SHERADIN BERISHA: KRYENGRITJA SHQIPTARE E VJESHTËS 1913 (NË KRAHINËN E DIBRËS, LUMËS DHE NË MALËSI TË GJAKOVES) Pjesa e parë

Pashtriku.org, 20. 12. 2014 – (”Në Dibër, tabakhaneja, që ishte thertore bagëtish, u bë thertore njerëzish. Qytetit i vinte erë gjak njeriu, kudo mbretëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri. Përveç tabakhanes edhe në qytet brenda, ndër postat e gjindarmërisë kishte nga një burg, ku mjaftonte vetëm urdhëri i postkomandantit ose dëshira e ndonjë xhindarmi që të njomeshin mirë muret e atij burgu me gjak shqiptarësh të pafajshëm.” Haki Stërmilli)
Hyrje
Dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XX, ishte një nga periudhat më të rënda, që po kalonte populli shqiptar gjatë tërë historisë së tij. Lufta e Parë Ballkanike që nisi në tetor të vitit 1912, solli ndryshime të mëdha në hapësirën gjeografike të Shqipërisë etnike. Shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, që përbënin ”aleancën ballkanike”, duke shfrytëzuar sukseset e kryengritjes së përgjithshme shqiptare të verës 1912 kundër ushtrisë osmane, në tetor-nëntor 1912 pushtuan gjysmën e teritoreve etnike shqiptare. Derisa Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës më 29 korrik 1913 e njohën Shqipërinë si shtet sovran, Kosova (me këtë teritor të sotëm), Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri etj., mbetën nën pushtimin ushtarak serb. Këto shtete ortodokse, duke u bazuar në vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, në dëmë të Shqipërisë, përfituan këto territore:
a) Serbia nga kjo luftë pushtoi 19 000 km2 (Kosovë e Maqedoni), duke u zgjeruar në 82% territor, me një popullsi prej afro një milion shqiptarësh që përbëjnë rreth 55% të saj; b)Mali i Zi pushtoi 62% territor, ku jetonin 190 mijë shqiptar, gati po aq sa kishte vet shteti malazez; c) Bullgaria pushtoi 29% territor me rreth 3% popullsi shqiptare; d) Greqia pushtoi 68 % të Çamërisë ku jetonin 67 % popullsi shqiptare.

Krijimi i hartave të reja shtetërore në Ballkan, për popullin shqiptarë ishte i papranueshëm, dhe duke qenë kështu qenë të detyruar ta vazhdojnë luftën për çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë londineze. Pas përfundimit të luftës së parë ballkanike, drejtuesit e kryengritjes Shqiptare: Elez Isufi, Bajram Curri, Isa Boletini, Sadik Ramë-Gjurgjeviku, Sali Hoxha e shumë prijës të tjerë u detyruan të tërhiqen në Shqipëri dhe qysh në muajt shkurt-mars të vitit 1913, filluan përgatitjet për një kryengritje të re kundër pushtuesve serbo-malazez.
Qeveria serbe, ndonëse përmes bashkëpunëtorëve të vet, të sojit të Esat Pashë Toptanit, Arif Hiqmetit etj., përcillte këmba-këmbës çdo lëvizje të krerëve shqiptar, ajo me kohë përforcoi zonën kufitare. Në të vërtet trupat ushtarake serbe, as që ishin tërhequr në vijën kufitare të përcaktuar nga Konferenca e Londrës. Përkundrazi, brenda teritorit shqiptar, në mënyrë arbitrare kishte vendosur të ashtuquajturën ”vijë strategjike”, në të cilën ngritën posta doganore, si: në Kukës, aty ku bashkohen Drini i Zi me Drinin e Bardhë, në Okushtan-Çermenik, në rrugën Elbasan-Dibër, në Qafë të Murit-në perëndim të Drinit të Zi përballë Dibrës dhe në Pogradec, për të siguruar kinse mbrojtjen nga sulmet e shqiptarëve.1
Qysh në fillim të vitit 1913, kur regjimi serb instaloi një administratë ushtarake në Kosovë e në treva tjera të pushtuara shqiptare, gjendja e popullatës shqiptare u përkeqësua në të gjitha segmentet e jetës. Shqiptarët jetonin në mjerim të thellë, vuanin për buk dhe gjësende tjera ushqimore. Gjithashtu ndaj shqiptarëve bëheshin ndjekje, persekutime e vrasje të pafajshme. Ndaj tyre pa kurrfarë hetimesh e as gjyqesh bëhej ekzekutimi i dënimit me vdekje, ndërkohë që as s´mund të flitet për të drejtat tjera më elementare njerëzore.
Më 16 gusht 1913 Isa Boletini nga Malësia e Gjakovës, i shkruan një letër Ismail Qemalit dhe me shqetësim i flet për mjerimin dhe urinë që ka pllakosur malësorët e Gjakovës dhe kërkon ndihmën e Qeverisë së Vlorës. Në letër pos tjerash thuhet: ”…çdo skutë e Malësisë, gurë, shkëmb, gjithandej është mbushur plot me emigrantë të mjerë, të cilët kanë ardhur në gjendje jo të lypin, por të vdesin. Nuk ka zemër që duron përpara vajtimit të këtyre bijëve të atdheut…”2
Duke mbretëruar kjo gjendje atje, natyrshëm në pranverë të vitit 1913 u shtua numri i çetave shçiptare në Kosovë e gjetiu dhe filluan përgatitjet për një kryengritje çlirimtare. Një tabllo realiste të gjendjes së rëndë në tokat e pushtuara shqiptare, na jep edhe socialdemokrati serb D.Tucoviqi në librin ”Serbia dhe Shqipëria”. Ai shkruante: ”Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizojë përsëri afro tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si shkaktohen luftrat koloniale. Okupimi i ushtrisë serbe shtrihej prej lindjes e deri në dyert e grykave dhe të qafëmaleve shqiptare. Ky okupim e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullosave, kopetë prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin e shitësin prej tregut, rrethinën prej qytetit, kurse tërë popullsinë malore prej qendrave ekonomike dhe drithoreve të saj. Shqiptari i andejshëm (i Shqipërisë londineze – sh.b) nuk guxonte të shkelte më në tokën e tij që i kishte mbetë në këtë anë (në Kosovën e pushtuar – sh.b). Të gjitha burimet e jetës iu prenë. Populli i dëshpruar dhe i uritur pa masë, së pari u lut të vijë lirisht në tregje. Por, kur iu ndalua edhe kjo, ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të dytën (plumbin – sh.b).3
Me qëllim të koordinimit të veprimtarisë çlirimtare, krerët e krahinave të pushtuara do të mbajnë kontakte edhe me Ismail Qemalin. Sipas një njoftimi të botuar në gazetën ”Përlindja e Shqipnisë”, më 12 gusht 1913, Elez Isufi – udhëheqës i shquar i Dibrës, Ramadan Zaskoci nga Luma e Rexhep Bajraktari nga Hasi me shpurat e tyre, shkuan në Vlorë dhe u takuan e biseduan me kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin,”… mbi gjendjen në malësi që përfaqësonin dhe mbi masat që duheshin marrë për të sunduar ato vise… sipas interesit të Shqipërisë. Tani të nderuar bajraktarë, thuhej në atë njoftim, – presin të ikurit e ushtrisë serbe prej atyre viseve që të mund të venë në vendin e tyre e të zgjerojnë kësisojë fushën e qeverisë…” Ismail Qemaili në emër të Qeverisë, në këtë takim, edhepse nuk kishte fuqi ushtarake e mjete financiare, u premtoi krerëve të Lumës, Dibrës e Hasit ndihmë për t´u çliruar nga pushtimi serb, por edhe i udhëzoi që, me t´u kthyer në krahinat e tyre, të organizonin kryengritjen kundër pushtuesve serb.4
Në fund të gushtit 1913 edhe Bajram Curri, Isa Boletini e Hasan Prishtina u ndodhën në Vlorë, ndërkohë që ky i fundit (në shtator) pranoi detyrën e ministrit në qeverinë e Vlorës.5
KRYENGRITJA E DIBRËS
Një rol të veçantë në organizimin e kryengritjes shqiptare luajtën Elez Isufi, Ramadan Zaskoci, Qazim Lika etj., të cilët gjatë verës 1913 e deri në gjysmën e parë të shtatorit u morën në mënyrë intenzive me përgatitjen e saj, ndërkohë që ky aktivitet ra shpejt në sy të pushtetit serb. Kështu, komandanti i garnizonit të Oroshit, kapiteni Vukotiq në mesin e qershorit 1913, i dërgonte një raport majorit Leovac në Lumë (në Vasije), me të cilin e njoftonte se ishte vënë në lidhje me disa mercenarë shqiptarë, të cilët mund të eliminonin këta krerë të rrezikshëm. Komanda serbe në Lumë, më 26 qershor 1913, për këtë informacion, vuri në dijeni komandën supreme në Kosovë, duke theksuar se: ”Ndërprerja e veprimtarisë dhe e ndikimit të këtyre krerëve kishte rëndësi për pushtetin serb, jo vetëm për këto kohë të vështira, por edhe për të ardhmen”. Ndonëse, majori Leovac kishte kërkuar që për kokat e këtyre krerëve dhe shumë të tjerëve, të paguheshin nga 1000-1200 dinarë, në një përgjigje të nënshkruar më 8 korrik, nga Nikolla Pashiqi, ndër të tjera thuhet: ”Meqë njerëzit e përmendur janë të njohur si kriminelë…ndaj tyre duhet vepruar sipas ligjit. Në qoftë se duhen para, ato të merren nga kreditet ushtarake”.6
Gjithashtu më 24 gusht 1913, inspektori i policisë së Shkupit njoftonte komandën supreme serbe se, Elez Isufi… gjendej në Dardhë dhe i ftonte shqiptarët për kryengritje. Prandaj propozonte shkatërrimin e fshatrave Reç, Dardhë, Kalis, prej nga vepronin të gjitha grupet e armatosura në Dibër e gjetiu. Së këndejmi, ai kërkonte që aradha e sigurimit në Zhirovnicë të përforcohej edhe me një çetë 7 për të eliminuar krerët shqiptarë.
***
Në historiografinë shqiptare deri më sot është thënë se kryengritja shqiptare e vitit 1913 ka filluar më 20 shtator në Dibër, ndërkohë që sipas një raporti të Kryetarit të Çarkut (naçallnikut) të Dibrës N.Çirkoviq, dërguar më 8 tetor 1913 Qeverisë serbe në Beograd, saktësohet se, kryengritja ka filluar në fillim të shtatorit 1913.
T´i referohemi këtij raporti.
Naçallniku i Dibrës N.Çirkoviq në raportin e tij të gjatë, thotë se: ”Më 1 shtator 1913, shqiptarët kishin filluar për t´i nxitur pararojet tona afër Pogradecit. Më 3 shtator në mes të pozitave dhe të fshatit Rinakaj, shqiptarët sulmuan patrullën serbe dhe me atë rast një ushtarë e vranë dhe një e plagosën. Për këtë është lajmruar inspektori në Shkup. Më 4 shtator është dhënë urdhëresa që të lëshohen pozitat e largëta dhe ushtria të tërhiqet afër kufirit të paraparë me Konferencën e Londrës. Më 5 shtator u bë proklamata e aneksimit të Dibrës… Më 7 shtator, një njësi e fortë shqiptare e kishte sulmuar pararojën serbe te ura e Arasit. Ajo e shpërndau atë dhe kishte kaluar në anën e djathtë të Lumit Dri (për këtë e kam lajmëruar inspektorin në Shkup). Më 8 shtator, shqiptarët me forca të mëdha e sulmuan Peshkopinë dhe atë sulm e morën në orën 6 të mëngjesit. Naçallniku i rrethit vërteton se në luftime ishin rreth 1200 shqiptarë… Prej Peshkopisë shqiptarët kryengritës janë orientuar në dy drejtime: njëri kah Dibra, ndërsa orientimi tjetër kah Zherovnica. Naçallniku i rrethit në ato rethana lajmëron se ai sulm ishte i tillë sa që ai s´ka mundur as teshat e veta për t´i veshur. Prandaj, në Peshkopi i ka mbetur e tërë arkiva me shifra … Njësia shqiptare që ka qenë në front kah Zherovnica aty-këtu i ka shkatërruar çetat tona (serbe), ndërsa në orën 8 në mbrëmje ishte në maje të Zherovnicës. Në Zherovnicë shqiptarët hyjnë në ora 9 të mëngjesit (e çliruan-sh.b). Udhëheqësi i njësisë së tyre i drejtonte 300 veta. Me këto forca udhëhiqnin Maliq Kroqishta, ndërsa me 350 të tjerë udhëhiqte Alil Kaloshi prej Dibrës së Poshtme. Njësia tjetër që e ndiqte ushtrinë tonë në drejtim të Dibrës më 9 shtator 1913, në mëngjes ishte nja 10 km. larg prej Dibrës (për këtë e kam lajmëruar inspektorin në Shkup). Sipas marrëveshjes së lidhur me komandantin e Regjimentit XIX në Dibër, Dibra nuk ka guxuar të lëshohet pa luftë, prandaj unë menjëherë i kam dhënë disa udhëzime që në qytet të sigurohet rendi dhe së bashku më nënpunës të lëshohet qyteti vetëm atëherë kur ushtria të tërhiqet… Rreth orës 10 e 30 minuta (më 9 shtator-sh.b) lufta zhvillohet në qytet, asisoji që plumbat kishin filluar të bien edhe në zyrën e naçallnikut. Në orën 11 paradreke ushtria kishte filluar të tërhiqet… Në anën tjetër, qytetarët shqiptarë na sulmonin, si prej dritareve, ashtu edhe prej dyerëve, ashtu që nuk kemi mundur as sytë t´i hapim prej zjarrit të pushkëve dhe me vështirësi të madhe e kemi shpëtuar kokën. Aq ka pasur plumba saqë me rastin e hypjes në kalë, një plumb e ka goditur mbrojtësin dhe ai ka vdekur në vend… Saktësisht në ora 12 në mesditë Dibra kishte rënë në duart e shqiptarëve.”

Më tutje në raport thuhet: ”Sipas të dhënave në ballë të kryengritësve shqiptarë ishin udhëheqësit: Elez Isufi dhe Mersim Dema si komandantë të përgjithshëm. Ndërsa si udhëheqës më të ulët kishin qenë: Selman Alia, Alil Kaloshi, Haxhi Lani Kaloshi. Është biseduar edhe për ardhjen e Isa Boletinit në Dibër, por askush nuk din asgjë për të, fakt ky që flet se nuk ka ardhur fare. Lidhur me këtë posa shqiptarët kishin hyrë në qytet, një pjesë kishte mbetur aty, ndërsa pjesa tjetër e ka vazhduar luftën kundër ushtrisë sonë.”8
Atë ditë kryengritësit shqiptarë të drejtuar nga Elez Isufi dhe prijësit tjerë popullor: Sefedin Pustina, Selman Alia, Haxhi Llani Kaloshi, Isuf Xhelili, Mersim Dema, Iljaz Hoxha, Haziz Lila, Elez Koçi, sheh Sula, Dan Cami etj., organizuan sulmin e mëtejshëm të ndarë në disa kolona si në drejtim të Strugës e Ohrit, të Mavrovës e Gostivarit. Dhe nga betejat e një pasnjëshme luftëtarët shqiptarë çliruan: Gostivarin, Tetovën, Strugën, Ohrin…, ndërsa forcat serbe u tërhoqën me shpejtësi duke lënë 1000 ushtarë të vrarë, 300 ushtarë u zunë rob si dhe u kapën 12 topa e materiale tjera të shumta lutarake.9
Pas çlirimit të këtyre krahinave shqiptare, kryengritësit ngritën administratën në qytete e fshatra. Naçallniku N.Çirkoviq në raportin e tij, dërguar autoriteteve qeveritare në Beograd thekson, se: ”Me të hyrë të kryengritësve në qytet (Dibër-sh.b) beglerët e këtushëm menjëherë e formuan qeverinë: Sefejdin Pustina, Rizah Begu, dhe Sheh Latifi, ku për kryetar të asaj qeverie është zgjedhur: Sefejdin Pustina.” Z.Çirkoviq tregon edhe për mirësjelljen e kryengritësve shqiptarë ndaj ushtarëve serb, të plagosurve dhe të zënë robër. Ai shkruan: ”Shqiptarët menjëherë e rregulluan telefonin në mes të Peshkopisë dhe Dibrës, e vejnë në përdorim aparatin që nuk përdoret në ushtrinë tonë. Menjëherë e themeluan spitalin dhe filluan për t´i shëruar të plagosurit tanë (serbët). Shqiptarët ndaj të plagosurve dhe të zënëve robër janë sjellë me një korrektësi humane…”10, ndërkohë që krejtë ndryshe do të sillen ushtarët serbë me popullsinë e pambrojtur shqiptare, me gratë dhe fëmijët, që i therën me bajoneta dhe i dogjën të gjallë në zjarr!!
SHTRIRJA E KRYENGRITJES NË KRAHINAT: LUMË – OPOJË – VËRRI
Pas kthimit nga Vlora, Ramadan Zaskoci së bashku me Qazim Likën, Sali Spahiun, Hoxhë Mehmetin, Ramadan Çejkun, Bajram Gjanën, Osman Litën, Dervish Bajraktarin, Sulë Elezin e patriotë të tjerë, në fillim të shtatorit 1913 në një mbledhje të ”Dheut”të mbajtur në Shtiqën 11 të Lumës, vendosën të mobilizojnë popullin e Lumës për luftë kundër pushtuesve serbë. Kuvende mobilizuese u mbajtën edhe në krahinat tjera shqiptare të pushtuara.
Ndonëse kryengritja shqiptare nisi në Dibër…, në gjysmën e dytë të shtatorit 1913 ajo u shtri edhe në drejtim të Kalasë së Dodës për të vazhduar me shpejtësi në Lumë, në Gorë, Opojë – Vërri, deri në Prizren dhe në krahinën e Hasit, të Krasniqes e të Gashit deri në Gjakovë. Në këtë kohë kryengritësit shqiptarë kryesisht ishin përqendruar dhe luftonin në fshatrat e Kalasë së Dodës, në Rrafshin e Lumës dhe në fshatrat e Gorës…, sepse forcat më të mëdha serbe pikërisht në këto vende ishin të dislokuara më së shumti. Ndërkaq sipas të dhënave nga dokumentet serbe, luftimet më të përgjakshme u zhvilluan në Vasije, pastaj në Kalis ku u asgjësuan disa reparte serbe. Prej këtu, mbeturinat e reparteve serbe u tërhoqën drejt Ujmishtit, ndërsa shumë ushtarë të regjimenteve X, XI e braktisën Lumën dhe u tërhoqën në drejtim të Vranishtit, kryeqendrës së atëhershme të Gorës.12 Pas një përleshjeje të furishme, kryengritësit lumjanë morën garnizonin serbë në Ujmisht dhe këtu, bëhet ndarja e tyre në dy krahë-kolona.
– Krahu i djathtë, kolona e parë e përbërë nga malësorë të fshatrave të Lumës: Bushtricë, Kalis, Kala e Dodës, Radomirë, Çajë… nën udhëheqjen e Qazim Likës, Cen Dacit, Idriz Zholja, molla Tofikut etj., mori drejtimin: Buzmadhe – Topojanë – Gorë (Vranisht) – Opojë – Vërri – Prizren.
– Ndërkaq krahu i majtë, kolona e dytë nën udhëheqjen e Ramadan Zaskocit, Osman Litës, Ramadan Çejkut, Sali Spahisë, Mustafë bej Deshatit, Haxhi Nokës, Riza Matit e të tjerë, sulmuan forcat tjera të armikut në Bicaj, Nangë, Shtiqën, Gostil, kapin bregun e majtë të lumit ”Luma” dhe përfundimisht ia mësynë Kullës së Lumës (ku takohen dy Drinat), si një qendër e rëndësishme e garnizonit ushtarak të armikut.13
Sipas një lajmi të botuar në gazetën e kohës ”Atdheu”, ”më 16 shtator 1913, kryengritësit e pushtojnë qytetin Luma (Kullën e Lumës). Një luftë e rreptë u bë afër atij qyteti. U morën masa të shpejta që t´i arrijnë e t´i përzënë shqiptarët” 14. Pas marrjes së Kullë Lumës, kryengritësit lumjanë u vunë në ndjekje të forcave serbe, të cilat morën rrugën në drejtim të Zhurit për të përfunduar në Prizren, duke kaluar në tërthoren përgjatë Drinit të Bardhë.
Derisa krahu i majtë (kolona e dytë) i kryengritësve, duke i ndjekur mbaturinat serbe mori nën kontroll të gjitha fshatrat e tërthorës Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Vërmicë – Zhur dhe ndaluan në fshatin Poslisht të Vërrinit, kryengritësit e krahut të djathtë të frontit – (kolona e parë), me luftime të përgjakshme përparuan me sukses drejt Buzmadhes, Topojanit, Novosejt, Shishtavecit dhe kapin Zapodin, Vranishtin, Restelicën, Dragashin e hyjnë në Opojë.
Betejat më të përgjakshme u zhvilluan në shpatet lindore të Pikllimës (Koritnik), në rrethet e Breznes (pranë Hanit të Llapushnikut) e deri në Zhur e Billushë të Vërrinit. Në këto fushëbeteja, kryengritësve lumjanë iu bashkuan edhe qindra goranë, opojarë e vërrinas nën komandën e atdhetarit Nail Hyseni – Dani, si dhe një pjesë e luftëtarëve të krahut të majtë (kolonës së dytë) në krye me Ramadan Çejkun, Kadri Shahinin, Rasim Selmanin të cilët u ngjitën kodrës së Zbinecit… Në betejën e përgjakshme të zhvilluar te Hani i Lapushnikut u plagos rëndë Qazim Lika dhe ”atë nga vija e luftës e tërhoqën tre goranë të Brodit dhe e dërguan në Spitalin e Selanikut për shërim. Ndërkohë që në krye të forcave kryengritëse të këtij krahu mbeti Nail Hyseni – Dani nga Rapça, i cili luftoi trimërisht kundër forcave serbe”.15
Në luftimet e fund shtatorit dhe fillim tetorit 1913, në fushëbeteja ranë dëshmorë edhe 20 luftëtarë shqiptarë: Kadri Shahini, Mustafë Cuni, Bajram Maliqi, Tafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali Karanxha, Shaban Tahiqi, Qerim Krasniqi, Murat Murati, Dajlan Basha, Vehip Beqiri etj., 16 ndërsa forcat e armikut patën mbi 30 ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur.17

– Ramadan Zaskoci –

Për këto luftime kanë shkruar edhe diplomatë të huaj. Kështu konsulli austro-hungarez njoftonte qeverinë e tij në Vjenë me tel. shifër nr.28, datë 29.09.1913 se ”shqiptarët nën udhëheqjen e Qazim Likës, pas luftimesh të gjata, i kanë thyer serbët në Kolesjan, Vasije e deri afër Bicajt… e sot kanë arritur në Prizren afërsisht 50 serbë të plagosur”.18
Pra, Kryengritësit shqiptarë në këto beteja pasi dolën trimfues, repartet e mbetura serbe duke u tërhequr për Prizren, ia mundësuan atyre që të përqëndrohen në vijën frontale: Vlashnje (ura e Vlashnjes) – Poslisht – Billushë – Hoqë e Qytetit – Jeshkovë – Lybeçevë – Lez – Sharr…, ashtu sikurse në vjeshtën e vitit 1912.
ZGJERIMI I KRYENGRITJES EDHE NË MALËSINË E GJAKOVËS
Kryengritja shqiptare në fund të shtatorit u zgjerua edhe në Malësi të Gjakovës dhe drejtues të saj ishin: Bajram Curri, Sali Hoxha, Isa Boletini, Hysni Curri, Bajram Daklani etj. Bajram Curri me krerët tjerë pasi kthehet nga Shkodra, duke e ndjerë gjendjen e mjerueshme të popullatës në Malësinë e Gjakovës, e cila nga represioni serbë kishte braktisur vatrat e tyre, bënë thirrje për të kapur armët kundër pushtuesve serbë.
Luftime të përgjakshme u zhvilluan fillimisht në Qafë të Morinës për të vijuar pastaj në tërë Malësinë e Gjakovës. Ndërkohë që kryengritësit shqiptarë synonin çlirimin e Gjakovës, për t´i ikur terrorit të egër, 10 mijë banorë të kësaj ane u detyruan të largohen për në Nikaj, Mertur, Pukë, Toplanë, Shkodër e gjetiu. Komanda serbe në këtë zonë (në drejtim të Qafës së Morinës…) kishte mobilizuar shtatë batalione të përforcuara edhe me artileri të rëndë, që arrinin në 12 mijë forca ushtarake, të drejtuar nga gjenerali Vashoviq dhe oficerë mizorë si Sava Llazaroviç (që në popull njihej edhe me emrin ‘Savë Batarja’) etj. 19 Në luftrat e përgjakshme që u zhvilluan edhe trup më trup, në fushëbeteja ranë dëshmorë 80 luftëtarë prej të cilëve 21 prej fshatit Shipshan, ku ishte i vendosur edhe shtabi i luftës në krye me Bajram Currin, ndërsa nga forcat e armikut u vranë 350 ushtarë.20

– Bajram Curri me bashkëluftëtarët e tij –

Në fillim të javës së parë të tetorit 1913 kryengritësit shqiptarë, pas një lufte heroike arritën t´i largojnë forcat pushtuese serbo-malazeze nga Malësia e Gjakovës.
SHUARJA E KRYENGRITJES
Lajmet që vinin nga frontet e luftës për sukseset e kryengritësve shqiptarë, e tronditën rëndë Nikolla Pashiqin dhe kabinetin e tij qeveritar. Kjo gjendje ndonëse e kishte tmerruar edhe diplomacinë ruse, shtypi rus kërkonte nga qeveria serbe që të mobilizohet për t´i riokupuar teritoret shqiptare dhe kërcnohej se askush nuk mund ta detyrojë ushtrinë serbe të largohet nga teritoret që do t´i zaptojë sërish! Atëkohë shtypi proqeveritar serbë dhe gazeta ruse ”Pravda”, akuzonin Bullgarinë dhe Austro-Hungarinë për nxitjen dhe përkrahjen logjistike që po i jepnin gjoja kryengritësve shqiptarë. Kjo propagandë shoviniste, mundohej që ta bind opinionin serb për gjoja paaftësinë e shqiptarëve për të luftuar kundër forcave serbe, dhe prandaj e akuzonin Bullgarinë dhe Austro-hungarinë për përgatitjen dhe organizimin e kësaj kryengritjeje, me përmasa kaq të mëdha! Kjo propagandë antishqiptare është bazuar në një proklamatë të lëshuar më 12 shtator 1913, nga vojvoda bullgar Millan Matov, i cili deklaronë se, ”…është lidhur marrëveshja për ta siguruar autonominë e të dy regjioneve.21 Ndërkaq, gazeta ”Odjeg” organ i Partisë Radikale serbe, shkruante pa hezitim ”se arnautët komandohen prej oficerëve austriak!”22
Qeveria serbe duke pasur mbështetje, sidomos nga Rusia dhe Franca, në fund të shtatorit e fillim të tetorit 1913, bëri përgatitje të shpejta për shuarjen e kryengritjes dhe me këtë rast vetëm në drejtim të Dibrës… mobilizoi deri në 40 mijë trupa, ndërsa përgjatë tërë vijës frontale të luftimeve prej mëse 100 km i aktivizoi rreth 70 mijë trupa.
Në fillim të tetorit ushtria serbe filloi ofenzivën kundër kryengritësve shqiptarë në tri drejtime:
1. në drejtimin – Dibër – Strugë – Ohër – Pogradec;
2. në drejtimin – Lugina e Drinit të Zi – Dibër – Peshkopi – Lumë për t´u rënë prapa forcave shqiptare, që sulmonin Prizrenin, ndërkohë që forcat serbe sulmuan edhe nga Prizreni kryengritësit shqiptare, që ishin pozicionuar në trevën e Vërrinit.
3. kurse drejtimi tjetër nga Gjakova për në Malësi 23, me qëllim të prerjes së rrugës për kryengritësit që të mos depërtojnë në Rrafshin e Dukagjinit. Ushtria serbe kërkonte ta shuante sa më shpejt kryengritjen shqiptare në mënyrë që ajo të mos përhapej brenda në Kosovë.
MASAKRAT E USHTRISË SERBE NË DIBËR DHE NË VENDBANIMET TJERA SHQIPTARE
Operacionet pushtuese të artilerisë së rëndë serbe që filluan më 1 tetor 1913, forcat kryengritëse shqiptare në trevat e Dibrës e më gjerë i gjetën në llogore, të cilat për disa ditë rresht qëndruan të pamposhtur, për t´i dhënë kështu mundësi popullatës së pambrojtur që të tërhiqen në brendësi të Shqipërisë. Dyndja më e madhe e popullatës u bë në drejtim të Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit 24, ndërkohë që fati i atyre që s´patën mundësi të ikin do të jetë tragjik.
Në një telegram dërguar konsullit austro-hungarez në Durrës, më 10 tetor 1913, thuhet se: ”Numri i dibranëve… të emigruar deri më sot në Tiranë e Durrës arrin në 10 mijë frymë. Mbasi vazhdimisht janë duke vërshuar të tjerë, konkludohet se pas dy-tri ditëve ka për t´u rrituar trefish. Njerëzit nuk posedojnë asgjë, veç rrobave që mbajnë të veshura dhe prandaj mjerimi i tyre është kolosal.”25 Dhe sipas të dhënave, thuhet se qyteti i Dibrës, dikur me 18-20.000 banorë, në fund të vitit 1913 kishte mbetur me vetëm 2.000 banorë, por edhe kjo pakic vdiste nga uria. 26
Ushtria barbare serbe gjatë këtij operacini pushtues, ndaj popullatës shqiptare, ushtroi një terror të pashembullt në historinë e njerëzimit dhe ky gjenocid nuk bëhej thjesht nga sadizmi i ushtarëve serbë, por burimin e kishte tek qarqet më të larta politike dhe ushtarake të Serbisë. Sipas një lajmi të botuar në formë komunikate në gazetën ”Politika”, vet mbreti Petar Karagjorgjeviq në mbledhjen e këshillit të ministrave të qeverisë serbe, kishte dhënë pëlqimin për një ekspeditë të tillë ndëshkimore në Shqipëri.27
Krimet serbe në Dibër e më gjerë i ka parë për së afërmi edhe shkrimtari Haki Stërmilli. Ai për masakrat në Dibër, shkruan: ”Në qytet, tabakhaneja, që ishte thertore bagëtish, u bë thertore njerëzish. Qytetit i vinte erë gjak njeriu, kudo mbretëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri. Përveç tabakhanes edhe në qytet brenda, ndër postat e gjindarmërisë kishte nga një burg, ku mjaftonte vetëm urdhëri i postkomandantit ose dëshira e ndonjë xhindarmi që të njomeshin mirë muret e atij burgu me gjak shqiptarësh të pafajshëm.”28

Gjenocidi dhe terrorizimi i ushtrisë serbe përfshiu mbarë vendbanimet shqiptare në Maqedoni. Vetëm në vijën Strugë – Dibër – Mavrovë – Gostivar – Tetovë u dogjën e u shkatrruan tërësisht 180 fshatra, ndërsa në rrethin e Ohrit u dogjën rreth 30 fshatra tjera shqiptare.29 Në këto ekspedita ushtarake, u vranë e u masakruan mizorisht mijëra shqiptarë të pafajshëm.
Me këtë rast soldateska serbe dogji e shkretoi fshatrat e Dibrës.
Në Dibër të sipërme, vranë e masakruan, dogjën e plaçkitën këto fshatra: Valikardhin, Sopotin, Shupencën, Gjoricën, Homeshin, Okshatin, Topojanin, Kovashicën, Glloboçishtën, Bllacën, Zogajn, Kërçishtën, Çerenecin, Maqellarën, Pesjakën, Erebarin, Vojnikun, Allajbegun, Avdeni, Çoken, Majtarin etj. Ndërkaq në Dibër të poshtme, barbarët serbë shkretuan fshatrat: Rabdish, Zimur, Tomin, Grazhdan, Muhurr, Ushtelenxë, Deshat, Sohodoll, Razhnapojë, Çerie, Pilaf, Luzni, Brezhdan, Bahute, Çetush, Pollozhan, Blliçe, Lipjan, Peshkopi, Trepçë, Çidhën, Penës, Venishtë, Divjak, Sllatinë, Vleshë, Kullë, Sllovë, Dardhë, Shumbat etj.30
Në Gostivar dogjën: Reçanin, Zdunjën, Ravenin, Vertokun, Mirditën, Zajasin, Ternicën, Nisrovën, Jançen, Orkushtin, Simnicën, Kalishtin, Konjarën, Sollokicën, Deshatin, Verganin, Bigorin, Pilatin, Çafën, Zuznijën, Shtirovicën, Dobovën, Strazimirin, Certanin, Klenjen, Stellovan, Bllacën, Spasin, Majtaren, Çerenin, Vojnikun, Klobçishtin etj. Në Reçan pasi u pushkatuan 30 vetë, repartet serbe i mblodhën 200 pleq, gra e fëmijë i mbyllën në dy shtëpi dhe i dogjën të gjallë. Në Zdunjë u dogjën 37 burra, gra e fëmijë të fshatit brenda ditës. Të nesërmen u masakruan edhe 9 të tjerë në vendin ”Vakuf” të Banicës. Ato ditë tetori 1913 në fshatin Simnicë u dogjën 113 shtëpi, u vranë 18 vetë, ndër të cilët edhe dy gra. Pas tetë ditësh me ftesë të sekretarit të nënprefekturës u thirrën me emra 22 vetë, të cilët pasi u lidhën gjoja për t´i nis në nënprefekturë i masakruan po në vendin ”Vakuf” të Banicës dhe masakrues ishin: Vojvoda Bogdan, Petro Mitre, Kërsti… me çetën e tyre. Në Vertok u pushkatuan 18 vetë dhe u groposën në ”Bigorë”, ndërsa në ”Vakuf” të Banicës u pushkatuan edhe 40 burra tjerë të fshatit. Në Raven u masakruan 30 vetë nga të cilët 12 vetë janë hedhur në pus. Në fshatin Vergan u vranë 52 vetë nën moshën 25 vjeç. Në Bigor u masakruan 13 vetë, në Zuznije u masakruan 45 vetë, në Shtirovicë 45 vetë…
Në Kalisht gjatë rrugës për në Pozheran u vranë e u therën 43 vetë…, ndërsa gjatë rrugës për në Gostivar u masakruan 32 shqiptarë të fshatit Çegran. Në katundin Çafë të Gostivarit u vranë e masakruan 94 vetë: gra, pleqë, fëmijë dhe në mesin e tyre qenë: Murat Selimi me gruan dhe katër fëmijë, Jonuz Selimi me gruan dhe tre fëmijë dhe Mehmet Halili me gruan dhe katër fëmijë.31
Në Rekë dogjën: Monarcin, Tërnikën, Nistrovën, Jançën, Radostushën, Kosovrastin, Skudrinën, Prisojnicën, Varbënin…etj. Në Gollobërdë dogjën: Zabzunin, Klenjën, Stellovën, Boravën, Sebishtin, Ostrenin, Okshtunin… Në Kërçovë u vranë 70 burra, nga të rrahurit dhe trupat e tyre u dogjën, poashtu në tetor 1913 edhe shumë fshatra përreth Kërçovës u dogjën dhe mashkujt u vranë dhe u masakruan pamëshirshëm. Fshati Zajas u dogjë dy herë: herën e parë u vranë 40 mashkuj dhe u hodhën me një pus, ndërsa herën e dytë u vranë mbi 200 të tjerë. Poashtu edhe në fshatin Sop rreth 200 banorë shqiptarë pasi u lidhën u futën në xhami dhe u dogjën për së gjalli, në Çellopek u masakruan 47 vetë.
Në fshatrat Llozhana, Lisiçan, Klenja, Lutvin, Zhitovcë, Deshovë, Dobrishë etj, ushtria serbe masakroi pamëshirshëm qindra shqiptarë, duke mos kursyer as gratë dhë fëmijët.32
Mizori të tilla u bënë edhe në fshatrat: Leshnicë, Dragomash, Mahmudaj, Llapkadol, Plasnicë, Lishicë, Divjakë, Venishtë, Sllatinë, Tria, Veleshkë, Kal, Dardhë, Reç, Shumbat, Palaman etj. Në Gjoricë qenë masakruar 14 vetë bashkë me plakun e katundit. Në Zogaj gjithë fshati qe plaçkitur,… 124 shtëpi qenë djegur dhe në mënyrë të tmerrshme u dogjën nga flakët e zjarrit disa mashkuj, gra dhe fëmijë. Në Maqellar qenë plaçkitur e djegur 10 shtëpi dhe u therën me bajoneta 27 vetë. Të tjerët për të shpëtuar jetën dhanë 50 buaj, 113 dhi dhe dy lopë. Në Bllaç qe plaçkitur fshati dhe pastaj i qe vënë zjarri, ndërkohë që të gjithë fshatarët pa dallim (burra gra e fëmijë) u masakruan në mënyrën më mizore, që s´mundet njeriu ta përshkruaj atë kasaphanë. Në Allajbeg u masakruan në mënyrë të tmerrshme 23 burra e gra si dhe një fëmijë 5 vjeç, ndërkohë që u plaçkit i tërë fshati e pastaj u dogjën 65 shtëpi. Në Zuznije qenë masakruar 45 vetë, u dogjën 5 shtëpi dhe u vodhën gjithë bagëtitë: 1.500 dhen e 20 kuaj. Në Deshat qenë djegur 15 shtëpi ku u dogjën të gjallë dy gra, dy fëmijë nga 7 vjeç dhe një 10 vjeç si dhe qenë vjedhur 50 buaj e 500 deshë. 33 Brabarizmat serbe janë shtrirë edhe në krahinën e Demirhisarit dhe të Përlepit, ku u dogjën 6 fshatra tërësisht, ndërsa u vranë e u masakruan të gjithë banorët e këtyre fshatrave.
VIJON…

 …………………………………………………………….

PJESA E DYTË
SHERADIN BERISHA: KRYENGRITJA SHQIPTARE E VJESHTËS 1913 (NË KRAHINËN E DIBRËS, LUMËS DHE NË MALËSI TË GJAKOVES) Pjesa e dytë
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3437

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura