhdueshme jugosllave dhe siç është e natyrshme për shumë pushtues barbarë, do të kishte qenë shfarosja e plotë e shqiptarëve , por pasi se kjo formë e zhdukjes së shqiptarëve ishte tregua e pasuksesshme, okupatori kishte ndërmarr masa tjera ndëshkuese, që i manifestonte në forma e metoda të ndryshme. Andaj, duke i ditur të gjitha këto, pushtetarët gjetën njëmijë e një arsye që sa më shumë shqiptarë të malltretojnë, të torturojnë dhe pas kësaj sa më shumë të arrestojnë dhe ti dënojnë me vite të shumta burgu.
Në nëntitullin e dytë “Genocidi mbi shqiptarët”, thuhej se pasi se shfarosja e plotë e shqiptarëve me mjete të dhunës u tregua e parealizueshme qysh në fillim, autori sjell disa shkaqe për të cilat nuk u realizua ky planë.
1. Për shkak se shteti amë i shqiptarëve, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, – siç detyrohen të pranojnë me keqardhjen më të madhe kreatorët e shovinizmit serb- u konsoliduan më shpejt nga ç’pritej dhe i topiti në një farë dore apetitet serbe për pushtimin e Shqipërisë.
2. Ky konsolidim i Shqipërisë, për aq sa e dekompozoi në zhgjëndërr të hidhur ëndrrën e ëmbël jugosllave, edhe popullsisë shqiptare në viset e pushtuara i jepte impulse për një qëndresë sa më të madhe e më heroike përpara tërbimit shovinist të jugosllavëve.
3. Sikundër që me ndihmën e fuqive të mëdha i kishte shtënë në dorë këto vise, Jugosllavia, po karshi fuqive të mëdha dhe karshi opinionit ndërkombëtar kishte disa obligime (sado formale) lidhur me qëndrimin ndaj popullsisë së pushtuar vendëse. Se sa iu kishte përmbajtur këtij Traktati shteti SKS, më së miri e dëshmon shkrimi i Komisionit Ndërkombëtar i Kontrollit, i formuar në një institut evropian, i cili në atë kohë raportonte: “Djegie shtëpish e fshatrash, vrasje masive e popullsisë së paarmatosur e të pafajshme, dhunë e ashpërsi e pashembullt, plaçkitje dhe akte mizore nga më të ndryshmet, këto ishin mënyrat që kanë përdorur dhe po përdorin ushtritë serbe e malazeze për t’ua ndryshuar kryekëput fizionominë etnike krahinave të banuara qind për qind me shqiptarë” Nuk ishte hera e parë që Jugosllavia dhe pushtetarët e saj që merrnin mbi vete dhe nënshkruanin lloj-lloj traktate e deklarata për respektimin e të drejtave të kombeve që jetonin në Jugosllavi. Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ato u shtruan dhe u tentua të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej nga vetë popujt që jetonin atje, me mirëkuptim nga partitë e regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri e në Jugosllavi, pas fitores mbi fashizmin . Gjatë luftës vazhdimisht ishte folur e shkruar se pas saj (luftës), do të respektohet Deklarata e Moskës , Karta e Atlantikut , Deklarata e Teheranit , Letra e Titos e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit e, shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.
(VIJON…)
…………………………………………
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3837
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3844
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (III)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3848
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (IV)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3849