PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (III)

Prishtinë, 01. 10. 2015: Në shtypin ilegal rëndësi e veçanet iu kushtonte rinisë, si asaj fshatare, asaj shkollore dhe asaj studentore. Dhe ardhmërinë e ndryshimeve politike, e shihnin te përkrahja dhe mbështetja e saj e madhe. Së tepërmi u brengosnin ata për fatin e saj dhe kishin frikë nga okupuesi mos do ta degjenerojë atë. Andaj në shtypin ilegal në çdo numër vend meritor zinin shkrimet e ndryshme, që kishin për qëllim edukimin, qëndrueshmërinë, shkollimin, dashurin ndaj atdheut dhe për shumë gjëra tjera, që ishin shumë të rëndësishme për edukimin e saj.
Në numrin e dytë të revistës “Zëri i Kosovës” gjendej edhe shkrimi “Përpjekjet e reaksionarëve jugosllav për degjenerimin e rinisë së Kosovës – do dështojnë me turp” e shkruar nga “Hysë Derveni” (Hydajet Hyseni).
Në fillim të shkrimit, autori cekte se sa e rëndësishme është rinia për një popull, e aq më tepër kur dihej për rinin tonë shqiptare se nëpër çfarë peripecish kalonin dhe se me çfarë presionesh duhet përballuar. Dhe shton “Hysë Derveni” se “Rinia është mbështetja më e fortë e popullit, shpresa e tij më e mirë. Rinia është ajo forcë që e lëvizë shoqërinë, që e shpije atë përpara” . Me të drejtë atë e kanë quajtur “lokomotivë të shoqërisë”. Por nga ana, pushtetarët mendonin se ajo ishte pengesa më e vështirë në realizimin e qëllimeve të arrta të qarqeve okupuese. Nisur nga fakti se “aty ku është rreziku më i madh, aty edhe është lufta kryesore”, “mund të kuptohet qartë”, thotë autori, se pse bëhet aq luftë dhe përpjekje për ta paralizuar dhe për të paaftësuar rininë, se ata (okupuesit), llogarisin në pasoja astronomike.
Autori bënë një elaborim të mirë e të thukët, kur fletë për angazhimin e shtetit se si ta “kombëtarizojë rinin kosovare (shqiptare)”. Në këtë luftë armiku nuk zgjedhë mjetet e as mënyrat duke filluar që nga ato më primitivet të shtypjes dhe terrorit e gjerë te arma më e re dhe më “moderne”- degjenerimin e rinisë, e cila armë po përdorët me të madhe edhe në vendet tjera të Jugosllavisë, ku rinia paraqet shenja të pakënaqësisë.
“Kjo luftë për bashkimin kombëtar për Kosovën nuk është e re dhe e panjohur”, vazhdon autori, por jo dhe e papritur. “Kosova është e mësuar me lufta. Qysh pas luftërave ballkanike kur Kosova ra nën kthetrën e shovinistëve të Jugosllavisë, kundër Kosovës filloi lufta për ç’kombëtarizimin e popullsisë shqiptare e cila gjithmonë shoqërohej me diskriminimin kombëtar, torturat më të egra që mbanë në mend historia. Luftërat hegjemoniste nuk pushuan kurrë, ajo në forma dhe mënyra të ndryshme po vazhdon edhe sot. Këtë luftë reaksioni po e bënë në çdo mënyrë bile shumë herë krejt haptas” , e thotë autori i shkrimit.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë – Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse është dyshuar se Hydajeti është vrarë… /sh.b/

===============================

Për të shkruar për deformimet që i bënte me qëllim sistemi jugosllavë, nuk ishte shumë e nevojshme të lexojmë ndonjë literaturë të caktuar, ose të vejmë syza e të studiojmë gjatë për to, “mjafton të dalësh në rrugë dhe të shikosh rinin se si rrinë kotë së koti në rrugë, dhe imitojnë botën e perëndimit, me ca veshje të çoroditura dhe donë të imitojnë “hipikët”, ndërsa, me asgjë nuk ngjasojnë në perëndimin, dhe nuk e din pse janë të këtillë”, vije në përfundim autori.
Alkoolizmi si dukuri negative shqetësonte pa masë anëtarët e grupit. Andaj në shtypin e tyre nuk mungonin trajtimet nga më të ndryshmet. Frika se alkoolizmi dita më ditë po e përfshin me të madhe rinin tonë, e alarmonte ilegalen. “Kafenetë janë gjithherë plot me të rinj, dhe kohën më të madhe e kalojnë duke pirë e që nuk e dinë pse pinë” , frika nga ndeshtrashat që i kishin zënë pritën rinisë ishte trajtim permanent në revistën “ Zëri i Kosovës “, dhe për këtë dukuri nuk hezitonin fare që të shkruanin në çdo numër.
“Kriminaliteti” ishte dukuri që iu mveshte rinisë shqiptare. “Vrasjet”, “vjedhjet”, “mashtrimet”, “dhunimet” e çka nuk pollte mendja e udbashëve pothuajse ishin bërë akuzime të përditshme për rininë. Rinia ishte e dëshpëruar ngase e kishin kuptuar se kishte ngelur në mëshirën e njerëzve që nuk ia donin të mirën rinisë së shëndosh shqiptare.
Për të gjitha këto dukuri që u shfaqnin në shoqërinë tonë, askush nuk ishte fajtor veç pushtetit jugosllav e cila vazhdimisht thirret në atë, se të tëra këto që po shfaqen, po shfaqën aq papritmas, dhe se ajo është e angazhuar me të madhe për zhdukjen dhe çrrënjosjen e tyre, ndërsa e vërteta qëndronte ndryshe dhe për këtë shkruante me të madhe shtypi ilegal. Se pushtetarëve iu konvenonte një kaos i tillë te të rinjtë ishte mase evidente. E vërteta ishte tjetër fare, e tërë kjo ishte një lojë e qëllimtë e sidomos kjo kur shpifej për rinin shqiptare. Dhe përfundon autori se “atë që nuk kanë mundur ta mbërrijnë me tortura e forcë, po mundohen ta mbërrijnë me një mënyrë tjetër akoma më të rrezikshme, që ta degjenerojnë rininë, ta paaftësojnë, ta largojnë atë prej rrugës së lirisë, ti shuajnë asaj dashurinë ndaj atdheut dhe kombit dhe në këtë mënyrë ta bëjnë atë që e kanë ëndërruar që moti- ta zhdukin emrin Kosovë”, .
Në shkrimin e lartpërmendur, autori porosit se “një gjë duhet ta dinë revizionistët – shovinistët jugosllav, se në truallin e Bajram Currit e Ali Kelmendit, te Asim Vokshit e Emin Durakut-nuk shuhen traditat e larta patriotike e revolucionare…” në fund e përmbyllë shkrimin me optimizëm autori.
Në bazë të shkrimeve që prezantohen në revistë, vijmë në përfundim se autorët janë të drejtpërdrejt dhe gjërat quhen me emrin e vërtetë të tyre. Andaj shtypi ilegal, nga masat e gjëra ishte shumë i kërkuar për lexim, por nuk mungonte edhe hulumtimi i shtuar i UDB-ashve për ti ra në gjurmë artikullshkruesve
Populli shqiptar megjithëse ishte i kalitur dhe i brumosur me luftëra dhe atdhetari me shekuj, dhe i ka rezistuar sulmeve të egra të armiqve, nuk mund të gënjehej dhe mashtrohej kurrë më me njëfarë demagogjie e manovre të reaksionarëve jugosllavë. Armiqtë e popullit shqiptarë u gënjenin keq se ata pa marrë parasysh se çfarë lloj metode përdornin, kurrë nuk do të mundnin ta shuanin dashurinë ndaj atdheut dhe kombit. Edhe ata më në fund e kuptuan se e kanë kotë se edhe kjo manovër e tyre dinake- po dështonte me turp. Nuk kishte forcë që mundte ta ndante ata nga këto mësime dhe nga qëllimet e tyre të larta dhe të shenjta-Liria ,të cilën sa e sa herë e kemi paguar dhe do ta paguajmë me gjak.
Veç problemeve tematike që përfshihen në gazetë, autor të ndryshëm paraqiten edhe me vështrime për libra të caktuar siç është rasti i “Bashkim Gollakut” (Kadri Osmani) që prezantohet me recensionin për librin e Vlladimir Dedierit “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1939- 1948)“ që kishte botuar shtëpia botuese “Prosveta”, Beograd 1949. Në këtë vështrim, që ishte i titulluar “Politika revolucionare shqiptare- po e çanë si me shpatë propagandën revizioniste jugosllave”, ndër të tjera autori shkruan se “Biografi i Titos, Vladimir Dedijeri, që më 1949 nxitoi ti publikojë marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave dhe në librin e tij prej 250 faqesh grumbulloi material nga arshivat e ndryshme por me “faktet” dhe “argumentet e “pamohueshme” shpesh bie në kundërshtim me vetveten. Ai me anën e këtij libri deshi ta bind opinionin e gjorë të brendshëm dhe të jashtëm se gjëja Jugosllavia dhe PKJ-ja ishte ajo që i ndihmuan dhe e çliruan Shqipërinë nga kthetrat nazi-fashiste”.
“Që në faqen e 11, biografi i diktatorit” shkruan autori “se Dushan Mugosha- Duqi (Sali Murati) me të arrirë në Tiranë e merr lidhjen me disa grupe, por përfaqësuesit e grupit të “Korçës” nuk patën besim të flasin me të sepse nuk kanë pas kurrfarë certifikate se jam komunist. Në lidhje me këtë unë jam tallë tu fol se komunistët jugosllavë akoma nuk janë të vulosur, (shkruan Dushan Mugosha, shënim i SK-B)” , komenton autori i shkrimit.
Në lidhje me formimin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare ai citon: “Por, këtë nuk e kuptuan disa anëtarë të KQ të PKSH, në mes të të cilëve ka qenë edhe Enver Hoxha dhe Dr. Ymer Dishnica, kjo për arsye të papjekurisë politike dhe pse ishin të pa perspektivë”. Por “ me propozimin e Dushan Mugoshës në Kongresin e Përmetit, në mbarim të vitit 1944, Enver Hoxha u emërua për komandant të Shtabit të Përgjithshëm me gradë gjeneral- kolonel”, thekson autori fjalët e Vlladimir Dedijerit ..
Kurse gazeta “Borba”, që botohej në Beograd, në kryeartikullin e saj më 8 janar 1945 shkruante: “Populli fisnik shqiptar, u çlirua i pari në të gjithë kompleksin e luftës së aleatëve, vetëm me forcat e veta dhe i pari ka qenë në Evropë i cili është përgjigj me armë kur fashistët zaptues shkelën tokën e tij në prill të vitit 1939, dhe nga kjo që thotë gazeta “Borba”, vijmë në përfundim se edhe kur nuk paskan arrit instruktorët e Beogradit siç ishin: Duqi, Svetozar Vukmanoviq- Tempo dhe Bllazha Jovanoviqi, shqiptaret paskan ditur të dalin në mal dhe të luftojnë për lirinë e tyre . Atëherë autori i këtij shkrimi në revistën “ Zëri i Kosovës “, me të drejtë bënë pyetjen :” Atëherë kush kë e çliroi?!”
Në shkrimet që hasën në shtypin jugosllavë, një ditë më vonë, “diktatori jugosllav me 9 gusht 1945 deklaron:” vendi i rrënuam nga okupatori dhe populli shqiptar i varfënuem, për sakrificat dhe kontributin në luftë meriton simpatitë më të nalta dhe çdo ndihmë që popujtë tonë mundë ti japin, dhe kjo më tepër, sepse disa njësi shqiptare pas çlirimit të Shqipërisë u bashkuan me ushtrinë tonë dhe s’bashku luftuan për përzanjen e okupatorit nga Mali i Zi dhe Sanxhaku…” , Ndërsa Millovan Gjillasi thot se “Sjellja e ushtrisë Shqiptare në Jugosllavi ka qenë e jashtëzakonshme dhe ajo, në pikëpamje ushtarake, jo vetëm se e ka kryer detyrën e besume por ka tregua iniciativë dhe vetëmohim në luftë për çlirimin e Jugosllavisë sikur të luftonte për vendin e vetë” na njofton autori.
Dhe në “Epilog” të librit shkruan autori se, Vladimir Dedijeri shkruan “botimi i këtij publikimi përfaqëson nga ana jugosllave përpjekjen e parë që publikisht ti paraqiten publikut tonë dhe të jashtëm marrëdhëniet jugosllave-shqiptare për këto tetë vjet të kalume në mënyrë më të plotë”, për të vazhduar se ”mund të gjykojë, në radhë të parë, vetë populli shqiptar, i cili këtë ndihmë vëllazërore të gjanë e ka ndijë në ditët më të vështira dhe më vendimtare në historinë e tij” , dhe me të gjitha këto të thëna, Dedijeri, shpesh bije ndeshë me fjalët e veta dhe mundohet vazhdimisht të fshehë të vërtetën si nga opinioni i gjerë vendor, po ashtu edhe nga ai ndërkombëtarë .
Në libër gjerë e gjatë jepen të dhëna që fare nuk përkojnë me realitetin, bile në një vend thuhej se “Shqiptaret vendosën për fatin e vet!!!”, kjo fjali me gjasë nuk do koment, pasi se me këtë fjali u manipulua dhe manipulohet edhe në ditët e sotme.
Me çfarë të drejte shkëputet një popull prej shtetit amë kur e përbëka shumicën më të madhe të popullsisë në Kosovë?! pyet “ Bashkim Gollaku” E sa për borxhin prej 1 miliard e 700 milion dinar që e cek autori, artikullshkruesi thotë: “Populli shqiptarë do të llogaritë mirë e mirë se kush kujt i ka borxh. Premtimet demagogjike të diktatorit, pas shkëputjes definitive, edhe gjatë luftës, u shndërruan në aksion çkombëtarizimi dhe gjenocidi në masë” .
Në gazetë, në një rubrikë të veçantë shkruhet edhe për jetën dhe veprën e “Josip Visarionoviq Stalinit”, shkruar nga “Gjin Dukagjini” (Binak Ulaj).
Sikurse në numrin e kaluar mjaft vend i kushtohet poezisë. Në këtë numër prezantohen me poezi: “Bashkim Gollaku” (Kadri Osmani)me dy poezi: “Gjumi vigjilent” dhe “Qëndro Gollak”. Poezitë kanë karakter patriotik dhe me një mënyrë brilante prezanton dhe shtron në mënyrë sintetike dhe koncize problematikën e historisë së popullit shqiptar, problemet e identitetit të rrezikuar kombëtar. Kjo poezi nuk ka dyshim se është poezi e kujtesës, kujtesës kombëtare dhe e fatit historik. Autori nëpër mes të vargjeve bisedon me popullin se edhe në gjumë ky popull i stër-vuajtur është vigjilent. Ndërsa në poezinë “Qëndro Gollak”, i kushtohet Gollakut dhe popullsisë së saj, dhe jo vetëm atyre. Autori në poezinë e vet nuk shtron vetëm problemet e ekzistencës kombëtare, të realitetit të hidhur të kohës, por në këtë poezi shtrohen edhe probleme universale të ekzistencës të rëndësishme në luftë përball sistemeve totalitare për liri dhe demokraci. Nëpër mes kësaj poezie poeti i epë zemër popullit se: Kur rigon e fryn era/ edhe tufani si rrebesh/ kur ulurin ujku te dera/ mos u mrrol, as mos u qesh” . Poeti e di se populli, okupuesin e përjetonte në formë të ujkut, dhe qëndronte mbi çdo shtëpi dhe nga ai u kanoste rreziku, por lutet “Ah, qëndro Gollaku im/ Edhe tregoi botës mbarë/ E lësho zërin ep kushtrim/ Se ke fatosat atdhetarë”.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 17 qershor 1984: Kadri Osmani gjatë procesit të dytë gjyqësor. (K.Osmani për herë të parë u gjykua në dhejtor 1974, si kryetar i GRK’së…) /sh.b/

===================================

Në këtë numër “Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi) prezantohet me tregimin “Bashkimi i shokëve”, ku shtjellohet me një gjuhë-shpatë, lufta dhe qëndresa e shqiptarëve, por prezantohet edhe tradhtia si dukuri që paraqitet tek disa shqipfolës. Fjalët : populli, nderi, atdheu – nganjëherë bëhen si një sfond për të shprehur ndjenjat më sublime poetike. Me një mjeshtëri të rrallë paraqet se si bashkimi, aktiviteti i tyre, dashuria për vendin i bënë të pathyeshëm, dhe se si dhe në çfarë gjendje e pësojnë tradhtarët, ata që punojnë për interes të armikut. Zejna ishte njëri prej tyre që i tradhtonte shokët, dhe bartte informata për aktivitetin e tyre, për ca para të fëlliqura që i epnin spiunet e Lubishës. Dhe kjo është kështu, pasi se dihej çka e pretë tradhtarin, “edhe plumbi në ca momente është pakë për të”, thotë Lekë Kraja.
“Hysë Derveni” (Hydajet Hyseni) në poezinë “Simbol i lirisë dhe bashkimit kombëtar” paraqet luftën e popullit shqiptarë për liri dhe bashkim kombëtar, e kjo ishte gjakim i shumë gjeneratave. Poezia i kushtohet simbolit të luftës dhe të rezistencës, prijësit të luftës dhe të qëndresës (Hasan Prishtina). Kisha shtuar se kjo poezi që shkruhet nga një veprimtar i ilegales ku toka kundërmon boje kafe, e ujitur kushedi sa herë me gjak. Me shekuj në atë tokë qëndrojnë kulla vrojtimi të vetmuara, ku dikur ishin vende mbrojtjeje, derisa më vonë u shndërruan në simbole të rezistencës dhe të qëndresës, të banuara nga shqiptarët, si shenja dalluese të identitetit në mbrojtje nga sulmet e jashtme, ku gjithnjë ai fatum rëndoi mbi popullin shqiptar. Imazhi i atdheut të copëtuar është si një lajtmotiv në poezitë dhe shkrimet e autorëve që i përkisnin ilegales shqiptare: “Shkrove faqet më të ndritura të historisë/ Ti viga i Kosovës e i tërë Shqipërisë/ I popullit prijës strateg e luftëtar/ Në zemrat tona prore dhe çon ato peshë/ Ëndrra e jote do bëhet realitet e ti do jesh/ Simbol i lirisë dhe i bashkimit kombëtar” shkruan autori herë- herë në valë dëshpërimi, e herë- herë në valë gëzimi e optimizmi.
Në vazhdim të gazetës bëhet prezantimi i rubrikës “skicë”, në të cilën autori me nistoret “Bashkim Gollaku” (Kadri Osmani), paraqet shkrimin “Banesa për punëtorët”. Në pika të shkurtra përshkruhet jeta e vështirë e punëtorëve, që jetojnë në varfëri të skajshme, pa banesa, pa kushte elementare për jetë. Ndërsa Kosova në anën tjetër është e pasur me xehe, me fusha pjellore, me male dhe me çka jo tjetër. Por, populli i saj edhe më tej përpëlitej dhe jeton në skamje. Autori shtron pyetjen se çfarë duhet të bënte popullata? Duhet të mos i besoj propagandës, atë që e thotë edhe trakti që e gjejnë ata në minierë “Punëtorë, mos i besoni propagandës së armikut! As gazetave e as radios e televizionit. A nuk u ngopëm qe 30 vjet me demagogji revizioniste? Vetëm revolucioni i shëron plagët tona…” ishte konkludimi i autorit.
Veç shkrimeve që vinin nga autorët nga vendi, revistës i vinin edhe letra të ndryshme nga jashtë nga mërgimtarët tanë që ishin të punësuar në vendet perëndimore. Në këtë numër (II), botohet letra e një mërgimtari që vinte nga Amerika e largët dhe letra fillon me një shprehje mallëngjyese:
”Të dashur vëllezër!
Me të drejtë thonë se s’ka vdekje më të vështirë se të vdesësh për së gjalli. Kështu mund të them për ne dhe jetën tonë prej se shkelëm në këtë të mallkuar Amerikë. Po vëlla. Nuk ka ditë as natë të mos qaj për fatin e zi që na gjet. Tani po e shoh pse na ftonte me aq bujë Xhela, ku paska qenë qëllimi i tij dhe pse na fliste për këtë “parajsë”. Tani po e di edhe pse ata të hyqmetit për pak kohë na i epshin dokumentet aq shpejt sa s’më besohej. Po, qëllimi i tyre paska qenë që ti lëshojmë truallin …” dhe më vonë vazhdon “Andaj vëllezër , amanet mos e mësyni këtë të mallkuar. Mos ia ktheni shpinën atij trualli mos e fikni atë zjarr në vatër, mos e shkretoni atë tokë se ne te ruhen eshtrat dhe gjaku i të parëve tanë. Dine se ai i cili thotë të vini këtu, është armiku ynë, andaj qoftë i mallkuar!
Ju përshëndesim vëllazërisht duke ju thënë: Mos paçi fatin tonë! përfundon letrën mërgimtari shqiptar.
Në raste të shumta kjo letër mund të përdorët si një dokument dhe dëshmi e tragjedisë e e dëshpërimit të mërgimtarit që kishte qen i detyruar për të lëshuar trojet e të parëve për hir të dhunës, skamjes dhe mjerimit që mbretëronte në vend. Kjo dukuri e dhembshme kishte vazhduar edhe më vonë sidomos pas viteve të ‘90 kur presioni e terrori dukshëm u shtuan nga okupuesi.
Gazeta mbyllet me “Këndin satirik” e cila i kushtohet “Udhëtimi i Titos në Indonezi” shkruar nga “P. Shkreli” (autor nga Shqipëria-marrë nga një përmbledhje të poezive të tij satirike). Nga natyra e vetë ngjarjeve dhe e vetë fatit historik gjejmë në këtë poezi ngjarje që shtrojnë ironinë dhe dramën e popullit , në të cilën bien dhe rrënohen vlerat etike-morale. Autori me një humor të stërholluar vë në spikamë të metat dhe dobësitë e Titos, dhe klanit që e rrethonte. Në mënyrë të spikatur vë në pah vetit e tija prej hipokriti dhe gllabëruesi të pa masë të tokave të huaja.
Pas Plenumit të Brioneve (1966), dhe demonstratave të vitit 1968, në Kosovë, pati një dendësi të ngjarjeve politike që dëshmojnë për një arritje të konsiderueshme të legales dhe ilegales shqiptare. Edhe pas këtyre ngjarjeve të rëndësishme, populli shqiptar ishte i pakënaqur, ngase nuk iu realizuan dhe nuk iu plotësuan kërkesat e tyre jetike. Anëtarët e “Grupit Revolucionar, vitin 1974, e quajnë të rëndësishëm, ngase po në këtë vit filloi të dalë edhe revista ilegale e organizatës“ me emrin “Zëri i Kosovës”, që njëherë ishte edhe organi kryesor informativë i saj. Është karakteristikë se edhe në këto vite të okupimit jugosllavë, që Kosova kishte ngelur pa dashjen e saj nën Jugosllavi, vlen të ceket se në këto vite me të madhe ishte gjallëruar aktiviteti ilegal, dhe si detyrë parësore edhe më tutje kishte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe luftën e pa kompromis kundër okupuesit.
Gazeta “Zëri i Kosovës”, doli në rreth dhjetë numra, por janë ruajtur vetëm dy. Ajo trajtoi tematika dhe problematika nga më të ndryshmet. Në të gjitha ato rubrika të larmishme informative, problemore, paksa edhe letrare-satirike paraqiti në mënyrë të sinqertë situatën reale e të rëndë të Kosovës e të popullit të saj.
“Zëri i Kosovës” gati në të gjitha shkrimet, demaskonte okupatorin, dhe luftën e pa kompromis të popullit të saj për liri e pavarësi. Si kriter bazë në gjykimet e veta ky organ kishte vu shkëputjen, bashkimin me shtetin amë. Një fuqi befasuese dominonte në tërë shkrimet e revistës, por dallon dukshme nga shtypi ilegal i mëhershëm që u botua në Kosovë. Në këta dy numra bie në sy një trajtim paksa i ndryshueshëm. Temat me tematika të drejtpërdrejta të nxjerra nga vetë përditshmëria e jetës, dhe vetë angazhimi i autorëve, ato s,bashku lëvizin në disa drejtime të ndryshme, pra në më tepër se në një dimension : robëria e liria binome të pandara, dhuna e terrori karakterizojnë përsëri periudhën pasbrioniane, shtypja e mërgimi janë plagë që zënë vend të rëndësishëm në revistë, dhe në të shumtën e rasteve vetë mënyra e të shkruarit të dukej e “frikshme” dhe plot revolucionaritet. Lufta për liri, robëria, shtypja, korrupsioni, krimi, burgu, dhe vetë fati i pazgjidhur i atdheut e bëjnë gazetën më të plotë, më me diversitet dhe më nxitëse, që edhe sot e intrigon lexuesin për ta lexuar dhe analizuar gjerë në fund gazetën “ Zërin e Kosovës”.
Gazeta “Zëri i Kosovës”, lirshëm mund të thuhet se shënon vazhdimësinë e komunikimit ilegal që ishte krijuar e formësuar për vite të tëra në Kosovë, dhe vet gazeta është dëshmi e qenies dhe ekzistencës sonë, dëshmi e njohjes dhe rinjohjes, e qëndresës së përjetshme, e ecjes dhe e gjakimit të ëndrrës sonë nëpër kohë. Shkrimet në këtë gazetë, janë të thjeshta, të qarta. Janë shkrime të qëndrueshme, që në vete përmbajnë dashuri për atdheun dhe për lirin, por që nuk reshtëm së kërkuari në forma të ndryshme. Shkrimet e gazetës poçes lexohen me vëmendje na ofrojnë një vërtetësi thelbësore të kohës, dhe automatikisht këto shkrime shndërrohen në vlerë të qëndrueshme të të dhënave historike.


Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK

Rezyme
Si vazhdimësi e grupeve të mëhershme ilegale patriotike shqiptare në Kosovë ishte edhe Organizata patriotike ilegale “Grupi Revolucionar”, që u formua në vitin 1972. Në aktgjykimin e anëtarëve të grupit nuk thuhet se me cilën datë është formuar organizata, por, dihet me saktësi se organizata u formua nga patriotë të njohur të jetës ilegale.
Grupi Revolucionar kishte formuar si pjesë të vetën organizative një komitet të studentëve në pranverën e vitit 1974 në përbërje: Xhafer Shatri- përgjegjës, dhe anëtarët Rexhep Malaj (zëvendës), Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani.
Grupi Marksist-Leninist i Kosovës (vazhdues i GRK), më 1978 kishte formuar përveç Komitetit Drejtues edhe Komitetin Ekzekutiv në përbërje: Ismail Syla, Jakup Krasniqi, Saime Isufi, Bejtullah Tahiri, Jashar Hajrizi, të gjithë këta me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shpërndan edhe një trakt.
Qëllimi i organizatës ishte që në mënyrë të organizuar të punohej ilegalisht me masat e gjera, për të krijuar në të ardhmen një klimë të përshtatshme në të cilën do të mund të sendërtoheshin synimet shekullore që Kosova dhe pjesët shqiptare nën ish- Jugosllavi të bashkoheshin dhe në një të afërme të shpejtë të bëheshin pjesë e pandashme e shtetit amë-Shqipërisë. Për punë sa më të suksesshme ilegale dhe për të ruajtur konspiracionin e thellë të anëtarëve, udhëheqja e organizatës anëtarëve të vet u caktoi pseudonimet dhe punën e mëtejshme e organizuan në formë të “tresheve“.
Ndërkohë përpiluan dhe shtypën “Paraprojektin” e organizatës ilegale. “Grupi Revolucionar“ veprimtarinë e vet e orienton drejt zgjerimit të radhëve- si kusht vendimtar për krijimin e partisë pararojë. Në punën e mëtejshme të anëtarëve të organizatës bie në sy sidomos veprimtaria botuese e saj. Duke pasur parasysh rrethanat historike në të cilën vepronin radhët ilegale dhe mungesën e përvojës së shtypit të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës së pas LDB, ndërmarrja për një shtyp të tillë ishte sa e vështir aq edhe e guximshme. Pas shumë diskutimeve në grup, ishte vendosur që organi i organizatës të quhej “Zëri i Kosovës”. Më 1974, grupi ilegal nxori numrin e parë të saj, të pagëzuar me emrin “Zëri i Kosovës”, ashtu edhe siç ishin marr vesh. Ilegalistët fillimisht mendonin se kjo gazetë njëherë do të jetë edhe zëri i vërtet i popullit të Kosovës. Gazeta “Zëri i Kosovës”, numri i parë i saj doli me 1 shkurt 1974. Dhe fillimisht kishte 32 faqe, të shtypura në makinë në fletë A-4.

– FUND –

_____________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4478
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4479
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4480
***
Librin në formatin PDF mund ta lexoni këtu:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-basha-zeri-kosoves.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura