PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: NJË HISTORIK I DHEMBSHËM I NJË ‘LETRE…’ I TË BURGOSURVE POLITIK SHQIPTAR NË (C. Z) BURGUN QENDROR TË BEOGRADIT – MË 1985

Prishtinë, 30. 04. 2015 – Broshura “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, u botua në vitin 1986, nga biblioteka “Liria”, e organizatës “MLK”, dhe ka 146 faqe. Ajo fillimisht ishte ideuar dhe më vonë shkruar në formë letre-protestë nga të burgosurit politik shqiptar: Hydajet Hyseni i dënuar me 15 vjet burg, Zijah Shemsiu, me 13 vjet burg, Bajram Kosumi, 15 vjet burg, Ali Lajçi, 15 vjet burg dhe Gani Koci i cili ishte i dënuar po ashtu me 15 vjet burg. Fillimisht, ky shkrim u pagëzua me emrin “Letër Kryesisë së RSFJ-së”(1), që u shkrua në burgun famëkeq “CZ” (Burgu Qendror) të Beogradit, në prag të katër vjetorit të demonstratave gjithë popullore të Kosovës, 1981.
Sipas parathënies së broshurës, thuhej se gjatë kohës sa vuanin dënimin të burgosurit politik shqiptar shpesh nga aty shkruanin letra protestuese, reagime të ndryshme, ankesa që iu dërgonin organeve më të larta shtetërore, personaliteteve udhëheqëse, intelektualëve shqiptarë që bënin fjalë për kushtet e vështira dhe keqpërdorimet që u bënin nga ana e organeve të burgut. Bile, kishte shumë raste kur të burgosurit bënin grevë urie ose i përkrahnin të burgosurit e tjerë politik në ndonjë iniciativë që shkonin në favor të tyre. Por të gjitha këto iniciativa e angazhime, që bënin ata, nga ana e pushtetarëve haseshin në vesh të shurdhër. Ato ngelnin në kuadër të të burgosurve, dhe të burgosura së bashku me dëshirat e tyre, se ato askush nga udhëheqësit nuk i lajmëronte, nuk i publikonte dhe tamam puna të depërtonin në mjetet e informimit. Pikërisht, duke e parë këtë gjendje të mos informimit dhe sensibilizimit të gjendjes së tyre të mjeruar dhe padrejtësisht të dënuar, ata morën nismën që të shkruanin letrën, në formë proteste, vetëm e vetëm për ti sqaruar shkaqet, arsyet dhe karakterin e vërtetë të demonstratave të pranverës shqiptare 1981. Në përmbajtjen e saj edhe sot të lexuar nga një distancë dy dykadëshe kohore, vërehet se me sa argumente e fakte prezantoheshin situatat të cilat sollën deri tek demonstratat, dhe se si në mënyrë të drejtpërdrejt protestohej hapur kundër krimeve e reprezaljeve që ishin bërë dhe po bëheshin vazhdimisht ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, që në detaje paraqitnin shkaqet kryesore që sollën shpërthimin e demonstratave dhe kërkesat e tyre të drejta. Nga vetë vizioni dhe shtjellimi i problemeve që paraqesin në këtë broshurë “Letër…”(2), shihet qartë se me çfarë njohurish e të dhënash shkencore elaboronin situatën që solli deri tek demonstratat. Një qasje e tillë shkencore, thonë letër-shkruesit edhe pse kishin kaluar shumë vite nuk iu kishte bërë asnjëherë as demonstratave e as kërkesës “Kosova-Republikë”. Por, ata gjykonin dhe akuzonin se këtë lloj analize nuk e kishin bërë si duhet as pushtetarët e atëhershëm, që më tepër u merrnin me propagandë (dezinformata) politike se sa me analiza të mirëfillta shkencore.

Kopertina e broshurës: “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, botua në vitin 1986, nga biblioteka “Liria”, e organizatës “MLK”.

*     *     *

Dhe, me të drejt mund të konstatojmë, se ndoshta, mu këtu qëndron vlera dhe rëndësia e madhe e kësaj broshure, kur dihej se në çfarë rrethanash dhe kushtesh të pa kushte u shkrua dhe gjeti shtegun për të dal dhe depërtuar në opinionin liridashës “Letra…” e të burgosurve politik shqiptar.
6. 1. Si lindi ideja për tu shkrua letra
Ideja për të shkruar një letër-protestë të të burgosurit politik shqiptar kishte lindur herët, ndoshta posa të burgosurve politik iu kishte shqiptuar dënimi, ose posa ishin takuar në mes veti në qelit e ftohta të burgut. “Letrën…” nga vet përmbajtja e vërejmë se atë e kishin përgatitur gjatë, duke hedhur për çdo ditë nga diçka në të, duke shtuar e hequr me korrektësi çdo gjë që ishte e rëndësishme për historinë dhe për momentin. Për ta përfunduar diku në ditët e para të marsit të vitit 1985, kur edhe iu dorëzua organeve kompetente të Burgut Qendror të Beogradit. Më saktë, letra u dorëzua me 8 mars po të njëjtit vit, ndoshta kjo datë edhe nuk ishte ashtu krejt e rastësishme, ngase përputhej edhe me përvjetorin e katërt të nismës së demonstratave studentore të vitit 1981.
Dhe jo rastësisht, pas dorëzimit të letrës nga ana e të burgosurve politik organeve kompetente, në burg dhe në kreun e saj, u ngrit një “alarm”, ku përsëri i tërë mllefi u shpreh te të burgosurit politik shqiptar, dhe menjëherë pas dorëzimit të saj, të burgosurit politik që ishin nënshkrues të letrës u shpërndan në burgje të ndryshme anë e kënd ish-Jugosllavisë. Dy nga të nënshkruarit u transferuan në Nish, një në Zajeçar, një në Pozharevc, ndërsa Zija Shemsiun e ndaluan në Burgun Qendror të Beogradit (3). Dhe e tërë kjo nuk ishte aspak befasuese për të burgosurit ngase një gjë të tillë edhe e kishin pritur. Ndërsa me të burgosurin politik Zijan, gardianët e burgut me gjasë kishin edhe disa hesape të pa kryera që iu kishin grumbulluar prejse kishte rënë në burg. Ai me trimërinë dhe guximin e vet kaherë kishte tërhequr vëmendjen e gardianëve dhe hetuesve serbë për qërim hesapesh me të.
6. 2. Masat ndëshkuese ndaj autorëve të letrës
Pas dorëzimit të letrës, organeve hetuese të Burgut Qendror të Beogradit, thuajse iu dha edhe një shkas edhe më i madh për të përdorur tërë arsenalin e dhunës që kishin në dispozicion ata. Për një muaj e më tepër rresht nuk pushuan torturat e metodat më shtazarake që u përdorën ndaj tyre. Mllefin më të madh pa dyshim e shprehen ndaj të burgosurit politik-Zija Shemsiut, të riut nga Perlepnica e Gjilanit, i cili ishte i dënuar me grupin që ilegalisht kishte sjellë armë nga shtetet e Perëndimit për nevoja të ilegales në Kosovë. Ndaj tij përdorën mjetet e metodat më barbare, dhe më 1 maj të vitit 1985 e likuiduan fizikisht. Për vdekjen e tij, arsyetimi ishte i thjesht, (si rëndom kur i mbytnin djemtë tanë) se kishte vdekur nga një sëmurje e rëndë në burg. Por, e tërë kjo farsë nuk kaloi tek populli, se ata vetëm ishin të mësuar si i vdisnin patriotët dhe se nga çfarë “sëmurje” vuanin. Edhe pse fizikisht e kishin dërmuar, duhet thënë hapur se po mos të ishte guximi i tij prej një atdhetari të devotshëm sot, nuk do të kishim as këtë broshurë “Letër…” (protestë), në duart tona, që vjen si ushtimë për një kohë të rëndë që e përjetuam. Ai edhe nëpër atë zjarr, edhe nëpër ata dryna e grila arriti që një kopje të kësaj letre, nëpër mes të një burgosuri ta nxjerr jashtë dhe tua dërgoi shokëve të idealit.

Zija Shemsiu (1950 – 1985)

Vdekja e atdhetarit Zija Shemsiut u hesht nga organet kompetente, nuk u njoftua opinioni, siç bënte zakonisht në raste të tilla, edhe një arsye tjetër ishte edhe më e madhe se Zija Shemsiut, ata i frikoheshin edhe kur ishte i vdekur.
Ndërsa, ndaj të burgosurve të tjerë, që ishin hartues të “Letrës…”, masat ndëshkuese u shtuan, dhe nuk ishin të rralla edhe ndëshkimet kur i çonin në qelit e ftohta e të vetmuar të kalonin muaj të tërë.
6. 3. Përmbajtja e letrës
Në letrën e hartuar nga të burgosurit politik shqiptar: Hydajet Hyseni(4), Zija Shemsiu(5), Bajram Kosumi(6), Ali Lajçi(7) e Gani Koci(8), shkruhet e vërteta dhe vetëm e vërteta për ngjarjet historike, për shkaqet dhe arsyet që sollën deri tek demonstratat studentore e më vonë gjithë popullore dhe për kërkesën sublime që lindi në to “Kosovën- Republikë”
“Letra…” fillon se “Po bëhen katër vjet që kur filluan ngjarjet e mirënjohura në Kosovë, katër vjet kur ne me qindra bij të Kosovës, padrejtësisht po mbahemi prapa grilave, dhe po aq kohë që për këto ngjarje për ne dhe për tërë popullin tonë po flitet e po shkruhet zi e më zi”(9) thoshin letërshkruesit.
Por ajo, që i lëndonte më së shumti të burgosurit tan në burgjet anë e kënd ish- Jugosllavisë ishte, kualifikimi që erdhi nga vet pushtetarët shqiptar të asaj kohe, dhe thoshin ata, “se një kualifikim i tillë mund të jetë i nxituar, ngase në histori mund të kalojnë dekada e dekada për të ardhur deri te një e vërtet historike. Dhe si pasojë e këtij kualifikimi, se “demonstratat studentore ishin kundërrevolucionare”, me një mënyrë apo tjetër i hapën rrugë prokurorive publike që të ngrehnin aktakuza të shumta, dhe gjykatave të qarqeve iu dhanë mundësi që pikë për pikë të përsërisin vlerësimet e prokurorive, që pa fije turpi e drejtësie të shqiptonin aktgjykime me dënime të rënda për demonstruesit shqiptar, kudo që jetonin ata në ish- Jugosllavi. Dhe nuk ishte aspak e çuditshme se të gjitha këto u bënin në emër të popullit, dhe absurd mbi absurde, populli dënonte bijtë e vet pse donin të kishin Kosovën – Republikë!!!(10)
Pjesa më e madhe e “Letrës…” i kushtohet ngjarjeve në Kosovë që të burgosurit politik i kundërvihen me fakte se ato nuk mund të quhen kundërrevolucionare. Për të vazhduar më tej se “Për ngjarjet në Kosovë, për Kosovën dhe për çështjen e saj, gjatë këtyre katër viteve, u fol dhe po flitet me të madhe nëpër forume më të larta partiake e shtetërore, u shkrua dhe po vazhdon të shkruhet pa ndërprerje në mjete të ndryshme të informimit…”, për të vazhduar më pas se” por për fat të keq që nga fillimi e edhe sot e gjithë ditën ato po trajtohen në mënyrë të padrejtë, jo objektive, jo shkencore…”(11)

– Të punuar nga ish i burgosuri, Sylë Mujaj –

“E dihej”, mendojnë letër-shkruesit, se demonstratat studentore të vitit 1981, “ishin më shumë se serioze”, për të vazhduar në “Letër…” se “Për çudi as në forumet e ndryshme partiake e shtetërore dhe as në mjetet e informimit atyre nuk iu bë asnjëherë një analizë mos më shumë së paku serioze. Që nga fillimi, ato u vlerësuan dhe u kualifikuan në mënyrë të thjeshtësuar, subjektive, paushallë e disi kuturu”.(12) Autorët e “Letrës…”, vazhdojnë tutje duke bërë analiza për situatën e rënduar politike për shqiptarët në Kosovë që nga viti 1945 e këndej, për kohën e IB-es, për zhvillimin ekonomik të saj, zhvillimin e arsimit, ekonomisë, shëndetësisë, punësimit, për emigrantët tanë që ishin të detyruar të lëshonin vatrat e tyre, për të shkuar jashtë-në perëndim, për shpërnguljet e mëdha për Turqi, aksionin e armëve, për proceset e shumta gjyqësore-politike e shumë e shumë të tjera .
Edhe sot, konstatojmë se mund të jetë aktual shkrimi i “Letrës…”, kur letërshkruesit thonë se “Gjendja në Kosovë mund të qetësohet e stabilizohet vetëm duke e zgjidhur drejt çështjen e Kosovës, e në kushtet e krijuara, çështja e Kosovës mund të zgjidhet në mënyrë fatlume në radhë të parë duke mbajtur një qëndrim të drejt ndaj kërkesës “Kosova Republikë”. Ende i kemi të freskëta, kërkesat dhe parullat kryesore të studentëve që u brohoriteshin rrugëve e shesheve të Kosovës, por ajo kryesorja ndër më kryesoret ishte “Kosova Republikë”, madje, siç dihej ajo ishte shtruar edhe para demonstratave, në diskutime e në studime të ndryshme, e bile edhe në biseda të udhëheqjes së Kosovës me udhëheqësit më të lartë të ish-Jugosllavisë. Mbi të gjitha ajo ishte kërkesë e të gjitha grupeve e organizatave ilegale e më vonë u e gjithë popullit shqiptarë në ish- Jugosllavi.
Të burgosurit politik shqiptar vinë në përfundim se “çelësi kryesor për stabilizimin e vërtet të gjendjes në Kosovë është çështja e pazgjidhur e statusit të saj në ish-Jugosllavi. Andaj nuk mund të qetësohet një popull në qoftë se nuk dëgjohet zëri, kërkesat dhe dëshirat e tij. Pa këtë çfarëdo masa që do të përdorën, nga çfarëdo dore e fort, vetëm mund të acarohej plaga e hapur me dekada të tëra” nga e cila edhe sot do të merrnim mësime të vlefshme për të mos përsëritur historinë.
6. 4. Rëndësia e letrës
Tani të flasësh për rëndësinë e letrës, më dukej se nuk do koment, ngase, kjo letër-protestë e të burgosurve politikë shqiptar, iu përballoi dyerve të hekurta, grilave, hetuesve, gardianëve të burgut vetëm e vetëm për të arritur sot tek ne si një gjakim i përgjakur për lirinë që aq shumë e deshëm dhe aq shumë sakrifikuan në shekuj gjeneratë pas gjenerate, e brez pas brezi, vetëm e vetëm që të realizohej qëllimi suprem që Kosova të jetë e lirë e sovrane në tokat e saja (13). Kjo “Letër…”-protestë, nga aspekti historik është një dokument i rëndësishëm që dëshmon për luftën e vazhdueshme të popullit shqiptar në ish- Jugosllavi, për të drejtat, barazinë me të gjithë popujt e tjerë që jetonin në atë shtet-kreaturë, që e quani ish-Jugosllavi.
_____________
Referencat:
1. Dr. Sabile Keçmezi-Basha,“Rëndësi e tejkohshme e një dëshmie”, “Koha ditore”, 8 prill 2006.
2. Ngjarjet në Kosovë nuk ishin kundërrevolucion, 1986.
3. Po aty, f. 2.
4. Hydajet Hyseni sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë: P. nr. 31/82.
5. Zija Shemsiu me 1984, dënohet me 13 vjet burg (Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut-Beograd, K. nr. 51/84). Pas nënshkrimit të Letrës së lartë përmendur, për një muaj rresht, UDB, përdori mjetet dhe metodat më shtazarake ndaj të burgosurve shqiptar, por ato erdhën në shprehje sidomos ndaj Zijas, të cilin edhe e likuiduan fizikisht mu në festën ndërkombëtare të punëtorëve, më 1 maj 1985.
6. Bajram Kosumi ishte i dënuar politik, i lindur në fshatin Koretin më 1960, student. Në procesin gjyqësor të gjykatës së Qarkut në Prishtinë, më 1981 u dënua me 15 vite burg të rendë (aktgjykimi, PP. nr. 58/81)
7. Ali Lajçi, i dënuar politik. Ishte i lindur në fshatin Malaj, komuna e Pejës. Në kohën kur u dënua ishte student dhe kishte 21 vjet. Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 30 gusht 1981 ia shqiptoi dënimin prej 15 vitesh burg të rendë.
8. Gani Koci është i lindur më vitin 1958, në fshatin Polac të Skenderajt. Për pjesëmarrje në demonstratat studentore të vitit 1981 dhe të organizimit të veprimtarisë ilegale u arrestua dhe u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 15 vjet burg të rendë (Aktgjykimi , PP. nr. 58/81)
9. Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundër revolucionare, 1986, f. 23.
10. Po aty.
11. Po aty.
12. Po aty.
13. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, “Rëndësi e tejkohshme e një dëshmie”, “Koha ditore”, 8 prill 2006.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura