XHAFER DURMISHI – SKENDERI: “IBRAHIM KELMENDI – ‘JUSUFI KISHTE PËRCAKTIME TEPËR STRIKTE KUNDËR EMIGRACIONIT ‘REAKSIONAR’!”(3)

Pashtriku, 15 Korrik 2019:

5.Ky fragment me ka lënë pa tekst
Ibrahim Kelmendi: ”Ky fragment me ka lënë pa tekst. Nuk dua të besoj se është prodhim autentik i Jusufit.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)

Jusuf Gërvalla: “Më vjen një ditë, (vitin e kaluar), në derë me disa shkresurina që vetëm titullin e kishin të qartë: Programi dhe Statuti i Frontit të Kuq Popullor, dhe më lutet t’ia korrigjoj në pikëpamje drejtshkrimore. Më pastaj më autorizon që të preki, po e pashë unë të arsyeshme, „si njeri me përvojë“, edhe në anën materiale të pikave të përfshira në program e statut. Mirë, them, dhe meqë përmbajtja e shkresurinave ishte pa kokë pa bisht, i hy unë punës me gjithë seriozitetin dhe ato pak njohuri që kisha. Gjithmonë kisha parasysh, pas punës sime, ai do t’ua kthente shokëve për diskutim Programin dhe Statutin e Organizatës së tyre. Por, doli ndryshe. Doli se I. K. i ishte tekur të bënte një natë pa gjumë dhe të hartonte këmbadoras një program dhe statut të një organizate revolucionare, të cilin e botoi dhe e shpërndau si „literaturë revolucionare“ menjëherë pas „korrigjimeve“ që i bëra unë. E puna që kisha bërë unë më atë rast, s’ishte punë korrigjimi.” (Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, 31 korrik 1981)

6.Përpos tri organizatave tona
Ibrahim Kelmendi: ”Jusufi kishte përcaktime tepër strikte kundër emigracionit “reaksionar”, i cili përfshinte të gjitha organizimet e shqiptarëve, përpos tri organizatave tona.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Jusuf Gërvalla: ”Sa për organizatën e bashkuar rreth organit ”Bashkimi”, më duket se pak dobi mund të ketë nga iniciativa për bashkim e bashkëpunim me ta. Së paku për sa shihet te udhëheqësi i kësaj organizate në botën e jashtme, (I. Kelmendi-vërejtja ime) nuk ekziston përshtypja për organizim të mirëfilltë dhe as për ndonjë organizatë të fuqishme numerikisht. Megjithatë, po ta shihni ju të arsyeshme, ndoshta do të mund të realizohej mundësia që shokëve të Lëvizjes në Kosovë t`u jepet lidhja me përfaqësuesin e “Bashkimit” në Kosovë. Megjithëqë, për sa kam mundur të marr vesh, atje, në radhët e kësaj organizate, apo ndoshta në qendër të saj, ndodhet një njeri i dyshimtë (i UDB-së-shën ynë), njëfarë Blakaj, që punoka në Entin e Sigurimit Social në Prishtinë. Sa për mua unë njëherë për njëherë, pas numrit të fundit të “Bashkimit”(19 dhjetorit 1980 – shën. i Xh. D.), të cilin ta kam dërguar, të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtushëm i kam ndërprerë.” (Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 115-116)
Ibrahim Kelmendi: ”Sikur të isha i bindur që letra është autentike, do t’i çoja ndo¬një “selam” për së vdekur Jusufit.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
7.Dyshimet e mveshura
Ibrahim Kelmendi: ”Është marrëzi e radhës se si Xh. Durmishi me qindra herë, në 20 “librat” e tij, e kishte potencuar emërtimin e Frontit, sikur e kishte bërë UDB-ja, duke shpërdoru¬r dyshimin tim ndaj Xhevat Ramabajës dhe faktin se për emërtim të Frontit rol kryesor kishte luajtur Xhevati. Pra, përshkrimin tim të hollë¬sishëm për Frontin në romanin “Atentatet” Xhaferi e kishte shpërdorur deri në atë nivel, sa ta shndërronte në fakt dyshimin tim ndaj Xhevatit. Çuditërisht, i njëjti Xhafer Durmish e angazhoi pikërisht Xhevat Ramabajën si kuadër kryesor të “krahut” të tij.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
I. Kelmendi: “Edhe për Rezilin ndjej keqardhje,… …edhe ai do të mund të ishte njeri pa këto gjynahe që i mvishen në roman…” (Republika-e Salih Kabashit, prill 2007)
Qëllimi kryesor i Ibrahim Kelmendit me mveshjet etiketimin e Xhavit Ramabajës është dokumentimi se Frontin e Kuq e ka themelua UDB-ja, dhe me këtë t’ia lej këmbët e UDB-së Xhavit Ramabajës në dorë. Unë kurrë nuk e kam besuar dhe as nuk e besoj këtë trik kundër Xhavit Rambajës. Por edhe nuk kam dashtë me iu bërë avokat Xhavit Ramabajës sepse nuk ka qenë e nevojshme, pasi e kam ditë se, me kalimin e një kohe të caktuar, vetë shpifësi, etiketuesi, e prokurori do t’i bëhet avokat e do ta pastroj Xhavit Ramabajën lidhur me formimin e Frontit të Kuq duke kërkuar që dyshimet dhe shpifjet e tij të kuptohen vetëm si shpifje dhe asgjë tjetër. Me Xhavit Ramabajën kam pasë marrëdhënie të mira shoqërore në bazë të aktivitetit të asaj kohe, dhe rrethi i Bielefeldit ka qenë një prej rretheve më aktive, më të shëndosha dhe pa asnjë konflikt lokal që nuk më ra rasti të shohë një atmosferë të tillë në asnjë rreth tjetër në Evropë.
Sylejman Salihu: ”Për këtë përvjetor dhe këtë ngjarje pastaj foli bashkëthemeluesi i klubit “Kosova 81” ish kryetari i saj Xhavit Ramabaja, i cili në fjalën e tij përmendi rrethanat, nxitjet dhe shtysat kryesore që i detyruan ata për themelimin e shoqatës ”Kosova”. Ai tha se bashkëpunimi me partitë e majta gjermane, të cilat ishin të afërta edhe me programet dhe prirjet politike të Partisë së Punës së Shqipërisë ishin faktorët kryesor që na ndihmuan shumë për t’i hyrë këtij aktiviteti, që për kohën ishte i një rëndësie të madhe për diasporën tonë. Pastaj bashkëpunimi me klubet e tjera shqiptare e në mënyrë të veçantë me klubin shqiptar “Emin Duraku” të Dyseldorfit kishin bërë që puntorët shqiptarë të merrnin përvoja dhe të tregonin guxim në rrugën e pavarësimit nga diktatet dhe politikat e ndjekura jugosllave, duke kërkuar kështu një formë tjetër me taban politik kombëtar shqiptar, që shkonte paralel edhe me ngjarjet e sapofilluara në Kosovë, pra me demonstratat e vitit 1981, nga të cilat ata u frymëzuan dhe morën krahë të veprojnë kombëtarisht.
Formimi i shoqatës”Kosova ishte edhe një sfidë më vete në Bielefeld, për vetë faktin se në Bielefeld vepronte edhe shoqata e fuqishme jugosllave “Domovina” (Atdheu), të cilën e kontrollonte kryesisht konsullata jugosllave! Ramabaja përmendi pastaj se në kuadër të shoqatës “Kosova” ishin formuar edhe grupi folklorik dhe klubi futbollistik me të njejtin emër ”Kosova”, i cili vepron edhe sot dhe në historinë e vet ka shënuar rezultate të mira sportive. (“Kosova 81” festoi 35 vjetorin, zemrashqiptare.net, 14 qershor 2015)
8.E kam veçanërisht të vështirë
Ibrahim Kelmendi: ”Paraqitjen dhe shqyrtimin e marrëdhënieve mes nesh (Jusufit dhe meje) e kam veçanërisht të vështirë, sepse lufta speciale mbi 30-vjeçare ka pro¬dhu¬ar stereotipe mashtruese e irrituese. Tani, vështirësi ekstra me kanë shkak¬tuar “letrat” dhe “raporti” që Jusufi ia paska dërguar SN. Sfidë goxha e koklavitur dhe sfilitëse, goxha shqetësuese, meqë, nëse vërtet ato janë autentike, atëherë me duhet të korrigjoj adhurimin dhe vlerësimin e deritanishëm që kam pasur e kisha për Jusuf Gërvallën!” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
9.Nuk e kam të qartë arsyen
Ibrahim Kelmendi: ”Nuk e kam të qartë arsyen përse autori Xhafer Durmishi ndien nevojë, madje edhe në vitin 2013 që ta nënçmojë atë veprimtari UDBeske të Riza Salihut? (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
I. Kelmendi: “Edhe për Rezilin ndjej keqardhje,… …edhe ai do të mund të ishte njeri pa këto gjynahe që i mvishen në roman…” (Republika – e Salih Kabashit-, prill 2007)
Suzana Gërvalla: ”Pas shikimit të filmave erdhën tek ne. Jusufi, Ibrahim Kelmendin tri herë e ka qitë prej shtëpie. Se Ibrahimi ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishim të gjithë se çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka mbetë. Edhe ne të gjitha dyshimet i kemi tek ai.” (Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017, koha në film 6:59-7:23)
10.Dyfytyrësh, mashtrues, ose i pafytyrë fare
Ibrahim Kelmendi: ”Ky “raport” policesk duhet të jetë shkruar në tetor 1981, nëse vërtet është origjinal. Në asnjë kohë nuk kemi pas bashkëpunim më të ngjeshur sesa nga shpërthimi i demonstratave në Prishtinë e deri në mesin e tetorit 1981. E përsëris me dhimbje e shqetësim nëse “raporti” është autentik: i bie që JG të ketë qenë dyfytyrësh, mashtrues, ose i pafytyrë fare! Tjetër është çështja e vlerës se një inteleaktuali e krijuesi letrar të cilit nuk i shkon të bëjë raporte të fshehta spiunazhi!” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Jusuf Gërvalla: “Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. … Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. …
Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”.
Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.” (Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, 31 korrik 1981)

VIJON …
(Shkëputur nga libri i autorit Xhafer Durmiashi – Skenderi: Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit)
_______________
XHAFER DURMISHI – SKENDERI: ‘VETË DUHET T’I VRASIM SHOKËT TANË’! (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8939

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura