PROF. VIOLETA PIRRAKU BAJRAKTARI: PËRSËRITJA NUK E KTHEN NJË GËNJESHTËR NË TË VËRTETË

Prishtinë, 05. 10. 2014: Po e nisi këtë reagim me këtë thënie të Franklin D. Roosevelt, në përgjigje të “shkrimit” të Mehmet Aliukë Prishtinës, që e gjeta duke e shfletuar gazetën Tribuna (31 Mars 2014), “Hasan Prishtina po përfaqësohet dinjitetshëm” nga Mehmet Prishtina. Kjo në fillin mu duk si ironi, por duke e njohur fort mirë “fenomenin” Mehmet Prishtina, thash me vete se ia “paskan” qëlluar. Ironi përtej ironie. Në paragrafin e tretë të shkrimit Mehmet Prishtina, shkruan:” Sa për dokrrat dhe copy-paste-t e Muhamet Pirrakut, i cili vdiq para pak ditësh, përgjegjësi duhet të japë Instituti i Historisë i Prishtinës, i cili mirë e di se libri i Pirrakut, në fakt është i vjedhur nga autori tani më në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, Tahir Abdyli, dhe paraqet një krim të dënueshëm”.
Për një moment, mu kujtuan fatet e shumë poetëve tanë që nga regjime të ndryshme u dënuan dhe u vranë për veprat e tyre. Po sikur të ringjallej edhe një herë Bilal Xhaferri e Muhamet Pirraku, athua çfarë do të na sillnin si dëshmi nga jeta dhe vepra e tyre?!
Të parin e vranë tri herë, të dytin, Pirrakun e vranë dy herë.
Mehmet, po të përkujtojë, e vranë tri herë e dy herë është thënë në kuptim të figurshëm, sepse kam frikën që organizon ndonjë institucion që të vie pas për “hulumtim të mëtutjeshëm”.
Xhaferrin e vranë duke ia ndalur të drejtën e botimit, herën e parë, duke ia djegur zyret e “Krahut të shqiponjës” , herën e dytë, dhe të tretën duke e helmuar.
Pirrakun e vranë duke ia ndaluar të drejtën e botimit në emër të tij, e para; duke ia konfiskuar me rastin e arrestimit, nga Sigurimi Shtetëror Jugos¬llav pa kthim rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, shumë ditarë dhe rreth tridhjetëmijë vargje poetike si dhe literaturë historio¬grafike e politike me vlera të mëdha për kohën (1), si dhe nga tortura mizore në burgun e Prishtinës, Mitrovicës dhe Sarajevës u torturua mizorisht, duke iu dëmtuar përjetë 100 % nervi i dëgjimit të veshit të majtë, e rreth 30% veshin e djathtë, e pothuajse e paralizuan duke i rënë duarve e këmbëve me “pendrek”, sa e bënë në gjendje të tillë që ta vishte e ta ushqente një i burgosur tjetër O.V. Pasojat e burgut i vuajti me trupin e tij deri në ditën e vdekjes, më 30 janar 2014, pa u dorëzuar për asnjë moment dhe pa u larguar kurrë nga e vërteta historike që ishte pjesë e personalitetit të tij.
Ajo që më bëri të mos hesht, është fakti, se për tridhjetë vite Prof. Dr. Muhamet Pirraku kishte hulumtuar pandërprerë veprën e Hasan Prishtinës, të cilin e kishte idhul.
Gjatë kohës kur pati ndalesa e pengesa për botim e veprimtari shken¬core, në emër të tij, nga viti 1976 deri në fillim të viteve 90, për hir të edukimit të mbarë të brezave ishte marrë vesh me Tahir Abdylin që vepra të botohej në emër të tij.
Të kujtoj edhe një herë Mehmet Aliuka se vepra e botuar “Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare 1908-1933”, është e shkruar nga po i njëjti Muhamet Pirraku, ashtu si edhe vepra “Hasan Prishtina, Vlerë sublime e kombit”, botuar në nëntor 2013.

Prishtinë, 22 Nëntor 2013: Prof.Dr.Muhamet Pirraku, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, gjatë promovimit të librit “Hasan Prishtina, vlerë sublime e kombit”, libër ky që sjell të vërteta të panjohura për këtë burrë patriot të pashoq.

………………………………………………….

Ju njoftoj se te përkushtimi i veprës Hasan Prishtina, Vlerë sublime e kombit e ke përkushtimin e autorit prof. Dr. Muhamet Pirraku dedikuar mikut të tij sivëlla Dr.Tahir Abdyli të cilën po e sjelli te ky shkrim pjesërisht.
“Kjo vepër i kushtohet historianit, Dr.Tahir Abdyli. Një burrë patriot i pashoq, një pedagog i shkëlqyeshëm, një trim i gatshëm ta sakrifikonte veten dhe familjen për interesa të kombit, një shqiptar rilindës i kombit, në kuptimin e plotë të fjalës.
Për Hasan Prishtinën kisha projektuar dhe kisha punuar një kohë të gjatë në librin me titullin “Hasan Prishtina, Vlerë Sublime e Kombit”.
Këtë libër, më 1988, e dërgova për botim në organin “Kosova”, të Institutit të Historisë, ku kryeredaktor ishte drejtori i Institutit, Dr. Tahir Abdyli.
Meqë unë, si i burgosur politik i 81-shit, ende kisha pengesa për botim, Dr. Tahir Abdyli më ftoi për kafe jashtë Institutit dhe më informoi se: “Studimi nuk mund të botohet me emrin Tuaj se e rrezikojmë qenien e revistës!”
Ky ishte qëndrim i pjekur i Redaksisë.
Dr.Tahir Abdyli, m’u drejtua: -“O Pirrak, a e botojmë librin për HASANIN si libër me emrin tim!” E një të nesërme të mirë ta botosh me titullin e projektit nga rinia!”
Veprova sipas porosisë. E rishikova studimin, i cili u botua në fund të vitit 1990, në edicionin e “Rilindjes”, e përcolla përgatitjen, korrekturën dhe thyerjen teknike e në fund i mora dorëshkrimin e ilustrimet!
E edicioni i “Rilindjes” nuk ma dha, së paku, një libër!
E kështu Muhamet Pirraku plotësoi dy amanete: së pari, amanetin ndaj të vërtetës shkencore për gjakun e Hasan Prishtinës dhe amanetin e sivëllait, Dr. Tahir Abdyli” (
2)

Nga adhurimi për kontributin madhor të Hasan Prishtinës, të vërtetës historike dhe argumenteve shkencore Prof. Dr. Muhamet Pirraku ka bërë “Gjenealogjinë e Hasan Prishtinës”, nga e cila del që Mehmet Aliuka nuk i takon familjes së Hasan Prishtinës!
Gëte thoshte: “Disa libra duket se janë shkruar jo për të na dhënë ndonjë udhëzim, por thjeshtë për të na treguar se autorët e tyre kanë ditur diçka”.
Këtij reagimi po i sjelli studimin mbi gjenealogjinë e familjes së Hasan Prishtinës, të botuar në librin e fundit të Prof. Dr. Muhamet Pirrakut, “Hasan Prishtina, Vlerë sublime e kombit”.
– Violeta Pirraku- Bajraktari, Profesoreshë në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë- Prishtinë.

GJENEALOGJIA E HASAN PRISHTINËS


Dr. Muhamet Pirra
ku

Për prejardhjen dhe për gjenealogjinë e veprën e Hasan Prishtinës, kam filluar të interesohem nga fundi i viteve 60 të shekullit të 20-ë, në të gjithë arkivat shtetërorë të Jugosllavisë, të Vjenës, të Tiranës e të Shkodrës.
E kam shënuar “Kujtesën Historike” në Drenicë e në të gjitha viset e Kosovës, në Shkup, Tiranë e në Shkodër.
Dhe si në burime, ashtu edhe në “Kujtesën Historike”, Hasan Prishtina, thuhet se rrjedh nga Vëllazëria stërgjyshore “VELIQI” të Palacit të Drenicës.

Prof. dr. Muhamet Piraku-gjatë hulumtimit të “Merhumeve në Carralevë”.

Gjurmëve të këtyre burimeve, më 24 prill 1977, duke i pasur me vete pleqtë më në zë të Palacit, shkova në “Vorret e Katunit” te “Likeni”, ku janë të varrosur barqet e fisit “Berishë” nga “paganizmi”, të varrosur në drejtimin juglindje. Aty i hyra leximit të “Nishaneve”, dhe në vendin “Krye vorreve”, afër një lisi shekullor e gjeta të vdekurin që ma diktonte “Kujtesën Historike”, katragjyshin dhe pestagjyshin e Hasan Prishtinës. Për fatin e problemit që dallkaukët në fushë të historiografisë e bënë çështje për marre të Zotit, u ruajt “Blloku Nr. 5” i shënimeve të 24 prillit 1977. Në “Gurin e Varrit” shkruan: “El-mehrum vel-magfur Abdull-llah bin Ali, ruhiçyn elfatiha, sene 1213”, që i përgjigjet vitit 1798 (3)


Fotokopje: Fletë e shënimeve të mbajtura në varrezë.

Gjyshi i Hasan Prishtinës, Haxhi Ali Berisha del se e trashëgoi emrin e gjyshit të vet-Ali Veliqit. Sipas kujtesës historike, të ndjekur me kujdes, një familje nga “Vëllazëria e Veliqëve” shkoi në Mikushnicë (fshat i afërm), e cila me kohë do të quhet Manxholl (nga turqishtja bijtë e MAN-it-ardhacak).
Gjyshi i Hasan Prishtinës, Haxhi Ali Berisha u shkëput nga Manxhollët e shkoi në qendrën e “Nahijes”, në Vushtrri.
Kujtesa historike në Palac, e shënuar më 28 e më 29 qershor të vitit 1977, e saktëson pa asnjë dilemë se Rizah Manxholli i Mikushnicës Hasan Prishtinën, e ka një shokë (brez) më afër se sa “Veliqët” e Palacit.
Sipas shumë gjasave, Ali Veliqi, gjyshi i Hasan Prishtinës, shkoi në Vushtrri i pamartuar, pak vite pasi i kishte vdekur i ati, Abdullahu, më 1798.
Aliu, në Vushtrri, u martua me një vajzë Begu. Këtë kujtesë në Drenicë e kanë përcjellë tre burra në zë: Shaban Zymeri (80 vjeç), Likashan, 14.IV.1969; Shaban Manxholli (1873-1952) e Xhemë e Bajram Tërnafci, i cili ishte në jetë së paku deri në vitet 80 të shekullit XX.
Këta dy ishin bashkëluftëtarë të Azem Bejtës.
Shikimi i fakteve me analizë shkencore tregon se, sikur Aliu të kishte qenë i martuar, do të ishte ruajtur kujtesa për të bijtë e Haxhi Aliut, si nipa të dikujt në Drenicë.
Edhe për faktin se ata u bënë alamet burra të rëndësisë pushtetore e kombëtare, e veçmas tre nipat e Haxhi Ali Berishës: Syleman Aga (pashë më 1898), Zejnullah Beg Vuçiterrni e Hasan beg Prishtina, të cilët famën e arritën me mbështetje në lidhje gjaku me Drenicën e jo në lidhje krushqie.
Këtu duhet të konstatojmë edhe faktin se së paku nga vitet 90 të shekullit të 19 pasardhësit e Haxhi Ali Veliqit, në burimet konsullore serbe janë quajtur “Shishkoviç”, nga turqishtja “Shishko” (i plotë). Lexuesin tim, kam nderin ta informoj saktësisht se nëna e Hasan Prishtinës, gruaja e Ahmet Haxhi Ali Veliqit-Berishës ishte vushtrriase e pikërisht: Nexhibe Haxhi Sallahu (sipas z. Fahri Buçinca është quajtur edhe Salih).
Realisht, Haxhi Ali Veliqi, e dimë nga burimet arkivale se i ka pasur tre djem që kanë pasur trashëgimtarë. Të bijtë e Haxhi Ali Veliqit, kishin miqësi e krushqi me Mulla Haxhi Zekën (Pejë), me Ali pashë Dragën (Mitrovicë) me Zia pashë Gjinollin (Gjilan-Prishtinë) me Sylejman pashë-Berishën-Prishtinën, me të bijtë e Emin Agës (Sllatinë e Moravës së Epërme), me Begollët e Pejës, me Shaban Pashën e Shkupit.
Djali i madh i Haxhi Ali Veliqit, Mehmeti (nuk ishte i martuar me drenicase), ishte “haxhi” me autoritet, në vitet 70 të shekullit të 19, e pati pushtet në rrethin e Vushtrrisë, ishte kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Vushtrri dhe përfaqësues i kësaj Dege në Komitetin Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i nënshkruar herë “Haxhiu” e herë Haxhi Mehmet.
Sipas kujtesës së zymtë, të ruajtur në Vushtrri, ai i la djemtë: Sylejman Agën (i cili më 1898 mori gradën “pashë”, vdiq në Vushtrri më 1918), Abdurramanin dhe Jusufin (ishte pashë proturk, jetoi e vdiq në Stamboll dhe Nefisën e martuar në Vushtrri për haxhi Hysen haxhi Aliun).

Hasan Prishtina, udhëheqësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

As djali i dytë i Haxhi Ali Veliqit, Mahmuti, nuk ishte i martuar me drenicase. Ky ishte kontraktues në projektin e hekurudhës Mitrovicë-Shkup-Selanik, e përfunduar më 1873. Mahmuti e la Zejnullah beg Vuçitërnën, ishte rreth shtatë vjet para Hasan Prishtinës, e mbështetja kryesore e Hasanit, lidhja e parë e tij me vendlindjen stërgjyshore, Drenicën.
Djali i tretë i Haxhi Ali Veliqit, Ahmeti (1848-1919), ishte intelektual, ekonomist. Nga vitet 60 të shekullit XIX e gjejmë furnizues të garnizonit të Selanikut. Ahmeti Haxhi Ali Veliqit, tashti e di se i pati tre djem: Hasanin dhe Ymerin dhe Jakupin, të cilin po e evidencojmë për të parën herë.
Këtu vlen të shtrohet edhe një pyetje kruciale: Sikur Haxhi Ali Veliqi-Berisha të kishte ardhur në Vushtrri më 1871, siç është futur në historiografi, si një katundar, që mund ta fliste vetëm shqipen, si të gjithë drenicasit, a do të mund të arrinte t’i shkollonte djemtë, të lidhte miqësi e krushqi me haxhilerë “sheherli”, me bejlerë e me pashallarë. E të bijtë e një katundari a do të arrinin pozitat shoqërore, ekonomike e pushtetore që i kishin së paku nga fillimi i viteve 70 të shekullit të 19-të!!??
Të ndjekim gjenealogjinë e brezit të Hasan Prishtinës e tutje: Sylejman pasha e la Ibrahim begun, e ky i la: Besimen, Xhemilen e Minirën. Abdurraman beu e la Sabit begun, e ky: Abdurramanin, Masharin e Isanin. Zejnullah beg Vuçitërna i la: Qemajlin, (1895-1971), Ismetin, (1895-1971), Abullahun, i la Besimin, Shykrijen e Nazirën
Qemajl Zejnullah beg Vuçitërna e la Muazezen.
Ismet beg Zejnullah beg Vuçitërna, i la: Lemann Berisha-Zaimi, 1928, jeton në Prishtinë dhe Hakan Berishën, 1931, jeton në Mitrovicë.
Të bijtë e Ahmet Haxhi Ali Veliqit-Berishës ishin: Hasani, Ymeri e Jakupi.
Hasani ishte i martuar me Ikballen, nuk patën fëmijë, ndaj thuhet se e birësuan një vajzë, shkodrane e quajtur Sadaka, por e cila nuk pati fat të rritej në prehrin e Hasan Prishtinës.
Ymer beg Ahmet Haxhi Ali Veliqi-Berisha, e la vajzën Allma, e cila vdiq në vitet 80 të shekullit të 20-të, në Tiranë në duart e Behixhës, motra e Iljaz Agushit, në vitet 80 të shekullit të 20-të.
Më 1 maj 1993, në “Varrezat e Sharrës” , së bashku me Ali Agushin, mbi varrin e Allmës, e vendosëm një “dorë lule”.
Për Jakup beg Ahmet Haxhi Ali Berishën nuk kam të dhëna nëse ishte i martuar.
Këtu për hir të realitetit shkencor duhet të konstatojmë se, para se të botohej libri “Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare 1908-1933, Prishtinë, 1990, ka qenë një dorëshkrim-“Gjenealogjia e Mehmet Ali Beut”.
Këtë gjenealogji, të hartuar nga Izet Pertef Badivuku, i lindur në Vushtrri në vitin 1931, nip i Besime Ibrahim beg Syleman pashës, e ka plotësuar-hartuar vushtrriasi Dilshat Bytyqi, stërnip i Nefise Haxhi Mehmet Haxhi Aliut.
Këtë dorëshkrim e kam prej datës 24 dhjetor 2011.
GJENEALOGJIA E MEHMET ALI BEUT
Dorëshkrimi në vijim është i Izet Badivukut, në fillim i plotësuar, pas botimit të librit për Hasan Prishtinën më 1990.


Fotokopje: Fletë e shënimeve për gjenealogjinë e Mehmet Ali beut.

Në këtë dorëshkrim nuk thuhet se Mehmeti ishte haxhi as përmendet fama e tij.
Madje, Ahmeti, i ati i Hasan Prishtinës, tregohet si i biri i “Mehmet Ali Beut”, kurse Zenullah begu tregohet si i biri i djalit të Mehmetit.
Në këtë dorëshkrim nuk është emri i nënës së Hasan Prishtinës, aty e kemi emrin e të vëllait të tij, Jakupit, dhe emrat e vajzave, të “Derës së Haxhi Ali Veliqit-Bershës”.
Në këtë dorëshkrim Nefise Haxhi Mehmeti tregohet si “Halla e Hasan Prishtinës”.
Se nuk ishte “Halla e Hasan Prishtinës”, e vërtetojmë me fundin e dokumentit që pason:


Fotokpje: Dokument origjinal.

………………………………………………………….

 Prof.Dr.Muhamet Pirraku – Prishtinë, 30. 11. 2012

 ______________________

1. Më gjerësisht – Shih në dosjen e Muhamet Pirrakut, në Arkivi Historik i Qytetit të Prishtinës, Komunal K. br. 405/81.
2. Prof. Dr. M. Pirraku Hasan Prishtina, Vlerë sublime e kombit, Prishtinë, 2013, f.5-8
3. Këtë mbishkrim varri sapo u botua libri Hasan Prishtina, 1990 një dorë e keqe e mori në emër të Muzeut të Kosovës dhe e zhduku. Në muze nuk ka shënim, që është marrë guri dhe as që ekziston guri i varrit. Veliajtë e Palacit e kanë përtërirë monumentin por nuk e ka pamjen e monumentit të hershëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura