Prishtinë, 12. 04. 2015 – Në Jugosllavinë e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë . Të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia. Këtë më vonë e pranuan edhe vet udhëheqësit jugosllav.
Në nëntitullin e tretë “Pranimi i fajit pas aktit të kryer”, shkruhet për ndërmarrjen e presionit e të dhunës ndaj shqiptarëve, por metoda më e preferuar e okupuesit ishte dhe mbeti falsifikimi i të dhënave statistikore mbi numrin e shqiptarëve dhe mbi lëvizjen demografike të popullsisë shqiptare. Në këtë drejtim Jugosllavia kishte investuar shumë, sepse fshehja e numrit të shqiptarëve në truallin e saj administrativo-politik si dhe fshehja e numrit të shqiptarëve të shpërngulur në Turqi e gjetkë, ka një ndikim me shtrirje të gjerë, e presupozon rezultate afatgjata në pretendimet pushtuese ndaj viseve shqiptare.
Për fillimet e falsifikimeve, autor thotë se ato kanë filluar herët, në fillimet e para pushtuese jugosllave, menjëherë pas vitit 1912. Falsifikimin e kishte filluar Jovan Cvijiqi, gjeograf serb, e për të vazhduar nëpër vite e dekada dhe për të kulmuar më 1999, bile me të njëjtën politikë vazhdohet edhe sot.
Pos numrit të popullsisë që vazhdonte të jetonte në tokat e veta apo të marrë rrugën e kurbetit në territoret e pushtuesit, të dhënat statistikore të të gjitha kohërave përpiqen të na e fshehin me këmbëngulje e perfiditet sidomos numrin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, me plane shtetërore jugosllave për shpopullimin e trojeve shqiptare nga elementi autokton dhe popullzimin e tyre – me elementin kolonësh sllav thotë autori i shkrimit të gazetës.
Një titull mjaft interesant e mban nëntitulli i shkrimit “Si të pacifizohen shqiptarët e kroatët e Bosnjës”, në të cilën autori shkruan në vazhdim se në të gjitha regjistrimet jugosllave të popullsisë, më 1921, 1948, 1953, 1961 dhe 1971, numri i shqiptarëve dhe i kroatëve të Bosnjës është falsifikuar në mënyrat më të liga. Për realizimin e këtij qëllimi, shovinistët serbomëdhenj kanë trilluar emërtime të çuditshme për kombësi të shpikura prej tyre dhe “teza” të shumta që s’kanë të bëjnë aspak me shkencën. Për të vazhduar me analiza të mëtejshme se në regjistrimet para lufte, shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklaronin kombësinë e tyre, se si pyeste kush, po vetëm të deklaroheshin lidhur me besimin e tyre fetar dhe me gjuhën amtare. Në pozitë të ngjashme ishin edhe kroatët e Bosnjës të besimit fetar mysliman. Mbi të dy palët bëhej presion dhe insistohej që këta të deklaroheshin turq. Në mënyrë që pastaj me dhunë e presione t’u epet rruga e Anadollit.
Për të bërë numrin sa më të vogël të popullatës shqiptare në ish-Jugosllavi, pushtetarët kishin shpikur edhe terme që nuk kishin të bënin fare me shqiptarët. Ata kishin trilluar apo thënë më ndryshe kishin falsifikuar edhe emërtimet më të ndryshme për shqiptarët edhe si popull edhe si komb. Pushtetarët trilluan një tezë neveritëse për ne duke na quajtur “arnaut” (serb të shqiptarizuar). Cvijiqi shënonte për ekzistimin e 140 familjeve “arnaute” në Kosovë. Ndërsa, Dimitrije Tucoviqi e kundërshtonte një të dhënë të tillë duke thënë se “kurrë historikisht nuk kanë ekzistuar rrethana që të kushtëzonin shqiptarizimin e serbëve” .
Autori i shkrimit, na rrëfen për falsifikimet në vitet e kaluar se çfarë ka ndodhur me popullatën shqiptare, por për të nxjerr mësim nga pësimet, ai merakosët për regjistrimin e vitit 1981, për të cilën bëheshin përgatitje të mëdha, dhe pale se çfarë marifetllëqesh do të shpikin për ne. Dhe vërtet frika e autorit u dëshmua më vonë se ishte e arsyeshme. Në krizën më të madhe në historinë e jugosllavëve, në kohën e lëvizjeve më të mëdha të disidentëve politik, të përçarjeve edhe në vetë radhët më të larta të qeverisë jugosllave; në kohën e burgosjeve të papashme politike të shqiptarëve e të kroatëve dhe të lëvizjeve të mëdha të këtyre dy kombësive për çlirim definitiv nga Jugosllavia .Po atë vit, më 1981, NIN-i kishte shkruar që është mirë që gjatë regjistrimit të popullsisë, të parashihej edhe kolona, që kush të donë mund të regjistrohet edhe “Jugosllavë”, dhe ashtu kishte ndodhur, se termi në fjalë sa ishte tendencioz po ashtu ishte edhe i rrezikshëm për popujt jo sllavë siç ishte rasti me shqiptarët.
Në nëntitullin e fundit të shkrimit “Armikut-gurin e gjakut”, që titullohej “Dezintegrimi i kompaktësisë etnike të shqiptarëve”, bëhej fjalë edhe më tej për shpikjen e termit “jugosllavë”, dhe që cak sulmi kishin “myslimanët” dhe shqiptarët. Si gjithmonë pushtetarët asnjëherë nuk kishin marr as mundin më të vogël që të bisedonin dhe të merreshin vesh për të gjitha këto marifetllëqe. Sipas autorit të shkrimit, ai konstaton se edhe në regjistrimet e kaluara, të vitit 1971, shqiptarët e patën kuptuar se ka ardhur koha e fundit që të dalin në dritë të gjitha dredhitë e pabesitë jugosllave dhe patën vendosur që jugosllavëve, në vend që t’ia fal kombësinë e vet, do t’ falë më me qejf gurin e gjakut. Ndonëse edhe atëherë u bënë manipulime me numrin e popullsisë, rezultatet e regjistrimeve qenë fatale për jugosllavët (sidomos për maqedonasit, të cilët i kishin vonua për gjashtë muaj rezultatet nga republika e tyre, vetëm e vetëm për të manipuluar disi numrin tejet të madh të shqiptarëve). Këto rezultate i dhanë impulse të reja popullit tonë të robëruar. U pa se, sa i përket shtimit natyror dhe moshës mesatare të popullsisë, shqiptarët janë kombësia më vitale jo vetëm në Jugosllavi; u pa se , me gjithë përpjekjet më ç’njerëzore të armikut për të zhbirë farën e popullit tonë nga viset shqiptare , ajo kurrsesi nuk po rrallohet , përkundrazi për vjet po shtohet dhe po rritet.
Për veprimet e tyre të pushtetit jugosllav, ata arsyetonin në vete duke parashtruar para vete shumë qëllime:
1. Në rastin më fatlum për pushtuesin, me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve deri në një minimum dhe me shtimin proporcional të numrit të kolonëve sllavë në tokat shqiptare, shovinistët jugosllav pretendojnë të fitojnë “të drejtat historike” mbi tokat tona;
2. Në një rast më pak fatlum për ta, kur nuk do të mund të sigurohej dezintegrimi i dukshëm i kompaktësisë etnike shqiptare po një dezintegrim i pjesërishëm, atyre u mbetet në dorë mundësia që popullsisë sonë t’ia reduktojnë edhe ato të drejta formale, që i përgjigjen shkollës së caktuar të kompaktësisë etnike më të madhe etnike të shqiptarëve. Mirëpo, me zhvillimin e ngjarjeve të mëvonshme, tërësisht në Kosovë dhe Jugosllavi ndryshoi situata politike. Me shpërthimin e demonstratave studentore të vitit 1981, intelektualet dhe anëtarët që aderonin në lëvizjen ilegale të Kosovës, ngritën zërin dhe reaguan ashpër se nuk mund të mbahet regjistrimi nën tytat e armëve. Andaj ishte krejt normale që regjistrimi i popullsisë i vitit 1981, u bojkotua në mënyrë masive nga shqiptarët.
Shkrimi “Dallgët e luftës revolucionare dhe antiimperialiste ngrihen gjithnjë e më lart”, është u huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit” dhe në vija të përgjithësuara jepen të arriturat e shteti shqiptar brenda planit të gjashtë pesëvjeçar dhe përgatitjet që bëhen për me dal sa më të suksesshëm në planin tjetër gjatë viteve 1981-1985.
Nga ATSH-ja, po ashtu huazohet shkrimi “Shtohen përherë e më shumë shpenzimet për armatimin (Një milion dollarë në minutë për përgatitjet për luftë)”. Në këtë shkrim kritikohet ashpër politika e shteteve të perëndimit, se në shtyp e televizionet e huaj, e sidomos të atyre Amerikane e Ruse, flitej me të madhe se angazhohen për paqe dhe stabilitet në botë, në të vërtet në botë ndodhë e kundërta, duke e argumentuar me të dhënën se vetëm brenda një minute bota harxhon një milion dollar për armatim , dhe më këtë angazhim për të prodhuar sa më shumë armë të sofistikuara, ata dëshmojnë haptas se sa janë për “paqe”.
3. 8. “Trakti” i Lëvizjet Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi” (LNÇVSHJ)
Në fillim të shkrimit njoftohen lexuesit se shkrimi “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar”, fillimisht është shkruar në formë “Trakti” nga ana e “LNÇVSHJ”, i cili kishte qarkulluar një kohë të gjatë në radhët e atdhetarëve në vend dhe diasporë.
Lëvizja… shkrimin e kishte ndarë në nëntë nën pjesë dhe në secilën veç e veç kishte prezantuar zhvillimin e luftërave shqiptare për liri e pavarësi.
Në nën pjesën “Pse historia u bë njerkë për popullin shqiptar”, konstatohej se populli shqiptar është një ndër popujt më të vjetër në Ballkan dhe Evropë. Por e keqja ishte se gjatë gjithë historisë, ata nuk patën miq dhe përkrahje nga të tjerët. Edhe ata që i kishin ishin shumë të vegjël dhe nuk mundnin të ndikonin në rrjedhën e ngjarjeve historike. Periudha njerkë për shqiptarët ishte shumë e rëndë dhe e vështir. Edhe pse i sulmuan dhe i copëtuan, megjithatë shqiptarët arritën që t’iu rezistonin armiqve të shumtë, dhe nuk ishte e çuditshme se më 1878, populli shqiptar organizoi dhe formoi lëvizjen e vetë kombëtare, me organet e saja politike në të gjitha viset shqiptare-Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren. Me anën e saj, populli i ynë i tregoi botës se populli shqiptarë është një dhe i pandarë. Formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pati jehon të madhe dhe ndikoi dukshëm që në skenën politike evropiane të mendohej pak më ndryshe. Kryesia e “Lëvizjes…” kështu e komenton se nën presionin e Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarëve , të cilët kishin dalë me armë në dorë e të organizuar në nivel të lartë për ta mbrojtur vatanin nga copëtimi që i kërcënohej, edhe fuqitë e mëdha u detyruan disa herë t’i ndërronin vendimet e Kongresit të Berlinit ., por më vonë për të gjitha këto ata u hakmorën keq ndaj tyre, duke dërguar flotën e përbashkët evropiane në Ulqin e Tivar, për t’ia dorëzuar Malit të Zi ato vise shqiptare, që ai vet nuk kishte mundur ti marri kurrë.
Pas kongresit të Berlinit, dhe pasi u copëtuan dukshëm tokat shqiptare, Serbia dhe “Shkencëtarët” e saj morën një fushatë të paparë vetëm e vetëm për të bindur opinionin botëror se Kosova është tokë serbe, dhe se e quanin “Stara Serbia”. Nuk ngurruan që të thoshin e të shkruanin lloj-lloj trillimesh duke thënë se “shqiptarët paskan ardhur në Kosovë aty nga shekulli XVII e XVIII . Por, në ndërkohë kishin “harruar” se me rrena nuk shkruhet historia.
Gjatë historisë dihej se shqiptarët në vitet 1908, 1909, 1910, e sidomos në vitin 1912, kur perandoria osmane dridhej nga themeli nga luftërat çlirimtare, kur i tërë populli shqiptarë dhe posaçërisht ai i Kosovës u ngrit në Luftë Çlirimtare e udhëhequr nga trimat më në zë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi e shumë të tjerë.
Më 1912, në kohën më të vështirë kur hordhitë e egra sllave ia kishin mësy tokave shqiptare, plaku i urtë Ismail Qemali s’bashku me Isa Boletinin ngritën flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Edhe pse u shpall Shqipëria, shtet i pavarur, megjithatë tokat shqiptare u copëtuan si më keq, gjysma e trojeve shqiptare iu futën në dorë robëruesve tanë të rinj, shumë më të egër se të përparshmit. Edhe pse populli shqiptar i kishte liruar me gjak tokat e veta, megjithatë edhe më tej vazhdoi si amanet, që të luftohej për realizimin e aspiratave të popullit shqiptar për krijimin e shtetit brenda kufijve kombëtar shkruajnë anëtarët e LNÇVSHJ.
Pas okupimit të tokave shqiptare, nga ana e Serbisë filloi një fushat e paparë dhune e terrori. Pushteti serb ndaj shqiptarëve u sillnin në mënyrën më të vrazhdë. I mohonin të kaluarën e lavdishme dhe luftonin me lloj-lloj shantazhesh për të ardhmen. Njëra ndër metodat më të preferuara të tyre ishte dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre, zhdukja e tyre fizike, kolonizimi i tokave shqiptare me element sllav e shumë prapësi të tjera. Gjatë luftërave të më vonshme, pushteti serb u kujdes që në mënyrë sistematike të zhduk e të ç’faros sa më shumë shqiptarë. Ajo kohë ishte koha e shovinistëve serbë si e Vasa Qubrilloviqit, Ivo Andriqit, Ivo Vukotiqit dhe shumë të tjerëve, kur me këmbëngulje kërkonin nga pushtetarët që të merrnin masa drastike për zhdukjen e shqiptarëve. Ata shkuan aq larg sa shkruan elaborate të tëra se si dhe kur është më së miri ti zhduknin shqiptarët.
Në etapa të caktuara historike bëhet edhe analiza e situatës nga ana e anëtarëve të LNÇVSHJ-së. Në nën pjesën e titulluar “A bënë dot shqiptari ç’bënë kralët dhe shovinistet e rinj”, bëhet fjalë për LDB dhe tokat shqiptare të cilat ishin pushtuar nga nazi-fashistët Dhe duhet përmendur se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar mori pjesë aktive në të dhe për herë të dytë i çliroi tokat e veta. Duke u mbështetur në forcat e veta dhe pa ndërhyrjen e aleatëve, populli i ynë ngadhënjeu mbi fashizmin, madje duke iu ardhur në ndihmë edhe popujve të tjerë, siç ishin ata të Jugosllavisë… , për të vazhduar më tej se deri në Konferencën që u bë në Bunjaj të Malësisë së Gjakovës, masat e gjera popullore në Kosovë nuk i kuptonin sa duhej qëllimet e LNÇ-së. Por, këto qëllime u kuptuan me themel pasi u shpall Rezoluta e kësaj Konference, ku thuhej se “Populli shqiptar, i cili me shekuj luftoi për çlirimin dhe për krijimin e shtetit të vet kombëtar, dhe pjesa e trojeve shqiptare e pjesa e trojeve shtetërore shqiptare, me çlirimin nga pushtuesit, do t’i realizojë aspiratat e veta dhe do t’i bashkëngjitet shtetit amë, Shqipërisë. Për këtë do të garantojë Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Anglia, si fuqi aleate në Luftën e Dytë Botërore” . Se populli i Kosovës dhe i Viseve tjera shqiptare, që kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit amë deri në fillim të II Botërore, para konferencës së përmendur kishin frikë se do të përsëritej e kaluara. Gjatë LDB, nuk mungonte edhe angazhimi i madh i komunistëve, duke e bindur popullin se poçes arrihet të luftohet nazi-fashizmi, atëherë garantonin ata se edhe çështja shqiptare do të zgjidhej drejtë e mirë ashtu edhe siç aspironin shqiptarët. Mjerisht, edhe kësaj here u dëshmua e kundërta. Kosova dhe shumë vise shqiptare u copëtuan në shumë republika jugosllave dhe Kosova u aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Shqiptarëve në këtë periudhë nuk iu kishte ngelur rrugë tjetër, veçse të organizoheshin dhe të bënin rezistencë të armatosur. Janë të njohura Lufta e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, sulmi i Gjilani nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, Sulmi i Ferizajt e shumë luftëra të tjera anë e kënd në tokat shqiptare. Kur kryengritjet e shumta u shuan me gjak nga ana e “partizanëve” çetnik, atdhetarët shqiptar u detyruan që në një ilegalitet të thellë të vazhdonin dhe të organizonin shumë grupe e organizata ilegale që në vazhdimësi luftuan për qëllimin më sublim dhe më suprem për bashkimin e tokave shqiptare.
Për realizimin e planeve të vjetra, okupuesi serb filloi të aplikonte metoda të reja, dhe për të gjitha këto flet nëntitulli në vazhdim “ Planet e vjetra-metoda të reja” të traktit të ilegales.
Një nga metodat më të përshtatshme që filluan për ti përdorur pushtuesit e rinj, ishte po ajo metodë që e kishin përdorur edhe më herët kralët serb: 1. Shpërngulja permanente e shqiptarëve nga trojet e veta. Meqë përballë popullsisë vendase dhe asaj botërore, ky aksion nuk mundë të ndërmerret me dhunë të hapur, sikurse në kohën e Jugosllavisë së vjetër, ata i hynë një aksioni të tërthorët. Përtërin e ripërtërin marrëveshjen xhentellmene turko-jugosllave, dhe kërkuan që nga Kosova dhe viset tjera shqiptare të shpërngulën sa më shumë shqiptar të besimit mysliman. Gjatë viteve të tmerrshme të dhunës e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve filloi edhe shpërngulja e madhe për në Turqi. Duke e parë rrezikun e madh nga shpërngulja dhe duke lënë mbrapa shumë fshatra të zbrazura shqiptare, atdhetarët shqiptar nuk qëndruan duarkryq dhe ndërmorën masat e nevojshme për të penguar zbrazjen e tokave shqiptare. Në statistikat e gjykatave të qarqeve në Kosovë janë të njohura shumë procese gjyqësore që u organizuan ndaj të gjithë atyre që pengonin në shpërnguljen e shqiptarëve. Si gjithmonë, pushteti nuk delte hapur kundër atyre që pengonin shpërnguljen por gjenin shumë e shumë arsye për ti hedhur në burg, që në një mënyrë amortizonin reagimin kundër shpërnguljes.
2. Si metodë e dytë që u aplikua me mjaft sukses ndaj shqiptarëve që kishin ngelur nën Jugosllavi, ishte edhe metoda e grumbullimit të armëve tek shqiptaret, apo ndryshe në popull njihej si “Aksioni i mbledhjes së armëve” gjatë vitit 1955/56. Aksioni ishte organizua me pretekstin se gjoja u kishin mbetur nga lufta shumë armë shqiptarëve dhe të gjitha ato paraqitnin rrezik për sigurinë e rendit në Jugosllavi. Në fakt, Aksioni i armëve ishte një nga mënyrat për presion mbi popullin shqiptar, me qëllim kryesor e të fundit- shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e gjetkë. Gjatë aksionit populli shqiptar u torturua aq shumë nga UDB-eja, sa që një numër i madh njerëzish e humbën edhe jetën, kurse pjesa tjetër (e banorëve të moshës madhore), mbeti me pasoja të rënda fizike e psikike.
Për aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë, pas viteve 1966/1968, shkruante edhe shtypi i vendit dhe shtypi botëror. Gazeta “Vus” e Zagrebit, kishte shkruar se gjatë kohës së aksionit të armëve nga viset shqiptare nën Jugosllavi u shpërngulën dhe shkuan për Turqi rreth 300 mijë shqiptar. Kundër këtyre metodave perfide që organizoheshin nga ana e pushtetit u bë rezistencë e madhe si në mënyrë individuale po ashtu edhe në formë të organizuar. Gjatë kësaj kohe u formuan dhe vepruan shumë organizata ilegale që kishin për qëllim rezistencën e shqiptarëve dhe u mundonin që në masat e gjera të bënin informimin e drejtë për shpërnguljet në Turqi dhe metodat e ndryshme të dhunës që përdornin okupuesit. Gjatë kësaj periudhe, numri i të burgosurve politik u shtua dukshëm, në këtë kohë u mbajt procesi gjyqësor i njohur me emrin “Procesi i Adem Demaqit”, Procesi gjyqësor i Metush Krasniqit me shokë. Në burg u mbyt me dhunë mësuesi patriot i Letancit të Llapit, Shaban Shala, Fazli Grajqevci e shumë e shumë të tjerëve anë e kënd Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi.
Më 1968, angazhimi i atdhetarëve tek masat e gjera shqiptare, dha edhe rezultatet e para të lakmueshme. Fillohet me organizimin e demonstratave që mbahen në Prizren (6 tetor, ‘’68), për të kaluar në Therandë (8 tetor ‘68), për tu organizuar me 19 tetor në qytetin e Pejës, për të mos mbetur anash Gjilani me rrethin, me 27 nëntor, 1968. Po ashtu, jepen të dhëna të bollshme për demonstratat në Besian, për të pasuar më vonë nga ato të Ferizajt me dallim prej një ore, për të vazhduar më vonë zinxhir, në Mitrovicë, dhe për të kulmuar në Prishtinë, ku demonstrimi i masave e studentëve i arrin majat, me fillim në orë 16 pa pesë minuta, e, për të përfunduar diku kah mëngjesi i ditës së nesërme (28 nëntor ’68).
– Demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë –
Bërja e demonstratave për herë të parë në Kosovën e pas LDB, në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar pati jehon të madhe duke e ndarë një kohë historike në dysh: kohën para demonstratave dhe atë pas demonstratave. Andaj, edhe informimit iu kushtua një rëndësi e veçantë, edhe pse udhëheqja e atëhershme u mundua që të minimizonte rendësin dhe qëllimin e tyre. Proceset gjyqësore që u organizuan dhe u mbajtën ndaj demonstruesve-organizatorë, binin në sy me shqiptimin e pakët të viteve të burgut. Ç’është e vërteta, ato nuk ishin të vogla ngase grupit të organizatorëve dhe të tjerëve që u arrestuan iu shqiptuan mbi 100 vite burg të rëndë, porse krahasuar me dënimet e mëhershme që iu shqiptoheshin shqiptarëve, e që ishin dënime prej shumë viteve, këto ishin më pak të larta.
Ishte edhe një urdhër nga “lart”, që i udhëzonte gjykatësit, që mos t’iu kushtohet ndonjë rëndësi e veçantë demonstruesve, por edhe mos të shkruhej drejtë për kërkesat e tyre. Shtypi jugosllav, i vlerësoi si të organizuara nga “armiqtë“ e popullit jugosllav e shqiptar.
Edhe pse kanë kaluar vite e vite, konstaton “Lëvizja…”, kërkesat e popullit shqiptar edhe më vonë ngelën të njëjta, kërkesa ato që kishte parashtruar populli shqiptar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më vitin 1945, më 1968 e më 1978, dhe nëpër të gjitha këto vite përcillej si kushtrim kërkesa e LSHP me Abdyl Frashërin se shqiptarët nuk duan as më shumë e as më pakë se “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar” dhe kjo e drejt e ligjshme u nëpërkëmb vit pas viti deri më 1999.
Dhe për këtë të drejtë dhe të vërtet e dinë mirë robëruesit jugosllavë. E di mirë tërë bota se, pa krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve kombëtar shqiptarë- nuk do të ketë paqe në Ballkan thuhej në traktin e LNÇVSHJ-së.
3. 9. Poezia patriotike në faqet e “Lajmëtarit…”
Siç e kam thënë edhe më lartë në këtë shkrim, gazeta “Lajmëtari i Lirisë” karakterizohet me botimin e shkrimeve me karakter politik dhe kombëtar. Por, veç këtyre, në faqet e kësaj gazete hasim aty-këtu edhe në poezi që kanë po të njëjtën frymë atdhetare. Në faqen e 15 të kësaj, lexuesve iu prezantohet shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare me një poezi “Kali i Trojës” (fragment). Ndoc Gjetja: “Te gryka e Honit ku prehen eshtrat e Azemit” si dhe një poezi e huazuar nga përmbledhja me poezi “Këngët e Lirisë” që ishte botim i Marksistëve-Leninistë të Kosovës, e që titullohej me “Thonë atë ditë…”
Në poezinë “Kali i Trojës”, I.Kadare, na paraqet tradhtinë e madhe që iu bëhet trojanëve duke komunikuar me ta se “Ata të hapën portat, s’dinin ç’ishe/ Pastaj (o, pastaj) kur flakët përndrisheshin, gjindja ulurinte/ Klithnin “oh, tradhti”, por ishte vonë? . Në poezinë e Ndoc Gjetës, jepet dialogu i shkurt që bënë autori i poezisë me Azem Galicën, duke iu drejtuar: A po më ndien o Azem Galica?-/thirra ndoshta një qind herë/Një shqiponjë doli nga gryka/me tërsëllëm u ngrit në qiell/I thash vetes mos thirr më!/Se Azem Galica doli/ , dhe vërtet gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar që ishte e mbushur me ngjarje madhore, nëpër vite vinin edhe gjeneratat e reja që vazhdonin rrugën e të parëve, dhe kur i shihje ata trima dhe ato vasha, fitoje përshtypjen se trimat po ktheheshin e po riktheheshin me tërë madhështinë e tyre heroike.
Në rubrikën “Fjala jonë poetike në ilegalitet”, prezantohet poezia “Thonë atë ditë…”, por edhe kësaj si shumë shkrimeve nuk i dihet autori. Poeti ilegalist shkruan për ditën kur u vendos që Kosova të aneksohej nga Serbia dhe Jugosllavia. Kam lexuar shumë libra shkencore për këtë padrejtësi të madhe që iu bëhet shqiptarëve, kamë lexuar edhe krijime artistike, porse nuk më ka rënë të lexojë diçka të tillë të dhembshme dhe në të njëjtën kohë të mrekullueshme. Është e dhembshme kur i lexon këta rreshta dhe për një moment hyn hullive të historisë dhe… vërtet autori ka të drejtë kur shkruan “Thonë atë ditë lëvizën varret/ Eshtrat ndjen therje thike/U dridhen kullat shekullore/ Pushkët vollën gjak për gryke/Thonë atë ditë në ballë rrudhat/ Tym seç nxirrnin nga mërzia/ Thonë atë ditë në bark të nënës/Dhembje ndjeu edhe fëmija/ për të vazhduar më tutje dhe për të treguar se çfarë ishte ajo që e solli këtë apokalips në shpirtin e poetit. Në strofën e fundit të poezitë poeti shkruan: Thonë atë ditë qau dhe dheu/ Guri plasi nga mërzia/ Thonë atë ditë, atë ditë të zezë/Dysh na ndau tradhtia” . Për të mos elaboruar situatën politike dhe pse erdhi deri tek aneksimi i Kosovës dhe i shumë tokave shqiptare nën Jugosllavi, autori thotë se e tërë kjo ndodhi ngase u tradhtuam nga shumë faktor që dominonin në atë kohë ( 1945).
Në faqen e fundit të gazetës prezantohet edhe artikulli “Populli është i pamposhtur”, shkrim i huazuar nga revista shqiptare “Shqipëria e Re”, 5/ 1980, Tiranë. Po ashtu në këtë artikull në përgjithësi bëhet fjalë për historikun e Shqipërisë që nga Lufta e Parë Botërore e deri më ditët e sotme, duke i kushtuar veçantë Ivo Andriqit se si kishte reaguar për dëbimin e italianëve nga Shqipëria e duke harruar për elaboratet e tija që i kishte shkruar dhe kishte paraparë që shteti shqiptar të ndahej në mes të Serbisë e Italisë, e herë në mes të Serbisë e Greqisë . Duke harruar se të tëra ato toka ishin shqiptare dhe i takojnë atij.
– Historia jonë kombëtare ndër shekuj –
3. 10. Shtojca e “Lajmëtarit…”
Në shtypin e ilegales që botohej në diasporë, më ka rënë të gjejë në shumë gazeta se botonin edhe shtojca speciale, apo edhe numra të veçantë që kishin tematika e probleme të veçanta. Në numrin e tretë të gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, të vitit 1981, numri i parë, gjejmë edhe shkrimin “Kush thumbit e kush patkoit” që kryesisht i kushtohet ngjarjeve të dy viteve të fundit që kishin ndodhur në Kosovë dhe në viset shqiptare nën Jugosllavi.
Fillimisht redaksia kërkon falje nga lexuesit për shkak se ndoshta këto të dhëna nuk janë të punuara sikurse shkrimet tjera, por botimi i tyre kishte një rëndësi të veçantë për të njoftuar opinionin e gjerë si në diasporë po ashtu edhe në Kosovë.
Shtojca e “Lajmëtarit…” , ka dy faqe tekst, të ndarë në shtatë nëntituj.
Në pjesën e parë, bëhet fjalë për burgosjet e shumta që ndodhin në Kosovë që nga 21 nëntori 1980, e që vazhdon deri më 1 janar 1981. Me një llogari të thjesht, del se vetëm brenda më pak se një muaj e gjysmë, u arrestuan dhe u dënuan këta persona:
1. Hasan Ukëhaxhaj, nga Carrabregu, magjistër i gjuhës shqipe,, arsimtar në QAM “Vëllezërit Frashëri”, të Deçanit.
2. Ibish Neziri, nga Bardhaniqi, student i gjuhës shqipe, i burgosur më 21 nëntor 1980.
3. Bajram Gashi, nga Llapushniku, milic me shërbim në fshatinë Cërmjan, student i gjuhës shqipe në SLP të Gjakovës.
4. Ali Mehmeti, nga Botusha, mësues në Mushtishtë të Suharekës.
5. Sokol Mehmeti, gjithashtu nga Botusha, student.
6. Ramiz Zeqiri, nga Brovina, student i gjuhës shqipe.
7. Xhafer Sylejmani, nga Nivokazi, student.
8. Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, i arrestuar gjatë kohës që po bënte shërbimin ushtarak diku në Slloveni.
9. Ismet Iberdemaj, nga Peja, student në Prishtinë.
10. Hysen Gegaj, nga Sallagrazhda, bujk, në kohën e arrestimit punëtor në botën e jashtme.
11. Danush Gegaj, nga Sallagrazhda, student në Prishtinë, që bashkë me të vëllanë, Hysenin u arrestuan mëngjesin e 1 janarit 1981, në shtëpinë e lindjes në Sallagrazhdë.
Sipas këtij shkrimi del se personat e akuzuar ishin arrestuar dhe ndaj tyre ishte ngritur aktakuza për veprimtari “armiqësore” dhe të gjithë ngarkoheshin në bazë të nenit 133 , të Kodit Penal të Jugosllavisë.
3. 11. Aksionet e anëtarëve të ilegales në teren
Në nëntitullin “Një aksion i vlefshëm në Prizren”, mërgata e jonë njoftohet se gjatë festave të nëntorit, në Prizren, rinia e kyçur në ilegale kreu një aksion kundër shtetit, duke shpërndarë në shumë vende shumë afishe të punuara bukur dhe me një përmbajtje të shkurtër dhe koncize, që vinte si përgjigje për burgosjet masive politike që kishin ndodhur në Kosovë. Redaksia e “Lajmëtarit…” vije në përfundim se aksioni i përmendur ishte i vlefshëm dhe i rëndësishëm, jo vetëm për përmbajtjen dhe shpërndarjen e tyre, por ishte e rëndësishme edhe koha kur u bë shpërndarje,: Festa Kombëtare e Pavarësisë, pra edhe gjatë së cilës u burgosën veprimtarët e ilegales , dëshmuan edhe një herë se të gjithë ata të burgosur, nuk ishin të vetëm, por për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare nën ish Jugosllavi luftonte një armatë e tërë.
Rasti i shpërndarjes së afisheve në Prizren nuk ishte i vetëm. Në natën e festës së flamurit kishin reaguar edhe nxënësit e QAMO “Vëllezërit Frashër”, të Deçanit. Gjashtë paralele të ish-gjimnazit eksperimental dhe muret e jashtme të sallës së fizkulturës, u stolisën me parulla secila më e fuqishme se shoqja: Rroftë 28 Nëntori, “ Rroftë PPSH dhe Enver Hoxha” etj. Fotografit e satrapit Tito, të varura si shëmtim që ndyn emrin e madh të patriotëve e të rilindëseve shqiptar Frashri, emrin e të cilëve e mban kjo qendër shkollore, rinia i mbuloi me një ngjyrë të fortë të yndyrshme . Pasi se u panë e u soditën këndshëm nga nxënësit dhe arsimtarët e shkollës, nuk vonon shumë dhe udbashët me një shpejtësi të ethshme, mbuluan dhe shkarravitën çdo gjë në mur duke lënë mbrapa vetëm gjurmët që të kujtonte se ishte përdorur dhunë për ti shlyer ato shkrime që ishte dëshirë e shprehur në parulla. Udbashët me vete morën shumë nxënës e arsimtar, ku në zyre të sigurimit përdorën lloj-lloj presionesh vetëm e vetëm për të zbuluar aktoret e shkrimeve.
Një vepër tjetër patriotike ishte kryer edhe më 25 nëntor në fshatin Irzniq, në shkollën fillore që mbante një emër jo pak të urryer, Petar Përle, dhe me gjasë ky emër tek nxënësit dhe qytetarët kishte nxitur neveri, dhe nuk ishte fare befasuese, kur mëngjesi i 25 nëntorit bustin e tij e kishte gdhirë pa kokën e tij. Organet e pushtetit e sidomos bashkëpunëtorët e UDB-es, e përjetuan rëndë, edhe në këtë rast nuk mungoi arrestimi i nxënësve e fshatarëve. Për të qenë absurdi edhe më i madh, shkruan shtojca e “Lajmëtarit…”, se nga burime të sigurta jemi informuar se UDB-eja e ka qitur fjalën në rrethin e besimtarëve të vet se ai që e zë aktorin e heqjes së kokës nga busti, do të shpërblehet me- 200 milion dinarë!!! , por në popull ndodhte e kundërta, ishte përhapur lajmi se kushdo që i ka hequr kokën bustit anonim, do të shpërblehet me 200 milion dinarë.
Për një aksion tjetër nga ilegalja shqiptare flet edhe shkrimi në vijim “Prapë Përla, prapë Kardeli… Deri kur-përrr?”, në këtë shkrim të radhës bëhej fjalë për regjionin e Deçanit si pjesa më e prapambetur si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë arsimor e politik. Duke u nisur nga këto të dhëna pushtetarët llogaritnin se edhe popullsia shumicë shqiptare (94,2% shqiptare, regjistrimi i vitit 1971), llogaritnin se pajtohen me të bëme e udhëheqësve të kësaj komune. Në vjeshtë të vitit 1980, në qytetin e Deçanit , u emërtuan rrugët, por kryesisht u vunë emra të heronjve serb e sllavë, në të rrallë apo tek-tuk ndonjë rilindës shqiptar. Populli nga ky gjest i pushtetarëve u dëshpërua keq, dhe në ditën e nesërme që u vunë pllakatet e rrugëve me emra sllavë, mëngjesi i nesërm i gdhiu të demobiluara dhe të thyera e të hedhura në tokë. Udbashët u shqetësuar për guximin e marr nga popullata, por nga ky gjest i popullit morën edhe një mësim të mirë se shqiptarët shumicë në këtë komunë nuk pajtohen me pushtetarët dhe politikën okupuese jugosllave.
Në shkrimin “UDB-eja dyshon në radhët e veta”, informohet opinioni se lëvizja ilegale patriotike shqiptare ka arritur që në radhët e UDB-es të ketë edhe atdhetar të devotshëm siç ishte rasti më i freskët i policit të arrestuar nga Cërmjani, Bajram Gashi. Bajram Gashi ishte një atdhetar që padrejtësitë e shumta, përcjelljet e njerëzve të pafajshëm, spiunazhi e shantazhi i kishin ardhur në grykë, dhe kështu në nëntor, udbashët duke e vërejtur rezistencën e tij të heshtur e herë transparente, e arrestojnë duke e mbajtur me muaj të tërë në hetuesi. Dhe, ja edhe një dëshmi, kur udbashët kanë filluar të dyshojnë edhe në “forcat” e veta. “Shtojca” shkruan se është e sigurt se Bajram Gashi, sido që të vënë punët (thonë se ai është edhe i qëndrueshëm e i pamposhtur në qëndrimet), është një person që i ka dal dore përgjithmonë UDB-es. Na mban shpresa se shembullin e tij do ta ndjekin edhe kolegët e tij të tjerë të ndershëm përmbyll shkrimin gazeta.
Në shkrimin “Një akt barbar, i organizuar”, flitet për kriminelin e njohur të atyre viteve që jetonte në Lëvoshë të Pejës, por pasi se ishte zbuluar, atë e kishte marr në mbrojtje qendra çetnike e Beogradit. Për të njohur të bëmet e këtij krimineli, gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, në shtojcën e vet na sjell këto të dhëna: Më 19 tetor 1980, në Lëvoshë, përmbi Pejë, një kriminel malazezë shtiu mbi dy djelmosha shqiptarë, nga të cilët njëri mbeti vdekur e tjetri ia doli të ikë dhe ta informojë policinë për krimin e asaj dite. Viktimë e këtij gjahu çetnik në skalpe shqiptare qe 20-vjeçari Masar Hyseni nga fshati Smirë i Vitisë (i lindur më 1960), student i vitit të dytë në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Ditën kontestuese, Masari dhe moshatari i tij Osmani nga Sadovina e Vitisë, kishin dalë për një shëtitje të zakonshme në pyll afër Lëvoshës. Këta dy të rinj asnjëherë nuk kishin menduar se në një shëtitje në natyrë do të lind një tragjedi aq e madhe. Dhe në vrapim e sipër, Masar Hyseni, bije i vdekur nga plumbat e çetnikut të Lëvoshës. Por habia ishte edhe më e madhe, kur pas arrestimit të tij nga organet e ndjekjes, krimineli pranon se kishte vrarë shumë persona shqiptare duke treguar se ai kishte kryer vetëm porosinë që e kishte marr nga eprorët e veta nga Beogradi . Pas një kohe,kriminelin e transferojnë në spitalin e Beogradit duke mos e zbuluar kurrë se kush ishin personat që porositshin vrasjet ndaj shqiptarëve.
Nuk janë të panjohura rastet e shumta kur pushteti paguante kriminelet e shumtë për të likuiduar e vrarë sa më shumë shqiptar, vetëm e vetëm që tek popullata të krijohej psikoza e frikës dhe e rrezikut që me të madhe ti lëshojnë trojet e veta. Dhe esesi udhëheqësit shqiptar, që redaksia e “Lajmëtarit…” i quan “kukulla” të sistemit, edhe më tej bëhen të shurdhër duke mos dashur me kuptuar se ky pushtet gjatë gjithë historisë ishte njerkë dhe okupues i popullit shqiptar që jetonte me shekuj në trojet e veta.
(Për shkak të gjatësisë së studimit – fusnotat janë hequr)
– FUND –
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3837
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3844
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (III)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3848
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (IV)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3849
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
Këtë studim në formatin ‘PDF’ mund ta lexoni këtu:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA:
GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-k.basha-lajmetari-i-lirise-1980.pdf